Kreu Letërsi Kritikë Floresha Dado: Një romancier befasues, që e fsheh emrin e tij!

Floresha Dado: Një romancier befasues, që e fsheh emrin e tij!

Pak vite më parë,  kur u botua romani “Hide mbi kalldrëm”(2016) me autor Tom Kuka, nuk pata asnjë kuriozitet. Janë shtuar shumë shkrimtarët këta 30 vitet  e fundit ! Përsëri u shfaq Tom Kuka me “Gurët e vetmisë” (2018). Epo mirë, është një pasionant i letërsisë që jeton me ëndrrën për të qenë shkrimtar ! Por, përsëri, i pandalshëm ky Tom Kuka, me romanin  “Ora e ligë” (2019). Epo, sikur e teproi, mendova pa patur asnjë kuriozitet për ta lexuar. Por, kur erdhi edhe “Flama” (2021) dhe, kur mësova (me vonesë) vlerësimin që ky autor ‘i panjohur’ kish marrë më parë në konkurs kombëtar, njoha emrin e vërtetë: Enkel Demi ! Kaq misterioz ky autor !  Atëherë i lexova katër romanet e tij me kuriozitet, përsëri me një farë skepticizmi, dhe, u befasova ! Takova një romancier me intuitë jo të zakonshme krijuese. Mjeshtër të rrëfimtarisë, që të bënte të besoje se ky autor duhet të kish ngjizur brenda vetes, prej vitesh, artin e rrëfimit (thelbësor për romanin), imagjinatën krijuese, që i qaset përfytyrimeve e pamjeve vizive sikur lëviz kamera filmike, ligjërimin specifik që ish mbrujtur e mbrujtur brenda procesit të mendimit të tij artistik.  Dhe hyra, tashmë me kuriozitet, në sistemin e tij krijues, që m’u shfaq sa i strukturuar intuitivisht aq edhe unik në narracion, sa i veçantë nga njera vepër te tjetra, aq edhe truall i përbashkët i asaj bote artistike që E.Demi ndërton në romanet e tij. Ndonëse ngjarjet zhvillohen në Tiranën e viteve ’20 dhe në zonën e  Çamërisë në periudhën e persekutimit, ndonëse të katër romanet lëvizin përmes mjediseve dhe personazheve të shumtë e të ndryshëm, ata më shfaqen si katralogji, që ndërtojnë së bashku një realitet dramatik në vite mjerimi, injorance, vuajtjeje apo dhe persekutimi tragjik. Mënyra e perceptimit të realiteteve, përmes një stili rrëfimtar të kuruar mjeshtërisht dhe me ndjeshmëri të veçantë, si dhe rishfaqja e disa personazheve nga njeri roman te tjetri, që hyjnë e dalin sipas stilit kinematografik, që lëvizin, këmbehen, më krjuan vizionin e një realiteti që nuk ‘shihet’ një herë e ikën, por që është aty, që rizbulohet vazhdimisht në katër romanet, me ngjyra sa impresionuese aq edhe dramatike. Një intertekstualitet me finesë, i pa ekzagjeruar, që krijon të përbashkëtën, por duke ruajtur mjeshtërisht individualitetin filozofik dhe emocional të secilës vepër. Specifikë e shfaqjes së këtyre realiteteve është një rrjedhë në dukje e qetë, përgjithësisht pa britma e bujë, ndonëse mjediset dhe personazhe kanë tragjizëm apo dramë të brendshme  të thellë. 

Është e pamundur që ky sistem krijues të zbërthehet në pak faqe, prandaj zgjodha të flas (shkurt, sigurisht) për disa prej çeshtjeve më specifike që dallojnë individualitetin e këtij romancieri.

Rrëfimtaria

Në romanet  e Tom Kukës/E.Demit shfaqet si një proces, brenda të cilit çdo ngjarje, lëvizje personazhesh përfaqëson, gjithashtu, një proces në sfondin e atij tërësor. Ato bashkëjetojnë ose kombinohen, duke ndërtuar së bashku  rrjetin narrativ, që në thelb i përgjigjet strukturës së brendshme të rrëfimtarisë. Ndonëse në vështrim të parë ngjarjet, lëvizjet i shohim në strukturën e jashtme të veprimit, pra në nivelin rrëfimitar të dukshëm, në të vërtetë janë lëvizjet e nivelit të brendshëm ato që ekzistojnë para se ai të shfaqet  në rrjedhën e subjekteve. Pra, nëse thashë më sipër që katër romanet i konceptoj si një korpus katrologjik, kjo ka të bëjë me faktin se struktura kuptimore e brendshme e tyre, në një kuptim, është e përbashkët, por realizohet përmes katër formave të ndryshme të strukturave sipërfaqësore, çka i bën veprat të formësojnë  botë dhe realitete të papërsëritshëm. Në secilin nga romanet autori e ka orientuar rrëfimin  në  ndërtimin e ndryshimeve, lëvizjeve nga një gjendje në një tjetër, nga një marrëdhënie njerëzore në tjetrën. Dihet se në një vepër rrëfimtare (romani si lloji më i plotë) autori ndërton, sipas përfytyrimit të tij, një ‘lojë’ narrative ku kanë peshën e tyre aspekte të tilla : mënyra si paraqitet ngjarja (në distancë apo drejtpërdrejtë); shkalla e gjerësisë së përshkrimit (dhënia në detaje, apo stili telegrafik); distanca që krijon rrëfimtari me personazhin e ngjarjen; pikëvështrim i ngjarjeve duke venë në fokus historinë, apo më shumë përjetimin e  ngjarjes nga rrëfimtari, pra rrëfim i shtruar sipas një logjike të qartë, apo  shkarkesa të pakontrolluara emocionale, etj. Sigurisht, përpjekjet për t’i vënë në punë këto lojra i gjejmë në estetikën realiste, ku qëndron përgjithësisht romancieri ynë, por në trajta më specifike hasen edhe në qasje tjetër,  në skena që të kujtojnë realizmin magjik, mpleksur mrekullisht me realizmin.

Zakonisht në një roman ngjarjet janë dy lloje : ose të tilla që shtyjnë përpara veprimin, duke hapur një lëvizje të re, ose të tilla  që zgjerojnë dhe shtyjnë të mëparshmet. Në narracionin e romaneve të E.Demit lëvizin të dy llojet e veprimeve. Gjithashtu në ngjarjet, marrëdhëniet, historitë e tyre figurat vendosen në një sfond të përcaktuar e të qartë  kohor dhe hapësinor. Po aq reale është në këtë strukturë edhe shkakësia e veprimeve të personazheve. Kështu, vazhdimësia kohore bashkohet me parimin e shkakësisë, ndonëse në thelbin e funksioneve të tyre të brendshme ato realizojnë kuptime të caktuara të marrëdhënieve midis personazheve dhe ngjarjeve në të cilat janë përfshirë. Këto  parime, pothuaj të domosdoshëm, ndonëse i vendosin personazhet në boshtin sintagmatik, që i referohet pikërisht strukturës narrative sipërfaqësore, në të cilën lexojmë se ndodh diçka, se ngjarja është një ndryshim nga një gjendje në një tjetër, në të vërtetë kanë shtytjet e brendshme, janë pjesë e asaj strukture, të cilën autori e ka ‘fshehur’ mjeshtërisht. Dhe, duket sikur synimi është thjesht të përcjellë njohje, realitete, varfëri e mjerim të një mjedisi e konteksti historik të caktuar. E gjithë kjo vjen përmes një narracioni me rrjedhshmëri të qetë, ndonëse në brendësi të vet ka shumë lëvizje, përplasje, ndryshim, disfatë dhe trishtim. Përtej njohjes së drejtpërdrejtë zbulojmë disa nënështresa të brendshme kuptimore. (Ora e lig,  Flama). 

Në stilin e romaneve të Enkel Demit roli i rrëfimtarit përgjithësisht duket si neutral, autori mban monopolin e rrëfimit, merr pozicionin e një vëzhguesi që ndjek dhe përcjell te lexuesi ato çka ndodhin. Shpesh ky ‘neutralitet’ prishet, duke e shndrruar rrëfimin në pohime dialogjike të brendshme, apo kur pa e kuptuar ndjen se stili i rrëfimtarit shkrihet me atë të personazhit (Gurët e vetmisë), apo kur momentet e përjetimit kombinohen natyrshëm me  rrëfimin e veprimeve. Rrëfimi sikur lodron, rrëshqet dhe krijon njëkohësisht konkretësi, qartësi…sikur shohim çdo gjë (Hide mbi kalldrëm, etj.).  Por, duhet thënë se ritmi i rrëfimit nuk konceptohet thjesht si teknikë e jashtme , por një lëvizje e brendshme e shqetësimeve të personazhit (‘Ora e ligë). Në vështrim të parë  karakteristikë e stilit rrëfimtar të këtij autori duket rrëfimi ‘i shtruar’, që sikur rrjedh në mënyrë lineare, por kalimet pas, shkrirjet e momenteve të së shkuarës me të tashmen e personazhit i japin këtij rrëfimi energji të brendshme. Pas qetësisë së jashtme, kombinimit të zërit të brendshëm, që i përket momenteve të shkuara, me komunikimin e drejtpërdrejtë të çastit të rrjedhës, ndjehet gjëmimi i brendshëm shpirtëror. Është proces i njëkohshëm i ndërthurjes, i kapërximeve, në dukje të qeta por dhe shumë të shpejta, të përjetimit të së shkuarës me përjetimin e momentit. Parimi i kontrastit të situatave që rendin pas dhe kthehen përsëri, futja e një dialogu të shkurtër (të narrativizuar) apo thjesht si cikërrimë e një rrëfimi, zërat që nxisin njeri tjetrin, koloriti i jashtëzakonshëm etnokulturor, mprehtësia e nje realizmi kritik, shpesh ndërthurur me realizëm magjik, zëri i rrëfimtarit që shkrihet me një zë të paidendifikuar, sjell kështu thjesht një mendim, dyshim, pohim… (Gurët e vetmisë) etj. Në vija të përgjithshme suksesi kryesor i procedimeve narrative është krijimi me realizëm të fuqishëm i realitetev historike si dhe  i skenave magjike, që zgjojnë te lexuesi përfytyrime të jashtëzakonshme, me konkretësi perceptimi dhe ndjeshmëri emocionuese. Shpesh romani vjen si një pikturë me ngjyra të ndezura, me qartësi vizuale…(Ora e ligë).

Dy ndjenja, mendoj se përjeton lexuesi në leximin e këtyre romaneve: nga njera anë kënaqësinë e rrëfimit, të njohjes, të përfytyrimit të personazheve…: nga ana tjetër një trishtim pikues për atë që mbart përfytyrimi mbi një realitet mjerimi, me problematika historike dhe shumë drama njerëzore…

Ku qëndron sekreti i narracionit në stilin e E.Demit ? Është një pyetje që vjen natyrshëm….Krijon një vizualitet si në film, tabllotë, lëvizjet, veprimet gjallërojnë aftësitë përfytyruese të lexuesit, i jep fjalës lirinë e lëvizjes, loja me kohën-bashkim i përshkrimit të momentit me vizione të një moment të shkuar, shkrirja e njohjes historike me emocione të fuqishme, dhe e gjithë kjo rrëshqet, butë, qetë, natyrshëm… Narracion i zhdërvjellët, i matur, pa ngut, por me dinamikë të brendshme.

Figurat-personazh

Mjeshtëria e një rrëfimtari shfaqet së pari në krijimin e figurës-personazh, sepse ky është një ndër organizuesit më aktiv të tekstit narrativ, por njëkohësisht edhe një efekt i organizimit të këtij teksti. Personazhet e shumtë të katrologjisë së E.Demit kanë rol të dukshëm në paktin e leximit, në krijimin e iluzionit referencial, dhe, kjo ndodh nga që autori krijon njësi figurative të individualizuara, që nëpërmjet formave tekstuale specifike i referohet personave të një konteksti konkret historiko-social. Të konceptuar përgjithësisht sipas iluzionit referencial, ata luajnë rol të rëndësishëm në prodhimin e efekteve të reales si edhe në vendosjen e një ‘pakti të leximit’, nga njera vepër në tjetrën.

 Personazhi duket sikur vepron në rend linear, atëhere kur midis zhvillimit të ngjarjeve dhe lëvizjes së tij në to ka një përputhje në rend…Por  personazhi i Tom Kukës/E.Demit lëviz  edhe në sfondin e një mospërputhjeje midis rendit të fakteve dhe rendit me të cilin këto fakte janë referuar. Në këtë lloj raporti të përmbysjes së rendit të  ngjarjeve risillen veprime që kanë paraprirë veprimin e personazhit, ose veprimet e personazhit i paraprijnë së ardhmes (Gurët e vetmisë, etj.)

Dihet se në letërsi, si arti i formësimit përmes fjalës,  konturet e personazheve nuk i hapen një perceptimi të drejtpërdrejtë. Ata kërkojnë një perceptim imagjinar. Në ciklin e romaneve të këtij autori formësimi i personazheve ngrihet mbi përshkrimin dhe detaje ekspresive, paraqitja krijon perceptim imazhesh me një vërshim të fuqishëm të ndjenjave, pasioneve të brendshme…çka qartëson karakterin visual të tyre. Mjeshtër i portretit, të jashtëm por dhe të brendshëm, në të katër romanet, pikturues i ndjenjës (Ora e ligë), portrete si në pikturë, ngjyra të trishta ose me shumë dritë. Rrëshqet butë përshkrimi i lëvizjeve të personazhit, i cili ndiqet nga rrëfimtari si me kamera xhirimi; përfshirja, ndonëse jo shpesh, e personazhit në rrëfimin që sjell momente dramatike të realitetit… (Flama). Detaji shfaqet jo vetëm në portretizimin që i jep qartësi përfytyrimit visual të personazhit, por edhe lëvizjeve që ndodhin në botën e brendshme të tij. Kombinimi i veprimit të jashtëm të  Sali Kamatit (Ora e ligë) me lëvizjet e brendshme, që janë më të fuqishme se ato të jashtme, zbulojnë një ndër karakteret më interesantë të këtij cikli romanor. Përplasje ndjenjash që gërryejnë shpirtin, konflikti midis asaj që duhet të bëjë (gjakmarrja në vrasjen e Çelo Mezanit) dhe brenga që nuk i shlyhet; dilema, pafuqia shpirtërore ndaj pushtetit të ‘dalldisë’, si fuqia më e madhe që e mposht një burrë…Dy brenga të mëdha, vrasja dhe dashuria, drama e shpirtit të dyzuar, dilema njerëzore gjejnë shprehje në metaforën ‘ora e ligë’si pjellë e shpirtit dramatik të personazhit, e fanepsur në ëndërr, si kërkim i mbështetjes për ‘mëkatin’ e tij….. Konceptimi i kësaj figure-imazh (orës) në dy pjesë, në mënyrë metaforike mbart dilemën e udhëkryqit të personazhit. Irealja, imagjinarja e realizmit magjik, ku më shumë e ku më pak, shkrihen në formësimin e botës së brendshme të këtij personazhi. Kamera ndjek lëvizjet e brendshme shpirtërore dhe të jashtme të personazhit. Drama e Sali Kamatit,  rrëfimi me veten : e qëlloi vetëm një herë (për të bërë zakonin) e jo tre herë, se nuk ishte egërsi; mbasi kryen detyrën e gjakmarrjes përkujdesjet për t’i dhënë ujë, rregulluar kokën, duart, këmbët…. Dramë që përsëritet kur djali i gjakësit e qëllon po me aq dhimbje edhe atë…Ngjarja tragjike e kapërcen realen, duke marrë përmasa të tjera nga këngëtari popullor. Shprehja “kënga erdhi para teje” i jep rastit, momentit përmasa përtej reales. Autori ka një imagjinatë krijuese që e çon në figura fantazmagorike. 

Në stilin rrëfimtar të autorit dramat e personazheve nuk krijojnë britma, efekte, por godasin lexuesin me thellësinë e dhimbjes së brendshme, drithëruese. (Gurët e vetmisë dhe të tjera.)

Duke mbështetur plotësisht pikëpamjen strukturaliste se rrëfimtaria ka të bëjë kryesisht me mënyrën se si ngjarjet dhe karakteret i ofrohenlexuesit në subjekt, do të thoja se i rëndësishëm është jo vetëm parimi i kronologjisë së rrjedhës së ngjarjeve dhe raporti i shkakësisë, por në radhë të parë struktura e brendshme e ndërtimit të rrëfimit, përmes ndërthurjeve dhe këmbimeve të të cilit formësohet dhe shfaqet para nesh, tërësisht e prekshme figura-personazh. Për këtë arsye, edhe në këto katër romane koncepti i subjektit merr rëndësi të veçantë në trajtimin e poetikës së rrëfimtarisë, në të cilën  ngjarjet shkaktohen dhe janë pasojë e veprimit të personazhit.

Nëse do t’i referoheshim përcaktimeve teorike mbi tipologjinë e romaneve do të thonim se, në përgjithësi romanet e Enkel Demit/Tom Kuka janë romane të ngjarjes dhe të figurës. Ato paraqiten si një teatër i madh, ku personazhetluajnë në mjedise të ndryshme dhe me disa variante të shumta dhe ku kuptimi i secilës formë narrative është në funksion të zbulimit të marrëdhënies midis dy botëve : bota ‘reale’,  e realitetit të shqiptarëve në dy mjedise dhe momente historike të ndryshme, me botën trilluese të autorit, që ka shumë ngjyra e përjetime…Në stilin krijues të romancierit gjejmë një marrëdhënie të natyrshme midis këtyre dy botëve. Personazhe të tillë të spikatur si  Di Hima (përballja e qytetërimit që vjen me mundim, deziluzion, por me këmbëngulje përballë vështirësive të një realiteti tronditës…), Tom Kuka me filozofinë e sigurisë dhe qetësisë së veprimit, etj. janë pjesë e një galerie të gjerë, me larmi karakteresh, me qasje në pika të ndryshme të vendosjes së kameras së rrëfimtarit.

Realizëm

Aspekti themelor i logjikës së letërsisë është opozicioni, në dukje, midis letërsisë dhe realitetit.  Problemi i kuptimit të raportit trillim letrar dhe realitet është i dyfishtë: themi se fiksioni është gjë tjetër nga realiteti, por në të njëjtën kohë, çka duket si kontradiktore, themi edhe se realiteti është lënda e fiksionit, i cili ka natyrë të ndryshme nga realiteti.

Janë dy procese dalluese që vihen në lëvizje nga akti trillues. Realitetii riprodhuar bëhet një ‘realitet’ përtej vetes dhe imagjinarja transformon. Si pasojë, realiteti jashtëtekstual shkrihet në realitet tekstor, pra, funksionon si pikë që luan midis reales, procesit formësues-trillues dhe shfaqjes. Ndonëse çdo komponent i treshes ka funksion të ndryshëm, akti i formësimit është i rëndësisë më të lartë. Ai çon realen te imagjinarja dhe imagjinaren te realja. Në romanet e Tom Kukës  kufiri midis fiksionit dhe realitetit është i hollë….. Autori vë në veprim shumë elemente të teknikës narrative  që të ndikojë në imagjinatën e lexuesit, që të krijojë imazhe të realiteteve dramatike të shqiptarëve, që të përcjellë parodinë e situatave të  konteksteve të caktuara historike. Konfuzioni, paqartësia e  Tiranës (edhe kur u shpall kryeqytet),  pamjet trishtuese të rrugicave dhe shtëpive me qerpiç, çative prej kashte, ambjenteve ku njerëzit dhe minjtë vrapojnë krahas njeri tjetrit, skenat tragjike e drithëruese të pasojave të flamës, varfërija dhe injoranca, ku “arsyeja ishte përjashtimi nga rregulli, kurse bestytnitë , e zakonshmja” (Flama, Hide mbi kalldrëm)…, tabllotë e mjerimit dhe jetës si në kënetë, fallxhores që sundojnë shpirtra të trazuar, gjymtime njerëzore etj. janë tabllo me ngjyrime realiste, që godasin fort. Mjeshtër i vizatimit të psikologjisë së një qyteti oriental përmes tabllosh trishtuese që, gjithsesi, po bën hapat e para drejt një zhvillimi (skenat e bicikletës, makinës, operas…) dhe qasje të tjera bëjnë që në stilin e autorit realizmi të shfaqet fuqishëm: në përshkrimin e pasojave të luftës italo-greke, të masakrave mbi shqiptarët dhe shpërnguljet tragjike të tyre (Gurët e vetmisë)… Janë interesante raportet midis reales dhe bestytnisë, magjisë,  legjendës…. Ngjarjet tragjike e kapërcejnë realen, marrin përmasa të tjera (Ora e ligë). Romani në thelb ngrihet mbi një tragjedi që ka në themel sarkazmën dhe parodinë. Por, nga ana tjetër, e gjithë skena e takimit me orën e ligë  është imagjinatë e realizmit magjik, ëndrra që risjellin emocione, jehonë të legjendave…  (Ora e ligë); ka përshkrim dhe situatë halucinative, rishfaqje të viktimës, të hijes së saj dhe bisedë me të (Di Hima te Flama). Parimi i kontrastit ndez dramën dhe fatet tragjike të shqiptarëve, deri në skajet e Çamërisë.  Kontrasti i dhimbshëm : Tirona e luleve, e pemëve dhe Tirona e mjerimit, e injorancës, e pocaqisë, e mjediseve dhe atmosferës trishtuese… Duke ndërtuar me realizëm tabllo të jashtëzakonshme të këtij realiteti, autori sjell skena, personazhe, raporte mes tyre me forcën e një realizmi të fuqishëm që, siç e thashë, herë-herë ngjyroset me stilin e realizmit magjik. Mjeshtër i detajit, i ndërtimit të figurave-personazh dhe të marrëdhënieve mes tyre, romancieri ka ndërtuar në katër romanet e tij një realitet historiko-social, u ka dhënë ngjyra të forta pikturuese galerisë së  personazheve, të zakonshëm e të pazakonshëm.

Ligjërimi

Befasia e poetikës rrëfimtare të Tom Kukës/E.Demi shfaqet edhe në mjeshtërinë e përpunimit ligjërimor, në pasurinë gjuhësore krahinore deri në perfeksion, në ndërtimin e strukturave ligjërimore, ku ritmi, rendi, kuptimet dhe raportet e brendshme midis fjalëve e fjalive krijojnë një strukturë ligjërimore të punuar me dashuri dhe intuitë të rrallë gjuhësore. Nëse i referohemi pikëpamjes së Genett-it mbi llojin e përshkrimit në prozë do të thonim se në romanet e autorit tonë mbizotëron përshkrimim ornamental në nivelin e ligjërimit. Nga ana tjetër, mund të themi, në to mbizotëron narracioni mimetik, që respekton thelbin e karaktereve dhe mjedisit ku zhvillohen ngjarjet. Është befasuese aftësia gjuhësore e autorit në përpunimin ligjërimor, çka u ka dhënë romaneve një kolorit gjuhësor fantastik… Ligjërimi i personazheve po sidomos i rrëfimtarit rrjedh, gurgullon, ngroh, rrënqeth, trondit… (Ora e ligë, etj..). Ligjërimi, sipas estetikës realiste, e ka refuzuar lojën ekstreme të fjalëve, konfuzionin literal/metaforik;  duke synuar qartësinë  e komunikimit artistik, ky ligjërim shmang dukshëm ndarjen midis ‘qënies’ dhe ‘dukjes’ së objekteve dhe personazheve.

 Në katër romanet, ligjërimi nuk ka thjesht vlerën e nuhatjes me intuitë të jashtëzakonshme të fjalorit tipik tiranas apo të variantit çam, por dhe strukturimin e përgjithshëm ligjërimor. Ndërkohë ai ndiqet me kënaqësi si një ligjërim i ngrohtë, i paqtë, që përcjell qetësi…Lexuesi zhytet, rrëshqet lehtazi nëpër ligjërimet e rrëfimtarit-autor dhe të personazheve.

Poetika rrëfimtare e Tom Kukës ngjizet mbi shumë metafora të kuptimit, që ndërtojnë raporte të rëndësishme kuptimore dhe që jetojnë në nivelin e brendshëm të strukturës së rrëfimit. Metafora  Ora e ligë mbart dilemën gërryese të shpirtit që ka humbur ekuilibrin dhe qetësinë shpirtërore; metafora e gjarpërijve, që  shpërndahen ngado rrugëve, kopshtijeve; skena metaforike ”Lumi është bërë i zi”…(Gurët e vetmisë); metafora e filxhanit që ‘nxirrte në shesh’të fshehtat, krimet…(Hide mbi kalldrëm) ; metafora e minjve, si mallkim për fëlliqësitë e njeriut..; metafora e murtajës (Flama); metafora e zhdukjes dhe më pas e kthimit të zogjve…(Flama); metafora e leskrës (përfoljet e njerëzve…); grotesku (i përgjithshëm…); absurdi etj.janë pjesë e rëndësishme e strukturës ligjërimore-kuptimore të botës artistike që krijon romancieri, janë thelbi i kuptimit filozofik-emocional që i përcillet lexuesit. Në secilin roman ka një raport të caktuar midis planit të shprehjes dhe planit të domethënies. Plani i thënies është shumë i përpunuar në aspektin ligjërimor dhe i fuqishëm në stilin e autorit, por plani i domethënies (kryesori dhe thelbësori në letërsi) në stilin romanor të autorit është i qetë, provokues në ngjalljen e përfytyrimeve të lexuesit dhe  me pushtet të madh tek ai. 

Preferova t’i shoh të katër romanet si një strukturë artistike e plotë, sepse cikli i tyre nis në Tiranë dhe mbaron në Tiranë; sepse ka shumë histori njerëzore, fate tragjike që drejtpërdrejtë, apo tërthorazi, lidhen dhe ndikojnë te njeri tjetri; sepse në galerinë e personazheve një pjesë shfaqen e rishfaqen nga njëri roman te tjetri dhe se në lëvizjet e tyre përplaset normaliteti me shnjerëzoren, qartësia e mendimit me devijimin psiqik, sepse kalimet e situatave janë aq të natyrshme, ka shumë përshkrime, tablo të jetës reale…Është paksa e çuditshme njohja e autorit mbi realitetin e Tiranës së viteve ’20, kohës kur ndërtohen ngjarjet…. Si ka ardhur ai realitet me aq kolorit në të gjitha aspektet, aq i gjallë dhe me kolorit të spikatur në imagjinatën krijuese të këtij autori?

Sigurisht, është e pamundur që në kaq pak faqe të analizohen njëkohësisht katër romane, por, gjithsesi,  ishte dëshira për të përvijuar disa nga aspektet e stilit rrëfimtar të Enkel Demit, intuita artistike e të cilit befasisht më imponoi një autor që lëviz mjeshtërisht në  artin narrativ dhe me origjinalitet të spikatur. 

         *  *  *

Për Tom Kukën: si lexuese e zakonshme, do të kërkoja nga ty, që ke dëshmuar se je shkrimtar me intuitë krijuese, të mund të kapërcesh tashmë tematikën e zymtë të një mjerimi dhe injorance rrënqethëse, të realiteteve të shekullit të shkuar, që përcjellin trishtim, pocaqitë e kohës (sigurisht, siç e thashë, kontribut i madh dhe origjinal në romanet e tua !) …Këtë e bëre me mjeshtëri! Por lexuesi kërkon edhe vepra me filozofi të tjera, me trajtime që kanë të bëjnë me thelbin e njeriut, me problematikat komplekse të jetës të sotme…Sigurisht nuk është normale t’i sugjerohet një autori problematika që duhet të trajtojë, sepse një autori të vërtetë kjo i vjen natyrshëm, intuitivisht… Megjithatë, një shkrimtar që zotëron artin e rrëfimtarisë, të përdorimit të detajit artistik, të depërtimit në shtresën e brendshme të shoqërisë dhe individit, shkon natyrshëm drejt kësaj qasjeje… Letërsia është raport specifik, emocional, i shpirtit njerëzor me realitetin…Dhe ky raport gjithnjë ka qenë dhe mbetet kompleks, i vështirë për t’u trajtuar, por magjik në forcën ndikuese te njeriu. Jam e bindur se romane ende të paardhur do të vinë prej teje së shpejti.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Publikohet Lista e Gjatë e Booker Prize

Përgatiti Andreas Dushi Më 27 korrik 2021, u bë publike lista e gjatë e kandidatëve për çmimin Booker...

Emrije Krosi: Që soneti i Uran Kostrecit mos të mbetet në hije si vetë jeta e tij

Uran Kostreci qe i fundmi i mohikanëve, qëndrestari i fundit nga radhët e -ish të burgosurve politikë, të quajtur nga (Visar Zhiti),...

Rudolf Marku: Një takim i paharruar me shkrimtarin John Updike

Në Korrikun e vitit 1994 ndodhesha i ftuar në një program kulture në Shtetet e Bashkuara. Qendrimi im për afër dy muajsh...

Ervin Nezha: Një vështrim mbi romanin “Darka e gabuar” të Kadaresë

Në rrjedhën e gjatë të kohës, historitë përsërisin vetveten. Dy mijë vjet më parë, në një darkë të paqartë, të mbuluar nga...

KATEGORITË