More
    KreuIntervistaGranit Zela dhe Flurans Ilia: Shkrimtari jeton me atë që ndodh në...

    Granit Zela dhe Flurans Ilia: Shkrimtari jeton me atë që ndodh në atdheun e tij

    Granit Zela: I dashur Flurans! Herën e fundit që jemi takuar ka qenë tetor 2011, te qoshku “E për7shme”, ku ti kishe një mbrëmje leximi. Atë mbrëmje m’u desh të largohem nga fundi i takimit dhe të lashë në atë qoshk-ishullth, në detin e trazuar të rrugëve ku gjithnjë e më pak ka vend për letërsinë dhe artin e fjalës së shkruar. Sa ka pasur dhe ka jetë letrare në vendin tonë?

    Flurans Ilia: Isha i ftuar nga Agroni dhe Elvana në atë bisedë te qoshku i librave, “E për7shme”, për gjëra të cilat i kemi dashur, bashkëjetojmë, me to do të vdesim një ditë. Është bukur kur jeton me Librin, jo sepse aty janë depozituar disa nga pyetje-përgjigjet më ekzistenciale të njeriut, por sepse nëpërmjet tij na jepet mundësia të kuptojmë horizontin, të jetojmë bukur, përtej vdekjeve si kufij ndarës. Ndodhesha me pushime në atdhe atë vit, me shumë mall për njerëzit, për gjëra që na përkasin dhe i konsideroj të shenjta. Papritur nëna ime u sëmur rëndë dhe gjithçka u rrokullis rrokapjekthi, nga një realitet turisti me aparat fotografik, në një përpjekje mbinatyrore për të fiksuar nën fokus absurdin e realitetit shqiptar. M’u desh të anuloj kthimin në Montreal, t’i përkushtohem nënës në spital, e cila në kllapi më thoshte: “Mos më lër vetëm!” Sot, kur gjërat dhe koha tkurren pak e nga pak, i them shpesh letërsisë: “Mos më lër vetëm!” Kërkimi dhe gjetja e një qoshku për Librin është si puna e oazës, kur etja bëhet e padurueshme. Si puna e besimtarit që beson në Zot dhe jo në dogmën institucionale. Si i sëmuri që sheh te mjeku shenjtërinë e njeriut fisnik dhe jo harbutërinë e një haraçmbledhësi. Besoj, gjithkush e ka një qoshk brenda dhe jashtë vetes. Në fillesat e mia veçoj “Haemus” dhe “Fjala”, të cilat më kanë mbështetur dhe u jam mirënjohës. Në internet përpara epokës Facebook & Twitter, “Krizantem” dhe “Ars Poetica”. Më kujtohet dimri i vitit 2005 kur Ervini sapo e kishte krijuar qoshkun e librave “E për7shme”. Ato takimet e para aty me “poetët e së mërkurës” ishin si oazë në mesin e javës, në vorbullën e një Tirane të zhurmshme dhe shpesh absurde. Kjo më ka ngelur në kujtesë si underground ku gjallonte njëra nga jetët letrare të atyre viteve, larg ndriçuesve të lokaleve të “Bllokut”. Aty u takova me Ervin Hatibin, Agron Tufën, Besnik Mustafajn, Ukzenel Buçpapajn, Fatmir Baçin, Granitin etj. Pastaj erdhi “Poeteka”. Ishte njësoj si të dilje në det të hapur. U njoha nga afër me Ali Podrimjen, Xhevahir Spahiun, Zija Çelën, Arjan Lekën, Anton Paplekën, Primo Shllakun, Pano Taçin etj. Gati pesëmbëdhjetë vjet më vonë, të gjitha këto më vijnë në mendje si jehona letrare të cilat tingëllojnë pranë. Njësoj si zilkat e celularëve ku prej një kohe të gjatë të merr malli për pak zë. Me të vetmin ndryshim, sot në internetin e pamat të komunikimit me Tjetrin mund të shihesh, të shtiresh, të fjalosesh, të lajkosesh, të lexohesh, të tërbohesh nga ekrani i rrjeteve sociale. E djeshmja është një bllok shënimesh prej lëkure i kaluar dorë më dorë. E mërkura përngjan si det pa brigje. Dua të them, në vendin tonë ka pasur dhe do të ketë jetë letrare, ato janë si ata rrathët e krijuar në kujtesën e sipërfaqes së ujit, i përkasin njeriut pra, kujtimeve që bëhen brigje. Jam një personazh me fat që bëj pjesë në këtë rrëfenjë. Ndihem si ai rremtari i panjohur që përpiqet ta shtyjë pavetëdijen e vet drejt vetëdijes së përbashkët. Më kujtohet si tani kur në një nga ato net të qoshkut, me pezëm poetik dhe vështrim të kthjellët, ti konstatove papritur: “Ne jemi shkrimtarë të territ!” Pas gjithë këtyre viteve, përvojave, arritjeve, mbijetesës, si e shikon ti, Granit, terrinën ku baret Libri? A lexohet në këtë atdheun tonë të vogël prej letre?

    G. Zela: Unë jam bërë lexues, sepse kam pasur në shtëpinë time të fëmijërisë një bibliotekë që e kishte krijuar im atë që në fillim të karrierës së tij si mësues i lëndës së leximit. Pyes veten, sa familje të reja, të brezave pas nëntëdhjetës, kanë në shtëpitë e tyre një bibliotekë? Kjo është e lidhur me përgjigjen që po kërkojmë. Së dyti, mbaj mend klubin e krijuesve letrarë që në shkollën tetëvjeçare. Në shkollë të mesme librat i merrja nga biblioteka e shkollës “Shejnaze Juka”, por edhe nga biblioteka e qytetit, më pas nga biblioteka e fakultetit në Tiranë, por edhe nga Biblioteka Kombëtare. Dua të them se pyetja sa lexohet ka lidhje me atë se sa arrin shkolla ta rrënjosë zakonin e leximit dhe cili është roli i këtyre bibliotekave sot. Nuk e di se sa është rrënjosur fuqia magjepsëse e artit të fjalës së shkruar te zakonet dhe shijet e leximit në epokën digjitale. Letërsia nuk është më lëndë e veçantë, kurse testi i letërsisë për maturën 2020 më ngjan si kambanë që bie për ata që duan të dëgjojnë. Ray Bradbury ka shkruar se nuk është e nevojshme të djegësh libra për ta shkatërruar një kulturë, kjo ndodh kur njerëzit thjesht reshtin së lexuari. Për të kaluar te procesi i shkrimit, Emily Temple, kryeredaktore e një reviste letrare elektronike, ka shkruar një shkrim mbi romanin pas-pandemik. Ky shkrim është si reagim ndaj atij të Sloane Crosley-t, botuar në The New York Times me titull “Një ditë do të kujtojmë gjithçka dhe do të shkruajmë një roman”. Mua më trazon cilësimi “Libri i karantinës”. Në të vërtetë, karantina, murtaja dhe çdolloj hataje mund të kthehet në lëndë të parë për Librin, ato janë të tij dhe nuk është Libri i tyre. Kjo ishte shtysa nxitëse për ta përkthyer, si për ta zgjeruar pak debatin.

    F. Ilia: I lexova të dyja shkrimet dhe e kam ndjekur replikën në fjalë, si brenda edhe jashtë vendit. Temë aktuale. Pse e them këtë? Sepse natyra njerëzore, sidomos shkrimtari, mënyra se si ai e përthith dhe e ndjell rrahjen ritmike të situatave të tilla, nuk është kaq bardhezi, përkundrazi, është një fidanishte shumë më e ndërlikuar sesa vetë arratia e një copë ADN-je. Të paktën në një gjë jemi të bindur. Romanet e epokave të përmendura te shkrimet nuk janë shkruar katërçipërisht për Luftën e Parë, të Dytë, 9/11, apo aktualisht për COVID-19. Më gjerë se kaq, këto vepra janë munduar të eksplorojnë njeriun nëpërmjet dhe përtej situatës. Nuk jam dakord që të mos shkruhet për dhe përgjatë kësaj kohe pandemike. Dhe jam pro pjesëmarrjes në këtë sfidë. Mendoj se është një shtysë e mirë për cilindo krijues. Sidomos për të rinjtë. Por, jam plotësisht në akord me faktin që vlera e këtyre romaneve do të jetë e dukshme ose e zbehtë 20 vjet më vonë, nëse dalim ashtu si duhet nga kjo pandemi. Meqë jemi brenda temës, dua të shtoj se “Murtaja” e Kamysë dhe “Verbimi” i Saramagos janë romane të pamposhtura në llojin e vet. Sikur shkrimtari i karantinës do t’i avitej me po aq kthjelltësi ngrehinës të këtyre dy romaneve, për mua do të ishte jo sfidë, por bindje se letërsia ngelet arti i njeriut. Ti si mendon?

    G. Zela: Po, janë shembuj të shkëlqyer. Në fund të fundit, Kamy dhe Saramago shkruajnë një vepër letrare të gjendjeve të skajshme, për kërcënimin e jetës, humbjen, traumën, frikën, duke krijuar analogji me ngjarje historike të shkatërrimit në masë që ka përjetuar bota njerëzore. “Ditari i murtajës” i Daniel Defos, histori e trilluar e ngjarjeve në Londrën e vitit 1665, viti i shpërthimit të fundit të murtajës epidemike në Anglisë, la shenjë te Kamyja, murtaja imagjinare e të cilit shpërthen gjatë dekadës së trazuar të viteve 1940 në Algjerinë franceze. Nga ana tjetër, “Verbëria” zbulon  natyrën e realiteteve shoqërore, ekzistencën e egër tejet të brishtë, e cila varet nga fakte që mund të zhduken çdo çast duke hulumtuar sjelljen morale dhe politike, me një thellësi më të madhe filozofike. Matanë kësaj tronditjeje shpirtërore mbarëbotërore shkrimtarët e mirë do të vijojnë të shkruajnë mirë. Kur kjo të ketë mbaruar, fjalët “karantinë” dhe “pandemi” s’do të kenë peshën që kanë sot. Sërish, si gjithmonë, krijuesi do të përballet me COVID-in e vetes, dramat brenda tij në marrëdhënie me kujtesën individuale dhe kolektive etj. Në fund fare, pandemia nuk ndikon në cilësinë e shkrimit. Kurse për kohën e shkrimit të një vepre ajo përcaktohet nga urdhri i brendshëm krijues.

    F. Ilia: Absolutisht! Kjo më sjell në mendje William Faulkner-in dhe veprën e tij. Vdekja tragjike e George Floyd-it në turpin dhe trupin amerikan të këtyre ditëve më gjeti të zhytur në thellësinë e romanit “Dritë e gushtit”. Nuk ka një të dytë në letërsinë amerikane dhe të përbotshme që t’i ketë hyrë gjer në kockën analitike problemit të gjithmotshëm amerikan me forcën universale të një gjeniu si Faulkner. Po të reflektojmë një çast, romani është publikuar në vitin 1932 dhe ngelet kaq aktual. Ndërkohë, jam duke studiuar me laps në dorë “Duke dhënë shpirt” për t’u familjarizuar me strukturën e brendshme dhe arkitekturën fenomenale të këtij autori. Autori pretendon ta ketë shkruar romanin në gjashtë javë pa ndryshuar asnjë fjalë të vetme. E botoi në vitin 1930. Gati nëntëdhjetë vjet më vonë, të dyja këto romane të Faulkner-it vijnë në shqip (Botimet Onufri) të përkthyera nga ti, që ke bërë një përpjekje titanike. Urime dhe respekt për punën tënde! Cilat janë sfidat e përkthimit të autorëve të këtyre përmasave në shqip?

    G. Zela: Së pari, duhet të të pohoj se nuk kam menduar ndonjëherë që do ta përktheja Folknerin. Historia ime me këtë autor lidhet me vitet universitare, kur pas diskutimit të romanit “Duke dhënë shpirt” në fakultet vendosa që në të ardhmen të ndiqja studimet master dhe doktoraturë me këtë autor, pasi ndoshta do të më ndihmonte si krijues. Folkneri dhe Edgar Allan Poe ishin dy shkrimtarët që  më  lanë  përshtypje të thellë në universitet. Gjatë një kursi katërmujor studimi të gjuhës angleze në Houston, Teksas (2004), bleva të gjitha romanet e Folknerit. Pas kthimit, shkrova një studim të  shkurtër që mund të ishte thelbi i mikrotezës, por, kur shkova me punimin në dorë në fakultet, pranimet sapo kishin mbaruar dhe isha vonë. Vitin tjetër studimin e këtij autori e kishte marrë  përsipër dikush tjetër, kështu që nisa studimin e Donald Barthelm-it, autor postmodernist. Ndërkohë, pjesë të studimit dhe përkthime të ndryshme i botova në gazetën “Fjala” të Agron Tufës. Ishte Agroni që në verën e vitit 2009 më nxiti të përkthej “Dritë e gushtit”. Atë vjeshtë shkova në Teksas për herë të dytë me studime, kësaj radhe për dy muaj, dhe e pashë romanin për herë të parë me syrin e përkthyesit. M’u kujtua ajo që kisha ngulitur në mendje në fakultet: “Ah, Folkneri, i papërkthyeshëm.” Për çudi, mu në paragrafin e parë, ishte një shprehje e Linda Grouv që s’po e gjeja as në fjalor. E pyeta pedagogen time të gjuhës angleze çfarë do të thotë shprehja “It’s a fur piece” dhe ajo, pasi mendohet, më thotë: “I don’t know!” Për më tepër, disa paragrafë ishin shumë  të gjatë, me mbiemra të njëpasnjëshëm që ngjisheshin në fjali, kurse mua më binin si grushte në fytyrë… Epo, thashë me vete, kjo nuk u bëka. Pas kthimit, i shkrova një mesazh Agronit duke i thënë se ishte e pamundur ta përktheja, ndërsa ai më kthen përgjigjen spektakolare: “I dashur, Granit, asgjë nuk bëhet pa sakrificë. Tani që po të shkruaj është ora një e natës dhe jam duke përkthyer. Jam i sigurt që do ta përkthesh. Do të të ndihmoj unë për botimin.” Kështu, kuptova se nuk mund ta shmangia më dhe duhej ta bëja, më në fund, “doktoraturën” për Folknerin. Gjatë viteve të mëpasshme grumbullova vazhdimisht materiale për autorin, biografi, monografi, qindra artikuj studimorë (një pjesë i kisha gjetur në librarinë e Houston-it), përkthime në gjuhë të tjera, analiza kritike, komentarë dhe sidomos studime mbi përkthimet dhe zgjedhjet e papërshtatshme që kishin bërë përkthyesit. Përkthimin e nisa në dhjetor 2014 dhe pasi përktheva gjysmën e librit, vitin tjetër e ndërpreva për pak kohë. Në njëfarë mënyre, s’po e besoja që po e përktheja “të papërkthyeshmin”, prandaj, për të bindur veten, u mora për një muaj me ripërkthimin e “Korbit”, poemës së Edgar Allan Poe-së. Në mars 2016 i shkrova Agronit duke e lajmëruar se pothuajse e kisha mbaruar përkthimin e romanit, po merresha me kapitullin e fundit dhe tani më duhej ndihma e tij për botimin. Agroni më lidhi me botuesin e Onufrit. Dua t’i shpreh mirënjohjen time publike Agronit për nxitjen, besimin dhe angazhimin për ta parë të botuar romanin “Dritë e gushtit”. Botuesi Bujar Hudhri e çoi këtë projekt edhe më tej duke marrë të drejtat e autorit për dy romanet e tjera, “Duke dhënë shpirt” dhe “Absalom, Absalom!” dhe kjo për mua ishte befasi e vërtetë.

    Disa nga sfidat e përkthimit janë sfida me të cilat përkthyesit përballen gjithmonë gjatë përkthimit të veprave të vështira. Te Folkneri janë: fjalori, fjalëkrijimet, fjalët e përbëra, fjalët me ngjyresa kuptimore që s’e kanë një barasvlerës në gjuhën pritëse, fjalitë e shtjelluara imtësisht, paragrafët e gjatë, ndryshimi i rrëfimtarëve dhe perspektivës rrëfimore, përsiatjet me regjistra të larmishëm gjuhësorë që pasqyrojnë rrjedhat e pashqiptuara të mendimit. Ligjërimi i personazheve karakterizohet nga një gjuhë jokorrekte/ jostandarde, idioma vendase, forma të shkurtuara, struktura mohuese, ngatërrimi i njëjësit me shumësit, pra, zhargoni i së folurës që tregon shtresën sociale dhe nivelin arsimor të personazheve në qytezën e trilluar të Xhefersonit, në Jokapatofa të Misisipit. Duke marrë parasysh natyrën e përgjithshme të dukurisë së përkthimit, rezultati varet nga zgjedhjet dhe interpretimet e bëra nga përkthyesi. Kam synuar që zgjedhjet të reflektojnë origjinalin duke qenë njëkohësisht sa më të natyrshme për lexuesin shqiptar.

    Përkthyesi i parë në frëngjisht, Maurice Edgar Coindreau, përkthimet e të cilit, “Lumiere d’Aout” dhe “Taundis que j’agonise”, mund të jesh duke lexuar, e ka njohur personalisht Folknerin. Ai ka shkruar për sfidat e përkthimit në frëngjisht dhe në fund ka arritur në këtë përfundim: “William Faulkner është autor i vështirë dhe rrjedhimisht, nga ata autorë që u jep atyre që e përkthejnë më të madhen kënaqësi, sepse një fitore mund të jetë plotësisht përmbushëse vetëm nëse kundërshtari të bën një sfidë të vërtetë.” Kur themi “fitore”, nënkuptojmë domethënien kulturore që ka përkthimi i veprave të tilla në letërsinë e një vendi. Borgesi e përktheu në vitin 1940 “Palmat e egra” (Las palmeras salvajes) dhe Folkneri, me këtë përkthim dhe të mëpasshmit, u kthye në një nga autorët më me ndikim në botën letrare hispanike. Është përpjekja për të dhënë plotninë e origjinalit arsyeja pse në vitin 2003 kishim në gjuhën angleze versionin e trembëdhjetë të përkthimit të romanit të vëllimshëm, mbi një mijë faqe, “Don Kishoti”. Po kështu, duke theksuar rolin ndikues në letërsinë e vendit ku kryeveprat përkthehen, The Guardian doli në vitin 2017 me editorialin “Pikëpamja e The Guardian mbi përkthimin: akt interpretues dhe krijues”, duke përshëndetur përkthimin e “Odiseja” të Homerit nga Emily Wilson, profesoreshë e letërsisë klasike në Universitetin e Pensilvanisë, pas gjashtëdhjetë përkthimeve të mëparshme. “Përkthimi, – shkruan The Guardian, – është gjithmonë një akt interpretimi: akt krijimi që, në të njëjtën kohë, në mënyrë paradoksale, kërkon besnikëri të palëkundur ndaj tekstit origjinal. Ne duhet t’i përkrahim përkthyesit tanë për këto akte të ndrojtura krijimi, këto tradhti besnike. (Të përkthesh do të thotë të tradhtosh, siç është thënia në italisht, traduttore traditore.) Përkthyesit janë udhërrëfyesit tanë në kohëra dhe territore të tjera. Ata na nxisin të lëmë brigjet tona letrare dhe të marrim parasysh mënyra të tjera të jetuari, mënyra të tjera të menduari, mënyra të tjera të shprehjes dhe formave artistike. Letërsia e një vendi, e një gjuhe, mund të riformësohet nga përballja me tekste të vendeve të tjera”. Po ti, Flurans, ke shkruar gjatë kësaj kohe? Ka ndikuar kjo kohë te koha jote e shkrimit?

    F. Ilia: Sigurisht, Granit, po më grish kjo bisedë për disa të vërteta që mbart në vetvete. Fillimisht duhet thënë se në situata të tilla nuk është situata që i prodhon në thelb librat. Për më tepër, romanin si mëvetësi. Por është i gjithë bagazhi që ke tërhequr zvarrë gjer këtu. Si të thuash, është ajo që ti JE në përballje me trazirën e përbotshme. Situata në fjalë provokon instinktin. Midis dy alternativave, “vetëvrasjes kolektive” dhe “SHËRBESËS së një libri”, në kohë të tillë unë personalisht do të zgjidhja LIBRIN. Nuk ka pikë rëndësie nëse është apo jo libër karantine. Libër antiracial. Apo fantastik. Më e rëndësishmja është që është shkruar në vendin dhe çastin e duhur dhe të ka shërbyer si varkë shpëtimi. Këtë nuk ke se si ta harrosh, qoftë si njeri, por edhe si shkrimtar. Duke folur për veten, e kam mbajtur kokën ulur mbi shkrime gjithë këto ditë dhe i kam anashkaluar qëllimisht indekset e shifrave dekurajuese. Jam i vetëdijshëm, megjithëse libri nuk ka të bëjë në thelb me pandeminë, se nëpërmjet tij do ia dal mbanë të mposht tjetrin brenda vetes, qoftë ky një copë ADN-je e arratisur nga ndonjë epruvetë apo thjesht një virus natyror. Më duhet ta pohoj se, po të mos ishte kjo situatë absurde, asnjëherë nuk do të isha kaq i motivuar shpirtërisht dhe mendërisht për të shkruar. Dhe me motiv nënkuptoj të dalën matanë territ. Natyrisht, jo të gjithë e perceptojnë situatën njësoj. Gjithsecili përzgjedh format e veta. Nuk jam dakord me “romanin pandemik” si etiketë, e theksoj, ku si temë të jetë vetëm COVID-19. Këtë nuk ma lejon pozicioni si lexues dhe si njohës i mirë i romanit. Por jam absolutisht i hapur me çdolloj forme tjetër, shkruar, rishkruar, përmbledhur, reduktuar, ripunuar, përgjatë karantinës. Shembulli i William Faulkner-it tregon se një roman i mirë mund të shkruhet edhe në gjashtë javë pa ndryshuar asnjë fjalë. Konstatimi është i njëjtë me shembujt e Kamysë dhe Saramagosit që solla më sipër, pra duhet të jesh William Faulkner për “çudira” të tilla. Kam përshtypjen se tregimi, kjo specie ende e gjallë në zhdukje e sipër, është “vaksina” që i kundërvihet çdolloj retorike dhe debati pandemik. Përse e them këtë? Sepse tregimi nga natyra e vet kompakte është si një kundërtrup mjaft efikas për të reaguar ndaj së keqes aty për aty. Shiko tregimet e Kafkës dhe Buxatit, janë melhemi i duhur për të mos u nënshtruar kundrejt çdo rrethimi vicioz sot e mot. Pra, sapo kam përfunduar një përmbledhje me tregime. E gjej dhe shoh veten pranë tregimit këto kohë izolimi nga njëri-tjetri.

    G. Zela: Më pëlqen ky imazhi i varkës së shpëtimit dhe bagazhit të hequr zvarrë. Sot, për çudi, m’u shfaq sakaq në sytë e mendjes dita e kthimit në vendlindjen time, një fshat në breg të Drinit të Zi, pas ndoshta pesëmbëdhjetë vjetësh. Katundi m’u duk i braktisur, vetja m’u duk i huaj, ata njerëz, fytyra e jehona zërash që e kishin mbushur fëmijërinë, nuk ishin aty, kurse lumi rridhte si gjithmonë, ndërsa unë isha kthyer për t’u larë sërish në të njëjtin lumë, dhe ndoshta m’u kujtua sot se ndjeva një shtysë për të shkruar. Ndoshta kjo është letërsia, një përpjekje për t’u rikthyer te lumi i kujtimeve, përvojave, ndjesive, për t’i rikrijuar, për t’i rijetësuar ose për t’i imagjinuar. Orhan Pamuk thotë diku se ankthi i tij ishte shkrirja e të gjitha kujtimeve në formën e një libri. A ndodh kështu me ty?

    F. Ilia: Fëmijëria ngelet bastioni i fundit që bie te njeriu. Nuk është shpresa. Është fëmijëria. Kur kthehemi te fëmijëritë tona, realizojmë në ndërgjegje kapërcimin e kohës. Themi: sa shpejt ikën koha! Sa paskan ndryshuar gjërat? Dëshmojmë maturinë e një brezi në raport me prindërit dhe fëmijët tanë. Njerëz që nuk jetojnë më. Detaje, objekte, subjekte, histori, vende, peizazhe të vdekura që papritur rivijnë vrullshëm me një gjallëri të habitshme, duke e tjetërsuar lumin e fëmijërisë sa përmasa shekullore e një çasti. Shiko se çfarë më ndodhi para pak kohe. Jam një njeri që në realitet nuk shoh ëndrra. E kam trurin si plloçë buzë lumit, shoh ëndrra një herë në pesë vjet ndoshta. Ama kur i shoh, i shoh me “thagmë” apo “llaftarë” do të thoshte Lasgushi. Në dhjetë maj të këtij viti shoh në ëndërr si me qenë i ulur në parmakët e Urës së Goricës në Berat. Nën këmbët e zbathura më rridhte Osumi. Mbaja në dorë një vazo nga ato të krematoriumeve brenda së cilës gjendej hiri im. E futa dorën në të dhe me grushte fillova ta hedh hirin tim në lumë. Me atë kureshtjen fëminore fillova të pyes veten “Si ka mundësi që jam edhe i vdekur edhe i gjallë?”, ndërkohë që grimcat e hirit pa prekur ende sipërfaqen e ujit shndërroheshin në germa. U zhvesha (si dikur) dhe u hodha nga ura në lumin e fëmijërisë sime për t’i mbledhur ato germa. Nga kontakti me ujin më doli gjumi. Syhapur po i thosha vetes: “A është i mundur ky imazh? Të mbledhësh hirin apo fjalët në një lumë? Qoftë ky lumi i fëmijërisë apo lumenj të tjerë që ke ndeshur në jetë?” Tingëllon si absurde, por kënaqësia ishte e papërshkrueshme, sinqerisht. Ndoshta këta jemi ne, fëmijë të rritur që kridhen lakuriq në lumin e fëmijërisë?

    Dy vepra të Faulkner përkthyer nga Granit Zela

    G. Zela: Krijuesi jeton me atë që ndodh në atdheun e lindjes. Lexoj herë pas here reagime tuat për çfarë ndodh në Shqipëri. Një herë ke shkruar: Ju nuk e kuptoni, Shqipëria ka adrenalinë. Çfarë doje të thoshe me këtë ? Ke ndryshuar mendim? Do të shtoje ndonjë gjë tjetër përveç adrenalinës?

    F. Ilia: Po e kam thënë, nuk kam ndryshuar mendim. Vendi ynë ka një adrenalinë dhe dinamikë të përsosur, si rrjedha e lumenjve të tij. Duhet pasur kujdes kur shprehesh në këtë formë, sepse lumenjtë kanë një pjerrtësi të konsiderueshme te ne dhe keqkuptimet janë të shumta. Reagohet në mënyrë sipërfaqësore, reagohet me thikë në kockë, reagohet me inferioritet dhe xhelozi, me luftë dhe polemikë të ngjyer me ngjyrat e grushteve të politikës, smirës, sjellje dhe etiketime këto për të cilat, me thënë të drejtën, nuk e kam çarë lëvozhgën e arrës për të nxjerrë prej aty ndonjë thelb, jo. Por ama, nga ana tjetër, unë notin e kam mësuar në lumë, miku im. Shqipëria kjo është, aty do të jetë edhe qindra shekuj pas këtyre fjalëve, edhe pas nesh. Me adrenalinën e një nervi rinor të përjetshëm. Me njerëz gjaknxehtë dhe të vrullshëm si të gjithë ballkanasit, aventurierë, prototipa dhe personazhe si ata të realizmit magjik latino-amerikan, kalamaj çapkënë të kapur ndër detaje, histori të trishta dhe përpjekje për t’u ringritur. Ku gjen vend tjetër në Ballkan me tri fe të harmonizuara nën një gjuhë të përbashkët? Unë jetoj më tepër se çerek shekulli jashtë vendit tim. Në një vend idilik për nga pastërtia, gjelbërimi, respekti për ligjin dhe të drejtat e njeriut, sjellja, pjekuria, marrëdhëniet ndërnjerëzore, raportet me shtetin dhe pasurinë private, e të tjera veti si këto që duhet të karakterizojnë një vend demokratik. Por të gjitha këto janë të shtresuara si një liqen i ngrirë i mbuluar nga akulli ku nuk ndodh asgjë në kuptimin e nervit lëvizës shqiptar. Shqipëria është thesar me personazhe dhe subjekte lëvizëse si rrymat e rrezikshme dhe vitale nën akull. Aty jetohet më shpejt dhe më vrullshëm, më rrezikshëm dhe pa asnjë lloj sigurie, çka përbën thelbin natyror të vet lëvizjes, dhe kjo është adrenalina për të cilën po rrëfehem. Shqipëria ka për të jetuar gjatë në saje të kësaj energjie të pashtershme.    

    G. Zela: Faleminderit, Flurans, për bashkëbisedimin!

    F. Ilia: Të lutem, Granit, kënaqësia është e përbashkët!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË