More
    KreuOpinionGareth Jenkins: Radikalizmi i Charles Dickens

    Gareth Jenkins: Radikalizmi i Charles Dickens

    Si do ta kishte paraqitur Çarls Dikens, vallë, Britaninë e sotme? Me gjithë ndryshimet e ndodhura, për të do të kishte qenë shumë i njohur ai grumbullim i paturpshëm i pasurisë, lufta e të varfërve për mbijetesë, ndarja copë-copë e mirëqënies, si edhe përbuzja e epërme e atyre që na drejtojnë.

    Në kohën e vet, Dikens njihej për kumtin e tij reformues, aq sa njëri prej romaneve të tij është akuzuar për “socializëm të errët”. Ai nuk tërhiqej aspak nga kasta aristrokratike që drejtonte Britaninë. Ai, siç është shprehur vetë, kishte besim tek ata njerëz që qeveriseshin, më tepër sesa tek ata njerëz që qeverisnin.

    Dikens e urrente trajtimin që u bënte shoqëria fëmijëve dhe, veçanërisht, mënyrën me anë të së cilës arsimi i shndërroi mendjet e të rinjve në enë të vogla, të cilat i mbushi me lloj-lloj faktesh. Nëse ai ishte më tepër sesa krijuesi i gëzueshëm të frymës së Krishtlindjes, çfarë radikali mund të ishte Dikens?

    Çarls Dikens dhe Varfëria

    Vitet më formues për Dikens, kanë qenë fundi i viteve 1830 dhe fillimi i viteve 1840 – një periudhë kjo, e një shndërrimi të trazuar kapitalist të qyteteve të mëdha, e një konflikti të madh social midis forcave të ndryshme shoqërore, si edhe e një turbullimi të egër ideologjik.

    Edhe vetë familja e Dikens e përjetonte, në një mënyrë të caktuar, këtë pasiguri të përhershme. Ata ishin të detyruar të lëviznin, shpesh herë, nga një shtëpi në tjetrën, për t’u shpëtuar kreditorëve të tyre. Babai i Dikens u burgos për borxhe dhe, vetë Dikens, qe i detyruar të linte shkollën për të kryer punë të rënda në një fabrikë lustrimi këpucësh.      

    Këto të gjitha ishin, padyshim, përvoja poshtëruese, por për të cilat Dikens ka heshtur. Në të njëjtën kohë, falë përvojës së drejtpërdrejtë, ai ishte shumë i vetëdijshëm për jetën e mjerë të të varfërve. Tmerri i vërtetë, që Dikens ndjeu nga varfëria, me të cilën u ndodh aq afër, si edhe simpatia e tij për viktimat e saj, formuan atë bosht krijues të shumicës së shkrimeve të tij. Ato, po ashtu, përcaktuan edhe radikalizmin e tij.  

    Në këtë botë të re borgjeze, dislokimi shoqëror krijoi gjithashtu mundësinë e përdorimit të talenteve të njerëzve, për të ecur përpara në jetë. Dikens ishte pikërisht një rast i tillë: i ngjashëm me një fabrikë letrare përbërë prej një njeriu të vetëm, ai pati sukses duke prodhuar një cikël romanesh, tregimesh të ndryshëm, si edhe duke u marrë me gazetari, që tërhoqi një rreth të ri lexuesish.

    Ai s’kishte asgjë tjetër, përveç përçmimit të mirëfilltë, për atë lloj koncepti aristokratik se të fituarit e jetesës vinte si pasojë e lindjes dhe edukimit të njeriut. Në këtë kuptim, Dikens ishte një radikal i padurueshëm, që kërkonte ta nxirrte shoqërinë nga parazitizmi i mpirë, i cili e mbyste iniciativën private.

    Në të njëjtën kohë, ai ishte thellësisht dyshues ndaj asaj forme tjetër radikalizmi, e përfaqësuar nga shumë të tjerë si ai, që kërkonin të reformonin rendin ekzistues. Ky ishte një radikalizëm që fokusohej në disiplinimin e të varfërve dhe shtresave të pambrojtura. Të “reformuarit” e ligjit të të varfërve dhe e shtëpive të punës, për ta bërë “mirëqenien” (në atë gjendje që ishte) sa më të pakëndshme të ishte e mundur, për ata që s’para kishin dëshirë të punonin, provokonte, në fakt, zemërimin e Dikens – siç shihet në librin “Oliver Tuist” (1839).

    Kjo ishte periudha kur idetë e “tregut të lirë”, së bashku me interesat kapitalistë të cilëve u shërbenin, po bënin hapa përpara. Ideja se ata që i takonin pjesës së poshtme të shoqërisë, duhet të fajësonin veçse veten e tyre për urinë që vuanin, e tronditi rëndë Dikens si një ide mizore, në një kohë kur kishte pasuri të mjaftueshme për plotësimin e nevojave të tyre

    Hapja

    Dikens përkrahu dhe bëri thirrje me idenë se ne të gjithë, përtej ndarjes shoqërore, ndajmë së bashku faktin se jemi njerëz. Ai mbajti këtë qëndrim, për t’iu kundërvënë asaj që po bëhej shumë shpejt një realitet i shoqërisë borgjeze: mungesa e interesave të përbashkëta që ajo shfaqte.

    Thirrja e anës “së mirë” të shoqërisë borgjeze, përkundrejt anës “së keqe”, është diçka që e shohim në librin “Kënga e Krishtlindjeve” (1843) dhe në mënyrën sesi Skragu i pashpirt me grushtet e fuqishëm, shndërrohet në bamirësin bujar të të varfërve. Kjo është sentimentale, pa dyshim, por paraqet një protestë ndaj atij nocioni, se nuk kishte asnjë alternativë tjetër.

    Romanet e hershëm të Dikens janë të qartë dhe episodikë. Teknika seriale e shkrimit të romaneve çdo muaj dhe, herë pas herë, edhe çdo javë, ishte një teknikë që Dikens e sajoi virtualisht, në mënyrë që të tërhiqte një audiencë të re.

    Ishte kjo ajo që i dha atij mundësinë të paraqeste karaktere të reja dhe të adresonte çështje të caktuara (realiteti i një ligji të dobët apo mizoritë në fushën e edukimit, që mund të sfidonin ndjenjat dhe ndërgjegjjen e kësaj audience). Gjerësia e formës, gjithashtu, i dha atij mundësinë ta zgjeronte jashtëzakonisht botën shoqërore të romanit: të pasurit dhe gjithë ata që gëzonin begati, duhej t’u hapnin rrugë personanazheve me prejardhje nga klasat e ulëta. Zërat plebej u ngritën, që fjala e tyre të dëgjohej!

    “Hapja” e shoqërisë, parë kjo, për shembull, në zhvendosjen e shkaktuar nga ndërtimi i hekurudhave në qendër të Londrës, përshkruar në mënyrë mbresëlënëse në romanin “Dombi dhe i Biri” (1848), i sjell këto zëra të përjashtuar deri atëherë, në afërsi me zërat e establishmentit. Kështu, biznesmeni kryelartë, z. Dombi, është i detyruar të dëgjojë ngushëllimet e shoferit të trenit, bashkëshortja e të cilit ka ushqyer djalin e tij që po vdiste, diçka që e ofendon ndjenjën që ai ruan për distancimin shoqëror.

    Këtyre personazheve plebej, shpesh herë u mungon personaliteti apo individualiteti i përpunuar mirë. Rrethanat i kanë reduktuar ato në diçka më tepër sesa një frazë apo gjest përkufizues dhe i caktuar. Por, është mënyra me të cilën ata e shpalosin veten vazhdimisht, nëpërmjet përdorimit të tyre idiomatik të gjuhës, e cila u jep atyre jetë dhe energji.

    Nëse qeniet njerëzore nuk fuqizohen, atëherë qyteti që i rrethon, mund të duket se merr një jetë më vete, sikur jetësohet nga forca që, vetë njerëzimi, nuk mund t’i kontrollojë. Ju nuk mund ta lexoni plotësisht Dikensin, pa u tronditur nga mënyra sesi romanet e tij rrokin, në formë komike apo groteske, aspektet qendrore të tjetërsimit kapitalist.   

    Çarls Dikens dhe Turma

    Dikens, më pas, është më pak i bindur se individi mund të dalë fitimtar ndaj një shoqërie përherë e më shtrënguese. Toni i tij është më pak shpërthyes dhe komedia bëhet më e errët. Romanet e tij, shkruar ndërmjet viteve 1850 dhe 1860, kanë forma më të përmbledhura, janë më pak episodikë, ngjajnë sikur në njohje të sistemit, atij legal, gjyqësor apo financiar, ato e lidhin individin apo çdo gjest dashamirësie të tij, me pafuqinë apo edhe më keq se aq!

    Në librin “Shtëpia e Braktisur” (1853), personazhet nuk mund t’u shpëtojnë kthetrave të një procesi gjyqësor, që në fakt është proces i njëanshëm për një trashëgimi. Në romanin “Dorriti i Vogël“ (1857), burgosja fizike, mendore dhe gjuhësore, i mbërthen njerëzit në koncepte vdekjeprurës të asaj çfarë është sjellje e mirë dhe e duhur.  Romani i fundit i plotë i Dikens, “Miku ynë i Përbashkët“ (1865), e tregon shoqërinë si një grumbull pluhuri, bamirësinë si të ishte thjesht biznes, ndërsa jetimët në rrezik për t’u nxjerrë si mallra tregu (një ndryshim i thellë nga Dikens i hershëm).

    Dikens haset me vështirësi, atëherë kur në vend që të flasë për të përjashtuarit, ai përballet me ç’thonë të përjashtuarit për veten e tyre. Nxitja e reformës shoqërore në emër të viktimave, apo mbrojtja e të drejtave të tyre, është njëra anë – përqëndrimi konsiston në vlerat morale dhe shpirtërore të heroit, pozicioni i të cilit edhe mund të luhatet ndërmjet të privuarve, por nuk është pjesë e tyre.

    Është fare tjetër gjë, kur vetë viktimat përbëjnë një subjekt aktiv dhe nuk kanë aspak nevojë që të përfaqësohen nga ndonjë hero. Romanet më të dobët të Dikens, janë ato në të cilët viktimat paraqiten si një masë kryengritëse ose revolucionare – “Barnaby Rudge” (1841) dhe “Një tregim i dy qyteteve“ (1859) — ose kur rrëfejnë mbi mundësinë për t’u bërë një forcë sindikale kolektive (si në romanin e tij të vitit 1854 “Kohë të vështira”, kushtuar “gjendjes në Angli”).

    Ideja e Të Qenit Zotëri

    Është veçanërisht e dukshme dobësia e Dikens, lidhur me aftësinë për t’i treguar gratë sentimentale dhe për t’i idealizuar ato. Gratë reduktohen në disa lloje: fëmija nuse, figura e shenjtë, objekt i një dëshire romantike, apo “gruaja e rrëzuar”. Ata veprojnë në kontekstin e idealit shtëpiak, rol që heroi e dëshiron shumë, siç ndodh, për shembull, në romanin “David Koperfild” (1850), ku fëmija nuse që sfidon intelektualisht Davidin, vdes në një mënyrë tejet të përshtatshme, për t’i hapur udhë bashkëshortes së “përsosur”, që do të plotësonte arritjen e tij si shkrimtar.

    Ndodh që ka personazhe gra, të cilat të bëjnë të mendosh se Dikens, në një mënyrë të vakët, ka qenë i vetëdijshëm për kompleksitetin real të jetës së gruas. Ky rast haset në romanet e tij të vonshëm, veçanërisht te “Shpresat e Mëdha” (1861), roman ku Dikens iu afrua më shumë trajtimit të natyrës problematike të heroit borgjez. Të dy romanet, “Shpresat e Mëdha” dhe “David Koperfild” përqendrohen rreth çështjes sesi mund të bëhesh një “zotëri” i vërtetë, jo thjesht për shkak të origjinës, por për shkak të arritjeve në jetë.

    Mbrojtësi dhe mentori i Davidit të ri, Stirforth, mund t’i kishte hirin dhe manierat aristokratike, por ai sillet në një mënyrë egoiste dhe shkatërrimtare, veçanërisht ndaj grave. Fisnikëria e vërtetë që mëson Davidi, varet nga cilësitë borgjeze të vetëbesimit, si edhe përkushtimi ndaj idealit familjar.

    Por ka një anë të keqe të përparimit borgjez, të përfaqësuar nga Uriah Hipi i “përulur”, i cili duke pasur qëllim përparimin në jetë, nuk ngurron të përdorë dinakërinë, mashtrimin dhe hipokrizinë. Statuset shoqërorë të Uriah dhe David, mund të mos jenë edhe aq të ndryshëm, por neveria që David ndjen ndaj Uriah e s’mund ta përmbajë as në gjestet fizike (krejt ndryshe nga keqardhja që David ndjen për fatin e Stirforth aristokrat), tregon diçka tjetër

    Ky kontrast në reagimin emocional, bën që të besojmë se natyra e vërtetë e David, e ndodhur nën aksidentet e privimeve të hershëm dhe varfërisë, është një natyrë e fisme: ai asnjëherë nuk mund të sillej si Uriah.

    Kritika Sociale

    Te “Shpresat e Mëdha”, që pa dyshim është romani më i shquar i Dikens, fisnikëria e brendshme shqyrtohet në një mënyrë më kritike, nëpërmjet eksplorimit kërkues të turpit dhe të pasojave që ka një person, i cili mohon origjinën e tij.

    Pipi jetim, ndryshe nga David që mbeti jetim, është me një origjinë vërtet modeste: mbajtësi i shtëpisë, Joe Gargery, punon si kovaç. Ajo që e shtyn Pip të bëhet zotëri, nuk është aspak ideali borgjez i punës së palodhur dhe as morali i ndriçuar, por turpi i thellë për statusin e tij social, si edhe supozimi i pabazë (por mjaft tregues), se origjina e fshehtë e prejardhjes së tij, i takon një plani më të lartë social.

    Përfundimisht Pip e mëson burimin e vërtetë të pasurisë së tij: jo znjsh. Haversham, aristokratja e rënë nga vakti, por kishte qenë i dënuari Maguiç, të cilin Pip e kishte ndihmuar kur kishte qenë i vogël. Kur Maguiç kthehet fshehurazi nga kolonia ndëshkuese e Australisë, për të parë e takuar zotërinë që kishte krijuar vetë, Pip realizon me tmerr se ishte kthyer në një lloj përbindëshi të Frankenstein (Dikens i referohet historisë) — në një përbindësh mosmirënjohës.

    Duke hedhur poshtë të kaluarën e tij (që shihet fare qartë në episodin kur Pip vizitohet në Londër nga Joe dhe ndjehet thellësisht i turpëruar, që detyrohet ta pranojë njohjen e tyre), ai aty sakrifikoi njerëzillëkun e vet!

    Nuk ka kthim prapa. Këtë herë të vetme, Dickens përmbahet që të mos krijojë një fund sentimental. Pip mund të jetë penduar, por ajo që u prish, nuk mund të ndreqej më. Estela, gruaja që ai dashuron dhe përbuzja e së cilës për një djalë që ishte thjesht një punëtor dhe aq njeri ordiner, i nxitur nga dëshira rinore për të ecur përpara në jetë, kishte mbetur edhe ajo vetë po aq e zhveshur nga bujaria, sa edhe ai.

    Dikens e lë të paqartë nëse ata martohen, apo jo. Fundi i parë i lë ata të ndarë; ai i dytë, i botuar, është ambivalent. Ky është një roman, që nuk i lë vend besimit se, ajo që është njerëzore, mund të shpëtohet nga shoqëria borgjeze – një ndjesi kjo, që ia vlen të mbahet edhe sot parasysh.

    Përktheu S. Haxhimusaj

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË