Aq i ri e aq i popullarizuar, në kohën kur Faruk Begolli kishte arritur në Beograd (viteve të gjashtëdhjeta) të provonte fatin e studentit të Akademisë, për t’u bërë artist, në atë mes ku bashkëvendësi i tij, Bekimi (Bekim Fehmiu) kishte bërë emër mbi dërrasa teatri. Bekimin e kishte inspirim, por me ndrojtje përballë tij meqë, reputacioni i Bekim Fehmiu, sikur ia ndërpriste hapat t’i afrohej, apo ndoshta i frikësohej takimit me të se mund të rrënonte adhurimin që e mbante, se, kush e di, mund të përballej me ndonjë sjellje megalomanie të Bekimit dhe atë megalomani e llogariste si reaksion të famës së tij. Kështu i çmonte rrethanat në të cilat u gjend në atë mes ku i flisnin për Bekimin, si për artistin e madh, ndërkaq Faruk Begollit i pëlqente ta kishte model të udhëtimit të tij të mëtutjeshëm në profesionin e aktrimit. Me këso rezonimi, duke u mbështetur në propozimin e kushëririt Istref Begolli dhe të Ekrem Kryeziut, ishte lajmëruar në konkurs, duke u gjendur në mesin e pesëqind kandidatëve që e dëshironin profesionin e aktrimit në Akademinë e Arteve në Beograd. Para se të regjistrohej në Akademi kishte nisur studimet në dy fakultete tjera, pa ndonjë vullnet, në xehetari dhe në Fakultetin Ekonomik. Konkuron në Akademi. Nga ai numër aq i madh kandidatësh Fariku gjendet në mesin e dymbëdhjetëve më të mirëve, pranohet. Derisa ende ishte duke u marrë me shënime mbi literaturën më të përshtatshme, si paraprijëse për t’u ngarkuar teorikisht për profesionin e artistit, i ndodh përkëdhelja e parë, ajo e regjisorit të njohur Velko Bullajiq i cili, kur e sheh korridoreve të Akademisë bukuroshin nga Kosova, me lëvizje pak a shumë çapkëne, e thërret. E pyet prej nga kishte ardhur, përse kishte zgjedhur pikërisht këtë degë studimi dhe, mandej, i ofron të bënte një provë me të, për t’ia njohur afinitetet e aktrimit dhe…, siç thuhet, i qesh fati me të papriturën, me atë propozim konkret për të cilin moshatarët e tij as do mundnin të ëndërronin, e lëre më t’u sigurohej skena e lojës në film. Prova ishte aq bindëse, pa i lënë kurrfarë dileme ekipit i cili ishte zotuar t’i gjente fytyrat më të përshtatshme për projektin e filmit që, për temë, kishte ditët e luftës…
Faruk Begolli brenda vitit 1966 luan në filmat “Shikimi kah bebëzat e diellit” dhe në “Ëndrra”. Ishte prova e parë e një studenti i cili, më tutje, do të kërkohej shumë si aktor; menjëherë në vitin në vijim (1967) do ta shohim te filmi “Mëngjesi” të Purisha Gjorgjeviqit. Në të njëjtin vit Bekimi, me karrierën e tij të shkëlqyeshme, interpreton rolin kryesor te “Mbledhësit e puplave” të Petroviqit, rol i cili ia hapi dyert drejt kinematografisë botërore…Tashmë arrijnë të bëhen më të kërkuarit, duke u mburr njëri me tjetrin. Në botën e artit, në raste, mosdurimet janë pjesë e natyrës që kushtëzohet nga reflekset e xhelozisë, për shembull. Te këta dy aktor, më vonë iu bashkohet edhe Enver Petrovci, triumfon ndjenja e të qenit shqiptar, andaj gëzimet i kanë të përbashkëta për çdo sukses; për sukseset e njëri- tjetrit ngrenë dollitë.
Faruk Beogolli shfaqej me një biografi të çuditshme, me atë biografi të ditëve të para të jetës kur, komunistët e ardhur në pushtet me inercionin e shtypjes dhe shkatërrimit të çdo familjeje që kishte një pedigre bejlerësh… Ia ndërrojnë adresën e banimit. Në të vërtetë fillimisht ia vrasin babën, Sefedin Beun, në kohën kur Fariku ishte veç gjashtë muaj. Nëna e tij, me katër fëmijë, detyrohet të shkojë dhe të jetojë në katundin Baran deri në vitin 1952. Strehimi në ambientin e katundit ishte në kushte jashtëzakonisht të vështira… Faruku, prandaj, u rrit si mundi, u shkollua si diti, mandej u nis rrugëve në hulumtim të njohurive akademike, duke qenë i dhuruar me talent dhe bukuri, që të dyja të vlefshme për artin e aktrimit.
Ai shfrytëzoi vlerën e talentit dhe me një vrap maratonisti e shohim tek shëtitë nga një film në tjetrin, shpesh duke mos pasur mundësi kohore për t’i pranuar të gjitha ofertat. Pas afirmimit me shpejtësi marramendëse, nuk bëhet fjalë vetëm për një realizim, brenda vitit, si normë konstante e aktorëve, duke çmuar të suksesshëm vetëm një film brenda vitit… Faruku vetëm gjatë vitit 1970 numëron pesë filma: “Dashuria e parë”, “E dashura Irenë”, “Rekuijem” ,”Shprehitë tona”, “Muri i luleve”, e kështu me radhë, për çdo vit me realizime të reja, duke e arritur numrin e përgjithshëm të realizimeve në 75, pa llogaritur rolet në teatër. Kjo domethënë se Faruku tërë jetën e ka kaluar në aktrim dhe, në dekadat e fundit, duke mbajtur katedrën e aktrimit, duke nxjerrë kuadro të reja të skenës; kuadro që sot në mënyrën më serioze po i japin sharmë krijimtarisë në skenë dhe në film. Në Fakultetin e Artit të Universitetit të Prishtinës Faruku, në detrën e profesorit, nxori pesëmbëdhjetë breza aktorësh të rinj, duke punuar edhe në kushte të jashtëzakonshme, sidomos atëherë kur regjimi i Millosheviqit i largoi studentët nga objektet e tyre dhe vazhduan të mësojnë në podrume. Për figurën e tij do të thonë se ishte “ikonë e një kohe dhe e brezave të tërë”.
Ajo ikonë i jepte sharmë ambientit të Prishtinës, andej kah Faruku shëtiste, ndërkaq ajo shëtitje ishte e një relacioni të njëjtë: teatër- akademi dhe, sigurisht, në ambient kafeneje në çastet kur e kërkonte relaksimin shpirtëror mes kolegëve, përkatësisht mes studentëve në shoqërinë e të cilëve e gjende mundësinë të pushonte mirë e mirë. Në mesin e tyre Faruku e kishte plotësuar biografinë me premisa që i mungonin gjatë kohës kur bënte jetë dhe angazhim në ambientin e Beogradit.
Me studentët e tij Faruku e kishte më së miri, duke e gjetur gjuhën e përbashkët jo me distancën që zakonisht pedagogët arrogantë përpiqen të kenë me studentët, por me afri, me miqësi që i ka ndihmuar Farukut t’i konsiderojë si kolegë. Prandaj ai ka arritur t’i japë shpirt kësaj mënyre të shoqërimit me studentët, duke i hipur në skenë të gjitha brezat e aktrimit në kuadër të një titulli të përbashkët të paraqitjeve skenike, me “Jam talent se jo mahi”.
Ai e kishte famën, para se të merrte rolin e profesorit të aktrimit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. E kishte krijuar atë famë me aq shumë role të luajtur jo vetëm në ambientet e ish Jugosllavisë, dhe në Kosovë, natyrisht, krah për krah me të madhin Abdurrahman Shala, por edhe në koproduksione të jashtme. Për gjithë atë kreativitet sikur ishte i ndikuar nga fama e Bekim Fehmiut të cilin, të thuhet shtruar, e çmonte aq shumë, pa e ditur se edhe Bekim Fehmiu i gëzohej suksesit të tij. Duke qenë me moshë më i ri, mbase edhe me përvojë më të vogël, e pëlqente t’i qëndronte më larg, jo pse nuk e dëshironte afërsinë me të, por pse druante se do t’ia merrte kohën aq të çmuar të aktorit të madh. Në këso rrethanash i vjen rasti ta ketë Bekim Fehmiun në rolin e reporterit, i cili do të zhvillonte intervistën me Farukun. Ndërkaq Faruku do të përgjigjej me një lloj shqetësimi të bukur, si fëmija i përkëdhelur para prindit autoritar, duke u shprehur se ishte i mundur nga emocionet pikërisht pse, Bekimi, i shfaqej para tij në rolin e reporterit….
Duke e njohur qëndrimin e Farukut para gazetarëve, ngurrimi para Bekimit ndodhte për shkak të vlerësimit aq të lartë që ai kishte për aktorin që, tashmë, ishte bërë me famë botërore. Konsiderata e Farukut për Bekimin ishte shumë e madhe, aq më tepër pasi Bekimi përcillte çdo lëvizje aktrimi të bashkëvendësit dhe nuk kursehej t’i ofronte lëvdatat për rolet e luajtura, që për Farukun ishte një shtytje e jashtëzakonshme drejt çarjes më tej të profesionit të aktrimit, duke u gjendur në shumicën e rasteve në rolet kryesore, jo vetëm në filmat e ashtuquajtur të vendit, por edhe në filma të tjerë, siç ishte angazhimi në ish BRSS, më saktë në Tashkent (në vitin 1972) ku qëndroi mbi gjashtë javë…
Në intervistën 15- minutash me rastin e kthimit të Farukut nga Moska, të realizohet më 1972 e shohim Farukun të fascinuar meqë, thoshte: “…një artist aq i madh bën intervistë me mua… jam tejet i emocionuar, prandaj më falni për gabimet që mund t’i bëjë gjatë përgjigjes…”
Ai takim ishte simbol i bashkërespektit, në të vërtetë ishte heqje e një lloj tëhuajsimit të imagjinuar nga Faruku, i cili, duke ia çmuar famën Bekimit në të njëjtën kohë e mendonte të largët, kurse Bekimi e qafoi kolegun e tij të ri duke i dhënë kurajë që të vazhdonte në mënyrën më atraktive si artist i kërkuar, si personalitet që i kishte të gjitha rrugët e suksesit.
- Unë dhe Faruku, që është subjekt i kësaj interviste, – e nis bisedën Bekim Fehmiu duke qëndruar përpara Farukut që rri me kokë të ulur, me një buzëqeshje të fshehur në fytyrë, – jemi takuar në filmin e përbashkët “Eskadrila partizane” të Hajrudin Kërvavcit. Me këtë rast të kësaj interviste, – vazhdon Bekimi, – kërkoj nga Faruku të na tregojë për filmin e xhiruar në Tashkent….
Faruku ka qëndrimin e njeriut të ndrojtur, të njeriut që ka konsideratë të madhe ndaj bashkëbiseduesit.
- Unë kam qenë i përgatitur të flas, – vazhdon Faruku, – por jam i emocionuar … Të bëjë Bekimi intervistë me mua, është diçka e papritur…
Derisa Faruk Begolli duke bërë të kuptohet se fama e Bekimit ia kufizonte edhe mundësinë e shprehjes, Bekimi vazhdonte të mbajë qëndrimin e reporterit, duke mbajtur mikrofonin para Farukut i cili do të vazhdonte:
- Ishte ai film, në të vërtetë ishte rol që deri tash nuk e kam luajtur… – shpreh ai krenarinë që ishte zgjedhur për atë rol, duke ia mbështetur fatit për atë angazhim.
Lidhja me fatin ka të bëjë modestinë e tij, derisa për marrjen e rolit të filmit të realizuar në Tashkent, ndikim kishte talenti dhe rolet e shumta që i kishte luajtur në filma të tjerë dhe që ishin dëshmia më e mirë për të qenë i përshtatshëm për çdo regjisor.
Edhe kur nuk ishte i angazhuar në film, Faruku rrinte afër filmit; përcillte festivalet, duke qenë gjithherë në rrethin e elitës kinematografike, duke përcjellë rrjedhat e këtij arti dhe duke shfaqur edhe ndikimin e tij rreth përcaktimit të vlerave, si në rastin konkret, bie fjala, në Festivalin e Filmit Dokumentar që mbahej në Beograd, më 1973. Sipas sistemit të atëhershëm kur, në krye të komisioneve apo jurive, çdo njësi federative duhej ta kishte përfaqësuesin e tij dhe në këtë frymë edhe Kosova, si njësi konstituive e federatës, e kishte përfaqësuesin e vet (në rastin konkret përfaqësues jurie ishte autori këtyre rreshtave), Faruk Begolli ishte përcjellësi më besnik i festivalit, duke ushtruar ndikimin për vlerësim.
Më thotë se në zhanrin e filmave të animuar do të ishte mirë të vlerësohet me çmimin e parë një prodhim i Neoplanta filmit të Novi Sadit, filmi me titull “Flamujt”, film nëntë minutash, realizim i Zoran Jovanoviqit. Ishte një film metaforik, që nxirrte flamurin si vlerë të posaçme, shpesh të anuluar dhe të manipuluar. Një temë- lojë e cila, në një mënyrë, sikur përkonte me manitë e ambientit tonë ku, flamuri (ynë) kishte pësuar kundërthënie nga më të ndryshmet. Më dukej interesant insistimi i Farukut për përkrahjen e atij filmi, prandaj e tha me këmbëngulësi: “Qëndro para këtij propozimi, ndoshta fiton edhe përkrahjen e të tjerëve në juri.”
Procedura e mbajtjes të mbledhjes së jurisë mbështetej në një disiplinë dhe rregull: caktimi i çmimeve bëhej në natën e fundit të festivalit me kohëzgjatje derisa të shqyrtoheshin të gjitha filmat e shfaqur në ekranin e festivalit, kjo domethënë se u dashtë të qëndronim tërë natën në një zyre duke debatuar mbi filmat dhe duke marrë qëndrime të përbashkëta, siç thonë me koncenzus.
Duke pasur parasysh vullnetin e Faruk Begollit që e kishte interesimin për filmin “Flamujt” e orientova propozimin drejt këtij filmi, ndërkaq propozimi i dytë (por që propozuesi i Kroacisë ishte prof. Mate Rela) ishte i një autori kroat. Çdo anëtar ishte i obliguar të thoshte mendimin për të arritur konsensusin për cilindo film. Shtyrja rreth filmit “Flamujt” dhe realizimit kroat kishte zgjatje, deri në orën tre të mëngjesit, derisa u vendos për kategoritë tjera të filmave. Pas orës tre sekretarja e jurisë për të katërtën herë pyeti çdo njërin veç e veç se për cilin film ndanin mendimin. Ia thashë shkurt: për filmin “Flamujt”. Në atë moment anëtari i jurisë nga Kroacia, Mate Rela, protestoi duke u larguar nga puna e jurisë: “Prej këtij momenti, tha, nuk jam anëtar i jurisë!” Pas një pushimi, me ç’rast përfaqësuesi i Malit të Zi, shkrimtari Sreten Asanoviq më pëshpëriti te veshi: “Edhe unë mendoja si ti, por thjesht nga qyqarllëku nuk votova hapur!”
Filmi “Flamujt” fitoi vendin e parë, ndërkaq Faruk Begolli të nesërmen qerasi grupin prej afro dhjetë vetave që ishim në aulën e sallës (së Sindikatave) ku mbahej festivali.
As atëherë, por as më vonë, nuk e kam pyetur kurrë se cili ishte motivi për insistim aq të madh ndaj atij filmi, ishte autori (të cilin mund ta njihte) apo përmbajtja që kishte diçka magjike në përputhshmëri me flamurin tonë, më saktë me fatin e flamurit tonë për të cilin njerëzit tanë (të Kosovës) i ngatërronin këmbët nëpër burgje… Sidoqoftë, në mënyrë indirekte, Faruku ishte shkaktari për vlerësimin e atij filmi me çmim të parë.
Ishte me të renë, gjithnjë me përpjekje të bënte jetë artisti përtej kornizave politike, duke mbajtur mllefin e ditëve më të hershme të fëmijërisë kur qe bërë viktimë e politikës vetëm pse, tradicionalisht, familja e tij kishte qenë me oreolin e bejlerëve dhe pikërisht për këtë ajo familje kishte pësuar duke humbur kreun e familjes dhe gjithë pasurinë që u vodh nga komunistët.
Ndoshta i prirë nga kjo ndjenjë e pëlqente angazhimin e atyre që, në një mënyrë apo tjetër, bënin një hap përpara drejt avancimit të ideve, drejt largimit nga klishetë e surviuara nga dokumentet partiake, përmes së cilave, edhe pse jo në masën e dogmatizmit të tepruar, siç ndodhte tek fqinjët me përkrahjen dhe përfaqësimin e realizmit socialist, prapëseprapë duhej respektuar fryma partiake gjatë zbërthimit të luftës, për shembull, apo edhe të përparimit të deklaruar për hir të propagandës, e tj. Lëvizjet që kishin të bënin jashtë këtyre dogmave, Faruku i çmonte, mbase edhe insistonte në vënien në binarë të ideve që merrnin formë filmi me një gjuhë artistike ndryshe dhe me koncept të avancuar.
I tillë ishte, për shembull, filmi i Dushan Makajevit “WR misteret e organizmit”, një realizim që, në kohën kur u shfaq (viti 1971) ishte vlerë e një “revolucioni kulturor”,jo sipas shembullit kinez, por sipas shembujve evropian dhe amerikan; një film që kapërcente të arriturat e deriatëhershme, prandaj edhe i vënë në shënjestër si krijim destruktiv. E përmenda këtë film, meqë Faruku ishte aty, domethënë në Festivalin
(tradicional) të Filmit Jugosllav që mbahej në Pullë, kur e përshëndeta Makavejevin, duke ia uruar filmin, por edhe duke kërkuar nga ai për një intervistë për gazetën “Rilindja”. Për këtë iniciativë ishte pajtuar edhe Faruku, mbase u tërhoq nga një piknik që e kishte të planifikuar me kolegë dhe kolege aktorësh, dhe u gjend në shoqëri edhe për shkak se Makavejevin e njihte mirë, por edhe dëshira e tij ishte që për “Rilindjen” të kishim prezantimin e një fryme të re në fushën e filmit.
I thashë: “Shoku Makavejev (duke e ditur se nuk i pëlqente termi – shok) desha të marrë një opinion nga ju lidhur me idenë e përfaqësuar në filmin më të ri “Misterjet…”. Ç’ju shtyri të përfaqësoni ideologjinë e Wilhem Rajhut?”
Më shikoi bukur gjatë. E shikoi edhe Farukun i cili, sikur duke dashur t’ia bënte me dije se ishte me mua, buzëqeshi dhe ma hodhi dorën në qafë.
- Sipas pyetjes që e bëtë, po më obligoni të përgjigjem, por… më thoni e keni guxim të shkruani në atë gazetën e juaj krejt çka them unë?
- Po, – i thashë.
- Atëherë, para se t’ia fillojmë, shkruaj: jam mërzitur me produksionet e filmave tanë, me temat nga lufta ku, partizanët tanë, vrasin aq shumë sa, ta merr mendja, krejt ushtria gjermane që ishte e shpërndarë në gjithë Evropën, ka mbetur e vrarë pikërisht në Jugosllavi. Unë kujtoj se për këtë mënyrë të tillë, ta quaj banale, të paraqitjes të luftës të ashtuquajtur nacionalçlirimtare, fajet i ka Velko Bullajiqi. Dhe ti, nëse ke guxim të shkruash atë që them unë, lirisht thuaj se Makavejev tha se Bullajiq është mut. Hë, a po e shkruan këtë përkufizim timin për personalitetin krijues të regjisorit Bullajiq i cili, për të fituar simpatinë e komunistëve, rrëfen në mënyrë sensacionale. Me këso rrenë ai arrin të përfitojë shumë. Kurrë nuk i mungojnë paratë për realizimin e filmave, kurse mua jo vetëm që nuk më ndihmojnë materialisht, por edhe më ndjekin, edhe nuk më lejojnë të shfaq filmin, edhe (për shkak timin) e shkarkojnë nga detyra e drejtorit të Neoplantës drejtorin Svetozar Udavaçki. A e ke të qartë? Pranbdaj thashë se Bullajiq, por edhe të tjerët si ai, janë plehra.
- Mirë, unë i shënova këto fjalë, ndërkaq nuk u përgjigjët në pyetjen rreth Vilhem Rajhut.
- Shikoni, filmi është një produkt i revolucionit seksual në botë dhe për bazë ka ideologjinë që përfaqëson psikologu Vilhem Rajh. Ai, në një mënyrë sa origjinale, po aq edhe atraktive, e sheh shpëtimin e njerëzimit, apo të avancimit të tij përmes zbrazjes emotive, që domethënë përmes lirisë së plot shpirtërore të njeriut. Kjo teori nuk është e re, vjen në shprehje përmes psikoanalizave të dala edhe nga laboratori i Frojdit, bie fjala, kurse unë jam përpjekur dhe (sipas vlerësimeve të jashtme) ia kam arritur t’i bëj shërbim të mirë kësaj ideologjie e cila, kuptohet, nuk iu pëlqen komunistëve. Filmi, nga ana tjetër, është edhe produkt i problemeve të viteve të fundit të gjashtëdhjetave, të lëvizjes së rinisë së atëhershme dhe ishte kthesë në fushën e kinematografisë.
- Prandaj filmi u ndalua?
- Sigurisht, por kopjet arritën në qendrat botërore dhe, nga atje, marr vlerësime të jashtëzakonshme. A je i kënaqur me përgjigje?
- Po.
- E, pra, uroj që të botohet në gazetën tënde, nëse ajo gazetë nuk ka embargo të mendimeve të reja.
- Edhe ne jemi në të njëjtin shtet, por jam i bindur se nuk do të kem problem botimin e këtyre mendimeve. Çfarë thua Faruk: – iu drejtova.
- Nuk jam aq optimist. Unë jetoj në ambient tjetër, por megjithëkëtë besoj se Prishtina po i jep krah frymës së re, sidomos pas 81- shes.
Makavejev qeshi, ndoshta për shkak të pasigurisë së Farukut, apo ndoshta për shkak të besimit të tij se ngjarjet e 68- ës kishin ndikuar pozitivisht në pranimin e influencës nga meset e moderuara evropiane në fushën e zhvillimit të arteve.
Karakteristikat për një avancim më të plotë pozitiv në fushën e kinematografisë do të vijnë në shprehje gjatë viteve të shtatëdhjeta, kur e shohim Farukun në elementin e tij të sukseseve në shumë filma jo vetëm jashtë Kosovës ku kishte e kishte nisur dhe kishte arritur suksese të jashtëzakonshme, por edhe në ambientin e vendlindjes së tij, domethënë në filmat shqip, siç ishte “Si të vdiset”, “Era dhe lisi” në regji të Besim Sahatçiut, “Kur pranvera vonohet” në regji të Ekrem Kryeziut, “Proka” e tj., por edhe në seria televiziv, siç ishte “Fidani” që ishte një shkak shtesë për kënaqësinë e autorit, për shkak se te “Fidani” që u realizua sipas romanit “Pas kthimit” në regjinë e Sadedin Prekazit, Farikun e kisha shumë afër. U bë pjesë e rrëfimit tim dhe e shihja me tipare të plota të personazhit të cilin e kisha formësuar shumë vjet më parë. Në rolin e prindit të Fidanit Farukun e shihja të fisnikëruar me ndjenja reale të prindit në situatën e humbjes së të birit. Po e shihja edhe në rolin e këshilltarit pranë regjisorit, kështu që ai sukses evident i serisë “Fidani” ishte në kompetencat e Farukut dhe që e arriti bindshëm. Siç arriti edhe sukseset në skenë teatri, në “Epoka para gjyqit” për shembull, në atë rrëfim dinjitoz mbi Lidhjen e Prizrenit, apo edhe te “Dervishi e vdekja” edhe në role të tjera skene, siç ishte edhe roli permanent i profesorit në Akademinë e Teatrit dhe Filmit në Prishtinë, ku u gjend në kohën më të përshtatshme, pasi qe kthyer nga Beogradi pas ngjarjeve të viteve të tetëdhjeta. Pra, që nga viti 1990, Farukun e shohim si banor të përhershëm të Prishtinës, si emblemë e teatrit “Dodona” dhe shoqërues konstant me studentët e tij tek te cilët ofronte përvojën e gjatë të aktrimit në filma dhe të mësimeve në Akademinë e Beogradit.
Ai thoshte se në Beograd kishte filluar mësimet e aktrimit, duke u prezantua në skenë para profesorëve të tij, me pjesët e titulluara “Jam talent se jo mahi”. Me këtë përvojë nga ditët e studimeve Faruku le mbresa të jashtëzakonshme para studentëve të Prishtinës të cilëve u mbante ligjërata. Me këtë seri aktrimesh treguan aftësitë e tyre interpretuese aq shumë student të e studente, që sot kanë pasuruar skenat e teatrove, por edhe rrëfimet filmike e televizive.
Në biografinë e tij shënohen aq shumë përmbajtje filmash, aq shumë aktrime në dërrasa teatri, shënohet edhe se ishte i martuar, por nuk pati trashëgimtarë andaj edhe qe ndarë, pas shtatëmbëdhjetë vjetësh martese, nga bashkëshortja për të cilën gjithmonë fliste me adhurim, por shënohet edhe gjendja e tij apatike në Prishtinë gjatë bombardimeve. Ai nuk u largua nga Prishtina. Ndenji gjatë atyre muajve të ethshëm, vetëm të mos bëhej numër, siç thoshte.
Mandej, pas luftës, vazhdoi me të njëjtin ritëm; mblodhi studentët duke i konsideruar si fëmijët vet, për të nxjerrë kuadro aktrimi.
Mandej, seria “Profesor, jam talent se jo mahi” arriti deri në numrin shtatë, që domethënë shtatë breza studentësh. Te numri shtatë ishte prova e fundit e Farukut:
Në sallën e Teatrit “Dodona” kishin ardhur shumë studentë të shiheshin me Farukun i cili, pas një mungese të gjatë për shkak të sëmundjes, erdhi zorshëm, por me përpjekje që të mos lente përshtypjen e njeriut të mundur nga sëmundja e pashërueshme. Zuri vend në karriget e para, mes studentëve në rolin e publikut dhe të tjerëve që defilonin në skenë. Faruku ishte i entuziasmusar, por jo si përpara. Përpiqej të tregohej i lumtur, dhe atë lumturi e kishte nga parakalimet e studentëve në skenë në kuadër të pjesës “Jam talent se jo mahi.”
Me atë rast shpjegoi përvojën që e kishte sjellë nga studimet në Beograd, pastaj me një qëndrim prej njeriut që nuk dorëzohej, tha:
“E kam një sëmundje…Jam kah luftoj ta mposht smundjen…Unë gjithmonë më së miri e ndjej veten me kolegë dhe publikun… Tërë jetën kam studiuar dhe luajtur…Për mua nuk ekzistojnë të hollat, partitë… Për mua ekzistojnë vetëm kolegët dhe publiku…”
Flet ai me shkëputje të fjalëve dhe mendimeve, në sallë ku përcillet me vëmendje të të pranishmëve. Dhe thotë:
“… deri tash, siç e dini, e kemi arritur numrin shtatë të serisë “Jam talent se jo mahi. Po bëj përpjekje të shërohem dhe të vazhdoj edhe tetëshin….”
Me gjitha përpjekjet, Faruku vdiq (në moshën 63 vjeçare, në një nga ditët e nxehta të gushtit të vitit 2007, në atë të marte, në ora 03.00 të mëngjesit, ndërkaq të pasnesërmen e asaj dite, domethënë të enjten në ora 12.00 u përcoll në rrugën e fundit drejt varrezave të Prishtinës.


