More
    KreuLetërsiBibliotekëFernando Pessoa: Dashnori kundrues

    Fernando Pessoa: Dashnori kundrues

    Përktheu nga origjinali: Gazmend Bërlajoli

    Hymje

    Leva në nji kohë kur shumica e të rijve e kishin humbë besimin në Zot, për të njejtën arsye pse prindja e tyne e kishin pasë – pa me e ditë pse. Tevona, tue qenë se shpirti njerëzor priret natyrshëm me kritikue mbasi ndijon, e jo mbasi mendon, shumica e këtyne të rijve zgjodhën Njerëzimin për ta zavendësue Zotin. I përkas, qyshdoqoftë, njatij lloji të njerëzve që janë prore në zgrip t’asaj ku përkasin, e jo veç shohin shumsinë e asaj që janë, për pa i pá edhe hapësitë e mëdha anepërreth. Për ate as e braktisa Zotin aq haptas si ata, as kurrë nuk e pranova Njerëzimin. Vlerësova se Zot, sado pa gjasë, mund të kish; e meqë mundet, duhet t’adhurohet; kurse Njerëzimi, tue qenë pos nji shllim biologjik, e tue mos përfaqësue ma shum se llojin shtazor njerëz, s’ish ma i denjë për adhurim sesa cilido tjetër lloj shtazor. Njiky kult i Njerëzimit, me ritet e tij të Lirisë e Barazisë, m’asht ngja gjithmonë nji ringjallje kultesh të motshme, në të cilat shtazët ishin si zota, jase zotat kishin krena shtazësh.

    Pra, pa ditë m’e besue Zotin, e tue mos mujtë me e besue nji mizëri shtazësh, mbeta, sikur tjerët në zgrip të njerëzisë, në atë largsi ndaj gjithçkasë që të shpeshtën quhet Dekadencë. Dekadenca asht humbje e plotë e pavetëdijes; sepse pavetëdija asht themeli i jetës. Zemra, të mendonte, kish me plasë.

    Atyne pra, si unë, që jetojnë për pa ditë me pasë jetë, ç’u mbetet, si miqve të mi të paktë, pos mohimit si mënyrë dhe të kundruemit si fat? Tue mos ditë ç’asht jeta fetare, as tue mos mujtë me e ditë, ngase nuk ka besim me arsye; tue mos mujtë me pasë besim në përbashkësinë e njerëzve, as tue mos ditë madje ç’me ba me te, na ka ngelë, si arsye me pasë shpirt, të kundruemit estetik të jetës. Dhe kësisoj, të huej për madhështitë e tana botëve, mospërfillës ndaj hyjnores dhe përbuzës të njerëzores, i jepemi kot ndijes së paqëllimtë, të përpunueme në epikurizëm të hollë, siç nervave tona trunore u kandet.

    Tue ndalë, prej shkencës, pos atë parimin e saj qendror, se gjithçka u nënshtrohet ligjsive fatale, kundër të cilave kurrnjigja nuk vepron pavarësisht, sepse janë ato që na bajnë me veprue; dhe tue vrojtue se si ky parim përkon me tjetrin, ma të vjetër, të fatalitetit hyjnor të gjanave, çojmë duer nga rrekja porsi të ligshtët nga ushtrimet trupore, dhe përkulemi përmbi librin e ndjesive me nji skrupull të madh ditunimi të ndijuem.

    Tue mos marrë gja seriozisht, as tue mos mendue se na asht dhanë, sak, tjetër njimendsi veç asaj të ndijeve që kemi, strehohemi në to dhe i hulumtojmë si t’ishin dhena të panjohun. E, në asht se i përdorim me ngulm, jo sall në kundrimin estetik, po edhe në shprehjen e mënyrave dhe të nxjerrave të tij, asht pse proza a vargu që shkruejmë, i zdeshun dëshire me synue me u mbushë mendjet tjerëve o me u luejtë dëshirat tjerëve, asht si të folunit të madhe t’atij që lexon, ba për t’i dhanë objektivitet të tanë kënaqësisë subjektive të të lexuemit.

    E dimë mirë se çdo vepër ka me qenë e papërkryeme, e se ma i pasigurti i kundrimeve tona estetike ka me qenë ai për të cilin shkruejmë. Por e papërkryeme asht gjithçka: nuk ka perëndim njaq të bukur sa të mos mundet me qenë ma i bukur, asnji fllad të lehtë që na bjen gjumë sa të mos mundet me na pru nji gjumë edhe ma të lehtë. Dhe kështu, kundrues të bjeshkëve e të shtatoreve njilloj, tue i shijue ditët sikurse librat, tue i andërrue të tana, sa për t’i kthye në landën tonë ma të përmbrendshme, do të bajmë edhe përshkrime e shqyrtime, të cilat, me t’u krye, do të na huejtohen, gjana që mund t’i shijojmë si të vinin me muzgun.

    Ky nuk asht vështrim pesimistësh, si ai i Vigny-t[1], për të cilin jeta a’ burg, ku thur thupra me e shkue kohën. Me qenë pesimist asht me i marrë të tana tragjikisht, e ky asht qëndrim i tepruem e sticim. Nuk i mveshim, njimend, asfarë vlere veprës që e shkruejmë. E shkruejmë, njimend, me e shkue kohën, por jo sikur i burguemi që thur thuprat mos m’e kujtue Fatin, po sikur vajza që qëndis nënkresat, me e shkue kohën, jo për tjetër gja.

    Jetën e shoh si han ku duhem me ndalue derisa të më vijë karroca e greminës. Nuk di ku do të më çojë, se nuk di kurrgja. Mund ta shoh këtë han si burg, mbasi jam i detyruem me pritë në te; mund ta shoh qendër shoqnimi, mbasi këtu takoj të tjerë. Nuk jam, megjithatë, as i padurimtë as i zakontë. Ua lej këtë atyne që mshelen në dhomë, të shtrimë amullt në shtrat ku presin pa gjumë; ua lej atyne që kuvendin në dhoma, prej ku muzika dhe zanet u vijnë lirshëm te unë. Ulem te porta dhe i lej sytë me tretë në ngjyrat dhe tingujt e visores, e këndoj butë, veç për vete, kangë të lehta që i kompozoj nësa pres.

    Për të tanë ne do të ulet nata dhe karroca do të mbërrijë. Shijoj flladin që m’asht dhanë dhe shpirtin që m’asht dhanë me e shijue, e nuk pyes ma, as kërkoj. Nëse ajo që shkruej në librin e bujtësve do të mundet, e rilexueme nji ditë, prej të tjerësh, me i argëtue edhe ata udhës, do t’ish mirë. Nëse s’e lexojnë, ose nuk argëtohen, prap shum mirë.

    *

    dashnori kundrues (i)

    Anteros

    Për dashninë e thellë dhe përdorimin e dobishëm të saj kam veç shllim sipërfaqësor e stolisës. Unë u nënshtrohem afsheve të kundrimit. Por të pacikun e mbaj zemrën, dhanë fateve ma të paqena.

    Nuk mbaj mend t’ia kem dashunue pos «pikturën» kujt, të jashtmen vetë – ku shpirti s’futet për gja, veç që këtë të jashtme me e ba të lëvizshme e të gjallë – e kësisoj të ndryshme nga pikturat që i bajnë piktorët.

    Kështu dashunoj: ia qep sytë nji figure të bukur, tërheqëse, ose tjetërqysh të kandshme, të femnës a të mashkullit – ku nuk ka as epsh, as ka parapëlqim gjinie – e kjo figurë më josh, më ban zap, shqim më kaplon. Asgjamangut, nuk due ma veçse me e kundrue, as shoh gja ma me lemeri sesa mundsinë me mbërritë me e njohë e me i folë vetjes së njimendtë që kjo figurë me gjasë e shplon.

    Dashunoj me sy, jo me fytyrim. Sepse për atë figurë nuk fytyroj gja që të më mbërthejë. Nuk e paramendoj veten tjetrazi të lidhun me te, se dashnia ime sigurisht s’ka ma ç’me thanë. S’më zgjon kureshtjen me ditë kush asht, çka ban, ç’mendon krijesa që më jep me i pa dukën e jashtme.

    Vargje e vistra njerëzish e gjanash që sajojnë botën më janë nji galeri e pasosshme pikturash, mbrendia e të cilave nuk më intereson. Nuk më intereson, se shpirti asht monoton e gjithëherë i njejtë në të tanë njerëzit; i dallojnë veç paraqitjet vetanake, e ma e mira e tij asht ajo që derdhet në andërr, në sjellje, në gjeste, e kësisoj hyn në pikturën që më rrëmben, e në të cilën i kundroj fytyrat besnike të këtij dashunimi.

    Për mue krijesa nuk ka shpirt. Shpirti asht i vetvetes veç.

    Kësodore e vetëjetoj, pos tue kundrue, dukjen e lëvizun të gjanave e të qenieve, mospërfillës, si zot nga tjetër botë, ndaj përbamjes – shpirtit të tyne. Thellohem sall në sipërfaqe të vetë qenies, e kur mallëngjehem për thellim, në vetvete e në shllimet e mia për gjanat e kërkoj.

    E ç’mundet me më pru njohja personale e krijesës që e dashunoj njikështu si stoli[2]? Zhgënjim jo, meqë, tue mos i dashunue pos dukjen, e tue mos fantazue gja për te, marria a mediokriteti i saj nuk i heqin gja, se nuk kam pritë tjetër veç dukjes, të cilën s’kisha ç’me e pritë, e dukja të ngulitet. Po njohja personale asht e damshme se asht e kotë, e gjasendi i kotë gjithnji i damshëm asht. Me i ditë emnin krijesës për se? E prap, asht e para gja që, me t’u njohë me te, e mësoj.

    Njohja personale vyen me qenë, gjithashtu, liri për të zhbirilue, gja që lloji im i të dashunuemit e lyp. S’mund t’i sodisim, t’i zhbirilojmë lirshëm ata që i njohim personalisht.

    Ç’asht e tepërt asht ma e paktë për artistin, ngase, tue e trazue, e zvogëlon ndikimin. Shorti im i natyrshëm prej vrojtësi të paprajshëm e të ftigtë të dukjeve e paraqitjeve të gjanave – objektivist i andrrave, dashnor kundrues i trajtave dhe pamjeve të natyrës ☐

    S’kam të baj me atë që psikiatrit i thonë onanizëm psikik, as me atë që i thonë erotomani. Nuk fytyroj, si në onanizëm psikik; nuk shoh andërr se jam dashnor trupor, e as shok kuvendesh bile, i krijesës që ia ngul sytë e e mbaj në mend: kurrgja soje nuk fytyroj. As, si erotomanët, nuk e idealizoj a mbart tej sferës së estetikës së mirëfilltë: nuk i due, as i mendoj përtej se m’u jep syve dhe mbamendjes së drejtpërdrejtë e të kthjellët t’asaj që sytë kanë pa.

    *

    15.9.1931, botue më 1931

    Re… Jam sot i vetëdijshëm për qiellin, mbasi ka ditë kur nuk e shikoj, por e ndjej, tue jetue në qytet dhe jo në natyrën ku ai përmbahet. Re… Janë sot njimendësia kryesore dhe më brejnë sikur zymtimi i qiellit të m’i ishte ndër ma të mëdhajat rreziqe fatit. Re… Rendin nga grykëderdhja në Kështjellë, nga perëndimi në lindje, me nji trazim të hapërdamë e të zdeshun, të bardha herë-herë, nëse të rreckosuna rendin në pararoje të kumeditë çkasë; gjysëm të zeza tjerat, nëse, ma të ngeshme, vonohen, për t’u fshi nga era fërfëlluese; të zeza me të bardhë të përlyeme, nëse, as me dashtë me ndalue, e vranësojnë ma shum me avitje sesa me hije ate që rrugët e çelin si hapësinë të rreme ndërmjet ngrehinave përmshelëse të shtëpive.

    Re… Ekzistoj pa e ditë dhe do të vdes pa dashtë. Jam ndërmjetësia mes asaj që jam dhe asaj që nuk jam, mes asaj që andrroj dhe asaj që jeta më bani, mesatarja e palandët edhe trupore mes gjanash që s’janë kurrgja, as unë tue mos qenë kurrgja. Re… Sa shqetësi po ndijova, sa siklet po mendova, sa kotsi po dësh’rova! Re… Ato përherë kalojnë, do-do ma se të mëdha, dhe duket, (mbasi shtëpitë nuk po lejnë me pa në janë ma pak të mëdha se ç’duken) se duen me e zaptue krejt qiellin; të tjera përmasash të paqarta, munden me qenë dy ngjitë ose nji që do të ndahet dysh, të paudha ajrisë së naltë kundruell qiellit të kapitun; e do të tjera, të vogla, duken lodra gjasendesh të fuqishme, topa të çrregullt loje të përçudshme, sall në nji anë, në veçim të plotë, të ftohta.

    Re… Më pyes por nuk më njoh. Kurrgja s’kam ba të dobishme as s’do të baj gja t’arsyetueshme. E kam shpenzue pjesën e jetës që nuk e bora në çanësimin e hutueshëm të kurrgjave, tue u thurë vargje në prozë ndijeve të pakumtueshme me të cilat e baj timen gjithësinë e panjohun. M’asht ndye vetvetja, objektivisht e subjektivisht. M’asht ndye gjithçka, dhe gjithçkaja e gjithçkasë. Re… Janë gjithçka, nxjerra të naltësive, të vetmet gjana të vërteta sot anames tokës së patokë dhe qiellit të paqenë; rrecka të papërshkrueshme të mërzisë që ua ngarkoj; mjegull e langëzueme në kanosje ngjyrash të mungueme; pufka të pista pamuku të nji spitali pa mure. Re… Janë sikurse unë, nji shteg i shkëputun midis qiellit edhe tokës, nën mëshirën e ndonji hovi të padukshëm, tue vetue o tue mos vetue, tue gazmue të bardha e tue u mrrolë të zeza, trille të ndërkohës e të rravgimit, larg zhurmave të tokës e pa me e pasë qetësinë e qiellit. Re… Vazhdojnë me kalue, vazhdojnë përherë tue kalue, do të kalojnë përherë tue vazhdue, në pështjelljen me ndërpremje të lamshit ngjyrëzbehtë, në zgjatimin e shkriftë të të rrejshmit qiell të shpërbamë.

    *

    Rilexoj qartas, shtruet, pak nga pak, krejt ç’kam shkruejtë. Dhe vërej se janë krejt kot dhe se kish me qenë ma mirë sikur fare të mos i kisha shkruejtë. Gjanat e arrituna, perandori a fjali qofshin, përmbajnë, tue qenë t’arrituna, njatë ma të keqen e gjanave reale – dijeninë tonë se zhbahen. Po nuk asht kjo, megjithatë, ajo çka ndjej e që më dhemb për ato sa i kam ba, tek ngeshëm i rilexoj. Më dhemb që s’ia ka vlejtë barra qiranë, dhe se nga kohë e humbun për t’i shkruejtë, s’kam përfitue gja veç vetëmashtrimit, tashma të shuem, se ia paskish vlejtë me i shkruejtë.

    Çkado që kërkojmë, e kërkojmë për nji ambicie, po kjo ambicie, o nuk arrihet, e na len të vobektë, o mejtojmë se e kemi arritë, e kthehemi thjesht në pasanikë të rrokatun.

    Më dhemb edhe ma të mirat pjesë janë të këqija, e se tjetri, të ekzistonte, e që unë e andrroj, do t’i kish ba ma mirë.  Gjithë ç’bajmë, në art a në jetë, asht kopje e mangët e asaj që duem me e ba. E mohon jo veç përsosjen e jashtme, po edhe përsosjen e mbrendshme; i mungojnë jo veç rregullat si do të duhej me qenë, po edhe rregullat që të vlerësojmë si do të mundej me qenë. Jemi të zbrazët, jo veç përjashta, po edhe përmbrenda, të leçitun të pritjes e të premtimit.

    Me ç’stihi të shpirtit vetmitar shkruejta faqe mbas faqes së vetmueme, tue e jetue rrokje për rrokje magjinë e rreme, jo të asaj që kisha shkruejtë, po të asaj që pandehja ta kisha shkruejtë! Nga ç’shitim shtrignie ironike e kujtova veten për poet të prozës sime, në vrik të çastit kur m’u ngjall, ma e shpejtë se lëvizjet e lapsit, porsi hakmarrje dredhake ndaj poshtnimeve të jetës!

    Së mbrami, sot, tue rilexue, shoh të më dërrmohen kukullat, t’u dalë kashta prej gavrash, të zbrazen kurrë pa pasë qenë…

    *

    Krejt më shlyhen. E tanë jeta, kujtimet, fytyrësimi me përmbajtjet e tij, krejt më shlyhen. Vazhdimisht mendoj se kam qenë tjetër, se jam ndie tjetër, se kam mendue tjetër. Kjo që e kqyr asht nji shfaqje realizue me pamje tjetër. E ky që e kqyr jam vetë.

    Gjej herë-herë, në tollovinë e sirtarëve të mi letrarë, fletë që i kam shkruejtë para dhetë, pesëmbëdhetë, a ma shum vjetësh. Shum prej tyne më duken të tjerakujt; s’më njoh ma në to. Dikush i kishte shkruejtë, e ai isha unë. Unë i pata ndijue, po në ndoj tjetër jetë, nga e cila tashti u zgjova si nga andërr e tjetërkujt.

    Shpesh gjej gjana që i kam shkruejtë tue qenë fort i ri – fletë të hartueme kur kam qenë shtatëmbëdhetë a njizet vjeç. E do prej tyne kanë nji fuqi shprehëse që s’më kujtohet ta kem pasë në atë moshë. Ka do fjali e fragmente të shkrueme sapo kisha ba hapat e parë prej adoleshence, që më bahen se janë fryt i atij që jam sot, shkollue prej motmotesh e sendesh. E kuptoj se qenkam sikur kisha qenë. Tue pasë ndie se sot kam përparue goxha prej ç’kam qenë, pyetem ku asht përparimi, në asht se atëbotë paskam qenë i njejti me ç’jam sot.

    Ka në krejt këtë nji msheftësi që më përul e më bren.            

    Sall para do ditësh, u tranda mahnie me nji shkrim të shkurtë që kisha pasë ba dikur. Më kujtohet fort mirë se ky skrupull i imi, të paktën i pjesshëm, ndaj gjuhës, daton prej pak vjetësh. E hasa në sirtar në këtë shkrim timin, shum ma të motshëm, ku ky i njejti skrupull ish fort i theksuem.  S’e paskisha kuptue veten pozitivisht në të kaluemen.

    Qysh paskam përparue drejt asaj që paskisha qenë? Qysh m’e njohë veten sot kur s’e njihja dje? Tanë kjo më tollovit në nji labirinth ku, me mue, përhumbem prej vetes.

    Tretem në mendime, dhe jam i sigurtë se këtë që po e shkruej, e kam shkruejtë tashma. Më kujtohet. Dhe e pyes atë që mbrenda meje pandeh me qenë, a nuk ka në platonizmin e ndijeve ndonji tejkujtesë ma depërtuese, tjetër mbamendje të jetës së këtunjihershme, që mezi asht e njikësaj jete…

    O Zoti im, o Zot, kë po vështroj? Sa jam? Kush asht unë? Ç’asht kjo hapësi mes meje dhe meje?

    *

    Qielli i zi teandej kah jugu i Tagut ishte ogurzisht i zi përkundrejt flatrave, për kundërshti, zdritshëm të bardha të pulëbardhave në flatrim të trazuem. Dita, qyshdoqoftë, me shtrëngatë ma s’ish. E gjithë masa e kanosjes së shiut kishte vojtë përmatanë tjetrit breg, e qyteti i ulët, ende i lagësht prej ç’kish reshë, i buzëgazej prej platforme nji qielli, të cilit veriu po i kaltërsohej, ende bardhazi këtu-aty. Fresku i pranverës ish nji fice i ftohtë.

    Në kohë si kjo, boshe e të paparashikueshme, sa më kandet me e drejtue mendimin vullnetshëm kah nji meditim që të jetë kurrnjigja, po që të përmbajë, në hiçin e vet të kulluet, nji diçka nga të ftohtit vetmitar të ditës së kthjellueme, me sfondin e zi në largësi, dhe ndosa vrojtime – cok si pulëbardhat – që ndërmendin për kundërshti misterin e gjithçkasë në zezni të thellë.

    Por, sakaq, përkundër synimit tim letrar ma të përmbrendshëm, sfondi i zi i qiellit në jug ma ndërmend, nëpërmjet kujtimesh a të njimendta a të rreme, nji tjetër qiell, me gjasë pá në tjetër jetë, në njifarë veriu lumi të vockël, krejt me do kallame të trishta e pa qytet kund. Pa marrë vesh tek a qysh, nji visore për pata të egra më shpalohet në përfytyrime, e me qartësinë e nji andrre të rrallë ndjehem krejt ngjat hapësinës që e fytyroj.

    Kallamishte anës lumejve, terren për gjahtarë e ankthe; ledhet e çrregullta i zhyten, porsi kepa të vegjël të llangosun, n’ujnat ngjyre të verdhë të plumbtë, e lakohen nëpër gjij të lymtë, për barka gati sa lodra, në brigje që kanë ujë me ia vizëllue syprinën baltës së mshefun mes kërcejve të blertë e të zij të kallameve, kah nuk shkelet dot.

    Asht nji të shkretnuem qielli të murrëte të vdekun, rrudhë tek-tuk në re ma të zeza se qielli vetë. Erë nuk ndjej, por ka, e tjetra anë del se a’ nji ujëdhesë e zgjatun, përmbrapa të cilës venerohet – lum i madh i braktisun! – tjetri breg i vërtetë, shtri në largësinë e padallueshme.

    Kush atje shkelë s’ka, as me shkelë nuk ka. Edhe sikur, me farë të ikuni kundërshtues të kohës e të hapësinës, unë të mundesha me u arratisë bote për te ajo visore, kurrë kurrkush atje me shkelë s’kish. Kisha me e pritë kot njate që s’do të dija se po e prisja, e nuk do të kish, krejt në fund, veç nji të lëshuemi të ngadaltë nate, e tanë hapësina tue e marrë, ngadaldalë, ngjyrën e reve ma të zeza, që pak e pak do të treteshin në tanësinë e qiellit të shuem.

    Prejnjiherë, të ftohtit prej atje e ndjej njikëtu. Ma ngjeth mishin, në palcë më hyn. Marr frymë thellë e përmendem. Njani, me të cilin kryqëzohemi nën Harknajë mu te Bursa, më kqyr me mosbesimin e atij që nuk din me spjegue. Qielli i zi, tue u tkurrë, asht ulë edhe ma kah jugu.

    *

    25 prill 1930

    Po meditoja sot, në nji pushim prej ndijimesh, për trajtën e prozës që shkruej. Me gjithë mend, si shkruej? Kam pasë, siç kanë pasë të shumtë, nji djegë perverse për ta pasë nji sistem e nji normë. Po dihet se kam shkruejtë pa pasë normë a sistem; po në këtë, qyshdoqoftë, nuk jam ndryshe prej tjerësh.

    Tue më analizue këtë mbasdite, zbulova se sistemi i stilit m’u mbështetka në dy parime, prandaj fill, mbas shprehisë së mirë të klasikëve të mirë, i naltova këto dy parime në shtylla të përgjithshme të tanë stilit: 1. me thanë njatë që ndjehet cok njashtu si ndjehet – qartas, në asht e qartë; çuditshëm, në asht e çuditshme; koklavitshëm, në asht e koklavitun; 2. me kuptue se gramatika asht vegël, e jo ligj.

    Po e zamë se shohim para nesh nji vajzë me sjellje mashkulli. Nji qenie e zakonshme njerëzore kish me thanë: «Njajo vajzë qenka si djalë». Nji tjetër qenie e zakonshme njerëzore, po ma afër vetëdijes se me folë asht me thanë, kish me thanë: «Njajo vajzë qenka djalë». Ndonji tjetër, po i vetëdijshëm për detyrimet e të shprehunit, po ma i prekun nga dashja për t’u shprehë ngjeshun, e që asht afshi i të menduemit, kish me thanë: «Njai djalë». Unë kisha me thanë: «Njajo djalë», tue e thye ma themeloren e rregullave gramatikore, që kërkon pëlqimin e gjinisë, sikurse të numrit, ndërmjet përemnit e emnit. Kisha me e thanë mirë; kisha me folë tanësisht, fotografikisht, përtej të zakontës, normës, të përditshmes. S’kisha me folë; kisha me thanë.

    Gramatika, tue i përcaktue rregullat, ban ndamje të përligjuna e të rreme. I ndan, po e zamë, foljet në kalimtare dhe jokalimtare; megjithëqë, njeriut që din me folë, shpeshherë i duhet m’e kthye foljen kalimtare në jokalimtare për m’e fotografue atë që ndjen, e jo, sikur kafshët e rëndomta njerëzore, me e pa në terr. Ba me dashtë me thanë se ekzistoj, kisha me thanë «Jam». Ba me dashtë me thanë se ekzistoj si shpirt më vete, kisha me thanë «Jam unë». Por me ba me dashtë me thanë se ekzistoj si tanësi që njiherazi vetëprihet e formësohet, e që ushtron krahas detyrë hyjnore për me u krijue, si mundem me përdorë foljen «me qenë» për pa e ba përnjiherë kalimtare? E atëherë, ngadhnjyeshëm, zhgramatikisht kulmueshëm, kisha me thanë: «Më jam». Kisha m’e thanë nji filozofi në dy fjalë të vockla. A s’asht ma e pëlqyeshme kjo sesa mos me thanë gja në katërdhetë fjali? Ç’me u pritë ma shum nga filozofia e gjuha?

    Le t’i bindet gramatikës kush nuk din me e mendue atë që ndjen. E le t’i shërbejë atij që din me e urdhnue ndër shprehje të veta. Thuhet për Sigismundin,[3] mbret i Romës, se mbasi paskish ba, në fjalim publik, nji gabim gramatikor, iu paskish gjegjë njatij që ia kish qortue: «Jam regj i Romës, prandej sipër gramatikës». E historia thotë se u ba i njohun mbaskëndej si Sigismund «super-grammaticam». Simbol i mrekullueshëm! Çdo njeri që din me thanë ç’ka me thanë, asht, në mënyrën e vet, mbret i Romës. Titulli nuk asht i keq, e shpirti i tij asht me u qenë.[4]

    *

    1 dhetor 1931

    Pata sot, krejt gand, nji ndije të çuditshme e të drejtpërdrejtë. E kuptova, nga nji shkreptimë e përmbrendshme, se s’jam kurrkushi. Kurrkushi, bash kurrkushi. Kur më shkreptiu kjo vetimë, ajo që e kujtoja qytet më doli fushë, e shkretueme; e drita e mnershme që ma tregoi veten time, qiell nuk shfaqi sipër saj. Më asht vjedhë mundësia me qenë ma parë se t’ish bota. Me u pasë ringjallë, do t’isha ringjallë pa mue, pa qenë unë i ringjallun.

    Jam rrethina e nji qyteti të paqenë, parathania e mërzitshme e nji libri të pashkruem. S’jam kurrkushi, kurrkushi. Nuk di me ndijue, nuk di me mendue, nuk di me dashtë. Jam personazh i romanit ende të pashkruem, jam pezull në ajri, i zhbamë pa pasë qenë, midis andrrave t’atij që nuk diti me më tanësue.[5]

    Përherë mendoj, përherë ndjej; por mendimet nuk më përmbajnë arsye, ndijet ndjenja nuk më kanë. Jam rrëzue, nga ai kataraf njaty nalt, nëpër tanë hapësinën e pafundme, në ramje pa kahje, të pafundfishtë[6] e të zbrazët. Shpirti m’asht shakullinë e zezë, marramendje gjigante që sillet në vakuum, lëvizje e nji oqeani të paanë përreth gavrës së kurrgjasë, e nëpër ujna, që ma janë sillje sesa ujna, lundrojnë gjithë pamjet e ç’kam pa e ndie në botë – shtëpi, fytyra, libra, arka, copëza muzike e rrokje zanesh, në nji vorbull të mnershme pa mbarim.

    E unë, pikërisht unë, jam qendra që nuk asht, e dalë pos nga gjeometri e humnerës; jam hiçi rreth të cilit kjo lëvizje sillet, e veç pse sillet, i jam qendra që ekziston pos pse çdo rreth nji e ka. Unë, pikërisht unë, jam pusi pa mure, po me ngurtësi muresh, qendra e të tanave me kurrgjanë përreth.

    E, në mue, as me qenë vetë ferri tue qeshë, po pa ngjasimin njerëzor të djajve tue qeshë, ka nji trenim gargaritës të gjithësisë së vdekun, kufomë rrotulluese të hapësinës fizike, fund të të tana botëve tue fërfëllue zishëm nëpër erë, të shkapërdamë e të pakohshëm, pa Zot që do ta ketë krijue, pa vetveten që sillet në terrin e terreve, të pamundshëm, të vetëm e të pashoq, të tanë.

    Me mujtë me ditë me mendue!  Me mujtë me ditë me ndijue!

    Nana më vdiq shum herët, e nuk mbërrita as me e njohë…

    *

    24 mars 1930

    I rilexoj në amulli, tue e ndijue njate që e vetëjetoj si frymëzim e shlirim, ato vargje të thjeshta të Caeiro-s, rrjedhë e natyrshme dalë nga vogëlsia e katundit të vet. Prej tij, thotë ai, ma mundet me u pa botë se prej qytetit; e për këte katundi asht ma i madh sesa qyteti…

    «Se kam përmasat e asaj që shoh

    s’më mbërthejnë përmasat e shtatit»

    Vargjet e kështushme, që ngazëllejnë për pa u dashtë me u recitue, më spastrojnë nga metafizika që vetiu ia mvesh jetës. Mbasi t’i kem lexue, avitem te dritarja që kqyr kah rruga e ngushtë, e kundroj paanësinë qiellore e plymsinë e yjeve, dhe jam i lirë me shkëlqim të flatruem, drithëtima e të cilit ma rrënqeth krejt kurmin.

    «Kam përmasat e asaj që shoh»! Sa herë e kujtoj këtë varg me tanë vëmendjen e nervave, më bahet ma i denjë m’e riyjzue krejt gjithësinë. «Kam përmasat e asaj që shoh»! Ç’pasuni e madhe mendore shtjellet që nga pusi i ndijeve të thella e deri te yjzit e largët që në te pasqyrohen, e që kështu, njifarësoj, janë në te.

    Dhe qe tashti, i vetëdijesuem se di me pa, e vrojtoj metafizikën e gjanë objektive të tanë qiellit me nji siguri që ma ngjall dëshirën me vdekë tue këndue. «Kam përmasat e asaj që shoh»! Dhe hanimi i zbehtë, krejt i imi, me zbehtësinë e vet nis m’e zbutë kaltërsinë e mugëtueme të horizontit.

    Ndjej dëshirë me i çue duert e me britë gjana egërsie të pandieme, fjalë me u thanë msheftësive të nalta, me i pohue nji agor të ri, vigan, hapësisë së paanë të landës së zbrazët.

    Mirëpo përmbledhem e qetohem. «Kam përmasat e asaj që shoh»! Ky varg më bahet shpirti i tanë, mbështes në te krejt ndjenjat që ndjej, e mbi mue, përmbrenda, si mbi qytetin përjashtë, lëshohet paqja e pazbërthyeshme e hanimit të fortë që shtrihet gjanë përmbi muzgun që po erret.

    *

    Ndjehem herë-herë, nuk di pse, i prekun nga nji parathanie e vdekjes… qoftë kjo nga ndoj sëmundje e zbehtë, që nuk asht landëzue në dhimbë dhe prandej shpirtëzohet së fundmi, qoftë nga ndoj kapitje që kërkon gjumë aq të thellë sa të fjetunit vetë mos me i mjaftue – ajo që e di asht se ndjehem porsi i sëmuni që, në fund të keqësimit, së mbrami qetas e pa pendesë i lëshon duert e plogështa jashta butësisë së shtratit.

    Pyes atëherë ç’asht njajo që i thomë vdekje. Nuk po mendoj e mshefta e vdekjes, të cilës nuk mund t’i futem, porse ndija fizike e shuemjes së jetës. Njerëzimi i friget vdekjes, porse paqartësisht; njeriu i thjeshtë, del mirë n’ushtrime, njeriu i thjeshtë, kur sëmunet a plaket, rrallëherë e shikon i tmerruem greminën e hiçit, të cilin, sido me qenë, ia njeh kësaj gremine. E tanë kjo asht mungesë fytyrësimi. As ka gja ma të kotë me mendue sesa me e kujtue vdekjen gjumë. Pse kish me qenë, nëse vdekja nuk i ngjan gjumit? Ma qenësorja e gjumit asht se zgjohemi prej tij, kurse prej vdekjes, pandehim, nuk ka zgjim. E sikur vdekja t’i ngjante gjumit, duhet ta kishim parandijen e zgjimit prej saj. Nuk asht kjo, megjithatë, ajo që njeriu i rëndomtë kujton: ai e kujton vdekjen gjumë prej të cilit nuk zgjohet, gja që nuk ka kuptim. Vdekja, thashë, nuk i ngjan gjumit, mbasi në gjumë je i gjallë e i fjetun; as nuk di si mundet dikush t’ia përngjajë vdekjen diçkasë, tue mos pasë as përvojë të saj, as me se ta krahasojë.

    Për vete, gjithsaherë shoh ndonji të vdekun, vdekja më ngjahet largim. Kufoma më jep përshtypjen e rrobave të zdeshuna. Dikush asht largue dhe s’ka pasë nevojë me e marrë veshjen e vetme që ka pasë veshë.

    *

    Hyna te berberi si zakonisht, me njatë kënaqësinë e të hymit lehtësisht e pa ndrojtje vendeve të njohuna. Ndjeshmëninë ndaj risisë e kam t’ankthshme: i qetë jam veç ku tashma kam qenë.

    Sa u lëshova në ulëse, e pyeta, mbasi m’u kujtue gand, çunin berber që po ma vinte rreth qafe nji cohë të freskët e të pastër, si e ka pasë kolegun këndej kah ulësja e djathtë, ma i motshëm e tanë gjallni, që ka pasë qenë sëmutë. E pyeta pa e ndie detyrimin me pyetë: më ra në mend prej vetë rrojtores e kujtesës. «Vdiq dje!», u gjegj zani pa ngjyrë që ish mbrapa meje e peshqirit, të cilit gishtat po i hiqeshin prej ndërfutjeve të mbrama në qafë, mes meje e jakës. E gjithë qejfleisja e paarsyeshme më vdiq përnjirend, sikur berberi përjetësisht i munguem i ulëses përbri. Bante ftohtë në gjithçka që po mendoja. Nuk thashë kurrgja.

    Përmallime! I ndjej madje edhe për kend s’e kisha kurrgja, prej farë angështie për ikjen e kohës e njifarë sëmundjeje për tinëzinë e jetës. Fytyrat që i shihja rëndom rrugëve të mia të rëndomta – në mos i pafsha ma, trishtohem; e s’i kam pasë asnjigja, përpos simbol të mbarë jetës.

    Plaku i tërhequn me gjunjake të pista me të cilin kryqëzohesha shpesh në nantë e gjysë të mjezit? Shitësi i çalë i biletave të llotarisë që më bezdiste kot e kot? Plakushi rrondokop e faqekuq që tymoste te pragu i duhantores? Pronari fytyrëzverdhun i duhantores? Ç’bahet me tanë këta, që, mbasi i kam pa dhe vazhdoj t’i shoh, më janë ba pjesë e jetës? Nesër edhe unë kam me u zhdukë nga Rua da Prata, Rua dos Douradores, Rua dos  Fanqueiros. Nesër edhe unë – shpirti që ndjen e mendon, gjithësia që jam për vetveten – po, nesër edhe unë kam me qenë ai që reshti së ecuni këtyne rrugëve, ai që të tjerët zbehtas e ndërmendin me nji «A thue mor ç’u ba?». Tanë ç’baj, tanë ç’ndjej, tanë ç’jetoj, s’ka me qenë veçse nji kalimtar ma pak në përditën e rrugëve të nji aksh qyteti.

    (Fragmente nga “Libri i shqetësisë”)


    [1]  Alfred Victor de Vigny (1797-1863), poet, prozator e dramaturg francez.

    [2]  fjala në frangjisht në tekstin origjinal – décor

    [3]  Me gjasë, i referohet Sigismundit, Perandorit të Romës së Shejtë në periudhën 1433-1437

    [4]  variant: Titulli asht mbretnor e arsyeja e titullit […]

    [5]  me më formësue

    [6]  Pessoa këtu shpik neologjizmin infinitupla, të cilin e formon prej fjalëve infinita dhe multipla (e pafund dhe e shumfishtë)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË