Fragment nga novela e librit Romancë para vdekjes, botuar nga Agora
E dashur Anë, meqenëse letra po shkruhen gjithnjë e më rrallë këto kohë, unë po i bindem tiranisë së modës dhe po të dërgoj një SMS. Para disa ditësh mbarova së rilexuari romanin që të kushtohet ty dhe ende jam nën trysninë e vazhdueshme të figurës tënde. Tolstoi ka krijuar tipa universalë. Edhe ti bën pjesë në këtë galeri madhështore. Nëse ato që shkruan ai për bardhësinë e shpirtit tënd janë të vërteta, ti atëherë nuk duhej të kishe tjetër përfundim. Sigurisht, mendimet e mia nuk mund ta ndryshojnë çfarë është shkruar për ty, por do të them diçka që u ka shpëtuar kritikëve, admiruesve, fanatikëve apo liberalëve. Madje, edhe atyre që përgjithësisht i kalojnë me mospërfillje pasqyrimet e kësaj bote dhe e përkufizojnë atë si një gërmadhë vetëdijesh dhe shumësi kujtimesh. Ti ike dhe ke marrë me vete një thesar të paçmuar, dashurinë. Pikërisht këtë gjë harrojnë ta pohojnë thuajse të gjithë.
Ç’është e drejta, autori rrëfen për trazime të mëdha shpirtërore dhe për ca vegime të përzishme që të detyruan të kërkoje shpëtim. Kjo fantazi u ka shërbyer regjisorëve të ndërtojnë dramën e një dashurie. Burrat kanë gjykime që nuk pajtohen me realitetin, por djemtë e rinj e vërtetojnë me shembuj se Vronski të deshi gjithnjë, pavarësisht se këtë gjë nuk e shfaqte si duhet, i shtyrë nga rrethanat. Ndryshe ndodh me gratë e reja që janë romantike prej natyre dhe zhyten në pikëllim. Njëherë pashë në tren një nuse që ishte duke lexuar pjesë nga romani. Më tha se ishte hera e dytë dhe ndalej atje ku gjente të shkruar Ana. Mos harro, të rejat e ëndërrojnë shumë lumturinë, madje edhe aventurën. Nuk janë të pakta gratë që mendojnë për një dashuri të ndaluar ose adultery, sidomos ato që nuk e kanë gjetur dashurinë.
Kur ishe ti në këtë botë, realiteti ishte tjetër. Atje i shihje ndryshimet aq fort, sa të dukej se i prekje. E shijoje edhe gëzimin, edhe trishtimin. Unë nuk mund të jap gjykime të padiskutueshme, vetëm po citoj një frazë: “Nuri që lëshonte ajo kishte diçka të lemerishme dhe mizore.” Kështu, që në fillim lexuesi gatitet për të zbuluar një lloj misteri: “Në këtë vështrim të shpejtë Vronski kish pasur kohë të vinte re atë gjallëri të papërmbajtur që dukej sikur lozte në fytyrën e saj […] qenia e saj ishte mbushur kaq shumë me një gjallëri të tepruar sa që, pa vullnetin e saj, shprehej herë në shkëlqimin e syve dhe herë në nënqeshjen.” Por, ama duke shkruar për ty, edhe Tolstoi e ndiente si tronditeshin vrulli dhe idealet e tij. Atë e pushtoi një krizë e madhe morale që e gjejmë disa vite më pas te libri Rrëfimi. Shkrimtari u përkiste atyre njerëzve të jashtëzakonshëm që luftojnë për të sjellë përparim, duke zhdukur në radhë të parë dhunën e mjerimin. Në ditët tona sikur nuk ka fare ideale. Sa për dijeni edhe fjala ideal është hequr nga përdorimi.
Të flas kështu, sepse ti ishe një grua që lexoje. Besoj se të kujtohet dita kur udhëtoje nga Petërburgu për në Moskë, pasi kishte ndodhur takimi fatal? Ti ishe si në ëndërr. Lexoje dhe doje të shndërroheshe në personazhin e romanit. Ishte një roman anglez. Jeta jote e brendshme kishte pësuar katastrofën që sjell dashuria. Dhe ti thoshe me vete: “Po ç’është kështu? Mos kam frikë ta vështroj drejt këtë kujtim? Po unë ç’jam këtu? Jam unë apo një tjetër?”
Këto pyetje ekzistenciale e bëjnë artin e Tolstoit aq të madh, sa kohët e mëvonshme e kanë pagëzuar me emrin “baba i letërsisë së re”. Natyrisht, unë i kam dëgjuar edhe vërejtjet që bëhen se ti u tregove e nxituar. Fanatikët duke u kapur pas faktit, se ti ishe grua e një funksionari të lartë, thonë që s’të mungonte gjë. Si nuk të mungonte gjë?! A e kuptojnë ata çfarë do të thotë të mungojë dashuria? Filozofët pohojnë se dashuria është jo vetëm ndjenja më e fuqishme, por edhe ndjenja më e vërtetë në jetë.
Ti, Anë, je heroinë e veçantë. Unë nuk them se ti je personazhi i vetëm i këtij lloji. Shumë gra dhe vajza kanë populluar dhe popullojnë edhe sot librat me drama dashurie. Megjithëkëtë, drama jote është e tjetërsojtë. Dhe duhet ta dish se nuk je as e para dhe e as e fundit që të ndodhi ashtu. Duke nisur nga Psikeja që u braktis prej Erosit, te Ariana, vajzë e mbretit Minos, që e la Tezeu në mes të katër udhëve në ishullin Naksos, e deri te Didona, prej së cilës Eneu hoqi dorë, madje, kur kishte mbetur shtatzënë, e gjora, megjithëse ishte mbretëreshë…
Duhet ta dish se ti ke mbetur simbol për gratë që duan një dashuri të njëmendtë. Në kohën që dashuroje ti, bota kishte kuptim. Një shkrimtar romantik shkruan: “Atëherë pranverat ishin me lule e gjelbërim, dëgjohej kënga e ujërave që zbrisnin nga malet poshtë dhe i mbushnin luginat gjithë freski…”. Tani edhe moti është çmendur. Ka ditë vere në dimër dhe ditë dimri në verë. Mjedisorët thonë se shkaktari i vërtetë i kësaj katrahure jemi ne vetë…
Le të kthehemi te tema kryesore për të cilën po shkruaj këtë SMS. Kur është fjala për dashurinë e vërtetë, vetëmohimi shkon gjer në flijim. Shembulli i shembujve mbetet tragjedia Romeo e Zhuljeta. Edhe Ofelia e gjorë, një tjetër personazh i Shekspirit, prishet mendsh e mbytet, ngaqë nuk e duron dot harresën prej Hamletit. Ah! E mbytur ajo ngjason me një zambak uji! Edhe Desdemonëna e donte Otellon gjer në marrëzi, madje edhe në xhelozinë e tij të kallur në shpirt nga intrigat e Jagos dhe që e shtynë të shkonte gjer në krim. Aq shumë u pendua ai, sa vrau veten, por sa para bën. Kush e ka lexuar apo ka parë në skenë tragjedinë, me siguri e kujton këngën e shelgut të zi, atë melodi aq vajtimtare, kënduar nga Dezdemona atë natë: “E varfëra rrëzë një mani po rri, qaj, shelk, o shelk i zi / me kokën mi gjunjë, me duart në gji, qaj shelk, o shelk i zi / dhe lumi buçiste me këng’ e me vaj, qaj, shelk, o shelk o qaj. / Dhe shkrinin shkëmbinjtë nga lotët e saj, qaj, shelk, o shelk o qaj…”Është përkthim i Fan Nolit. Encyclopaedia Universalis e quan “prift ortodoks shqiptar, shkrimtar dhe krijues i qeverisë së parë demokratike në Shqipëri”. Në ditët tona, forcat ekstremiste të vendit tim, e kanë cilësuar aventurier. Shih gjer ku kanë shkuar punët, moj Anë?!
Bota tjetër ku banon ti apo bota e përtejme, ndryshon krejtësisht nga jona. Mbase ajo është parajsa apo paradisus siç quhet në latinisht. Variantet greke dhe perse të kësaj fjale kanë edhe tingëllim muzikor: paradeisos, paradizia… Kuptimi është:vendi ku shkojnë shpirtrat e të drejtëve. Thonë se atje jetohet me frymën e shenjtë dhe gjendet lumturia e vërtetë. Dante Alighieri te Komedia Hyjnore,pikën më të lartë dhe më të ndritshme të qiellit e pagëzon me emrin Trëndafili Qiellor. Atje ai ngjiti Beatriçen, të dashuruarën e tij të përjetshme, e cila këndon së bashku me engjëjt.
Bota tjetër mbase është edhe Edeni, kopshti ku sipas hebrenjve, lulëzonin të gjitha lulet dhe piqeshin gjithë frutat e që Zoti vendosi Adamin dhe Evën. Në të folurën shqiptarçe të ditëve tona do të thuhej: u fali një pronë. Sipas Biblës, kjo ishte parajsa tokësore e humbur, sepse Zoti i zboi përfundimisht kur ata, kuptohet, plotësisht të pafajshëm hëngrën mollën e ndaluar, mollën ku fshihej e vërteta, domethënë shkenca, dija. Ti patjetër e ke mësuar se qe Eva, e cila e nxiti Adamin në herezi. Me këtë rast ata njohën lakuriqësinë e vet. Gjer atëherë rrinin cullak dhe nuk e hetonin. Nuk është se duhet trembur nga lakuriqësia. Ajo na tregon trupin tonë. Dhe e di ti, Anë, e dashur? Në Amerikë që është kampione e demokracisë, ka edhe paradokse të mëdha. Bie fjala, për pjesën puritane të popullatës pikturat nudo quhen të turpshme. Madje para disa vjetësh është diskutuar të ndaloheshin me ligj. U bë debat i madh në shtyp. Mendo pak sikur botës t’i mungonin arti antik dhe pikturat e Rilindjes. Prandaj them se bota jonë ka një perspektivë të dyshimtë.
Shumëkush çuditet kur më dëgjon që flas kaq bindshëm për botën tjetër. Si ka mundësi, pyesin, që një pasardhëse e Shekullit të Dritës dhe e teorisë së Marksit,të mendojë se, përveç botës sonë ka edhe një botë tjetër? Këto gjëra që dikur më dukeshin sajesa të kohërave të errëta, sot më duken rrugë e lehtë për të pranuar vdekjen. Shën Sirani i një legjende të Golës thotë se pas botës mjegullore vjen bota e vërtetë, e kthjellët si kristali. Mbase kjo është bota tjetër. Ai tha kështu kur e nxorën nga burgu, në të cilin e futi një nga mbretërit e Francës. “Për të m’i çlodhur sytë”, – ironizon shenjti.
Njihen edhe disa teori të përafërta me atë të përfytyrimit për botën tjetër. Më e rëndësishmja është ajo e Rimishërimit që shpallte Pitagora. Kemi edhe një teori tjetër që quhet Bota e Ideve e Platonit. Ka edhe shumë libra që rrëfejnë për kohën kur jeta udhëhiqej nga zotat paganë. Këtë e mësova kur lexova Kritikë e arsyes së kulluar të Kant-it. Në atë tekst të bëjnë përshtypje perceptimet a priori sipas estetikës transcendentale apo përtejshqisore. Uni, sipas këtij filozofi, është parim i veprimtarisë njohëse që njëson përvojën e brendshme me atë të jashtme. Kanti i ndritshëm! Është e rrallë historia e tij me bredhin që i dukej sikur e pengonte, por kur e prenë, e kishte vështirë të meditonte. Bredhi ishte si të thuash pema që zgjonte imagjinatën e tij. Edhe Leibnic-i e shpjegon botën në një mënyrë të veçantë, ai thotë se brenda natyrës që nuk vdes kurrë, ka vetëm realitete logjike dhe pika metafizike, të cilave u ka vënë një emër muzikor, monada. Mos të flasim më për këtë temë se arsyetimet filozofike në kohën tonë i mbajnë për diçka të vjetruar.
Në kohën e rinisë sime ndalohej të flitej për Zot edhe në jetën private. Tashti është shkuar në skajin tjetër. Edhe dinjitarët e lartë të shoqërisë e të shtetit flasin për Zotin, si të kenë qenë shokë shkolle me të. Ata bëjnë sikur nuk e dinë që Zot është thjesht një parim që shpjegon ekzistencën e botës për ata që nuk i besojnë përfundimeve shkencore. Bibla çifute e quan JAHVE, Jéhovah, Mbreti i mbretërve; Bibla e krishterë thotë se Krishti është Shpëtimtari i dërguar nga Zoti; Kurani e quan Muhametin, bir të Profetit… Zoti i Platonit është demiurgu, logosi, pra arsyeja. Dhe unë atij Zoti i besoj më shumë. U zgjata këtu për të mbërritur te shprehja që përdoret dendur nga ata burra që kanë dobësi për seksin e bukur: “Çfarë dëshiron gruaja, e dëshiron Zoti.” Gënjeshtër! Ti e provove vetë kur dashurove. Zoti nuk e dëshiroi atë që dëshiroje ti dhe pikë. Kjo është fytyra e tmerrshme e realitetit, sipas një shkrimtari të shquar.