More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFloresha Dado: LETËRSIA JONË NË BOTIMET ENCIKLOPEDIKE - Çështje përzgjedhjeje apo metodologji...

    Floresha Dado: LETËRSIA JONË NË BOTIMET ENCIKLOPEDIKE – Çështje përzgjedhjeje apo metodologji e vlerësimit historiko-estetik?

    Duke u mbështetur vetëm në tre vepra: “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, A.SH. RPSSH, Tiranë 1985; “Historia e Letërsisë Botërore”, Rilindja, Prishtinë 1985, Vëllimi 2; dhe “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë 2008 (botim i ripunuar), mendoj se problematika e pasqyrimit të letërsisë në botime enciklopedike, përqendrohet në dy boshte themelore : në aspektet praktike, që kanë të bëjnë me vërejtjet mbi :

    – përzgjedhjen e autorëve dhe dukurive letrare;

    – me saktësinë e përcaktimit të llojit të zërit (të madh, të mesëm apo të vogël) për autorët e ripërfshirë, ose të futur rishtazi;

    – me korrigjimin e raporteve jo të drejta midis autorëve; 

    – me krijimin e zërave të rinj apo heqjen e ndonjë zëri të panevojshëm; 

    – me shmangijen e subjektivizmit në përzgjedhje dhe në vlerësim;

    – me korrigjimin e faktit që jo rrallë hartuesit e zërave nuk janë specialisët të mirëfilltë mbi autorin apo dukurinë letrare;

    – me plotësimin e zërave të konceptuar varfërisht, ose çeshtjeve të pastabilizuara në interpretimin shkencor (si letërsia. arbëreshe);

    – mbi nevojën e ndryshimit apo plotësimit të hierarkisë së vlerave, si pasojë e zbulimit të dorëshkrimeve të veprave të reja, etj.

    Probleme të kësaj natyre, por edhe të tjera, ka shumë. Në botimet e 1985-ës janë në përmasa alarmante.  Por, vizioni i sotëm i shkencës sonë letrare,  nuk mund të mbetet thjesht dhe vetëm në konstatimet e problematikës komplekse, për të cilat jemi të gjithë dakort. Prandaj them se boshti i dytë, themelori në shkencën e sotme, ka të bëjë me metodologjinë e konceptimit të pasqyrimit të letërsisë në këto lloj botimesh. Duke patur parasysh këtë lloj botimi, fjalor i përgjithshëm kombëtar, ku dukuria letrare vendoset sipas vlerësimit  historiko-estetik, çeshtja kapërxen thjesht kriterin e zgjedhjes dhe vlerësimit të saj dhe i përfshin pashmangshmërisht hartuesit në një varg diskutimesh të karakterit metodologjik.

    Së pari, problem themelor është përcaktimi i raportit  informim / vlerësim estetik. Në

    një fjalor enciklopedik cili aspekt duhet të jetë në plan të parë: njohja e fenomenit, autorit, si fakt historiko-letrare, apo identifikimi i tablosë së specifikave artistike? Ka zëra të mëdhenj ku mbizotëron analiza, prej specialisti, mbi tiparet stilore-poetike, në dallim nga disa zëra, përsëri të mëdhenj, që konceptohen më shumë si informacion për një dukuri letrare.

    Së dyti : prezantimi i letërsisë në botimet enciklopedike nxjerr problemin e unifikimit të konceptimit strukturor të zërave. Përgjithësisht, pjesa e parë, (jeta, formimi dhe aktiviteti jashtëletrar, etj.), është e strukturuar sipas të njëjtit parim; problemet lindin kur vjen momenti i prezantimit të krijimtarisë letrare. Diskontinuiteti në strukturën e brendshme të disa zërave na ve para çeshtjes : a duhet një strukturë e unifikuar, apo ajo mund të jetë edhe e variueshme, sipas specifikave të autorëve të ndryshëm ?

    Së treti : Sipas cilit kriter duhet konceptuar një zë i mesëm apo i vogël? ( sepse zëri i madh është më i lehtë.).  Domethënë : cila duhet të jetë dominanca përcaktuese : prezantimi si krijues i mirëfilltë, apo si personalitet me kontribut në jetën politike-kulturore (pa mohuar vlerësimin e të dyjave)? Kjo lidhet edhe me çeshtjen se a do të mbizotërojë, në llojin e zërit, kriterii sasisë së krijimtarisë, apo pesha e dukurisë letrare (edhe nëse kjo krijimtari është e pakët)? Në këtë aspekt, mendoj se  kufiri midis zërit të mesëm dhe të vogël është më problematiku.

    Së katërti :  zërat  përgjithësues të mëdhenj, që merren me fenomene të periudhave, drejtimeve letrare, a duhen karakterizuar (sado pak) edhe në plan krahasimtar me letërsitë fqinje, ballkanike dhe më gjerë evropiane, kur dihet se pjesa më e madhe e krijuesve të traditës letrare zhvilluan aktivitetin e tyre krijues ose në vende të tjera, ose nën ndikimin e autorëve evropianë ? Nga ana tjetër, për autorë që shënojnë hope cilësore në zhvillimin letrar, a mund të shtrihet ky parim krahasimtar, sado shkurt, edhe me autorë paraardhës dhe bashkëkohorë shqiptarë, sigurisht pa tejkaluar caqet e një fjalori enciklopedik?

    Së pesti: problematika metodologjike shfaqet edhe në   respektimin e specifikës  së një fenomeni përgjithësues, p.sh romantizmi shqiptar, apo tipologjia e gjinive letrare, në raport me dukuri që i përkasin një nënlloji letrar, apo patosi të krijimit (siç ka ndodhur me zërin “letërsia satirike”). Një konfuzion i tillë shpreh mosrespektimin  e kufijve të strukturës emocionale-tipologjike në kategorinë e gjinive,  llojeve dhe nënllojeve letrare.

    Së gjashti : botimi enciklopedik nxjerr edhe një çeshtje tjetër metodologjike: qartësinë e raportit midis qasjes ndaj fenomenit letrar si historian i letërsisë, apo si kritik letrar. Nëse themi: të dyja, vështirësia vjen, megjithatë, në  kombinimin praktik, kur dihet se këto dy qasje kanë specifikat e veta. Problemin e vërteton, p.sh., zëri mbi Kritikën letrare, me varfëri dhe pasaktësi të palejueshme. Saktësia e kësaj marrëdhënieje do t’i jepte përgjigje çeshtjes, që përmenda më parë, mbi kriterin e dominancës historiko-estetike, apo thjesht estetike.? Nëse kritiku e interpreton veprën si strukturë të realizuar, si një konfiguracion të qëndrueshëm, ndërsa historiani  e shikon strukturën poetike në lëvizje konstante, atëhere është e domosdoshme  të kuptohet thelbi i këtij dallimi. Marrëdhënia midis sensit historik të kritikut dhe sensit kritik të historianit të letërsisë bëhet më të komplikuara në një botim enciklopedik. Mosvlerëimi i thelbit të dallimit midis kritikës letrare dhe historisë së letërsisë, ka sjellë shpesh kritere vetiake në hartimin e zërave dhe sidomos përzierje kriteresh në interpretimin e autorëve dhe veprave letrare.

    Së shtati : Si mund të realizohett marrëdhënia e brendshme midis makrosistemit (letërsia shqiptare) dhe mikrosistemit (vepra, dukuria letrare)? Ndonëse zërat janë të shpërndarë, a është e domosdoshme të ndjehet filli i lidhjes midis tyre ?. Ky parim i brendshëm, që sigurisht kërkon mjeshtëri në realizimin e plotë, shkencërisht ndihmon njohjen e hierarkisë së vërtetë artistike.

    Së teti : Problem shumë i rëndësishëm është vemendja ndaj respektimit të kufijve të letërsisë, kur dihet se në tekste të ndryshëm janë konsideruar vepra letrare edhe të tilla që realisht qëndrojnë jashtë sistemit letrar. Në një fjalor enciklopedik, ku përfshihen monumente të kulturës së gjithë shekujve (15, 16), është e nevojshme të diferencohet lloji i tyre dhe prezantimi si letërsi të rrespektojë tiparin thelbësor të saj, si art i fjalës.

    *   *   *

    Pasqyrimi i strukturës së plotë të letërsisë sonë, në një botim enciklopedik, mund të realizohet vetëm në një Enciklopedi të Letërsisë Shqiptare. Padyshim, është koha të mendohet për një projekt të tillë madhor, i cili, gjithashtu, na përball me kompleksitet problemesh, sa të karakterit metodologjik, aq edhe të aftësisë së realizimit praktik.

    Megjithatë, kam bindjen e plotë se realizimi i  një enciklopedie të letërsisë shqiptare nuk mund të jetë i suksesshëm pa një histori të re, të rikonceptuar, të letërsisë. Dhe, nëse sot ne konstatojmë një varg problemesh në botimet enciklopedike ato, në thelb, reflektojnë dobësitë e Historisë së Letërsisë, e cila ka nxjerrë probleme metodologjike të sistemimit të gjithë procesit historiko-letrar. Problemi nuk është thjesht korrigjimi në përfshirjen e autorëve,  vendosja e raportit të drejtë midis letërsisë dhe realitetit historik, apo midis qasjes historiko-kontekstuale dhe qasjes sipas strukturave të brendshme poetike, etj., por janë disa çeshtje themelore, që shënojnë realizimin e një shkence të vërtetë. Metodologjia ndërton marrëdhënien midis letërsisë dhe interpretuesit të saj. P.sh. është i rëndësishëm të kuptohet parimi se marrëdhëniet midis një modeli poetik dhe gjithë sistemit të letërsisë janë një nga kushtet për vazhdimësinë e të dyjave. Apo se evolucioni letrar sigurisht realizohet brenda sistemit, por njëkohësisht edhe në marrëdhëniet e letërsisë me sisteme të tjera  : social, historik, ideologjik, etj. Apo njohja e faktit se teoria e formacionit estetik na orienton për ta parë një fazë të zhvillimit letrar sa në aspektin historik, aq edhe përmes tipologjizimit të formacioneve estetike. Dy aspektet e studimit të letërsisë sonë : i gjenezës dhe i specifikës së sistemit letrar, përbëjnë boshtet e konceptimit të historisë së letërsisë. Në trajtimet e deritanishme ka mbizotëruar prerja historiko-diakronike, por, në të vërtetë, dimensioni i vështrimit diakronik ka një përmasë më të gjerë se sa thjesht ndërtimi i një serie kronologjike veprash, të cilat kanë vlerën e paraqitjes historike të letërsisë sonë. Në kryqëzim me këtë rrafsh prerja sinkronikendihmon që të zbulohen strukturat e reja letrare, që shpërthejnë letërsinë në një moment të caktuar. Por, nga ana tjetër dihet se sinkronizmi i pastër është tashmë një iluzion; çdo sistem përmban të kaluarën dhe të ardhmen e tij, që janë aspekte strukturorë të pandashëm. Nëse çdo sistem është një evolucion, ky evolucion ka, në mënyrë të pashmangshme, edhe një karakter sistemik.

    Këto janë shumë, shumë pak, nga zgjidhja e çeshtjeve që do të realizonte një Histori letërsie me konceptime të reja, çka do të ndikonte drejtpërdrejtë edhe në zgjidhjen e disa  problemeve të botimeve enciklopedike. Vetëm mbi këtë bazë do të garantohej suksesi edhe i  Fjalorit Enciklopedik të Letërsisë Shqiptare, kur dihet se  një fjalor enciklopedik strukturohet në mënyrë sa të ‘çuditshme’, të ‘ngatërruar’, jashtë respektimit të rendit historik, etj. Renditja alfabetike, në një farë kuptimi, të fut në kurth, provokon zbehjen e vazhdimësisë logjike të dukurisë letrare, midis morisë së zërave nga fusha të ndryshme. Në daljen, me sukses, prej kësaj ‘xhungle’ mund të ndihmojë vetëm Historia e Letërsisë.

    Kemi të bëjmë, pra, me dy projekte të mëdha, realizimi i të cilëve është i lidhur me njeri tjetrin : hartimi i një Enciklopedie të Letërsisë Shqiptare dhe rikonceptimi i vendosjes së letërsisë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. E them këtë, sepse mendoj se në sheullin XXI shkenca jonë duhet të synojë jo më botime të zakonshme, që, sado më pak,  mund të reflektojnë përsëri disa nga dobësitë e deritanishme, por të hartojë enciklopedi elitare, në kuptimin më shkencor të strukturës dhe nivelit të paraqitjes së sistemit tonë letrar. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË