Pyetësori “Librat e jetës sime”
Libri që po lexoj ndërkohë
Janë disa librat që po lexoj ndërkohë, por ajo që më tërheq përditë e më shumë është rileximi. I kthehem dhe i rikthehem shpesh një libri që më ka lënë mbresa, më duket se zbuloj në të rrathë të pafundmë e të rinj kuptimorë, artistikë dhe estetikë. Sa për librat që po lexoj, sipas gjendjes janë libra të cilët nuk mund të lexohen me një frymë. I pari është “Në botën e arbëreshëve të Italisë” i Eqerem Çabejt, tema e tij e doktoraturës në Universitetin e Vjenës më 1932, i dyti është “Pikëllim dhe arsye” i Josif Brodskijt dhe i treti “Shtërgjet” i Olga Tokarczuk.
Libri që më ka ndryshuar jetën
Do ishte mirë që kjo pyetje mos të ishte në njëjës, së paku për mua, sepse nuk ka një libër të vetëm që më ka ndryshur jetën. Sigurisht, ka disa libra të parë të cilët më kanë bërë magjinë e leximit, magji e cila më vonë është rritur nga libri në libër dhe nga autori në autor. Duhet të kem qenë 4-5 vjeç, kur motrat më lexonin “Xhaxha Stefin” dhe “Përrallat e Anastasisë”. Nuk më zinte gjumi, po të mos mi jepnin t’i mbaja natën nën jastëk. Pastaj erdhi koha e leximit vetjak, me “Aventurat e Çipolinos”, “Pinoku” etj. Nga libri në libër, nga viti në vit, ata ndërtonin botën e mrekullueshme të librit, nga pushteti i së cilës nuk mund “të shpëtoj” më.
Libri që do të doja të kisha lexuar
Librat që kam lexuar, sado e gjatë të jetë lista, janë prapë shumë më pak nga ata që do të doja të kisha lexuar.
Libri që pati ndikimin më të madh në shkrimet e mia
Libri im më i dashur është “Fije bari” i Walt Whitman. Nuk e di ç’ndikim të shfaqur apo të fshehtë ka patur në poezinë time, por dua të besoj se edhe pse e kam lexuar e rilexuar dyzetë vjetë me radhë, përsëri e lexoj me kënaqësi dhe marr mesazhe e ngasje që nuk i kisha zbuluar më parë.
Libri që më ndryshoi mendjen
Them që të gjithë librat bashkë, më kanë ndryshuar mendjen. Edhe librat e mirë, por edhe librat e dobët. Të parët për të mprehur kërkesat dhe shijet, të dytët për t’iu shmangur grafomanisë dhe banalitetit.
Libri i fundit që më bëri të qaj
Kam gjashtëdhjetë vjetë që vetëm jam ngazëllyer dhe nuk kam qarë nga librat.
Libri i fundit që më bëri të qesh
Sa herë dua të krijoj një klimë sa më gazmore e relaksuese për veten, marr në duar “Don Kishotin”, ose “Ushtari i mire Shvejk”.
Libri që më vjen turp që s’e kam lexuar ende
Libri që më vjen turp që nuk e kam lexuar, nuk është i vetëm. Ai është në shoqërinë e shumë librave të tjerë, që janë në krye të listave anëembanë botës. Historia e librave është shumë interesante. Disa shkëlqejnë shpejt, por jetojnë shkurt, disa shkëlqejnë ngadalë po jetojnë në shekuj. Ngushëlloj veten se pjesën më të madhe të librave që jetojnë me shekuj, i kam lexuar.
Librat që kam dhuruar
Kam dhuruar shumë libra, që i kam patur në dy kopje. Po kam dhuruar edhe libra që i kam dashur shumë. Para tridhjet vjetësh i kam dhuruar librin “Rrënjët” të Sadik Bejkos, një miku tim poet dhe studjues, meqë e dija se atij i duhej me shumë. Më vonë, Sadiku më dhuroi një fotokopje të librit, të lidhur mjaft bukur. Po ashtu, kam dhuruar libra në shtëpitë e të moshuarve.
Libri me të cilin dua të mbahem mend
Mbas librave “Mos më pyet ku kam qenë” dhe “Të gjallë e të vdekur”, them se do të mbahem mend me librin tim të radhës.
Libri që me bën të ndihem mire
Është e gjatë lista e librave dhe autorëve që më bëjnë të ndjehem mire, duke filluar nga tragjeditë e Sofokliut dhe të Shekspirit, novelat e Gogolit dhe të Kutelit, proza e Markezit dhe Kadaresë, poezitë e Ungaretit e të Lazgushit, etj.
Libri që mendoj se është më i nënvlerësuar
Jo libri, por gjithë letërsia e autorëve të pas viteve 90, mendoj se nuk ka patur vlerësimin dhe mbështetjen e duhur.
10.11.2021