More
    KreuLetërsiBibliotekë"Fqinja e dikurshme", tregim nga Xhevair Lleshi

    “Fqinja e dikurshme”, tregim nga Xhevair Lleshi

    Tani jam në moshën e duhur për t’i parë gjërat si duhet. Edhe Arianën, fqinjën e dikurshme e shoh në këtë dritë. Vinte çdo mbrëmje në shtëpinë tonë për të ngushëlluar, me një energji që kurrkush s’e ka pasur. Rrinte me orë të tëra dhe, të mbledhur rreth dimrit, në odën e madhe ku halli i i patregueshëm ishte shtruar këmbëkryq. Im bir e kishte humbur jetën në një aksident rrugor, duke u gdhirë dy tetor, atëherë kur vjeshta sa po fillonte të ndihej. Shumë njerëz vinin dhe neve shumë pak kohë na mbetej që të ishim vetëm. Vërtet që fjala e vjetër, se në të tilla raste, njerëzit të mbajnë mendjen, është matematikisht e saktë dhe artistikisht e bukur. Një prej atyre që ne na mbajti mendjen ishte edhe Ariana, fqinja e bukur, që kishte dy djem, si yje të dy, emigruar edhe ata në Itali, por që në shtëpinë e saj jetonte e vetme, pasi qe ndarë me bashkëshortin, një ish-ushtarak në pension para kohe, që kish krijuar familje të re. Ariana jo vetëm ishte e bukur, një bukuri e përsosur, e rrallë: sy të shkruar ngjyrë të thellë deti, fytyrë ovale, hunda e drejtë që nuk këputej kund dhe balli i lartë e i mermertë, vetullat e harkuara ëmbël, pylli i qerpikëve dhe flokët korb të zinj e aq të dendur që i vareshin gjer në bel. Trupi i saj i gjatë binte në sy menjëherë, i mbajtur bukur dhe i veshur me një finesë vërtet të hijshme. Çdo gjë e saj mbetej e përsosur. Të dy djemtë e saj që jetonin larg, të dy muzikantë dhe qyteti ynë i njihte mirë. Edhe ata i ngjanin si dy pika uji së ëmës, edhe nga trupi, edhe nga fytyra, ndonëse kishin një pamje mjaft mashkullore, tërheqëse dhe që vajzat e bukura betoheshin e linin kokën për ta.

    Po. Ariana, fqinja jonë, me portat përballë, në një rrugicë që rrihej dendur nga njerëzit që ngjiteshin për në Kala dhe jo vetëm nga banorët e lagjes, kishte gjetur çelësin e ngushëllimit, pasi zotëronte bukur fjalën e ngrohtë, frymëzonte si të thuash një frymë tërë energji prej të marri, siç e quante edhe vetë. Ajo kish bërë të sajin një zakon të çuditshëm: dilte dhe mblidhte karafila të kuq në shtëpitë e rrugicës, të lagjes dhe pastaj të qytetit. I ruante të freskët në vazo të gjata qelqi me ujë dhe aspirina për të rrojtur sa më gjatë. Dhe një herë në tri ditë do shkonte në varrezë për të çuar karafilat e freskët në varrezë. Nuk e pyeta kurrë pse e bënte këtë, por, më duket e kishte fiksuar fort në mendje se kështu ajo edhe mbronte të bijtë. Në varrezë, siç më thoshte nën zë një nga banoret e zeshkëta mbi kapelën e lagjes sonë, ajo lutej fort, me zë, një ligjërim i rrallë, as vajtim dhe as këngë e trilluar në çast, duke shqiptuar bukur e pa një të metë të vockël çdo fjalë, po me atë pasion që edhe tregonte e fliste mbrëmjeve apo pasditeve në odën tonë të madhe. Aty zjarri brambullinte fort, po edhe biseda shkonte në përpjesëtim me zjarrin. Ariana ishte vënë në qendër të ciklonit. Kishte fituar një autoritet të padiskutueshëm. Fshehtas saj diskutonin për të, sepse fjala e mirë për tjetrin ka një moral të përsosur, ndien turp dhe e kthen kokën pas, skuqet e tëra dhe nuk do që të përplaset ballas me syrin. Rri si e fshehtë, por thuhet me pasion dhe krijon vlerë të tjetërfartë.

    Aty nga ora dhjetë e një të shtune, vjen një fqinjë tjetër nga Athina. Kishte marrë një qeskë të madhe letre mbushur plot dhe e vuri në tryezën anësore të odës. Im atë, që aso kohe rronte, mbështetur mbi dorakun e gdhendur prej dorës së tij, shikonte zjarrin dhe shumicën e kohës mendohej. Fqinja e sapo ardhur nga Athina u takua me tim atë dhe e puthi pastaj në dorë dhe në dy faqet. Ime më kishte mbyllur sytë tre vjet më parë dhe tim eti i qe ulur koka fare. Edhe këtë që ngjau donte. Gjithë ai trup dhe kockë e fortë, tetëdhjetë e pesë vjeçare, i lartë si lis me dega, qe rrëgjuar krejt dhe nuk binte më në sy. Belbëzonte vazhdimisht fjalë të pakuptueshme dhe mundohej të qëndronte në lartësinë e të zotit të shtëpisë. E pa gruan e sapo ardhur dhe sikur e kuptoi ç’kishte sjellë, e nuhati që ishte një dhuratë tjetër soj. Qeshi pak lehtë, duke lëvizur paksa mustaqen e hollë me një hijeshi të rrallë, kapi gjithçka me sy e me hundë dhe u gjallërua i tëri.

    – Zonja Teftë na ke nderuar shumë me këto që ke sjellë. More vesh nuse, – i tha sime shoqeje, – Tefta ka sjellë fara karafili! Se ju i mbaruat të gjithë karafilat e qytetit! Na ke nderuar shumë zonja Tefta! Faleminderit! Na i bëj hallall mundimin.

    Fqinja, domethënë Tefta, befas u zverdh, përvijoi buzëqeshjen që iu shua menjëherë, por e zuri shpejt fillin. Dhe tregoi sesi e bija i qe lutur që të gjente fara karafili degëgjatë, të kuq, vetëm të kuq, për t’i sjellë si dhuratë kur të vinte para Krishtlindjeve për në shtëpinë tonë dhe sidomos për të shëruar Arianën. Ja kaq e thjeshtë paskej qenë. E hapi letrën dhe na u lut që farat t’i mbillnim tani në buzë të dimrit, por më mirë në buzë të pranverës, se ata filizat e rinj, edhe tani po t’i mbillje, atëherë do ta merrnin zhvillimin…

    Ariana, ditën tjetër, nuk vonoi asgjë, i përmbysi vazot e shtëpisë sonë, mbi tarracën e madhe të katit të tretë, madje mori edhe plot vazo të tjera të gjata e të thella, i mbushi me dhé të freskët, gjeti humus pylli dhe e përzjeu me një dashuri të skajshme, e prushëruar nga zjarri i pasionit të menjëhershëm dhe dy ditë u mor me rregullimin e vazove në të gjithë rrugicën tonë. Ne, mbrëmjeve, veç të tjerave dhe hallit që na mbante mbërthyer, mezi prisnim të bisedonim edhe për karafilat. Shtëpia jonë, për shkak se nëna ime mbahej si zonjë e karafilave, njihej si e tillë. Unë e besoj se edhe atje ku ishte ajo duhej ta kishte marrë vesh atë që po ndodhte dhe isha i bindur se fërgëllonte nga dëshira për t’i parë…

    Ditët kalonin shpejt. Iku dhjetori, iku dhe janari dhe ditët e para të shkurtit mbinë kudo. Tefta këshillonte nga Athina, nëpërmjet telefonit, sesi duheshin ujitur, si duhet të mbroheshin nga era. E gjithë rrugica jonë tundej nga biseda për karafilat. Prisnim me ankth ç’do të ndodhte. Më e shqetësuara ishte Ariana. Në fund të majit ishin rritur goxha dhe po bulonin gonxhet e para. Oh ç’mrekulli do të ishte. Shtëpia jonë fërgëllonte nga njerëzit dhe nga dëshira për t’i parë një ditë e më parë si do të dukeshin, a do ta kishin ruajtur ngjyrën. Dhe nuk vonoi të vinte dita. Nga fundi i qershorit, karafilat e kuq kishin lulëzuar degët me karafila, jo të gjithë njëherësh natyrisht. Gonxhe të tjera kishin buisur, të tjera bëheshin gati, duar-duar. Të ngjiteshe në tarracë mbeteshe pa frymë. Shpërthimi i tyre dukej i rrallë, një mrekulli i paparë. Ariana shkonte shtëpi më shtëpi, ujiste karafilat, këpuste dy-tri degë dhe i ruante më vete sipas zakonit të vjetër, për t’i mbrojtur aty, plot finesë, pasion dhe dashuri të pa treguar. Karafilat na kthyen buzëqeshjen. Edhe në varrezë, sheshin e mermertë të tim biri e kishte mbushur me vazo plot karafila të kuq. Ishte gati ta bënte këtë për gjithë varrezën. Qe bërë e njohur, përveç fjalëve që përhapeshin me shpejtësi rrufeje, edhe prej vizitorëve të varrezës, të atyre që e ruanin si të shenjtë këtë ritual njerëzor…

    E gjeta të menduar Arianën. Madje i dridheshin duart. Fytyra i dukej e lodhur dhe vura re se kishte rënë pak. Gishtërinjtë e saj të gjatë e të mbajtur bukur, si çdo pejzë e trupit të saj elegant e të përsosur, që do të kishte qenë me siguri një modele e rrallë, ndonëse po kapërcente vijën kritike kur femrat nisin tatëpjetën e rrokopujshme, po kryqëzoheshin me nervozizëm dhe dukej e përqendruar. Shpesh herë e gjeja duke qeshur, duke treguar diçka, apo në të tjera situata të ngjashme, madje edhe duke kënduar lehtë ca melodi të viteve tona, që të rrëmbenin, por në këtë gjendje jo, kurrë. Atë njeri edhe këngët e bënin të derdhte lot dhe lotët i kishin hije. E rrallë. Po ç’kishte Ariana? Vonë, po e zbulova. I kish dalë viza për të shkuar në Itali. Dhe seç ndjente një kënaqësi të fshehtë, i bëhej se kjo ishte vërtet diçka e mirë. Do të shikonte djemtë. Por halli i saj ishte sesi do të ndahej nga ne, si do të na linte vetëm. Kushdo tjetër do të dukej se po e bënte nga halli, apo për t’u dukur. Edhe im atë e këshilloi të shkonte një orë e më parë te djemtë. E dinte Ariana që na kishte falur kaq shumë gëzim dhe dashuri? Ndoshta nuk i kishte vajtur kurrë mendja te kjo gjë. Ajo dinte vetëm të buzëqeshte me vete dhe unë mendoja se ajo me siguri merrte urime prej një bote të padukshme. E pashë pak më vonë si u ngrit dhe puthi një nga karafilat e ruajtur në vazon e gjatë të tryezës. Dhe filloi një ligjërim të sajin plot dashuri për karafilat. U pataksa nga fjalët e zgjedhura, rrethuar me heshtje dhe me sinqeritetin e tmerrshëm që na rrethonte. Gishtërinjtë e saj dridheshin prej tronditjes dhe emocionit. Ndjenjë e madhe. Sytë e mrekullueshëm të saj na rrethonin me magji.

    Ndjeva portën që trokiti fort, ndonëse porta jonë kurrë nuk mbyllej. Pashë nga dritarja se rrugica ishte mbushur me njerëz. Dhe zbrita me vrap.

    – Ç’ka ndodhur?

    – Kemi ardhur këtu se s’dimë ku të përplasemi, – tha Ylli, kryetari i Bashkisë, mjaft i shqetësuar. – Edhe këshillohemi. Aty është Ariana?

    – Këtu.

    – O Zot! – tha ai i tmerruar. – Nesër do ta nisim për në Itali. Po, po, do ta nisim, belbëzoi kryetari. Do ta nisim. Po bàba lart është?

    – Po.

    – Epo, ngjitemi, ç’presim. Do ta takojmë pak, na ka marrë malli, – shtoi duke rrokullisur fjalët me të shpejtë.

    U ngjitëm. E tërhoqa Yllin paksa mënjanë.

    – Ç’ka ndodhur, vëlla?

    – Eh! E tmerrshme, miku im. Janë vrarë të dy djemtë e Arianës! – belbëzoi duke shqyer gojën dhe rrëzoi fjalët me një drithërimë të llahtarshme.

    – Pse? Pse? Pse asaj!? O Zot i madh! Çfarë gjëme! Si do t’ia themi? Si? Si do t’ma nxërë goja? Se që duhet ta vëmë në dijeni kjo s’diskutohet. I tërë qyteti zien. Ka që në mëngjes. Vetëm këtu s’paskan mbërritur lajmet. E ka dhënë edhe televizioni, radiot, shqiptare dhe italiane… S’di. Më janë tharë fjalët dhe po më digjet shpirti… Si? Do Zoti dhe na ndihmon bàba... 

    Natyrisht që mbeta pa frymë. Në tym, i shkova krahun Yllit dhe vijuam në odë. Lule xane të gjithë. Ariana, vura re, ishte në këmbë dhe po dridhej.

    Baba! – thirri fort. – Baba! Këta burra kanë ardhur për mua. Ja, tani ma tha dikush, një zë në vesh, më belbëzoi. O Zot i madh! Mos! Mos! Mbaje dorën! Jo, Ylli, kryetar. Mos e thuaj, e kuptova, e ndjeva, ma tha dikush në vesh, më dogji një zjarr që unë e shoh, e ndiej, e kam parë, e kam ditur me kohë, më përvëloi, më ndihmoni… Dhe ra, u fik, shembur në tokë.

    Niki, ime shoqe, e tmerruar, u derdh sipër saj, i hodhi ujë, gjeti amoniakun që mbante në xhepin e brendshëm të fundit, i hodhi dy-tri pika, u shemb, u çor, u gris.

    – Korba! Korba! Ariana, shpirt, dritë, jetë! Ç’na bëre, motër! E bukura, zemra, halli, drita jonë! Ç’ka ndodhur more burra që rrini kështu? A ka ndonjë mjek këtu? A ka njerëz që ta mbajnë pak këtë zemër të madhe? Si? Si? Si?…

    Me gjithë përpjekjet e mia, mundin dhe dëshirën për të bërë diçka të pamundur, të mirë, s’po e gjeja dot. Vura re tim atë, në këmbë që kishte vënë duart në kokë dhe shtrëngonte fort kapelën, sikur ta kishte fajin ajo. Qe mekur. Pali, një nga mjekët që shoqëronte kryetarin dhe turmën e sapo ardhur, po merrej me Arianën që ende s’qe përmendur. E gjithë oda e madhe ishte përmbytur nga pëshpërimat, fjalët e kobshme, llahtari dhe nga të pathënat, mendimet që vraponin me shpejtësi të kobshme. Kishte ndodhur e padëgjuara, në ngjyra aq të forta e plot zi të madhërishëm që bënte majë kudo që të futej, që s’mund të tregohej. Nuk arrija dot të depërtoja në shpirtin dhe zemrën e secilit, por i ndieja afër të gjithë. “O Zot! Djemtë e saj! Ariana! Si e kuptoi menjëherë? Dhe m’u kujtua im bir, ëndrra e tij e Vdekjes, që ashtu si e pa, ashtu e jetoi e i ndodhi. Njeriut i dëftehet! Nuk e ka sjellë kot gjer kësaj dite, i pari! Është syri i tij shpirtëror që di ta përcjellë kumtin. Dhembshuria prekëse është aty, e lodhur, e rrëgjuar, e fisnikëruar, e këputur por e shoqëruar me një forcë të jashtëzakonshme. Ia dha drurit – u tha! Ia dha gurit – u copëtua! Ia dha njeriut – e duroi! Janë tri fjali pikante. Arrin njeriu ta pikasë të keqen e tij, arrin ta rishpikë edhe jetën, arrin të heqë edhe kalbëzimin shpirtëror dhe të futet në një botë tjetër. Befas Ariana dhe Niki u ngritën të dyja. Gruaja e bukur, e përsosur, eci dy hapa e mbajtur nga ime shoqe dhe iu afrua Yllit me hapin që nuk e mbante dot.

    – Ylli, ma thuaj siç e do nderi i kësaj ode!

    Dhe Ylli ia tha gjëmën. Një klithmë çau shtëpinë time, një bubullimë është pak të thuash! Thika e vetëtimtë e saj çau qiellin dhe zemrat. Karafilat e kuq të lagjes, kudo, sikur i pashë, kishin ulur kokën. M’u bë se erdhi im bir, u hodh në krahët e të dy nënave dhe po u fshinte lotët…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË