Kreu Opinion Floresha Dado: Realizmi socialist duhet studiuar si drejtim letrar

Floresha Dado: Realizmi socialist duhet studiuar si drejtim letrar

(Trajtim teorik)

Dikush mund të thotë: përse rimerret kjo çështje ?

Duket sikur gjykimi mbi realizmin socialist është tejkaluar por, në të vërtetë, kjo është një çështje teoriko-historiko-letrare, shumë e rëndësishme për interpretimin shkencor të proceseve letrare që ndodhën gjatë zhvillimit të letërsisë shqiptare. Ndër më thelbësoret është:  gjykimi i  realizmit socialist mbi bazën e  konceptit të drejtimit letrar.

A lindi ky proces krijues, bashkë me të edhe kritika letrare, mbi bazën e një programi estetik, që dallon gjithë drejtimet letrare, të shfaqura në zhvillimet e letërsive?  A janë parimet e programit të kësaj letërsie vërtetë të natyrës artistike? 

Që në vitin 1936, formalisti i shkollës së Pragës, J. Mukarovski pranonte se “funksioni estetik shfaqet vetëm në rrethana të caktuara, domethënë në një kontekst social të caktuar”. Gjithashtu : ‘funksioni estetik është një komponent në marrëdhëniet midis së përbashkëtës njerëzore dhe botës.”     ( Jan Mukarovsky : “Aesthetic Function, Norm and Value as Social Facts” , Univ.of Michigan, 1970).   Kështu, evolucioni i pikëpamjeve të këtij formalisti, pranimi i lidhjes së funksionit estetik më realitetin social, është një nga pikëvështrimet që ndihmon në interpretimin edhe të letërsisë sonë.

Por, si do të ndodhte shmangija dhe zëvendësimi i parimeve estetike, që formësojnë drejtimin letrar paraardhës, në drejtimin letrar të realizmit socialist ? Ishte, më herët, teoricieni i Kritikës së Re, T. Eliot, që, duke trajtuar raportin midis traditës letrare dhe individualitetit krijues  ( Shih T.S.Eliot : Tradition and the Individual Talent” , Selected Essays, 2nd edn, London:Faber & Faber, 1934, (shkruar në vitin 1919)    kishte parashkruar, pa u marrë me realizmin socialist, se vlerësimi i çdo lloj krijimtarie artistike duhej të bëhej jo i shkëputur, por në krahasim me letërsinë dhe autorët paraardhës : “Unë mendoj se ky është një princip estetik, jo thjesht historik, kritik ”  Në këtë pohim të hershëm gjej një pikënisje të rëndësishme metodologjike për të vlerësuar letërsinë e realizmit socialist, si një hallkë në zhvillimin e gjithë letërsisë shqiptare.Ky është problem teorik që, për mendimin tim, i kapërxen kufijtë e letërsisë sonë; ai duhet parë si fenomen estetiko-historik, në gjithë letërsitë e vendeve të sistemit komunist.

Përballë konceptit teorik të ‘drejtimit letrar’

Dihet se zhvillimi i letërsisë, kudo, ka kaluar nëpërmjet zëvendësimit të drejtimeve të ndryshme, dhe, vetë koncepti i drejtimit u përpunua atëhere kur mendimi teorik kishte arritur në një nivel të tillë, që mund të bënte karakterizimin tipologjik të fenomeneve letrare. Kështu, ishte bërë e qartë se drejtimi letrar është një program estetik, ku përcaktoheshin parimet e konceptimit dhe ndërtimit të veprës letrare, program që pranohej me vetëdijë (por edhe intuitivisht) nga shkrimtarët. Megjithatë, teoria e drejtimit letrar mbetet, ende, ndër më të pa përpunuarat në shkencën letrare. Çfarë kemi parasysh kur themi : klasicizëm, romantizëm, realizëm, natyralizëm, simbolizëm, modernizëm, postmodernizëm,  etj.? Grupin e shkrimtarëve që krijojnë në një periudhë të kohës, psikologjinë e shkrimtarit? Vlerat historike të një shkolle estetike të caktuar, tërësinë e mjeteve letrare ?. Cila është përmbajtja dhe vëllimi i njohjes së drejtimit letrar në përgjithësi dhe e çdo drejtimi letrar në veçanti ?

Këtyre pyetjeve përgjithësisht kritikët letrarë u janë përgjigjur në mënyrë individuale, sipas interesimit për njërin apo tjetrin drejtim letrar. Ndërsa në mendimin teorik të realizmit socialist janë përcaktuar, si tipare të dallueshme, pikëpamjet politike dhe pozita sociale e shkrimtarëve socialistë nga ata të drejtimit ‘realist’.

Në historinë e letërsisë mund të vërehen dy tendenca:

– Njera i sheh drejtimet letrare nga pikëpamja tipologjike, duke iu referuar kushteve historiko-konkrete, në të cilat lulëzon një tip i caktuar i krijimtarisë. Këtë e shtrijnë në të gjitha epokat.

– Përfaqësuesit e tendencës tjetër e shohin drejtimin letrar si një formim dhe grupim shkrimtarësh, real, konkret-historik. Sipas tyre, estetika, principet artistike dhe krijimtaria e këtyre shkrimtarëve, si rrjedhim edhe drejtimi në të cilin janë bashkuar, shpjegohen me kushtet historiko-konkrete dhe llojin e problemit që ata duhet të zgjidhin.

Cilit grupim do t’i qaseshim ne ? Besoj se specifika e formimit të realizmit socialist kërkon qasjen në të dyja tendencat e mësipërme. Në përcaktimin tipologjik të tij  ka shumë shpjegime, si nga studiues të sotëm rusë, nga studiues letrarë perëndimorë dhe amerikanë.

Por mendoj se, nga pikëvështrimi teorik, do të duhej të ndalemi në çeshtjet :  a është realizmi socialist drejtim letrar, sipas asaj brendie që mbart vetë koncepti teorik mbi drejtimin ? Ku qëndron dallimi me drejtimet e mëparshme: në aspektin politik, apo estetik, kur nga studiuesit tanë, por edhe të huaj, ky dallim është përcaktuar vetëm në aspektin politik ?

Detyra e studimeve të sotme është të përcaktojë nëse ka kritere estetike në këtë program letrar ? Sigurisht nuk është e nevojshme të risjellim një për një ato kërkesa, që njihen prej të gjithëve, por që, në fakt, pothuaj asnjë nga këto parime jashtëletrare (partishmëria komuniste, heroi pozitiv, karakteri kombëtar e popullor…), nuk i përkasin sferës estetike. Ato nuk strukturojnë një program estetik, që është tipari thelbësor për një drejtim letrar.

Sigurisht, çdo drejtim letrar, për shembull romantizmi francez, lindi mbi bazën e një ideologjie të re, që lidhej me ndryshime të rëndësishme që po ndodhnin në jetën politike e shpirtërore të shoqërisë franceze. Por programi ishte estetik, se i referohej artit! Edhe letërsia jonë e realizmit socialist, sigurisht, pati një shtrat të ri të situatës politike-sociale-shpirtërore (si në gjithë vendet e sistemit komunist), por ky program nuk i kapërxeu kufijtë e ngurtë politikë, për t’ju qasur aspekteve estetike, që e bëjnë një vepër të quhet dukuri arti.  Disa tipare estetike, që i kish proklamuar drejtimi realist, ndonëse duket sikur mbështeten nga letërsia e realizmit socialist, në të vërtetë janë demagogji, ose shtrembërime flagrante. Mjafton të kujtojmë parimin teorik të ‘pasqyrimit me besnikëri’ të realitetit, dhe atë çka kuptohej me ‘realitet’  në doktrinën imponuese të partisë që drejtonte proceset krijuese. Apo kuptimin mbi heroin pozitiv, një ndër konceptet më deformuese, që iu largua katërcipërisht parimit të realizmit : ‘personazh tipik në rrethana tipike’, duke e futur heroin në skema të ngushta, ideore partiake.

Duke ndjekur këtë arsyetim, do të thonim se përgjigjen se, ç’lloj drejtimi letrar ishte kjo letërsi  mund ta gjejmë tek vetë emërtimi “realizmi  socialist”. Termi i parë nuk i përgjigjet konceptit të vërtetë të realizmit (që teoricienët demokratë rusë të shekullit XIX e kishin përcaktuar qartë). Ajo letërsi, që ishte vërtetë e realizmit socialist, nuk kishte asgjë të përbashkët me realizmin, ajo ishte vështrim ndryshe, i imponuar, i asaj që pretendohej se i përkiste realitetit, ajo nuk rrespektonte logjikën e brendshme të zhvillimit të këtij realiteti, apo edhe të heroit që përfaqësontë këtë realitet. Ndërsa termi i dytë, ‘socialist’, i përgjigjet thelbit të asaj letërsie, e cila i shërbentë ideologjisë socialiste. Pra, midis dy termave, i dyti shpreh një përmbajtje reale, ndërsa bashkimi i të dyve është artificial, i ardhur që nga teoria sovjetike, e cila pretendonte se ishte zhvillim më i lartë së realizmi. Ky ‘zhvillim më i lartë’, sipas saj, i përkiste aspektit ideor. Por, mbetur vetëm në këtë aspekt, koncepti i drejtimit letrar ka humbur pjesën thelbësore, programin estetik. Atëhere do të thonim se, në gjykimin e realizmit socialist, si drejtim letrar, duhet të njohim këto dukuri:

 – Në emërtimin e plotë termi ‘realizëm’ është i fallsifikuar, nuk i përgjigjet parimit të rikrijimit të realitetit dhe formësimit të personazhit. Nuk ka asgjë të përbashkët me parimin artistik të letërsisë realiste. Ndërsa termi i dytë, ‘socialist’, i përgjigjet plotësisht konceptit të kësaj letërsie, përqendruar kryesisht në anën ideore të saj. Gjithashtu mund të thoja se termi ‘socialist’ nuk i referohet thjesht aspektit sociologjik (sepse letërsia realiste e ka thelbësor këtë tipar), por ka të bëjë me ngjyrimin e veçantë të letërsisë, që nxorri në plan të parë një ideologji të re, atë komuniste.

– Ky bashkim termash, i pasaktë,  ndoshta do duhej të zëvendësohet me emërtimin ‘letërsia socialiste’, që përputhet më drejtpërdrejtë me natyrën e kësaj letërsie.  

– Në këtë mënyrë, mbas drejtimit letrar të ‘realizmit’, në historinë e përgjithshme të letërsive,

duhet pranuar se u shfaq drejtimi i ‘letërsisë socialiste’, tipar themelor i së cilës është mbizotërimi i ideologjisë komuniste, udhëhequr nga parimet ideore të partisë.

– Do të ishte, ndoshta, detyrë thelbësore e mendimit teorik të kohës së sotme, të studiojë  gjithë këtë prodhim të gjerë letrar, pikërisht në aspektin e saktësimit të drejtimit letrar, të cilit i përket. Në aspektin e përballjes me drejtimet letrare paraardhëse ! Për shembull, dihet se edhe klasicizmi ishte një drejtim letrar me parime të caktuara estetike, të cilat shkrimtarët ishin të detyruar t’i respektonin… Në vështrim të parë duket se edhe klasicizmi, me parimet e shpallura të tij, është po aq dogmatik sa dhe realizmi socialist. Megjithatë, të përbashkëtat dhe dallimet i shoh në disa aspekte :

1- ndërsa klasicizmi ishte nën ndikimin e filozofisë racionalistë të Dekartit, realizmi socialist është pjellë e  filozofisë marksiste;

2- ndërsa i pari reflektonte një ideologji mbarënjerëzore, i dyti ishte pjesë e luftës për mbrojtjen e një pushteti klasor, në një fazë të vetme të letërsisë botërore.

3- Ndonëse ngrihen mbi baza filozofike-ideore, dallimet në sferën e poetikës janë të dukshme : ndërsa klasicizmi përcakton disa kritere estetike të konceptimit të veprës, realizmi socialist, i rrëmbyer pas ideologjisë partiake, nuk ndalet, pothuaj fare, në  parime estetike të ndërtimit të veprës artistike.

4- Vetëm nga një krahasim i përciptë i këtyre dy letërsive, mund të arrijmë në konkluzionin se letërsia e realizmit socialist është një drejtim letrar i veçantë, që ngrihet jo mbi program estetik, siç ka ndodhur me letërsitë e periudhave të mëparshme, por mbi programe politike.

5- Ndonëse në programin teorik mungojnë parimet estetike,  në të vërtetë, ky aspekt realizohet në qëndrimin kritik që mbajtën kritikët letrarë të këtij drejtimi kundër letërsive moderniste, ‘borgjeze’, jo vetëm në anën ideore të tyre, por edhe në elemente të poetikave të brendshme. Kjo do të thotë se, nuk pohoen  kritere të mirëfillta artistike, por pohoen se cilat kritere  duheshin luftuar.  Kështu, sipas mendimit tim, koncepti bazë teorik i këtij drejtimi letrar ishte : jo si duhen konceptuar artistikisht veprat letrare, por si nuk duhet të jenë artistikisht ato. Ky tipar përbën një dallim thelbësor me të gjitha drejtimet letrare paraardhëse.

Drejtime të tjera letrare brenda periudhës së realizmit socialist?

Shpjegimi i sapo dhënë nxjerr, natyrshëm, këtë çeshtje, që lidhet edhe me pyetjen se a mund të ndodhë që një letërsi 50 vjeçare të zhvillohet vetëm sipas një drejtimi të caktuar ?

Nisur nga vetë thelbi i letërsisë dhe raporti special që ndërton ajo me ndjeshmërinë njerëzore, do ishte jashtë logjikës letrare të pranojmë se letërsia e jonë, në çdo fazë të zhvillimit, është  e njëtrajtshme.  Një përgjigje, tepër kalimthi : elemente të realizmit kishim gjetur në poezitë e shekullit XVIII të Hasan Zyko Kamberit, ndonëse  realizmi, si drejtim i konsoliduar, nuk ishte shfaqur jo më në letërsinë tonë, por as në atë evropiane;  apo, letërsia e fillimit të shekullit XX, që po shkonte drejt realizmit, mbarte me vete elemente të romantizmit dhe sentimentalizmit të vonuar, diku elemente të neoklasiçizmit, dukuri të simbolizmit, etj., ndonëse asnjë nga këto shfaqje nuk arritën të konsolidohen në drejtime letrare të plota. Diskutimi më interesant, në këtë drejtim, do të ishte marrëdhënia e letërsisë së periudhës së realizmit socialist edhe me modernizmin. Dihet se ndikimi i modernizmit në letërsinë e një vendi nuk është i njëllojtë në kohë të ndryshme. Në letërsinë tonë, të gjysmës së dytë të shekullit XX, ai mund të konsiderohet si një fllad i dobët, që tentoi të futej, pa bujë, në ndonjë vepër të veçuar. Pas viteve ’70 prirje moderniste shfaqen në poezitë e Kadaresë, Xh.Spahiut, F.Arapit…., por asnjeri prej tyre nuk mund të çlirohej plotësisht nga realiteti jetësor dhe letrar, nuk mund të mohonte letërsinë, as atë që kish krijuar vetë, sepse nuk ishte në atë fazë të imagjinatës artistike. 

Në mënyrë virtuale, kishte dalë një kontradiktë, ndoshta ende e pavetëdijshme, midis kuptimit ideor të letërsisë dhe kuptimit estetik të saj. Kjo dukuri dëshmon : nga njera anë, forcën e intuitës së brendshme të krijuesve të veçantë, që nuk komandohet as nga vetë shkrimtari; nga ana tjetër, provon se shfaqja, sado sporadike e një dukurie letrare, i nënshtrohet ligjshmërive të brendshme të zhvillimit të vetë letërsisë, pavarësisht dogmave imponuese.  

Ekzistojnë ligjshmëri të brendshme të zhvillimit të botës shpirtërore-krijuese, të cilat nuk mund të mbahen plotësisht të mbërthyer vetëm në një drejtim. Atë që një shkrimtar nuk dëshiron ta bëjë me vetëdije (për shkak të presionit…) e bën intuita, marrëdhënia e tij intuitive me problematikën njerëzore. Sigurisht ky dualizëm nuk ndodh të autorët mediokërr, por te artistët e vërtetë, që nxitja u vjen e brendshme.

Trajtimi i gjithë krijimtarisë, gjatë viteve ’45-’90, si e letërsisë së realizmit socialist, jo vetëm në kritikat e shkruara para dhe pas ’90-ës, por edhe në tekstin akademik “Histora e letërsisë së realizmit socialist’, është një deformim i realitetit letrar, është dhunim i llojshmërisë së parimeve estetike, që u mbështetën në krijimtarinë e autorëve të ndryshëm.

A mund të përdorë një drejtim letrar parime artistike të një drejtimi tjetër ?

Ky problem del, konkretisht, tek marrëdhëniet e drejtimit të realizmit socialist me parime e mjete artistike të realizmit, apo romantizmit. Natyrshëm lind pyetja : a do të pranojmë se nuk ka mënyra e mjete artistike që e dallojnë letërsinë e realizmit socialist nga realizmi, apo romantizmi ? Apo këto dallime ekzistojnë ?  Këto pyetje nuk janë të rastësishme; ato diktohen nga prirja, e tërthortë, për të kanonizuar format letrare të realizmit socialist, për trajtimin dogmatik të metodës krijuese.

Si në çdo koncept, që ka të bëjë me thelbin e letërsisë së realizmit socialist, edhe në këtë aspekt ekziston një kontradiktë, madje naive. Nga njera anë në mendimin teorik pohoej se realizmi socialist pranonte forma artistike të drejtimeve të tjera, nga ana tjetër parimet krijuese ishin rigorozisht të kontrollueshme.

Sigurisht ka forma artistike që janë karakteristike për të gjitha llojet e drejtimeve letrare. Janë parime që i përkasin vetë letërsisë, në çdo periudhë të lulëzimit të saj. Por, siç dihet, parimet estetike të ndërtimit të veprave letrare, historikisht kanë ndryshuar, duke afirmuar drejtime të reja letrare. Kjo do të thotë se, mjetet e organizimit të sistemit figurativ të letërsisë, gjatë rrjedhave artistike, ndryshojnë në funksionin e tyre. Nga ana tjetër, ato fitojnë rëndësi të ndryshme, në vartësi të drejtimit letrar të cilit i përket letërsia.  

Në letërsi nuk mund të ketë kurrë forma të pastra, gjatë gjithë kohës. I pandryshueshëm është konvencioni, si thelb i letërsisë. Të ndryshueshme janë  format e këtij konvencioni.

Marrëdhënia midis këtyre konvencioneve duhet parë në pranimin e dy fakteve të ekzistencës dhe jetës historike të sistemit letrar. Nga njera anë- ndikimi i tërthortë i realitetit në letërsi, i cili nga teoricienët materialistë-marksistë është quajtur ‘faktor formëformues’ .Nga ana tjetër- roli i traditës letrare, e cila, gjithashtu konsiderohet si një faktor tjetër formëformues. Kjo do të thotë se forma zotëron një logjikë të brendshme zhvillimi, sa e ndërvarur nga forma paraardhëse, aq edhe e veçantë për krijime të reja. Kjo do të thotë se thelbi i tipareve të një drejtimi letrar lidhet me vendosjen e formave artistike, që veprojnë si forca lëvizëse të brendshme, prirja e të cilave është gjithnjë drejt ripërtërimit të vazhdueshëm. Në tre  rrethe që kryqëzohen : Realizmi/Romantizmi/Modernizmi, ka elemente dhe parime krijuese të përbashkëta, të cilat i përkasin vetë sistemit letrar, në përgjithësi; por ka edhe elemente specifike, që i përkasin drejtimeve letrare të veçanta. Pra, ato forma artistike, që duket se kalojnë nga njeri drejtim letrar te tjetri, i përkasin letërsisë, si letërsi!  Ndërsa dallimi i formave të realizmit socialist, nga drejtimet e tjera, i përket mikrosistemit të këtij drejtimi, parimeve që e dallojnë atë nga ato letërsi.

Kjo çeshtje e rëndësishme, nuk ështe trajtuar deri tani në studimet letrare mbi realizmin socialist, jo vetëm shqiptar, por të gjithë sistemit komunist. Nëse duam të përcaktojmë qartë se ç’ishte letërsia e realizmit socialist, duhet ta përqendrojmë qasjen tonë në dy aspekte themelore : mbi ç’poetikë artistike u ngrit kjo letërsi ? Cili është raporti i poetikës së realizmit socialist me poetikat paraardhëse ?

Përpjekje pas ’90  për krijim të një Manifesti të ri letrar

Kundërvënia e ashpër ndaj parimeve krijuese të realizmit socialist, pas vitit ’90, solli tek një brez i ri krijuesish idenë për të shpallur një Manifest të ri krijues. Dukej ide shumë interesante, e nxitur nga ndryshimet politike në vendin tonë. Kishte ndodhur, më shumë se dy shekuj më parë, me shkrimtarët romantikë francezë, të cilët iu kundërvunë klasicizmit, duke i konsideruar parimet e tij krijuese si pengesë për lirinë e frymëzimit poetik. Drejtimi i ri u konfirmua në një program të qartë, që pati mbështetje nga shumë shkrimtarë dhe, gjatë viteve më pas u konfirmua, përmes krijimtarisë artistike, në vende të tjera evropiane.

Por, çfarë ndodh në Shqipëri, menjëherë pas përmbysjes së rregjimit komunist ? Në vitin 1991 shfaqet  shoqata RA (Rinia dhe Arti), e cila u prezantua me antologjinë poetike “O moj Shqipni dhe lirika të tjera” si dhe bëri përpjekje të afirmohej me gazetën e vet “E PËR-7—SHME’. Ishte një dukuri interesante, entuziazmi i një grupi poetësh të rinj, që synonin të afirmonin një lëvizje të re letrare. Jehona qe e shkurtër ; autorët, në mosha të reja, nuk arritën të imponohen në mendimin dhe letërsinë e kohës. Ishte paaftësia teorike dhe, sidomos, mungesa e përvojës, për të shkuar drejt konfirmimit të qëndrimi të ri krijues. Grupimi i poetëve të talentuarve, që aspironin të sillnin diçka të re, shpejt u shpërbë, për të vazhduar secili, në mënyrë të pavarur, karrierën e vet krijuese.

Disa vite më vonë, në gazetën letrare ‘Ars’, 28 mars, 2004, rindizet dëshira për të shkuar drejt krijimit të një Manifesti të ri letrar. Por,fryma tepër agresive që përcolli kjo gazetë, në disa shkrime të veçanta, zbehu, ose la jashtë vemendjes , çeshtjen interesante që shtrohej në disa shkrime të saj. Botuesi, I. Jubica, duke pohuar se u nisën jo për t’i shpallur luftë dikujt, por vetëm për përkrahjen e një letërsie të re, shkruan, në nëntitull të veçantë, ‘Koha për manifest’ : “Me kalimin e kohës e kupton se më e keqja e së vjetrës – ajo që kurrë nuk do të mund të fitojë statusin e dëshiruar të traditës  – nuk ikën vetë; ajo duhet të hidhet tej, për t’i lënë vend tjetrës, siç ka ndodhur kur njëra rrymë letrare binte, ngaqë i bënte presion lindja e një tjetre….Ndoshta ka ardhur koha të hartohet një dokument, një tekst, ndoshta një manifest për letërsinë, që – sigurisht nuk do ta përmbysë me revolucion, me fjalime përpara turmave të ekzaltuara, regjimin letrar në fuqi, por do ta ngrejë në rrang institucioni zërin e refuzimit, të protestës publike ndaj të shpallurve përfaqësues të letërsisë së sotme shqiptare, që janë njëkohësisht edhe ata të vjetrit. Po, ka ardhur koha për një manifest letrar”  ( Irhan Jubica “Nuk është kurrë vonë për një manifest letrar”, Ars, 28 mars 2004) 

Autori bën thirrje të bashkohen me Arsin ata që mund të ofrojnë diçka për këtë manifest, por nuk qe ende e qartë dilema “kush do ta bëjë këtë manifest?”.  Vështirësinë  e gjen te mospërputhja e aftësisë së tyre me klimën mbizotëruese, sepse mendohej se të gjithë ata që kishin shkruar deri në atë kohë, që jetonin akoma, ishin ‘socrealistë…’, pra nuk mund të bëheshin pjesë e realizimit të këtij misioni. Vazhdimi i trajtimit të çeshtjes së hartimit të një manifesti të ri letrar, edhe në numurin e mëpasshëm të gazetës Ars, ishte, për mendimin tim, një ide origjinale, e vlefshme, që do të duhej të përfshinte në diskutim studiues, shkrimtarë dhe artistë. Pse nuk ndodhi kjo ?

– Sepse vetë gazeta Ars, kishte investuar keq reputacionin e saj, në disa shkrime, në të cilat autorët rrëmbeheshin në vrullin e sulmeve dhe fyerjeve , që nuk ka asgjë të përbashkët me debatin e vërtetë shkencor.

– Sepse, disa autorë kishin menduar, gabimisht, se mund të bëheshin persona të rëndësishëm në këtë moment politik e kulturor, duke u shfaqur kritikë po aq të egër e të politizuar sa paraardhësit, në periudhën e komunizmit.

Sigurisht, ishte shkruar edhe se nuk synonin të mohonin gjithshka, se “ne duhet t’u sqarojmë njerëzve se s’kemi ndërmend ‘të vrasim’ njerëz, por të marrim qëndrime për çdo dukuri me të cilën ndeshemi dhe që mendojmë se duhet shqyrtuar (pa kompleks), se jemi kundër KORNIZAVE, duke mos e duruar imoralitetin e atyre që mbrojnë letërsinë e fundit të realizmit socialist dhe vlerat e dyshimta të saj…”             (Ars, 25 prill 2004).   Por , nuk kish mbetur asnjë krijues, studiues e kritik pa u sulmuar e fyer. Një frymë e tillë, në fillim të shekullit XXI, në një vend, që ishte i etur për diskutim të lirë, pa paragjykime dhe me respekt reciprok, ishte shumë lodhës !. Ndërsa rubrikat që i kushtoheshin botimeve të letërsisë bashkëkohore, të huaj dhe krijues shqiptarë të rinj, ishin mjaft interesante, fashikulli i kritikës, jo vetëm që nuk arriti të tërheqë autorë e studiues të Shqipërisë dhe të Kosovës, por i bëri indiferentë ndaj saj. Forcat krijuese qëndruan larg, jo nga frika, siç mund të jetë shprehur dikush, por shmangën këtë komunikim jo profesional. Kjo nuk duhej të ndodhte, sepse, megjithë pohimet e botuesve për ‘bashkëpunim’, për marrjen pjesë në debat, ata e kishin humbur shansin që këtë gazetë ta bënin një organ të vërtetë debati, rrahjesh mendimesh, si për traditën letrare gati 50 vjeçare, ashtu dhe për drejtimin që po merrte letërsia e pas ’90-ës.  Duke vlerësuar dëshirën për të hapur debatin, mbi një Manifest të ri letrar, mendoj se roli i kësaj gazete do të kishte mbetur i spikatur, nëse në diskutimin teorik (jo më politik) për zëvendësimin e drejtimit letrar të realizmit socialist me një drejtim tjetër, që duhej të institucionalizohej në një manifest letrar (siç ka ndodhur në gjithë historitë e zëvendësimit të një drejtimi letrar me një tjetër…) do përfshinte specialistë të letërsisë, shkrimtarë e kritikë të gjithë brezave.

Pse nuk pati jehonë ideja e diskutimit të një Manifesti të ri letrar ?. Mendoj se ishin disa shkaqe kryesore :

E para, paqartësia teorike, moskuptimi i faktit se manifestet letrare janë programe estetike, që përcaktojnë parimet estetike të konceptimit të letërsisë dhe ndërtimit të veprës letrare, që u kundërvihen parimeve estetike të letërsisë ekzistuese. Së dyti, diskutimi i gjerë do të duhej të hapte një çeshtje themelore mbi rrugën drejt së cilës po shkon letërsia. Ç’është letërsia sot ? Moderniste, simboliste, ekzistencialiste etj..? Të gjitha këto drejtime letrare janë konfirmuar në shekullin e kaluar, me manifeste letrare, nga përfaqësues të shquar të letërsive të ndryshme.  Atëhere : cili drejtim letrar do ta zëvendësojë realizmin socialist ? A ka shenja se letërsia jonë ka marrë, ose duhet të marrë një drejtim të ri, të panjohur në zhvillimet e letërsive evropiane, dhe, mbi këtë bazë, shkrimtarët, ata që janë në ecurinë e këtij procesi, hartojnë një manifest, që do të reflektojë pikërisht këtë tendencë ? Nuk ka ndodhur kurrë që letërsia shqiptare të paraprijë drejtime letrare që nuk kanë lulëzuar në vende të tjera. Përkundrazi, shumë drejtime letrare nuk kane arritur të lulëzojnë fare, ndërsa të tjerë (klasicizmi, romantizmi, realizmi, modernizmi, postmodernizmi…) kanë ardhur vonë  në letërsinë tonë. Atëhere çdo përfaqësonte ky manifest ? Thjesht kritikë, mohim të parimeve të realizmit socialist ? Sepse manifestet letrare kanë dalë për t’iu kundërvënë letërsisë ekzistuese, e cila nuk i përgjigjet më jetës shpirtërore të shoqërisë dhe bëhet e domosdoshme që ajo të orientohet drejt parimeve të reja estetike.  Pra, manifesti është njëherazi : kundërvënie dhe afirmim, !

Të hartosh një Manifest, i cili vetëm mohon trashëgiminë e realizmit socialist dhe nuk propozon një program estetik për zhvillimin e letërsisë, është tjetër gjë !.

Por, edhe në këtë mision thelbësor të Manifestit, duhet të kemi parasysh se asnjë program subjektiv nuk mund të orientojë zhvillimin e letërsisë. Programet e drejtimeve të ndryshme letrare janë hartuar atëhere kur vetë letërsia ka dhënë sinjalin, modelin e një zhvillimi të ri. Kjo do të thotë se as kritikët, as teoricienët, nuk mund ta drejtojnë letërsinë, ajo ka zhvillimet e brendshme, që vinë si rezultat i ndryshimeve që ndodhin në jetën shpirtërore të shoqërisë.

Së treti, nëse në themel të kësaj lëvizjeje do të ishte vetëm lufta ideologjike, përsëri koncepti i Manifestit do të ishte i cunguar, dhe i parealizueshëm, sepse, çdo lëvizje letrare, e konkretizuar në një program estetik, i referohet në radhë të parë ndryshimeve të poetikës së brendshme të veprës letrare;

Së katërti, dëshira për hartimin e një manifesti të ri (siç e thashë ide interesante)  nuk arriti të shtrihej në rrethet e gjera të krijuesve dhe studiuesve të letërsisë dhe arteve të tjera, në Shqipëri dhe Kosovë, për t’i bërë pjesë të këtij debati, i cili, pas viteve ’90, do ngjallte një diskutim interesant për ecurinë e letërsisë dhe të studimeve letrare.

  Vite, më parë, atëhere kur realizmi socialist mbizotëronte letërsinë shqiptare, proklamohej në gazetën Rilindja (1971) shkrimi :“ Vox clamantis in deserto”, i cilësuar si një Manifest letrar.  Një grup krijuesish e studiuesish të rinj e të afirmuar  ( Hysni Hoxha, Ali Podrimja, Samedin Mumxhiu,  Gani Bobi, Rexhep Ismajli, Eqrem Basha, Mensur Raifi, Anton Pashku) shpallnin, haptazi,  qëndrimin kritik ndaj parimeve të realizmit socialist. Kjo gjeneratë e re nga Kosova provonte të sfidonte traditën bashkëkohore letrare të realizmit socialist, duke synuar t’i kundërvinin një drejtim tjetër avanguardist, kundër dogmës socialiste, të mbrojtur nga disa shkrimtarë të kohës, të shprehur në “pesëdhjetë përqind të veprave letrare që botohen tek ne’   Shkrimi kritikonte mungesën e kurajos të shumë shkrimtarëve, që i quan “realitetofobë’, si dhe kritikën që ‘është në rrezik të bëhet një zorrë qorre e letërsisë”.

 Ky shkrim kishte tagrin e një Manifesti, sepse i kundërvihej letërsisë dhe kritikës ekzistuese të realizmit socialist, sepse përfaqësohej nga emra që kishin sjellë dukuri moderniste në krijimtarinë e tyre, nga studiues që kishin afirmuar metoda të reja në interpretimin letrar. Pra, që kishin arsye të forta sociale e kulturore të rebeloheshin. Manifesti nuk flistë për një krijimtari të përfunduar, por për realitetin letrar të kohës së tyre.

Megjithatë, edhe ky shkrim, i cilësuar Manifest letrar, qëndron vetëm në aspektin e kritikës ndaj letërsisë dhe kritikës letrare, nuk përfaqëson një manifest me parashtrim kriteresh të reja për zhvillimin e letërsisë. Pse ? Sepse letërsitë e vendeve evropiane dhe anglo-amerikane ishin futur me kohë në rrjedhat e letërsisë moderniste, me format e ndryshme të saj, me lirinë e krijimtarisë. Pra, ajo çka i mbetej letërsisë dhe kritikës shqiptare, ishte liria e krijimit, braktisja e parimeve dogmë të realizmit socialist.

Në të vërtetë manifestet letrare, në Shqipëri dhe Kosovë, mund vetëm t’u kundërviheshin parimeve të realizmit socialist, për ta orientuar letërsinë drejt lirisë së krijimit.  Letërsia kishte nevojë për krijues e kritikë të guximshëm. Ndërsa sot, detyra e studiuesve është tjetër : t’i japin kuptimin e vërtetë realizmit socialist, jo në aspektin e jashtëm politik (dihet tashmë !), por në qasjen dhe përcaktimin e parimeve estetike, që i përkasin ose jo thelbit të tij.   

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Prof. Dr. Klara Kodra: Bota origjinale e një poeteshe bashkëkohore

Majlinda Rama është një lirike e ëmbël, fine dhe e thellë. Ajo ka lëvruar me sukses disa fusha, po ajo që e...

Granit Zela: Libri i fundit që më bëri të qaj? “Lamtumirë Gabo dhe Mercedes”, shkruar nga biri i Markezit

Libri që po lexoj ndërkohë: Po lexoj librin e Rexhep Shahut “Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën”. Ky libër...

Bahri Beci dhe koncepti i tij mbi procesin e planifikimit gjuhësor të shqipes

Nga Prof. asc. Albana Deda (Ndoja)Departamenti i Gjuhësisë, Universiteti i Tiranës Njoftimi i për mbajtjen e një konference...

Shefkije Islamaj: Ligjërimi postmodern i Rexhep Qosjes

Shkrimtari Rexhep Qosja, me të drejtë, nga studiuesit e veprës së tij letrare-artistike konsiderohet përfaqësuesi më i rëndësishëm e më i veçantë...

KATEGORITË