Pse nuk më pëlqeu pamja e jashtme e asnjërës prej aktoreve që interpretojnë figurën e Helenës, në filmat kushtuar luftës së Trojës? Atë portret, që kisha përfytyruar nga leximi i poemës së Homerit, nuk e pashë në asnjë variant filmik. Një mospërkim zhgënjyes midis figurës që kisha imagjinuar dhe pamjes vizuale të heroinës në film. Çfarë kisha ‘parë’, veç germave të zeza mbi letër të bardhë? Problemi është: a ‘shihet’ dhe si ‘shihet’ personazhi në vepër? Kish ndodhur që fjala artistike, me mundësitë e pakufizuara të saj, kish provokuar një hapësirë të veçantë përfytyrimi individual tek unë dhe imazhi, që kisha ndërtuar në mendimin tim, nuk përafrohej me imazhin që aktoret e japin drejtpërdrejtë (as me imazhin e regjizorit që kish bërë zgjedhjen). Mospëputhja duket si paradoksale, por pikërisht ky fenomen shpreh thelbin e magjishëm të artit të fjalës dhe marrëdhënien, po aq magjike, të figurës-personazh me lexuesin. Karakteri vizual ose jo i figurës, nuk është thjesht çeshtje e kuriozitetit, e dëfrimit të lexuesit, por një ndër problemet më themelore të krijimtarisë letrare, që zbërthen shkakun e ndikimit emocional të letërsisë si dhe specifikat e mjeteve artistike me të cilat ajo rindërton realitetin, në kuptimin më të gjerë të fjalës.
E ‘shohim’ ne personazhin ? Në një kuptim, jo (e çfarë mund të duket në faqet e bardha të librit, ku ka vetëm germa të zeza ?). Por, megjithatë, ndodh dukuria misterioze që, gjatë leximit tëveprës letrare, çdo lexues arrin ‘ta shohë’ personazhin, të përjetojë, së bashku me të, situata të ndryshme, ta dashurojë ose ta urrejë, të prekë bukurinë apo shëmtinë e tij… Këtë ai e realizon nëpërmjet përfytyrimit, nëpërmjet aftësisë që ka fjala për të krijuar imazhin e asaj që përshkruhet. Gjuha, në funksionin artistik të saj, krijon raportin specifik midis lexuesit dhe personazhit, ajo i formëson lexuesit pamjen e figurës, duke i ngjallur emocione të drejtpërdrejta. Personazhi vërtetë nuk është real në tekst, në të ka vetëm fjalë, por prej kombinimeve të tyre lexuesi «e sheh» figurën në formë imagjinare. Shkrimtari shfrytëzon një varg ‘procedurash’ artistike, si qasje të brendshme dhe të pamjes së jashtme, kombinime, paralelizma, shkallëzime, përballje, etj. për t’i dhënë pamje, ‘jetë’ krijesës së vet.. Ai bën një ‘lojë’ me ndërthurjen e episodeve dinamike e statike, në skena realiste apo fantastike, me kërkimin e veprimeve të jashtme dhe dëshirave e impulseve të brendshme të personazhit., dhe kështu, në përfytyrimin tonë, pikturohet figura e tij. Në vështrim të parë, personazhi, si objekt i imagjinatës së lexuesit, është një aparencë që duket i shkëputur nga realiteti. Është kjo arësyeja që teoricienët kanë shtruar pyetjen : meqënëse figura-personazh është një imazh i ndërtuar, që nuk vjen nga veprimi real mbi shqisat tona, a është statusi i saj i pasigurtë, dhe, si rrjedhim, a është realitet ajo që ne shohim tek imazhi ? Përgjigjia vjen nga kuptimi i drejtë i raportit midis reales dhe perceptimit subjektiv të figurës-personazh, nga formimi i imazhit përmes imagjinatës, e cila qëndron midis ndjeshmërisë dhe kuptimit. Marrëdhënia që krijohet midis tyre përcakton kufijtë e shtrirjes së imagjinatës sonë. Prandaj edhe kufijtë e imagjinatës sime në krijimin e imazhit të Helenës së Trojës (dhe çdo personazhi tjetër të letërsisë) janë të papërcaktuar dhe në liri të plotë dhe, si rrjedhim, nuk përputhen me pamjen e çdo aktoreje që interpreton këtë personazh. Po kështu, duke qenë të vetëdijshëm se, bie fjala, personazhet e prozës së Kadaresë nuk janë objekt i drejtpërdrejtë i perceptimit tonë, edhe imazhi, që krijojmë për to, është i një lloji të veçantë. Ky fakt na rikthen te pyetja që sapo bëmë më lart: a është realitet ajo çka shohim te imazhi i tyre, kur rrezja jonë pamore kapërxen në kufij të paidentifikueshëm ? Doruntia na ngjall mrekullinë e bukurisë fizike dhe na duket sikur prekim fizikisht fatin e saj tragjik. Imazhi i saj shfaqet sipas përfytyrimit të secilit dhe, duke qenë një aparencë e pa ngjashme me shfaqje të realitetit, provokon raporte ndjeshmërie të veçanta, jo të njëllojtë në përfytyrimin e lexuesve të ndryshëm.
Figura që krijohet në vepër ‘shihet’ nga lexuesi, në radhë të parë në sajë të lidhjes me kodin e autorit, si mjeshtëri e kombinimeve midis lëndës gjuhësore dhe lëndës imagjinare. Nga ana tjetër, ky proces ‘shikimi’ lidhet edhe me kodin e lexuesit, me aftësitë përfytyruese, me situatën emocionale të tij. Nga bashkëveprimi i këtyre dy kodeve buron liria e imagjinatës, e cila bën që figura të bëhet e dukshme, të fitojë konkretësi (formë dhe madhësi) dhe mbi këtë proces të veprojë edhe gjykimi. Imagjinata, si një mundësi thelbësore, funksionon si ndërmjetëse midis ndjeshmërisë dhe mendimit, si ndërlidhëse ndërmjet eksperiencës direkte të realitetit dhe kufijve të pacaktuar të perceptimit. Në këtë rol sa filozofik, aq edhe artistik, sa të kushtëzuar nga teksti, aq edhe subjektiv, natyrshëm lind pyetja : a është ky perceptim i vërtetë, apo i gabuar ? Kjo nuk ka fare rëndësi, sepse ne, nëpërmjet procesit të imagjinimit, bëhemi ‘viktimë’ e iluzioneve ; kjo edhe për faktin se koncepti i reales është relativ dhe i diskutueshëm, sidomos në teoritë moderne. Figura-personazh arrin një vizualitet imponues, falë lirisë së pakufizuar të një varg teknikash (që nuk është rasti të ndalem këtu…).
Figura-personazh, midis reales, fiksionales dhe shfaqjes.
Problemi i parë, që del kur duam të flasim për efektin-personazh, është ai i vizatimit të një linje të qartë dalluese midis personit njerëzor dhe personazhit. Ngjashmëria e tyre dhe ngarkesa kuptimore e këtij të fundit është kaq e madhe sa që shpesh lexuesi identifikohet me karakterin, dhe ky identifikim shkon deri në shkallën emocionale ku lexuesi trishtohet, përlotet… Kjo është vlera më e madhe e rrëfimit artistik dhe formësimi e funksioni i jashtëzakonshëm i personazhit, i cili jeton midis reales dhe trillimit, dhe, në sajë të bashkëveprimt të tyre prodhohet shfaqja, dukja e figurës.
Çdo vepër letrare na bën të besojmë se ngjarjet dhe personat që veprojnë në të janë realë, në sajë të imagjinatës, që ndërton lidhjen midis atij që vepron dhe përfytyrimit tonë mbi të. Në fakt, edhe kur në jetën reale takojmë një njeri, në mënyrë intuitive, ne kryejmë një akt imagjinativ, paksa artistik, duke realizuar, në përfytyrimin tonë, një vizatim të karakterit të tij dhe, në një farë mënyre, projektojmë njohjen e parë mbi të. Aq më tepër në veprën letrare, ku kontakti me personazhin nuk është i drejtpërdrejtë, përfytyrimi vjen më i komplikuar. Tipari bazë në aktin imagjinativ është që ai përfshin mendime të pashpallura, pra të imagjinosh do të thotë të mendosh ‘pamjen’në liri të plotë. Në të njëjtën kohë të imagjinosh do të thotë që t’i mendosh këto ‘shikime’ si të përshtatshme, të vërteta.
Kur lexojmë një roman, tregim, një dramë…ne mallëngjehemi, qeshim, drithërohemi, trishtohemi, madje edhe friksohemi, sepse hyjmë në komunikim virtual me personazhe që mishërojnë karaktere të caktuara të jetës njerëzore, të fatit dhe situatave emocionale që, edhe nëse nuk i kemi kaluar ose jetuar në jetën tonë, i japin hapësirë të gjerë imagjinatës, përqasjes, paralelizmit ndjenjësor, për t’u futur, gjatë procesit të leximit, në një realitet ‘të dukshëm’, me shumë ngarkesa emocionale. Plasticiteti figurativ i përshkrimeve të personazhit është i tërthortë në letërsi, figura nuk ka tipare vizuale të drejtpërdrejta, fjala, për vetë natyrën e saj, është shenjë e përgjithësuar e dukurisë, është emërtim konvencional, por jo pasqyrim. E, megjithatë, kur lexon një vepër letrare figura-personazh ‘shihet’ dhe përjetohet më e fuqishme se karakteri që do mund t’i referohej në realitet. Ajo që u jep figurave efekt emocional të veçantë, është jo prekja e reales, por krijimi i iluzionit të reales, e asaj që ne e përjetojmë, që arrijmë ta shohim me sytë e imagjinatës. Madje shkohet më tej: në brendësi të figurës-personazh projektohet edhe trillimi ynë, ne ndjekim lëvizjet e sistemit të personazheve, duke hyrë në iluzionin e një bote reale, duke u bërë, pa e kuptuar, ‘viktima’ të këtyre iluzioneve. Ç`pikturë do të kënaqte imazhin gati prometean që krijon tek ne skena imagjinare e përleshjes së Maksit me shkabën në kopështin zoologjik (‘Shkaba) ? Sipas cilit kriter do të përcaktonim se Doruntina, (‘Kush e solli Doruntinën’), Tunxh Hatai dhe Ali Pasha (‘Pashallëqet e mëdha’), Mao (‘Koncert në fund të dimrit’), etj. etj.janë figura reale, kur dihet se në procesin krijues formësimi artistik i personazheve është një kombinim i së vërtetës me dhunimin e të saj ?
Procesi i zhvillimit të mendimit artistik drejt ‘qënies’ figurë-personazh është i ndërlikuar, dhe kryhet në mënyrë të larmishme. Formësimi i saj, që kalon përmes strukturës së brendshme dhe të jashtme të rrëfimit, bëhet përmes kombinimit të parimeve të shumëllojshëm dhe të pakufizuar. Figura-personazh, sikundër një organizëm i gjallë, përbëhet prej ‘qelizash’, njësi të formës që kanë jetën e tyre të brendshme, relativisht të pavarur. Ne e ‘shohim’ figurën si të tërë, si rezultat, por e rëndësishme është për kritikun letrar ta kuptojë personazhin në një proces lëvizjeje të njësive, të teknikave të formës, për të parë se si mjetet e shprehjes shndërrohen në pjesë përbërëse të figurës, në mish e gjak artistik.
Duke qenë një tërësi komplekse, për nga struktura e brendshme, dhe, njëkohësisht, e pashtershme në horizontin e përfytyrimeve që provokon, figura-personazh është krijesë e çuditshme, që lejon të nxjerrësh nga i njejti portret me qindra të tjerë, të papritur dhe të papërfytyruar më parë si dhe mendime të reja….Brenda figurës rrjedh sinteza, sendëzimi i ideve, ajo kapërxen urën ndërmjet botës së dukshme dhe të padukshme; ajo bën të pranueshme për njerëzit (për ndjenjat e tyre) proceset e ndërlikuara dhe të pandjeshme, të cilat përvetësohen prej tyre vetëm nëpërmjet abstraksionit, në rrugën e të parit mendor.
Personazhi një efekt i përjetuar
Ku qëndron thelbi i pushtetit emocional të veprës mbi ne? Si arrin personazhi të bëhet një efekt në përjetimin tonë? A është personazhi thjesht realizim i një aspekti tërheqës në veprën letrare, që ngjall vemendjen e lexuesit, që nxit kuriozitetin për fatin e tij gjatë zhvillimit të ngjarjeve, si në veprat epike, ashtu dhe në ato dramatike? A është thjesht një krijesë e kapricios së autorit, e individualizuar, tërheqëse, apo përmes formësimit të tij realizohet natyra e letërsisë dhe sekreti i ndikimit që ushtron në botën e të menduarit dhe të emocioneve tona ? Me këto pyetje thelbësore, që lidhen me formësimin dhe funksionin emocional- kuptimor të personazhit, duam të theksojmë se ky komponent është çeshtja më e rëndësishme e kuptimit të thelbit të letërsisë dhe që zbërthimi i tij i përket rrokjes tërësore të gjithë sistemit letrar. Këtij aspekti nuk i është kushtuar vemendja e duhur në studimet tona letrare, sepse kuptimi i nocionit figurë-personazh përgjithësisht ka mbertur në nivelet e zbërthimit të përmbajtjes së tij kuptimore, pa u thelluar në kompleksitetin e formësimit, si faktorin themelor të funksionit emocional të letërsisë.
Për shkak se personazhi në veprën letrare është një ‘krijesë’, të cilën e ‘shohim’, e ndjejmë, hyjmë në komunikim emocional me të, e dashurojmë apo e urrejmë, kjo do të thotë se ai ekziston si një formësim. Është një sistem specifik i poetikës së brendshme të veprës letrare që organizohet për ta formësuar, për ta bërë ‘qënie të gjallë’ në komunikimin emocional. Për këtë arsye termi më i përshtatshëm, që i referohet procesit të formësimit të një personazhi, do të ishte figura–personazh. Pse figura? Sepse, nëse ne emocionohemi me një personazh, jetojmë në disa momente me të, përfytyrojmë edhe portretin e tij, e pëlqejmë (fizikisht dhe moralisht), kjo ndodh sepse një tërësi mjetesh artistike kanë ‘pikturuar’ portretin e jashtëm dhe të brendshëm. Nëse kryeveprat letrare, gjatë gjithë historisë së zhvillimit të letërsisë botërore, jetojnë në botën emocionale të lexuesve të vendeve dhe periudhave të ndryshme, kjo ndodh pikërisht përmes përfytyrimeve që lexuesi ka krijuar mbi figura-personazhe të konceptuara si të gjalla. Nëse shumica e tyre janë kthyer në modele përjetimi dhe imitimi, nëse e veçanta e shumë kollosëve të letërsisë botërore identifikohet me personazhet që ata kanë krijuar, kjo ka ndodhur se në përfytyrimin e lexuesve të gjithë kohëve është vizatuar një portret ‘i dukshëm’, i dashur, apo i urryer. Kjo e vërtetë nxit vemendje të posaçme rreth çeshtjes se ç`përfaqëson figura-personazh në letërsi, ç`raport specifik ka ajo me lexuesin. Por, gjithësesi në konceptimin dhe analizën e figurës-personazh mbetet thelbësore përcaktimi i raportit midis qenies në letër dhe mishërimit në përfytyrimin tonë, çeshtje që mund të zbërthehet vetëm në togfjalëshin figura –personazh.
Ndryshoi koncepti mbi personazhin në periudha të ndryshme historiko-letrare ?
Figura-personazh u shfaq në letërsi kur shkalla e njohjes arriti nivelin e përgjithësimit konkret, kur brenda nocionit të saj u mpleksën abstragimi dhe individualja. E shfaqur, në fillim intuitivisht, si lidhje me botën, si konkretizim i marrëdhënies midis botës së dukshme dhe të padukshme, ajo mbeti gjithashtu e hapur në kufijtë e përfytyrimit njerëzor. Brenda saj ndodhi konkretizimi i ideve, sinteza, e cila bën që lexuesi të përjetojë, nëpërmjet abstraksionit, proceset e padukshme, të ndërlikuara që shoqërojnë ekzistencën e personazhit. Që në shfaqjen e parë të figurës-personazh ajo ishte një unitet tërësor, në realizimin e të cilës mpleksen fijet që, përmes gjuhës specifike të komunikimit letrar, të çojnë te autori, te lexuesi, te thelbi përmbajtjesor i saj si dhe te konteksti socio-psikologjik. Figura-personazh nuk u shfaq si riprodhim mekanik i jetës, por si proces i të menduarit abstrakt, ajo ndodhi si shpërthim nga vetëdija dhe subkoshienca e autorit. Që në krijimet e para, shkrimtari e mendoi jetën intuitivisht (që e diktonte vetë ky art i fjalës) në figura konkrete, në forma të papërsëritshme të shfaqjes individuale, madje edhe atëhere kur dukej se mund të kish patur një ekuivalet në jetën reale.
Zhvillimet që kanë ndodhur historikisht në letërsi janë reflektuar në përpunimin e përfytyrimeve të ndryshme mbi thelbin e personazhit. Dukuritë e reja të përmbajtjes së tij, kompleksiteti i formësimit dhe i funksionit artistik kanë bërë që personazhi të tërheqë vemendjen e teoricienëve në çdo kohë, çka ka nxitur edhe përpunimin teorik mbi karakterizimin e tij. Jo rastësisht për konceptin e personazhit është folur që në lashtësi, atëherë kur mendimi teorik nisi të përpunohej me synimin që të shpjegonte ç`është letërsia, si dhe pse shfaqet ajo përmes tre gjinive kryesore, si dhe pse ndikon në botën shpirtërore të lexuesit. Gjatë zhvillimit të mendimit teorik-letrar u propozuan kritere të ndryshme të konceptimit dhe dallimit të personazheve në letërsi (për të cilat nuk ka hapësirë të flasim gjerësisht tani).
Në retorikën e antikitetit koncepti i ndërtimit të figurës-personazh përqëndrohej në karakterizimet e ‘krijesës’ në pamjen e jashtme, në mënyrën e sjelljes, në veçoritë specifike të gjuhës etj., çka i referohej thelbit moral të personazhit. Pikëvështrimet ndryshuan historikisht, sipas zhvillimeve që ndodhën në jetën shpirtërore të shoqërisë dhe lulëzimit të rrymave dhe drejtimeve të ndryshme letrare. Raporti me të vërtetën relative dhe mënyra e realizimit të komunikimit njerëzor përbëjnë dy aspekte të rëndësishme që lidhen ngushtë me krijesën personazh dhe që kanë kushtëzuar qasjet të ndryshme të teoricienëve, deri në ditët e sotme.
Në procesin e zhvillimit letrar kemi parë se, ndërsa letërsia klasiçiste e ngurtësonte personazhin brenda kritereve morale e sociale të caktuara, duke ia nënshtruar gjithë zhvillimin e tij ruajtjes së raportit midis ndjenjës dhe detyrës, më pas letërsia romantike, që ka në themel lëvizjen për triumfin e ndjenjës dhe lirinë e individit, solli praktikisht dhe teorikisht një personazh të ri, tek i cili kulti i ndjenjës reflekton një zhvillim e raport tjetër me realitetin njerëzor, si dhe me sistemin e figuracionit letrar. Një qasje interesante në konceptimin teorik ishte kur personazhit iu dha një përmbajtje më e theksuar psikologjike. Ai u bë një ‘person’, një ‘qënie’ plotësisht e ndërtuar, edhe atëhere kur nuk bënte asgjë, edhe para se të vepronte, duke mishëruar një thelb psikologjik. Individualizimi i personazhit arrin kulmin në shekullin e XIX, kur i nënshtrohet ligjeve të një sistemi të caktuar, kur formësimi i tij konceptohet sipas parimit të kushtëzimit logjik, të raportit të shkakësisë. Nga ana e saj teoria e Frojdit solli thyerje në konceptin humanist të personazhit, kur si gjenezë e personalitetit të tij shihet roli i instinkteve të pavullnetshme, kryesisht seksuale. Koncepti sipas të cilit romancieri shpik në liri të plotë, pa modele, dhe se trillimi, imagjinata bëhen vetë subjekte të librit, afirmoi një ndryshim në marrëdhëniet midis njeriut dhe botës në të cilën ai jeton. Nëse në romanin tradicional personazhi vepron në një univers të qëndrueshëm, “koherent dhe të deshifrueshëm”, në romanin e shekullit XX shumë autorë nuk e shohin atë si krijesë që zbulon realitetin, por zhyten në ndërgjegjen e tij, konceptuar kjo si ‘realitet i shkallës së dytë’. Personazhi kuptohet kryesisht si mënyrë e pamjes së veçantë të botës dhe atij vetë. Në teorinë dhe praktikën krijuese të shumë autorëve nuk është e rëndësishme të zbulohet çfarë përfaqëson personazhi në botë, por çfarë përfaqëson bota për personazhin dhe çfarë përfaqëson vetë personazhi për veten e tij. Kjo prirje krijuese shfaq një ndryshim të thellë në karakterizimin e personazhit, për formimin e portretit të të cilit nuk kanë rëndësi dukuritë dhe elementet e realitetit, as tiparet vetiake, por funksioni i ndërgjegjes dhe instikteve të tij. Teoricienët e Romanit te Ri ishin kundër identifikimit të botës, të shoqërisë me fatin e individit.
Interesante është shfaqja e një teorie tjetër, sipas së cilës, nëse letërsia dhe kritika humaniste e kanë trajtuar personazhin si një qenie të gjallë, tashmë personazhit duhet t’i qasemi, në konceptin semiologjik, si një ekzistencë gjuhësore. Ishte gjuhësia strukturaliste dhe semiotika e tekstit që e ‘mbyllën personazhin brenda tekstit’, duke anashkaluar tekstin e jashtëm dhe veprimet e subjektit. Kështu, ndërsa kritika e drejtimit humanist e trajtoi personazhin si një “qenie të gjallë”, në konceptin semiologjik personazhi konceptohet më tepër si një ekzistencë e gjuhës. Në semiotikën narrative termi personazhi nuk ekziston; ai u zëvendësua me tri koncepte që i përkasin niveleve të ndryshme të përshkrimit të rrëfimit: aktori, aktanti dhe roli tematik. Nga mesi i shekullit XX u duk se personazhi po kalonte një krizë, si nën goditjet e disa teoricienëve, ashtu dhe në praktikat e reja krijuese. Kjo çeshtje u pa qartë edhe në romanin tonë postmodernist, ku u zbeh, u shfytyrua krijimi i personazhit, ku trillimi jo vetëm i përjashton ose i bën të diskutueshëm shumë nga elementet formale të narratives realiste, por shkon drejt zhdukjes së vizionit real të personazhit. Rrëfimi postmodernist ndryshoi teknikat e formësimit të personazhit, duke ngritur si çështje të diskutueshme shfaqjen problematike përballë realitetit. Nëse ka teoricienë që mendojnë se kategoria e personazhit ka mbetur, në mënyrë paradoksale, një nga më të errëtat e Poetikës, kjo ka ardhur si një kundërpërgjigje ndaj konceptit tradicional që pikturimin e tij e vinte në plan të parë. Rrugëtimi i formësimit të personazhit, edhe në letërsinë tonë, duhet të shihet simbas drejtimeve kryesore të zhvillimit të letërsisë: në letërsitnë romantike; realiste; moderniste dhe eksperimentimet postmoderniste, në të cilat konceptimi i figurës-personazh reflekton thelbin e evoluimit të letërsisë, raportet e ndryshme, të tërthorta,që ajo ka ndërtuar me realitetin dhe lexuesin.
Këto, dhe teori të tjera të shekullit XX mbi personazhin, në të vërtetë, mbartin një problematikë shumë më të gjerë se sa thjesht trajtimi i personazhit; ato ndërlikojnë kuptimin mbi thelbin e letërsisë, si art i fjalës, raportin e saj me realitetin dhe lexuesin, dhe kështu kanë rëndësi të radhës së parë në studimin letrar.
Ndërtimi i figurës-personazh aspekt themelor i poetikës së romanit
Siç u theksua, ndonëse në vështrim të jashtëm problemi i personazhit duket më i thjeshti në interpretim, në të vërtetë ai është një nga problemet kyçe të poetikës së veprës letrare
Duke qenë se struktura e një vepre epiket ka në qendër figurën-personazh, i gjithë materiali dhe teknikat ligjërimore, që karakterizohen si një gjuhë e veçantë, kanë si funksion ndërtimin e saj. Gjatë këtij procesi vepra shihet si një formë specifike e gjuhës, që ndërton një model të veçantë të botës, formësuar me ‘gjuhën’ e vet. Poetika e veprës përcakton figurën si një sistem bashkëpasqyrimesh, një organizëm të veçantë, një mikrokozëm që ‘bisedon’ me gjuhën e vet. Formësimi mbështetet në lidhjet dhe në varësitë e aspekteve të ndryshme të poetikës së brendshme, prandaj interpretimi i saj në veprat rrëfimtare do të shtronte menjëherë çeshtjen se cilat janë qasjet dhe planet artistike të formësimit të kësaj ‘krijese’.
Boshti i poetikës së figurës-personazh është parimi krijues, sipas të cilit forma kryesore e mishërimit artistik të personazhit është lëvizja dhe jeta e përfytyruar e‘qënies’ së krijuar nga pasqyrimi trillues. Figura-personazh është për autorin jo një kërshëri estetike, por instrument i vrojtimit të botës. Si e tillë ajo përfaqëson, në aspektin e poetikës, një tërësi shumë komplekse për nga struktura e brendshme dhe njëkohësisht e pashtershme në kufijtë e saj. Sikurse e gjithë vepra, ajo është shumëplanëshe, ka disa nivele. Duke qenë një “ndërtim”, një krijim origjinal, ajo realizon në mënyrën më të emocionale kalimin nga realiteti në trillim, nga objektivitet në subjektivitet, nga materia gjuhësore në gjuhën e artit. Poetika e ndërtimit të figurës-personazh ka në themel disa parime estetike, pothuajse universale, pak a shumë të përbashkëta për të gjithë shkrimtarët, përsa i përket synimit për të zhvilluar, kombinuar aspekte të ndryshme, që i japin jetë figurës; ashtu siç ka dhe origjinalitet të secilit në stilin, në disa parime të veçanta estetike të kombinimeve, pra në ‘konfiguracionin’ e këtyre lidhjeve. Në këtë proces çdo element merr peshë e funksion te veçantë, duke iu nënshtruar konceptit artistik që ka autori, mënyrës se si e sheh secili krijesën e vet..
Nëse do ta vëzhgonim këtë krijesë në përfytyrimin artistik të disa autorëve: I.Kadare, M.Meksi, Z.Çela, , M.Kraja, V.Koreshi etj…do të vinim re se, mekanizmi i ndërtimit të figurës është individual, krejt i dallueshëm te secili. Në konceptin artistik të tyre lindin figura vepruese, që kanë karakter njohës ; disa veprojnë si ide, disa figura vizatohen në mënyrë sinkrone apo nëpërmjet retrospektivës. Krijimi i tyre vjen gjatë përpunimit të detajeve, sa natyraliste aq dhe të jashtëzakonshme, gjatë përdorimit të koloritit historik dhe lokal, të ballafaqimit apo kundrimit me personazhe anësore etj.etj.Teknikat janë sa të tipologjizuara teorikisht, aq edhe pafundësisht të larmishme në perceptimin artistik të çdo autori.
& & &
Ndërsa në planin e raportit me lexuesin figura-personazh, që, siç e thamë, ka një identitet të pakrahasueshëm me llojet e tjera të krijimtarisë intelektuale, e mbërthen atë shpirtërisht, duke i infektuar ngarkesë të fuqishme emocionale, në planin e kuptimit të specifikës së letërsisë, si art i fjalës, koncepti i figurës-personazh merr përmasa më të gjera, sepse për ndërtimin e tij përpunohet një sistem i tërë artistik. Prandaj një studiues e kritik letrar nuk mund të mbetet vetëm në sferën e zbërthimit të aspektit përmbajtjesor të një personazhi, por do t`i duhej të depërtonte në thelbin emocional-artistik të krijesës figurë-personazh, parë brenda gjithë sistemit të strukturës artistike. Poetika e veprës letrare orienton që funksioni emocional-estetik i kësaj ‘krijese’ të gjykohet nga raportet e brendshme të faktorëve estetikë, nga karakteri intensive i tyre, nga marrëdhëniet midis funksioneve objektivo-përshkruese dhe atyre subjektivo-vlerësuese. Dhe të kuptohet që ky mekanizëm formues është pafundësisht i larmishëm…