More
    KreuLetërsiBibliotekë"Grimca," tregim nga Mehmet Elezi

    “Grimca,” tregim nga Mehmet Elezi

    Qe ora katër e agut, kur i shqipëroi katër vargjet e fundit. Bëri krak dera. Doli një hije. Ai njohu profilin e zotit të Skëterrës. Po më le?, i tha. Ajri në fjetën e vogël u thith. Ai s’po merrte dot frymë. Nuk po të lë, tha zoti i Skëterrës, duke tërhequr derën pas vetes. Mbaruam bashkë, po dal.

    Iu kujtua Fishta. Fishta kish parë shkrimin për Lahutën te Hylli i Dritës, kish këqyrë autorin. A kjo grimcë e ka shkrue?, kish thënë dhe i kishin zdritur sytë e zinj. Pashko Gjeçi gjithmonë kish qenë imcak. Sa një rrum. Tashti edhe më i imët. Mishin ia kish ngrënë biruca e të burgosurit politik. Ani pse nuk qe marrë kurrë me politikë. Gjakun ia kishin pirë mushkojat në kënetën e Maliqit, kur punonte si i burgosur politik. Ani pse nuk qe marrë kurrë me politikë. Eshtrat ia kishin tkurrur vitet. Vitet i kish dyfishuar vetë, një vit e kish bërë dy. Duke shqipëruar kryevepra të botës.

    A kjo grimcë e ka shkrue?, kish thënë Fishta. Dhe e kish rrokur me të dy krahët. Zoti i Lahutës kishte ikur moti. Tashti edhe zoti i Ferrit.

    E thërrasin në një zyrë.

    -Ku banon?

    -Te Shallvaret.

    -Ke shtëpi?

    -Jetoj në bodrum.

    -Do të të japim banesë të re.

    -Faleminderit.

    -Brenda javës të vjen autorizimi. Ka urdhëruar i Madhi, e kupton?

    I Madhi është Ai, kush tjetër. I Madhi është Dantja, zoti i Skëterrës. I Purgatorit dhe i Parajsës. Nuk po të lë, tha. Nuk më paska lënë.

    Autorizimi vonohet. Kalojnë tri javë. Kalojnë tre muaj. I ndërmendet kënga e moçme: Shkuen tri javë e shkuen tri vjet/ Pushka e Lilës s’po kërcet!

    Një hije në derë. Nuk të pëlqeu apartamenti?

    Ai habitet.

    -S’kam marrë apartament.

    -Qysh nuk paske marrë? Ka urdhëruar i Madhi.

    Pas dy javësh, ndjesë, një ngatërresë e vogël. Autorizimi për Pashko Gjeçin i ka shkuar Pashko Gecit. Ai ka hyrë në apartamentin tuaj. Është urdhëruar ta lirojë menjëherë.

    Pashko Gjeçi zverdhet. Pashko Geci, mësuesi im. Ma mësoi greqishten e vjetër. Blinte libra për mua. M’i linte nën bankë, mos me u fye unë. Grimcani zvogëlohet edhe më. I dridhen këmbët. Mund ta mbledhësh në grusht.

    -Nuk. Ai ka hyrë në apartamentin e… tij. Edhe ai ishte pa shtëpi, si unë.

    Fundja s’jam aq keq, mendon. Në këtë bodrum s’është kushedi vapë. As kushedi ftohtë nuk është. Është si galeri miniere, na mbron dheu.

    Njeriu i zyrave largohet. Hyn zoti i Ferrit, Dantja. Nën sqetull një libër të trashë. Deri matanë qiellit, të trashë. Vajulurimë. Nuk qenka libër. Nën sqetullën e burrit është Komedia Hyjnore. Vetë matanëbota.

    Pashko Gjeçi mpaket.

    -Ti je këtu, thotë zoti i Skëterrës. Ata do të jenë atje. Duke u përpëlitur nëpër nëntë rrathët e përtejbotës, që kam nën sqetull.

    E kam ditur se vjen, thotë Pashko Gjeçi. E ndjeva në katër të mëngjezit, kur përktheva katër vargjet e mbrame të Ferrit.

    hipëm, i pari ai e unë mbas tij

    nga gropa pashë – vegim i mrekullueshëm –

    stolitë që veshin qiellin pa kufi

    e dolëm prap me pa yjtë e vezllueshëm.

    Zotnia i Ferrit shtanget. Po mendoj si tingëllojnë më bukur: siç i kam shkruar unë apo siç i ke shqipëruar ti?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË