More
    KreuOpinionIkonë e pasionit dhe e fjalës

    Ikonë e pasionit dhe e fjalës

    Fjalë që dhembin fort për mikun tim, Simon Vrusho

    Nga Xhevair Lleshi

    S’ma nxë goja ta them, por ajo ndodh prapëseprapë. Se ai është personifikim i pasionit dhe talentit. I rrallë. I gatuar si një copëz shkëmbi dhe pylli, nëpër lartësitë e zgjatimit të Shpiragut dhe nëpër rrugicat e mrekullueshme të Beratit, herë si mësues në Kala (kur i largoi nga vetja të gjitha detyrat dhe çmenduritë urdhëruese të pushtetit), herë në trotuaret e magjishme të Mangalemit, herë nën fëshfërimën dihatëse të Osumit, një natë duke iu ngjitur Tomorit gjer në re dhe tjetrën duke u endur fushave gjer në det… Dhe fjala i çelte çdo herë sythe të trëndafilta në buzë. Fjalë të një pasioni të madh, edhe atëherë kur formuam degën e Partisë Demokratike, edhe kur gjëmimin e Fjalës e ktheu kundër erës. Andej, në drejtimin e kundërt, e kishte orientimin e madh, duke mbajtur gjallë në siglën e gazetës sonë vlerën e Uitmanit: Kundërshtoni shumë e binduni pak, se bindja e verbër ju çon në skllavëri të plotë. Po ai pasion i gjithnjëshëm dhe vizionar: do takohemi pasdite me Vexhiun e madh, me të papërkulurin e Fjalës, me Njeriun që nuk e gjen dot tjetërkund dhe Fatin e kemi për ta mbajtur pranë, sepse rrugët tona me Fatin kryqëzohen pranë Vexhiut… Apo jo? Por Historia ndodhi dhe u mbyll në kufij të papërcaktuar. Kufij që kalojnë në qiell dhe priten në tokë, ku dhe mbeten. Përjetë. Dhe pasioni i tij i jashtëzakonshëm të ndez në çdo kohë. Një natë duke shtruar rrugën politike, një ditë, së fundi, duke hedhur penelatat e fundit për muzeun e munguar “Solomon”, duke nxituar, me një ngut që dukej si flurudhë plumbi, dëgjohej si krismë, shoqërohej me ndriçim rrëzëllues gjer lart në qiell. Unë s’kam njohur njeri tjetër kaq pasionant dhe aq të talentuar. Më dëmton pak zëri, or mik, më thoshte, por fantazmat e zërit s’na duhen fare. E vërteta është ajo që të ndihmon të jesh i fuqishëm kurdoherë. Ishte një furtunë që shpërthente, futej në bunacë, priste, lëvizte me vrull dhe bëhej menjëherë ashtu si dinte vetëm ai. Po të thoshte që kjo do bëhej, përfshihej menjëherë në vorbullën e pasionit që kurrë nuk e la në baltë. Sepse pasioni i tij ndërthurej me talentin e rrallë. Se të dyja nuk i bën dot bashkë, por kur qëllojnë kështu bëhen të papërballueshme! Të tilla i kam gjetur atëherë kur pëshpëritnim politikë, kur kryqëzonim vështrimet drejt botimit, kur nxirrnim deri në mesnatë gazetën, kur themelonim parti, nën gjurmët e plumbave të nëntëdhjeteshtatës dhe në netët e saj. Atëherë e njoha Simon Vrushon plotësisht, kur bëhej entuziast edhe për një fjalë që i duhej Mesazhit apo Idesë Kombëtare. Mbeti në Bibliotekë ditëve dhe netëve derisa i dha dum si Endri Vajella (alias konsulli austro-hungarez) për Haxhi Qamilin e vjetër nëpërmjet letrave të tij dhe haxhiqamilistëve të sotëm, aq sa ngatërroi me të gjithë televizionet dhe revistat e kohës. Pastaj fliste rrallë, i ëmbël dhe i dashur. Por asnjëherë nuk harroi me një përkujdesje të lindur për Fjalën dhe gjithnjë në ballë të të tjerëve, doemos kundër rrymës, në rolin e tij për t’i dhënë shoqërisë të pamundurën, ndonëse asnjëherë s’pati gjë në dorë. Dy sy të kthjellët të shkruar me të gjitha ngjyrat e pyllit në gri, krejt të qeshur, kurrsesi i përhumbur dhe gjithnjë protagonist e pa fjalë, por që furtunat e brendshme i dalloheshin lehtë, fare lehtë, me një inteligjencë që shfaqej në majat e larta, lexohej qartë, pa zhurmë e fjalë të kota, me një takt që godiste ku duhej. Kjo Ikonë e Fjalës, e Pasionit dhe e Energjisë së paepur u bë tashmë vërtet ikonë! Kjo ikonë e pasionit të jashtëzakonshëm i mbeti Beratit përjetësisht, herë si një lumë gjak i ndezur në flakë energjie, herë një mal i lartë plot pemë e dashuri që vështron kurdoherë së larti me dashuri të rrallë gjithë jetët që ndeshte në rrugë. I thosha si Shën Agustini dhe ai qeshte duke e fshehur buzëqeshjen pa ditur ç’të bënte tjetër. Kjo ikonë pasioni që tani do ta shohim në muzeun “Solomon” si ikonë të vërtetë pasioni, ndoshta me praninë e Ninës së tij bashkudhëtare, kishte ardhur një kohë tjetër. Aq i njohur sa edhe i panjohur, njeri që rrinte lart në qiej sa edhe një njeri konkret si Solomon që mund të mos bënte gjëra të rëndomta, por që donte t’u ngrinte monument tjetërsoj hebrenjve të Beratit, pa e lënë veprën e ngujuar në vitet dyzet të tretej kot në kohë. Ai donte të shpëtonte jetë. Dhe përmes jetëve të asaj kohe, të vinte thjesht në psikikën tonë, të gjendej mes errësirës dhe të buronte gjithmonë prej mungesës së frikës që nuk e ndiente kurrë njëherë, duke i shpëtuar në sfidën e pasionit, si të gjitha ikonat. Shpesh ky njeri-ikonë nxirrte thënie të rralla që mbetën postulate. Kishte ardhur koha e tij papritur e pa kujtuar, i kredhur në një vetmi kokëforte e fatale pse jo. Duke ëndërruar pa kufi. Për të Bukurën. Për Jetën. Për Artin e Fjalës së Gdhendur në Shkëmb, në Atdheun që ndërtohet me Material Zemre. I dashuruar i Artit, por kurdoherë duke qenë i pranishëm, i padukshëm, njeri i së ardhmes që po vinte, ikonë e apokalipsit shqiptar, apostull i njohur dhe i panjohur përmes figurave që do të tronditnin jetën tonë. Simoni (Solomoni – jo vetëm i Muzeut), Artisti, i papërkëdheluri i dikurshëm, dhunues i lavdinë bajate, ëndërrimtar i pandreqshëm, kaq i thjeshtë, komunikues me zërin e heshtur, “milingonë” dhe bletë punëtore që mbajti malin e vërtetë të jetës. Atij ia besuam me dëshirë dhe kokëfortësi ëndrrat tona. A nuk qe një ëndërr ky njeri dhe ikonë? Se nga mjegullat e tej Shpiragut erdhi, nën oksigjenin dhe hijet e lisave të lartë… Dhe shteti… më në fund. Shteti është vënë në punë për të gjetur një ikonë tjetër, se atij, shí vetëm dhe sidomos atij i dhemb kaq shumë mungesa e ikonës së Pasionit të Fjalës dhe të Shpirtit, dhe e vërteta është gjithnjë e thjeshtë dhe aq prekëse, saqë nuk bie as në sy. Përpara e kemi këtë ikonë dhe megjithatë s’duam ta besojmë se s’e kemi më. Instinkti i urisë simoniane… Uri pune që do të vazhdojë gjatë… Një ditë do të largohej edhe ëndrra. Të rinjtë… burrat… lufta… Është vërtet tragjike! Të dhemb! Ikonë e kthjellët… Ai e tha këtë: Atdheu ndërtohet me Material Zemre! Dhe mbeti Pasioni i Tij! Pasuria e paçmuar e Ëndrrës! E si mund ta harroj këtë ditë? Pasioni i tij që uturon dhimbshëm. Shoqëria sërish vijon të jetë e sëmurë, na duhet kjo Ikonë Pasioni! Më bëhet të bërtas fort: Simon Vrushon e kemi si ikonë Shqipërie!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË