NETËT E BARDHA RUSE
Mesnatë. Dielli, gati më të ikur,
Për t’u kthyer pas dy orësh
perëndimi!
-Ku e keni natën
o rusë të lajthitur,
T’ju puthim ndonjë ruskë
e mos na shihni!
Të bardha, sarhoshe,
të gjitha këto netë!
Në vdeksh të ngjallka
kjo vodkë moskovite!
Ngado që kthej kokën,
më shkel syrin një careshë!
Ngado që hedh këmbët
më zgjatet një shishe…
Mesnatë. Dielli ende s’ka ikur!
Unë kërkoj Eseninin
dua ta gjej patjetër (!)
Dhe s’di në pata qenë
edhe vetë i lajthitur,
Apo kështu i lajthitka
Rusia-poetët!?
Balltik, 1994
PADI PËR DETIN EGJE
Në minutën e fundit,
Në orën e fundit në atë plazh
të Kalithea-s,
Në ditën e fundit në atë qytet grek,
Deti më vodhi unazën e martesës!
Kjo ndodhi në thellësitë e tij,
Ku më ftoi për të parë koralet,
Ku më mashtroi me perlat që kish,
Brenda guackave që s’hapeshin fare!
Më futi në kurth, ku më rrethoi me alga,
Më lidhi me gjithë ato fije të padukshme,
Më torturoi me kandilët e neveritshëm,
Ma mbushi gojën me molusqe!
Pa më solli edhe peshq të kuq,
të më hutonte,
(E dinte që isha poet e gënjehesha lehtë!)
Më tregoi edhe peshkaqenët që i rrinin roje,
Dhe më grabiti unazën e martesës!
Vetëm pas kësaj më la të lirë,
Më hoqi prangat dhe unë u ngjita lart!
Më vështronte gishtin bosh edhe qeshte,
Si të ishte një triumfator i madh!
Ai s’ish det,
Ish bastard!
5 nëntor, 2003
REPLACE
Nuk t’i kthej dot ditët
që të kanë ikur,
Sepse jam njeri e nuk jam zot!
Jam si ti, sepse si ti kam lindur,
Jo atje në qiell,
po këtu në tokë!
Nuk mund të jem
njeriu i çuditshëm,
Që ditët e vdekura të t’i ringjall!
Ato ditë as unë nuk e di si ikën,
Asgjë prej tyre nuk munda të mbaj!
Nuk mund të t’i kthej
ato ditë të bukura,
Që një jetë të tërë nuk i harron dot!
Do të kemi prapë ditë me të puthura,
Që unë do të nis të t’i jap që sot!
Nuk t’i kthej dot ditët
që të kanë ikur,
Do të kesh të tjera prej meje,
ta dish!
Unë po të them që në tokë kam lindur,
Paçka se në qiell hyj e dal vazhdimisht!
1 qershor 2011
NJË LUMË I KEQ
Ndonjëherë më merr trishtimi me vete,
Ai është ky lumë
ku rri e zhytur mbrëmja!
Në ujërat e tij është mbytur mëngjesi,
Është mbytur mesdita (imja, jo tëndja!)
Gjithnjë i jam shmangur
këtij lumi të keq,
Nëpër ujërat e tij kurrë nuk jam futur!
Këdo që është i dobët ai e rrëmben,
E sidomos kur të sheh
që s’je i lumtur!
Ndonjëherë më merr trishtimi me vete,
Ai më mban peng pa patur asnjë shkak!
Çdo lumë është i rrezikshëm
kur nga shtrati del,
Po më i rrezikshëm është ky,
që s’ka asnjë shtrat!
31 maj 2011
KUR MUNGON Tl
Nga dhjetëra vajza që shkojnë rrugës,
Unë të krijoj ty në ecje.
Njërës i marr sytë,
Një tjetre buzët,
Mënyrën se si qesh ia marr një tjetre.
Bashkoj këto dhe plot të tjera,
Po prapë s’shoh aq ngjajshmëri.
Mungon ajo që me sy s’duket,
Që rri e fshehur veç, tek ti!
Seç ke një dritë brenda natës,
Që rri e ndezur dhe nuk shuhet.
Si një piktor përdora ngjyrat,
Por prapë larg asaj që duhet!
Me shpirtin,
Thashë,
S’mund të luhet!
12 qershor 2009
RRITJE
-për time bijë, Nadjan-
Çdo ditë rritet
e sikur më largohet,
Siç largohen shumë gjëra
që s’kthehen më prapë!
Nuk e nxë më divani
ku fle që të çlodhet,
I duhet blerë një i ri,
gjumit të saj!
Nuk di se kur do dalë
nga kjo moshë,
Seç ka një ngut
që ecën nxituar!
Tani nuk e nxë
as dhoma e saj e vogël,
-Duhet blerë shtëpi tjetër,
-i them gruas.
Ndodh që edhe vonohet
ndonjëherë,
Nuk e nxë më nata,
është e shkurtër.
Por, ah, veç natë tjetër
ne nuk mund të blejmë,
Sikur edhe perënditë
të na japin urdhër!
24 korrik 2009
FITORJA E NGADALSHME
Hyra prapë në sytë e tu jeshilë,
Në bebëzat e tyre
zura prapë vend.
Më pas trokita në shtëpinë e shpirtit,
Ku ca të tjerë
prisnin prillin tënd.
Dhe m’u duk vetja
sikur isha një Odise,
Ndërsa ti, Penelopa e famshme.
Të pata pushtuar një herë
kur ishe e re,
Por nuk mburrem
me pushtimet e mëparshme.
Eh,
Zgjasin më shumë
Fitoret e ngadalshme.
25 shtator 2009
DIKUR MË NDODHTE SHPESH
I bëja natës ftesë, për një kafe,
Se më pëlqente,
por edhe më duhej!
Në ora një, kur gjumi sytë hapte,
Përballë meje, ajo vinte, ulej!
Vetëm flokët i kishte prej nate,
Se trupi, krejt, asaj i farfurinte!
Sa herë e prekja, për çudi, me zjarrthe,
Më mbushej prej asaj dhe dora ime!
Nuk di pse ty, ajo, aq shumë të ngjante,
Ty, që prej meje, tashmë, ishe e ikur!
Ajo si ti lexonte dhe filxhanet,
Si ti, me gjarpërinj, më shihte lidhur!
Dhe veç kur dita ishte shumë afër,
Ikte prej meje, ikte, zhdukej fare!
Unë s’di të ngrihem
si somnambul, natën,
Por di që ende kam, në duar zjarre!
Dhe e di mirë që ende s’kam lajthitur,
Si mund të flas me netët
që shpirt s’kanë?!
Por ende nuk e di pse pranë shtratit,
Sa zgjohem nuk gjej një,
por dy filxhanë!
6 nëntor 2003
KUR VDIQA UNË
Më hodhët dhé sa mundët,
Më ngjeshët,
Më vutë një mal përsipër!
Më pas ca lotë,
Më pas ca lule artificiale,
Më pas, më latë e ikët!
Më pas i latë duart,
(nga dheu
edhe nga unë!)
Dhe shkuat,
Drekuat(!)
Dhe nisët
Të qeshni përsëri,
Të thoni barcoleta banale,
T’i shkelni syrin njëri-tjetrit
Me djallëzi!
Ç’aktorë horrorë!
Në tërë këtë lojë
Me gjoja dashuri!
Veç nëna,
Eh, nëna!
Hyri fshehtaz atje, brenda,
Si një rreze dielli në dimër!
Për të ndarë me mua,
Gjithë atë mal dheu,
Që më vutë përsipër!
Veç nëna tani,
Me zogjtë e gishtave,
Më çuket si dikur,
Më shpupuris flokët!
M’i thërret
Me emra,
Shokët..