More
    KreuLetërsiShënime mbi libraGjovalin Shkurtaj: Teksti universitar rron gjatë vetëm kur ribotimet e tij bëhen...

    Gjovalin Shkurtaj: Teksti universitar rron gjatë vetëm kur ribotimet e tij bëhen më përkushtim e kompetencë shkencore

    (Vlerësime për tekstin e akademik Jani Thomait: Leksikologjia e gjuhës shqipe (Shtëpia Botuese “Qendra Traditë-Art-Libra (QTAL), Tiranë, 2020)

    Përpunimi dhe plotësimet e përditësimet e vazhdueshme e mbrojnë tekstin nga vjetrimi dhe e bëjnë atë të rrojë shumë gjatë. Teksti Leksikologjia e gjuhës shqipe (qysh nga viti 1961) ka qenë dhe vijon të jetë libri-bazë për formimin shkencor të studentëve të degës gjuhë-letërsi shqipe në të gjitha universitetet dhe institutet e larta pedagogjike. Përpunimi, rishtjellimet dhe plotësimet e shembullzimet e reja në ribotimin e vitit 2020 e bëjnë atë një tekst monografik nga më të plotët në fushën e gjuhësisë shqiptare. Ai do të mbetet edhe më tej si teksti bazë dhe si model i përkushtimit e i kujdesit të autorit për ta vënë mësimdhënien në mbështetje të sigurtë të hulumtimeve të reja shkencore.

    “Mori bilë, bilë e Lalës,

    mori e bukur, mori e zymët,

    Pse më shpie në monë e shkuom?”

    (G.Dara  i Riu, Kënka e sprasme e Balës)

    E fillova me këto vargje këtë shkrim vlerësues për librin Leksikologjia e gjuhës shqipe (2020) të akademikut Jani Thomai, sepse ribotimi i këtij libri, mbas plot 60 vjetve, mua dhe atyre që kemi qenë studentë të degës së gjuhës e të letërsisë shqipe në vitet 1962-1966, na kujton botimin e parë të tij, të vitit 1961, na kujton kohën kur ishim studentë në vitin e parë të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë  dhe teksti në formë dispense të shaptilografuar nga Shtëpia Botuese e Universitetit ishte nga tekstet e para origjinale në gjuhën shqipe.Atëherë librat e tekstet, qoftë edhe të shtypura me shaptilograf, ishin të pakët; shumë nga lëndët e formimit shkencor e profesional i jepnim provim mbi bazën e leksioneve të folura nga pedagogët, që i shkruanim me shkurtime në fletore, sepse Universiteti i Tiranës ishte ende i ri  (themeluar në vitin 1957). Mbaj mend se teksti  Leksikologjia e gjuhës shqipe (1961) në formë dispense ishte nga të paktët libra që patëm mundësi ta kishim në kohën e  duhur dhe prof. Jani (atëherë djalë i ri, i pashëm e i veshur me sqimë) ishte nga ata që jo vetëm shpjegonte qartë e rrjedhshëm, po edhe,  në  leksionet e folura,  përtej atyre që kishte  shkruar në dispensën e sapobotuar, shtonte, saktësonte, shembullzonte në çdo temë a nëntemë dhe, sigurisht, kemi përfituar mjaft edhe nga shembulli  e modeli i tij si ligjërues universitar, serioz dhe i saktë, i përgatitur mirë, i gatshëm për shpjegime e përgjigje të lidhura me lëndën, po edhe kërkues e me zotësinë që të na hapte edhe horizonte për punë të mëvetësishme e duke na ngjallur edhe dëshirën që të mblidhnim fjalë të rralla të shqipes, të lakmonim të ndërmerrnim detyra kursi e tema nga fusha e leksikologjisë apo e dialektologjisë, sikundër kishte bërë edhe vetë ai, duke u diplomuar me një temë studimore për të folmen e vendlindjes së tij, Semanit (rrethi i Fierit), që vlerësohet si  një nga monografitë e para, por edhe më të plota e të mira të dialektologjisë shqiptare.

    Lënda e Leksikologjisë, në ato vite (tashmë të largëta) sipas Planit mësimor e programeve të lëndëve (që tashti po u thonë kurrikulasilaba) bëhej një semestër dhe jepej provim  si lëndë e përbashkët me Fonetikën e gjuhës shqipe.Të dyja ishin lëndë të vështira për studentët  që vinin nga shkollat e mesme  e me atë nivel që vetëkuptohet, porse në rastin tim, që kisha kryer shkollën  e mesme pedagogjike në Shkodër, kisha një farë njohurie sadokudo më të mirë, sepse kisha pasur mësues të gjuhës shqipe disa nga emrat e mirënjohur si Shefik Osmani,Tomor Osmani, Luigj Franja, Safet Hoxha, Fadil Podgorica, Neki Lezha  etj., të cilët, sikundër dihet, kur do të hapej Instituti i Lartë Pedagogjik (sot Universiteti) i Shkodrës, ata  krahas prof. Kolë Kamësit, prof. Kolë Ashtës, prof. dr. Jup Kastratit etj.do të ishin ndër pedagogët  titullarë të lëndëve kryesore të programit të shkollës së lartë.

    Viti i parë i studimeve në universitet  gjithmonë është i vështirë, por në atë kohë, pikërisht për mungesën e teksteve origjinale e të shkruara në gjuhën shqipe ishte  shumë i vështirë. Për disa lëndë kishte vetëm dispensa të përkthyera nga gjuha ruse si Hyrje në gjuhësi, që e ligjëronte doc.Mynyr Reso, por teksti me të cilin studionim ishte i Reformackit, një gjuhëtar rus. Të përkthyera ose të kompiluara (termi që përdorej në ato vite) ishin edhe dispensat e lëtërsisë së huaj, të cilat, megjithatë, kishin dituri të mira dhe sidoqoftë, me ato dhe leksionet e folura e seminaret e literaturën ekzistuese, u formua një brez që nuk do të shkonte pa lënë gjurmë. Po lejohem të përmend se kemi qenë në vitin e parë dhe kemi ndjekur lëndën e Leksikologjisë një grup i vogël studentësh e prej tyre disa do të bëheshin gjuhëtarë të njohur si prof.dr.Ethem Likaj, prof.dr.Hëna Pasho, që ka punuar për shumë vjet si hartuese fjalorësh terminologjikë në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, prof.dr.Ali Xhiku, studiues i letërsisë shqipe dhe arbëreshe, prof. dr. Agron Duro edhe ai terminolog  i njohur  etj.

     Teksti Leksikologjia e gjuhës shqipe (1961) i Jani Stefit (më vonë do ta ndërronte mbiemrin në Thomai) ka qenë nga tekstet më të para origjinale për lëndë të formimit gjuhësor. E kam ruajtur atë tekst, sikundër kam mbajtur në raftet e bibliotekës sime edhe dispensat e disa lëndëve të tjera të asaj kohe, prej të cilave, për nivelin e lartë dhe argumentimet e shembullzimet e përshtatshme e të vlefshme dalloheshin “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe-Fonetika historike e shqipes” nga prof. Eqem Çabej, “Morfologji e gjuhës së sotme shqipe” nga prof. Shaban Demiraj; “Fonetika e gjuhës shqipe” nga Anastas Dodi dhe “Dialektologjia shqiptare” nga Jorgji Gjinari. Teksti i parë i Leksikologjisë (dispensë, 1961) u botua për herë të parë si libër (me shtyp të lartë) nga Enti i teksteve dhe i mjeteve mësimore të Krahinës Autonome të Kosovës, Prishtinë, në Ndërmarrjen grafike “Sllobodan Joviq”, Beograd, me 1970, 120 faqe, nën kujdesin e Ahmet Kelmendit.

    Dhe, për ta mbyllur këtë hyrje që na shpie këtu e 60 vjet më parë, duhet të themi se prof.dr.Jani Thomait, përtej vlerësimeve  meritore si leksikologu më prodhimtar i kohës sonë,   autor monografish të gjera për probleme të derivacionit semantik e të leksikut dialektor e krahinor të shqipes, kryeradaktor dhe autor fjalorësh madhorë të gjuhës shqipe (Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipeFjalor sinonimik i gjuhës shqipe), drejtues projektesh madhore në fushën e leksikografisë shqiptare,  i takon merita  se ia doli me sukses të na jepte shpejt e mirë të parin tekst mësimor për leksikologjinë shqiptare. Me atë tekst (natyrisht edhe të ribotuar disa herë për nevojat e studentëve të profilit filologjik e gjithmonë edhe duke e përmirësuar, duke i bërë plotësime, shembullzime tëhollime me shumë rëndësi për formimin shkencor të studentëve e leksikologëve të rinj), akademiku Jani Thomai ka kontribuar ndjeshëm në formimin e brezave të tërë të studentëve e pasuniversitarëve të fushës së filologjisë e të gjuhësisë shqiptare në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në të gjitha fakultetet e degët ku teksti Leksikologjia e gjuhës shqipe (qysh nga viti 1961) ka qenë dhe vijon të jetë libri-bazë për formimin shkencor të studentëve.Teksti krijon e jep thuajse të plotë sistemin konceptor të fushave të leksikut, të semantikës leksikore, të fjalëformimit, të frazeologjisë e të leksikografisë,duke qenë  si udhërrëfyes e mbështetje teorike për analizat, interpretimet e përgjithësimet e të dhënave konkrete të shqipes. Pjesa kryesore e këtij sistemi konceptor jepet si shtojcë në fund të tekstit.Theksojmë se ky libër është jo vetëm teksti i parë mësimor i lëndës së leksikologjisë shqipe, po është njëherazi edhe histori e zhvillimit të fushave të leksikologjisë e të leksikografisë shqipe që nga fillimi, duke e sjellë atë deri më 2020.

     Me librin Leksikologjia e gjuhës shqipe janë formuar dhe kanë marrë dijet e para për leksikologjinë e leksikografinë shqiptare breza të tërë studentësh, pasuniversitarësh prej të cilëve do të dilnin edhe figura të dalluara të profesoratit në universitetin e Tiranës e të rretheve, si prof.dr.Ali Jashari, hartues i disa fjalorëve dhe monografive të gjera për leksikologjinë shqipe, prof.dr.Valter Memishaj, bashkautor në Fjalorin e gjuhës shqipe (2006, 2020) dhe autor i disa monografive  nga fusha e leksikologjisë, kurse aktualisht “krahu i djathtë” i akad. Jani Thomait në Projektin madhor të hartimit të Fjalorit të Madh  të Gjuhës Shqipe, të mbështetur nga Akademia e Shkencave. Në pamundësi për t’i përmendur të gjithë, mjafton të themi se  pjesa dërmuese e atyre që kanë hartuar fjalorë të gjuhës shqipe  gjatë këtyre gjashtëdhjetë viteve të fundit kemi qenë ish-studentë ose ish-doktorantë të  Jani Thomait dhe, për arsye të kompetencës, përkushtmit e seriozitetit të tij, gati të gjithë ata që kanë mbrojtur grada e tituj shkencorë në lëmin e leksikologjisë e të leksikografisë shqipe kanë pasur “kungimin” e kryeleksikologut tonë të urtë, si  mentor (udhëheqës shkencor), si recensues dhe, shpesh, disa kanë pasur edhe gëzimin që prof. Jani t’u ketë shkruar edhe Parathënien e veprave të tyre e që, natyrisht, ka qenë një vlerë e shtuar e botimeve të tilla, si “Fjalor me shprehje të huazuara në gjuhën shqipe” ( Korçë, 2007) dhe “Fjalori leksiko-frazeologjik i Devollit” (Korçë, 2016) dhe “Fjalor i homonimeve në gjuhën shqipe” (Tiranë, 2020) të prof. dr. Ali Jasharit, ish-studentit dhe vazhduesit të përkushtuar e meritor të akademikut J.Thomai.

    Më poshtë, sipas  traditës së vlerësimit të veprave shkencore, po lejohem të shpreh disa kundrime më të veçanta:

    Së pari, vlerësoj se ribotimi i teksteve të tilla si Leksikologjia e gjuhës shqipe mbas plot gjashtëdhjetë viteve që nga botimi i parë, kur është fat i bardhë që autori të jetë ende gjallë e në jetësi e podhmtari të plotë si akademiku Jani Thomai, ish-profesori, kolegu e miku ynë i dashur, tashmë 87-vjeçar, duhet përshëndetur, përgëzuar e uruar ashtu si veprohet në rastin e restaurimit të ngrehinave të mëdha monumentale arkitekturore, sepse teksti Leksikologjia e gjuhës shqipe mbasi është  lexuar e studiuar me përfitim nga mijëra studentë e pasuniversitarë dhe nga leksikologët specialistë, mbas këtij rivështrimi e përplotësimi me kundrime, ravijëzime të reja me shtesa shembullzimesh të përzgjedhura e të përditësuara e me akribinë  që i karakterizon shkrimet e Jani Thomait, ka marrë tashmë  nivelin e atillë që mund të quhet një tekst monografik, një libër që meriton jo vetëm të përgëzohet, po edhe të urojmë të ndiqet si shembull prej të gjithë gjuhëtarëve që kanë shkruar e botuar tekste universitare.

    Për ta merituar këtë cilësim, autori ka gjetur edhe një gërshetim të përshtatshëm të tipologjisë së radhitjes së lëndës, krerëve e sythave të librit, duke sjellë me madhësi të dallueshme shkronjash shtjellimet plotësuese e kundrimet e reja tëholluese e saktësuese, si dhe referimet bibliografike, duke iu shmangur shënimeve në fund të faqeve (footnotes), pra, edhe duke ua lehtësuar punën lexuesve, po edhe duke i dhënë parashtrimit karakter unik e të mbërthyer në mënyrë shumë të rrjedhshme e të atillë që të theksohen sa më mirë dijet kryesore (konceptet, nocionet, përkufizimet) e të dallohen nga  ato plotësuese e të një rëndësie dytësore, por gjithsesi të domosdoshme e të vlefshme për një rrokje sa më të plotë të lëndës. Pra, aty na jepen në një organizim të natyrshëm krejt qerthulli i dijenive që duhet të ketë një njeri që merret me studimet në lëmin e leksikologjisë e të leksikografisë shqipe.

    Së dyti, vlerësoj se libri Leksikologjia e gjuhës shqipe (2020) pohon dhe argumenton bindshëm që në fushën e leksikologjisë e të leksikografisë shqipe tashmë është krijuar një trashëgimi e pasur, kanë ardhur prurje të shumta nga mbledhjet e leksikut dialektor e të  rrjedhave prej botimeve letrare e artristike dhe nga ligjërimi i mediave etj., po ka pasur edhe botime me vlerë nga të gjitha krahinat shqiptare e nga shtresat leksikore nga vjeljet e letërisisë së shkruar dhe nga gjuha e folur.

    Leksikologjia shqiptare nis me një fjalor, me “Fjalorin latinisht-shqip” të Frang Bardhit (1635). Prej këtij caku kohor, në rrjedhë të moteve, nga  shekulli në shekull, ndihmesat njohëse, botimet dhe studimet  janë zgjeruar e janë bërë më cilësore. Shumë gjuhëtarë shqiptarë e albanologë të huaj të shquar kanë dhënë ndihmesën e tyre në fondin tashmë të pasur të studimeve për gjuhën shqipe e sidomos për leksikologjinë e leksikografinë shqipe. Mund të thuhet se gjysma e dytë e shekullit të kaluar dhe këta dy dhjetëvjeçarët e parë  të mijëvjeçarit të ri kanë qenë më të begatë, si në prodhimtarinë shkencore të mirëfilltë, ashtu edhe në përpunimin e zbatimin e metodave bashkëkohore të studimeve. “Por-  sikundër e ka theksuar edhe vetë profesor Jani -mbetet ende shumë për të bërë, si për studimin e çdo gjuhe, edhe për shqipen është e natyrshme të ketë përparim të mendimit shkencor e të metodologjisë së kërkimit, të ndiqen zhvillimet e pandërprera të gjuhës gjithnjë në lëvizje, siç është edhe vetë mendimi shkencor. Kështu, dyshoj se do të vijë një ditë e të themi ”bëmë aq sa duhet”. Por të bëjmë së paku aq sa mundemi. “(Shih:  “Ex Libris”, E shtunë, 26 maj 2021, f.1-5).

    Pa dyshim se, ashtu si e thotë akademiku ynë, trashëgimia që sot e kemi, na lejon të bëhen edhe sinteza e parashtresa më të plota, jep dorë që tashmë mund edhe të ndërmerren hulumtime thelluese e të përimtuara dhe të mbërrihet ngritja  e cilësisë së mësimdhënies së leksikologjisë si lëndë formuese e dorës së parë në shkollat e larta të profilit filologjik e të mësuesisë. Mbi të gjitha, libri Leksikologjia e gjuhës shqipe (2020) synon dhe  ia del mbanë në mënyrë të tumirueshme për ta zgjeruar më tej  problematikën e kërkimeve të mëtejshme, duke dhënë mbështetje të sigurtë për t’i forcuar bazat teorike të formimit shkencor e profesional të studentëve e pasuniversitarëve në krejt hapësirat ku ka universitete ose institute kërkimore albanologjike që kryejnë edhe hulumtime e studime për leksikun, në të gjitha trojet ku flitet e shkruhet shqipja. Shpreh bindjen time të plotë se libri  Leksikologjia e gjuhës shqipe (2020) do të jetë edhe më tej mbështetje e fortë për studimet gjuhësore dhe për formimin e gjuhëtarëve të rinj.

    Së treti, vlerësoj si ndihmesë të shënueshme dukurinë se në këtë ribotim të tekstit Leksikologjia e gjuhës shqipe (2020), autori ka mbërritur të shkojë shumë më lart, po edhe të shtrihet më gjerë sesa detyra e një përditësimi a plotësimi të ndonjë sythi a kreu, sikundër bëhet zakonisht në ribotimin e teksteve universitare për nevoja të mësimdhënies  e të pajisjes së studentëve me një tekst bazë e të rëndësishëm. Teksti ka të njëjtën bërthamë fillestare, por ai tashmë pothujase është rishkruar, pasuruar e përpikmëruar në shkallën më të lartë të mundshme.

    Akad.Jani Thomai, edhe në ribotimet e mëparshme të këtij tekti kishte bërë shtesa, përpunime, shtjellime të përditësuara e të shembullzuara më ndryshe, kurse në ribotimin që  kemi në dorë, me shumë ëndje, studentët, pasuniversitarët dhe leksikologët e leksikografët  apo, thënë ndryshe, të gjithë ata që filologjinë dhe gjuhësinë e kanë profesion, do të gjejnë një trajtim sa të përditësuar e të pasuruar, aq edhe të përimtuar e të  thelluar në shtjellime të reja, që mund të shihet si modeli sesi duhet të veprojnë autorët e suksesshëm ët  teksteve për shkollën e lartë.

    Libri Leksikologjia e gjuhës shqipe (2020), me përpunimin e thelluar që i është bërë, me rikundrimin (përkat.rihartimin ) e rritjen cilësore të parashtrimit e të krejt shtjellimeve të tij, ka mbërritur në cilësimin më të lakmueshëm të një libri universitar, si tekst monografik nga më të mirët që kanë dalë deri më sot në fushën e gjuhësisë shqiptare. Le të përmendim, me këtë rast, si thotë fjala e bukur  e etnografisë së të folurit popullor: për t’ia shëndoshur krahët autorit rrëfimin  e tij të çiltër në Parathënien  e këtij libri, ku ai ka shprehur se  gjatë punës për ta ripunuar, për ta përditësuar e për ta plotësuar atë punë janë mbajtur parasysh, ndër të tjera, katër synime kryesore, të cilat po i parafrazojmë sipas rendit që i ka pohuar ai. Synimet e një studiuesi e pedagogu me përvojë të gjatë si titullar i Leksikologjisë, natyrisht, do të ishin të lidhura me pasqyrimin sa më të plotë të arritjeve të gjuhësisë shqiptare në 20 vitet e para të mjëvjeçarit të ri; të vendosej një përpjesëtim më i mirë ndërmjet degëve e nënfushave të leksikologjisë, si semasiologjia, frazeologjia, terminologjia, vlerat stikistike e ligjërimore të fjalëve etj. Si gjuhëtar me përvojë të gjatë, autori ynë ka lakmuar që teksti të jetë i atillë që t’u japë studentëve dije e shtjellime me karakter formues dhe nxitës për ta njohur, dashur e adhuruar fjalën shqipe, për ta zotëruar frazeologjinë dhe aftësinë e pashtershme fjalëformuese  e fjalëkrjuese të popullit shqiptar, për të hyrë sa më thellë në njohjen e terminologjisë së fushave të shumta e të larmishme të shqipes dhe hapësirat e stilistikës gjuhësore, duke dalluar edhe raportet midis  togjeve frazeologjike të qëndrusheme dhe fogfjalëshave të lirë etj. Natyrisht, në të gjitha këto kahe a synime, vrujon përherë mëtimi madhor i autorit që libri të jetë jo vetëm mbështetje për mësimin e lëndës së Leksikologjisë, po edhe  i dobishëm për një log sa më të gjerë lexuesish  e studiuesish, veçmas për mësimdhënësit e gjuhës shqipe, për gazetarët dhe për të gjithë ata që kanë dëshirë a detyrë të thellohen në njohjen e fjalës shqipe si njësi leksikore dhe veçoritë e saj në gjuhën shqipe; që duan të dinë e të thellohen në kuptimin leksikor dhe tërësor e të mëvetësishëm, për fjalën si strukturë që ka përmbajtje dhe formë të caktuar etj.

    Së mbrami, natyrisht në hapësirat nevojisht të rrudhura të një recensioni vlerësues e paraqitës të përgjithshëm, por jo shterues, e ndiej për detyrë ta përgëzoj ish-pedagogun tim e kolegun e nderuar, akademikun shumë të çmuar Jani Thomain, për këtë botim të tekstit Leksikologjia e gjuhës shqipe (2020)duketheksuar se ky libër pasqyron zhvillimin e shkencës së leksikologjisë e të leksikografisë shqipe, si dhe  të disiplinave të tjera të gjuhësisë shqiptare e botërore, prandaj, sikundër e ka pohuar edhe vetë autori “dera mbetet e hapur për përditësime e prurje të reja, të mëtejshme”. Teksti mbyllet me një bibliografi thuajse të plotë të studimeve (monografi, artikuj shkencorë, fjalorë etj.) për këto fusha,  që kanë qenë burim shkencor për tekstin, por që kanë qenë e janë mundësi e lehtësi për t’u shfrytëzuar për gjithë ata që duan t’i zgjerojnë njohuritë e tyre në këto fusha, për studentët si referenca mbështetëse për hartimin e temave të diplomave universitare, ose për këdo që ndërmerr studime në këto fusha për master, doktoraturë etj.

    Jetë të gjatë, shëndet  e vlagë pune edhe për vepra të tjera profesori ynë i nderuar dhe i vyer.

    Tiranë, 24 mars 2022

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË