More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFloresha Dado: Sfidat e Xhevat Lloshit në interpretimet e disa veprave letrare

    Floresha Dado: Sfidat e Xhevat Lloshit në interpretimet e disa veprave letrare

    Për herë të parë vjen një përmbledhje shkrimesh (që kanë peshën e studimeve shkencore) ku lexuesi do të befasohej për teza që u kundërvihen trajtimeve të deritanishme të studiuesve dhe kritikëve letrarë mbi vepra të letërsisë sonë. Madje ka teza që ‘trondisin’ këtë opinion interpretues, të krijuar prej dekadash në mjedisin tonë shkencor.  Nuk është fjala për fshirje vlerash…por për kuptime të reja, për përmbysje kuptimesh mbi specifika të veprave të spikatura të letërsisë sonë, duke nisur nga Meshari i Buzukut dhe autorët e shek.XVI e në vazhdim, deri te shkrimtarët më të shquar të gjysmës së parë të shekullit XX. Vetëm një ndjeshmëri e veçantë për letërsinë dhe nervi i një studiuesi të fjalës në ligjërimet e ndryshme të saj, mund të bënte që një gjuhëtar (stilisticien) të zhytet thellë në strukturën e brendshme të krijimit letrar dhe ta interpretojë atë, jo vetëm me parime e kritere shkencore, por edhe me ndjeshmërinë dhe ngjyrat e një ligjërimi mbreslënës. Gjuhëtari i njohur Xh.Lloshi në një farë mënyre befason, shfaqet i veçantë si studiues i letërsisë, duke i dhënë vlerë lidhjes së ngushtë të shkencës së gjuhësisë me studimin letrar. Kjo lidhje ish konfirmuar që me Formalistët Rusë, Shkollën e Gjenevës, tezat e De Sosyrit, Strukturalizmin, etj. por, në praktikën tonë të interpretimit të letërsisë marrëdhënia midis dy shkencave, që kanë objekt studimi fjalën (në funksionet e ndryshme të saj), përgjithësisht është konceptuar më shumë formalisht dhe këto dy shkenca pothuajse mbetën të ndara secila në objektin e vet…Shkrimet e vëllimit ‘Vështrime Stilistike’ konfirmojnë vlerën dhe thelbin e brendshëm të këtij raporti, duke dëshmuar se sa thellë duhet të shkojë qasja e çdo studiuesi në interpretimin e veprës letrare. Të gjitha shkrimet, me tezat e reja, kundërshtojnë dhe provokojnë studiuesit e letërsisë.

    Metodologjia e studimeve

    Është shtylla që mbështet konceptet bazë të studiuesit, që orienton raportin e tij me veprën letrare. Mendoj se parim i rëndësishëm i metodologjisë së studimit të letërsisë prej Xh.Lloshit është largimi nga pohimet e karakterit të përgjithshëm, me epitete… dhe zhytja në strukturën e brendshme për të provuar, me koncepte dhe analizë shkencore,  pse x-autor është poet i madh, pse y-autor është përkthyes i shquar etj. Parimi metodologjik se ‘thellimi te e veçanta shtron rrugën për përgjithësime më të hapta’, përqendrimi te teksti, vështrimi gjuhësor/stilistik jo thjesht në aspektin teknik që varfëron ndjenjën, emocionin, depërtimi në thelbin e brendshëm të shkakut për shembull të stilit satirik, shpotitës, humorit përqeshës deri agresiviteti i hapur (F.Konica…) zgjojnë vemendjen për mënyrën e qasjes shkencore. Boshti i nënkuptuar në konceptin e një punimi shkencor mbi tekstin letrar të Xh.Lloshit është edhe : duhet shkruar për një autor apo për një vepër letrare atëhere kur qasja sjell një kuptim origjinal, specifik, të pa thënë më parë, qoftë edhe nëse ky interpretim është i ndryshëm nga rezultatet e deritanishme.

    Duke lexuar me kureshtje shkrimet e këtij vëllimi arrij në konkluzionin se tre janë tiparet themelore të metodologjisë së këtij autori : a) Njohja, pothuaj në mënyrë shterruese, e studimeve të mëparshme mbi veprën që interpretohet rishtazi. b) Sjellja e fakteve të reja, si rezultat i kërkimeve arkivore dhe bibliografike. c) Qasja stilistikore/ligjërimore në interpretimin vetiak, nisur nga pesha e fjalës në letërsi…  Mbi bazën e këtyre aspekteve, thelbësore për çdo studim shkencor, autori shkon natyrshëm, dhe me kokëfortësi, drejt përvijimit të kuptimeve të reja, drejt kundërshtimit të interpretimeve të bëra deri tani, drejt polemikave shumë serioze, por korrekte, me një numur të madh studiuesish të letërsisë, shqiptarë apo dhe të huaj. Kështu, sipas tij, mbështetur në shqyrtim semantik, stilistik e tekstor, leksiko-gramatikor dalin veçori të pavëna re më parë që ndryshojnë disa përcaktime, për të ardhur, për shembull, në pohimin se Meshari nuk është përkthim liturgjik fetar, se është larg nga një tip i tillë kanonik, se Buzuku bëri një libër fetar shqip, duke qenë ‘idealisti i parë i librit shqip, i gjuhës shqipe’. f.300 Vjen ndryshim, gjithashtu, në interpretimin e deritanishëm të simbolit të Fyelli-t (N.Frashëri), duke u nisur nga teksti dhe jo parateksti (Rumiu), madje duke marrë si paratekst poezinë Fjalët e qiririt. Depërtimi në thelbin e brendshëm sjell pohimin : ‘qiriu është simbol dhe fyelli krahasim, se qiriu vjen si metaforë, si njëjtësim nga ngjashmëria, kurse fyelli si metonimi, si ngjashmëri pa njëjtësim, por me pranëvënie.’f.28.  Përballet kështu një interpretim i ri i dy poezive.

    Kërkimet arkivore dhe njohja e literaturës shkencore të deritanishme u japin shkrimeve të Xh.Lloshit vlerën e zbulimeve thelbësore mbi personalitetin e autorit. Të dhënat rreth biografisë së Kristoforidhit, të aktivitetit të tij botues, depërtimi në strukturën e Gjahu i malësorëve, duke hapur diskutim për karakterizimin gjinor (e quan ‘skeçi i parë shqip, ndërkohë që në tekstet shkencore është përcaktuar si ‘më i vjetri tregim i prozës artistike’). Por, për herë të parë pohoet se ky krijim i K.Kristoforidhit ka një trajtë të pazakontë, ku ndërthuren tri forma letrare: skeçi, proza dhe ndërhyrjet e autorit në shpjegimet që jep për shqiptarët…Argumentimet e Xh.Lloshit për këtë specifikë gjinore si dhe synimet e këtij krijimi, të veçantë në llojin e vet, përbëjnë një interpretim origjinal në studimet tona..

    Në tezat e reja që sjell, si në analizën e poezisë Marshi i Barabajt (F.Noli), apo të veçantën e Lirizmit të lirikut L.Poradeci, apo Dy gjedheve stilistike të Fishtës studiuesi ndërton një strukturë krejt të veçantë të kuptimit të krijimeve poetike. Kështu poezinë e Nolit nuk e sheh thjesht si shkrim me tingëllim biografik, por si një përpjekje për ‘sublimim poetik të vetvetes’, ‘si një përfytyrim i Fan Nolit nga poeti Fan Noli’. Sipas autorit të studimit “Noli kërkonte që jeta e tij të mbetej në një lexim universal, mitologjik, sublimues për arratinë e tij. Kërkonte një fitore artistike përkundër një disfate politike” f.93, dhe në këtë mënyrë studiuesi kundërshton të gjithë interpretimet që e kanë lidhur këtë poezi, por edhe të tjera, me ‘hesapet politike’. Qasjet origjinale ndaj figurës së Nolit i ndeshim edhe kur synon të shpjegojë shkencërisht përse Noli ishte një përkthyes i shquar dhe sekretin e gjen në katër aspekte themelore : a) në raportin e ngushtë që krijon përkthyesi me veprën që përkthen, b) në raportin e veçantë që vepra duhej të krijonte me lexuesin;  c) në përjetimin e roleve të personazheve si një aktor dhe d) në përpjekjen që teksti i përkthyer të tingëllojë bukur. Është një përgjithësim i veçantë dhe origjinal ideja se kur përkthente Noli nuk kishte përpara një tekst, por një pamje njerëzore të shndërruar në një tekst.

    Ndërsa lidhur me disa teza kontradiktore që janë shfaqur në kritikën letrare për poemën e Gj. Fishtës. Xh.Lloshi ndjek dy burimet që ushqyen poetin : krijimet epike të letërsisë greko-latine e deri në krijimet e kohëve më të reja evropiane, si dhe eposi i kreshnikëve, pra gjedhja folklorike. Mbi 15 raste të dukurive poetike konstatohen në këtë punim për të provuar ndryshimin e ndikimit të gjedhes folklorike, apo tek satirat, ku ndihen ndikimet e satirave të antikitetit çka reflektohet edhe në natyrën më artificiale  të këtij lloji poetik. Ndryshe nga pikëpamjet që janë shprehur nga studiues e kritikë, sipas Xh.Lloshit në letërsinë e asaj periudhe ‘poema epike (jo folklorike)  ka dështuar, nuk ka arritur të ndërtohet as me dy veprat e mëdha të N. Frashërit e të Gj. Fishtës dhe as me krijimet e arbëreshëve të Italisë. (123). Referimet me qasje kundërshtuese ndaj studiuesve që kanë shkruar për lirizmin e Lasgushit janë të shumta, si G.Petrota, K.Maloku, E.Çabej, R.Qosja,… Shpesh kritika bëhet e ashpër… Autori njeh mirë interpretimet e studiuesve të shumtë të Lasgushit, zbulon kontradiktat dhe kundërshtitë midis tyre; ndërkohë që, nga ana tjetër, kundërshton disa trajtime të deritanishme. Gjithashtu, duke marrë në shqyrtim mjetet shprehëse stilistike të poezisë lasgushiane, vjen në tezën që pranimi i lirizmit, si ligjërim i veçantë stilistik, kërkon patjetër zbërthim edhe të ligjërimit vetiak të poetit (prandaj krijon termin ‘lirizëm lasgushian’), madje propozon idenë që koncepti i lirizmit duhet të zgjerohet edhe në nivelin e teorisë. Në specifikimin e tipareve thelbësore të lirikës lasgushiane autori e sheh këtë origjinalitet te ndryshimi i trajtave morfologjike, te shndërrimet fonetike të fjalëve, te zgjerimi i neologjizmave, te ndërtimet e larmishme sintaksore, te një lloj mjegullimi i kuptimeve që së bashku krijojnë harmoninë e përsosur.Të gjitha këto i quan përpjekje për eksperimentim, si tipar themelor të një poeti të vërtetë.

    Siç e thashë më parë, njohja e rezultateve të studiuesve të tjerë është parim i rëndësishëm i metodës kërkimore të autorit i cili, mbas ballafaqimit të drejtpërdrejtë, shkon në teza të reja lidhur me “rrëfenjësin Mitrush Kuteli”. Në kundërshtim me shumicën e studiuesve autori veçanësinë e prozës së Kutelit nuk e gjen te përpunimi i prozës tregimtare, ose folklorizmi. Për të provuar pikëpamjen e tij vëzhgon disa tipare themelore që karakterizojnë folklorin gojor, të cilat Kuteli jo vetëm nuk i ka shfrytëzuar, por, përkundrazi i gjen krejt ndryshe te ky prozator. Kështu vjen konkluzioni se ‘vepra e Kutelit nuk është nisur  nga folklori, edhe kur shfrytëzon mjetet e tij, ajo është krijim i mirëfilltë i letërsisë artistike të kultivuar, i nisur nga rrëfimi gojor, madje-sipas tij-ajo i dha formë të plotë një stili të prozës së kultivuar.’ Kjo tezë shtjellohet përmes krahasimit dhe dallimeve midis përrallës dhe prozës së Kutelit. Sipas tij folklori nuk është objekt dhe burim parësor.  Rrëfimi i Kutelit nuk është folklori, por tip i ligjërimit të folur, sepse nuk përfton vepra që pastaj rrëfehen gojë më gojë… Pra kemi një tip rrëfimi artistik. Me këto pohime Xh.Lloshi zhvillon një qasje më specifike; jo vetëm kundërshton trajtimet e deritanishme, por i jep përmasë tjetër vlerës së rrëfimit kutelian, duke e drejtuar vemendjen në çeshtjen thelbësore të ligjërimeve të ndryshme stilistike. Krahas kësaj saktëson terma të përdorur nga studiues të ndryshëm.  Duhet thënë se një ndër parimet metodologjike të Xh.Lloshit është se autorët e interpretuar i sheh jo të shkëputur, por në procesin e zhvillimit të trashëgimisë letrare. Por, mbi të gjitha, vëmë re se si tipar thelbësor metodologjik në studimin e veprës letrare Xh.Lloshi ka depërtimin në strukturën ligjërimore të tekstit, raportet e brendshme të aspekteve thelbësore të saj.

    Metodat e interpretimit

    Në vartësi të konceptit metodologjik mbi studimin e tekstit letrar në shkrimet e Xh.Lloshit shfaqet natyrshëm shfrytëzimi i disa metodave.Sigurisht metoda bazë e këtij stilisticieni në interpretimet e veprave letrare është metoda stilistikore, e cila nuk skematizohet, nuk kthehet në numeracion e konstatime të  zakonshme. Si njohës i objektit të stilistikës ai kupton dhe ‘sheh’ funksionet e brendshme të fjalës poetike, ka aftësinë t’i shmanget varfërisë dhe skematizmit të interpretimeve të fjalës, vënë re në disa shkrime të mëparshme. Në teoritë letrare moderne u bë e qartë se gjuhësia ishte disiplina më e rëndësishme që ndihmoi zhvillimin e teorisë letrare, sepse ishte edhe vetë teoria gjuhësore që mori një karakter të veçantë…. Mbi baza teorike të reja studiuesi kërkon lidhjet midis niveleve të gjuhës, duke synuar zbulimin e tipareve specifike të strukturës së çdo teksti si dhe tiparet individuale të përmbajtjes së tij. Autori synon të  depërtojë në marrëdhënien midis funksionit simbolik të fjalës dhe funksionit emotiv të saj dhe, mbi bazën e kuptimit të shtresave të brendshme kuptimore që rrezatojnë figurat, fjala poetike, ai përmbys pikëpamje mbi poezinë e disa autorëve, zgjeron qasjen ndaj tyre. Si reflektim i parimeve të tij metodologjike vjen origjinale edhe metoda krahasimtare: krahasim dhe analizë e disa përqasjeve midis përftesave të poemës së Fishtës me eposin homerik, apo prozës së Kutelit me krijimin popullor, krahasimi i ligjërimit të Asdrenit me Naimin, ku zbulohen si ndryshimet ashtu dhe i njejti shoqërim tematik i fjalëve, plani krahasimtar edhe midis dy poezive të të njejtit autor, si te Naimi apo Asdreni, etj. Pohimi i guximshëm, sipas të cilit ‘të shkarkoj Naimin nga ligjërimi patriotik shqiptar dhe nga ligjërimi filozofik-persian, ta mënjanoj Naimin e ndërtuar prej kritikës, për të parë Naimin e ndërtuar prej Naimit në tekstin e vet’(38) shprehin origjinalitet dhe ndërmarrje të guximshme të studiuesit, që, gjithsesi, synon krahasimet e brendshme të  fjalës poetike dhe raportet e veprës me procesin e brendshëm krijues. Ky proces krahasimtar sjell në vëzhgimet e Xh.Lloshit teza të reja, kuptime të reja mbi dukuritë letrare, jo rrallë mbi bazën edhe të  qasjes intertekstuale.

    Në interpretimin e stilit të prozës Bukuria që vret analiza stilistikore mpleket thellë me analizën semiotike;vëzhgimet e hollësishme, futja në kuptimin e brendshëm të motivit, të simbolikës letrare, bëhen përmes ndërtimit origjinal të një strukture të veçantë të analizës. Si rezultat i rendjes brenda kësaj strukture studiuesi e sheh prozën e Migjenit si një pikturë, si një skulpturë…Nga vëzhgimi i figurave migjeniane studiuesi zbulon një muzikalitet, ritëm të brendshëm ndërmjet grupeve ligjërimore. Tri rrathët stilistikë të fjalë (jeta, vdekja, bukuria), të përcaktuar prej tij, kanë sjellë një tjetër vëzhgim origjinal : sipas tij, në planin linear të prozës, pra në sipërfaqe, stili është lirik, me ngjyrim impresionist, por ‘përmbajtja e fjalëve lirike është tragjike’ (255). Një pohim, në dukje i çuditshëm, por që shpreh thelbin e ngarkesës emocionale që përcjell kjo prozë te lexuesi.

    Qasja stilistikore dukshëm kalon në teorinë strukturaliste të strukturës shtresore. Në hetimin e tre niveleve të strukturës poetike të vjershës Vjeshta të Asdrenit: aspektet fonetike, morfologjike dhe sintaksore, analiza e Xh.Lloshit zgjeron vëzhgimin e raporteve të strukturës kuptimore, duke dhënë orientimin e rëndësishëm që interpretimi i një teksti letrar nuk është thjesht praktikë gjuhësore e aplikuar, por një organizim i ndërlikuar gjuhësor, kuptimor dhe i shprehësisë estetike.

    Analiza stilistikore  e nxit studiuesin të ndërtojë imazhin poetik në poezinë Marshi i Barabajt, ku metoda impresioniste vjen paksa e papritur për stilin e një gjuhëtari.. Gjithnjë në polemikë me përcaktime të studiuesve të tjerë, studiuesi shpreh bindjen se efektet muzikore janë pjesë thelbësore e artit poetik, deri në atë shkallë ku në disa rryma letrare ana muzikore e shpërfill tërësisht semantikën. Metoda e qasjes impresioniste është po aq interesante edhe në interpretimin  e poezive të Asdrenit, ku herë duket sikur studiuesi ka përpara një pikturë, në lëvizje. Kjo ndjeshmëri kritiko-letrare theksohet më tej në rastin kur studiuesi e interpreton vjershën Vjeshta, jo vetëm si pikturë e gjallë por edhe vetë interpretimi i tij sikur krijon një pikturë. Qasje të tilla krijojnë për herë të parë një përjetim ndryshe të stilit asdrenian.

    Pra, vemë re se Xh.Lloshi depërton si studiues specialist në thelbin e ligjërimit letrar,  dhe, si pasojë, në mënyrë të natyrshme i është drejtuar edhe metodave të tjera. Kjo ka logjikën e vet : duke qenë se letërsia është arti i fjalës, me marrëdhënie të pafundme në plan linear dhe atë vertikal, me aftësinë e shumkuptimshmërisë, me shtresat e brendshme të mendimit dhe emocionit vetëvetiu vijnë mënyra të ndryshme të qasjes tek ajo.  Por, e veçanta e këtij vëllimi me shumë interpretime është kundërvënia, kundërshtimi i pikëpamjeve të shumë studiuesve. Madje zakonisht çdo shkrim që në fillim paralajmëron një ose disa kundërshti. Nuk kemi ballafaqim me një apo dy studiues, por përgjithësisht me disa studiues të njohur dhe me kontribute në shkencën dhe sidomos kritikën letrare. Përballë të gjithëve ! Kjo dukuri, jo e zakonshme në mendimin tonë kritik-letrar, ngjall jo thjesht kureshtje, por vemendje të përqëndruar, verifikim dhe përballje të re me vepra të traditës sonë letrare.

    Rast tipik i lidhjes së gjuhësisë me shkencën mbi letërsinë

    Interpretimet e Xh.Lloshit mbi vepra të shquara të traditës sonë letrare, ndonëse nuk janë me numur të madh faqesh, kanë peshën e studimeve të rëndësishme shkencore, sepse nuk janë vlerësime standarte, që i kemi hasur në shumë e shumë shkrime, dhe se sjellin teza të ndryshme. Analizat e këtij studiuesi janë përmbysje interpretimesh, janë provokim për kuptimet e propozuara më parë, janë modele të një koncepti tjetër të analizës, janë praktikë studimore e shkrirjes së dy shkencave : i marrëdhënies së shkencës së gjuhës (fjalës) me shkencën e kuptimit  artistik të fjalës. Realizimi i kësaj marrëdhënieje në strukturën e brendshme të tekstit e ka çuar Xh.Lloshin, për shembull, në konkluzionin se specifika e stilit të Konicës del më dukshëm në rrafshin letrar se sa në rrafshin gjuhësor, ndonëse studiuesi është thelluar në çështje të reja si  kontributi në europianizimin stilistik të shqipes së shkruar, në etimologjizimin e përftesës stilistike, në atë që e quan ‘stili skajshmërisë’, në ritmin e brendshëm që krijojnë figurat stilistikore etj.  Duhet thënë se veprat dhe autorët, për të cilët shkruan Xh.Lloshi, janë nga më të shquarit në historinë e letërsisë sonë, rreth të cilëve janë shkruar aq shumë studime dhe vlerësime kritiko-letrare. E megjithatë, gjuhëtari që shfaqet edhe si studiues i letërsisë me intuitë jo të zakonshme, i rimerr, për të sjellë kuptimin e vet origjinal, duke polemizuar, kundërshtuar mjaft studiues të tjerë. Ka raste kur gjuhëtari e mbizotëron kritikun letrar, si në rastin e krahasimit të dy botimeve të Historisë së Skënderbeut të F.Nolit. (1921 dhe 1950). Nëpërmjet vëzhgimeve të hollësishme si gjuhëtar/stilisticien lidhur me ripunimet gjuhësore e stilistike të botimit të dytë ai sjell për herë të parë katër anë kryesore të zhvillimit të gjuhës letrare të shkruar, ku shquan bashkëveprimi ndërmjet varianteve letrare të shkruara, qëndrimi largues i Nolit nga tradita e vjetër lerare dhe përpunimi i gjuhës së shkruar letrare, duke u diferencuar nga gjuha e folur. Këto konstatime, ndonëse përgjithësisht i përkasin sferës gjuhësore, shprehin specifikat e përpunimit të fjalës artistike.

    Provokime për ndryshime në Historinë e Letërsisë dhe në Enciklopedinë shqiptare.

    Thamë më sipër se ndër tre burimet thelbësore që kanë nxitur kundërshtim dhe teza vetiake të Xh.Lloshit është zbulimi i fakteve të reja si rezultat i kërkimeve arkivore dhe bibliografike. Rasti më i dukshëm është shkrimi kushtuar dramave të Sami Frashërit. I gjithi një befasi, një ndërtim tjetër i trashëgimit letrar…Hidhet poshtë mendimi që ka zotëruar në historiografinë letrare shqiptare se Samiu shkroi dy vepra (dramën Besa dhe romanin Dashuria e Talatit dhe e Fitnetes) ; jepen të dhëna të reja për tre drama të tjera, të përkthyera, si dhe për disa dorëshkrime.( Dramat Sejdi Jahjai, Farkëtari Gjave, Ndërgjegjia.)  Studiuesi hedh poshtë mjaft interpretime diletanteske, të politizuara, për dramën ‘Besa’. Të dhëna me interes janë fakte që ndriçojnë historikun e jetës publike-skenore të dramës, ka shumë informacione për jehonën e saj, në organe të shumta që shkruan për të nga 1901 deri 2013, për interpretimet e bëra nga autorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit. Me interes të veçantë janë sqarimet e konceptit të Samiut mbi raportin histori-vepër. Këto të dhëna, dhe të tjera, provokojnë dilemën e domosdoshmërisë së ndryshimeve që mund të bëhen, si në Historinë e letërsisë shqiptare, ashtu edhe në zërin përkatës në Enciklopedinë Shqipare. Po kështu, në shkrimin kushtuar Frang Bardhit, mbi bazën e të dhënave historike, albanologjike, Xh.Lloshi shpreh kundërshtitë e tij për karakterizime nga studiues të huaj, analizon Fjalorin e Bardhit duke ndryshuar kuptimet e tij, përcakton tre tipare themelore  të veprës, jep të dhëna interesante mbi botime-fjalorë të autorëve të huaj në vende të ndryshme, etj. Sigurisht edhe këto fakte, që ndryshojnë ç’është thënë deri tani, mund të ndikojnë në rishikimin e kapitullit përkatës në Historinë e Letërsisë sonë. Në përgjithësi, tezat e Xh.Lloshit mbi shumicën e teksteve që analizon, mund të diskutoheshin për të gjykuar objektivitetin shkencor të tyre, nëse do të duhej të reflektoheshin në dy tekstet madhore të letërsisë dhe kulturës shqiptare…Pyetja që del është : a janë të pranueshme tezat e tij për të reflektuar ndryshime kaq të rëndësishme ? 

    Serioziteti i një studiuesi shfaqet në korrektësinë e referimit shkencor, në dhënien e bibliografisë së studimevet, kritikave me të cilat polemizon studiuesi. Bibliografia përkatëse në fund të çdo shkrimi e bën më të lehtë ballafaqimin e studiuesve të tjerë me interpretimet e deritanishme përballë tezave të reja, krejt të kundërta, të gjuhëtarit, që në këtë vëllim shfaqet si një specialist i studimit të letërsisë.

    *  *  *

    Pooor…A mund të themi se të gjitha interpretimet e studiuesit Xh.Lloshi janë të pranueshme ? Natyrshëm do të vinin reagimet e disa studiuesve të tjerë… Kjo nuk ka asgjë të keqe. Përkundrazi ! Dimë  se jo vetëm lexuesi i zakonshëm, por edhe lexuesi i specializuar, ka mënyrën individuale të përjetimit dhe përfytyrimit letrar. E rëndësishme është që ky përfytyrim të çlirohet nga skemat, klishetë e rrënjosura prej interpretimeve të mëparshme si dhe  prej subjektivizmave të sipërfaqshëm. Letërsia asnjëherë nuk i ka shteruar domethëniet artistike të ndërlikuara të saj, mënyrat e ndryshme të përjetimit dhe interpretimit nga studiuesit,  në kohë dhe hapësira të ndryshme.

    Duhet të them se veprat letrare dhe  risitë që Xh.Lloshi sjell në interpretimet mbi to janë më të shumta se ato që referova në këtë shkrim… E rëndësishme është se në këtë vëllim me studime mbi tekste letrare nuk kemi subjektivizmin e një lexuesi të zakonshëm, por kuptime, mbikuptime të një specialisti të ligjërimeve, pra dhe të ligjërimit letrar…Kjo ka peshën e vet… Xh.Lloshi është studiues i lirë, me vëzhgime të vetat, të cilat, brenda subjektivitetit të natyrshëm, ngrihen përgjithësisht mbi koncepte dhe parime shkencore. Prandaj interpretimet e tij e venë në mendime studiuesin e letërsisë, i cili, ose do të bjerë dakort, ose do të hapë një hapësirë tjetër të debatit shkencor.  Ndoshta është koha që rivlerësimet mbi letërsinë tonë të ngrihen mbi një bazë metodologjike më të qartë, të çliruara nga kuptimet e ngulitura gjatë pothuaj një shekulli në studimet dhe kritikën tonë letrare. Xhevat Lloshi guxon, provokon …duke nxitur mendimin e ri dhe të hapur në shkencën mbi letërsinë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË