More
    KreuOpinionFrano Kulli: Gjergj Fishta, moskuptime dhe keqkuptime

    Frano Kulli: Gjergj Fishta, moskuptime dhe keqkuptime

    Përdorimi i ledhatuar e me mjeshtrí i shqipes, në korpusin e veprës letrare e publicistike të Gjergj Fishtës, komunikimi me lexuesin e vet, ndalet përdhunshëm pa kaluar 5 vite nga ndarja e tij këso jete, në dhjetorin e 1940-ës. Gjithë ajo pasuri gjuhësore e përdorur aty, por edhe me plot prurje të reja prej tij, të panjohura e të palëvruara deri atëherë, u ngurtësua; ju vù një rrasë e rëndë varri, aq e rëndësa ç’peshon një gjysë shekulli.

    Duke mos u përdorë, ajo nuk lëvizi e nuk gjalloi, por në mënyrë sfidante ndaj forcës ndaluese e dhunës për leximin e veprës, ndërkaq ajo ishte e “hipotekuar” aty nëshkrimtarínëe tij. Por edhe në mbamendjen e padëmtuar të lexuesve të saj, e mbamendësit e panumërt oral, të cilët mund të recitonin deri mijëra vargje përmendësh, nga “Lahuta…”prej kah kishte edhe burimin gjuha e tij, si pasuri e madhe e paluajtëshme.

    Në veprën madhore të Fishtës, do tëshkruante Eqrem Çabej, është pra njësia shqiptare, shpeshherë e panjohur, e cila ndrit së poshtmi më çdo anë. Atëhere nuk duhet t’ia marrim poetit për të keq, por duhet t’ia dimë përkundrazi për të mirë, që mori e përvetësoi gjithë të thjeshtën, të moçmen, të paprishurën atje ku e gjeti të ruajtur më mirë dhe që e ngriti në sferën e poezisë… Fishta zë fill me njësinë e vogël të fisit për të mbaruar te njësia më e madhe e kombit, ia fillon me bariun e moçëm Marash Ucin dhe ia mbrin te Abdyl Frashëri në Lidhjen e Prizrenit.”[1]

    Sado u pengua…, dikur vonë, fort vonë, i erdhi radha të hiqej ajo “rrasa e randë” e mbylljes së dhunëshme; vepra e Fishtës do të ribotohej e plotë, por tashma me ngërçin e madh të moskuptimit për shkakuna pretekstin e vjetërsisë së gjuhës së saj.Këtu buron nevoja që ajo kishte për spjegime të shumë e shumë fjalëve e shprehjeve, për të mënjanuar moskuptimet prej së vërteti tëatyre të dalave jashtë përdorimit tashma; në të folmen e nëtëshkruarën, po se po. Sidomos, të keqkuptimit të frazeologjisë aq të begatë të Fishtës.Vlera kulmore të tij këto, që e kishin kurorëzuar POET KOMBËTAR, qysh në gjallje, në bashkëkohësinë e vet. Gjë që vetëm njëherë dhe vetëm me Fishtën ka ndodhë në historinë e letërsisë shqipe. Poet Kombëtar pa asnjë mëdyshje e quan Eqrem Çabej, ky albanolog i pa qasje me të tjerë, i pakrahasueshëm, që rrezatonte kulturë evropiane. Jo vetëm për shkak të gjithë ciklit të studimeve të veta; të mesme, të larta dhe ata doktorale, që kishte kryer në Austri, porse gjithë jetën e vet studimore më pas e çoi në këtë frymë e në këtë rrugë. Ai shprehet:”Fishta arrititë ngrejë kështu veprën (“Lahuta e Malcis”) në sferën kombëtare… vepra e tij ka marrë karakterin e një eposi kombëtar. Te ky[Fishta] e kaluara dhe e ardhmja e këtij kombi janë pjekur fatalisht në një pikë simbolike me njëra-tjetrën.Ai madje shton se:“nuk mund ta përflasim poetin që ka marrë për lëndë të poemit të tij një trevë njerëzore gjeografikisht kaq të ngushtë; sepse te kjo botë e përshkruar prej tij njohin vetveten jo vetëm Malësorët e Veriut, por gjithë banorët e maleve shqiptare, ata të Verilindjes (Kosovë), të Lindjes (Dibër) e të jugperëndimit (Labëri)”[2]

    Rrekja për mbushamendjen e moskuptimit për shkak të gjuhës. Shkaqe dhe pretekste:

    Nëse me të vërtetë duhet ta pranonim vështirësi në kuptimin e gjuhës së Fishtës dhe të kërkonim një shkak, a më saktë ta konsideronim të tillë një ankesë që vjen prej s’andejmi, shkaku do të qe diku ndërmjet:pasurisë leksikore të autorit dhe “varfërisë” leksikore të lexuesit të tij të sotëm.  Shkëputja e gjatë shkrimtar-lexues padyshim që e ka krijuar një përthyerje, në mos në kuptimin, në shijimin e veprës së Fishtës.

    Fishta është autori me fjalëformimin më të pasur ndër autorët shqiptarë. Nga më shumë se 12000 leksema e terma të spjeguara dhe të paraqitura në një fjalor që këto ditë del nga shtypi, (përgatitur: Frano Kulli) dominant është numri i fjalëve të krijuara prej tij; si fjalëformim i vetë autorit. Në veprën e një poeti mjeshtër dhe kaq të lëmuar të letërsisë shqipe të traditës si liriku i pashoq Ndre Mjeda, numrohen 5671 fjalë. Kaq është numri i saktë i fjalëve të “Fjalorit të plotë të nxjerrun nga shkrimet e Mjedës”[3], hartuar e përgatitur nga studiuesi Kolë Ashta qysh në vitin e largët 1964, i pabotuar, që ndodhet në arkivin e Akademisë Albanalogjike të Shqipërisë.

    Kjo ndarja ndërmjet pasurisë leksikore kaq të madhe të poetëve tanë mjeshtra dhe varfërimit të leksikut të lexuesit, prej mospërdorimit të thesarit të tyre, ka qenë dhe është një dëm,vështirë i rikuperueshëm. Ka ndodhë fenomeni i një letargjie të gjatë, i një gjumi vdekatar në këtë rast, nëse gjuhën dhe procesin e leximit nëpërmjet saj i marrim si një organizëm të gjallë. Me shumicën e letërsisë së autorëve të veriut ka ndodhë kështu, janë anatemuar vetëm e vetëm që letërsia e tyre të mos të mund të vijonte konkordancën (pajtimin)me shpirtin e lexuesit të vet, duke e konsideruar si akt pengues për rregjimin politik të kohës, për shkak të ideve të papërputhëshme dhe veprës së tyre shkrimore. Po me Fishtën kjo ka ndodhë më hatashëm se me të gjithë…E megjithatë, pas një arsyetimi e hulumtimi të thelluar arrihet në pohimin se në moskuptimin e Fishtës për shkak të gjuhës, pretekstet i dominojnë shkaqet:

    Fishtën ende nuk e duan poet ata që rëndom e barazojnë me “Lahuta e Malcis’ “Nuk e duan poet ata që thonë, qoftë edhe nën zë se Fishta është vetëm “Lahuta”. Edhe pse ajo është kryevepra e tij. “Lahuta …” nuk është Fishta. Fishta poet është shumë më shumë se “Lahuta…”. Na vjen në ndihmë të këtij pohimi, posë dhe tw tjerwve, prap liriku i shquar Lasgush Poradeci:”Vajta ta shoh rishtas në 1937, në Shkodër…Në librin tim të falur i kisha shkruar pjesën e njëqindtë nga ç’desha:”Njeriut të Zotit, meditans e militans, Burrit shqiptar përfaqësonjës, më të madhit epik të shekullit.”[4]Kurse në një analizë që bën mbi lirikën e Fishtës e quan poetin koleg “ shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar” dhe vazhdon: “Ky është, si të thesha monopolariteti gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha më dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i Kombit…”[5].

    Është shfaqë edhe synimi shvleftësues, në ndonjë analizë stilistikore, po krejt të sipërfaqëshme, buruar prej ndjesive të xhelozisë, më shumë se prej arsyeve të tjera, besojmë. Arti i Fishtës është përçmuar si folklorizant. Duke i vënë përballë vargun e lirë e modernitetin e tij tek Migjeni; duke krahasuar të pakrahasueshmet. E duke mënjanuar faktin që vetë Fishta nuk qe aspak përjashtues por veçse vlersues e inkurajues për talentet e shkrimtarisë së kohës së vet. Sidomos për më të rinjtë. E jo veç i Koliqit, bie fjala, por edhe i Migjenit. Ai e  çmonte  “djaloshi i talentuem”, kur ndër biseda me të, bashkëvllazën françeskanë i shfaqnin mospranim për idetë a poezitëe tij e madje  e cytnin duke i thënë: :”Pader, duhet me ju pergjegjë këtij Migjenit..”. E poeti pati dhënë atëherë këtë përgjigje për bashkëvllaznit:”Lenie rahat djalin e Gjushit [Gjergjit] se asht  ende i ri. “, pohojnë bashkëkohës se u thoshte Fishta për të.[6]

    Fishtën nuk e duan dramaturg…

    Fishtën e citojnë dhe e përmendin rrallë si dramaturg. Ani pse ai është autor i 40 dramave e melodramave, të shkruara a të përshtatura. Me shkrimtarinë e vet në gjininë dramaturgjike(që kryesisht është e shkruar në vargje), por dhe me vënien në skenë, thuajse të shumicës së veprave të këtij zhanrri, Fishta u shenjua vetëdijshëm si themeluesi i teatri shqiptar. Dhe ndërmend të vjen e të rivjen autografi që Lasgushi i shkruan në librin dhuratë: meditans e militans[ëndërrimtar dhe luftarak].

    Veprimi i tij për teatrin zë fill që më 1902. Asokohe, salloni në Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, ku ishte edhe “rezidenca krijuese e shkrimtarísë së Fishtës” u kthye edhe ndër sallat e para në atë qytet e më përtej, sallë shfaqjesh ku filloi të kumtohej shqip.(Pak më vonë, me 1919, në Gjuhadol, në oborrin e shkollës fretnore u ndërtua një sallë tjetër[7], një sallë me 300 ndenjëse për spektatorë)Dhe vetëm shqip. Këtë pati kurajë ta bënte Gjergj Fishta, i cili, edhe kur përdorimi i shqipes ende qe i ndaluar nga Perandoria Osmane e futi atë si gjuhë mësimi në shkollat françeskane (liceun françeskan “Illyricum” dhe në shkollën e motrave stigmatine) kur ishte drejtor i këtyre shkollave. Studiuesi Tonin Çobani[8] na kumton se: “ Aty [në sallonin e fretënve] mendohet se u shfaqën dy skeçet origjinale të Fishtës (“Autori, Shtypshkronjësi” dhe   “Përpara derës së Parrizit”), komeditë “Mjek përdhuni“(1905)  dhe “I ligu për mend” (1908), të dyja sipas Molierit, si dhe dy pjesë origjinale me karakter didaktik: “Gjuha e Mësimit” (1907) dhe “Nevoja e mësimit” (1907). Kurse Faik Konica, në esenë e tij të gjatë “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës juglindore shkruan:”At Fishta është marrë me secilën gjini letrare dhe në të gjitha ka qenë i suksesshëm”[9] edhe pse në Europë e përtej, në fakt ai qe i njohur prej “Lahutës…” kryesisht dhe prej veprimit të tij , sidomos diplomatik…

    Fishtën nuk e duan satirik, kur thonë se “Gomari i Babatasit” (1923) e kishte shkruar me mllef. Atë, poemën e gjatë(3880 vargje, siç shënon autori)me satirë shpartalluese për burokracinë e kalbur të shtetit të sapolindur shqiptar. E shijueshme dhe milituese (militans) edhe sot, gati njëqind vjet më mbas.Që ende “tremb” e trand fort, sa atëherë kur u shkrua. Me forcën fshikulluese të verbit të zgjedhur po dhe me aftësinë kreative, të fuqishme, po edhe elegante polemizuese.

    Siç është vërejtur, “Gomari i Babatasit dhe “Visku i Babatasit”, janë shenja të larta emancipimi mendor e shoqëror të shqiptarëve, të cilët nuk na kanë lënë, për fat të mirë pa dëshmi dinjiteti për të përballuar të vërtetën. Në këtë pikpamje, kjo vepër mund të krahasohet, siç është krahasuar me “Udhëtimet e Guiliverit” tek anglezët, me “Shpirtrat e vdekur” tek rusët, me “Gjermania-një përrallë dimri” te gjermanët etj.-shkruan studiuesi Stefan Çapaliku.[10]

    Edhe tani, para dy vjetësh, kur u vu në skenë “Gomari i Babatasit”, në Shkodër salla e teatrit qe plot për disa netë, po nga zyrat u patën shigjetuar me turivarje…

    Fishtën e duan me patjetër profashist, proitalian e gati antishqiptar. Atë, hartuesin e fjalimit brilant në organizatën e kombeve:”Shqiptarët e të drejtat e tyne”, kryetarin e komisionit të alfabetit në kongresin e Manastirit, ku u konsakrua(shenjtërua) alfabeti i gjuhës shqipe.Të vetmin ndër shqiptarët e shquar që e shërbei çeshtjen kombëtare shqiptare, me të gjitha mënyrat e mjetet e mundshme, këtu, në Shqipëri. E jo mërguar. “Me aq zavalle[halle, telashe] krejet/sa me t’u ba me dalun fejet, siç ai vetë thotë e shkruan.

    Nasho Jorgaqi, njëri prej tyre, shkruan[11]: Për fat të keq, kleri katolik shqiptar, që trashëgoi një traditë të shkëlqyer në historinë tonë kombëtare, në prag dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk u gjend me ato forca që u hodhën në luftë kundër pushtuesve fashistë. Përkundrazi, kleri katolik, në një mënyrë a në një tjetër, i hapi rrugën pushtimit italian, e mirëpriti ushtrinë agresore, duke i cilësuar legjionet e saj “pëllumba të Krishtit”, e mbështeti “rendin e ri fashist” dhe u vu në rolin e bashkëpunëtorit të tij… Dhe në qendër të arsyetimeve, për të përmbushur idenë e paracaktuar, vihet Fishta: “Fishta, dashur pa dashur, flirtoi dhe u kthye ose u përdor si ithtar i pushtuesve”. Në të vërtetë, asnjë personalitet shqiptar i kulturës, rezident i përhershëm në truallin ku lindi, nuk ka marrë nderime e vlerësime të pafundme superiore sa At Gjergj Fishta, në gjallje të vet, i rrethuar me lavdi si askush deri atëherë në Shqipëri. Njëri syresh, Luigi Federzoni, shkrimtar, publicist dhe politikan i rëndësishëm i kohës,[Ministër i fashizmit] pas vdekjes së Fishtës shkruan: Në të [Fishten] kemi pa se gjallonte e rrahte zemra e shpirti i kombit fisnik shqiptar me të gjitha bukuritë e miteve origjinale, të traditave mistike e kalorse, të dokeve besnike të vjetërsisë, të ndjenjave heroike. Secili nesh ka kuptue se Gjergj Fishta kishte me të vërtetë lartësinë e Poetit Kombëtar. Tashti e dijmë se vepra ka për të mbetë në mende e në nderim të shqiptarëve[12].

    E kush do të ishte më i interesuar se ai t’ia njihte Fishtës “meriten” e të qenit fashist ?

    Kurse gazeta e parë e Italisë “Corriere della sera”[13], me 31 dhjetor 1940, lajmin e vdekjes së Fishtës, poetit kombëtar shqiptar (Il poeta nazionale albanese) e përcjell me një artikull të gjatë, ku ndër të tjera shkruan:…Mbasi u ba nji ndër eksponentët kryesorë të Shqipnisë së ringjallun, ai mori pjesë në Konferencën e Paqës në Paris dhe ma vonë u emnue deputet dhe zevendës-kryetar i parlamentit. Në shenj mirënjohje, si mik i sinqertë i Italisë, për meritat e tij ndaj vendit të vet dhe për vlerat e botimeve të tij, u ftue në majin e shkuem me marrë pjesë në Akademinë Mbretnore të Italisë…Dhe aspak e askund edhe këtu nuk përbashkohen Fishta me … fashist.

    Ndërsa, italiani Enrico Grassi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë, pohon se, prej disa të rinjve shkodranë kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: Jo për tjetër, por sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes.[14]

    Ndërkohë, Lasgush Poradeci[15] ka shkruar se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij, thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit: “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por, fundi i fundit, dhe kombi ka të drejtë mbi mua”, duke e përqasur kështu me Amanetin e Dante Aligherit: “del resto, anche la nazione ha dei diritti su di me”.

    I mosmirëkuptuar edhe prej eprorëve të vet

    Dashunia për Atdhenë këtu në Shqipni, po ishte nji faj, nji mëkat, nji delikt [krim]…dhe kjo kufomë e shkretë na dëshmon ne si ndëshkohet faji i atdhedashunisë”- janë dy rreshta të shkëputur nga fjalimi që vetë Fishta mban në varrimin e Avni Rrustemit. [16] Një fjalim , i cili edhe për rrethanat  e momentin kur u mbajt, pati jehonë të madhe. Me pranim e pëlqim po edhe me kundërshtí të forta. Madje pati qortime serioze prej “të vetëve”. Vetë Ministri i Përgjithshëm i Urdhërit Françeskan në Romë, Padre Benardino Klumper OFM, në letrën dërguar Provinçialit tëFretëve në Shkodër, At Pal Dodaj, me 2 qershor 1924[17], shkruan: “…Rregulltarët tanë [françeskanë] merren me politikë e kanë mbërrijt deri aty sa të mburrin të riun që ka vra Esat Pashën në Paris, qoftë në revistën “Hylli i Dritës”, si dhe duke e lavdërue në publik, mes popullit…Nëqoftëse nuk do ta ndreqin shpejt, Kongrecacioni i shejtë i Propagandës do të marrë masa të randa, si me ndalimin e botimit të revistës, si dhe ndëshkimin shembullor të rregulltarëve…” Dhe fjala është për Gjergj Fishten, kuptohet. Qortimi mbështetet në qëndrimin kategorik që Kisha  dhe feja ka mbi vrasjen. Arsyeshëm deri këtu.Mjafton të kujtojmë Urdhnin e 5-të (Mos vrit) të dhjetë Urdhnimeve (Dekalogut). Në përputhje me të është e ndaluar vrasja, madje edhe vetvrasja, pse jeta nuk është e jona , është e Zotit.

    Mirëpo Fishta, me parimsinë që e karakterizon i përgjigjet Kongregatës së Propagandës Fide, pra eprorëve të vet me një letër-përgjigje, me dhjetë pika. Në thelb ai mbron gjithë veprën e françeskanëve shqiptarë në dobi të atdheut e të kombit  dhe thekson se ajo , asnjëherë nuk ka qenë përkundër parimeve të fesë e të Kishës. Edhe, për vrasjen në fjalë ai është konseguent në argumentin e vet. Sipas studiuesit Kolec Çefa: Ajo vrasje, sido e paligjëshme nga morali i fesë, ka vrarë faje të tjera në kokë të Esatit [që kishte tradhëtuar interesat e kombit] dhe ka qenë e dobishme për të mirë të popullit tonë. Shkurt, ajo vrasje, mendon poeti, do të sjellë punë të dobishme për të gjithë popullin e atdheun tonë.”

    Keqkuptimet, si interpretim jashtë kontekstit:

    Ka pasë një keqkuptimin shpartallues në dëm të autorit dhe të veprës, që ka vijuar gjatë me dekada, shkëputja nga konteksti logjik dhe satirik i poezisë Methamorfphosis, (1907) i  strofës:

    Ta dijë Shqypnija

    Pra, e sheklli mbarë,

    Se mâ mbas sodit

    Unë s’jam Shqyptar…

    E shkëputur kështu dhe e injektuar, tek “njeriu i ri” i kohës së rregjimit, si element propagandistik, që shkonte i sinkronizuar me gjithë urdinë propagandistike në rroposjen e Fishtës, ajo shkëputje ka shërbyer si “argumenti” i “tradhëtisë së madhe” të Fishtës përgjatë gjithë kohëterrit gjysëshekullor që e shoqëroi autorin dhe veprën në diktaturë. Se, mjafton të bashkëlidhim fillin e poemthit satirik nga strofa e parë:

    Qe besa, or burra

    Nuk di kah t’çajë,

    Mbasi do t’thirret

    Sot derri dajë…

    Me anmiq t’Shqipnisë

    Unë, pa u frigue,

    mjaft jam, i mjeri,

    kacagjelue.

    Pse kam pasë thanë

    deri sivjet:

    Lum ai qi shkrihet

    Per Atme t’vet.

    Edhe kam pritë,

    Mbas k’tij mendimi,

    Trimnisht për atme

    Çfarëdo ndëshkimi….[18]

    Rrëzohet kështu ajo “kështjella e ndërtuar mbi rërë”, që banalisht realizohet me shkëputjen kontekstuale, logjike e satirike  mbi të cilën është ndërtuar poemthi.

    Në përmbyllje, një tjetër theks për t’u shënuar: keqkuptimi dhe moskuptimi ende vazhdon. Në të tjera forma e mënyra më të stërholluara. Kryesisht me harresë e shpërfillje. Prej kritikës, prej shkrimtarëve, prej shkollave, prej mediumeve…e prej zyrave po se po.


    [1] Tonin Çobani, Ndue Ballabani:”Gjergj Fishta-vite, vende, vepra”, fq.332

    [2] Gjergj Fishta, botim përkujtimuer nën drejtimin e revistës Shkëndia, Tiranë, 1941. fq.36.(Eqrem Çabej, “Epika e Gjergj Fishtës”).

    [3]  Kolë Ashta, “Fjalor i plotë i nxjerrun nga shkrimet e Mjedës”, dorëshkrim.

    [4] Tomorri i vogël: vjeti i II i datës 1 kallnor 1943

    [5] Gjergj Fishta:Shkëndija, numër përkujtimuer, (L.Poradeci artikulli:”Gjergj Fishta lirik)1941, fq.24

    [6] Pohim i dëgjuar  prej meje nga At Shtjefen Pistulli(1922-2008), ish nxënës në Liceun Illyricum, 1930-1938

    [7] Lec Shllaku, Maskat shkodrane-Kur lindej teatri, fq.60

    [8]  Tonin Çobani, Ndue Ballabani:”Teatri i Gjergj Fishtës”, fq.132

    [9] Faik Konica:”Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës juglindore”, Tiranë 2006, fq.83

    [10] Stefan Çapaliku: nga “Fishta satirik”, Pasthënia e “Gjergj Fishta-vepra 8, Satira” , fq.211

    [11] “A flirtoi Gjergj Fishta me pushtuesit fashistë”, gazeta Dita, 2 tetor 2016

    [12] “Gjergj Fishta” numër përkujtimuer, botuar nën kujdesin e revistës “Shkëndija”, Tiranë 1941, fq.6.

    [13] “Corriere della sera”, 31 dhjetor 1940

    [14] Enrico Grassi, “Giorgio Fishta, spirito di fiamma e di luce-fryma e flakës dhe e dritës ” në Gjergj Fishta,botim përkujtimuer, nën kujdesin e Shkëndisë, vepër e cituar, f.101.

    [15] Lasgush Poradeci, Vepra 2, Onufri, Tiranë, 1999, f.68

    [16] Gjergj Fishta, vepra 10, botime Fishta, Lezhë 2012,Fjalimi mbi varr të Avni Rrustemit, fq.250

    [17] Kolec Çefa, “Nëpër gjurmët e Fishtës”, fq.11

    [18]  “Methamorphosis”, Gjergj Fishta vepra 10, fq.35

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË