More
    KreuLetërsiBibliotekë"Gjuetia e djajve", tregim nga Xheni Shehaj

    “Gjuetia e djajve”, tregim nga Xheni Shehaj

    E mërkurë. Në fshat ishte ditë pazari. Dy pijetoret e vetme ishin mbushur cip më cip që pa gdhirë. Fshatarët që kishin zbritur për të shitur e blerë, fillimisht ishin ndalur për një gotë. Të gjitha burra. Gratë e vajzat dilnin më vonë. Andej nga mesi i ditës, kohë kur pazari mizëronte nga njerëzit, dialektet, ngjyrat, ecejaket, nga mushkat e kuajt, u duk në hyrje të rrugës tellalli i fshatit, Mehmeti. Pa shumë temenara Mehmeti kroi zërin e pastaj nisi të ecë duke trumbetuar e thirrur. Zhurma u ndal dhe njerëzia mbajti vesh.

    Nga pazari lajmi u përhap si rrufe në fshatrat përreth e edhe më tej. Fjala ishte për një kuvend grash. Njerëzia kishte dëgjuar për kuvend e kuvendim burrash por për gra jo. Pyetjet se çfarë ishte, çfarë bënin, a shkonin me burra, etj ishin kryefjala e atyre ditëve. Nuk vonoi shumë që tellalli i fshatit nën kodrinë të njoftonte sërish:

    – O njerëz, dëgjoni e merrni vesh!

    Lart, në kodrinë është hapur një kuvend vetëm për gra. Aty mbyllen gratë, të mëdha e të vogla, jetojnë bashkë, hanë e pinë bashkë, punojnë bashkë.

    O vëllezër!

    Ju kanë shnderuar motrën, futeni në kuvend!

    Nuk pranon të martohet, mbylleni aty!

    Êshtë ndarë nga burri, në kuvend!

    Ka xhinde, në kuvend!

    E keni gruan shterpë, në kuvend!

    Vetëm atje, në atë shtëpi të madhe, vajzat e gratë do jenë rehat e nuk do të jenë më barrë për familjen.

    Dhe turma nuk vonoi të mbushte kuvendin me motrat, gratë, kushërirat, mbesat e vajzat. Herë duke nxjerrë “arsye” reale si shterpësia, apo shnderimi, e herë duke i sajuar ato fshatarët ia dolën ta mbushnin kuvendin cip më cip me vajza e gra. Ditët e para vendi ngjasonte me një thertore pa kasap. Të trembura, të mbyllura brenda rrethimit të asaj ndërtese të quajtur kuvend, vajzat e gratë silleshin me ngathtësi e frikë mes tyre edhe pse një pjesë njiheshin e vinin nga i njëjti fshat. Pas ditës së katërt, mes angushtisë e heshtjes, një grua zeshkane, rreth të 30-ve u ngrit e mori përsipër të organizonte ndarjen e punëve. Kështu nisi bashkëjetesa e atyre vajzave e grave, të dënuara nga familjet e tyre, të flakura jashtë shtëpive. Fshati nisi ti quante kallogre, e vite më vonë fjala kallogre u zëvendësua nga fjala murgeshë.

    Alkana iu bashkua Kuvendit që në fillim. Aso kohe ende si kish bërë të 15 vjetët. Shkak i mbylljes së saj në Kuvend ishin xhindet që vajza kishte. Të paktën kështu përflitej. E pushtuar nga djajtë, Alkana nuk flinte, nuk fliste, vetëm rrinte në vetminë e saj. Kushedi ç’mendime lëvrinin në atë mendje fëminore. E pazonja të shprehej me njerëzit, vajza fliste me veten. Sipas të tjerëve, fliste me demonët. Dhe ashtu si simotrat e saj, Alkana u mbyll në Kuvend. Me natyrën e saj, bisedat me veten a demonët, graria e Kuvendit u mësua shumë shpejt. Nofkës “e çmendura” të shqiptuar nga një vajzuke e shnderuar që 12 vjeç, vetë Alkana dhe të tjerat iu përgjigjën me buzëqeshje e kjo kaloi si miratim. Alkana, mes shoqeve do të quhej e çmendura.

    Shumë vite shkuan. Kuvendi qëndroi i paepur përballë stuhive, tërmeteve e përçapjeve njerëzore për ta zhbërë. Vajzat u rritën e gratë u plakën. Kohët ndërruan, Kuvendi qëndronte. Më shumë vdisnin, më pak shtoheshin. Gjatë vitit të shtrëngatave të mëdha në Kuvend u shfaq një burrë. I bukur si diell, ai trokiti në portën e madhe të Kuvendit një pasdite nëntori. U paraqit si shkrimtar e se kishte ardhur për të qëndruar disa javë në Kuvend. Ai do të studionte e shihte nga afër jetesën e grave në atë qoshe të izoluar nga bota. Pas një mbledhje disa orëshe, gratë vendosën ta pranonin të paftuarin, duke marrë kështu parasysh përgojimet e thashethemet që do përhapeshin. Kështu ndodhi që shkrimtari u fut në Kuvendin e grave e nisi një bashkëjetesë me to.

    Ardhja e shkrimtarit tërhoqi vëmendjen e të gjitha grave brenda dhe jashtë Kuvendit por në veçanti atë të Alkanës. Ajo sikur rilindi. Erdh e u bë më e bukur, i ndali bisedat vet me vete, dhe filloi të ndiqte prej së largu lëvizjet e shkrimtarit nëpër Kuvend. Nuk kaloi shumë dhe gratë e tjera vunë re reagimet e saj karshi të huajit. Të dënuara, të mbyllura e me mungesë të theksuar afeksioni, gratë e mirëkuptuan Alkanën dhe në heshtje e njëzëri, e lanë të shkonte deri ku të donte ajo.

    Shkrimtari, duke interpretuar reagimet e lëvizjet e vajzës, i kuptoi drejt ato dhe pa vonuar u hodh në veprim. Alkana nga ana tjetër, ndjeu përgjigjen e djalit dhe aq u desh që ajo të përhumbej në dallgët e dashurisë…

    Dashuria e Alkanës zgjati sa qëndrimi i shkrimtarit në Kuvend. Ai u largua në një ditë me shi, me premtimin se do kthehej përgjithmonë për të jetuar me Alkanën. Ajo e ruajti premtimin e tij bashkë me filizin që kish nisur të merrte jetë.

    Shkrimtari u largua për të mos u kthyer më. Alkana nuk e dinte që jeta e saj do të ndryshonte katërcipërisht. Kur mësoi se ishte shtatzanë, ajo qau. Shoqet u mblodhën dhe secila dha mendimin e saj. Shumica i thanë ta dështonte. Do të gjendeshin mjete e mënyra për ta bërë. Alkana vendosi ta mbante. Për këtë i nevojitej ndihma e shoqeve dhe ato nuk ngurruan t’ia jepnin. Kaluan muajt, Alkana lindi Dirinin, por shkrimtari ende s’po dukej.

    Të porsalindurin e mbanin të fshehur. Nëse fshati do të merrte vesh lindjen e tij kushedi se ç’ndodhte. Në fund të fund ato ishin kallogre, gra pa burra, pa fëmijë e shtëpi.

    Por prania e Dirinit nuk mund të mbahej e fshehtë përjetësisht. Kur djali bëri 5 vjeç, Kuvendi u trondit nga një ngjarje e paparashikuar. Fshatarët të zemëruar keqazi me praninë e një fëmije 5-vjeçar në Kuvendin e Grave (dikush kishte parë Dirinin të luante në oborrin e Kuvendit dhe lajmi kishte marrë dhenë) të fyer për “pabesinë” që gratë u kishin bërë u mblodhën para portës së hekurt dhe thërrisnin në kor: “Vriteni kopilin!”

    Më e moshuara e grave u shtrëngua të dilte pranë portës për të folur me fshatarët e zemëruar. Ata thërrisnin në kor, ulërinin me sytë ndezur nga kushedi ç’urrejtje e mëri, e në çdo thirrje lëshonin stërkala pështyme. Ata kërkonin vdekjen e një fëmije 5 – vjeçar, vdekjen e nënës së tij, mbylljen e bordellos (Kuvendit) dhe largimin e grave të tjera.

    Gruaja e moshuar, e gjendur përballë turmës një çast e humbi toruan, por në fund ia doli të mblidhte veten. Shtrëngoi me dy duart hekurat e portës dhe ulëriti me sa zë kishte:

    – Dëgjomëni o njerëz!

    Turma u trand nga forca e atij zëri që doli nga qenia e një njeriu të moshuar e për më tepër grua. Disa mërmërima pakënaqësie vijuan për ca çaste derisa u mbytën nga zëri i gruas.

    – Kanë kaluar vite që kur jam mbyllur këtu brenda nga babai im. Kuvendin nuk e hapëm ne. Nuk e kërkuam ne. Nuk u futëm me dëshirë këtu. Më kujtohet im atë, atë ditë kur u kthye nga pazari. Në sy kishte një dritë që nuk ja kisha parë kurrë. Pa mi hedhur sytë, u fut në dhomë e diç bisedoi me nënën. Pas pak nëna doli prej andej me një bohçe me rroba të miat. Im atë, nuk më kishte folur që kur më ndau burri. Atë ditë pa më parë në sy më tha ta ndiqja pas. As nuk e dija ku do të shkonim, pse kisha rrobat e mbledhura në një bohçe, nuk dija asgjë. E megjithatë e ndoqa pas.

    Më la tek oborri i Kuvendit dhe fjalët e tij të fundit ishin: “Kjo do të jetë tani e tutje shtëpia jote. Na harro!”

    Po ju them që ne nuk zgjodhëm të largoheshim nga shtëpia. Ju na larguat. Ishim barrë e rëndë për ju? Mesa duket ishim. Na larguat. Mirë bëtë. Asnjëra nga ne nuk u ankua, nuk u kthye pas. Jetuam së bashku, punuam së bashku, qamë e qeshëm së bashku. Çdo hall e mërzi me njëra – tjetrën e ndamë. Tani ju nuk keni asnjë të drejtë, as edhe një të drejtë të vini këtu, të na shani, të kërkoni vdekjen e një fëmije, të na bëni si të ndershëm e të drejtë. Për moralin tonë përgjigjemi vetë. E tani zhdukuni nga dera dhe mos guxoni të ngjiteni më kurrë këtu.

    Kaq tha gruaja, dhe i ktheu shpinën turmës duke e lënë këtë të fundit të pagojë. Burrat që tundnin hekurat e portës hoqën duart prej andej, gratë që çirreshin e shanin ishin të parat që morën rrugën e kthimit. Pas tyre filluan të çapiteshin burrat kush me duart në xhepa, kush me cigare në buzë. Turma që zbriste nga Kuvendi i ngjasonte një kortezhi mortor.

    Kështu ndodhi që Dirini, Alkana dhe gratë e Kuvendit nuk u bezdisën më nga fshatarët. Por nuk kzloi shumë dhe mes fshatarëve mori jetë një mendim që askujt nuk i kishte shkuar më parë në mendje. Fjalimi i gruas së moshuar u pa nga të tjerët si diçka hyjnore. Edhe pse ajo tha gjëra të vërteta dhe s’kishte në to kurrfarë fryme hyjnore. Por fshatarët, veçanërisht ata të gjinisë mashkullore nuk ishin mësuar që një grua t’u përplaste të vërtetat në sy. Ndaj dhe i dhanë ngjyrimin e diçkaje që i tejkalonte mendjet e tyre.

    Lindi kështu një besim i verbër, një vend “i shenjtë” ku gjithkush mund të gjente zgjidhje. Gratë e Kuvendit kur kuptuan se fshati i kishte kthyer në shenjtore, u mblodhën e biseduan dhe nuk vonuan ta përdornin këtë gjë në favorin e tyre. Kuvendi gëlonte gjashtë ditë të javës nga njerëz që vinin për të folur, për të marrë bekime, për të yshtur djallin. Në këmbim ata sillnin mushka e kuaj të ngarkuar me ushqime, veshmbathje, orendi. Filloi kështu një bashkëjetesë mes dy palëve e cila ecte më së miri. Gratë e Kuvendit kishin vendosur të hakmerreshin për mbylljen e tyre ndaj fshatit e fshatarëve duke i rrjepur për së gjalli.

    A ishte i ndershëm dhe i drejtë vendimi i tyre?

    Ishte po aq i ndershëm dhe i drejtë sa vendimi i familjeve për t’i mbyllur vajzat e tyre, për t’i mohuar të drejtën e një jetese të lirë, e krijimit të një familjeje.

    Alkana dhe Dirini ishin të vetmit që u ndanë nga grigja. Pas ndodhisë me turmën e egërsuar, Alkana jetoi edhe disa vite në Kuvend sa djali u rrit disi. Ajo i rrëfeu historinë e saj e më pas historinë e tij. Dhe të dy vendosën të largoheshin nga Kuvendi. Vendosën të kërkonin shkrimtarin, atin e Dirinit. Edhe nëse nuk do e gjenin e kishin ndarë mendjen të jetonin jashtë Kuvendit.

    Alkana ishte e etur për një jetë të lirë, të njëjtën jetesë të lirë dëshironte dhe për të birin.

    Largimi i tyre nga Kuvendi u shoqërua me thirrje e britma çnjerëzore si nga fshatarët edhe nga gratë e Kuvendit. Njëra nga gratë kishte tretur në një tas të shtrembër sheqer dhe duke u hequr se kishte ujë të bekuar përndiqte nënë e bir gjoja sikur po largonte djallin. Ky gjest bëri që gjithë turma ri shkonte pas duke britur.

    Gruaja e moshuar ishte e vetmja që nuk ishte bashkuar me të tjerët. Qëndronte e heshtur në një nga dritaret duke ndjekur me sy vargun e djajve që përndiqnin dy qingja. Me lotët që i la të rridhnin u betua që do t’ua merrte shpirtin fshatarëve e grave të Kuvendit. Tashmë do të hakmerrej edhe për Alkanën e Dirinin. Le ti shkonte shpirti në ferr, ajo do ta shkretonte fshatin.

    Dhe sapo nënë e bir humbën nga shikimi i saj, ajo zbriti në oborrin e Kuvendit dhe priti lukuninë djajve të ktheheshin. Të kënaqur që kishin dëbuar dy të mallkuarit, turma mbushi oborrin. Fytyrat e skuqura, të djersitura, të eksituara, qeshnin e llomotisnin gjithfarë broçkullash. Derisa ushtoi zëri i gruas që i bëri të heshtnin.

    Pasi i përgëzoi për përndjekjen, gruaja u rrotullua tri herë, u ndal e më pas nisi të nxirrte shkumë nga goja. Në një gjendje llahtari, ajo iu drejtua turmës duke thënë se djalli është ende mes tyre. Kaq u desh që fshatarët të kurdiseshin, të shtynin njëri – tjetrin, të shanin e gjuheshin. U krijua një zallamahi e cila u kthye në qetësi po aq shpejt sa dhe filloi. Gruaja drejtoi trupin, u mbush me frymë dhe ngriti gishtin duke treguar dikë mes turmës. Njerëzisë nuk ju desh shumë për të kuptuar se personi i shenjuar bartte djallin brenda vetes. Ju vërsulën si ujqër të uritur.

    Teksa shihte turmën e pamend që ndiqte fatkeqin, gruaja nënqeshi dhe pa u shqetësuar u fut brenda. Kish vendosur t’i zhdukte njëri pas tjetrit të gjithë ata zvarranikë të etur për gjak. Ajo që ndodhi e bëri të kuptonte që asaj i mjaftonte të drejtonte gishtin dhe ligësia që ishte brenda secilit do ta kthente të shenjuarin në viktimë.

    Kishte filluar kështu gjuetia e djajve…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË