More
    KreuArte pamoreGëzim Qëndro: Aura kripto-teologjike e trupit politik

    Gëzim Qëndro: Aura kripto-teologjike e trupit politik

    Një vepër e hapur – thotë Umberto Eco – është [një fushë mundësish], nëse do të përdornim një koncept veçanërisht zbulues të kulturës bashkëkohore: konceptin e “fushës” […] i cili përmban një vegim të ripërtërirë të marrëdhënieve klasike (njëkuptimëshe dhe të pakthyeshme) të shkakut dhe pasojës, i cili zëvendësohet nga një sistem forcash ndërsjellëse, një konstelacion ngjarjesh, një dinamizëm strukturash[…].

    Një fushë të tillë mundësish duket se e gjejmë në tablonë Vizitë në plagë të Enkelejd Zonjës (fig. 1) e cila të befason pikërisht me shtresëzimet e shumëfishta kuptimore të subjektit dhe dinamizmin e strukturave që shoqërohen nga loja metagjuhësore tipike postmoderne, ironia dhe paradoksi. Në historinë e pikturës shqiptare janë të pakta tablo të tilla të ngarkuara cit me simbole dhe idhuj, paradigma dhe fantazma të historisë.

    Edhe nëse nuk e njeh veprën e Caravaggios Shën Thomai mosbesues (fig. 2) mjafton vetëm shenja në brinjën e Enverit e lënë nga shtiza e ndonjë Longinusi modern, për të kuptuar se ai po sillet sikur të ishte ringjallur vërtet pas ndonjë kryqëzimi hipotetik. Ai u është shfaqur papritur, si njëfarë shajnie befasuese, tre shqiptarëve gati tridhjetë vjet pas vdekjes, duke u kërkuar (ashtu si Krishti shën Thomait) “të mos jenë mosbesues, por besues” se është ringjallur vërtet.

    Pastaj, përpara tablosë së varur në mur zbulojmë me çudi praninë e një burri të ulur me shpinë nga tabloja, që rri krejt shpërfillës ndaj vizitorëve që sillen rrotull tij dhe shpejt vërejmë se nga pamja dhe veshja ngjan krejt me “shën Thomain” që shihet në tablo duke vënë gishtin tregues në plagën e Enverit. Cili është dhe ç’kuptim ka paraqitja e tij e njëkohshme në tablo dhe ulur para saj? Po ai djali mospërfillës me flokët punk që mban një Coca-Cola në dorë mos është vetë autori? Ç’lidhje ka me subjektin biblik ai burri i thinjur që kalamendet si i përhënur aty në fund pa marrë vesh ç’po ndodh? Ç’domethënie ka prania e tyre në tablo? Këto dhe plot pyetje të tjera na gëlojnë në kokë ndërsa qëndrojmë përpara kësaj tabloje befasuese. Përballja e detyruar me historinë dhe imperativi për të dhënë doemos një gjykim, na ndërgjegjëson se ndodhemi përpara një vepre politikisht provokuese dhe ideologjikisht (të paktën në fillim) të pakuptimtë.

    Fig. 1. Enkelejd Zonja, Vizitë në plagë, bojë vaji mbi pëlhurë, 2010.

    Pastaj habisë së fillimit ia lë vendin një dell shpotitës: hëm, edhe këtë kishim mangët, të shihnim në vendin e Krishtit, Enver Hoxhën, Zotmohuesin më të famshëm të historisë së shqiptarëve, hartuesin e kushtetutës së parë ateiste! Ndërkohë që shumica e shqiptarëve e mendojnë në Ferr, ai u shfaqet si i zgjedhuri i Parajsës ku, pas kësaj epifanie të fundit, do të ngjitet përgjithmonë atje lart, mes të lumnuemve, vend që meritohet pas një jete të panjollë, të shënjuar nga mirësia dhe mëshira e krishterë.

    Nuk janë të paktë ata që përpara kësaj tabloje mund të mendojnë se liria artistike duhet ta ketë një cak, pasi kjo pikturë acaron shumëkënd. Besimtarët, për shembull. Kush e pa hapësirën e bulevardit Dëshmorët e Kombit të mbushur me portretet e klerikëve të pushkatuar nga regjimi i tij ateist, pa përmendur të burgosurit, të internuarit që vuajtën asokohe dënime të ndryshme për shkak të besimit, e kupton se kjo tablo nuk duhet shfaqur në publik pasi është një pakujdesi. Piktori duhej ta kish menduar dy herë përpara se ta tregonte Enverin në një rol që historia nuk ia njeh aspak.

    Të pezmatuar ndihen me siguri edhe adhuruesit fanatikë të Komandantit. Ç’punë ka idhulli i tyre, kampion i njohur i ateizmit, me subjektin e një rrëfenje biblike, të cilën ata, si komunistë të bindur, e shohin si trillim të shkruar bukur dhe aq, ku mbase tek – tuk gjen ndonjë shkëndijë urtësie, por të vërteta, asnjë. Ndërsa fenë, mbështetur në besimin e patundur, në vërtetësinë e marksizëm-leninizmit fitimtar dhe mësimeve të Partisë dhe shokut Enver, e shohin si përçuese të obskurantizmit mesjetar dhe përligjëse të shfrytëzimit shekullor klasor. Për ta, institucionet fetare ishin rrjeti që shpërndante haptas “opium për popullin” dhe si të tilla meritonin të mbylleshin.

    Të tjerët, shumica mospërfillëse, ateistë apo agnostikë, pjesë e traditës liberale që e shohin njohjen e Biblës si pjesë të formimit të tyre kulturor, në përballje me tablonë, fillimisht zbaviten: Pa shih ku i ka vajtur mendja, Enveri i ringjallur pas kryqëzimit! E megjithatë, ndërsa kundrojmë tablonë na shoqëron njëfarë sikleti. Në rastin më të mirë na duket një trill, një shaka, madje pa kripë që ideatori i ciklonit antifetar të 1967-ës, përndjekësi i klerit dhe shkatërruesi i institucioneve fetare të luajë role të cilat sa ishte gjallë nuk i luajti kurrë.

    Fig. 2. Caravaggio, Shën Thomai mosbesues, bojë vaji mbi pëlhurë, 1601-2.

    Por pasi ndërmendim të gjitha këto ndjejmë se tabloja kokëfortësisht refuzon luksin e shpjegimeve të thjeshta. Ajo na sfidon haptas ose të përballemi me paradoksin dhe lojën e saj metagjuhësore, ose të largohemi. A thua subjekti i pazakontë i tablosë të ketë ndonjë arsye më të thellë?

    Kureshtar e pyeta Enkelejdin se si mbërriti te ky subjekt kaq i pazakontë. (Për të njëjtën arsye Sokrati dymijë e pesëqind vjet më parë u drejtoi piktorëve athinas të njëjtën pyetje). Edhe Enkelejdi, ndonëse nuk ngriti supet si kolegët e tij të lashtë, s’arriti të japë ndonjë përgjigje bindëse. Vendndodhja paradokohe e studios së tij pranë vilës së Enverit apo dhurimi nga dikush i një katalogu me vepra të Caravaggio-s vështirë se mund të pranohen si arsye të qenësishme. Në fund u binda se i kisha kërkuar diçka të pamundur. Problemi nuk qëndronte te piktori, por te kureshtja ime e pavend. Tek e fundit, përse duhej ta dinte, madje, si mund ta dinte autori nga ç’thellësi të errëta të nënvetëdijes së tij ish ngjitur deri në sipërfaqen e vetëdijes subjekti i asaj tabloje?

    (Pjesë nga hyrja e librit)

    “Aura kripto-teologjike e trupit politik”, Gëzim Qëndro, Onufri 2020


    1  Umberto Eco, L’œuvre ouverte, 2003, Éditions du Seuil, Paris, f. 29-30.
    2   Longinus: me këtë emër njihet, sidomos gjatë Mesjetës, centurioni romak që goditi me ushtë brinjën e Krishtit të vdekur prej nga rrodhi gjaku i Tij. Në traditën e krishterë besohet se më pas Longinusi nga pagan u pagëzua i krishterë pasi shpalli më parë bindjen se Ai (Krishti) ishte vërtet biri i Zotit. Sot pranohet si njëri nga shenjtorët e Kishës.
    3  Gjoni 20:27-28:

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË