More
    KreuOpinionFeride Papleka: Mira Meksi, përkthyesja e Markesit

    Feride Papleka: Mira Meksi, përkthyesja e Markesit

    Një ditë prej ditësh, gjatë vjeshtës së kaluar, kur e mendoja të humbur këtë shkrim për Mira Meksin, ose si kam dëshirë ta quaj unë Mira e mirë, nga që nuk e dija edhe se në cilën gazetë e kisha botuar, e hasa në një dosje me artikuj të prerë e të grumbulluar me idenë për të zgjedhur në të ardhmen ndonjë prej tyre  për ribotim.

    E lexova me kureshtje dhe me çudi portretin që i kisha bërë para tridhjetë vjetësh, me dëshirën për të përjetuar sado pak atë magji që më krijuan episodet e jetës së saj kur mblidhja të dhëna. Me Mirën atë herë punonim bashkë për botimet e kohës para rënies së partisë-shtet dhe kishim një lloj miqësie të bukur, ashtu si di t’i ndërtojë ato Mira, thjesht dhe natyrshëm, shoqëruar me një lloj humori që asnjëherë nuk i ka munguar. Miqësi që vazhdon edhe sot, me gjithë rrënimet e kohës.

    Shkrimin po e ribotoj, ashtu si është paraqitur dikur në gazetë, ky është ligji i gazetarisë për raste të tilla, me të vetmin ndryshim se atëherë ai radhitej me shkronja plumbi, tani radhitet në kompjuter me shkronja virtuale e me mundësinë e paçmuar të korrigjimit për të shmangur gabimet. Unë e quajta atëherë Mirën në mënyrë hipotetike “Përkthyesja e Markesit”, pa e ditur se çfarë mund të ndodhte. Sigurisht, duhet një tjetër shkrim për ta për shkruar rrugën e bukur dhe të mundimshme të përkthimit e të krijimit. Mira sot është autore e disa romaneve e tregimeve si dhe një ndër përkthyeset e rralla të shqipes.

    Para disa muajsh, në kohën e riaftësimit të saj pas një ndërhyrjeje të rëndë kirurgjikale, në një e-mail ajo më përgjigjej se i është futur përkthimit të një vepre tjetër të Markesit, po aq të madhe si të gjitha veprat e tij, por tepër të vështirë. “Unë i kam hyrë detit në këmbë”,  më shkruante ndër të tjera. Të përkthesh Garcia Marquez-in, i cili mbahet “si zbulimi më i madh i gjuhës spanjolle që nga Don Kishoti i Cervantes-it”, sipas fjalë vetë Pablo Neruda-s, është një detyrë me përgjegjësi krijuese dhe qytetare. Mua më gëzoi fakti se ajo po shugurohej sërish edhe si “Përkthyesja e Markesit”, pavarësisht nga jehona e trishtuar në shpirt që më sjell gjithnjë fjala operacion.

    Përkthyesja e Markesit

    Të sfidosh kohën dhe rutinën e përditshme, do të thotë të fitosh një betejë që nis e nuk mbaron. Koha pastaj sendërtohet e merr vlerë, rutina e përditshme nuk ekziston. Kështu mund të nisej një skicë e portretit të Mira Meksit që me kulturën dhe synimet e saj po i bën vend vetes në radhët e intelektualëve e të krijuesve më të emancipuar të vendit.

    Mos e përfytyroni as me syza, as me pamje akademike dhe as me ecje hijerëndë. Me flokë të prera shkurt, rinore në pamje dhe në ecje, ajo duket sikur është ende studente dhe se pesha e jetës ka mbetur diçka e papërfillshme për të. Por ja që në një ditë të zakonshme ajo ka guximin të matet me Garsia Markesin. Ia del të përkthejë me sukses romanin e tij “Dashuri në kohërat e kolerës”. Disi e pabesueshme edhe për vetë shkrimtarin, qendër sa ndodhet përballë Mirës në Barcelonë, në një takim si në ëndërr, të realizuar pas një odiseje romantike të përkthyeses shqiptare, pyet sekretaren e vet: “Kjo çupëlina është përkthyesja ime?” Ëmbëlsia dhe dashuria e zërit të Markesit, tashmë e kishte nxjerrë Mirën “nga dalldia, akulli dhe dilema”. Të dy e vështrojnë njëri-tjetrin: “Njëri me ‘sy të trishtuar, por buzagaz’, tjetra ‘fytyrëngrysur e me kriza të forta emocionesh’, që nuk e lënë të qetë gjatë gjithë takimit.”

    Sigurisht lexuesit mund të mos e dinë se Mira ka mbaruar studimet për gjuhë e letërsi frënge. Kur ishte studente përkthente vargje nga Bodleri, por spanjishtja qe si vera e Dionizit. “Letërsia që dua më shumë, është letërsia hispanike”, thotë ajo. Dhe falë këtij pasioni arriti ta zotëronte spanjishten.

    Përkthimi i parë i saj është “Mposhtja e shtrigave”, novelë nga Migel Bunjuel, pastaj sërish nga Bunjuel, “Djalthi, dallëndyshja dhe maçoku”, i cili ka marrë çmimin “Lazarillo”, çmimi më i madh që jepet në Spanjë për letërsinë për të rinj dhe fëmijë. Nga J. M. Gisbert ka përkthyer “Arkitekti dhe perandori i Arabisë”, libër për të rinj. Gisberti është Krishti te tregimi i saj, botuar vitin e kaluar te gazeta “Tirana”. Për Mirën, Gisberti është më shumë se shkrimtar; është magjistar, sepse nga ai ka mësuar të futet në të fshehtat e artit të letrave, si “Liza në botën e çudirave”. Pra: Mira i ka hedhur hapat e parë si autore. Një trill apo një kërkesë e brendshme? Një dhunti apo një kërkesë për të dalë nga kornizat e “monotonisë”? Ajo është një grua me temperament, me energji, me vullnet. Një fushë e vetme veprimtarie për t’u shprehur, siç është përkthimi, qoftë kjo e pakufishme, nuk i mjafton. Përmbledhja e saj me përralla filozofike “Letra e tri pëllëmbë mjekërkaltërit” është në shtyp, ndërsa ka shkruare dhe romane për të rinj, si “Teotikuahani – vendi i diellit”. Disa tregime të Mirës janë botuar në gazetë. Njëri prej tyre është botuar në Spanjë me titull « Gërshërët e Mirës ».

    Kur bisedon, si pa kuptuar ajo e hedh fjalën sa te spanjishtja, sa te frëngjishtja. I duhet të dyzohet ose herë-herë ta lerë mënjanë spanjishten, ashtu siç lemë fëmijën e përkëdhelur që na mundon. Ka përkthyer “Opera e hënës”, poezi për fëmijë nga Zhak Prever; “Kyçi i botës”, roman për të rinj nga Mishel Grimo, “Tre muskëterët”, dy vëllime me rreth 1000 faqe. Nga shqipja në frëngjisht ka përkthyer poezitë Ismail Kadaresë në bashkëpunim me Edmond Tupen dhe Clod Duran për shtëpinë botuese “Fayard” në Francë. Mira përkthen “për ditë dhe tërë ditën”, siç thotë natyrshëm, pa i vënë ndonjë rëndësi këtij fakti, sepse i duket diçka e zakonshme. Nëntë vjet punë ende s’i ka mbushur. Ka edhe një djalë gjashtë vjeç, Marinin, që po i mëson spanjishten. Këtu mbase është vendi që të përmendet edhe i shoqi, Iliri, të cilin e ka shok dhe mik, siç thotë. Në sukseset e saj është e pranishme edhe ndihma e tij.

    Ajo lexon në drekë kur “pushon”, ndërsa kur është e frymëzuar, shkruan. Në të ardhmen, thotë, kam ndërmend t’i kushtohem krijimtarisë. Dëshirë apo vendim ? Pas pak tregon një sekret: “Po shkruaj një libër me tregime dhe mbresa. Po përkthej Borhesin dhe Moruanë”.  E dyzuar para një shtegu që mund t’ia ndryshojë rrjedhën e jetës.

    Te makina e shkrimit, pranë bibliotekës, Mira merr në duar një kartolinë dhe lexon një përshëndetje që i ka ardhur nga larg. “Cili është kujtimi më i bukur i jetës sate?”, e pyes. Pak formale kjo pyetje, sepse përgjigjen disi vagëllimthi e marr me mend. “Zbulimi i veprës së Markesit dhe takimi me të”, më përgjigjet. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË