Kreu Forumi mbi përkthimin Granit Zela: Kur përktheja Folknerin, në dukej sikur isha duke rrugëtuar me...

Granit Zela: Kur përktheja Folknerin, në dukej sikur isha duke rrugëtuar me Darl Bandrenin dhe familjen.

123 vjet më parë, në Mississippi lindi një ndër gjenitë e romanit anglez. Fitues i dhjetra çmimeve mes të cilëve edhe atë Nobel në vitin 1945, William Folkner do të kthehej në “një Zot për të rinjtë francez” sikurse thotë Sartri. Por jo vetëm francezët: letërsinë e tij e pëlqeu e vijon ta pëlqejë e gjithë bota.

Në këtë përvjetor, Andreas Dushi bashkëbisedoi me përkthyesin e veprës së tij në shqip, Granit Zela i cili deri tani, nën botimin e “Onufri”-t i ka sjellë lexuesit shqipfolës dy romane: “Dritë e gushtit” dhe “Duke dhënë shpirt”, ndërkohë që po punon edhe me përkthimin e të tretit: “Absalom, Absalom!”

Folkner është një shkrimtar “i vështirë”, të lexuarit e të cilit, edhe në gjuhën origjinale nuk është i thjeshtë. Pasuria e tij gjuhësore e cila buron nga çdo skaj i anglishtes është mbresëlënëse, ndaj përkthimi, në çfarëdolloj gjuhe, është një sfidë e cila kërkon mund të madh për t’u tejkaluar. Si ju lindi ideja ta ndërmerrni këtë sfidë?

Ka qenë një sugjerim që them se ka ardhur si fryt i një bashkëpunimi gati pesëvjeçar me gazetën kulturore “Fjala” të Agron Tufës ku në vitin 2001 kam dërguar përkthimin tim të parë, një ese letrare të Robert Scholes, “Zeja e leximit”. Më pas tek “FjalA” kam vijuar me botimin e shumë përkthimeve nga autorë anglo-saksonë, por edhe të esesë së Ëill & Arial Durand William Folkner: pamje jete, dhe një eseje times me titull: William Folkner: Pikaso i letërsisë. Në vitin 2008, librin me ese “Shkronjat e errësirës” e botova tek Botimet Fjala, dhe aty ishte edhe një studim i shkurtër për Folknerin. Besoj se Agroni, si pedagog i lëndës së Letërsisë së Huaj të shek XX, e ka vënë re mungesën e këtij autori të rëndësishëm në gjuhën shqipe (sikurse të disa autorëve të tjerë), dhe duke vënë re po ashtu një lloj përkushtimi që unë kisha ndaj këtij autori,më ka sugjeruar përkthimin e “Dritë e gushtit”, duke ofruar mbështetjen e tij në këtë projekt.

Kur e lexuat për herë të parë Folknerin, para se ta përkthenit, çfarë menduat? Si lexues, ç’emocion ju përcolli?

 “Duke dhënë shpirt” është libri i parë që kam lexuar nga Folkneri si student i letërsisë amerikane. Ajo që më magjepsi ishte rrëfimi nga 15 rrëfimtarë dhe me anë të 59 monologëve të brendshëm. Teknikat rrëfimore dhe stilitsike më lanë mbresa si lexues i ri, pasi Folkneri ka përdorur çdo risi të letërsisë së shekullit XX duke i dhënë vulën e origjinalitetit të vet. Pastaj pashë edhe filmin e mbështetur në roman ku James Franco luan Darl Bandrenin. Kur e ke lexuar dhe analizuar një roman, filmin e shijon shumë. Por kjo s’ndodh me dikë që s’e ka lexuar romanin dhe thuhet se një kritik filmi, pasi kishte parë “Duke dhënë shpirt” deklaroi se që ta kuptonte atë do të shkonte në shtëpi të lexonte romanin, pastaj mund të shkruante për filmin. Filmat e krijojnë një atmosferë të përafërt me shpirtin e romanit, gjithsesi. Para dy ditësh pashë filmin “Faltorja” mbështetur në romanin me të njëjtin titull të Folknerit. Më pëlqen që të shoh filmat që mbështeten tek romanet, dhe të krahasoj efektet pamore me ato të leximit.

Po mandej, kur po e përkthenit, a ndryshoi perceptimi për të?

Jo nuk ndryshoi. Ishte autor i ndërlikuar dhe s’mund të ulesha, të nisja dhe të vijoja me përkthimin. Duhej që të krijoja njëfarë punishteje ku të kisha gjithçka për këtë autor, ta studioja me rrënjë romanin që do përktheja, dhe natyrisht të bëja disa zgjedhje me të cilat përballesh në kapitujt e parë, dhe s’mund t’i bësh aty për aty, por duhet ta mendosh, të shohësh zgjedhjet e bëra nga të tjerë në situatë të ngjashme, dhe kjo në fillim të merr jashtëzakonisht shumë kohë. Në këtë kuptim, përkthimi i romanit të parë, ka qenë më vramendës, kurse i të dytit më shpërblyes, kënaqësi e vërtetë. Ndoshta ngaqë më dukej sikur isha edhe unë duke rrugëtuar me Darl Bandrenin dhe familjen.

Si u pritën nga lexuesi dy romanet e tij të ardhur në shqip nën përkthimin tuaj, botuar nga “Onufri”, “Dritë gushti” dhe “Duke dhënë shpirt”? Cilat ishin reagimet e tyre?

Reagimi ka qenë shumë vlerësues nga ata që që e njohin mirë cilësinë e letërsisë, dhe këtu numrin më të madh e përbëjnë të përkushtuarit ndaj letrares, përkthyesit që kanë gjykuar t’i përfshijnë në projektet mbështetëse të Ministrisë së Kulturës, tani veprimtari që mbulohet nga Qendra Kombëtare e Leximit, shkrimtarët, kritikët letrarë, mësimdhënësit e letërsisë, dhe një numër befasues lexuesish. Ata e kanë shprehur vazhdimisht vlerësimin e tyre, shumë më kanë shkruar, u jam mirënjohës dhe falenderues, dhe kjo përveçse kënaqësi njerëzore, shpirtërore nga ana tjetër e rrit ndjenjën time të përgjegjësisë. Në të vërtetë, përkthimi është punë me përgjegjësi, kurse përkthimi i veprave të titanëve të letërsisë është përgjegjësi edhe më e madhe.

Ndërkohë jeni duke përkthyer edhe “Absalom, Absalom!”. Si po shkon puna dhe kur mendoni se do të jetë gati për lexuesin?

Kur e mbaroi së shkruari (1936), Folkneri i dërgoi një letër botuesit duke shpallur se kishte shkruar romanin më të mirë amerikan deri atëherë. Tek ky roman ai hyn në zemër të qarkut të Joknapatofës, një krahine të vogël në Misisipin verior, dhe romani shoqërohet me një hartë të kësaj mbretërie imagjinare. Robert Scholes, ka si epigram të Zeja e leximit një paragraf ku përshkruan punën e një artizani, i cili duhet të vendoste shtatëmbëdhjetë kostume në vitrinën e tij, bashkë me po aq mansheta dhe kollare rretheqark tyre. Ai merret njëmbëdhjetë minuta me secilën prej tyre, herë pas here dilte jashtë për të këqyrur efektin që krijonte, gjithmonë merrej me gjithçka, me imtësinë më të skajshme dhe ishte i dhënë aq përhumbshëm pas punës sa s’vinte re askënd. Sikurse e përshkruan Scholes, zejtari i përhumbur në punën e vet, s’e vë re kalimin e kohës dhe s’mendon për asgjë tjetër. Në këtë kuptim, koha se kur mbaron procesi i përkthimit do të zbulohet vitin tjetër, dhe më pas do të përmbushet edhe qëllimi për të arritur tek lexuesi. Gjatë kësaj kohe, do t’i përkushtohem procesit duke e përjetuar para së gjithash si kënaqësi të përkthimit. 

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Vladimir Majakovskij: Flauti i shtyllës kurrizore (poemë)

Përktheu nga origjinali: Agron Tufa Vladimir Vladimiroviç Majakovskij (1893 – 1930) gjithmonë është perceptuar në shoqëri si një...

Ai nuk rendi, por zor se ia kalon kush – Nga Fatbardh Amursi (Rustemi)

Poetit, Faslli Haliti, i qëlloi të ndahej nga jeta në 16 tetorin e ditëlindjes së diktatorit, i goditur për vdekje nga “armiku...

Poeti Laureat, një vlerësim i ri në Shqipëri

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli sivjet për të parën herë zgjedhjen e një poeti laureat duke treguar se si ai...

Blini tani në librari ose heshtni përgjithmonë!

Dëmet që shkaktoi pandemia e koronavirusit nuk kursyen as biznesin ku përfshihet edhe ai i librarive. Në shkrimin “Buy from your independent...

KATEGORITË