Kreu Arte pamore “Idromeno” i plotë, nga portreti i parë te Durham në portën...

“Idromeno” i plotë, nga portreti i parë te Durham në portën e ferrit

Nga Anila Dedaj

Vepra është e para që çel rrugëtimin e ekspozitës Kolë Idromeno retrospektivë, të kuruar nga Erzen Shkololli, dhe pasohet nga një pikturë që artisti shumëdimensional i dedikoi së shoqes.

Portreti i Jozefinës është realizuar kur ajo ishte në të gjashtëdhjetat e saj, ndërsa gjatë jetës, siç studiuesja Eleni Laperi rrëfen, ai do të realizonte disa fotografi të saj. “Idromeno u martua në moshën 24-vjeçare, por jo me atë vajzë që zgjodhi që në fillim. Nga kujtimet e miqve mësojmë se ai donte fort një vajzë shkodrane, që ndoshta e kishte njohur që kur kishte qenë foshnjë e lidhur në djep. Madje, Kola thuri edhe një këngë për të”, – shprehet Laperi duke zbuluar kështu dy nga pasionet e artistit, fotografinë dhe muzikën. Drejtuesi i Galerisë rrëfen se Kolë Idromeno, fill pas kthimit nga Venecia ku mësoi teknikën e pikturës së vajit në Kanavacë, u bë pjesëtar i bandës së qytetit. Kolë Idromeno retrospektivë na njeh përmes rrëfimit të Laperit me një detaj interesant lidhur me pikturat e tij. Edhe pse Motra Tone përmendet si i pari portret në pikturë i Idromenos, në fakt, është Portreti i Mat Kodhelit, mikut të tij të fëmijërisë, që daton dy vjet më herët, më 1881. “Megjithatë, Motra Tone do ta mbajë gjithnjë vendin e nderit si portreti i parë i pikturës realiste shqiptare, pasi ishte përpjekja e parë e Idromenos për të provuar se mund të bënte një vepër serioze në pikturë”, – shpjegon Laperi.

Sipas studiueses, Motra Tone është një nga portretet më të realizuara shqiptare, pasi përmbledh në portretin e një gruaje atë që dinë dhe duan shqiptarët për gruan, fisin dhe familjen. Vepra e Kolë Idromenos, shpesh e mbështetur në fotografi, vjen edhe si dëshmi historike. Piktura e Ernest Çobës, që vuajti torturat e diktaturës gjer në eliminim të mistershëm të tij, e sjell klerikun në moshë të hershme. Kompozimi me bazë fotografinë ndihet edhe te Dasma shkodrane, ku Laperi evidenton mungesën e lëvizjeve, pasi figurat mbajnë një qëndrim statik. Tabloja sjell momentin që nusja del nga shtëpia. Një dasmë tipike katolike, sipas studiues, ku lëvizja ndihet vetëm te shikimet e personazheve. Ciklin e fotografive të piktorit që vendosi themelin e pikturës moderne në vendin tonë e mbyllin tablotë-porosi nga kisha. Laperi rrëfen se piktori këtë punë e përjetoi me një entuziazëm të lartë, madje përfshiu edhe miqtë e tij që e ndihmuan duke pozuar në fotografi. “Bëri një punë serioze përgatitore me studime, skica, foto, që kanë mbërritur deri në ditët tona”, – pohon ajo. Te Marrëveshja e papërshtatshme, studiuesja shpjegon gjurmët e para të nudos në pikturën shqiptare, ndërsa Dy rrugët, sipas saj, është tabloja ku Idromeno çliroi pikturën e tij.

Dy rrugët është një kompozim që tregon se si Kola e ka pasqyruar parajsën dhe ferrin, të cilin e realizoi atje ku është ngritur Kalaja e Rozafës”. Ndërsa tonet e qeta të së kaltrës pushtojnë parajsën, ferri duket se mbart një gjallëri më të madhe. Laperi shpjegon se porta e ferrit në këtë tablo mbart simbolikën e Portës së Lartë të Stambollit. Po në këtë portë, artisti paraqet figurën e Edit Durham, e cila vizitoi Shkodrën më 1909. “Ferri i shqiptarëve është Porta e Lartë, është ky mesazhi që jep te kjo pikturë”, – shpjegon studiuesja. Pjesë të kësaj tabloje Idromeno ka bërë edhe veten. I ulur me një violinë në dorë, ai është i rrethuar nga muzikantët. “Bëhet fjalë për një violinë që nuk lejohej nga kisha, pasi thuhej se muzikën e saj ua kishte mësuar djalli”, – tregon Laperi. Ekspozita Kolë Idromeno retrospektivë, krahas pikturës, në katin e dytë të Galerisë sjell një seri fotosh të artistit të përzgjedhura nga studiuesi Zef Paci, ndërsa Afërdita Onuzi u kujdes për këndin e etnografisë, duke sjellë magjinë e kostumeve popullore.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Lindita Tahiri: Zija Çela ka krijuar një autoritet të ri, atë të lexuesit

1 Kur përuroi romanin “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, Zija Çela u paraqit në sallë përballë gazetarëve pa asnjë kritik...

Dhjetë poezi nga Antonella Carmen Caggiano

Përktheu nga orgjinali Eda Agaj Zhiti Italia dhe poezia kanë një përbashkësi të vijueshme si bregu me detin, do...

“Njerëz prej buke”, tregim nga Faruk Myrtaj

Gardiani nuk po bëhej i gjallë dhe unë u ngrita. Në një hapësirë si e kësaj qelie, të ngrihesh...

Feride Papleka: Frymëzimet bodleriane të poezisë së Shuteriqit liceist

Në vitet e para të liceut francez të Korçës, një ngjarje e rrallë i trazoi ëndrrat dhe dëshirat e Shuteriqit të ri....

KATEGORITË