More
    KreuLetërsiBibliotekë"Indqenie", tregim nga Arta Maxhuni

    “Indqenie”, tregim nga Arta Maxhuni

    U kqyr thellë n’bebe t’syve, ajun prej lotëve t’natës, që ia dinte veç jastëku i lagun. Ato i zgjeroheshin si petale lulesh. I shkëlqenin si fëmijës. I shfaqnin nji varg episodesh. Pasqyra sikur ia numronte vragat e jetës, si pikat faqeve, nuk i fshehte gja. Lau ftyrën. Nemi gjithçka! Doli…

    Ditët i kishte si motra! Netët, gra që vajtonin! Çdo përjetim personal e kishte ind t’qenies!

    Kishte intervistë pune.

    T’s’di t’satën herë.

    Intervistat i kishte zët! Me rezultate t’pritshme, t’pritueshme, t’zakonshme, t’merzitshme…

    Nisi makijazhin me mjete t’ndryshme kozmetike, atë ditë me ngjyra ma t’theksume. Kur ndihej bosh, ishte buzëkuqja. Kishte vite që bota e saj e brendshme ishte kullë e shembun, qill me lotë t’zi, e t’jashtmen ish ba mjeshtre me fasadue bukur. Ishte vonë, durt i dridheshin. Lapsin n’kapakun e synit e kaloi disa herë, por nuk arrinte ta vijzonte si duhej, e fshiu me peceta t’njoma. Provoi të paktën t’katrën herë, arriti pakëz ma drejt, jo njajtë me bishtin e synit tjetër, por nuk pati kohë t’ndalej shumë. Çeli dollapin, thujse i tani me fustane, pasi njihej si zonjëz fustanesh. Disa i kishte me vjet, prej ardhjes së fundit t’motrës nga Përendimi që ia kishte sjellë. Nuk kishte mundësi t’i zavendësonte shpesh me t’rij. Ndejti pak para dollapit, nuk arrinte të vendoste cilin ta veshtte. Si elegante që ishte, shumcën prej tyne i kishte me dekolte t’hapun dhe për trupi. Kishte intervistë dhe paraqitja duhej t’ishte serioze. Nuk vonoi shumë dhe e rroku nji ma t’përshtatshëm. U vesh shpejt. Vnoi vathë, pak t’gjatë i kishte marak. Vathët i jepnin forcë! Mund t’harronte çdo gja kur dilte nga shpia, por jo vathët. Te dera, nana si random, i vendosi n’grusht nji bonbone dhe i uroi fat! Ajo u shtrëngua, sikur pas derës do të luftonte me botën, dhamb’ për dhamb’!

    Ishte vjeshtë e vonë! Gjethet ishin ngjitë tokës, i ngjanin me ngjyrimet poetike. Re t’shiut ishin mledh’ me shpërthy. Era i përplasej ftyrës. Floknaja i vallëzonte çpejtë, si dallgë  e hallakatun. N’dyert e shpive nuk kishte fëmijë dhe mace. Kishte nji copë udhë me ba deri në cak. Mërdhiu deri n’stacion. N’bus gjeti nji vend sa për t’u ulë. Aty kishte njerëz që ankoheshin për të nxehtin e t’ftohtin. Që flisnin me za t’naltë  n’tel, sikur t’tjerët nuk digjonin. Asi që qeshnin n’çdo t’dytën fjalë. Nji derë që çelej e mshelej, si derë ashensori e prishun… Kur zbriti iu duk sikur do t’shkonte n’adresë të njajtë. Për te gjithçka ishte e shpisë, si buka.

    Po priste n’koridorin e gjatë  t’asaj ndërtese t’re, t’sapo lyeme e me shumë dritare. Nuk i bëhej vonë për asgja! Edhe ata që prisnin bashkë me të sikur e kishin po atë ndjesi. E pengonte zhurma e bisedave, zhurma e takave t’grave që përplaseshin dyshemesë. Intervistat zgjateshin deri n’njizet minuta. I erdhi radha. Sapo hyni n’zyre iu zu fryma, ajri ishte i ndejun, ishte shumë nxehtë prej radiatorëve t’ngrohjes qendrore t’kryeqytetit. Punëdhanësi, i cili realizonte intervistat, ishte rreth t’50-ve. I shëndoshë, rrumbullak . Me nji kollare n’grykë  t’fytit që e kishte shtrengue, dukej si karikaturë derri n’katllëk. N’krah kishte nji asistent, djalë  t’ri, t’zgërdhishëm, me CV-në e saj kopje, bënte se e lexonte me vëmendje, sikur i interesonte fort. Pronari e kqyri komplet, e fotografoi me nji shikim qefliu… Kur nisi me i folë, sikur u kthjell. Fliste me nji zhargon profesional, krekosej me arritjet, numrin e punëtorëve, ndërtimet, investimet, e kaloi tuj shpreh kërkesa astronomike për punëmarrësit… Kur ajo nisi me folë, pyetësi nuk i kushtoi shumë vëmendje, lunte me kimik, sillej n’karrigen lëvizëse.  Kur doli nga zyrja, ajo e parandiente se gjithçka do t’mbyllej aty, bashkë me derën.

    Udhës për shpi, çanta i vinte rand dhe kambët. Qyteti i dukej i huej. Dritat e udhëve dhe dyqaneve ngrohnin shpirtin e dynjasë. Mori bonbonen nga xhepi dhe e msheli me ngut nji faqe jete…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË