More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFloresha Dado: Sa bukur më vjen zëri i shpirtit tënd, Zhulianë!

    Floresha Dado: Sa bukur më vjen zëri i shpirtit tënd, Zhulianë!

    Mbi përmbledhjen e ‘poezive të muzikuara’ dhe të tjera të Zh. Jorganxhi

    Erdhe tek unë, shoqe e vjetër, përmes kësaj përmbledhjeje fantastike, për të më kujtuar se sa shumë melodi të këngëve të brezit tonë, dhe vite më pas,  kanë fjalën tënde, metaforë poetike e përjetimt të  brendshëm. Kam lexuar poezi të tuat, kam dëgjuar e kënduar, në momente të ndryshme të rinisë sime,  me dhjetra e dhjetra këngë të mrekullueshme, por pse nuk e dija se në disa prej tyre poezia ishe ti,  se fjala e tyre  ishte shpirti yt ? Pse, tërhequr nga meloditë, zëri i këngëtarit dhe tekstet, sigurisht, nuk kisha vënë re se aty ishte emri yt, pranë muzikës dhe zërit të këngëtarit ishe edhe ti, madje e para që i tërhoqe ata pas vetes? Pse nuk më kish tërhequr vemendjen zëri i fjalës tënde, mua, ndoshta dhe ndonjë tjetri, për të ndjerë se në ato këngë të mrekullueshme (disa më pëlqen t’i këndoj vazhdimisht) takohen tre zëra : zëri i fjalës, zëri i muzikës dhe zëri i këngëtarit ! Kënga, ndonjëherë na rrëmben me ritmin dhe nuk le të kuptojmë më thellë, se ç’forcë ka fjala, si mjeti më kompleks dhe i pafund në shprehjen e mendimit dhe zemrës së poetit, se ç’horizonte pa fund hap ajo përpara kompozitorit, i cili, sigurisht, ka përjetimin e brendshëm të  tij, dhe përpara këngëtarit, që ka dhe ai zërin dhe ndjeshmërinë e tij. Tri ‘zëra’, të bashkuar, bëjnë mrekullinë!.

    Por, a e di, shoqja ime, se midis kësaj tresheje ti je më delikatja, më e buta, bujarja, zemërgjera, cilësi që unë i kisha vënë re që në vitet e veçanta studenteske, kur modestia, ëmbëlsia dhe mirësia jote na tërhiqte të gjithëve. E lexova me emocion të veçantë përmbledhjen “Zëri i shpirtit tim” ku më erdhën prekëse poezi të këngëve të njohura, më befasuan mjaft poezi të  pamuzikuara, përgjithësisht të shkurtra, esenca të një mendimi e shpirti njerëzor, ndjeshmëri ndaj aspekteve që rrethojnë jetën e kujtdo. Dhe, ndonëse kemi vite që nuk jemi takuar, ritakova Zhuljanën që kujtoj gjatë vitet të studimeve universitare.

    Ti ishe e mira, e urta në një dinjitet fisnik, simpatikja, e ekzaltuara pas muzikës, buzagazja, e çlirët deri në pafajsi në sjelljen dhe mendimet e tua.. Domethënë, atëhere kur ti flisje vazhdimisht, më shumë se të gjithë ne, për muzikë operash, për kompozitorë të shquar, për këngë… brenda teje poezia ishte vetë muzika ?  Kush ishte në thellësitë e shpirtit tënd, fjala apo tingëllimi i notave muzikore? Ishin bashkë, ashtu instiktivisht, apo ishte fjala poetike që dilte me delikatesë nga brendësia jote, për t’i bërë rob të saj kompozitorët, instiktin e tyre muzikor ?

    Ti e di se letërsia, dhe, në mënyrë më të drejtpërdrejtë poezia, është brendësia e poetit, mendimi dhe emocioni i saj është më i thellë, është më shumë se ajo lexohet në shtresën e sipërme të vargut. Ti e di se poezia është e pavdekshme mbi gjithë njohuritë. E di se poezia sjell bashkë pasionin dhe njohurinë, dy pushtetet e fuqishme të shoqërisë njerëzore,  sikurse e di që poezia është shpirti i çdo njohurie, është shprehja e pasionuar, që e dallon nga çdo formë e njohjes njerëzore… Këto, dhe të tjera, nëse nuk i ke lexuar teorikisht, i ke ndjerë instiktivisht, në botën tënde të brendshme krijuese. Zakonisht i lexojmë poezitë në shprehjet dhe figuracionin e jashtëm, përpiqemi të kuptojmë thelbin metaforik të tyre, por pak kërkojmë të njohim thellësitë, atë botë që, përtej vetëdijes së krijimit, mbart, në radhë të parë, instiktin e brendshëm, intuitën e pakomanduar, që është misteri dhe magjia e ndërtimit poetik. Në poezitë e tua, e mira Zhuljanë, mpleksen natyrshëm këto dy aspekte thelbësore të qenies njerëzore : vetëdija për tematikën e zgjedhur, për dhimbjet apo lumturitë e kësaj bote, për jehonën, gëzimin dhe dramën që na shoqëron të gjithëve; por ti, e vërteta, je aty, në shtresën e brendshme, e fshehur me delikatesë pas përjetimeve, dëshirave të brendshme, të realizuara dhe të parealizuara. Aty unë shoh Zhuljanën e butë, sinqeritetin dhe nayrshmërinë e personalitetit tënd. Aty, shoqja ime e mirë, kam rikujtuar, me nostalgji, si ishe ti në rininë tënde të bukur, por edhe si vazhdove në pjekurinë e moshës, dhe sa fisnikëri ka portreti yt edhe sot…

    Raporti fjalë-tingull muzikor është i tillë që në artin e vërtetë krijon një njësi të vetme. Ata i japin jetë njeri tjetrit, modestisht i lenë rradhën njëri tjetrit, që  të zbulojnë thellësitë e ndjenjës dhe të mendimit, atë përjetim kompleks që kënga e mirë i përcjell njeriut në çdo kohë.. Nuk është vështirë të spikasësh metaforat thelbësore që formësohen brenda teksteve të tua, sepse thelbi i përbashkët i tyre është ‘dashuria’ : për tjetrin, për jetën, për lirinë, për dritën e rininë…Dashuria është për ty një kuptim i thellë, që rrok zemrën e çdo njeriu, por, dhe një kuptim filozofik që  mbështjell gjithë njerëzimin. Më fal, shoqja ime për sinqeritetin : pse nuk e kisha fiksuar se disa këngë të mrekullueshme, që mbetën hite në muzikën tonë të lehtë, si “Se kënduam ‘Let it be’, apo “Jon”, “Jeto dhe jetën time”, e të tjera, e të tjera, e patën fillimin në zemrën tënde të trazuar, në atë zjarr të brendshëm që ty gjithnjë të vlonte për lirinë e njeriut…? A e di Zhuljanë, se lidhjet e tua me dëgjuesin e muzikës kanë mbetur edhe sot, të veçanta, të thjeshta, pa bujë, por sa të brendshme, aq dhe të fuqishme, që nuk do të fshihen kurrë ? Pse ? Sepse fjala jote në disa tekste është universale…Tek ajo  unë ndjeva edhe dëshpërimin tënd të pafajshëm për dukuri që trondisin një shpirt njerëzor, sot, më shumë se kurrë :

    Një njeri mban një dritë në dorë,

    zbret nga lashtësitë.

    Çfar’ kërkon nëpër net’e ditë ?!

    Thotë “kërkoj njerinë”!

    Fjal’e tij më trondit. Uh, uh !

    Dhe pastaj thirrja

     “O bukuri, pushtoje botën !

    Sa shumë në jet’ na ke munguar !

    Ose :   O botë, bëju zemër nëne!

    Shiko një herë me sytë e saj !

    E mbroje jetën  me dorën tënde,

    urrejtja vend s’do ketë pastaj.

    Tekstet e poezive të tua janë dashuria jote dhe  dashuri njerëzore…

    I thashë unë hënës sonte : Ndriço! Ndriço!

    I thashë unë detit sonte:  Valëzo! Valëzo !

    Dhe i thashë unë dashurisë : Më merr në krahët e tua!

    dhe  flladin e ngroh fjala “të dua’!

    ………………………………..

    tregomë ti se ç’është në dashuri

    magji e saj,

    sa dhe lulet i çel në acar.

    Le të mbetemi në mrekulli të saj.

    Më kanë prekur pa masë vargjet magjike, mbi të cilat u krijua kënga më e bukur për nënat, që vlen për çdo kohë e për çdo moshë:

    Në duar e tua u rrita, o nënë!

    Netëve pa gjumë pikoi drit’e hënës

    dhe veten qortova të zënë në gabime,

    zemrën kur ta theva, o e shtrenjta ime !

    Po ashtu vargjet prekëse për etërit:

               Na ikën…

    Çdo ditë e më shumë ua numërojmë të mirat.

    Ku ishim më parë,

    ne bijtë, ne bijat ?!

    Tekstet e tua nuk imitojnë thjesht dukjen e realitetit, por një realitet tjetër, të fshehtë në shpirtin tënd. Se funksioni i vargut tënd nuk është të na shkëpusë nga realiteti ynë, por të përcjellë filozofi morale, sa thelbësore, aq dhe të thjeshta në raportinn që ti vendos me lexuesin/dëgjuesin. Në të vërtetë, ti Zhuljanë, imiton vetveten!

    Pse ndodh që një këngë është shumë prekëse, edhe kur teksti ka trishtim, vuajtje ? Sigurisht një këngë e ka vlerën themelore te melodia e saj, te zëri që e përcjell, por këngët e krijuar mbi tekstet e tua, e dashur Zhuljanë, kanë filozofinë e realitetit, ato kanë kuptim, ato lexohen si poezi, se, në radhë të parë përcjellin te ne mendim të qartë, ndjenjë e filozofi njerëzore, ndaj të cilit lexuesi nuk mund të qëndrojë indiferent, sepse ai kërkon të përjetojë emocionalisht së bashku muzikën dhe fjalën; madje, ndonjëherë fjala, simboli godet më fort !.Fjala bëhet tingëllimë, të cilën kompozitori yt dhe këngëtari yt, e përjetojnë pikërisht si të tillë. Kundrejt krijimeve muzikore të viteve të fundit, ku fjala e ka humbur kuptimin dhe vlerën e vet (çka shprehet edhe në çoroditjen e muzikës), tekstet e tua poetike ruajnë mendimin, duke qenë një mbështetje e fuqishme emocionale si për kompozitorin, ashtu dhe për këngëtarin. Kanë thënë teoricienë të ndryshëm se kënga është më bindëse se filozofia dhe historia. Si mendon ti, poetja e shpirtit njerëzor ? Ndodh kështu, sepse poezia, si art i fjalës, pushton jo thjesht mëndjen e njeriut, por mbi të gjitha shpirtin e tij, ajo depërton në thellësitë e botës së tij të brendshme, dhe, kur gjen notën muzikore të dukur apo dhe zërin hyjnor të këngëtarit, arrin të bëjë mrekullinë, duke bërë që dëgjuesi të përlotet, të tronditet… Në këtë rast bashkohen, shkrihen në një tre shpirtra njerëzorë. Dhe ndodh që disa këngë, muzikuar mbi tekste të tua, tingëllojnë më bindëse se historia e tyre.,

    Raporti i teksteve të tua me realitetin merr një kuptim të veçantë; ato nuk respektojnë tezën e Aristotelit që letërsia krijon ‘atë që mund të ndodhë’, por atë që nuk duhet të ndodhë. Kufiri midis abstraktes dhe reales nuk e lodh dëgjuesin, sepse është një raport i thjeshtë (por i fuqishëm) i faktit dhe marrëdhënies njerëzore.

    Një filozofi të qartë njerëzore unë gjej edhe tek ato poezi që nuk janë muzikuar akoma, përmbledhur në pjesën e dytë të këstij botimi,  me nëntitull “Udhëve të pentagramit”. Të shkurtra, me ngjeshje mendimi, me sinqeritet ndjenje, ato janë aty, te ky korpus poetik, duke zbuluar shpirtin tënd, të butë, të ndjeshëm, miqësor e komunikues. Motivi i dashurisë mbizotëron në një varg poezish të shkurtra por me ngarkesë e sinqeritet ndjenje, perla të sistemit tënd poetik.

    Ç’faj i bëra dashurisë ?

    Dimër solli, kur ish maj!

    Ja, mëria ka zënë pritë,

    mos po bëhem pré e saj ?

    Oh, mëri ty dot s’të mbaj !

    Për ty vargu është ‘strehimi’ i shpirtit, e admiroj lidhjen tënde të brendshme me të, sepse kjo marrëdhënie mbart filozofinë e thelbit të vërtetë të artit. Poezia të ka marrë në gjirin e saj, të ka mbështjellë me ngrohtësi, për të të shpëtuar nga dhimbjet e jashtme dhe për të të mbajtur në thellësitë e fshehta, atje ku poeti mund të jetë i vërtetë me veten e tij. Vlerësoj tezën se para se të shpjegojmë “është poezia” ka raste që në plan të parë del pyetja “është poetja” ? Teoritë fenomenologjike dhe hermeneutike kanë, padyshim, vlerën e tyre.

    Shurdhohej rreth meje,

    një botë nën potere…

    tek ti si në “strehim”

    u struk ky shpirti im.

    Dhe në ka mbetur gjallë

    me ty gjymtyrëvrarë,

    ca fjalë të jap shpërblim”

    “Je ti shpëtimi im!”

    &  &  &

    Sa shumë poetë, kompozitorë, këngëtarë, njerëz të artit kanë folur për ty në këtë vëllim, meritë e jashtëzakonshme e Ilir Çumanit, që i mblodhi të gjithë bashkë, për të përgatitur buqetën më të bukur që kam parë në jetën time, për ty, e mira Zhuljanë ! Pjesa e fundit e kësaj përmbledhje mban titullin më njerëzor “Mijra zëra në një zemër” dhe, duke njohur ndjeshmërinë tënde të brishtë, e imagjinoj sa ëmbël e sa prekëse tingëllon për ty ky kapitull. Ndërkohë që ti na  ke dhuruar tekste, poezi të zemrës tënde, që erdhën dhe vijnë çdo ditë në këngët tona, miqtë e tu, të poezisë e këngës, të dhurojnë vlerësimet nga zemrat e tyre. (rreth 150 deditime. Uau, !)

     Kjo është mrekullia më e madhe e jetës që mund të gëzojë çdo krijues.… Dhe unë e di se mirënjohja dhe dashuria jote për të gjithë ata që të vlerësojnë, nuk mund të shprehej më e sinqertë se nga këto vargje :

    Një këngë dashurie më rreh brenda zemrës

    me ju un’në rrugë vrapoj, pranverë

    Njerëzve t’ua dhuroj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË