More
    KreuIntervistaInes Murzaku: Nuk ka njeri, këtu në Amerikë, të mos ketë dëgjuar...

    Ines Murzaku: Nuk ka njeri, këtu në Amerikë, të mos ketë dëgjuar për nënë Terezën tonë

    Intervistë dhënë gazetares Mimoza Hasani Pllana

    Mimoza Hasani Pllana: Profesoreshë Ines, aktualisht përveç punës në Universitet, jeni zgjedhur presidente në ardhje e Shoqatës për Studime Shqiptare, me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo shoqatë është e përkushtuar për promovimin e studimit profesional të kulturës, gjuhës dhe çështjeve të shoqërisë shqiptare, në të gjitha qendrat, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Verit, Mali i Zi, dhe diasporë. A mund të flasim më gjerësisht për misionin dhe rezultatet që keni arritur në këtë qendër prej themelimit?

    Ines Murzaku: Unë jam zgjedhur Presidente në ardhje nga 2020-2022 dhe në 2022 do të jem Presidente e Shoqatës për Studime Shqiptare (SAS). Kjo është shoqata më e madhe shkencore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për studimet mbi Shqipërinë e Shqiptarët. Kjo shoqatë është nën ombrellën e shoqatës Amerikane për Studime mbi Sllavistikën, Evropën Lindore dhe Euroazinë me akronimin ASEEES. Misioni i shoqatës është si vijon: “Shoqata për Studime Shqiptare është një organizatë akademike, interdisiplinare, ndërkombëtare me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e përkushtuar për promovimin e studimit profesional, kritikës dhe hulumtimit të të gjitha aspekteve të kulturës, shoqërisë dhe politikës shqiptare, veçanërisht në lidhje me vendet e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, si dhe diasporës shqiptare në të gjithë botën.”

    Çdo vit, Shoqata sponsorizon dy ose tre panele që kanë të bëjnë me studime mbi Shqipërinë, Kosovën e vise të tjera shqiptare. Panelet përqendrohen në historinë, politikën, antropologjinë dhe kulturën shqiptare. Rezultati është që një grup i shkencëtareve dhe profesorëve këtu në Amerikë janë të dedikuar të prezantojnë me nivel të larta shkencore kërkimet e tyre mbi Shqipërinë. Pra është një traditë e krijuar dhe që ne po e vazhdojmë e thellojmë çdo vit.

    Shoqata jep çdo vit çmimin “Stavro Skendi”për librin më të mirë në Studimet Shqiptare. Gjithashtu, studentët e diplomuar janë të ftuar të marrin pjesë në Konkursin për Kumtesën më të mirë shkencore për nder të Arshi Pipa, edhe kjo e sponsorizuar nga Shoqata për Studime Shqiptare.

    M.: Sa keni arritur të promovoni personalitete dhe figura të çmuara të kulturës, gjuhës dhe letërsisë shqiptare në SHBA?

    I.M.: Kolegë si Dr. Elez Biberaj, Prof. Nicholas Pano, Dr. Elton Skendaj, Dr. Elidor Mehilli, Dr. Anna di Lellio, Dr. Jeta Rudi Polloshka, Dr. Besnik Pula dhe Dr. Alexis Zoto, janë kolegë që marrin pjesë në konferencë çdo vit. Ata janë mjaft të dedikuar në studimet shqiptare. Nëpërmjet punës dhe kërkimeve të tyre ndërdisiplinare, mendoj se kemi arritur ta ngremë vëmendjen mbi Shqipërinë e shqipëtarët kudo që janë. Jemi një vend i vogël dhe një fushë mjaft e ngushtë. Duke qenë pjesë e kësaj organizate të madhe ne po lëmë mbresën tonë tek studiuesit amerikanë, ose tek studiuesit nga vende të tjera të botës.

    M.: Në universitete të ndryshme në SHBA, është e mundur të realizohen studime për gjuhët e ndryshme evropiane dhe ballkanike, a është e mundur të studiohet për albanololgjinë në nivel universitar?

    I.M.: Për këtë nuk kam njohuri, nëse gjuha shqipe studiohet këtu ashtu si në departamente të tjera në Evropë. Por, për shembull në kurset e mia në histori e teologji, unë gjithnjë i prezantoj studentët me historinë shqiptare, fenë, kontributin e një populli të vogël, por që gjithnjë ka dhënë më tepër se ka marrë. Unë mendoj se si komb dhe histori ne kemi shumë për të kontribuar.

    M.: Letërsia shqiptare tashmë ka një trashëgimi të çmuar letrare e kulturore si rezultat i punës shumëvjeçare të personaliteteve të çmuara që jetuan dhe vepruan në SHBA. Veçojmë dy nga figurat me të mëdha letrare, Faik Konicën dhe Fan Nolin, të cilët përveç se lanë trashëgimi të shkruar, drejtuan edhe shoqata dhe revista në gjuhën shqipe. A do të thotë se shoqata që drejtoni synon vazhdimësinë e shenjave të hershme kulturore shqiptare në SHBA?

    I.M.: Po patjetër. Tradita duhet kultivuar, ndërsa ecim përpara. Shoqata ka vizituar Bostonin dhe kishën historike të shqiptarëve. Në vitin 2018, njeri nga panelet e konferencës u zhvillua atje dhe komuniteti shqiptar i ri dhe i vjetër ishin të ftuar.

    M.: Bazuar në hulumtimet tuaja, cilët janë autorët shqiptarë, vepra e të cilëve është e lexueshme për lexuesit amerikan, përmes përkthimit?

    I.M.: Mendoj Ismail Kadare.

    M.: Si është bashkëpunimi juaj me studiuesit amerikanë që shprehin interesim për gjuhën shqipe? Kë veçoni?

    I.M.: Bashkëpunimi është shumë i ngushtë. Shoqata është gjithnjë e gatshme të akomodojë çdokënd që është i interesuar në kulturën tonë. Kemi edhe një numër studentesh amerikanë, apo evropianë të interesuar në studimet mbi Shqipërinë, numri i të cilëve po rritet nga viti në vit.

    M.: Jeni profesoreshë religjioni në Seton Hall University, dhe nga kjo perspektivë keni shkruar një libër për Nën Terezën, nobelisten e parë shqiptare, gruan që nxiti shumë njerëz të kërkojnë dhe të njohin popullin shqiptar dhe madje ta duan popullin e saj, bazuar në sjelljet dhe veprimtarinë e Nënë Terezës. Si vlerësoni ju, sa ndikoi vepra e Nënë Terezës, për promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare?

    I.M.: Mendoj se shumë, Nënë Tereza është nderi i kombit tonë. Ajo mishëron kombin tonë, vlerat tona më të mira që janë bërë shembull për botën. Ajo tregon se një popull i vogël, si populli shqiptar ka shumë për të kontribuar. Nënë Tereza është ambasadorja par eksellence e popullit shqiptar, të pandarë për solidaritet e duke ecur përpara. Nuk ka njeri, këtu në Amerikë, që të mos ketë dëgjuar për nënën tonë. Nuk flas vetëm për katolikët, Nëna është nënë e të gjithë njerëzimit, e të gjithë të vuajturve. Mund të hapësh një kurs të tërë në vlerat shqiptare duke e përqendruar tek Nënë Tereza. Dhe këtu flas nga praktika. Edhe pse pa doktoratë në teologji, Nënë Tereza është teologe, zgjuarsi shqiptare. Po.

    M.: A mund të flasim për projektet tuaja aktuale lidhur me promovimin dhe zhvillimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare në SHBA?

    I.M.: Jam duke punuar mbi një libër mbi historinë kishtare të arbëreshëve. Gjithnjë duke pasur parasysh potencialin e një populli të vogël për të arritur gjëra të mëdha në rastin e arbëreshëve, kontributin e tyre për ekimenizmin. Historia e kishës arbëreshe dhe sidomos mbijetesa e tyre është diçka për t’u hulumtuar.


    Ines Angeli Murzaku është Profesore në Universitetin Seton Hall në New Jersey, Drejtore e Programit të Studimeve Katolike dhe Kryetare Themeluese e Departamentit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall. Ajo fitoi një doktoraturë kërkimi nga Instituti Oriental Papnor në Romë, pjesë e Konsorciumit Universitar Papnor Gregorian (Pontifical Gregorian University) dhe ka mbajtur pozita akademike në Universitetet e Bolonjës dhe Kalabrisë në Itali dhe Universitetin e Munsterit në Gjermani. Ajo ka fituar bursa studimi duke përfshirë bursën prestigjioze Alexander von Humboldt Fellowship Research për Studiues me Përvojë; Grant i Këshillit të Kërkimeve të Shkencave Sociale dhe Humane të Kanadasë (SSHRC); dhe tre herë fituese e Fulbright – burse prestigjioze nga qeveria e Shteteve te Bashkuara të Amerikës për profesorë e studiues Amerikanë. Kërkimi i saj është botuar në shumë artikuj dhe tetë libra. Publikimet e Prof. Murzaku përfshijnë: Nënë Tereza: Shenjta e Periferive (Paulist Press, 2021); Jeta e Shën Neilos të Rossano (1004) (Harvard University Press 2019); Monastizmi Italo-Grek (Ashagte-Routledge 2018); Monastizmi në Evropën Lindore dhe Ish Republikat Sovjetike (Routledge 2016); Tradita Monastike në Krishtërimin Lindor dhe Botën e Jashtme një Thirrje për Dialog (Peeters University of Leuven 2013); Kthimi në Romë? Murgjit e Grottaferrata në Shqipëri (Analekta Kryptopherres 2009); Quo Vadis Evropa Lindore? Feja, Shteti dhe Shoqëria pas Komunizmit (Longo, Universita di Bologna 2009); dhe Katolicizmi, Kultura dhe Konvertimi: Historia e Jezuitëve në Shqipëri (1841-1946) (Orientalia Christiana Analecta, Instituti Oriental Papnor 2006).

    Ines Murzaku është zgjedhur Presidente në ardhje nga 2020-2022 dhe në 2022 Presidente e Shoqatës për Studime Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SAS). Kjo është shoqata më e madhe shkencore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për studimet mbi Shqipërinë e shqiptarët. Prof. Murzaku ka shërbyer si nënkryetare e Shoqatës për Studimin e Kombësive (ASN) dhe një përfaqësuese e akredituar e Kombeve të Bashkuara për organizatën Christian Associated for Marrëdhëniet me Evropën Lindore. Ajo është një komentuese e rregullt e mediave për çështje fetare. Ajo ka punuar ose ka bashkëpunuar me Associated Press, CNN, Zëri i Amerikës, Relevant Radio, The Catholic Thing, Crux – Taking the Catholic Pulse, Salt and Light Catholic Foundation Foundation (Kanada), Catholic World Report, National Catholic Register, The Record, The Stream, Radio Tirana (Shqipëri), Radio Vatikani (Qyteti i Vatikanit) dhe Rrjetin Televiziv të Fjalës së Përjetshme (EWTN-Romë).

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË