More
    KreuLetërsiBibliotekë"Heshtja e trupit" nga Guido Ceronetti

    “Heshtja e trupit” nga Guido Ceronetti

    Përkthimi nga Rigel Rizaj

    Guido Ceronetti (1927-2018) ka qenë filozof, shkrimtar, përkthyes dhe gazetar. Një nga njerëzit më të njohur në Itali dhe sjellës në gjuhën italiane i “Librit të Jobit”, “Librit të Isaisë”, “Këngës së këngëve”, “Psalmeve” dhe Koheletit” të përkthyera prej origjinalit të tyre në hebraishten antike, si dhe përkthyes prej latinishtes i Horacit, Katulos, Xhovenalit etj. “Heshtja e trupit” është një libër përmbledhjesh më maksima dhe refleksione të tijat mbi letërsinë, mjekësinë, psikologjinë, filozofinë dhe anatonimë njerëzore, të cilat ai i lidh me një fill që na bën të kuptojmë se cilado prej këtyre fushave, arteve dhe përjetimeve psikike është e lidhur pashmangshmërisht në fshehurazi me tjetrën.

    Gjesti më i bukur i huajsisë dhe indiferencës në botën e krishterë ndaj kohës, ndaj zbulesës, ndaj ndjenjave, ndaj riteve të krishtera: ai i një rabini oriental i cili, për Kërshëndella (ditë në të cilën është e ndaluar të lexohet Torahu), priste letrën higjienike për të gjithë vitin. (Rrëfen Kafka).

    Një tribu trogloditësh të Filipineve vendos mbi pubis një orkide për të namatisur shterpësinë. Gjethja e fikut të Gjenezës ia mbulon lakuriqësinë që ta mbrojtur ndaj shpirtrave të ligj, të cilët pas mëkatit do të sulmojnë njeriun.

    Kafka i shkruan Otlës nga sanatoriumi Matliary se ndihet i trishtë “si një hienë” pasi kish rënë pré e tundimit për të ngrënë sardele me patate dhe majonezë, dhe se shihte një hienë tek gjente një konservë me sardele, tek e hapte me putra dhe tek kullufiste kufomat. Vetëm një vegjetarian i vërtetë mund të jetë i aftë t’i shohë sardelet si kufoma dhe konservën e tyre si një “arkivol qumështi”; një ngrënës të mishit (nuk më bëhet të them “mishngrënës” pasi njeriu nuk është mishngrënës) edhe sikur ta mbyllin në frigoriferin e një thertoreje nuk do e ketë ndjesinë se po bashkëjeton me kufoma të ndara katërsh.

    Andrea Dorin-i pohonte se nuk mundte të vdiste, duke mos qenë kurrë i lindur (pasi kish ardhur në jetë me lindje çezariane). Vrasësi i Makbethit, Makdafi, nuk është lindur prej një gruaje, dhe duke ia ngulur tejpërtej shpatën Makbethit, i rrëfen se ka ardhur në jetë me lindje çezariane. Na ka shpëtuar një ide e thellë: barku i ngjizur nuk është grua, ka një njeri por nuk ka një lindje, ai njeri i lindur ka për të qenë i paplagosshëm, me gjasë i pavdekshëm. Gruaja shihet tek vagina, dhe nëse nuk lind prej aty, ku gruaja banon, mëma (mitra) që të ka nxjerrë në jetë nuk është mëma jote dhe nuk i përket mëmës sate. Me lindjen çezariane të kthyer në praktikë të kohëve të fundit, shpejt do të kemi mes nesh njerëz të hiç-lindur sesa të lindur. Natyra e përballonte mirë përjashtimin, por mundet të vërë rregull, apo thuajse? Thonë “ime më”, edhe pse janë fëmijë të ardhur me lindje çezariane, por ka më pak dashuri birnore dhe më pak mëmësi në ekzistencën e tyre.

    Albert Camus thotë për Jean Guitton-in: “Ai është nga ata që nuk kanë vrarë kurrë një mizë”. Përgjigjet Guitton-i: “Miza që ai nuk e vrau, gjetiu solli murtajë”. Lipset të quhet plesht, sesa mizë, ama e vërteta morale qëndron.

    Optimizmi është si oksidi i karbonit: vret duke lënë tek trupat një gjurmë trëndafili.

    Kafka i quan rrotullat e Torahut “kukulla të brishta pa kokë”, por e ndjen thellësisht mitzà-në e krijimit. Hebreu që nuk e përmbush atë është vetë një kukull pa kokë; por edhe më tepër është Hebreu që nuk beson në Zot.

    Komedia si alegori e Tretjes: “Hiqni dorë prej çdo shprese” ( i thotë Goja ushqimeve); djaj, Lugje (stomaku, “trastë e trishtë”, domethënënse kjo “e trishtë”, zorra e trashë); “ngushticë e rrumbullt”, “të shohësh sërish yjet” (anusi). Purgatori: ç’është mbledhur prej thelbësores mbetet në trup për të vuajtur. Parajsa: udhëtimi nëpër lëndë përfundon, ajo që i përkiste Dritës u kthye te Drita; nis sërishmi kalvari për një tjetër ushqyerje.

    Vendet ku mban më shumë erë janë vendet ku mblidhet më tepër shpirt. Syri, i cili nuk mban erë, është një pasqyrë, jo një shpirt. T’i shtosh aromëra trupit, është si t’i shtosh atij shpirt ose të hiqesh sikur e ke një të tillë, në rast se ajo mungon. Erërat shumë të forta janë bërë të papëlqyeshme, pasi tepria e shpirtit është e patolerueshme në masë, pasi shtazëria natyrore është shtypur dhe frenuar prej qytetërimit.

    Hidra e Lezbos. Mjafton një gabim tipografik për të fshirë një mit dhe për ta zëvendësuar me një moral.

    Horaci kish shikim të dobët (lippus), Virgjili kish probleme me tretjen (crudus). (Po as Horaci nuk kish një stomak të shëndetshëm). Hermann Broch-u thotë (Der Tod des vergil) se Virgjili vdekatar ish një Bimë Vegjetuese; kish shpëtuar prej stomakut të sëmurë. Të shndërrohesh në bimë është më mirë sesa të shpërndash te vdekja aromën e shenjtërisë.

    Pasioni i Moxartit për skatologjinë, erotizmin, gjuhën e ndyrë, vrazhdësinë gjuhësorë. Kish disa rezerva të errëta, një Ferr të vetin prej tingujsh të papastër që, te Dhoma Angjelike e tij, e shndërronte nigredon dhe albedon e tij në përsosje hedenike.

    Një dëshmi e injorancës së filozofëve është fakti se nuk e konsiderojnë kurrë gojën si organ dëshirimi.

    Një njeri që lëvdohet është një njeri të cilit i janë hedhur zinxhirët.

    Një mendim tejet i bukur prej Le Clèzio-së: “Me gjasë, një ditë do të mësojmë se nuk bëhej fjalë për art, por për mjekësi”.

    Charles Du Bos-i vëzhgonte se përshkrimet psikologjike të Dostojevskit të shpien në hamendësi të një bashkëpunimi të drejtëpërdrejtë me Satanain.

    Ekziston një spermë psikike, thotë Paracelsi, e sekretuar prej trupit qiellor, krijues i maktheve dhe i nënshtrimeve. (Lilithi mbarset psikikisht).

    Zola, tek Nana, thotë se kur zhardhokët dekompozohen, marrin një aromë njerëzore. Ama kur njeriudekompozohet nuk merr aromë zhardhoku.

    “Cila është më e mira? Të argëtohsh me Kërpudhat apo të të vijë keq për Ideologjinë?”, e pyetën Aldous Huxley-n, – i cili zgjodhi kërpudhat, – në “Newsweek” më 9 maj të 1966-s. Zgjedhje më racionale është që lipset t’u ikësh kërpudhave si ideologji, apo ideologjisë si kërpudha. Nuk na volit asnjë drogë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË