More
    KreuLetërsiBibliotekë"Flutura në ashensor", tregim nga Qazim Shehu

    “Flutura në ashensor”, tregim nga Qazim Shehu

    Ai shtypi butonin dhe, në derë, u shfaq një grua. Mbajti ashensorin.

    -Faleminderit, – tha, – si jeni, mirë?

    Nuk u përgjigj; ajo tundi lehtë kokën, ku lëvizën në një luhatje të mugët flokët brunë. Flokët e saj kishin një rrëzëllim të bronztë, të bakërt, sikur ishin pahitur me shkrydhjen e pluhurit të metalit. Për t`iu larguar heshtjes, ajo foli:

    -Uh sa e lodhur jam!…

    Atëherë ai ndërhyri:

    -Pse? Ju jeni e re!…

    Lavdërim të ishte ky apo diçka që duhej thënë midis konstatimit dhe komplimentit?…

    -Më dhemb shpatulla,- tha ajo.

    -Ku?

    Gruaja u anua. Ai zgjati dorën instinktivisht. Ajo e nuhati këtë, u përskuq.

    -Vëre pëllëmbën,- tha, – mbase më lehtëson!

    Ai i vuri gishtat, preku mishin e butë që digjej… Në fillim ngadalë, pastaj më me rëndesë dhe, nga buzët e saj mishtore, u dëgjua një oh…

    -Kaq shumë të dhemb? – pyeti ai.

    -Mos e pyet,- tha ajo. – Ju banoni këtu, pikërisht në këtë kat?,-pyeti ajo.

    -Po, sapo kam ardhur, s`ka dy ditë… Me qira…

    -Sa mirë! Nuk është pallat i keq, njerëzit s`janë gjë…

     Nuk foli. Ajo tregohej e afërt sikur ta njihte, sikur të tentonte ta njihte… Iu bë se, midis tij dhe asaj ,fluturoi një flutur…Ç’donte flutura në ashensor…, në këtë hapësirë të mugët, ku një dritë, që vinte nga një llambë e dobët, e bënte më të humnertë hapësirën?…Këto ishin mendime të çastit. Heshtje…

    -Ju punoni?-pyeti ajo.

    -Në Ministrinë e Jashtme…

    -Jeni diplomat?

    -Po…

    -Sa mirë!, – tha ajo…

    Ai s`dinte se çfarë të thoshte. Ndodheshin akoma në katin e dhjetë të pallatit. Kishin harruar të shtypnin butonin .

    E kuptoi se tanimë ai buton duhej shtypur. Por e ndolli dialogu i ngrohtë, i beftë, me një pjalm luleje apo polen nga krahu i një future misterioze… Ishte diçka trallisëse, e bukur, e njëmendët, që mbase nuk do të përsëritet më, mendoi ai rrëmbimthi; kjo grua ishte aq e bukur, e çlirët, por, në sytë e saj, shihej një vuajtje e madhe, kush e di çfarë e mundonte?

    -Harruam të shtypim ashensorin,-tha ai…

    -Pikërisht tani shtype!,-murmuriti gruaja,-më kaloi…

    Ai shtypi zeron. Ashensori filloi të ulej ngadalë si i menduar apo i lodhur nga pesha e tyre, me një hungërimë të lehtë, me një gërvimë dhe një përplasje apo fërkim në muret e betonta. Dhe ajo, edhe një herë e pa. Sytë e saj kërkonin diçka, sikur donte ta ndihmonte për ndonjë pjesë tjetër të trupit që i dhimbte… Ai nuk mund ta pyeste… Ata zbrisnin…Sa do të zgjaste kjo pritje? Atij iu kujtua një tregim i Dino Buxatit: “Ashensori”, që zbriste në katet e nëntokës dhe befas u rrëqeth, po sikur ata të zbrisnin në katet e nëndheshme, por tashmë ashensori u ndal…Shyqyr zotit ishin në katin e parë…U mënjanua për të bërë vend që gruaja të dilte e para, por ajo u hutua, tundi krahun ku rrinte varur një çantë, dhe befas klithi:

    -Uuu, harrova celularin në shtëpi, sa e hutuar jam!…

    Dikush, nga lart, e mori ashensorin dhe dera u mbyll. Ata filluan të ngjiteshin; vuri re se në mes tij e saj shkundullonte një erë e lehtë, një parfum; nga flokët e saj vinte aroma e një vajzërie të brishtë, por ajo ishte grua…Në katin e dhjetë, doli.

    -Mirë u pafshim, – tha…

    E shtypi butonin, nuk i tha se e priste, si mund t’i thoshte, ndërsa e ndjeu se duhej t’i thoshte, por ishte guxim i tepruar… Zbriti ngadalë, por tanimë pa ndjesinë e tregimit të Buxatit, pa shikuar asnjë flutur, mos vallë ajo flutur ishte shpirti i saj i lodhur, që kishte nevojë për pak hapësirë, qoftë edhe për atë hapësirë ashensori? Si nuk e pyeti për emrin, po ç’kishte nevojë ta pyeste, ata tanimë ishin fqinj, do të kishte rast, ashensori ishte aty, dhe dera e saj përballë…Mori makinën dhe u nis për punë…Ishte si i turbulluar, dhe, në vështrim, përfytyronte se i hynin shkëndija, një rrjedhë e qetë me to…Kur u kthye pasdreke, priti pakëz para derës së ashensorit në katin e parë, kjo nuk ishte më veçse instiktive, diçka e vagullt që të ndillte, nëse do të arrijë pikërisht njeriu që ti mendon se do të vijë… U ngjit lart dhe hapi derën e apartamentit. Iu duk bosh…; një heshtje e zymtë vërtitej midis orendive, diçka mungestare…Nuk e kuptonte se çfarë, por i mungonte; risolli edhe një herë sjelljet e çuditshme të asaj gruaje të bukur…

    Ditët kalonin me imazhin e fluturës dhe, ndonëse ai nuk pa më asnjë flutur në ashensor, prapë besonte se flutura do të vinte, sapo të dukej ajo grua, misteri i shpirtit rrymëzon dhe shfaqet në trajta të ndryshme besonte.

    Një mbasdite kur po kthehej, kur e kishte harruar disi, sapo hodhi hapin në sheshpushimin e shkallëve, dëgjoi disa vrapime të forta që ngjiteshin nëpër shkallë. Qëndroi, i shtyrë nga një kuriozitet, mos ndoshta ndonjëri kishte hall dhe kërkonte ndihmë. Dhe papritur u shfaqën dy policë…

    – Zotëri, – tha njëri, – ti je ai? Diplomati shtangu.

    – Jo, – tha polici i dytë, – dera përballë!…

    -Na fal! – tundi kokën polici i parë…

    U drejtuan drejt derës përballë…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË