More
    KreuOpinionFeride Papleka: Kur vjen dashuria

    Feride Papleka: Kur vjen dashuria

    «Jam i humbur, e kupton, i përmbytur nga dashuria;
    nuk e di nëse jetoj, nëse ha, nëse marr frymë, nëse flas. Por e di që të dua».

    ALFRED DE MUSSET

    Duke filluar nga poema Iliada e Homerit, poezia ia ka lënë vendin kryesor dashurisë. Në teatër gjithashtu fatet njerëzore përmblidhen shpesh në fjalën dashuri. Edhe në prozë ligjërimi kryesor i kushtohet dashurisë. Dashuria është një ndjenjë universale dhe një temë e përjetshme për krijuesit e të gjitha fushave. Ajo i ka bërë të famshme sidomos disa vepra letrare duke filluar nga Dante, Petrarka, Ronsard, Goethe, Rousseau, Stendal e të tjerë. Studime të shumta kanë hedhur dritë mbi këtë dialog tejkohor nëpër tekste dhe në krijime të tjera nga njëra anë dhe konceptit shoqëror për dashurinë nga ana tjetër. Ato kanë pasur si qëllim të shohin sesi janë pasqyruar prirjet e dashurisë përmes epokave qysh në Antikitetin greko-romak e duke vazhduar me dashurinë në kohët e reja.

    Në Antikitet dashuria ka qenë objekt pyetjesh dhe diskutimesh të gjalla e të shumta. Prandaj edhe grekët dallonin katër lloje dashurish dhe mes të cilave i kushtonin rëndësi sidomos dashurisë hyjnore (agape), e çinteresuar nga materialiteti, e pakushtëzuar nga rrethanat. Edhe në shqip folja «dua» ka kuptime të ndryshme, ashtu si në disa gjuhë neolatine. Me forma të ndryshme kuptimi, dashuria ka luajtur dhe luan një rol madhor në marrëdhëniet shoqërore, duke zënë një vend themelor në psikologjinë njerëzore dhe duke u shndërruar në një nga subjektet më të shpeshta të imagjinatës njerëzore që nga hyjnitë mitologjike e deri te realiteti i ditëve tona. Si në Lindje ashtu edhe në Perëndim kemi pasqyrime të ndryshme me fjalë, por edhe me figura të dashurisë. Tema e dashurisë mbetet tema qendrore e shumë veprave letrare e filozofike, por edhe e pikturës, e filmave, e këngëve, e fjalëve të urta, sipas kulturave dhe epokave të ndryshme.

    *

    Le të ndalemi pak në letërsinë franceze: që nga Tristan et Iseut, një legjendë mesjetare e keltëve për dashurinë, anonime, për të cilën Richard Wagner-i kompozoi një opera, që është quajt dramë muzikore, një krijim i frymëzuar edhe nga dashuria e tij për poeten Mathilde Wesendonck ; De l’amour (Stendhal), Belle du Seigneur (Albert Kohen), Les Crimes de l’amour (Sade), Derniers poèmes d’amour (Paul Eluard) e pastaj në vepra të tjera poezi dhe prozë kushtuar dashurisë me autorë si Lawrence, Neruda, Marquez, Fuentes, Octavio Paz dhe tragjedia tip, himn për dashurinë Romeo dhe Zhuljeta e Shekspirit, etj. Prusti thoshte se dashuria është hapësira dhe koha që bëhen të ndjeshme në zemër.

    Kultura orientale e ka pasuruar shumë trajtimin e kësaj teme universale me disa kryevepra. Ekzistojnë mes të tjerëve disa ghazale për dashurinë, të shkruara nga poetë të shquar persianë, që janë si «poèsie courtoise» franceze, por dy vargëshe, Kitab-al Aghani ose libri i këngëve të dashurisë së Ispahanit, Triologie e shkrimtarit të shquar egjiptian Nagib Mahfuz etj.

    Shumë mendimtarë të filozofisë si në Lindje ashtu edhe në Perëndim e kanë kthyer dashurinë në subjektin kryesor të refleksioneve të tyre si Le Banquet dhe Phèdre (Platon), Les Illuminations de La Meque (Ibn Arabi), apo edhe autorë me fragmente të veprave si: Friedrich Nietzsche, Roland Barthes, Jean-Luc Nancy e të tjerë. Edhe autorë shqiptarë si Kadare me figurën e Zanës ( Dimri i vetmisë së madhe), apo Qosja me figurën e Rinës (Vdekja më vjen prej syve të tillë) e të tjerë. Më i riu, Rigel Rizaj i kushton dashurisë librin Ameba në të cilin dashuria jepet si dhimbje sublime.

    Historitë e mëdha të dashurisë si Ulisi dhe Penelopa, Tristani dhe Izolda, Lajla dhe Mexhnuni, Romeo dhe Zhuljeta e të tjera janë ekranizuar, janë kënduar ose janë trajtuar në pikturë dhe skulpturë…

    Dashuria në disa manuale trajtohet si formë shoqërore dhe kulturore, e cila ndihmon edhe për të dhënë një përkufizim sa më afër realitetit të saj. Ato analizojnë formën ideale të dashurisë dhe pluralitetin e shfaqjes së saj.

    *

    Dashuria në fazën e saj të lindjes mund të dallohet nga disa shenja karakteristike. Së pari është përqendrimi i vëmendjes. Kur tjetri është pranë teje, asgjë rreth e qark nuk ka rëndësi. «Ata ishin për njëri-tjetrin gjithë bota», shkruan Friedrich von Schlegel, në romanin e tij Lucinde (1799). Ky kujdes i veçantë shoqërohet me një ndjenjë afrimi të madh («do të doja të shkrihesha, të bëhesha një me atë »), thonë shumë personazhe në veprat letrare me temën e dashurisë. Dashuria të mëson të gjesh një sjellje të veçantë e të ndërtosh lidhje dashurore të mahnitshme, nëse kjo dashuri është e dyanshme. Një histori dashurie kur nis ka njëlloj magjie dhe mahnitjeje. Do të donim të besonim se ajo është gjithnjë unike dhe universale. Por duke e vështruar së afërmi në jetë, dashuria zhvillohet sipas disa ligjeve të pashkruara, që kanë udhëtuar nëpër kohëra.

    Në dashuri ai ose ajo presin orën e takimit. Ndihen të lumtur. U këndon shpirti. Mendojnë gjithçka që lidhet me njeriun që dashurojnë: siluetën, duart, fytyrën, buzëqeshjen. Shpeshherë ata e kanë shpirtin të robëruar nga një ndjenjë e papërcaktuar. Janë të emocionuar, të verbuar, të tronditur. Çfarë gëzimi të vështrohesh në sy, ndërsa drita të duket më e shkëlqyer nga pasioni i dashurisë. Dhe çfarë vuajtjeje nga tërë ajo dashuri dhe bukuri e humbur. Edhe nëse mungon ai ose ajo, dashuria është gjithnjë e pranishme në formën e një mendimi që të shoqëron kudo. “Dashuria bën të ëndërrosh, të jetosh e të besosh”, thotë Hygoi. Kjo është karakteristika e dytë kur ke rënë në dashuri. Një shenjë tjetër është gjendja e frymëzuar. Ata që bien në dashuri janë të lumtur, plot energji, të gatshëm për vepra heroike. Fjalët e pasionit dashuror e tregojnë mirë gjithë këtë transformim të qenies. Idealizimi është një tjetër tipar që shfaqet kur je i dashuruar. Qenia që dashuron është e stolisur me të gjitha cilësitë e zgjedhura, kurse të metat nuk ekzistojnë. Prandaj thuhet që dashuria të verbon. Megjithatë, gjatë kësaj faze të rrëmbyer, nuk është e ndritshme çdo gjë. Kur nuk është e pranishme qenia e dashur, dashuria ka edhe shenja mangësie. Kundërshtimi më i vogël mund të çojë në rënie në depresion. Ai që dashuron është i shqetësuar, xheloz, në kërkim të përhershëm të treguesve të dashurisë te tjetri.

    *

    Helen Fisher, sociologe amerikane, në librin Përse duam (2006), na mëson të dallojmë tre lloje dashurie: ajo që karakterizohet nga dhembshuria, ajo që karakterizohet nga dëshira erotike dhe dashuria e vërtetë. Fisher e mbështet analizën e saj mbi dy studime kushtuar dashurisë. I pari del nga një anketë e madhe ndërkulturore Amerikë-Japoni. Pavarësisht nga mosha dhe besimi, më tepër se 75 për qind e njerëzve të pyetur deklarojnë se « të dinë se i dashuri apo e dashura është i dashuruar me të, ka më shumë vlerë sesa marrëdhëniet fizike ». Kjo deklaratë nuk është thjesht iluzion. Për ta vërtetuar këtë një ekip kërkuesish ka bërë studime për veprimet e trurit në rastin e dashurisë e të dëshirës erotike. Shumë të rinjve e të rejave iu kërkua të vinin me fotot e partnerëve e t’i shihnin gjatë kohës që truri i tyre kalonte në skaner. Përfundimet e imazherisë së trurit vërtetuan se dashuria dhe seksi shkojnë në zona të ndryshme të veprimtarisë trunore.

    Edgar Morin, filozof francez, mendon se dashuria nuk mund të reduktohet në seks, as në një ndjenjë të përkryer. Ai e sheh atë si një tërësi emocionesh, thënë ndryshe si një alkimi shtysash të lidhura fort. E ngjashme me një eliksir dashuria formon një përzierje të re.

    *

    Miti i dashurisë pasion e fton secilin të ndërtojë një histori nën formën e një kohe unike të çuditshme e të paharruar, duke shmangur jo rrallë kontekstin, masat paraprake apo kërkimet që mund t’i japin kësaj historie tjetër kuptim. Të dashuruarit pëlqejnë ta përqendrojnë takimin e tyre në një moment origjinal, shumë të idealizuar.

    Sociologu italian Francisco Alberoni, thotë se, dashuria me shikim të parë ekziston në të gjitha kohët e në të gjitha vendet. Ajo shkakton kudo të njëjtat kundërveprime, të krahasueshme me ato të një zbulimi. Studime të shumta sociologjike tregojnë se ka megjithatë një rindërtim në rrëfimin kanonik me rregulla normative. Atij modeli i kundërvihen rrëfime të mëvonshme. Një shoqëri që shndërrohet në miqësi, shkon drejt jetës në çift, përpara se dashuria të vendoset përfundimisht mes dy personave. Për sa i përket formimit të çifteve, gjërat kanë ndryshuar shumë këto tridhjetë vjet, qoftë në jetën reale, qoftë në Internet. Sociologët flasin për një revolucion të vërtetë « kopernikian » në marrëdhëniet dashurore qoftë heteroseksuale, qoftë homoseksuale.

    A jemi të barabartë përpara dashurisë?

    « Sepse ishte ai, sepse ishte ajo”. Pasioni dashuror paraqitet si një takim magjik dhe i mrekullueshëm midis dy qenieve njerëzore. Një magji e pashpjegueshme që përgjithësisht nuk i njeh ligjet e psikologjisë dhe sociologjisë. Por realiteti ka treguar dhe tregon se ka madje « ligje të tërheqjes » që nxisin joshjen. Për të qenë i dashuruar duhen tri gjëra: rinia, bukuria, zgjuarsia. Kjo del nga anketat, cilido qoftë vendi, feja, seksi. Afria në moshë është po ashtu kriter i rëndësishëm, lidhjet me diferencë të madhe moshe bëjnë pjesë në përjashtime. Ngjasimi i dy të dashuruarve luan rol për vlerat, mënyrën e jetesës, shkallën e arsimimit dhe rrethin shoqëror. Ekziston edhe një barazimtari shoqërore: të dashuruarit i përkasin përgjithësisht të njëjtit univers shoqëror dhe kulturor. Këto përcaktime të fshehta kanë rëndësinë e tyre.

    A vazhdon gjithnjë dashuria ?

    Kjo është një temë e ndërlikuar që në ditët e sotme ka edhe përgjigje të pakëndshme, por një mit i lashtë tregon se dy të dashuruar qenë plakur bashkë dhe e vetmja dëshirë e tyre ishte që jo vetëm të jetonin ende, por edhe të vdisnin të dy në një çast. Atëherë Jupiteri i transformoi në dy pemë të mbjella pranë e pranë në përjetësi.

    A është vetëm një mit dashuria e përjetshme? Në jetë njihen çifte të bashkuara, thellësisht të shkrira, mbi të cilët duket se koha nuk ka vepruar. Pas shumë vjetësh jete së bashku, ata i kanë vështrimet ende plot dashuri. Por kjo gjë nuk është e shpeshtë. Duhet pranuar se dashuria është e brishtë.

    A mund të mësohet arti për të dashuruar?

    Libri Arti për të dashuruar i Ovidit, poet romak, i shekullit I është një traktat për joshjen, në të cilin autori u jep këshilla të vlefshme të rinjve për mënyrën si të sillen me vajzat. Por nuk duhet harruar se jemi në Romën e lashtë, në një shoqëri tepër patriarkale. Në shekullin XX përsëri shkruhet një libër me të njëjtin titull Arti për të dashuruar (1956) nga Erich Fromm (1900-1980), një filozof marksist i shkollës së Frankfurtit, ithtar i teorisë së Frojdit, i cili nuk e përmend fare Ovidin. « Hapi i parë është që të jemi të vetëdijshëm se dashuria është art», shkruan ndër të tjera ai. Ky vizion është diçka e veçantë. Dashuria e vërtetë nënkupton të kapërcesh narsicizmin ose varësinë me qëllim që të vendosësh një lidhje dashurore që mbështetet edhe mbi respektin ndaj tjetrit. Për Ovidin arti për të dashuruar qëndron te joshja, te Frommi ky art është një leksion moral për respektin ndaj tjetrit. Të dy autorët sidoqoftë i bashkon ideja se dashuria nuk është një ndjenjë e pandryshueshme, ajo duhet “mirëmbajtur” e duhet zhvilluar.

    *

    Për dashurinë janë propozuar shumë tipologji si në librin Les Couleurs de l’amour (Alain Lee, 2007), në të cilin analizohen termat grekë eros dhe agape. Disa teori të tjera tipologjike si ajo e trekëndëshit apo dashuria « trikëndore » përshkruhen gjatë nga psikologu amerikan Robert Sternberg. Ai e jep dashurinë si një ndërtesë me tre shtylla që janë: pasioni, intimiteti dhe angazhimi. Brenda këtij trekëndëshi shfaqen disa tipologji dhe qëllime dashurore që nga « dhembshuria » deri te « dashuria e përmbushur ». Ndërsa psikanalistët, duke u mbështetur te një zgjedhje e veprave letrare që shkon nga Proust-i deri te Simenon-i, kuptohet duke kaluar nga Tolstoi, e vështrojnë dashurinë të lidhur me pritjen. Disa mendojnë se dashuria vjen si rezultat i zgjedhjes. Disa të tjerë thonë se saktësisht, dashuria nuk është zgjedhje: ne nuk zgjedhim as ndjenjën për të dashuruar, as njeriun që do të dashurojmë. Ka edhe nga ata që thonë se në të vërtetë dashuria është një lloj « verbimi » ose një « marrëzi ».

    Shpesh dashuria shenjon forma që e përjashtojnë seksualitetin, si bie fjala dashuria platonike, që vjen nga emri i filozofit grek Platon. Nuk është fjala për ndonjë teori të formuluar nga Platoni, por për ide të shtruara te dialogët Banketi, Republika, Fedri, në të cilët flitet për një dashuri ideale, për marrëdhënie edhe në largësi që vlerësojnë më tepër cilësitë e personit se sa personin vetë. Një nga të ftuarit e librit të famshëm Banketi e përshkruan dashurinë si një gjë të kulluar e fisnike, pothuajse qiellore që ka si objekt shpirtin dhe jo trupin. Gjatë Rilindjes dashuria platonike u shndërrua në një konceptim filozofik kur dijetari i madh fiorentin përdori shprehjen amor platonicus, duke iu referuar dialogut Banketi të Platonit dhe pikërisht, fragmentit kur Sokrati përshkruan ngjitjen e njeriut nga dëshira e thjeshtë për një njeri deri në soditjen sublime.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË