More
    KreuArte pamoreIlustrimet e William Blake-ut për "Komedinë hyjnore"

    Ilustrimet e William Blake-ut për “Komedinë hyjnore”

    Në 1824, miku i Blake-ut, artisti John Linnel, e punësoi për të bërë një seri ilustrimesh bazuar në “Komedinë Hyjnore” të Dantes. Blake ishte atëherë në të gjashtëdhjetat e tij dhe i dizajnoi 100 akuarelat e kësaj teme përgjatë dyjavësh tek dergjej në shtrat i sëmurë.

    Këtu do të gjeni ilustrime nga Ferri, Purgatori, dhe Parajsa. Secila shoqëruar me një shpjegim dhe përkthimin në shqip nga Pashko Gjeçi, Onufri 2021. Kështu mund të mësoni jo vetëm për Blake-un por edhe për poetin Dante Alighieri (1265–1321).

    FERRI, KANGA 1: Dante duke vrapuar nga tri bishat (1824–7)

    FERRI, KANGA I

    Dërmue, si u çlodha pak mbi atë gurishte,

    ia nisa rrugës nëpër breg t’shkretuem,

    çdo herë kamba e ndalun ma poshtë ishte.

    E, ja, gati përpjetën pa filluem,

    më doli një panterë e lehtë, e shpejtë,

    që me lëkurë të larme ish mbuluem;

    synin mbi mue e mbante ngulun drejtë

    e udhën time aq keq e kishte pre,

    sa qeshë sa herë tue ikë e kthye unë krejt.

    Ish koha kur agonte dita e re

    e ngrihej Dielli me ata yj në qiell,

    që me te ishin, kur Zotynë mbi dhé

    sëpari i lëvizi n’ajr kthiell;

    guxim e shpresë në shpirt më kish përtritun

    për bishë-larushen, që s’po i gjeja fill,

    ai agu i ditës, e ambla stinë e ndritun,

    por jo sa frikë aspak t’mos shkaktonte

    pamja e një luani çfaqë papritun.

    Ky dukej se drejt meje po u afronte

    me kokën lart, me një uri t’tërbueme,

    sa ngjante se edhe ajrin e tmeronte.

    Veç një ulkojë, që shihej e pushtueme,

    ashtu kockë e lëkurë, nga shum dëshira,

    që sa njerzinë e bani mjerueme:

    kjo, po, më futi aq në të vështira,

    me atë frikë që të përfton veç pamja e saj,

    sa për t’u ngritë i humba shpres’t e mira.

    “Komedia hyjnore” hapet me Danten të humbur në një pyll të errët mes një lugine të frikshme. Më në fund ai sheh një kodër ku dielli po shkëlqen dhe zemra i mbushet me shpresë. Por teksa nis të ngjitet, përballet me tri bisha.

    Në fillim vjen një leopard, i cili, pavarësisht se nuk e frikëson vërtetë, i bllokon rrugën. Më pas vjen një luan i egër e i uritur, ndjekur nga një ujkonjë. Dante tmerrohet dhe humbet çdo shpresë për të ngjitur kodrën kur shfaqet një burrë. Është Virgjili, poeti epik romak. Ai është dërguar nga Beatriçja (gruaja që dashuronte Dante dhe që e frymëzoi të shkruante) për ta drejtuar në një udhëtim zbulese përmes Ferrit, Purgatorit dhe Parajsës.

    Për të shpjeguar alegorinë: Dante, i zënë me çështjet e botës, ka dalë nga rruga e të drejtit. Përpiqet të gjeje rrugën e kthimit por devijohet nga kënaqësitë tokësore (leopardi), ambiciet tokësore (luani), dhe lakmia (ujkonja). Virgjili, i cili përfaqëson arsyen, ka ardhur për të udhëhequr Danten për te Beatriçja, e cila përfaqëson zbulesën hyjnore dhe papërlyerjen nga mëkati.

    Vëreni pozën si Krishti. pamjen (rrobën e lehtë, flokët duke valëzuar) të Virgjilit dhe pozën e ekzagjeruar e të tmerruar të Dantes duke ikur. Vëreni gjithashtu se tri bishat zor se duken të frikshme. Blake në fakt, duket se kishte vështirësi në vizatimin e kafshëve të egra.

    FERRI, KANGA 3: Shkrimi mbi portë (1824–7)

    FERRI, KANGA III

    Këndej kalohet në qytet t’mjerimit,

    Këndej kalohet n’dhimbjen pa kufi,

    Këndej kalohet n’shpirtnat humbun shqimit.

    Krijuesin tim e shty’ drejtsija e tij;

    Vetë pushteti hyjnor më ka sajue,

    Ma e larta dije, e para dashuni.

    Para meje gja tjetër, s’u krijue

    Veçse e përjetshme, – e unë qëndroj përjetë:

    O ju që hyni mbrendë, keni mbarue!

    Ja, këto fjalë, me shkronja t’zeza, vetë

    i pashë të shkrueme mbi një portë; me drojë

    pëshprita: “Pris, a e sheh ç’më paska gjetë!”

    Dante po udhëhiqet nga Virgjili, poeti romak, përmes Ferrit, Purgatorit dhe Parajsës. Këtu shfaqen duke hyrë në portat e Ferrit. Pasi të hyjnë brenda, fillimisht do të kalojnë përmes rajonit ku prehen shpirtrat e të papërfshirëve (ata që e kaluan jetën pa bërë asgjë veçanërisht të mirë apo të keqe). Më pas do të çohen me anije nga Karonti përmes lumit Akeron për në Ferr. Virgjili është figura në të djathtë me blu, Dante në të majtë me gri.

    Vëreni se kornizimi i gjelbërt nga jashtë portës bie në kontrast me peizazhin e ftohtë të zjarrit dhe akullit brenda. Nëse shihni me kujdes, mund të vëreni figura të vogla në hjekakeqe ndër kodra. Këto kodra të njëpasnjëshme përfaqësojnë rrathët e ndryshëm të ferrit, ku shpirtrat e njerëzve në faj prej mëkateve të ndryshme dënohen në mënyrën e përshtatshme. Ata në faj prej mëkateve të epshit, për shembull, goditen nga erërat e pasionit dhe dëshirës në rrethin e dytë.

    FERRI, KANGA V: Rrethi i Dytë: Francesca da Rimini (1826–7)

    FERRI, KANGA V

    U futa në një log, që dritë ma s’ka

    e ulurin si deti në stuhi,

    kur trandet nga erë t’kundërta pa da.

    Tufani i ferrit, kurr s’ka qeti,

    n’vorbull vet gjithë shpirtnat i përlan,

    i fshik edhe i vërtit, tue u dhanë trazí.

    Kur i kalojnë rrëpinës aty pranë,

    e kujë e vajë e ankim ma shum ushtojnë,

    kundër të Naltit gja nuk rrinë pa thanë.

    Kështu, si pashë, përplasen n’shoqishojnë

    mkatarët, që për epshe janë dënue,

    që andjes pa fre arsyen ia nënështrojnë.

    Në këtë rreth, njerëzit të dënuar prej mëkatit të epshit vorbullohen vazhdimisht në një stuhi të pafundme. Stuhia, sigurisht, përfaqëson pasionin e pafrenueshëm. Mes atyre që i sjell era ka mbretëresha historike dhe mitike si Helena e Trojës dhe Kleopatra e Egjiptit. Dante, gjithsesi, zgjedh t’i flasë Paolos dhe Françeskës, dashnorëve të njohur nga Rimini.

    Françeska ka qenë e martuar me Xhançotton trim, por çalaman. Po lexonte një romancë arturiane me vëllain e tij më të pashëm, Paolon, kur pasioni i rrëmbeu të dy. Xhançotto, i tërbuar, i vrau të dy, dhe për këtë shkak u gjend në rrethin më të largët të Ferrit (ku Dante do ta takonte më vonë).

    Dante është kaq i prekur nga ky rrëfim romantik sa i bien të fikët, prandaj dhe pozicioni i tij shtrirë në kurriz. Vëreni se mbi kokën e Virgjilit, një disk si diell përmban skicën e një çifti duke u përqafuar, ndërkohë që dashnorët e sjellë nga era duket sikur fluturojnë lart e jashtë pikturës për të qenë të lirë. Blake nuk binte dakord me Danten për ta shfaqur Zotin si një gjykatës hakmarrës, dhe këto detaje janë nota e tij e brishtë e protestës. Siç mund ta shohim në poema si The Garden of Love, vetë Blake mendonte se ndrydhja e dëshirës ishte krim shumë më i rëndë se ta kryeje.

    FERRI, KANGA VI: William Blake, Çerberi

    FERRI, KANGA VI

    Çerberi i egër, bishë e çakërdisun,

    me ato tri gryka leh si qen taman

    mbi njerëz në batak zhytë e gremisun.

    Gacë sytë e tij, e mjekrrën zi katran,

    barkun e ajun, duert me thoj gjatë,

    shpirtnat gërvish, i lnuer e copë i ban.

    Si qej i shtyn t’lurojnë ajo shtërgatë;  

    e tash e parë në njanin krah tue ra,

    tjetrin kërkojnë me mprojtë ata të ngratë.

    Çerberi, ai krymb i madh, porsa na pa,

    dhambët na qiti nga ato gojë t’shëmtueme;

    gjymtyrë s’kish s’i dridhej për hatá.

    Çerberi është një qen i çakërdisur me tri koka i cili vigjëlon përmbi Had, Ferrin e mitologjisë klasike. Këtu në “Komedinë hyjnore” ai rri roje në rrethin e tretë të Ferrit. Është përherë i uritur dhe e lejon Danten me Virgjilin të kalojnë pasi ia mbushin të tre gojët me baltë. Janë grykësit ata që dënohen në këtë rreth. Fati i tyre është të zhgërryhen në baltë porsi derrat, duke u goditur nga një stuhi e pafundme breshëri e bore, e kundërta e miradive.

    PURGATORI, KANGA XXIX: William Blake, Beatriçe i drejtohet Dantes nga karroca (1824–7)

    PURGATORI, KANGA XXIX

    Mes katërve ja rrugën ku e ndiqte

    një qerr përmbi dy rrota, ngadhnjimtar,

    nga qafa e një Grifoni u tërhiqte.

    Ngrinte dy flatrat lart ai shpend bujar,

    ndër shtatë shirit’n e mesëm n’mes e shtinin

    e asnjë ndër ta s’pësonte dam kurrfarë.

    Ngjiteshin lart, sa s’shihej ku arrinin;

    ku ishte zog ish ar tanë vezullim,

    gjymtyrët tjera bardh e kuq i ndrinin.

    Afrikan as August s’i dha gëzim

    Romës me qerr ma t’bukur, fare i mvrejtë

    vetë qerri i Diellit duket n’krahasim;

    i Diellit që, shmangë rrugës, u dogj krejt

    për lutje që e shkreta Tokë pat ba,

    kur Jovi qe misteriozisht i drejtë.

    Rrotull, pranë rrotës s’djathtë, vinin tri gra     

    tue kcye; kaq ish e kuqe njana grue,

    sa s’do u dallonte dhe në flakë me ra;

    tjetrës – sikur krejt mishi e kockat thue

    i qenë krijue veç nga smeraldi; ndrinte

    si borë e treta, dhenë sa ka mbulue;

    Në këtë pikturë Dante (duke qëndruar në cepin e djathtë) më në fund takon Beatriçen, e cila është figura e kurorëzuar në karrocë. Beatriçe ishte dashuria e jetës së tij dhe subjekti i vëllimit të tij të parë me poezi, “Vita Nouva”. Ajo vdiq kur ai ishte vetëm 25 vjeç – prandaj edhe prania e saj në pasjetë si figurë qendrore e “Komedisë hyjnore”.

    E shqetësuar se Dante është përhumbur pas vdekjes së saj, ishte Beatriçja ajo që në strukturën e poemës i dërgoi Virgjilin që ta drejtonte përmes Ferrit dhe Purgatorit. Ndonëse është me një petk, Dante e ndien se cila është dhe fillon të dridhet. Beatriçja gjithsesi, përfaqëson më shumë se dashuri. Në strukturën e poemës ajo është zbulesa dhe papërlyerja prej mëkatit.

    Ngjyrat e pasura dhe të ndezura të përdorura këtu shprehin kënaqësinë e dyfishtë të Dantes. Ai është ribashkuar me të dashurën e tij dhe njëkohësisht po përjeton zbulesën hyjnore.

    PARAJSA, KANGA XXVIII: William Blake, Hyjnia, nga ku vijnë Nëntë Sferat

    PARAJSA, KANGA XXVIII

    E ajo, që futej menjëherë ndër kthina

    të mendjes në dyshim, tha: “N’radhë parë

    Serafina janë çfaqë e Kerubina.

    Ndjekin të shpejtë fijet e veta mbarë,

    që sa të munden pikës t’i gjasojnë;

    e munden sa ma fort janë kundrimtarë.

    Te Parajsa, Beatriçja ka zëvendësuar Virgjilin si udhëheqëse e Dantes. Tani janë pranë Zotit dhe kaq afër fundit në udhëtimit të tyre.

    Kjo pikturë tregon engjëjt e vendosur në rrathë drite koncetrikë rreth hyjnisë. Beatriçe i shpjegon Dantes se sa më pranë Zotit të qëndrojnë, aq më të shndritshëm dhe më të fuqishëm janë. Zoti në qendër i vizatuar si një plak me mjekër që i ngjason Urizen-it[1]. Engjëjt plaken sa më pranë Zotit të jenë, megjithëse menjëherë pranë tij janë të kerubina dhe serafinë të rinj.

    Blake vdiq ndërsa po punonte me këtë, prandaj kjo pikturë, e cila vjen nga fundi i triologjisë së Dantes, mbeti skicë e papërfunduar. Humbja është e më e vogël nga se do të ishte qysh se për Blake (njëlloj si për Gustav Dore dhe të tjerë artistë që ilustruan Danten) Purgatori dhe Parajsa ofruan shumë më pak subjekte interesante sesa Ferri me të gjitha dënimet e tij perverse e të çuditshme.

    Marrë nga Tate.org

    Përktheu Enxhi Hudhri


    [1]  Urizeni është një personazh mitologjik i krijuar William Blake, sipas të cilit përfaqëson arsyen dhe ligjin. (shën. i përkth.)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË