More
    KreuOpinionHelena Kadare: Takimi i parë me Is.

    Helena Kadare: Takimi i parë me Is.

    Po ecja vetëm në Rrugën e Barrikadave dhe në udhëkryq, atje ku ajo pritej me rrugën “Qemal Stafa”, befas njoha fytyrën që e kisha parë veç nëpër fotografi. Po vinte përballë meje, mbi trotuar, bashkë me tim kushëri, shkrimtarin Nasho Jorgaqi. Ecnin duke qeshur të dy. Mua m’u duk më simpatik se në fotografi. Kishte një xhaketë me kokrriza dhe mbante një pulovër të zi me jakë golf, që sapo kishin dalë në modë në atë kohë. M’u duk po aq i zbehtë në fytyrë, sa ç’e kisha përfytyruar në ëndërrimet e mia. U turbullova aq shumë, sa m’u duk se po më merreshin këmbët.

    Nasho Jorgaqi ndaloi për të më takuar, pastaj më njohu me të.

    – Kjo është kushërira ime, Elena Gushi, – tha.

    U skuqa, veshët më buçisnin dhe belbëzova, ca fjalë gati si përçart.

    “Ju njoh. E di që jeni një poet mendjemadh. Nuk i jeni përgjigjur letrës sime.”

     Këto ishin pak a shumë fjalët, siç m’i kujtoi Is më pas, sepse unë s’mbaja mend gjë prej gjëje. Ai seç u përgjigj gjysmë me të qeshur, ndërsa im kushëri shfaqi habinë që paskemi këmbyer letra.

    Is pyeti:

    – Ju jeni tani në Tiranë?

    Pas pohimit tim, pa m’i hequr sytë, ai vazhdoi:

     – Ju pëlqen të shikoni filma të xhiruar prej meje?

    Mezi e mora vesh ku e kishte fjalën. Ishte shqiptari i parë që kishte sjellë nga jashtë një kinoaparat 8 mm, bashkë me laboratorin për larjen e filmave.

    – Më pëlqen shumë, – u përgjigja, e çliruar ngaqë biseda mori një drejtim gazmor.

    Kushëriri im u vrenjt nga kjo mënyrë e pacipë ftese në shtëpi. Unë u skuqa prapë dhe s’dija ç’të përgjigjesha. Pa çarë kryet për fytyrën e ngrysur e qortuese të kushëririt, Is nxori një copë letër nga xhepi dhe shkroi në të.

     – Ky është telefoni im. Më merrni ndonjë ditë.

    Krejt e turbulluar e mora letrën dhe Is shtoi:

     – Po e humbët këtë pusullë mbani mend këtë: dy numrat e parë janë viti i vdekjes së Stalinit dhe… (tani nuk më kujtohet ç’ishte ngjarja tjetër, ngaqë e vendosur ta ruaja si floririn atë letër, s’i dhashë rëndësi përcaktimit).

    Im kushëri ishte ngrysur edhe më fort. Kur më takoi më pas, ai më hoqi vërejtjen me shumë seriozitet. Kishte dashur ta bënte këtë gjë edhe me Is, por, ngaqë atij ishte vështirë t’i bëje vërejtje të kësaj natyre, i kishte kujtuar se unë isha e fejuar dhe s’ishte mirë që në sytë e tij, domethënë të kushëririt, ai më kishte bërë haptas një propozim për takim.

    Më pas mora vesh hollësira të bisedës së tyre. E fejuar? E çfarë pastaj? kishte thënë Is, gjë që e kishte pezmatuar edhe më fort kushëririn tim.

    Asnjëherë nuk e mora vesh nëse ishte vërtet fare mospërfillës për të fejuarin apo ashtu shtirej. E vërteta është se as atëherë, as më pas nuk më ka pyetur kurrë për të, sikur ai të mos kishte ekzistuar ndonjëherë. Kjo shmangie e të fejuarit ndikoi, me sa duket, që edhe tek unë të ndodhte e njëjta gjë, me të njëjtën lehtësi.

    Disa ditë radhazi, pas këtij takimi fatlum, isha si e dehur nga tronditja. E sillja dhe e risillja në mend takimin në rrugë, fytyrën e tij, sytë shpotitës prapa syzeve me skelet të trashë, dorën e tij të zbehtë dhe disi nervoze, me të cilën kishte shkruar me shpejtësi e shtrembtas atë numër telefoni. Tërë ditën mendja më rrinte te telefoni. Po sikur ta merrja? Po sikur ai të më ftonte t’i vija? Po sikur, po sikur. Telefona në Tiranë në atë kohë kishte fare pak dhe kabinat telefonike në rrugë nuk ekzistonin, veçse në zyrën e postës dhe, natyrisht, te drejtoresha e tmerrshme, Xhevo. Në konvikt, tërë pasditet, bashkë me Meri L., i silleshim përqark zyrës së drejtoreshës, me shpresë se mos e gjenim ndonjë çast të lirë. Por zyra ishte gjithmonë me drejtoreshë brenda dhe fytyra e saj ishte gjithmonë po aq e rreptë. Telefon kishte edhe te dezhurni i fakultetit dhe te tezja ime e vogël, Liria, ku shkoja të bujtja nganjëherë. Megjithatë, asnjëherë s’guxova ta bëja këtë hap. Kisha frikë, kisha ndrojtje dhe, sidomos, i trembesha një propozimi, për të shkuar tek ai. Ndërkaq, mendja më punonte veç aty. Aq shumë isha magjepsur pas tij, sa s’u përmbajta dhe i fola edhe të fejuarit për të. Mbaj mend se, tek i flisja me entuziazëm se sa i jashtëzakonshëm më qe dukur Is, sytë e të fejuarit u pikëlluan. Ai s’foli asnjë fjalë dhe, me sa duket, për të më dhënë të kuptoja pakënaqësinë e tij, disa ditë nuk erdhi fare në konvikt. Por unë, e dalldisur siç isha, as nuk e vura re fare këtë mungesë dhe vetëm kur ai erdhi më në fund dhe, me fjalë të matura më shprehu qejfmbetjen e tij për këtë admirim të tepruar, mbeta me të vërtetë e habitur. Për mua ishte fare e pakuptueshme që dikush mund të mbetej indiferent para ekzistencës së një mrekullie të atij lloji, siç ishte në vetvete Is. Por në atë kohë isha shumë e re dhe nuk e njihja mirë se çfarë ishte xhelozia dhe ç’forcë shkatërrimtare kishte ajo në jetën e njerëzve.

    Pikërisht në këtë kohë doli libri me poezi i tij Shekulli im. Dalja e librit u mor vesh që në orët e para në fakultet. Shumica e studentëve lanë leksionet e mëngjesit dhe shkuan për ta blerë. Shumë shpejt u dëgjua të flitej prej tyre me entuziazëm për të, duke e quajtur një vepër novatore. S’do mend që unë e Meri L. ishim ndër të parat që vajtëm në librarinë e qendrës së Tiranës. Mbaj mend që libraria ishte e mbushur plot dhe njerëzit e kërkonin me etje këtë libër. Ne të dyja mblodhëm paratë e pakta që kishim dhe e blemë bashkërisht. Me librin në dorë u kthyem si të ndërkryera në konvikt. Meri L. u tregua bujare dhe ma la librin ta lexoja e para.

    Mbeta krejt e mahnitur. Libri ishte gjithë nerv e rebelizëm artistik.

    Me duart që më dridheshin nga padurimi e shfletova edhe një herë krejt, për të gjetur poemën Antiqiella, të shkruar në Rigë të Letonisë, për të cilën ishte hapur një legjendë në Tiranë. Por nuk e gjeta. Në të vërtetë, siç mora vesh më vonë, kjo poemë ishte botuar me një titull të ndryshëm e të rëndomtë, që nuk ngjante fare me stilin e tij: Paqen do ta imponojmë. Ishte i vetmi lëshim që Is iu kishte bërë vërejtjeve të redaktorëve të shtëpisë botuese, të cilët, me të drejtë, ishin trembur ta botonin ashtu siç ishte.

    Libri zgjoi një reagim të fortë në të gjitha shtresat e shoqërisë. Ai ishte njëfarë sfide arrogante kundër poetikës së kohës. Ishte i mbushur me figura të guximshme, ekstravagante. “Mizat ulen me zukamë në vijat e pizhameve, si avionët në pistat e aeroporteve”, thuhej në njërën nga vjershat. Dhe më poshtë:

    Mos më lër kurrë, o moj botë e madhe

    Mos m’i mbyll kurrë portat.

    Më parë, ai i kishte mahnitur lexuesit me një cikël vjershash botuar në Zërin e Rinisë, midis të cilave ishte poema Vjeshtë në Tiranë, që niste me vargun e famshëm “Pa formë është qielli, si tru idioti”. Shekulli im ishte i mbushur me margaritarë të tillë të pazakonshëm, të rrezikshëm, që e prishnin amullinë e letërsisë konformiste. Sidomos poema Rrugëve të Moskës, një poemë tërësisht intime, ishte një gjë e paparë në letërsinë e re e të kontrolluar shqipe.

    Merrej me mend që libri nuk do të pritej mirë. Ashtu ndodhi vërtet, por kritikat bënë efekt të kundërt. Jo vetëm unë me Meri L., kuptohet, që brenda pak ditëve e kishim mësuar thuajse gjithë librin përmendsh, por studentët në përgjithësi i citonin kudo vargjet e tij nëpër auditore. Pëlqeheshin sidomos metaforat e guximshme, si ato ku fanatikët e artit krahasoheshin me fanatikët në jetë, ata që iu gëzoheshin virgjërisë së vajzave si pijanecët shampanjës së pahapur etj.

    Si shumica e vajzave të reja, unë përpiva me vrap sidomos vjershat e dashurisë. Ishin të shumta, disa me iniciale, gjë që ishte e rrallë në letërsinë shqipe. Shumica iu kushtoheshin vajzave ruse dhe unë për herë të parë në jetën time provova një xhelozi të mprehtë për heroinat që fshiheshin pas atyre inicialeve. Përmendeshin rrugë me drita, bare nate, ashensorë, puthje, humbje virgjërie, dashuri në shtrat, me “një mollë në komodinë gjysmë e ngrënë”. Veçanërisht vargjet kushtuar një vajze letoneze me emrin Brigite, që fillonin:

    Retë ikin drejt Suedisë.

    Së shpejti do t’ik dhe unë Brigita,

    Në të kundërtin drejtim të reve.

    na e ndiznin keq fantazinë.

    Të gjitha këto ishin gjëra të reja, eksitante në letërsinë shqipe. Gjithë libri dukej i pabesueshëm, gati-gati një gabim në sfondin e kohës.

    Më pas Is do të më shpjegonte se ky libër kishte parë dritën e botimit falë guximit të Drago Siliqit, mikut të tij të ngushtë, i cili, për fat, sapo ishte emëruar drejtor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, shtëpia botuese kryesore e vendit.

    Disa muaj më pas do të mësoja diçka që, ndonëse kishte lidhje me Shekulli im, nuk e dinte pothuajse askush. Me postën që ende punonte me jashtë, mbërriti nga Moska një libër poetik i Is, përkthyer e botuar në rusisht. Libri titullohej Lirika dhe ishte libri i parë i tij në botën e jashtme. Ishte viti 1961 dhe, ngaqë marrëdhëniet midis Tiranës dhe Moskës po shkonin drejt prishjes së plotë, shtypi shqiptar nuk shkroi asnjë rresht për këtë botim.

    Is do të ma tregonte si kuriozitet në një nga takimet tona të para dhe mua m’u duk si e pabesueshme të shikoja një Shekulli im të dyzuar në version rus. Libri ishte paraqitur në shtëpinë botuese ruse qysh në fund të vitit 1959, por botimi ishte zvarritur për shkak të vërejtjeve të shumta. Me fjalë të tjera, kritikat që i ishin bërë në Tiranë, i qenë bërë përpara në Moskë. Libri kishte dalë më në fund më 1961, i pajisur me një “parathënie distancuese”, siç bëhej me shkrimtarët e botës Perëndimore, të cilët, ndonëse botoheshin, shtëpitë botuese sovjetike vinin në dukje në parathënie rezervat që kishin për shkrimtarin.

    Por këto do të ndodhnin më pas, kur të afrohesha me të. Tani për tani s’dija asgjë, madje nuk dija nëse do të ndodhte ndonjë ditë afrimi ynë.

    (Marrë nga libri : Helena Kadare, « Kohë pamjaftueshme », kujtime, Onufri, Tiranë, 2011)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË