Kreu Letërsi Bibliotekë ISHULLI: Deti i Veriut, nga Rainer Maria Rilke

ISHULLI: Deti i Veriut, nga Rainer Maria Rilke

Përktheu nga origjinali Arb Elo

I

Batica e radhës ia fshin shtegut në vat vazhdën,
dhe tërëçka nis të bëhet njëlloj anekënd;
porse ishulli i vogël tutje, atje përjashta
i ka të mbyllur sytë; prita u merr mendtë

banorëve, se në një gjumë lindin banorët e tij
e ngatërrojnë shumë botë brenda n’atë gjumë
teksa heshtin; se rrallë flasin ata, ata s’flasin shumë,
dhe porsi epitaf e kanë secilën fjali

për diç’ të nxjerrë në breg, të panjohur, diçka
që nuk merret vesh nga vjen e pse është aty.
Dhe kështu është gjithçka u shkruhet ndër sy
qysh prej fëmijërisë: diçka që s’ka të bëjë me ta,
diçka që s’pyet për asgjë, diç’ si dërgesë, diçka
e madhe, që ua shton edhe më vetminë atyre.

II

Si të shtrihej në ndonjë rrethore krateri
në ndonjë hënë: çdo shtëpi përreth ka pritë,
dhe njësoj të veshur kopshtet, njëri si tjetri
ngjeshur e krehur si jetimë njësoj të gjithë

prej asaj stuhie, që aq rreptë i rrit e i mëson
dhe me ditë të tëra i frikëson ligsht me dekë.
Atëherë rrinë në shtëpi brenda dhe shikojnë
gjërat e çuditshme në pasqyra të varura keq

që vihen mbi komodina. Dhe njëri nga bijtë
del në mbrëmje para derës, fizarmonikës i bie
e i nxjerr një tingëllimë të butë porsi një e qarë;
ashtu siç e ka dëgjuar atë në një port të huaj -.
E tutje nis e merr njëra nga delet trajtë, pothuaj
kërcënuese, e madhe fort, mbi pritën e parë.

III

Pranë është veç brendia; gjithçka tjetër larg. Paq
është e zënë ngushtë ajo brendi, e rrëmbushur plot
përditë me gjithçka dhe e papërshkrueshme dot.
Ishulli është porsi një yll fort i vogël, i vogël aq

sa hapësira nuk e vë re dhe e shkatërron pa zë
në të qenit e vet pa vetëdije e frikshme, e pamatë
e kështu ai, pa iu vënë veshi, i pandrirë, nëpër të
fillikat

që e gjitha kjo të marrë sidoqoftë një herë fund
rreket të ecë, i errët, në një orbitë të stisur vetë
rreket verbërisht, në planin për kometa e planete,
diej e sisteme, pa u marrë parasysh e asgjëkund.

Paris, 23 korrik – 20 gusht 1907

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Publikohet Lista e Gjatë e Booker Prize

Përgatiti Andreas Dushi Më 27 korrik 2021, u bë publike lista e gjatë e kandidatëve për çmimin Booker...

Emrije Krosi: Që soneti i Uran Kostrecit mos të mbetet në hije si vetë jeta e tij

Uran Kostreci qe i fundmi i mohikanëve, qëndrestari i fundit nga radhët e -ish të burgosurve politikë, të quajtur nga (Visar Zhiti),...

Rudolf Marku: Një takim i paharruar me shkrimtarin John Updike

Në Korrikun e vitit 1994 ndodhesha i ftuar në një program kulture në Shtetet e Bashkuara. Qendrimi im për afër dy muajsh...

Ervin Nezha: Një vështrim mbi romanin “Darka e gabuar” të Kadaresë

Në rrjedhën e gjatë të kohës, historitë përsërisin vetveten. Dy mijë vjet më parë, në një darkë të paqartë, të mbuluar nga...

KATEGORITË