More
    KreuMuzikëIna Kosturi: Rruga e mundimshme e grave kompozitore

    Ina Kosturi: Rruga e mundimshme e grave kompozitore

    Në ekranin e televizorit u shfaq numërimi mbrapsht, me solemnitetin, me logon dhe muzikën që ftonte në fillimin e aktivitetit. Nuk kisha menduar se pjesëmarrja virtuale në Maratonën Muzikore do ish kaq emocionuese. Gjithmonë mendoja se artet pamore, ekspozitat, ofronin avantazhin e madh të shijimit të momenteve të promovimit dhe ekspozimit nga krijuesit, madje emocionet në të tilla evente ku performanca nuk kish varësi nga çasti i interpretimit më ishin dukur absurde ! E mësuar me rëndësinë e faktorit kohë, që i bën interpretimet muzikore të ndryshme midis tyre, emocionet e krijuesve të arteve të tjera më dukeshin të tepërta. Ky konkluzion i interpretimeve në vite u rrëzua befas nga kjo pjesëmarrje në festivalin e Hartfordit (Women Composers Festival), një festival 23 vjeçar që i kushtohej, studimit, përzgjedhjes, vënies në skenë të krijmtarisë së femrave në muzikë anembanë globit, gjatë historisë e deri në kohën e sotme. Me imagjinatë u zhvendosa në sallën e Universitetit Shtetëror të Connecticut-it ku po shfaqej Simpoziumi shkollor dhe Maratona Muzikore , ndërsa koha që kalonte deri në paraqitjen si krijuese dhe interpretuese e “4 Capriccio-ve për violinë solo”, po dukej më e gjatë se ajo pritja pas kuintave të skenës, apo krahasuar me periudhën tre mujore të përzgjedhjes që nga momenti i aplikimit e derisa u bëra pjesë e festivalit. Paraqitja virtuale dhe prezenca fizike në Tiranë, mungesa e hapësirave apo vizitave në qytetin e vjetër të Hartfordit me të shkuar historike, takimet , kontaktet , vizitat , fotot në qytetin e artit me muzeun më të vjetër pamor, shtëpinë e Mark Twanit të madh, më fokusuan te Shqipëria, në një krahasim të pashmangshëm me atë që ndodh me muzikën serioze. Kjo çështje që përfshinte krijimtarinë muzikore ish shndërruar si një refren, me ide që përsëriteshin e pas tyre shfaqeshin tok me të tjera mendime, konstatime deri në atë konkluzion të çuditshëm që nuk e kisha menduar asnjëherë më parë, se numri i kompozitoreve femra në Shqipëri ishte thuajse i barabartë me numrin e notave të muzikës !!! Si një refren kënge konstatimet duheshin shprehur, shkruar, komentuar, përsëritur, derisa kjo “melodi” e panoramës së krijmtarisë muzikore të dëgjohej, të tërhiqte vëmëndje, e në pamundësi reagimi të ekzistonte e shkruar. Dikur, kontaktet si instrumentiste me botën përtej Shqipërisë transmetonin të tjera mendësi interpretimi, apo bashkë me aktivitetin, konkursin, koncertin, shërbenin për interpretime premiera të veprave të panjohura në skenën shqiptare, Festivali i femrave kompozitore të Hartfordit në USA, në këtë fillim marsi, muajit historik të përkujtimit të kontributit femëror kudo, shpaloste ide, platforma, mendësi dhe konstatime që nuk i kisha menduar më parë. Prezenca fizike në Shqipëri sikur më fokusonte në këtë botë shqiptare, e cila jo vetëm nuk njihte festivale të tilla të krijmtarisë së kompozitoreve femra, jo vetëm nuk njihte metoda të përzgjedhjeve tejet profesionale e transparente për promovimin dhe vënien në skenë të veprave muzikore, apo fenomenin krijues dhe interpretues (performer- composer),  po dukej se çdo ditë po tkurrte dhe mendimet për krijimtarinë muzikore serioze. Debatohej, diskutohej për letërsinë, për dramën, për artet pamore, ndërsa krijimtaria muzikore serioze me shaka duket apo ngjan me ato batutat e diktaturës, ose shprehjet e tipit “ me kleçkë në biografi”.

    E vetmja “kleçkë” ishte mosnjohja, pamundësia për të kuptuar një gjuhë tjetër, indiferenca e medias dhe ajo që ish më e keqja një ngatërresë gati vrastare e krijimtarisë me interpretimin, e performancës me krijimin. Tok me shkrimtarin qëndronte performuesi, ashtu si në gjininë më të thjeshtë muzikore, tek kënga, ku atributet e suksesit i merr thuajse tërësisht këngëtari. Në muzikën serioze, apo “klasike” nëse e specifikojmë për një publik të gjerë, notat muzikore përfaqësojnë krijimtarinë, kompozitori është shkrimtar, poet, piktor, skulptor. Interpretuesi i jep jetë, e lartëson, e shfaq krijimtarinë muzikore. Është një marrëdhënie krijues- interpretues, që tek ne thuajse e ka eliminuar rolin e më të rëndësishmit, krijuesit, kompozitorit. Krijmtaria muzikore apo format e mëdha erdhën vonë në muzikën shqiptare, gati me detyrimin e aktiviteteve të programuara, ndërsa hapja me botën pas viteve 1990, sukseset dhe inkuadrimi i instrumentistëve jashtë vendit krijuan mendësinë se muzika shqiptare është tejet e suksesshme. Siç ngatërrohet në Shqipëri roli i solistit instrumentist me orkestrantin, ashtu dhe krijimtaria muzikore, krijimi u mbështoll me suksesin e performancës. Interpretuesi i mirë luan veprat muzikore, nuk ka kombësi dhe i tillë mund të bëhet gjithkush me talent, aftësi dhe shkollë. Kompozitori mbetet deri diku ashtu si shkrimtari si pjesë e klasifikimit në biblioteka, me emrin e shtetit të cilit i përket. Nëse performuesi ka identitet gati të pacaktuar,( nëse mund të shprehemi kështu) se kornizon veprat muzikore, i vë në skenë, kompozitori është unik, ai është përçues i mendësive, formimit, ai jo vetëm krijon, ai përçon dhe përfaqëson muzikën e një vendi me karakteristikat, veçoritë. Nëse performuesi vesh kostumin e kompozitorit, veprën e të cilit interpreton, kompozitori mbulohet me kostumin e vendit të tij prej nga frymëzohet, me tiparet që edhe pse të padukshme kanë ritmet, frymëzimin, vallen, intonacionet e të parëve. Kompozitorët i gjen rrallë në media, në panele, në debate, analiza për problemet reale që ka krijimtaria muzikore sot. Pjesa më e madhe e aktiviteteve që nxisin krijimtarinë mbartin mentalitetin e një vendi të vogël, ose realizohen për studentë, ose janë shumë të specifikuara, shpesh dhe më përfundime të pasuksesshme, ose mbyllen me ankesa të pjesëmarrësve. K

    rijimtaria muzikore është po aq e rëndësishme sa gjithë llojet e tjera të artit, ajo identifikon, përfaqëson, është autentike dhe me vlerë. Në këtë harrim për mungesë politikash në gati tre dekada, bashkuar dhe me domosdoshmërinë e digjitalizimit të krijimtarisë muzikore, krijuesve nuk u mbetet tjetër vetëm reklamimi me forcë i sukseseve apo vënieve të pjesëve jashtë Shqipërisë. Si një refren i përsëritur me shprehjen “ C thotë bota “,duket se armata e kompozitorëve tek ne është një forcë që besohet pak. Duhet patjetër konfirmimi për interpretimin jashtë vendit të veprave, që ato të mund të marrin fare pak vëmendje, shpesh dhe aspak, edhe pse mund të jenë vërtet të niveleve të larta. Tok me këtë indiferentizëm, e gati një lloj shmangieje brenda Shqipërisë edhe për vepra vërtet të mira lind një tjetër pyetje. Kemi një tjetër realitet përtej atij që shpalosin individualisht kompozitorët me vëniet e veprave në skenat jashtë Shqipërisë. Përtej rasteve të mbështetjes së shqiptareve që gjenden ngado në botë si interpretues e kryesisht të punësuar në orkestra, cili teatër europian apo dhe më gjerë ka vendosur në programin e koncerteve një vepër të madhe , ndoshta një simfoni po dhe koncert instrumental apo gjini të tjera muzikore ? Nëse në orkestrat më të mira apo dhe kudo në botë gjenden muzikantë shqiptarë të inkuadruar tashmë, krijimtaria muzikore apo suksesi i saj jashtë vendit mbetet i inkuadruar apo përkrahur nga shqiptarë, pa mundur të depërtojë në sfera të larta.

    Situata e krijimtarisë muzikore brenda vendit në tre dekada, mbyllja e dyerve apo fakti se kompozitorët mundohen pafundësisht për të vënë krijimtarinë në skenë, ka vështirësuar pikërisht dhe këtë qasje me botën jashtë. Kjo tablo është më e rëndësishme se çdo intervistë, sukses herë i vërtetë, e herë imagjinar që serviret në lajmet kulturore të medias shqiptare. Institucionet e rëndësishme duhet të jenë iniciatorë të stimulimit dhe vënies në skenë të krijimtarisë shqiptare, jo për të plotësuar një kuotë apo në nivele miqësish, kjo situatë është emergjencë dhe kërkon politika e projekte afatgjata edhe pse të vështira për kohën që jetojmë sot. Nëse kthehemi në festivalin e Hartfordit, apo dhe shumë festivale që promovojnë muzikën e femrave kompozitore, krahasimi me Shqipërinë bëhet akoma më i vështirë. Rruga e krijimtarisë së femrave në art gjatë gjithë historisë ka qenë e mundimshme, edhe sot mbetet më e vështira midis profesioneve të tjera në muzikë. Femrat dirigjente po bëhen dalëngadalë pjesë e skenave më të rëndësishme botërore. Festivalet që përkrahin krijimtarinë e femrave kompozitore në Amerikë, Kanada, Zvicër e vende të tjera, studimi dhe përkrahja nëpërmjet interpretimit, botimit, konfirmojnë vështirësinë e vënies në skenë të kësaj krijimtarie. Festivali më kish detyruar të bëja një kërkim mes emrave të njohur dhe konstatimi se numri i kompozitoreve femra në gjithë historinë e Shqipërisë është thuajse i barabartë me numrin e notave muzikore është gati shokues. I tillë është dhe fakti se kjo krijimtari është inekzistente në skenat e institucioneve të rëndësishme kombëtare të artit tek ne. Edhe këtu interpretueset ngatërrohen me krijueset dhe prezenca femërore në performanca mbulon këtë mungesë gati të frikshme të krijimtarisë serioze. Si refreni i një kënge që përsëritet kjo mungesë së pari duhet të evidentohet e konstatohet. Krijimtaria muzikore nuk realizohet as si fushatë e as si detyrim, që bëhet me aksion. Çdo përpjekje shtreson në një kohë të gjatë, gati padukshëm.

    Krijimtaria muzikore është frymëzim dhe si e tillë nuk mund të komandohet. Politikat e përkrahjes së talentit, evidentimit që fëmijë, nxitjes së improvizimit e krijimit, organizimi i konkurseve për instrumentistë e krijues të vegjël, aktivitetet  kombëtare të krijimtarisë, politika afatgjata dhe vlerësimi i kësaj kauze si pjesë e identitetit tonë do ndikonin në ndryshimin e kësaj situate në të ardhmen. Një klimë dashurie midis krijuesve në të mirë të muzikës shqiptare do ish dhe melodia e vyer që kërkon e sotmja dhe e ardhmja.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË