More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFloresha Dado: erdhi përsëri Mira! Me romanin e ri “Puthja e...

    Floresha Dado: erdhi përsëri Mira! Me romanin e ri “Puthja e Amazonës”

    Duke lexuar romanin do të identifikohej menjëherë autorja, Mira Meksi, edhe nëse në kopertinë nuk do ishte shënuar emri i saj, sepse stili i kësaj prozatoreje është konsoliduar në një seri veprash si një tipologji e veçantë origjinale; sepse ndjeshmëria artistike, fantazia dhe imagjinata krijuese, befasitë fjalëformuese, zbulimet dhe pasuritë ligjërimore, horizonti kulturor, vizioni i përqasjeve të parahistorisë e historisë me të tashmen, etj., etj. nuk kanë shteruar në veprën më të fundit të saj, por përkundrazi hapen e rihapen në krijimin e ri të radhës, për ta zgjeruar pa ndërprerje botën artistik të saj.

    Vlerësimi i autores nis, në radhë të parë, nga njohja e STRUKTURËS SË TË MENDUARIT ARTISTIK të saj, nga depërtimi, sa të jetë e mundur, në thellësitë e përjetimeve të brendshme, në proceset e vrullshme, që mbartin përplasje, dhimbje, dashuri… Ngjarjet e sipërfaqes së romanit janë vetëm rrugica që të çojnë në thellësitë e kësaj strukture mendore, që zbulojnë mjeshtërisht se rrugëtimi subjektor nuk është thjesht sëmundja e papritur e heroinës/autores, por një filozofi më e thellë njerëzore. Zgjedhja midis kënaqësisë femërore dhe sakrificës për triumfin e jetës (me kosto fizike e shpirtërore) është prova ndërshekullore e qenies njerëzore (e femrës, në këtë roman). Prandaj sfidën për sëmundjen e frikshme, në shumicën e rasteve fatale, Meksi nuk e jetëson në plan dramatik, vajtues, nuk kërkon mëshirën e lexuesit për heroinën e vet, por, përkundrazi i jep filozofisë së saj një shtrirje të gjerë ekzistenciale, ku realja ndërthuret me përtejhistoriken, ndonëse, në vështrim të parë, rrugë-fati i femrës së sotme duket se nuk ka asnjë lidhje me thelbin e femrës mitologjike-amazonën. E megjithatë ajo e ndërton këtë raport, që për një lexues të sipërfaqshëm do të dukej i pakuptimtë. Sepse në strukturën e të menduarit artistik të Mirës mbisundon e përgjithshmja filozofike, ikja nga fakti i dukshëm romanor në rrokje të përmasave përgjithësuese shekullore, ku realja dhe imagjinarja fshijnë kufirin mes tyre. Në strukturën e të menduarit artistik të kësaj romanciere lexuesi ka ndjerë, në gjithë veprat e saj, një ndjeshmëri të butë femërore, një intuitë fine, një marrëdhënie të çlirët me personazhin, por edhe me lexuesin, një ndjenjë që të çon nga e tanishmja në të shkuarën e afërt apo të largët, një filozofi që zhvlerëson kuptimin mediokër, sipërfaqësor të ngjarjeve dhe personazheve… Prandaj edhe ky roman (i lehtë në volum, por i thellë në filozofinë që përcjell) ndërton përsëri një marrëdhënie specifike me lexuesin, në gjithë strukturën e mendimit dhe formimit të poetikës së brendshme.

    Përmasa FILOZOFIKE e romanit “Puthja e Amazonës”zhvillohet në plan magjik, duke ndërthurur mitiken me realen, të tanishmen me parahistorinë. Skalitja-tatuazh e simbolit të Alefit në qafën e heroinës përbashkon magjinë e përkushtimit fetar të autores, besimin në mbrojtjen shpirtërore e fizike, me shpresën e mbijetesës dhe shpëtimit shekullor. Simboli i Harkut të mbijetesës gjer në pafundësi të kohërave, skalitur në varësen me kaménë e çmuar, që mbahet nga dy heroinat, njëra reale e tjetra mitologjike, thërret, në mënyrë alegorike, vitalitetin e vazhdimësisë, magjinë dhe fuqinë shumëshekullore që mbështjell me ngrohtësi shpëtimtare vajzat në momentet e tyre tragjike. Metafora e vazhdimësisë dhe e triumfit vjen përmes një fantazie që ndërton paralelizmin figurativ të situatave vendimtare, lidhur me sakrifikimet e njëllojta për mbijetesë, lidhur me forcën e përballimit dhe triumfit aq të vështirë…

    PËRQASJA, si parim artistik, i përket kuptimit të brendshëm filozofik të heroinave. Teuta dhe amzona Glaukia vrasin dashurinë, feminilitetin me vendimin për të hequr gjirin që të mbijetojnë, njëra sot e tjetra në misionin e saj mitologjik. Teuta në shtratin e operacionit, ku do përcaktohej fati i jetëssë saj,duket sikur i përcjell amazonës një mesazh hyjnor, në një hapësirë gati kozmike: “A është luftë kjo?. Nëse po, nëse është luftë kundër sëmundjes, kundër vdekjes, atëherë dhe gjymtimi në këtë luftë duhet të shihet me admirim.” Heqja e gjirit nga fakt real kthehet në metaforë të fuqishme; momenti nuk i përket thjesht nivelit sipërfaqësor, të drejtpërdrejtë, por merr përmasën e mbijetesës, si triumf i jetës femërore të këtyre dy botëve-njëra mitike e tjetra reale. Po ashtu edhe vizatimi i simbolit të lules magjike të lotusit të pavdekshëm mbi gjirin e heroinës (që zhduket bashkë me gjirin në operacion) përforcon përplasjen mizore, “se do t’i thyhej pa kthim ndoshta pjesa më e bukur e trupit të saj, simboli i feminilitetit…”porta e dashurisë”, siç e kish quajtur dikur, apo çelësi që hapte udhën e ndjesive të saj…”. Përleshja e Teutës me vdekjen, brenda errësirës së botës së anestezisë, dhe përleshja e Glaukias me Amorgesin, ku dashuria dorëzohet për mbijetesë thelbësore, janë, në të vërtetë, një linjë e vetme. Kështu, përqasja me mitin mbi amazonat, puqja e kohëve (njëra reale tjetra mitike) filozofikisht mbart idenë e përcjelljes së forcës së mbijetesës, të rrjedhave të brendshme që nga të parët e deri në ditët e sotme. Simboli i Harkut të Pathyeshmërisë të botës së legjendës mbi amazonat përcillet në shekuj si metaforë e mbijetesës historike…Një ide artistike që vjen në roman me magjinë e të pazakontës. Fanepsja në pavetëdijen e heroinës së një bote tjetër, të jashtëzakonshme në misterin e thurjes së saj, dëshmon pikërisht thelbin filozofik të dy heroinave të romanit, të dy botëve, sa të largëta dhe të pakrahasueshme me njëra tjetrën, aq dhe të ngjashme: ajo e origjinës së pakohë dhe ajo e dramës femërore-aktuale. Ngjashmëria e forcës dhe besimit hyjnor, lutjet për ndihmë ndaj të parave të saj, matriarkave të gjakut, ndaj simbolit të shenjë të Alefit mbrojtës, ideja e shpëtimi ndërshekuj, sipas autores, lidhet me këtë simbol “që pat ngjizur botën.”, “Një mesazh mistik, fetar, magjik, një lloj armature mbrojtëse fizike dhe shpirtërore !”. Alegoria e takimit në botën e pavetëdijes është mrekullia kuptimore-filozofike e romanit. “Sytë e tyre u ndeshën. Glaukia ndjeu se ortekët e pambarimtë të kohërave, që do të rrokulliseshin mbi botën e saj, dhe e tashmja u puqën një çast vetëtimë. Atij çasti, amazona ngriti lart përballë shëmbëlltyrës së sajvarësen me kaménë e çmuar që mbante në qafë dhe pa se vaktësia guximdhënëse e gurit amazonite u përhap mijëra viteve që do të vinin, duke e mbështjellë me ngrohtësi vajzën…”

    Qenia femërore është aq komplekse, mistike në thelbin e shpirtit dhe trupit , prandaj duke ndjekur dy linjat përqasëse, të Teutës dhe amazonës Glaukia, lexuesi do të ndodhet para dilemës: a është “Puthja e Amazonës’ roman për dashurinë ? Apo për sfidën ndaj fatkeqësisë dhe triumfin e jetës ? Nuk ndahen, janë aty këto dy motive universale, të mpleksura deri në magji. Heroinat, që i ndajnë shekuj të tërë, si dhe përballja e reales me irealen, përcjellin te njëra tjetra triumfin, pranimin e sakrificës së dhimbshme për të mbijetuar. Prandaj thelbi i strukturës emocionale të romanit dëshmon se M.Meksi e konceptoi veprën e saj jo thjesht si dramë të heroinës/autores, por si motiv i fuqishëm universal i forcës së mbijetesës, perceptuar në një gjetje sa origjinale aq edhe sfiduese.

    A është kjo përqasje një fantazi ? Autorja do të mund të dëshmonte se vegimet e kësaj bote mitike, hyjnore iu fanepsën gjatë procesit kur nisi humbja e vetëdijes nën pushtetin anestezik. Do të mund të dëshmonte, gjithashtu, se si fillimi i efektit të anestezisë në trurin e heroinës, gjatë operacionit, dhe lutja pagane që i mbin pavetëdijshëm në gjuhën e brendshme që po turbullohej, e tërhoqi dalëngadalë në dy drejtime: fillimisht drejt errësirës së vdekjes dhe papritur në fanepsjen dhe vezullimin e simbolit të Alefit, që hap pak nga pak një dritëzë shpëtimi. Në thellësitë ‘e vdekura’ të heroinës ngjallen me shpejtësi rrëmbyese ngjarje, përplasje, ankthe, frikë e dashuri të një bote që ne do e quanim imagjinare, të cilat heroina/autorja i paskish të brendshme në pavetëdijen e vet. Realizmi magjik qëndron në themel të stilit Mira Meksit dhe vazhdimisht tërheq lexuesin në shumë skena trilluese, prandaj edhe përfytyrimi i tmerrit apo dhe i shpëtimit, bëhen magjike brenda zbulimit të së pakuptueshmes, të errësirave mistike të shpirtit, të asaj bote misterioze që jeton brenda nesh edhe kur jemi të pavetëdijshëm.

    IMAGJINATA dihet se është proces i formimit të imazheve, është një mjet trillues origjinal, që ka rol të rëndësishëm në lidhjen ndërmjet ndjeshmërisë dhe kuptimit brenda strukturës së romanit. Është një mundësi për “ta parë” një objekt edhe kur ai nuk ekziston; procesi imagjinativ i përket, në thelb, formës së errët, të paekzistueshme, që sigurisht vështirëson perceptimin. Dihet se synimi i artit të letërsisë është të transmetojë përshtypjen mbi objektin si vizion e jo si njohje. Aq më tepër kur thelbi i një vepre është i tillë që procesi imagjinues bëhet synim në vetvete. Në këtë kuptim edhe në romanin e M.Meksit imagjinata merr peshën e saj përmes krijimit të imazheve, të cilat shpjegojnë atë që është e panjohur nëpërmjet trillimit të situatave, ndjeshmërive, raporteve etj. E gjithë bota e amazonës është imagjinatë, ku në strukturën e brendshme artistike imazhi shfaqet si mjet i fuqishëm për krijimin e përfytyrimeve dhe ndijesive të lexuesit. Mira Meksi i jep peshë të veçantë imagjinatës krijuese në gjithë romanet e saj. Tek “Puthja e Amazonës”imagjinata ndërton jo thjesht një mjedis, një skenë, një raport, një figurë, por gjithë planin e dytë të përqasjes. I gjithë plani imagjinar i amazonave, i jep planit të parë real një kuptim dhe ndjeshmëri të veçantë. Kjo imagjinatë, duke e çuar lexuesin në parahistori, në një botë mitike, e afron emocionalisht me situatën dramatike, fizike e shpirtërore të Teutës, personazhit të sotëm.. Sigurisht romani i Mirës, si shumë vepra letrare, e bën lexuesin ta shohë, në një kuptim, me dyshim këtë imagjinatë, por, megjithatë, intuitivisht ai e pranon imagjinimin e personazheve, situatave të padukshme dhe të pabesueshme në jetën reale. Ndonëse do dukej se në një kuptim kjo përqasje imagjinare është e pabindshme, ndonëse për lexuesin ky është një iluzion jo real, në të vërtetë ai e ndjen se brenda saj është e vërteta. Imagjinata krijuese e ka këtë peshë në përjetimin e dukurive. Romani, sidomos plani i dytë i botës së amazonave, funksionon si mit, si iluzion, si një realitet që ndonëse është i pa parë, bëhet i besueshëm, një realitet që s’mund të ngatërrohet me realitetin faktual. Ne e kuptojmë veprën si alegori, ku dy realitete komunikimi rrëshqasin brenda njeri tjetrit. Gjuha figurative imagjinative e shkrimtares ndërton një raport specifik midis rrëfimit mitik dhe rrëfimit letrar, duke shkrirë në një stil të vetëm këtë marrëdhënie. Dhe çdo gjë “shihet” me imagjinatën tonë të provokuar me mjeshtëri nga imagjinata e romancieres. Në imazhet artistike të autores krahas reales shfaqet imagjinarja, si realizim i dëshirës për t’i konfiguruar “krijesat” e veta. Nëse gjuha e shkrimtarit, sipas Bartit, nuk priret të pasqyrojë realitetin, por ta shenjojë atë, atëhere kuptohet se burimi dhe përmbajtja e mitit në letërsi është lindja e imazheve të një realiteti imagjinar, transfigurimi i një bote reale në një botë imagjinare. Këtu qëndron thelbi i letërsisë! Këtë synon të bëjë edhe shkrimtarja M.Meksi.

    Në të vërtetë mund të thuhet se letërsia, pra edhe romani i M.Meksit, nxjerr çështjen e diskutueshme të së vërtetës në trillim, në imagjinatë. Ç’marrëdhënie dhe vlerë për veprën letrare ka e vërteta dhe falsifikimi/shtrembërimi që romani paraqet përmes botës reale ? Kjo sigurisht duhet parë lidhur me aspektin e së vërtetës morale, si kusht dhe vlerë e letërsisë. Lidhja midis të vërtetës së realitetit dhe imagjinatës së trillimit, që thellon ndjeshmërinë ndaj fatit të heroinës reale i është nënshtruar imagjinatës simbolike të mitit dhe duhet parë vetëm si figurëzim smbolik i një raporti të caktuar njerëzor. Në roman skenat e marrëdhënieve të Glaukias me trojanin, dilema që rrënon shpirtin: të heqë gjirin për të qenë udhëheqësja e amazonës/për të ekzistuar, pra, brenda llojit të saj, apo t’i falet dashurisë dhe bukurisë trupore, janë trill fantastik i autores që nuk kanë ardhur rastësisht, por në kërkimin artistik të origjinës së mbijetesës shekullore, përtej reales. Gjithë plani mitologjik i amazonës është gjuhë figurative imagjinative e shkrimtares mbi situatën dramatike të heroinës/autores; ai ndërton një raport specifik midis rrëfimit mitik dhe rrëfimit letrar, duke shkrirë në një stil të vetëm këtë marrëdhënie.

               Marrëdhënia e shkrimtares Mira Meksi me Mitin shfaqet jo për herë të parë në romanin “Puthja e Amazonës”. Edhe në romane të tjera autores i duhet miti për të kapërxyer mbi realitetin e jetës, për të shkuar drejt përfytyrimeve të karakterit më universal. Dimë se Miti në letërsi nuk është e njëjta gjë si në disiplina të ndryshme, kryesisht sociologji apo psikologji, kur ato e bëjnë atë objekt studimi, sepse miti letrar është shndërrimi i tij në figurë, për të realizuar aspekte përmbajtjesore e poetike të veprës letrare, Nëse teorikisht problemi themelor do të ishte: si transformohet Miti në letërsi? Çfarë ka të përbashkët në thelbin e tyre? mund të themi se kjo lidhet së pari, me specifikën e letërsisë si art i trillimit, i shprehjes së emocioneve të njeriut dhe, së dyti, me thelbin e vetë Mitit, si një shprehje dhe lexim simbolik i problematikës së jetës njerëzore. Pavarësisht nga shkalla apo ekstremiteti simbolik i këtij raporti, mund të them se, në thelb, miti dhe letërsia janë e njëjta gjë; raporti i tyre nuk shpreh një marrëdhënie të jashtme, por përkundrazi është një çështje e vetë letërsisë, e specifikës figurative të saj… Si i tillë miti në letërsi lexohet simbolikisht dhe, siç është në natyrën e letërsisë, referent i simbolizuar mund të jetë çdo gjë. Nëse pranojmë se miti është model rrëfimi i figurshëm, mbi ngjarje të trilluara, nëse miti letrar ekziston nëpërmjet një gjuhe poetike e një imagjinate njerëzore, ne realisht kemi shpjeguar një ndër tiparet themelore të letërsisë. Erich Fromm, duke shpjeguar poetikën e mitit, arsyeton se ai mund të konsiderohet si produkt i një imagjinate të shkëlqyer poetike. Këtu qëndron thelbi i letërsisë, që Mira, me intuitën e saj krijuese, e realizon në veprën e saj.

    Në procesin e krijimit të romanit shfaqet mprehtësia e intuitës së autores. Ndërthurja e koshiencës me subkoshiencën realizon formësimin figurativ; ndjeshmëritë intuitive dhe shtresat racionale-logjike, i japin romanit kompleksitet të veçantë emocional.

    Imagjinata e romancieres trondit edhe në krijimin e imazhit të pandemisë që ”shihet” si një figurë që përndjek tmerrin e dyfishtë të Teutës, frikën ndaj saj dhe kancerit që është shfaqur pabesisht… “Tinëzisht, e beftë, e padukshme, e egër, e pashmangshme, e pabesueshme, autoritare dhe e rëndë si vetë frika e njeriut nga vdekja.” …”Shitoret prestigjioze lëngonin qepenmbyllura. Dritat ulëritse të reklamave përloteshin të verbuara”. Do mjaftonin këto dy tmerre që romani të kish një tingëllim tronditës, dramatik. Por kjo nuk ndodh. Sepse imagjinata krijuese e Mira Meksit, siç e theksova më sipër, i përgjigjet strukturës specifike të të menduarit artistik të kësaj romanciereje.

    PASURIA LIGJËRIMORE është tipar thelbësor, dallues, impresionues në stilin e kësaj autoreje. Problemi gjithnjë është çfarë force kanë fjalët e përdorura në roman dhe çfarë kërkojnë ato, çfarë nënkuptojnë apo sjellin. Dihet se në letërsi, për shkak të ndërtimit gjuhësor, portreti i personazhit nuk i shfaqet lexuesit direkt, por rroket përmes një imagjinate të veçantë. Është ‘imazh mendor’ ai që prodhohet për dy femrat, njera reale e tjetra mitike, ndonëse mund duket si një imazh vizual. Por kjo ‘varfëri’ e imazhit mendor të personazhit në të vërtetë nuk është dukuri negative, sepse është karakteri relativ i imagjinatës krijuese mbi personazhin që krijon një intimitet dhe raport të jashtëzakonshëm të tij me lexuesin. Vizualiteti që fitojnë Teuta dhe Glaukja nuk ka të bëjë thjesht me detajet e përshkrimit të jashtëm e të brendshëm të tyre, por me peshën që merr fjala, e kërkuar prej Mirës, në gjallërimin e fantazisë, në realizimin e abstragimit, në gjetjen e formës konkrete emocionale të figures. Është e rëndësishme të përcaktohet sa romani është i strukturuar kryesisht mbi bazën e principit të metaforës. Përshkrimi është një metaforë e gjerë ku një plan sipërfaqësor vihet përballë me një plan imagjinar, mitik. Dy shtresat janë vazhdimisht të lidhura me njera tjetrën. Në këtë roman kuptimi i metaforës nuk lidhet thjesht me përdorimet gjuhësore, por me gjithë konceptimin figurativ, si një metaforë e zgjeruar. Në romanin “Puthja e Amazonës”, siç ndodh në letërsinë e vërtetë, çelësi i të kuptuarit ka të bëjët me kuptimin e ndryshimeve ndërmjet veprimeve aktuale të një personazhi dhe abstraksioneve të këtyre veprimeve si dhe konceptimit të qartë se specifika e strukturave gjuhësore është më komplekse se sa bashkimi i fjalive. Ligjërimi që përdor M.Meksi është i tillë që emocioni nxjerr veten nga vetëdija dhe pavetëdija e saj. Në një kuptim, ajo që e dallon stilin ligjërimor të kësaj prozatoreje është se bota që ajo krijon është gjuha e saj. Çfarë ajo zgjedh e shkruan është zbulimi i vetvetes; vizioni i saj imagjinativ është vetënjohje e saj.

    Në strukturën ligjërimore të Meksit mbizotëron stili pikturues, që do të thotë se rrëfimi përqendrohet më shumë në përdorimin e ligjëratës pikturuese. Në episode të veçanta, në qendër të të cilave është amazona, ky ligjërim ështe pikturë impresioniste, në episod tjetër është aromë (“ishte kohë dashurie”), është portret poetik (përshkrimi i bukurisë së amazonave në çaste pushimi dhe relaksi fizik)… “…u dëgjua një si shpërthim i beftë trëndafilash në pranverë, një kërcitje delicate petalesh, një kundërmim erëmirash që mbushi ajrin dhe një tjetër parfum rrëshirash ëmbëlane që e solli flladi i bregdetit dhe një hënë e gëzuar e porsalindur u shfaq në kupën e qiellit ku yjet kishin zënë të luanin muzikë si zilka të argjendta.” Këto stile ligjërimore së bashku ndërtojnë imazhin e bukurisë, të pasionit femëror…Kështu, në shtratin e operimit, e zhytur në errësirën e përtej jetës, pavetëdija mistike e çon heroinën në botën mitike të lashtësisë, drejt botës së amazonave, për të kërkuar bukurinë fizike (që po i cënohet), dashurinë, (që pabesisht e ka braktisur), për të gjetur zërin e bukur të jetës, për të cilën lufton në shtratin e operimit. Në mënyrë metaforike ligjërimi ndërton jo frikën, tmerrin, dëshpërimin, por një sfond magjik drejt të cilit ajo synon të rendë. Prandaj, siç e thashë më sipër, romani nuk është dramë, por rendje drejt dritës, shpëtimit. Ligjërimi vizaton, realizon kodin themelor të ndërtimit të figurës, në thellësitë e së cilës autorja, në njerën anë zbulon aspektin tragjik të jetës, përplasjen me enigmën e fatit, në anën tjetër sfidën e madhe njerëzore, si dhe përplasjen e pasionit, e instiktit të papërmbajtur, me logjikën, arsyen që frenon personazhin. Në raport me realitetin figura e amazonës herë shfaqet e qartë, e fuqishme, herë zbehet për të dalë në plan të dytë. Përgjithësisht ligjërimi mbetet brenda vetvetes. Në këtë kod të krijimit të figurës fjala ka një funksion tepër të veçantë: ajo largohet paksa nga vizatimi i jashtëm dhe përqendrohet në krijimin e pasionit për jetën. Kjo i bën shpesh herë figurat, sidomos amazona, që t’i shfaqet lexuesit me një tis mjegullor, por magjik, ndërsa heroina e sotme, Teuta, të shfaqet midis shpirtit dhe vegimit, përmes një kodi tepër origjinal të ndërtimit. Fshihen kufijtë midis realitetit dhe ireales, të mundshmes dhe të pamundshmes, sepse për autoren s’ka rëndësi ç’është reale, por çfarë kërkon shpirti i saj njerëzor. Prandaj, në këtë roman koncepti i reales merr një përmbajtje krejt tjetër.

    Mendoj se pasuria ligjërimore e prozatores M.Meksi është ndër vlerat më të spikatura të krijimtarisë së saj. Tashmë, një seri romanesh kanë dëshmuar aftësinë dhe intuitën e mprehtë në krijimin e fjalëve të reja, parë këto jo thjesht si mani e tepëruar ‘novatore’ dhe si teknikë ndërtimi, por si realizuese të strukturave të rëndësishme emocionalo-kuptimore. Në thelbin e tyre fjalëformimet e Mirës janë kryesisht të emocioneve dramatike, të situatave të jashtëzakonshme, ose të ndjeshmërive të thella emocionuese. Kjo bën që ligjërimi rrjedh, gurgullon pa asnjë pengesë gjatë rrjedhës… Ai është dramatik, drithërues kur ndërton skenat e frikës dhe tmerrit që pushtoi njerëzit ndaj rrezikut të pandemisë; është plot tinguj të butë… në skenat e dashurisë; është plot mister dhe ankth në honet e errëta të pavetëdijes, ku luftohet për triumf…

                Ligjërimi i M.Meksit shquan edhe për një tipar tjetër : me pasionin kërkimor ajo nxjerr nga harresa, prej fondesh të vjetëruara përdorimi gjuhësor, fjalë pasurie të shqipes, fshin me kujdes pluhurin e mospërdorimit dhe gjallëron stilin gjuhësor, risjell fjalë që gjuha jonë nuk do duhej t’i kish ‘harruar’. Si ‘arkeologe’ gjuhësore (do mund ta cilësoja) Mira kërkon në libra e dokumente të hershme, në tekste origjinale apo të përkthyera, të hershme gjithashtu, vitalitetin dhe pasurinë e shqipes. Është vetëdija më fisnike e një shkrimtari. E dashuruar mbas shqipes, e stërvitur mjeshtërisht si përkthyese e talentuar e autorëve, sa të mëdhenj aq edhe të vështirë, të letërsisë botërore, Mira ka ndjesinë e brendshme për peshën e fjalës në përgjithësi, të fjalës së sotme dhe të formave të vjetra të fjalëve. Ky aspekt i procesit të saj krijues do të meritonte vëmendje të posaçme, për t’ju kundërvënë me finesë dukurisë së vërshimit të fjalëve të huaja, jo vetëm në ligjërimin bisedor, por edhe në atë artistik. Fanatike e këtij ‘purizmi’ të shëndetshëm ajo nuk varfëron, por e pasuron ligjërimin artistik me dy mënyra : me fjalëformimet e reja (që gradualisht nga letërsia kalojnë në ligjërimin bisedor), nga ana tjetër duke u dhënë jetë fjalëve ‘të vjetra’, me ngarkesë emocionale dhe me koloritin e përshtatshëm historik. Në këtë mënyrë vepra e saj gjallëron gjuhën shqipe me vlerat e veta, ende të pashfrytëzuara thellësisht në letërsinë tonë artistike.

                                                                                              # # #

    Mira Meksi i përket asaj tipologjie shkrimtarësh që duket se nuk ka shumë lidhje me botën e protagonizmit artistik, sepse veprat e saj letrare ngrihen jo vetëm mbi talentin, imagjinatën dhe intuitën e saj, por, edhe mbi një PROCES NJOHËS të lodhshëm, në lexime pafund rreth të dhënave, njohurive nga shkenca humanitare, në gërmimin e botimeve të lashta që nga antikiteti e deri në ditët tona. Veprat e saj dëshmojnë horizontin e gjerë kulturor, si rezultat i leximeve të vazhdueshme në fushën e gjuhësisë, të letërsisë, të historisë (të vjetër dhe të re), të prekjes së dokumenteve fetare, të filozofëve e historianëve të lashtë, nga antikiteti e këtej. Kështu në shtratin e romanit vinë me finesë dhe në masën e duhur informacione për historinë e lashtë, për figura të antikitetit, për mitologjinë greke dhe terminologjinë e saj, për rite të vjetra pagane, për elemente etnografikë të atyre botëve, për fjalë e emërtime të lashta, greke dhe ilire…Sigurisht edhe njohja e gjerë e letërsisë botërore, në autorë dhe etapa të ndryshme të lulëzimit të saj, është terreni më i lehtë për këtë autore. Gjuhët që zotëron janë ndihmëset më të sigurta të saj dhe, të gjitha së bashku, ndërtojnë atë kulturë të gjerë, admiruese, që përcjellin romanet e saj.

    Prandaj, mund të them se struktura e të menduarit artistik të Mira Meksit ngrihet mbi dy plane thelbësore : njohja, informacioni shkencor dhe trillimi, intuita, imagjinata krijuese.

    Këtu qëndron suksesi i saj !

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË