More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFloresha Dado: Imazhi artistik i gjuhës në prozën e Mira Meksit

    Floresha Dado: Imazhi artistik i gjuhës në prozën e Mira Meksit

    Mira Meksi është dashnore e gjuhës shqipe. Kjo duket në horizontin ligjërimor, ku zbulohet magjia e ngjyrave të gjuhës, adhurimi i pasurisë së shprehjes, ‘ngazëllimi’ i gjetjes së fjalës shqipe në kërkimet e gjuhëtarëvë dhe të shkrimeve të vjetra. Është një dashuri që përshkon strukturën artistike të gjithë veprave. prozën e saj gjuha është njëkrijesë e veçantë plot finesë shprehjeje ; e gjithëpushtetshme në çdo situatë, lirike apo dramatike, ajo shfaqet me hijeshi dhe delikatesë, larg banalitetit, ajo formëson çdo gjë me shtrirjen e jashtëzakonshme që ka  në kombinimin e përjetimit tokësor dhe pushtetit magjik hyjnor.  Tipar specifik i ligjërimit artistik të prozës së kësaj autoreje është se gjuha nuk krijon, ajo shfaqet, e gdhendur çdo moment ! Mjeshtre e përdorimit dhe e përpunimit të gjuhës në të gjitha nivelet e krijimtarisë, ligjërimi në prozën e saj nuk është thjesht mjet, por shprehje e sistemit konceptual mbi thelbin dhe vlerat e jashtëzakonshme që ka kjo strukturë në realizimin e filozofisë së veprave.

    Rrafshi i diskursit, si realizim konkret gjuhësor i asaj që rrëfehet, i brendisë së figurës-personazh, i procesit të veprimeve dhe sidomos të të menduarit të tyre, dëshmon aftësinë për të vënë në lojë mjetet semantike dhe sintaktike të gjuhës. Me pasionin e njohjes së pasurisë gjuhësore, me intuitën  e  përdorimit dhe gjallërimit të kuptimeve të brendshme, me fanatizmin e ruajtjes së pastërtisë dhe identitetit, mund të them se prozatorja dallohet midis shumë autorëve në letërsinë e sotme. Kjo mund të hetohet në tre drejtime themelore : së pari në pastërtinë e përdorimit të fjalës shqipe, në të gjitha shtresat kuptimore të prozës; së dyti, në punën e jashtëzakonshme për pasurimin e gjuhës së letërsisë së saj me fjalë ‘të harruara’ apo të një shtrese të vjetër historike, dhe së treti, në krijimin e fjalëve apo togje-fjalësh të reja, që mbartin në mënyrë të sintetizuar struktura gjuhësore me kuptimësi të reja, pa dalë nga struktura gjuhësore e shqipes.

    Koncepti i Bakhtin-it se në roman të folurit e një personazhi është gjithnjë double-voiced, se ai u shërben dy folësve në të njëjtën kohë dhe shpreh njëkohësisht synimin e drejtpërdrejtë të personazhit, që flet, dhe synimin përthyes të autorit, zbërthen qartazi edhe natyrën e marrëdhënies midis gjuhës së personazhit dhe autores në romanet e M.Meksit. Në bashkëveprimin e dy niveleve: strukturës gjuhësore sipërfaqësore dhe  strukturës gjuhësore të thellë, ligjërimi artistik i veprave të saj ndërton struktura të veçanta kuptimore. Për shembull në romanin “Diktatori në kryq”, “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, apo “Parisi vretstrukturat gjuhësore sipërfaqësore ndërtohen mbi parime sintagmatike, kohore dhe shkakore, ato janë të tilla që shtyjnë veprimin apo zgjerojnë marrëdhëniet e dukshme, ndërsa strukturat e brendshme, paradigmatike, ngrihen mbi parime metaforike, nënkuptimore. Ato e detyrojnë lexuesin të thellohet për të kuptuar diçka më të rëndësishme, përtej marrëdhënieve të jashtme. Ky proces i dyfishtë i ka dhënë vlera të dukshme ligjërimit artistik të prozës së Meksit. Vepra e saj konkretizon pikëpamjen se komunikimi gjuhësor në letërsi nuk është thjesht substrati gjuhësor (fjala, fjalia etj.), se vepra nuk është thjesht përmbajtje informacioni, por është në një plan më të gjerë, akt specifik i të shprehurit, ku realizohen shumë nuanca kuptimesh dhe, nga ana tjetër, ky akt përmban në vetvete procesin përjetues dhe interpretues të vetë autores. Duke qenë se  struktura ligjërimore e një romani lidhet në radhë të parë dhe ngushtësisht me formësimin e brendshëm dhe të jashtëm të personazhit, në prozën e autores ky aspekt është ndër më të vlerësuarit, ku ndërkalojnë midis njera tjetrës  versione neutrale të gjuhës standarte me ligjërimin e ‘rikrijuar’ të rrëfimtares. E, megjithatë, ligjërimi rrjedh pa asnjë pengesë gjatë zhvillimit të rrëfimit.

    Pasuria ligjërimore

    Është tipar dallues, impresionues në stilin e kësaj autoreje, është ndër vlerat më të spikatura të krijimtarisë së saj. Tashmë, një seri romanesh kanë dëshmuar  aftësinë dhe intuitën e mprehtë në krijimin e fjalëve të reja, parë këto jo thjesht si mani e tepëruar ‘novatore’ dhe si teknikë ndërtimi, por si realizuese të strukturave të rëndësishme emocionalo-kuptimore. Në thelbin e tyre fjalëformimet e Mirës janë kryesisht të emocioneve dramatike, të situatave të jashtëzakonshme, ose të ndjeshmërive të thella emocionuese. Ligjërimi artistik është dramatik, drithërues kur ndërton skenat e frikës dhe tmerrit që pushtuan njerëzit ndaj rrezikut të pandemisë; është plot tinguj të butë… në skenat e dashurisë; është plot mister dhe ankth në honet e errta të pavetëdijes…

     Dihet se në letërsi, për shkak të ndërtimit gjuhësor, portreti i personazhit nuk i shfaqet lexuesit  direkt, por rroket përmes një imagjinate të veçantë. Është ‘imazh mendor’ ai që prodhohet për dy femrat, njera reale e tjetra mitike (“Puthja e Amazonës”), ndonëse mund duket si një imazh vizual. Por kjo ‘varfëri’  e imazhit mendor të personazhit në të vërtetë nuk është dukuri negative, sepse është karakteri relativ i imagjinatës krijuese mbi personazhin që krijon një intimitet dhe raport të jashtëzakonshëm me lexuesin.  Vizualiteti që fitojnë Teuta dhe Glaukja nuk ka të bëjë thjesht me detajet e përshkrimit të jashtëm e të brendshëm të tyre, por me peshën që merr fjala, e kërkuar prej Mirës, në gjallërimin e fantazisë, në realizimin e abstragimit, në gjetjen e formës konkrete emocionale të figurës. Romani është i strukturuar kryesisht mbi bazën e principit të  metaforës, përshkrimi është një metaforë e gjerë, ku një plan sipërfaqësor vihet përballë me një plan imagjinar, mitik. Dy shtresat janë vazhdimisht të lidhura me njera tjetrën, por kuptimi i metaforës nuk lidhet thjesht me përdorimet gjuhësore, por me gjithë konceptimin figurative të gjuhës, si një metaforë e zgjeruar. Vlera gjuhësore ka të bëjë me kuptimin e faktit artistik se specifika e strukturave gjuhësore është më komplekse se sa bashkimi i fjalëve apo fjalive. Gjithashtu, ligjërimi që përdor M.Meksi është i tillë që emocioni nxjerr veten nga vetëdija dhe pavetëdija, stili ligjërimor dëshmon se bota që krijon është gjuha e saj. Çfarë ajo zgjedh e shkruan është  zbulimi i vetvetes; vizioni i saj imagjinativ është vetënjohje e saj.

    Në strukturën ligjërimore të Meksit mbizotëron stili pikturues, që do të thotë se rrëfimi përqendrohet më shumë  në përdorimin e ligjëratës pikturuese. Stili ligjërimor i Mira Meksit bashkon në mënyrë harmonike përdorimin e ligjërimit kallëzues ‘piktorial’ me stilin  modernnarrativ, përmes përdorimit të theksuar të ngjyrës dhe tingullit, që i japin rrëfimit ritëm dhe ngarkesë imagjinative të theksuar. Në këto proza duket se dramatizmi, përshkrimi më shumë se të thënët, duket qasje sipas disa parimeve të estetikës së fiksionit modern apo edhe të realizmit magjik. Por, ndonëse estetika moderne/moderniste sjell përgjithësisht fshirjen e diegesis, autorja i jep kësaj qasjeje kombinim dhe funksionin e psikorrëfimit.

     Në episode të veçanta, në qendër të të cilave është amazona, ky ligjërim ështe pikturë impresioniste, në episod tjetër është aromë (“ishte kohë dashurie”), është portret poetik (përshkrimi i bukurisë së amazonave në çaste pushimi dhe relaksi fizik)… “…u dëgjua një si shpërthim i beftë trëndafilash në pranverë, një kërcitje delicate petalesh, një kundërmim erëmirash që mbushi ajrin dhe një tjetër parfum rrëshirash ëmbëlane që e solli flladi i bregdetit dhe një hënë e gëzuar e porsalindur u shfaq në kupën e qiellit ku yjet kishin zënë  të luanin muzikë si zilka të argjendta.” Këto stile ligjërimore së bashku ndërtojnë imazhin e bukurisë, të pasionit femëror…Kështu, në shtratin e operimit, e zhytur në errësirën e përtej jetës, pavetëdija mistike e çon heroinën në botën mitike të lashtësisë, drejt botës së amazonave, për të kërkuar bukurinë fizike (që po i cënohet), dashurinë, (e cila pabesisht e ka braktisur), për të gjetur zërin e bukur të jetës, për të cilën lufton në shtratin e operimit. Në mënyrë metaforike ligjërimi ndërton jo frikën, tmerrin, dëshpërimin, por një sfond magjik drejt të cilit ajo synon të rendë. Ligjërimi vizaton, realizon kodin themelor të ndërtimit të figurës, në thellësitë e së cilës autorja, në njerën anë zbulon aspektin tragjik të jetës, përplasjen me enigmën e fatit, në anën tjetër sfidën e madhe njerëzore, si dhe përplasjen  e pasionit, e instiktit të papërmbajtur, me logjikën, arsyen që frenon personazhin.. Në këtë kod të krijimit të figurës fjala ka një funksion tepër të veçantë: ajo largohet paksa nga vizatimi i jashtëm dhe përqëndrohet në krijimin e pasionit për jetën. Kjo i bën shpesh herë figurat, sidomos amazonën, që  t’i shfaqet lexuesit me një tis mjegullor, por magjik, ndërsa heroina e sotme, Teuta, të shfaqet midis shpirtit dhe vegimit, përmes një kodi tepër origjinal të ndërtimit. Fshihen kufijtë midis realitetit dhe ireales, të mundshmes dhe të pamundshmes, sepse për autoren s’ka rëndësi ç’është reale, por çfarë kërkon shpirti i saj njerëzor, prandaj koncepti i reales merr një përmbajtje krejt tjetër. Magjia e gjetjes dhe kombinimit të fjalës  i jep konkretësi të jashtëzakonshme skenave, i jep lexuesit tabllo emocionuese, ‘të derjtpërdrejtë’. “Drithërueshëm, heroi tërhiqte ngadalë shpatën për të lehtësuar kurmin që vajtueshëm po e mëshironte atij çasti, që u shkundullit sakaq dhe një vrujimpërvëlonjës gjaku shpërtheu nga kraharori i Pentesileas, duke i përmbytur të dy luftëtarët me një lavë të zjarrtë dashurie vdekjeprurëse. Kohës së një agonie të hyjnishme, të cilën Afërdita e bëri të pafundme, ata të dy u dashuruan çmendurazi gjer ne kufijtë që vetë perëndësha e ndezullyer i shtyu përtej vdekjes së amazonës.” f.62

    Shtresëzimi i brendshëm i gjuhës

    ‘Diskursi i thellësisë’ dhe ‘diskursi i sipërfaqes’- dy plane që njëkohësisht janë edhe të njësuar edhe të veçuar. Është thënë se teksti ka të paktën dy rrafshe kuptimore, çka krijon mundësinë e disa interpretimeve… Në prozën e Mira Meksit është i vlerësueshëm kombinimi i ligjërimit artistik ‘të qetë’, të drejtpërdrejtë me atë metaforik, brenda marrëdhënies së përgjithshme midis strukturës ligjërimore sipërfaqësore dhe strukturës së brendshme gjuhësore-kuptimore.  Ndonëse në shumicën e veprave duket se ngjarja nis të rrëfehet në versionin ‘neutral’ të gjuhës standarte, papritur ngjarjet nuk perceptohen nga një narrator ‘neutral’, por mbërthehen  në qasje të brendshme (“Hakmarrja e Kazanovës”, «E kuqja e demave”, etj.); ndodh që qasja narratologjike e braktis konceptin mimetik për të kaluar në një ‘ndërtim’ të ri. Strukturë e parë mbetet kuptimi i realiteteve të pasqyruara, që, në shfaqjet e tyre, janë vëzhgime origjinale. Ndërsa qasja e dytë e sheh këtë të quajtur realitet real si një iluzion, si një tërësi konvencionesh, që krijojnë mundësira të pafund për refleksione të brendshme dhe të jashtme.

    Duke qenë se çdo vepër është një strukturë specifike fjalësore, kjo e bën figurshmërinë e ligjërimit të prozës së saj të jetë shumëplanësh… Mbishtresimet  semantike, për shembull te “Diktatori në kryq”, përftohen si nga marrëdhëniet me botën e brendshme të rrëfimit, ashtu dhe me realitetin jashtëletrar, si me ndërthurjen e shtresave të ndryshme ligjërimore, të konvencioneve të çdollojta gjuhësore, ashtu dhe me mundësitë stilistike të vetë fjalës. Sigurisht vlera ideo-estetike e këtyre ligjërimeve buron nga fakti se këto mbishtresime stilistike-emocionuesejanë elemente të rendit të dytë kundrejt kuptimeve që përbëjnë rendin e parë të strukturës semantike të gjithë ligjërimit, të cilat realizojnë tërheqjen e parë, të drejtpërdrejtë të lexuesit.

    Kuptimi i komunikimit artistik gjuhësor

     Është aspekti themelor në interpretimin e një vepre letrare, me të cilin kemi parasysh një qasje specifike, që lidhet  me kombinimin e shprehjes rrëfimtare me nënkuptimin e asaj çka ndodh. Meqenëse  kuptimi në disa prej romaneve të M.Meksit duhet marrë jo thjesht si shumë e përbërësve semantikë, (biseda e Teutës ilire me priftëreshat e tempullit, linja e amazonës, haluçinacionet e diktatorit, apo të historianit-kërkues të dorëshkrimit të Kazanovës, ëndrra e Teutës rreth takimit me Onufrin, etj.) por si sistem i tyre; nga kjo kuptojmë se  vlerësimi i aspektit komunikuese në prozën e saj  kërkon që ta shohim tekstin  jo si një rrjedhë fjalishë të bazuar mbi njësitë gjuhësore më të vogla, por si njësi komplekse që përmbush një funksion të caktuar komunikues. Kështu, strukturimi gjuhësor dy planësh, në dy linja paralele, ka vlerë themelore në të kuptuarit e veprës. Pa përqasjen filozofike të kësaj paraleleje nuk do të zbërthehej kurrë specifika e një strukture tërësore, unike, për shembull te romani « Puthja e Amazonës » .Gjithashtu personazhi (« E kuqja e demave », « Porfida », etj.) ndodhet në bashkëveprimin e disa aspekteve të ndërtimit gjuhësor, i cili, dihet se në letërsi ka kodin e vet të komunikimit, autonominë e vet dhe ‘gramatikën e vet’.

    Kuptimi i thelbit dhe specifikës së veprës letrare sjell pyetjen-dilemë, por edhe provokuese : a janë këto vepra proces ligjërimor apo produkt ligjërimor ? Sigurisht realizohen krahas njeri tjetrit.  Por, nëse kujtojmë se komunikimi letrar kryhet me anë të strukturës së plotë të teksteve dhe jo thjesht  me anë të fjalive, apo të njësive të veçuara gjuhësore, atëhere duhet të imagjinojmë se ka një dallim midis tyre në thelbin e veprës, se në vetëdijen dhe intuitën gjuhësore të autores ecën, zhvillohet, përpunohet një proces i veçantë i ndërtimit të strukturës gjuhësor, e cila përjetohet në shumllojshmëri produktesh te lexues të ndryshëm.

    Veprat e M.Meksit, në ndërtimin figurativ të tyre, (mjafton të rikutheksojmë përsëri strukturën e jashtme dylinjëshe të disa veprave të saj) janë përdorime të konstrukteve gjuhësore metaforike, të një seri aktesh, zhvillimesh gjuhësore të planit metaforik. Megjithatë, kur flasim për kuptim metaforik, nuk kemi parasysh  trajtimin tradicional të metaforës, por kalimin në një nivel më abstrakt, te metafora konceptuale.Kjo do të thotë që në prozën e saj  nuk ka rëndësi themelore hetimi i shprehjes metaforike në rrafshin gjuhësor, por thellimi në një nivel më të lartë abstraksioni që është përpunuar në vetëdijen dhe intuitën gjuhësore të autores. Në romanet “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, “Diktatori në kryq”,E kuqja e demave”, “Puthja e Amazonës”, në disa tregime magjike… konceptimi metaforik realizon filozofinë, kuptimet e në një nivel të caktuar abstragimi. Metafora strukturore  e ndihmon shumë të menduarin tonë abstrakt, për të depërtuar në kuptimin e brendshëm të tyre, për të gjetur lidhjet kuptimore midis linjave të subjektit në secilën vepër.Vetëm duke kuptuar se në këto vepra metafora është zgjerim kuptimi, do të ndjejmë se aftësia e shënuesit të planit të dytë rritet, zgjerohet struktura kuptimore e ligjërimit, dhe, si rrjedhim,  zgjerohen edhe përmasat e kuptimit filozofik. 

    Në romanet e Mira Meksit stilet gjuhësore synojnë krijimin e vlerave të reja, si në sasinë ashtu dhe në cilësinë e shndrrimeve kuptimore. Duke kuptuar  me intuitën e saj gjuhësore dendësimin kuptimor të ligjërimit artistik, si tiparin themelor të  letërsisë, autorja  u jep dendësim të veçantë shumë fjalëve dhe shprehjeve gjuhësore, si për shembull te “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, apo “Hakmarrja e Kazanovës”, dhe shumë tregime, çka arrihet përmes një shkalle të lartë të figurshmërisë. Kjo dendësi kuptimore, në shumicën e prozës së saj  vjen si domosdoshmëri për të rritur shkallën e abstraktimit të kuptimeve…  

    Dihet se, përgjithësisht, në të gjitha romanet ligjërimi zhvillohet mes një narracioni mimetik (mënyra më e zakonshme e kombinimit, citimi i fjalëve të personazhit, ku gjuha respekton saktësisht ngjarjen, siç ndodh për shembull te “Kutia e Agatha Christie-s”),  dhe narracionit diegjetik (përmbledhja e gjuhës së narratorit që shpejton ritmin e narracionit, duke kapërcyer me nxitim mbi ngjarje që s’kanë interes. Për shembullsh, te romani “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, apo “Porfida-Ballo në Versajë” personazhet karakterizohen me një ligjërim që ndërton ngjarje, ndonëse ritmi i episodeve, skenave do ishte një natyrë më ‘reale’, efekti emocional do ishte i ndryshëm. Kështu formësimin e personazhit të Teutës, apo Mitat Frashërit e ndjekim në kalimin nga rrafshi i historisë në rrafshin e trillimit artistik, dhe vemë re se ligjërimi e organizon procesin në mënyrë të re, sipas kritereve që nuk janë besnikërisht në rrjedhën e historisë. Aspekti themelor i dallimit, për shembull te  “Parisi vret”, midis strukturës sipërfaqësore të ligjërimit, sunduar nga principe kohore dhe shkakore, dhe strukturës së thellë, bazuar në marrëdhënie logjike e metaforike midis episodeve, ngjarjeve e personazheve, është kyçi i kuptimit të filozofisë së veprës, është pikënisja bazë e vlerës së romanit.  Kjo prozë na rikujton se, nëse gjuha reflekton në mënyrë pasive një botë koherente, kuptimplote dhe objektive, diskursi artistik nuk është i saktë, sepse në konceptimin artistik të kësaj autoreje gjuha është një sistem kompleks, që nxjerr kuptime pa fund, që mishëron marrëdhënie komplekse me botën njerëzore.

    Është e qartë se synimi i një romancieri të vërtetë nuk është riprodhimi i plotë dhe i saktë, nga ana gjuhësore, në gjithë nivelet e veprës, por ngjyrimi dhe funksioni specifik që i jepet atij krijimi që mund ta quajmë imazhi gjuhësor.

       Fjala,  në lëvizjet brenda saj

    Dihet se në letërsi njësitë gjuhësore e nxjerrin kuptimin nga lidhjet e tyre paradigmatike e sintagmatike…Gjithashtu, fjala zgjidhet jo vetëm për të dhënë dukurinë, por mbi të gjitha për të infektuar te lexuesi ndjenjat, synimet e autorit. Prandaj një aspekt interesant në interpretimin e specifikës ligjërimore të M.Meksit është vëzhgimi i raportit që ndërton romancieria midis  kuptimit leksikor të fjalës dhe  ngjyrimit emocional që përcjell ajo. Interes të veçantë paraqesin lëvizjet e brendshme, ku njësitë e reja leksikore shfaqen si njësi të reja semantike. Kjo lëvizje sjell ndryshim, zhvillim, si rrjedhim i të cilit ligjërimi, ndonëse ruan përbërës bazë-kuptimorë, ngjitet në shkallë të tjera të kuptimeve leksikore. Në këtë proces lëvizjeje merr rëndësi themelore dallimi i kuptimit leksikor të fjalës nga funksionimi i fjalës si njësi gjuhësore-artistike. Meritë e prozatores është që arrin të realizojë brenda strukturës kuptimore të fjalës lëvizje kuptimore më të gjera: dallohen lëvizjet e ndryshimet semantike  nga ato që ndodhin kur kalojmë nga një njësi leksikore (fjalë) në një njësi tjetër leksikore  (gjatë formimit të fjalëve). Prandaj edhe vlerën kuptimoree shohim : në rrafshine fjalës themelore, fillestare,dhe në rrafshin e një zgjerim kuptimi.Pikërisht, në këtë marrëdhënie gjuha në prozën e kësaj autoreje nuk është thjesht një akt të foluri, por një akt më i gjerë kuptimi dhe veprimi. Në stilin ligjërimor të Mira Meksit gjuha nuk është thjesht mjet, por në shtresëzimet e brendshme ajo bëhet përmbajtje, tepër e rëndësishme për realizimin e thelbit të figurës-personazh dhe të gjithë filozofisë së veprave.

    Zgjerimit i strukturës

    kuptimore të fjalëve

    Si mjeti themelor i ndërtimit të veprës letrare funksionet e gjuhës artistike janë të shumta dhe komplekse. Në prozën e M.Meksit kombinimet, ndërkalimet, paralelizmat e këtij mjeti magjik janë të shumta. Kështu funksoni mimetik qëndron në themel për krijimin e iluzionit të realitetit të drejtpërderjtë, kombinuar me funksionin njohës, informues, i cili sjell në romanet e saj  njohuri rreth  tematikës së veprës. Ky aspekt është mjaft i pasur në krijimtarinë e saj, ku lexuesi përballet me informacione, shpjegime nga kohësia dhe lashtësia, nga historia e mitologjia, nga artet e ndryshme dhe etnografia, etj.etj. Por funksionet themelore të gjuhës artistike janë funksionet narrative të larmishme, sa tipologjike të prozës, aq edhe origjinale të intuitës gjuhësore-artistike të autores. Zgjerimet e strukturës kuptimore të fjalëve për të krijuar kuptime të figurshme janë pafund. Kuptimi që merr fjala në sistemin krijues të Mira Meksit mbetet vazhdimisht një fushë e hapur, çka bën që imazhi artistik i saj të jetë gjithnjë i  papërfunduar…

    Ndjeshmëria dhe dashuria për shqipen, kërkimet, aq sa mundet, në lashtësinë e saj, (ajo lexon, ndjek studimet  mbi origjinën, lashtësinë e shqipes),  depërtimi në kuptimet dhe shumëkuptueshmërinë e fjalës shqipe, pasioni për të qenë, në një farë mënyre, arkeologe e fjalës (ajo gërrmon, pastron, por edhe ndërton kuptime), përdorimi i tyre jo thjesht si dukuri, por në funksionet e brendshme kuptimore dhe raportet me situatat e përshkruara (sidomos te “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”), dëshmojnë për ndjeshmërinë e saj për gjuhën shqipe si dhe vlerësimin e funksionit të rëndësishëm që ka arti i përpunimit të fjalës.

    Në prozën e Mira Meksit mund të vlerësohen dy aspekte : së pari   vetëdija gjuhësore, në aspektin e njohjes dhe vlerësimit të funksioneve të gjuhës shqipe si dhe aftësitë rikrijuesetë saj, që zgjerojnë horizontin kuptimor të fjalës shqipe. Romanet “Diktatori në kryq”,  Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, tregimi “Prifti i mallkuar dhe gjuha e shenjtë”, etj. kanë bosht të rëndësishëm pasionin për interpretimin artistik të lashtësisë së shqipes dhe shenjtërisë së saj. Në sfondin e arësyetimeve filozofike të priftit që po martirizohet, autorja, përmes ligjërimit të tij, e konsideron shqipen e lashtë si “gjuhën e të paktën njërit prej librave profetikë të Sibilave”. 

    Te “Diktatori në kryq” bosht i rëndësishëm është pasioni i personazhit mbi tezën për lashtësinë dhe shenjtërinë e gjuhës shqipe:  ‘ajo kishë e rrallë  i kishte themelet në tempullin e Sibilës së Vënjës, çka lidhej me rrënjët e gjuhës së tyre të lashtë. Dhe gjuha për shqiptarët ishte edhe më e çmuar se vetë besimi i tyre në Zot” f.105;” f.73

    Horizonti i fjalëformimeve që gjejmë në prozën e saj tregon se,  duke shfrytëzuar mundësitë që japin brenditë, semantika e fjalëve, autorja krijon kompozita të reja  me një kuptimësi të hapur, si vlera të reja semantike, emocionuese, shprehëse e stilistike. Mesazhet e rëndësishme që përcjellin romanet orientojnë se, më shumë se  dukuria fjalëformuese, ka rëndësi të veçantë kuptimi i rrafshit të brendshëm të fjalës, fakti se si ndodh që  prej një njësie kuptimore të  lindë një njësi e re. 

    Procesi i fjalëkuptimeve kalon në disa shkallë  :  lindja e një përbërësi të ri kuptimor brenda një kuptimi të njohur leksikor. Në këtë ‘lindje’ ndryshimi semantik vjen si pasurim, si zgjerim kuptimi, si rritje e vëllimit të tij e, në këtë masë, edhe si ndryshim i cilësisë së tij. Për shembull ‘prushtim i trupit’etj…(në variantin e gjerë jepen shumë shembuj të ‘zbulimeve’ gjuhësore)

    Lëvizje tjetër e prejardhjes kuptimore është lindja e një nuance të re kuptimore  më të lartë zhvillimi e ndryshimi, (brenda të njejtit kuptim leksikor), për shembull ‘mblidhej iriqi’ ; në ndonjë rast ndjekim edhe një shkallë më të lartë zhvillimi e ndryshimi, që krijon një kuptim të ri leksikor.

    Ndërsa formimi i blloqeve semantike është dukuria më interesante pë procesin e zhvillimit ligjërimor të prozatores. Këto formime janë ose bashkim dy-tre fjalësh, ose fjali të plota.  për shembull :‘aromë klithëse prej çeliku prerës’, ‘atmosfera ishte gjëmbëzuar’…Do të ishtë e vështirë të paraqiteshin këtu të gjithë rastet e këtyre aspekteve të rëndësishme të vetëdijes dhe punës gjuhësore të autores. Në krijime të tilla fjala kthehet nga funksioni cilësues në  vizion personalizues,  nga emërtim cilësor në konkretizim të dukurisë.

    Kundër përdorimeve të panevojshme të fjalëve të huaja (ndonëse zotëron disa gjuhë të tjera),  prozatorja priret të kthejë në shqip terma të huaja, duke dëshmuar, në gjithë prozën e saj, synimin për pastërtinë e gjuhës shqipe edhe brenda një trillimi artistik. Sigurisht, kjo prirje nuk fashit përdorimin e fjalorit karakterizues të personazhit (Ali Pashës) dhe të terminologjisë së kohës kur zhvillohen ngjarjet. (Më konkretisht këto dukuri ligjërimore trajtohen në një studim më të plotë)

      Arkeologe gjuhësore….

    Ligjërimi i M.Meksit shquan edhe për një tipar tjetër : me pasion kërkimor ajo nxjerr nga harresa, prej fondesh të vjetëruara përdorimi gjuhësor, fjalë pasurie të shqipes, fshin me kujdes pluhurin e mospërdorimit dhe gjallëron stilin gjuhësor, risjell fjalë që gjuha jonë nuk do duhej t’i kish ‘harruar’. Si ‘arkeologe’ gjuhësore (do mund ta cilësoja) Mira kërkon në libra e dokumente të hershme, në tekste origjinale apo të përkthyera, të hershme gjithashtu, vitalitetin dhe pasurinë e shqipes. Është vetëdija më fisnike e një shkrimtari. E dashuruar mbas shqipes, e stërvitur mjeshtërisht si përkthyese e talentuar e autorëve, sa të mëdhej aq edhe të vështirë të letërsisë botërore, Mira e ka të brendshme ndjesinë për peshën e fjalës në përgjithësi, të fjalës së sotme dhe të formave të vjetra të fjalëve. Ky aspekt i procesit të saj krijues do të meritonte vemendje të posaçme, për t’iu kundërvënë, tëthorazi, dukurisë së vërshimit të fjalëve të huaja, jo vetëm në ligjërimin bisedor, por edhe në atë artistik. Fanatike e këtij ‘purizmi’ të shëndetshëm ajo  e pasuron ligjërimin artistik me dy mënyra : me fjalëformimet e reja (që gradualisht nga letërsia kalojnë në ligjërimin bisedor), nga ana tjetër duke u dhënë jetë fjalëve ‘të vjetra’, me ngarkesë emocionale dhe me koloritin e përshtatshëm historik.  Në këtë mënyrë vepra e saj gjallëron gjuhën shqipe me vlerat e veta, ende të pashfrytëzuara thellësisht në letërsinë tonë artistike.

     Autorja bën kërkime  në përdorimin e fjalëve nga fondi i vjetër i shqipes, u jep jetë dhe funksion artistik fjalëve shumë pak të përdorura…Në këtë kombinim dhe kalim të brendshëm që ndodh lehtazi, pa bujë, gjuha merr funksion dhe shtrirje të pakufishme.  Në çdo vepër letrare në fakt është gjuha që riprodhohet, atëhere kuptohet se qasja ndaj gjithë prozës së M.Meksit duhet të pikëniset pikërisht nga ky pikëvështrim i rëndësishëm,

    Marrëdhënia e formës gjuhësore me kurbën e  mendimit artistik

    Duke qenë se letërsia është një ligjërim i hapur, ku shfrytëzohen të gjitha mundësitë e organizimit gjuhësor, duke qenë se kjo qasje nuk ka të bëjë thjesht me përdorime leksikore, apo thjesht kombinime, por më depërtimin në strukturën e brendshme gjuhësore të atij diskursi që e bën një vepër të ndjehet si letërsi e jo thjesht si një tekst gjuhësor, ajo që ka vlerë të studiohet në sistemin ligjërimor të kësaj autoreje është çeshtja se si funksionon kjo  marrëdhënieje.Edhe në rastet kur gjuha e veprës është më afër ligjërimit të zakonshëm, pa dykuptimshmëri ose nënkuptime të dendura, edhe kur gjuha është më e ndërlikuar, me konotacione, me shumëkuptimshmëri ose me kuptime të përgjithësuara deri në simbolikë universale, gjithnjë krijohen asociacione që rrisin intensitetin e mendimit artistik. Kjo dukuri e përgjithshme kërkon vemendje të posaçme, depërtim në raportin e dy llojeve të ligjërimit artistik. Në strukturën tërësore gjuhësore ndonëse elementi subjektiv është shumë i ndjeshëm, parimi mbizotërues është lidhja e nënkuptuar ;  asociacioni, shpesh  zëvendëson organizimin me rrjedhë logjike. Megjithatë, ligjërimi artistik i Mira Meksit përgjithësisht nuk pranon zbrazësinë informative; për të janë të huaja intrigat pezull ose strukturat eliptike, siç ndodh në shumë romane bashkëkohore të prozës së sotme.

    Në shumicën e prozës së autores kombinohen i foluri diegjetik, kur akti i të folurit në përgjithësi është i rrjedhshëm, pa ndonje specifikim për çfarë është thënë ose si është thënë, me parafrazën me përmbajtje të tërthortë, kur largohet  forma e shqiptimit të supozuar ‘origjinal’ ; apo kur i bihet shkurt ligjërimit të personazhit, duke shpejtuar ritmin e rrëfimit ; me ligjërimin e tërthortë, mimetik në disa nivele, ky ligjërim krijon iluzionin e ‘riprodhimit’ të stilit të një shqiptimi. Ligjërimi i drejtpërdrejtë, kur bëhet ‘vlerësim’ i një monologu ose një dialogu . (është një trajtë që e ndeshim shumë shpesh, pothuaj te gjithë romanet e Meksit) ; ligjërim i narrativizuar, që përfshin fjalët e personazhit në narracion, të cilat i ve në të njejtin nivel me ngjarjet e tjera. Është një mënyrë e përdorur në shumë vepra, duke krijuar përshpejtimin e ritmit ; ligjërim i raportuar, kur fjalët e personazhit citohen në stilin e drejtpërdrejtë, duke shmangur çdo distancë ; ligjërim i menjëhershëm, që krijon maksimumin e afërsisë, kur vjen një stil i drejtpërdrejtë, pa hyrje deklarative dhe është  konteksti që lejon që të kuptohet se theksi është për të folurit e një personazhi dhe jo për të dhëna të narratorit ; funksionon, gjithashtu në raste të veçanta,ligjërimi i rrëfimtares që di gjithshka, mbi jetën e brendshme të personazhit dhe kjo gjë krijon një afri me personazhin.

                Gërshetimi, në prozën e M.Meksit,  i  ligjërimin  horizontal me strukturimin vertikal, çka lidhet me leximin e përdorimeve leksikore në thellësi dhe në tërësinë e strukturës artistike të romaneve, novelave e tregimeve të saj, është procesi më i vështirë, por më i rëndësishmi në kuptimin e imazhit ligjërimor të prozës së saj, për ta vlerësuar  atë si mjeshtre të përpunimit të gjuhës artistike.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË