More
    KreuOpinionFeride Papleka: Prej nga vjen letërisa?

    Feride Papleka: Prej nga vjen letërisa?

    Tërë moderniteti ynë funksinon sipas një skeme që shpesh herë na kujton mitet, prandaj një përgjigje e pyetje se prej nga vjen letërsia, mund të jetë miti. Miti është një rrëfim simbolik në formë poetike, në të cilin përdoret parabola, alegoria dhe metafora dhe gjithçka tjetër që i përket fushës së imagjinatës. Të tillë janë ndër të tjera miti grek i Anteut, i Prometeut, apo ai i Sizifit. Subjekti i mitit bëhet shprehje e një ideje, paraqitje e një doktrine ose e një teorie me përmasat e një rrëfimi poetik dhe alegorik siç janë, bie fjala, teoria e shpellës te Platoni, apo teoria e absurdit që tejkalon vetveten te Albert Camus. Miti ndonjëherë i bën një paraqitje të idealizuar jetës njerëzore në një të kaluar të sajuar kur flet për moshën e artë apo për parajsën e humbur. Ka edhe imazhe iluzore ose të vërteta që ndërtojnë njerëzit e sotëm rreth një individi ose fakti që luan rol përcaktues në jetën e tyre. Kësodore janë krijuar dhe krijohen mite të reja. Mite krijohen edhe për fenomene shoqërore siç është miti i progresit.

    Fjala mit vjen nga greqishtja muthos, që ishte një rrëfim me fantazi përrallore, me skena që simbolizonin pamje të natyrës dhe dukuri të sjelljes njerëzore. Kështu fillimisht kemi mitet diellore e hënore. Të dije të krijoje imazhe që flasin, ishte diçka hyjnore te njerëzit e lashtë. Prandaj miti ishte shumë i lidhur me të shenjtën. Në një farë mënyre miti është besimi në shumë perëndi, i cili krijon një realitet tjetër në krahasim me atë që jetohet. Heronjtë mitikë përfaqësojnë ndonjëherë atë që pret njeriu për të ardhmen. Sot një atmosferë e ngjashme miti krijohet kur personazhe realë shformohen dhe zbukurohen nga një imagjinatë kolektive. Në këtë mënyrë është krijuar miti i Faustit, i Don Zhuanit, i Atlantidës… Në skenarin mitik që vjen nga lashtësia, bota jonë e ndien se zgjon diçka. Asaj i pëlqen të paraqitet në shumë pikëpamje, të ngrejë krye, të arrijë të përsosurën, të fitojë një liri absolute. Ajo i bën individit një lloj projeksioni.

    Edhe në krijimin e ideve filozofike e letrare të fuqishme si : « koha lumë » e Heraklitit, « kthimi i përjetshëm » i Nietszche-s, « evolucioni krijues » i Bergson-it, « kujtesa e së kaluarës » e Proust-it, « universi i ri Tlön » i Borges-it etj., ndihet veprimi i mitit të kohës. Madje duke filluar nga epopeja e Gilgameshit, aventura e udhëtimit të tij për të fituar pavdekësinë, është edhe shprehje e revoltës për ikjen e kohës. Miguel de Unamuno, filozof, poet dhe dramaturg spanjoll thoshte se koha dhe hapësira ishin për të tiranët më të mëdhenj mizorë. Koha thoshte ai, është shprehje e pafuqisë sime, ndërsa hapësira është shprehje e fuqisë. Edhe shën Agustini shprehej se e kishte vështirë ta përcaktonte kohën. Kur nuk më pyesin e di kuptimin, por sapo më pyesin nuk e di, pohonte ai.

    Ne megjithatë jemi të burgosurit e hapësirës e të kohës. Hapësira është e kthyeshme, por koha është e pakthyeshme dhe si e tillë ajo mbetet një mister ekzistencial, një ankth që nuk na shqitet kurrë. Tërë historia e njerëzimit është revolucion i kohës. Popujt e antikitetit e kuptuan pakthyeshmërinë e kohës, prandaj e futën atë nëpër mite. Në Mesopotami perëndesha Ishtar zbret në ferr të bashkojë vdekjen me jetën. Po ashtu në Egjipt perëndesha Isis gjen pjesët e shpërndara të trupit të Ozirisit të vrarë pabesisht, e ngjall, bën dashuri me të dhe prej këtij bashkimi lind Horusi, që është simbol i diellit, i përjetësisë.

    Në kohët e para miti ishte një rrëfim i thjeshtë me figura kafshësh dhe bimësh, sepse edhe perënditë kishin trajta kafshësh të egra dhe trajta bimore. Në një fazë më të zhvilluar perënditë fituan trajta njerëzore. Në këtë kalim të ngadalshëm kemi dëshirën e njeriut për t’u përsosur ; perënditë janë të pagabueshme për ta. Pas fantazisë mitike njerëzit e lashtë fshihnin një realitet jetësor ose natyror që nuk e shpjegonin dot ose e shpjegonin ashtu si dëshironin të ishte. Bie fjala stuhia i vishej Poseidonit, perëndisë së deteve; rrufeja i lihej kryeperëndisë, Zeusit, që drejtonte që nga Olimpi; dashuria vinte nga Erosi që godiste dhe plagoste zemrat me shigjetat e tij… Pra, erdhi një kohë kur perënditë u bënë si njerëz me pasione, me vese e virtyte, të cilët përdornin dhunën, hakmarrjen, dashurinë. Për shembull Zeusi jep urdhër ta mbërthejnë në pranga Prometeun, sepse u ka rrëmbyer zjarrin perëndive për t’ua dhënë njerëzve ; Sizifin, sepse i bëri pritë vdekjes që e kishte dërguar të shuante racën njerëzore ; vetë Zeusi bën  dashuri me Danaen duke hyrë nga dritarja ku e kanë mbyllur në formën e  një shiu të artë. Për të realizuar domethënien miti përdor simbolin. Simboli në vetvete ka shumë funksione. Ai konkretizon një realitet abstrakt. Emërton atë që nuk shihet me sy.

    *

    Mite kanë krijuar të gjithë popujt e botës që në Asiri, në Egjipt, në Indi, në fiset kelte e gjermanike e të tjerë, por për Europën u bënë shumë të njohura mitet greke e më vonë ato romake. Mitologjia greke është e lidhur me një shkallë zhvillimi të bashkësisë njerëzore dhe rendeve shoqërore si një proces historik i të menduarit. Ajo shoqërohet edhe me elemente shpjegues që e shohim veçanërisht te miti i Ifigjenisë, apo te miti i Krijimit të pellazgëve, të cilët lindën nga dhëmbët e dragoit. Miti bëhet kështu një krijim madhështor gojor, në trajtën e mesazhit për njeriun. Nëpër mite shohim sesi shprehet ëndrra e njerëzimit për progres : Prometeu u sjell njerëzve zjarrin, domethënë dijen ; Hefesti farkëton trekëmbësha me rrotëza ari, thotë Homeri te Iliada, e me këtë ne parashohim me sytë e tij robotët e sotëm. Ka shumë mite që i thurin lavde mençurisë njerëzore. Shembull tipik është triumfi i Odiseut nëpër aventurat e mëdha që e përball jeta pas Luftës së Trojës kur kthehet në Itakë, apo miti që rrëfen forcën e madhe të Anteut kur është i lidhur me tokën mëmë.

    Rrëfimi mitologjik përdor fakte të shumta deri te ato politiket. Prandaj organizimi i jetës në Olimp i ngjan shumë jetës në qytetet-shtete të Greqisë. Nietsche edhe drejtimin politik e quan një mit krijues.

    Miti është filozofia e parë e botës. Sipas miteve greke u zhvillua edhe mitologjia paralele latine. Në shumë raste kemi thjesht një latinizim të emrave. Po të shohim, bie fjala emrat e perëndive si : Zeus-Jupiter ; Apollon-Febus ; Ares-Mars ; Eros-Kupidon ; Demetre-Ceres ; Atena-Minerva ; Hestia-Vesta…, bindemi për këtë gjë. Përdorimi i mitit gjendet në simbolika të shumta. Për shembull : e enjte, ditë jave por edhe Jupiter : e diel, ditë jave, por dita e Zeusit, senjorit ( dies dominicus, dita kur sipas besimtarëve zoti u shplodh nga vepra e tij e madhe e krijimit). Apo Përmbytja e madhe që tregon historinë e një krijimi pas shkatërrimit të një bote me vlera të zvetënuara 

    Figura mitologjike gjejmë edhe në rrëfimet tona të lashta. Kultet dhe ritet pagane janë plot fantazi. Paraardhësit tanë ilirët kanë pasur një mendësi të mbushur me legjenda, qenie fantastike dhe hyjni mitike si Medauri, i cili herë shfaqet si perëndia e luftës e herë si mbrojtës i shëndetit ; Redoni, mbrojtës i ujërave ; Partini, hynia më e lartë e panteonit ilir, i ngjashëm me Jupiterin romak apo me Zeusin grek ; Tadeni, që ngjan me Apollonin ; Iria që është si Afërdita apo Venera etj.

    Mitet filozofike mbahen si më të bukurit e fantazisë së lashtë njerëzore. Të tillë kemi mitin e kozmogonisë apo të krijimit të rruzullimit i lindur nga kaosi që ndau me radhë Gjean (dheun, tokën), Uranin (qiellin), Erosin (dashurinë) dhe na nxisin që të mendojmë konceptet materialiste për hapësirën dhe kohën. Kur lexojmë mite të tilla e harrojmë botën fantastike dhe na duket sikur jetojmë një realitet të ri. Atëherë kur gjuhësia dhe arkeologjia apo elemente të tjera shkencore zhyten në mjegullnajën e moskuptimit, në ndihmë vjen mitologjia që bën një farë kronologjie të jetës njerëzore.

    Në shekullin XVIII mitet u konsideruan si iluzione, sepse ishte koha e lulëzimit të materializmit me filozofinë e Diderot, -it, Rousseau-oit, Voltaire-it, të cilët u ndikuan nga Demokriti, Epikuri e Lukreci. Në librin e tij De rerum natura (Për natyrën e gjërave) të njohur me një titull të përgjithshëm Për natyrën, jo vetëm këtu, por në shumicën e vendeve që e kanë përkthyer, Lukreci thotë se fatkeqësia më e madhe vjen nga padija dhe paragjykimet dhe besimi i kotë. Gjithçka që ekziston, shton ai, është e shpjegueshme. Sigurisht ta pohoje këtë në vitet 40 para erës sonë ishte një guxim i madh filozofik. Në sajë të tij u njoh një nga shkollat filozofike më të rëndësishme të Antikitetit, epikurizmi; poema e tij e përshkruan botën sipas parimeve të Epikurit, mësuesit të tij, edhe pse temperamenti i tij është krejt i kundërt në krahasim me të, për arsye të luftërave civile, masakrave,  murtajës që ra ato kohë në Athinë.

    Në shekullin XX marksizmi dhe strukturalizmi treguan në mënyrë të argumentuar se te popujt primitivë ka pasur një logjikë. Nuk duhet ngatërruar miti me besimet. Te miti ka një strukturë që nuk ekziston te feja. Sepse feja i çmistifikon ngjarjet. Ajo vë rregull midis Krijuesit dhe krijesave. Për fenë zoti është një dhe i pagabueshëm. Kurse te mitet kemi një botë shumëperëndish ku përzihen në luftë për humbje a fitore zota njerëz, kafshë dhe bimë.

    *

    Por ç’është mitologjia ? Mitologjia është shkenca që studion tërësinë e rrëfimeve dhe legjendave që i përkasin një populli, një qytetërimi apo një besimi. Ajo shpjegon origjinën, zhvillimin dhe kuptimësinë e tyre. Mitologjia greke dhe romake janë mjaft të studiuara në botën e sotme kulturore. Historia me data, thonë mitologët, nuk është mitike. Miti është pa data, ai nuk shpjegon, por rrëfen duke shenjuar një kohësi pra kohës reale. Ai mbështetet në disa rite për të formuar një uniet rrëfimtarie. Sapo një rrëfim shërben me fjalë si pushtet dhe lojë e shenjtë, ai shfaq dukjen që është kohë zanafillore në gjuhën simbolike. Sigurisht, këto rrëfime karakterizohen jo rrallë prej një imagjinate të shfrenuar, të egër, primitive që nuk zmbrapset para asnjë lloj shpjegimi. Miti thotë të pabesueshmen e asaj që mund të ketë ndodhur. Nga fakti i pabesueshëm, kuptohet, lind një rrëfim i pabesueshëm.

    Të besosh dhe të kuptosh te miti janë e njëjta gjë. Prandaj ngjarja mitike hyn në rrethin e letërsisë a të ligjërimit dhe merr forcë tjetër. Për shembull miti i Edipit, miti i fatalitetit të marrëdhënieve baba-fëmijë ushqeu tragjeditë  letrare të Sofokliut. Ky mit niset nga një rrëfim gojor dhe u shfrytëzua si model që duhet të shërojë njeriun nga pasionet. Ka mite, të cilave ua zbërthejmë kuptimësinë. Ka edhe mite të mbushura me aventura përrallore që u largohen kuptimit. Ata janë shkruar në një kohë të largët, in illo tempore.

    Mitologjitë e mëdha sot kanë pushuar së ekzistuari, si mitologjia asiro-babilonase, egjiptiane, greke. Ato jetojnë në vetëdijen tonë si njohje e dijes që vjen nga e kaluara. Por megjithë vdekjen e tyre institucionale, këto mite dhe mitologji, qoftë në formula gjuhësore, në besëtytni, në tregime për fëmijë, në formë ëndrre a të nënvetëdijes, vazhdojnë të frymëzojnë e të ngjyrosin qytetërimet e Perëndimit. Një mitologji e madhe është ende gjallë, mitologjia hinduse. Arsyeja kryesore e kësaj mbijetese lidhet me natyrën dhe mentalitetin indian që mbështetet në simbole.

    Në forma të mëdha arti, miti është shfaqur që në Antikitet dhe vazhdon të ushqejë letërsinë edhe në ditët tona. Atë e kanë përdorur me sukses Homeri dhe Sofokliu. Më i qartë është Hesiodi me librin «Teogonia » (Lindja e Zotave) që e shdërron këtë histori në mitike; pastaj Ovidi shkroi një libër të tërë kushtuar miteve dhe e titulloi « Metamorfozat »; Apule shkroi për mitin e Psikesë e të Kupidonit apo Albert Camus në kohët moderne shkroi librin « Miti i Sizifit »; Dürrenmatt shkroi romanin « Minotauri » e shumë e shumë të tjerë.

    Miti në Antikitet pati njê sukses të madh. Tifoni është aq i madh në këto rrëfime sa ai prek yjtë, është supergjigant. Madje paraqitja e trupit të bukur në skulpturat e mahnitshme greke e në skulpturat e Mikelanxhelos gjatë Rilindjes, frymëzohen nga figurat me bukuri dhe forcë të jashtëzakonshme që popullojnë mitet.

    Ishte një kohë kur mitikja ishte krejt fjala dhe praktika e njeriut. Si i tillë miti ishte pa autor. Në mënyrë të shkallëzuar pastaj është arritur të krijohen fusha të pavarura si : filozofia si përsiatje kritike mbi realitetin tonë absolut ; shkenca si njohje e botës me anë të dijes së argumentuar ; besimi si raport midis njeriut dhe tjetrit, Zotit ; arti si shprehje në mënyrë fiksionale e një qëllimi.

    Në rrëfimet simbolike që përbëjnë mitologjinë e një populli, të një qytetërimi që jetoi para mitologjisë kristiane, çifute a myslimane e që gjallojnë nê letërsi, simboli është një fjalë që përshkruan diçka tjetër nga ajo që njohim në jetën e përditshme, një fjalë me dy kuptime. Ai konkretizon një realitet abstrakt. Nëse fjala zemër ka kuptimin e organit qendror të qarkullimit të gjakut, në një kuptim të figurshëm zemër do të thotë një situatë tepër e rëndësishme. Fjala ka edhe vlera akustike. Në disa gjuhë neolatine Roma  e kthyer mbrapsht si fjalë do të thotë Amor, dashuri. Ose Adam, njeri që u bë prej balte por me frymë dhe gjak a dam. Miti i Adamit është i lidhur me origjinën. Ai do të thotë gjithashtu që njeriu lind nga toka dhe duhet ta dojë atë. Këtë mit e përdor Platoni te Republika për të theksuar dashurinë për vendin tënd.

    Fjala në vetvete është e ngarkuar me  shumë simbolikë. Le të marrim dy prej tyre : zjarr dhe ujë. Të dyja kanë edhe kuptim pozitiv edhe kuptim negativ. Zjarri ngroh, por edhe djeg ; uji ripërtërin, por edhe përmbyt. Këtë dykuptimësi e shfrytëzuan mitet greke, të cilat që nga Rilindja me rizbulimin e kulturës greke e latine zëvendësuan në Europë mitet kelte, të cilat u hodhën në harresë. Tema mitike është e pranishme në tekste të shkruara, në vepra arti, në fragmente arkaike, në qeramika, në basoreliefe, në gurë të gdhendur e në piktura murale si një vazhdimësi për letërsinë dhe artin krahas origjinave të tjera të mundshme, për t’iu përgjigjur njëkohësisht edhe pyetjes moderne : Prej nga vjen letërsia ?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË