A është historiani i letërsisë edhe TEORICIEN LETRAR?
Studimi i letërsisë sonë, në shtrirjen e gjatë kohore, në variushmërinë e drejtimeve dhe individualiteteve letrare, nxjerr në plan të parë domosdoshmërinë e mbështetjes në një sistem nocionesh teorike mbi thelbin dhe specifikën e objektit (letërsisë), mbi konceptet themelore që kanë të bëjnë me procese të zhvillimit historik, si për shembull : koncepti mbi rrymat dhe drejtimet letrare, mbi poetikat që karakterizojnë çdo drejtim, mbi kriteret e zhvillimit të gjinive letrare, mbi konceptin e saktë të metodës krijuese, që ka të bëjë me shkrimtarët, por dhe të metodës interpretuese, që ka të bëjë me studiuesin. Ngritja mbi sistemin teorik jep sigurinë për të hetuar thellësitë e zhvillimeve letrare, për të shpjeguar çdo fenomen dhe evoluim mbi një bazë shkencore, për të depërtuar në strukturat e brendshme letrare, të shfaqura gjatë rrjedhës historike etj. Historia e zhvillimit letrar dhe teoria e letërsisësi dy mënyra të interpretimit, ndonëse duken si të largëta nga njera tjetra, ato janë shfaqje të dy akseve sistematike të letërsisë, të aksit diakronik dhe sinkronik, paradigmatik dhe sintagmatik, metaforik dhe metonimik. Këto dy disiplina aq sa kanë pikësynime të përcaktuara, aq janë edhe në ndërthurje reciproke me njera tjetrën.
Në mendimin teorik bashkëkohor, raporti i historisë së letërsisë me teorinë shihet si një problem i diskutueshëm, madje besohet se tashmë ky raport është në krizë. Studiuesja franceze, Eva Kushner, synon të shpjegojë pikërisht këtë krizë, duke premtuar se “ do tentojë të përcaktojë transformimin e qëllimeve dhe rolit të saj”. (të historisë së letërsisë, shën.im, F.D. ) (Eva Kushner, “Articulation historique de la literature”, në librin : Theorie Litteraire, Problemes et perspectives, Sous la direction de Marc Angenot, Jean Bessiere, Eva Kushner,Douëe Fokkema, PUF, Paris, 1989, f.109) Për mendimin tim ky është një pohim që nuk mund të sjellë ndryshim në thelbin e historisë së letërsisë, sepse: së pari, qëllimi dhe detyra e saj është konsoliduar prej më shumë se dy shekujsh, sepse interesi njerëzor për njohjen dhe interpretimin e traditës letrare, që nga fillimet deri në ditët e sotme, mbetet i pandryshueshëm, mbetet, më shumë se sa “kuriozitet”, Së dyti, raporti i historisë së letërsisë me teorinë letrare nuk mund të jetë kurrë në krizë, sepse është një domosdoshmëri, që nuk varet nga dëshira e njerit apo tjetrit studiues, por nga thelbi, nga natyra e brendshme e këtyre dy disiplinave, që kanë një objekt të përbashkët – letërsinë. Në vlerësimin e problemit të lidhjes midis historisë së letërsisë dhe asaj se si duhet kuptuar një tekst letrar, historiani ka parasysh, në radhë të pare, se teoria është një perceptim sa thelbësor, logjik, abstrakt i letërsisë, aq edhe perceptim estetik. Duke mos qenë qëllimi i saj përshkrimi i një dukurie letrare, ajo interesohet për principet e përgjithshme, fenomenologjike dhe ontologjike të letërsisë. “Ajo nxjerr tiparet përcaktuese, konstante dhe të pandryshueshme (sistemi) dhe funksionet e letërsisë nga karakteristikat e ndryshueshme, variable dhe historike. Ajo përkufizon dhe kodifikon, në gjuhën e saj, rregullat e brendshme, konvencionet dhe idetë e praktikës letrare-artistike. Ajo mund ta arrijë këtë, herë në kontakt të drejtpërdrejtë me praktikën letrare (programe, manifeste, rishqyrtime) dhe herë në formën e rindërtimit të principeve letrare të brendshme dhe qëndrime poetike të pa sistemuara dhe të ngatërruara, të shprehura në formën e auto-refleksionit në veprën letrare, ose në formën e pikëvështrimeve të përfshira në skemat filozofiko-estetike, religjioze dhe etike dhe premisat e epokës.” (Kata Kulakova, Theory of Literature, Slovo, Skopje, Republik of Macedonia, 1999, f.237). Kjo studiuese i konsideron këto si manifestime analoge të dy akseve sistematike të letërsisë: atij diakronik dhe sinkronik, duke e konceptuar mënyrën diakronike të pajtueshme me historinë, kurse mënyrën sinkronike të pajtueshme me teorinë.
Për mendimin tonë kjo pajtushmëri e qasjes sinkronike me teorinë nuk është e saktë, sepse teoria është një përgjithësim mbi dukuri letrare që shfaqin, formësojnë veçoritë tipologjike gjatë rishfaqjeve historike; ndërsa qasja sinkronike ka pajtushmëri me kritikën letrare. Pra, ajo çka është e rëndësishme në njohjen e lidhjes së saj me Historinë e Letërsisë është pikërisht marrja parasysh e faktit se çdo përkufizim teorik, tipologji që ajo përcakton ka edhe një dimension historik, domethënë mbart në vetvete shenjën e problemit letrar, që i përket një momenti të caktuar historik, një modeli kulturor estetik dhe etik, ideologjik, social etj., në të cilat kjo letërsi është formësuar.
Perspektiva diakronike e historisë së letërsisë ka të bëjë me gjenezën e gjinive dhe formave letrare, ndërsa teoria përqendrohet te veçoritë e sistemit letrar, të strukturës artistike, të qëndrushmërive dhe variacioneve të tyre, te modelet dhe tipet e ndryshme. Për këtë arësye historia e letërsisë dhe teoria kanë ndërveprime reciproke. Kjo nuk do të thotë që teoria është historike, por objekti i saj (letërsia), brenda tipareve thelbësore të qëndrueshme, është një dukuri edhe historike. Raporti midis këtyre disiplinave letrare konkretizohet, për shembull, në faktin se teoria e shpëton historianin e letërsisë nga interpretimi thellësisht subjektiv. Gjatë procesit kur historiani vëzhgon fenomenin letrar, seleksionon, krahason, klasifikon, duke krijuar tipologji të caktuara, teoria e ndihmon jo vetëm për të realizuar këto veprime përgjithësimi, studimi, por edhe për të dalluar atë që është e rëndësishme në procesin e zhvillimit historik të gjithë letërsisë sonë, atë që është thelbësore e dominuese nga e rastësishmja. Teoria e ndihmon në zgjedhjen e metodave të interpretimit dhe, ndonëse duken sikur janë të kundërta me njera tjetrën, ato ndërveprojnë. Për shembull, që historiani i letërsisë sonë të arrijë, për shembull, në konkluzionin se : “ Romantizmi është periudha, në pikëpamje stilistike, më homogjene e letërsisë shqipe”, (Rexhep Qosja : Historia e Letërsisë Shqipe, Romantizmi, I, Rilindja, Prishtinë, 1984, f.7 ) ky pohim përmban në vetvete vëzhgime historikoletrare mbi bazën e koncepteve të caktuara teorike, mbi poetikën dhe strukturën letrare të veprave që i përkasin këtij drejtimi letrar. “Studimi historikoletrar-shkruan historiani i letërsisë R.Qosja-, aq më shumë studimi modern historikoletrar, i bazuar në parimet e poetikës strukturale historike, mund të realizohet vetëm në saje të nocioneve dhe të termave teorikë dhe historiko-letrarë, domethënë në saje të termave që janë të shkencës së letërsisë.” (Po aty, f.10 ) Mbështetja në konceptet teorike e ndihmon këtë historian të arrijë në konkluzione që shpesh korregjojnë pohimet e bëra në tekstet e mëparshme, lidhur me drejtimet letrare që lulëzuan në periudhën e Rilindjes Kombëtare,
Historia dhe teoria janë dy mënyra të qasjes së fenomenit letrar, jo të kundërta, por që plotësojnë njera tjetrën; ndërsa e para kërkon gjenezën e gjinive dhe formave letrare, evolucionin dhe variacionet e tyre, në kohë dhe në hapësirë, teoria orienton mbi thelbin e strukturës dhe sistemit letrar, qëndrushmërinë dhe ndryshueshmëritë e tyre, modelet dhe normat krijuese, etj. Vlen pohimi i studiuesve Wellek dhe Warren, se “Vepra e artit është edhe “e përjetshme” (domethënë ruan një kuptim të caktuar për të gjitha kohët), edhe “historike” (domethënë kalon nëpër një proces të hetueshëm zhvillimi)…” Në këtë mënyrënjohim rolin e teorisë së letërsisë për të kuptuar drejtë raportin midis qëndrushmërisë dhe evolucionit të letërsisë, në çdo kohë të interpretimit të saj.
Në marrëdhënien midis historisë dhe teorisë së letërsisë, është me interes pikëpamja që e konsideron të pamundur shmangijen e këndvështrimit historik, por duke vënë në plan të rëndësishëm ndjekjen e rrugës historike përmes njohjes teorike. Kjo do të vlente për të mos i parë vepra të ndryshme si “fund të një zinxhiri shkakësor, si një pasojë që ka kuptimin e vet në atë që i paraprin, por përkundrazi në qendër të një marrëdhënieje, si një element dinamik dhe aktiv”. Lidhja midis historisë së letërsisë dhe teorisë përcaktohet edhe nga fakti se letërsia, që në periudhat më të hershme të lulëzimit të saj, i është ofruar lexuesve si prodhim i një konteksti të caktuar; këtë e ka bërë historia e letërsisë. “Një teori letrare, përderisa studion funksionimin e teksteve dhe kushtet shoqërore të këtij funksionimi, s’ka të drejtë të lerë pas dore problemin e historisë letrare; përkundrazi, analiza kritike e historisë letrare bëhet e detyrueshme sepse është ajo që, me zgjedhjet dhe nxitjet e saj, kushtëzon perceptimin dhe interpretimin e letërsisë. Teoria, që ka shpesh pretendime sinkronike dhe jashtëkohore, s’mund t’i shpëtojë historisë, as t’i bëjë bisht asaj. Ndaj duhet ngritur troç pyetja se ç’vend i duhet dhënë historisë letrare në kuadrin e një persiatjeje teorike mbi letërsinë” (THÉORIE DE LA LITTÉRATURE, Collection des langue. (Sous la directin de Henri Hierche), Picard, Paris, 1981, f. 226)
Studim historiko-empirik apo historiko-teorik ?
A mbulojnë këto vështrime dy stade të ndryshme të zhvillimit të letërsisë shqiptare ? Në aspektin metodologjik studimi historiko-empirik i letërsisë së një periudhe të caktuar si dhe trajtimi historiko-teorik janë dy akte të të njejtit proces studimi. Domethënë, për historianin grumbullimi i fakteve dhe kalimi në përgjithësimin e tyre janë të pashkëputura. Në lëvizjen nga fakti letrar te teoria e dukurisë letrare, historiani realizon vërtetimin e teorisë. Për shembull, nëse Sabri Hamiti arrin në konkluzionin se shkolla moderne shqiptare “Nuk ka stil unifikues të epokës, sepse formohen e forcohen individualitetet krijuese dhe poetikat individuale.” (Sabri Hamiti : Shkollat letrare shqipe, Prishtinë, 2004, f.18) kjo tezë është sa historikoletrare, aq dhe teorikoletrare; ajo verifikohet nga analiza që u bën autori poetikave të shkrimtarëve që i përkasin kësaj shkolle letrare.
Duke e kuptuar kështu këtë marrëdhënie historia dhe teoria janë dy mënyra përgjithësimi letrar, që ndihmojnë në zhvillimin e njera tjetrës. Pa historinë e letërsisë teoria nuk do të mund të përgjithësonte dhe të përpunonte konceptet e veta ; teoria e objektit është e plotë dhe e saktë kur niset nga njohja e vetë objektit, e ligjeve dhe historisë së zhvillimit të tij. Mbi këtë bazë teoria përpunon parime estetike që burojnë nga vetë thelbi i objektit (letërsia) dhe i përgjigjen atij. Nga ana e vet teoria i jep historianit të letërsisë vështrimin e thellë dhe bazën teorike, nga e cila ai niset për të studiuar, vlerësuar, tipologjizuar dukuri apo vepra letrare, të cilat përbëjnë historinë e zhvillimit të letërsisë sonë.
Dimensioni i lidhjes midis historisë së letërsisë dhe teorisë bëhet thelbësor, sepse, difekti themelor i hartimit të historive të letërsisë shqiptare ka qenë mungesa e lidhjejeve të saj me teorinë e letërsisë. Mungesa e teorisë shkencore mbi thelbin e letërsisë, si arti i fjalës, njohuritë e cekta, të papërpunuar në nivelet e vërteta të artit letrar, sollën një varg shmangiesh në kuptimin dhe interpretimin e zhvillimit historik të letërsisë sonë. Sollën një vështrim përgjithësisht sipërfaqësor mbi fenomenet letrare, një mospërcaktim të saktë të hierarkisë së vlerave letrare në zinxhirin e letërsisë, që nga fillimet e deri në fund të shekullit XX.
Nëse do flitet për evolucionin e letërsisë sonë në vitet e fundit, është në radhë të parë vështrimi teorik që orienton të hetoet ky zhvillim në dy drejtime themelore: 1. Në procesin e formimit dhe stabilizimit të një dominateje letrare (moderniste, postmoderniste, apo..?), dhe 2. në hetimin e ripërtëritjes, zëvendësimit të normave të vjetra me të reja, etj. Dhe është e rëndësishme të pranojmë se sfida e vërtetë e studimeve të sotme lidhet me njohjen e faktit se çdo teori letrare është në pozicion kundërshtues me teoritë e tjera, çka përcaktohet nga vetë zhvillimi i letërsisë. Kjo vlen për gjithë fazat e zhvillimit të letërsisë sonë.
A është historiani i letërsisë edhe KRITIK LETRAR ?
Nëse kritika e sheh letërsinë në një rrafsh sinkronik, dhe historia në rrafsh diakronik, shfaqet menjëherë një problematikë, që ka të bëjë me detyrat që kryen çdo disiplinë, por edhe me raportet e ndërvartësisë midis tyre. Në hartimin e historisë së letërsisë, vështrimi në plan sinkronik, në një farë mase, e përjashton lidhjen e kritikut me vepra, apo autorë të së shkuarës, ndërkohë që kritika përqendrohet në dukuri letrare që ekzistojnë sot për ne dhe jo në ato që kanë ekzistuar për lexuesit e mëparshëm. Historiani i letërsisë priret të gjejë në çdo dukuri letrare, edhe lidhjen mes vlerave të sotme dhe të së shkuarës, duke i përgjithësuar ato në mënyrë sistemike. Në qoftë se historia e letërsisë sonë do kishte, si një ndër rindërtimet më të rëndësishme të saj, ndryshimet, konsolidimin e formave gjinore, apo aspekteve të tjera të shumta të zhvillimit historik të letërsisë sonë në planin diakronik, problemi kryesor do të ishte se sa studiuesi i sotëm do të mundëte të zbulonte dhe interpretonte cilësitë estetike të veprës, dukurisë letrare, duke patur parasyshn kushtet historike që e kushtëzojnë atë. Pra të shihen këto vepra si historikisht të individualizuara.
Në themel të raportit të historianit të letërsisë me kritikën letrare, do të ishte kuptimi i veprave të traditës sonë letrare nën pikësynimin se, sa njera (historia e letërsisë), apo tjetra (kritika), janë edhe një përgjigje, apo reflektim për vetë historinë tonë. Në pikëvështrim të njëanshëm do të dukej se ka një kontrast midis studiuesit dhe kritikut letrar ( ku i pari ndjek historinë letrare, ndërsa i dyti interpreton dukurinë e veçantë); në të vërtetë kjo dyshe i jep kësaj përballjeje një dimension të ri : historiani i letërsisë përfiton nocionin e seriozitetit dhe vlerësimin profesional të fenomenit letrar, ndërsa interpretimi i kritikut përqendrohet tek zbulimi i talentit krijues, i aktit individual të krijimit, por jo i shkëputur nga sfondi i përgjithshëm. Historia e letërsisë duket se është më shumë shkencore se kritika, por ajo nuk është më pak larg imagjinatës, që karakterizon kritikën letrare. Pra dallimi midis tyre nuk ka të bëjë me seriozitetin dhe karakterin shkencor të interpretimit, por me pikëvështrimet specifike të fenomenit letrar.
Në vështrimin thelbësor të saj historia e letërsisë është ndjekja e fenomenit letrar në kohë dhe vetë termi “histori’ patjetër mund të përfshijë lloje të ndryshme studimi. Për shembull, nëse historiani do të përqendrohet tek zhvillimi i disa aspekteve të teknikave letrare të letërsisë së periudhës midis dy luftrave, (p.sh. zhvillimin e formave narrative), ai do ketë si fond të përcaktimeve të veta krahasimin me format paraardhëse, me dukurinë e përmirësimit të atyre paraprijëse. Në këtë rast vështrimi historik qartëson evolucionin historik. Por, nga ana tjetër, kjo kërkon edhe ruajtjen e një ekuilibri interpretues, kur është fjala për risi artistike individuale të një autori, i cili nuk zgjidh një problem teknik letrar të ndjekur nga pasardhës të tjerë. Atëhere, a do të shihet kjo dukuri si një fenomen në kufij historikë?
Historia e Letërsisë ka nevojë për kritikën letrare atëhere kur kjo e fundit është në gjendje të përcaktojë ndryshimet në konvencionet letrare. Duke qenë se koncepti i ndryshimit është një kategori historike, atëhere duket qartë se, ndonëse në vështrim të parë historia e letërsisë nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me interpretimin e veprave të caktuara, në të vërtetë raporti i saj me kritikën është më i brendshëm, sepse veprimet dhe konkluzionet e saj janë presupozim i gjithë veprimtarisë kritike. Në momentin që historianit të letërsisë së periudhës midis dy luftrave do t’i duhet të përcaktojë, për shembull, rolin e poezive të Migjenit në procesin e zhvillimit të poezisë shqipe, atëhere problemi i parë teorik që do të dilte është : a do të shiheshin këto poezi në kontekstin bashkëkohor të gjenezës dhe audiencës së vet, apo edhe si përvojë e sotme ? Pra si duhet të ndërtohet marrëdhënia midis historianit dhe kritikut? “siç shihet, ne nuk mundemi, pra nuk jemi në gjendje të izolojmë këto dy aspekte të domosdoshme : thjesht të bësh të më përparshmen është të zhytesh në disa lloj antikuaresh, të bësh thjesht të mëvonëshmen do të thotë të ndjekësh të gjitha rreziqet e moskuptimit të Kritikës së Re” (“New Direction in Literary History”, Ralph Cohen, John Hopkins University Press, 1974, f.54)
Duke pranuar pikëpamjen e Mukarovskit se kritika e shikon veprën letrare si një strukturë të fiksuar dhe të realizuar, si një konfiguracion i qëndrueshëm dhe qartësisht i artikuluar, ndërsa historia merr një strukturë poetike në lëvizje konstante, do të duhej të kuptohej më mirë thelbi i këtij dallimi, që ka brenda vetes edhe shtratin e përbashkët. (Cituar sipas Rene Wellek, , Concepts of Criticizm, Yale Univ.Press, Neë Haven & London, 1963, f.42) Nëse themi se kritika letrare nuk mund të përjashtohet nga historia letrare, kjo vjen nga fakti se dhe vetë dukuritë letrare të një momenti të caktuar, bashkëkohor, nuk mund të konceptohen thjesht si një sekuencë standarte dhe e pavarur nga evoluimi historik i letërsisë. Nëse për shembull, kritika letrare e sotme arrin në konkluzionin për karakterin modern të prozës shqiptare, kjo, padyshim, shpreh lidhjet e saj me njohjen e rezultateve të historianëve të letërsisë, të cilët, duke ndjekur procesin e evoluimit letrar të prozës, në periudha të ndryshme historike, janë në gjendje të karakterizojnë dukuritë letrare të bashkëkohësisë.
Lidhja e historianit të letërsisë me kritikën letrare varet edhe nga periudha të caktuara të letërsisë sonë. Për shembull, letërsia e periudhës midis dy luftrave i është nënshtruar gjykimeve dhe interpretimeve të kritikës letrare të kohës. Historiani, që do të ketë objekt letërsinë e kësaj periudhe, sigurisht që ka interes të veçantë për rezultatet, interpretimet e kritikës letrare të asaj periudheShtrimi i kësaj teze, mendoj se është i rendit të parë! Sepse nuk ka të bëjë thjesht me rëndësinë e kritikës letrare për studimin e përgjithshëm të letërsisë sonë, por sepse hap kuptimin e vërtetë të studimit letrar, në çfardo lloj plani qoftë ky pikëvështrim. Çeshtja mbetet në zgjidhjen e dilemës : a do të qëndrohet në interpretimet individuale të veprës, apo do synohet të shkohet drejt zgjerimit të vlerësimeve në kontekstin e autorit dhe periudhës ? Pra çfarë lloj sinteze do të bëjmë ? Gjithashtu, sepse çdo vepër letrare, apo dhe drejtim letrar, kur interpretohet në planin bashkëkohor, pra nga kritika, ka në substratin e brendshëm të saj edhe manifestimin e zhvillimit historik. Gjithashtu, sepse, çdo vepër, autor, apo drejtim letrar, edhe kur shihet në planin historik, ka brenda vetes marrëdhënien e padukshme, të “parashikueshme” me fenomenet letrare që, në kohë dhe hapësira të ndryshme, ripërsërisin zhvillimet e letërsisë kombëtare dhe më gjerë.Nëse do të pranonim se objekti i historianit, kur merr pozicionin e kritikut, është “gjeneza dhe vlera, zhvillimi, rendi, pra vepra si prodhim i së shkuarës dhe vepra si përvojë në të tashmen”, nga ana e vet kritiku e koncepton strukturën e veprës si të lindur që në gjenezën e saj, por që ka funksionimin e saj aktual. Në këtë marrëdhënie qëndron problemi midis gjenezës së shkuar dhe funksionit të tanishëm, midis rolit të kërkimit historik dhe parësisë së gjykimit kritik.
Lidhja logjike me kritikën letrare, ka vlerën tjetër të madhe, sepse enxit historianin e letërsisë të mos i shohë veprat thjeshtë dhe vetëm në domethënien e tyre, por të vlerësojë edhe aspektet e brendshme artistike.
Si do të ishte interpretimi historik dhe kritik i krijimtarisë së një varg autorëve të traditës sonë letrare, (për shembull F.Shiroka, L.Gurakuqi, H.Mosi, R.Siliqi, M.Grameno, K.Floqi, etj.), nëse do t’i referoheshim marrëdhënies midis gjenezës së shkuar dhe funksionit të tashëm? Domethënë, çfarë duhet të ketë parasysh historiani i letërsisë për të gjetur ekuilibrin midis kuptimit të tanishëm dhe domethënies së tij të shkuar ? Cili aspekt ka përparësi ? A mund të mendohet se puna e historianit të letërsisë shkon thjesht sipas skemës së zbulimit të : A-ja vjen si pasojë e B-së ?, kurse puna e kritikut ka të bëjë me skemën A-ja më e realizuar artistikisht se B-ja ? Këto pyetje shtrojnë problemin e rëndësishëm metodologjik : cili është objekti i vërtetë i studimit të historianit ? Vepra si përjetohet sot? Apo duhet vendosur një ekuilibër në pikëvështrimin e këtyre dy aspekteve : të marrëdhënies së gjenezës me aspektin e vlerësimit ?
Pra, raporti histori e letërsisë-kritikë letrare krijon mundësinë për të mos e përfytyruar historinë e letërsisë vetëm si histori formash stilistikore, as si histori personalitetesh, as si histori veprash të veçuara nga rrjedha e brendshme e zhvillimit të letërsisë sonë kombëtare, por si histori raportesh dhe bashkëlidhjesh, ku tensionet e një kohe, e një epoke, mishërohen në vlera arti. Duke njohur dallimet, identitetet e këtyre dy disiplinave, përfytyrimi mbi kriteret e ndërvartësisë reciproke në hartimin e historisë së letërsisë, bëhet më i qartë dhe më efektiv.
# # #
Vetëm duke e kuptuar drejtë marrëdhënien midis historisë së letërsisë, teorisë dhe kritikës letrare, mund të bëhet e mundshme që hartimi i Historisë së Letërsisë Shqiptare të konceptohet si një parashtrim, studim integral i letërsisë sonë, që nga fillimet e deri tani, në fillim të shekullit XXI. Nëse synimi i kritikës është interpretimi i së veçantës së një autori, apo teksti, kjo patjetër është e lidhur ngushtë me atë që është universale, pra me thelbin e letërsisë në gjithë zhanret dhe llojet e shfaqjes së saj. Në këtë kuptim teoria e letërsisë qëndron në themelin e çdo vëzhgimi dhe interpretimi të letërsisë, duke krijuar një shtrat të sigurtë të përfytyrimit për historiografinë letrare. Këto disiplina, për fat të keq shumë pak të vlerësuara në metodat studimore, mund të konceptohen , nga njera anë si një sistem hierarkik dhe koherent midis marrëdhënieve reciproke – historike dhe sistematike, të origjinës dhe të brendshme. Kjo specifikë marrëdhëniesh e detyron historianin e letërsisë që të mos mbetet peng i faktorëve të jashtëm, siç ka ndodhur deri në hartimet e fundit, gjë që ka cënuar kriterin estetik dhe kriterin e objektivitetit shkencor. Mbështetja në teorinë letrare e ndihmon për të vendosur raporte të drejta midis kontekstit dhe tekstit, të sistemojë proceset e zhvillimit historik të letërsisë shqiptare, jo thjesht dhe vetëm sipas kushtëzimeve historiko-kulturore, por edhe sipas principeve, mbi të cilat funksionon sistemi letrar, në kuptimin universal, por dhe në pikëvështrimin e specifikave të veçanta të tij.
Hapja e mendimit teorik zbulon sot para nesh konceptin e qartë se, mbi ç’bazë metodologjike studimet tona duhet të synojnë arritjen e konkluzioneve të përgjithshme mbi zhvillimin e letërsisë sonë, ndërtimin e një rendi tipologjik të fenomeneve letrare dhe veprave, që përbëjnë fakte të dukshme, të rëndësishme në këtë proces historik.
Kjo do të thotë se historia letrare nuk mund të realizohet jashtë lidhjeve të domosdoshmes me disiplina që kompletojnë njohjen shkencore, si teoria dhe kritika, ndonëse pikëvështrimet dhe qasjet e tyre ndaj letërsisë janë specifike.