Kreu Letërsi Bibliotekë Fragment nga romani "Një shaka e vogël me vdekjen" i Bashkim Hoxhës

Fragment nga romani “Një shaka e vogël me vdekjen” i Bashkim Hoxhës

HUTIMI I AKILIT PËR HEKTORIN

Këndo, o muzë, mërinë e Akilit.

Iliada, Homeri

Hektor K. u zhduk nga shtëpia pasditen e së premtes, dy ditë përpara se të mbushte tridhjetë e nëntë vjeç. Zhdukjen e tij në fillim askush nuk e vuri re, nëna i kishte vdekur gati para tre vjetësh, ndërsa babai, që thoshin se kishte qenë tregtar shëtitës, ishte ndarë nga kjo jetë shumë kohë më parë, që kur ai ishte fëmijë, aq sa mund të krijohej përshtypja se babai i tij në këtë jetë nuk kishte ekzistuar kurrë.

Hektori jetonte i vetëm në një ndër shtëpitë më të vjetra të qytetit, bënte një jetë të mbyllur dhe gjatë ditës i kishte të pakta takimet me njerëzit që mund ta vinin re mungesën e tij.

Një ditë pas zhdukjes, mungesën e vuri re një postiere, më e vjetra postiere e qytetit, që kishte për t’i dorëzuar një zarf që kishte ardhur nga jashtë shtetit rekomande. Ajo trokiti në portën e gdhendur me figura engjëjsh dhe askush nga brenda shtëpisë nuk iu përgjigj, por postierja mundi të ndiejë një erë të çuditshme si prej kufome. E alarmuar, ajo njoftoi në polici, ku një polic me një stilolaps që nuk shkruante mirë mbajti shënim shqetësimin e saj dhe gjithë përtim ia dorëzoi kolegut të tij për t’ia përcjellë një patrulle që u urdhërua të bënte kontrollin.

Dy policë të bëshëm mbërritën pranë shtëpisë së Hektorit, trokitën, erdhën rreth e qark, u përpoqën të kuptonin se çfarë ndodhte aty brenda prej dritareve që ishin mbyllur fort me kanate druri, pastaj shpërthyen derën e shtëpisë dhe ashtu siç hynë me vrull, dolën menjëherë me vrap nga era që iu përplas në fytyrë; ishte një aromë e tmerrshme formaline, përzier me një erë mishi të kalbur që gati të zinte frymën.

Në fillim menduan se mos Hektor K. kishte vdekur në shtëpinë e tij, i braktisur siç edhe kishte jetuar, por duke kërkuar më pas me qetësi dhe me imtësi, pasi aty mbërritën edhe hetuesit e lajmëruar prej tyre, u konstatua se era e mishit të kalbur nuk ishte mish njeriu, ajo vinte nga disa trupa të squllët breshkash të cilave u ishte marrë zhgualli dhe qenë lënë lakuriqe në dysheme. Zhgualli i tyre u gjend në disa kavanoza, përzier me eter dhe me substanca të tjera që kutërbonin.

Policët thërritën ekspertët dhe nga kontrolli i mëtejshëm i tyre u bë e qartë se Hektor K. e kishte kthyer shtëpinë e tij në një laborator ku ishte marrë me disa kërkime të paregjistruara askund.

Mishin e squllur të breshkave e hodhën në një thes për ta zhdukur më pas në plehra, ndërsa për Hektorin menduan se do të kthehej sërish; nuk kishin arsye ta shpallnin të zhdukur.

Hetuesit mbajtën shënim sa mundën, fotografuan epruvetat me ngjyra xixëllitëse dhe dyshimi i parë ishte se mos ai merrej me formulën e ndonjë vere kontrabandë apo të ndonjë pijeje tjetër. Kërkuan se mos gjenin shishe apo etiketa të dyshimta, por asgjë nuk gjetën.

Një prej hetuesve të qytetit, Omer Lamallari, e dërgoi emrin e Hektor K. në të gjitha pikat e kufirit dhe rezultoi se ai nuk kishte dalë jashtë shtetit.

I plotfuqishmi i lagjes së lumit ngarkoi disa prej peshkatarëve të vjetër të shihnin se mos trupi i tij gjendej në lumë, por më kot; nxorën edhe një lajmërim në radion lokale të qytetit, por kjo vetëm e shtoi më tepër misterin e zhdukjes.

Fqinjët nisën të dëshmonin për jetën e tij të vetmuar; askush prej tyre nuk kishte vënë re ndonjë të dhënë të çuditshme. Ai ishte mjaft korrekt me ta, madje shquhej për një sjellje aristokratike, të harruar nga të tjerët, vetëm herë pas here e shihnin që mbante në duar breshka, zhapikë apo flutura, pjesë e pasionit të shpallur prej tij për natyrën. Edhe në qendrën e tij të punës, në një fabrikë vere ku punonte si teknolog, askush nuk mund të sillte ndonjë dëshmi të dobishme. Ai vetëm kishte kërkuar të bënte lejen e prapambetur të vitit të kaluar dhe kishte vetëm dy ditë që nuk paraqitej aty.

“Pardje ishte. Dorëzoi punën dhe nuk dha asnjë shenjë se mund edhe të mos kthehej”, – dëshmoi shefi i laboratorit.

I fundit që e kishte parë ishte Fotioni, berberi i lagjes Kala, me të cilin ishin përshëndetur, kishin shkëmbyer disa batuta që nuk kishin asnjë kuptim, si për shembull: Si po ia kalon? Ja, të shtyjmë edhe këto treqind vite tjera që na kanë mbetur. Pastaj qenë ndarë secili në hesap të vet.

Akil L. u vërtit i hutuar në rrugë kur në shtëpinë e Hektorit tashmë nuk ishin vetëm dy policë. Kishte mbërritur një ekip i tërë që mbante shënim gjithçka. Ai u afrua të bisedonte me ta, por njëri prej civilëve që shënonte inventarin e sendeve i bërtiti:

– Largohu që aty. Ende nuk kemi mbaruar punë.

Akil L. ishte ndër të paktët njerëz që herë-herë e shoqëronte Hektorin në klubin ku mbrëmjeve rrëkëllenin ndonjë gotë uzo dhe nëse policët do ta bënin punën seriozisht e do ta pyesnin, ai do t’u thoshte se disa ditë më parë Hektori i kishte lënë një kopje të çelësit të shtëpisë, duke i thënë se mund të largohej për pak kohë dhe i lutej që të kujdesej për lulet dhe për gjithçka tjetër në mungesë të tij, detyrë kjo që ai do ta kishte harruar, po të mos ia kujtonte kjo prani e policëve, të cilët kishin nxjerrë dy vazo orkide në oborr. Këtë do t’u thoshte po ta pyesnin, edhe pse duke parë alarmin e kaq shumë njerëzve që kishin hyrë në shtëpinë e tij nuk e besonte se largimi i fqinjit të tij ishte i përkohshëm, aq shkurt sa mund të jetonin lulet nën kujdesin e një të huaji.

– Unë kam çelësin e shtëpisë, – bërtiti ai. – Përse nuk ma kërkuat, por e shpërthyet derën? Shiko si e keni shqyer. Menteshat i keni nxjerrë jashtë përdorimit.

– Të thashë një herë, largohu! – Civili nuk ia zgjati dhe nuk i kushtoi fare rëndësi. – Ik!

Akil L. turfulloi duke thënë nëpër dhëmbë se nuk është e drejtë që nuk e kishin marrë fare në pyetje dhe për këtë i vinte inat. Sipas tij, kjo ishte mungesë serioziteti për hetimin; gjithçka bëhej shkel e shko.

U tërhoq në trotuarin përballë dhe ndoqi me zemërim punën që ata po bënin. Punë! E çfarë dreq pune është kjo? Sa për të kaluar radhën.

Po ta kishin marrë mundimin e t’i drejtoheshin me ndonjë pyetje, qoftë edhe egërsisht, siç dinë të bëjnë ata zakonisht, nga Akil L., sigurisht po qe se Akil L. do të donte t’u përgjigjej, do të mësonin se kohët e fundit Hektor K. ishte i angazhuar në një eksperiment alkimie për të gjetur sekretin e pavdekësisë së njeriut, madje për këtë kishte shkruar edhe një traktat në stilin e traktateve të mesjetës, të cilin me siguri mund ta gjenin midis letrave të shumta që ata i hidhnin majtas-djathtas si gjëra pa vlerë.

Të gjitha këto, edhe pse mund të dukeshin informacione aspak serioze dhe fjalë të pabesueshme, teori konspirative që jo të gjithë i vlerësonin, Hektor K. ia kishte treguar vetë, një mbrëmje kur hëna ishte e plotë dhe kishte zbritur aq afër sa dukej sikur të ulej në sup dhe kur siluetat e pemëve kishin një tis të çuditshëm argjendi; ndoshta këtë pamje ta krijonte fakti që të dy ishin të dehur dhe flisnin për magjira.

Hektor K. kishte recituar me zë të lartë nën dritën e hënës disa vargje nën këtë tis argjendi që derdhej ngado si një pluhur magjepsës, vargje që thoshte se i kishte marrë nga një libër i vjetër. Në libër ato kishin ardhur nga një papirus shumë më i vjetër. Këto vargje njerëzit i përsërisnin herë pas here në kohë të ndryshme brez pas brezi si një kërkesë për të gjetur atë sekret që tashmë ai besonte se do ta gjente.

Vargjet ishin këto:

Oh, moj jetë,

kur na sjell një kënaqësi të tillë siç është dashuria,

përse rend dhe ikën duke na braktisur çastin?

Përse na bën më pas të vdekshëm?

Dua ta shijoj dashurinë pa mbarim, në përjetësi!

Pas këtyre vargjeve, Hektori i kishte thënë se, edhe pse ende sekreti nuk është gjetur, ekzistonte plotësisht mundësia që njeriu ta bënte jetën e tij të pavdekshme; të pavdekshme ndoshta jo që në fillim, por, sidoqoftë, mund ta zgjaste dy-tri herë më shumë sesa i tërhiqte zvarrë vitet tani.

“Po bëj disa eksperimente me shumë vlerë. Është fakt që breshka jeton 300 vjet. E pra, një sekret e ka jetëgjatësia e saj. Nuk duhet të jetë e pamundur për ta gjetur sekretin edhe për jetëgjatësinë e njeriut”.

Por hetuesit nuk e kishin konsideruar fare Akilin. Kishin pyetur vetëm banakierin e klubit të tyre të përbashkët, Kriston, dhe ai nuk u kishte treguar se me cilin ndante bisedat e mbrëmjes para gotës Hektor K., por kishte thënë: rrinte vetëm, fare vetëm, duke menduar se kështu e shpëtonte Akil L.-në nga bezdia e pyetjeve dhe nga sikleti i hetimit.

Shtëpia e Hektor K. ishte ndër më të vjetrat e qytetit. Ajo kishte frëngji të vogla prej nga shikohej mali i lartë dhe një pjesë e lumit, ndërsa çatia mbahej nga disa trarë të vjetër në të cilët ishte improvizuar një bibliotekë me shumë libra, pjesa më e madhe e tyre e pluhurosur. Në një kënd të shtëpisë ishte ngritur një laborator i vërtetë me epruveta në të cilat qe dekantuar llumi i disa substancave në ngjyra të çuditshme të shndritshme. Krevati ishte lënë i parregulluar, por teshat e përditshme qenë marrë të gjitha. Rreth e qark murit qenë vendosur mjaft fotografi bardhë e zi dhe një e vetme me ngjyra. Fotografia i përkiste një vajze të cilën askush nuk e njihte. Ajo kishte pozuar mes luleve një ditë me diell në Sheshin e Republikës në kryeqytet.

Duke kërkuar të dhëna për të, hetuesit mësuan se ishte një studente, e zhdukur edhe ajo; për të thoshin se kishte ikur te disa të afërm në qytetin ku banonte edhe Hektor K., por të afërmit nuk dinin gjë për këtë.

Vajza quhej Rita, por jo Margarita, siç mund të ngatërrohej.

Me sa dukej, ata qenë zhdukur që të dy, por askush nuk dinte të thoshte se çfarë kishte ngjarë.

Fakti që të zhdukurit ishin dy e bëri edhe më misterioze historinë; derisa u mësua kjo gjë njerëzit diskutonin për breshkat e zhveshura nga koraca, më pas të gjithë filluan të krijonin historinë e të dyve në variante të ndryshme, të cilat në shumicën e rasteve përfundonin në skenë vetëvrasjeje ose arratisjeje, edhe pse asnjë gjurmë e tyre nuk gjendej askund.

E vërteta ishte se ata të dy kishin rënë në dashuri dhe kjo nënkuptonte edhe mundësinë e ndonjë krimi, sepse në mënyrë të pashpjegueshme arsyeja e parë e çdo krimi është dashuria.

Hetuesit nuk u morën gjatë me zhdukjen e të dyve. U vërtitën në disa versione dhe mundësi më shumë në diskutime me njëri-tjetrin, duke i rrëzuar të gjitha me një nuk ka mundësi. Fakti që të zhdukur ishin dy të dashuruar e bënte edhe më të pakuptimtë kërkimin e tyre, sepse të dashuruarit bëjnë fare natyrshëm çdolloj marrëzie që nuk e kap logjika normale e procesit të hetimit. Por edhe për të arritur në mbylljen e dosjes me shënimin zhdukur, që në shumicën e rasteve nënkuptonte vdekur, e kishin të vështirë.

Hetuesi Omer Lamallari ishte ai që këmbënguli të mos e merrnin kaq seriozisht mungesën e Hektor K.

– Ka disa lloje zhdukjesh, – u rrokanisi ai kokën me arsyetime të mërzitshme kolegëve të tij. – Kur dy njerëz duhen dhe më pas ndahen, ata quhen të zhdukur nga jeta e tjetrit. Ka edhe një këngë që thotë “zhduku nga jeta ime”. Po ky nga jeta e cilit është zhdukur? Po ajo? Ata nuk janë zhdukur, janë zhytur në jetën e njëri-tjetrit. Janë zhdukur nga ne. Po a ishin ata më parë të pranishëm në jetën tonë? Jo. Mos harroni, pastaj, se ne kemi rregullën që nëse duhet që dikush të shpallet i zhdukur, këtë gjë duhet ta kërkojë një i afërm i tij. Më thoni, cili e kërkoi shpalljen e tyre të zhdukur, cili? Ndoshta ata janë duke bërë pushime në ndonjë plazh ekzotik, – tha ai në mënyrë bindëse, – dhe tallen me ne kur dëgjojnë se si i trajtojmë kaq seriozisht jetët e tyre dhe vrasim mendjen se çfarë mund të jetë bërë me ta. A thua kaq seriozisht sa ne hetuesit e marrin të tjerët jetën e tyre? Ky jo, njëherë, të jeni të bindur. Sa për atë vajzën, nuk di ç’të them.

Hetuesit u larguan një mëngjes të vranët dhe Akil L. së bashku me një marangoz u kujdes që të riparonte derën e shqyer, duke qenë fare i paqartë se çfarë do të bënte më tej me këtë shtëpi tani që pronari i vetëm i saj ishte regjistruar tashmë në dosjet e policisë dhe mund të shpallej nga çasti në çast i zhdukur apo i vdekur.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Rexhep Ismajli: Nga shqipja te gjuhësia ballkanike – rasti i Wilfried Fiedler-it

Më 1 dhe 2 tetor në Universitetin Friedrich Schiller në Jena (Gjermani) u mbajt një konferencë shkencore në kujtim të albanologut dhe...

Mira Meksi: Historia e çmimit ndërkombëtar “Kadare”. Dy laureatët e parë: Ernesto Sabato & Milan Kundera

Në prag të 100 vjetorit të tij, Ernesto Sabato mbylli sytë në Santos Lugares në Buenos Aires të Argjentinës, vendin plot gjelbërim...

Zija Çela: Stacioni i natës së fundit

Kur marr një libër të ri në dorë, thuajse pa vetëdije, shpesh më vijnë ndër mend dy pyetje të thjeshta, madje edhe...

Andreas Dushi: “Letërsia shqipe” teksti studimor i albanologut Stuart Edward Mann (Londër, 1955)

Në këtë paraqitje, të së parës skicë të letërsisë shqipe në anglisht për publikun, më duhet të kërkoj falje për mangësitë. Faktet...

KATEGORITË