Në çfarë bote hyje duke kapërcyer pragun e një bisede të thjeshtë me Shuteriqin! Tërë puna e tij krijuese qoftë letrare, qoftë shkencore i ngjante një kërkimi të pafund në shërbim të kulturës shqipe. Ai kishte një tjetër praktikë pune: të imët, të thellë, të plotë, me referime krahasuese të shumta kur bëhej fjalë për studimet kritike dhe historike. Në librin e tij të famshëm Burri që mbillte pemë, Giono(Zhiono)thotë : […] kur puna e njeriut është e zhveshur nga egoizmi, kur ideja që e udhëheq nuk është shpërblimi […] dhe se ka lënë pas shenja të dukshme të veprës së tij, jemi përpara një karakteri të paharrueshëm[1]”. Martirizimi i përditshëm i Shuteriqit mbi libra, veprimtaria e tij e vetëdijshme dhe e heshtur, e shndërron atë në titan të kulturës shqipe.
Unë e takova për herë të parë në një bisedë të gjatë në qershor 1994 për të bërë portretin e tij, porositur nga një gazetë. Ai po më priste duke lexuar, mbështetur në një kolltuk, nga ata të tipit të vjetër në dhomën e pritjes. Kur iu afrova u ngrit në këmbë me vështirësi. Duke e njohur më pas jetën e tij, do ta kuptoja se në trup i rëndonte ngarkesa e një vepre të madhe. Më dha dorën. I thjeshtë e i dashur, jashtë çdo përfytyrimi. Kishte një fytyrë të menduar, ballë të lartë, vështrim të përhumbur, sy të thellë, të cilët megjithëse kishin njëfarë lodhjeje fisnike, që ia përcillnin leximet e shumta, i shenjtëronte dituria. Shenjtërinë ia shtonin edhe më tepër shpina e kërrusur prej skribi të lashtë si dhe flokët e gjatë e të thinjur si të një perëndie pagane. Përpara tij ishte një tryezë e ulët plot libra, dosje, fletë me shënime, fletore, lapsa e stilolapsa. Nëpër mure kishte tablo pikture të vendosura në lartësinë e vështrimit, të cilat të dhuronin një ide të ngrohtë e shplodhëse
Biseda me atë personalitet të letrave nuk ishte e lehtë. Për të komunikuar nuk mjaftonte njohja relative e veprës së tij letrare, por edhe e veprimtarinë së gjerë shkencore. Por ai ishte aq i thjeshtë e i natyrshëm, sa dinte të krijonte që në fillim idenë e barazisë me bashkëbiseduesin.
Asaj vizite iu shtua edhe një fakt shumë domethënës, që e ruaja në kujtesë. Kur punoja si redaktore botimesh, më qenë dashur disa të dhëna për piktorin anglez Eduard Lear. Dhe mëdrejtuan te Shuteriqi. Ai më fali një skedë të gatshme dhe ky gjest intelektual pati mbetur për mua i veçantë. Nuk mbaj mend gjë tjetër, sepse ai sapo kishte kaluar një gjendje gripale. Qysh nga ai takim fare i shkurtër, nuk kishte kaluar një kohë edhe aq e gjatë, por dukej, ngaqë kishin ndodhur ndryshime të mëdha. Kishte rënë sistemi komunist, jetonim në një tjetër epokë.
Bisedat për portretin u zhvilluam në tri ditë. Ditën e dytë dhe të tretë kaluam në studion e tij, një dhomë me një bibliotekë të madhe, e cila qarkonte krejt muret. Librat gjithsesi i jepnin një frymë më konkrete bisedës sonë, ata kanë qenë bashkëbiseduesit më idealë për Shuteriqin. Në vende të ndryshme të bibliotekës krijonin një mozaik kornizat me portrete që kanë bërë piktorët për të: Ksenofon Dilo, Fatmir Haxhiu, Nexhmedin Zajmi, Andon Kuqali e ndonjë tjetër. Në vende të lira kishte vizatime, fotografi. Suprinat kishin objekte të ndryshme: në anën e majtë: një bust i Naimit nga Odise Paskali; një bust i vetë Shuteriqit nga Janaq Paço; një portret i Çajupit nga Ksenofon Dilo; nga Dilo ishte edhe një vizatim, portret i Shuteriqit me llullë; një foto e të atit Simon Shuteriqit, e zmadhuar; një foto e çiftit Shuteriqi fill pas çlirimit etj. Në anën e djathtë: një bust i Demostenit, orator dhe burrë shteti athinas, i shekullit IV para erës sonë ; një kuti me llulla të llojeve të ndryshme, kujtim i periudhës së hershme kur ai pinte duhan në vitet studentore në Francë e derisa sëmundja e zemrës e detyroi ta linte përgjithmonë; një tablo pikture nga Renoir. Mbi një syprinë tjetër rafti, në mes, kishte një grumbull gurësh të formave e ngjyrave të ndryshme, relike të vendeve historike që kishte vizituar. Në një të ndarë më vete, përballë nesh rrinte në kuti, « Guri i Çmuar », ashtu si e quante ai; ishte një copë argjilë e kuqe, e gurëzuar, nga varri i Skënderbeut. I kishte dhënë një copë historianit Franz Babinger[2]. Më dhuroi edhe mua një copëz, që e ruaj si gjë të shenjtë. Në një kuti tjetër, por më të vogël ishte edhe një copëz guri i ciflosur[3] nga varri i Dhimitër Gazullit, bashkëkohës i Skënderbeut, që e kishte gjetur në qelën e rrënuar në Gëziq të Mirditës kur ishte atje i transferuar, me qarkullim.
*
Si shumë bashkëmoshatarë të mi që kemi kryer universitetin për letërsi, unë pandehja se dija shumë për Dhimitër S. Shuteriqin. Kur isha studente, pata ndjekur një ligjëratë të tij në një përvjetor të Naim Frashërit. Më pati lënë mbresë të pashlyeshme paraqitja e materialit, përdorimi i fjalës, vendosja e figurës së Naimit në kontekstin e kohës që e lindi, analiza e hollësishme e argumentuar e veprës, motivimi i thellë i vlerave kombëtare dhe estetike të krijimtarisë së tij… Sigurisht për mua që kisha ndonjë prirje letrare, ligjërata e tij ishte një nga leksionet më të çmuara që po dëgjoja për Naimin. Ai shpallte një metodë shkencore krahasuese për të vështruar personalitetet e kulturës dhe sillte shembuj konkretë për stilin, idetë, gjuhën, për vargun karakteristik naimjan.
Kisha lexuar edhe disa nga veprat e tij. Që fëmijë isha magjepsur me librin Gurnecka. Në shkollë të mesme letërsinë e studionim sipas tekstit antologjik që kishte botuar ai. Kur dola mësuese librat Shkrimet shqipe dhe Nëpër shekuj letrarë dhe ndonjë tjetër, më kanë ndihmuar për vite me radhë në shpjegimin e lëndës së letërsisë, që janë si një vademekum letrar. Por unë mbeta gojëkyçur nga dijet e thella, nga fryma filozofike që e përshkoi bisedën tonë dhe nga puna e tij sistematike. Prej tij numërohen 100 e ca botime me rreth 40 mijë faqe, të gjitha të daktilografuara e të korrigjuara me duart e veta në një makinë të vogël « Olivetti ».
Tryeza e punës së këtij njeriu të jashtëzakonshëm, e vendosur pranë njërës prej dritareve që shihte nga lindja, në atë studio-bibliotekë, qarkohej nga libra të zgjedhur dhe universalë, pjesë e ushqimit të tij mendor e shpirtëror të vazhdueshëm. Në mes ishte makina e shkrimit që mbushte me ritmet e jetës netët dhe orët e heshtura që kërkon krijimi. Në krahun e majtë Baudelaire-i, një botim i plotë i veprës së tij, poeti që vazhdonte të ushtronte përherë magji tek ai. Librat e tryezës, në betejën e përditshme si krijues dhe si shkencëtar i letërsisë dhe i kulturës, flisnin për interesat e tij të gjera. Përpara në largësinë e dorës: Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe; Histori e Letërsisë Shqipe; Histori e Albanologjisë; Histori e Popullit Shqiptar; Histori e Arkitekturës; Fjalor Enciklopedik Shqiptar; Histori e Artit etj. Pastaj disa libra shqip e në gjuhë të huaj, sidomos frëngjisht dhe italisht : Poésie surrealiste (Poezia syrrealiste), Le génie de la peinture européenne (Gjenia e pikturës europiane); Cubisme (Kubizëm). Disa fjalorë në gjuhë të huaj, më i rëndësishmi ai i gjuhës së sotme frënge (një ndër): Petit Robert I dhe II (Roberi i vogël I dhe II; Littré (Fjalor i gjuhës frënge, i vitit 1872), pastaj Histoire de la littérature française (Histori e letërsisë frënge), Gustave Lanson, 1894; Histoire d’art (Histori arti), disa revista bashkëkohore: filologjike, historike, etnologjike, psikologjike, artistike etj. Albume: Van Gogh, Renoir, Matisse, Sezanne, dy albume të mëdha me kostume arbëreshe[4]. Por edhe një vepër e Platonit[5]. Kishte aq shumë lëndë në jetën e tij sa çdo gazetar do të ishte i lumtur ta kishte protagonist të shkrimit. U largova atë ditë me një material të gjerë dhe me një premtim të heshtur që as vetë nuk e kuptova se ç’përmbajtje kishte. Shuteriqi më ngjau me një apostull të kulturës shqipe. Dhe e ndjeva se nuk e mbaja dot vetëm për vete atë dritë.
Portreti për të u botua një të diel, më 28 gusht 1994, te një shtojcë letrare e gazetës Zëri i popullit me titull: Dhimitër Shuteriqi – mit apo realitet. Qëllimi i shkrimit ishte të krijonte një njohje në gjeneratat e reja për personalitetin e tij në shërbim të kulturës kombëtare. Më 26 korrik 1995 ai mbushte 80 vjeç, shkrimi i paraprinte kështu një përvjetori të veçantë. Për herë të parë figurës së tij iu kushtua një faqe e tërë gazete, larg sloganeve politike. Nuk kam përse ta fsheh se edhe unë ndjeva kënaqësi. Po jetoja ditët e shumëpritura kur botimet patën filluar të dilnin pa ndryshime. Kjo ishte liria e vërtetë e fjalës, për të cilën kanë sakrifikuar jetët dhe ëndrrën e tyre fisnike aq e aq njerëz në Shqipëri e kudo në botë. Atë mbrëmje Shuteriqi më mori në telefon për të më falënderuar. Në të vërtetë duhej ta falënderoja unë atë. Por iu përgjigja se do t’i shkoja të nesërmen për vizitë e t’i merrja përshtypjet nga afër.
Qëllimi im ishte tjetër gjë. Që t’i thosha se do të filloja një jetëshkrim. Çfarë guximi ! Im bir që kishte mbaruar liceun për pikturë dhe përgatitej për të hyrë në Akademinë e Arteve, kur lexoi në shkrim se Shuteriqi kishte një dosje të madhe me skica e vizatime, shprehu dëshirën të vinte me mua. Ne kaluam atje një pasdite mbresëlënëse. E megjithatë, unë nuk ia bëra dot të ditur planin tim. Më mungoi vendosmëria. Kur u largova, ai më falënderoi edhe njëherë për shkrimin. Mesa dukej i kishin pëlqyer ato që thuheshin për të. Ishte njëlloj pasqyre ku e shihte veten ndryshe, në mënyrë të qëruar, pa ngarkesa ideologjike. Edhe të afërm dhe miq që u ishte dhënë rasti ta lexonin, e kishin uruar. U desh të kalonin tri ose katër javë që unë të merrja zemër e t’i thosha se do t’i kushtoja një libër. Gjeta mënyrën më të mirë, e cila na shpëton të gjithëve nga përgjegjësia e atypëratyshme. Ia kumtova këtë « çmenduri » në telefon. Dhe menjëherë më trembi ideja. Ç’është e drejta ai e priti mirë vendimin tim. Dhe, ishte qëndrimi i tij mirëbesues që më dha zemër.
*
Ishte 5 tetori i vitit ’94, kur nisi ”ndërmarrja” e gjatë dhe e vështirë e realizimit të projektit të librit. Ishte vetëm një ide e turbullt. Asgjë nuk ishte e përcaktuar. Mes një qetësie që u krijua pas pyetjes time, që e pështjelluar siç isha, nuk iu përmbajta tekstit të përgatitur, unë hodha në letër copëza nga rrëfimi i tij. Atëherë rrethanat ishin shumë kritike. Shoqëria shqiptare përjetonte periudhën e rëndë të depresionit. Lufta politike ishte e acaruar. Kryefjala e ditës ishte mohimi i madh për të përmbysur gjithçka që ishte krijuar gjatë pesëdhjetë vjetëve. “… dhe askush s’mund të thotë / se këtu rron / një popull që ndërton diçka të re.[6]”, do të thoshte në vitet ’30 Migjeni, një nga poetët tanë më të mëdhenj dhe poeti i vërtetë i poezisë sociale. Sulmet nuk kursyen as Shuteriqin. Ato qenë ndër më të rëndat që mund të mendohen, por ai qëndroi i paepur, i mbajtur pas të vërtetës. Krijuesit e mëdhenj nuk i përkasin kohës fizike kur kanë jetuar. Ata vështrojnë përtej kohëve dhe individëve.
Përgjithësisht ne bashkëbisedonim pasditeve gjer në mbrëmje. Shumë dorëshkrime dhe tekste të daktilografuara prej tij prisnin dritën e botimit. Shtëpitë botuese private sa ishin hapur. Ekonomia liberale dhe kërkesat e prodhimit kapitalist kishin hyrë në çdo ind të jetës. Të botoje një libër, duhet të paguaje. Ishte e pabesueshme, por një nga njerëzit që ka pasuruar ndërtesën e kulturës shqipe, nuk mund të blinte në ato kushte as letër e as shirit makine për të shkruar.
Në këto kujtime dua të përmend një episod mjaft të rëndësishëm që mbetet në fillesën e librit. Kur isha duke mbajtur shënime për jetën e tij, u botua një shkrim tejet përçmues për Shuteriqin te gazeta Rilindja e Prishtinës që dilte në Tiranë. Duke e lexuar atë shkrim mendova me vete: « Historia e njerëzimit ka pasur Sokratër dhe Krishtër. Le të jetë edhe Dh. S. Shuteriqi njëri nga ata që paguhet me mosmirënjohje për sakrificën e tij ». Mbaj mend se qysh në mëngjes shkova drejt e në redaksinë e gazetës, në rrugën « Myslym Shyri ». E dija ku ndodhej se botoja atje ndonjë përkthim apo tregim duke e pandehur gazetë të pavarur. E prekur, u thashë kryeredaktorit dhe drejtorit: “Ju nuk e dini mirë cili është Dhimitër Shuteriqi. Nuk e njihni atë.” Gjithsesi unë qeshë gabuar. Ata e dinin dhe e njihnin mirë, por kishin tjetër mision. Ja, ky mbase është çasti që vendosi në mënyrë përfundimtare për librin tim të ardhshëm.
Duke hedhur në letër fragmente të shkurtra të atyre meditimeve që më vonë do të më shërbenin si lëndë kryesore, jeta e tij më dukej aq e madhe, sa mendoja se nuk mund ta nxinin librat. Isha përpara një prej figurave më të mëdha të kulturës, që përbën edhe një personalitet unik në historinë e letrave shqipe me një vepër të shumëfishtë. I thinjur, i fisnikëruar nga puna përkushtuese dhe në një moshë biblike, ai m’u duk si një mit i gjallë. Nuk ishte i dehur nga suksesi, por as edhe i pezmatuar nga dështimet. « Në jetë duhen pranuar edhe sukseset, edhe dështimet », thoshte. Këtë ide të Romain Rolland-it ai e kishte bërë të vetën. Ndieje mrekullim kur e dëgjoje. Ai ligjërim sot më tingëllon si sinonim i historisë.
Fëmijëria e Shuteriqit që u përkund nën tingujt e kambanave dhe këngës së muezinit, nën pamjen e trishtë, por të mrekullueshme të ikonave, e drituar nga dashuria prindërore në lagjen Kala të Elbasanit, apo në rrugicat e « përmbibukura » të Korçës, në të cilat pati hasjet e para me natyrën e me njerëzit dhe në mënyrë të tërthortë mësoi se të jetosh në botë, do të thotë të jetosh me gjuhën dhe me ndjesinë, me fjalët dhe me kuptimet, me veprimin dhe me heshtjen, mbetet një bazament i qëndrueshëm për të kuptuar veprën e tij të mëvonshme. Kur rrëfente ai dukej si një personazh homerik, një Uliks, që kallëzon një udhëtim shqiptar.
Për mua ishte rrethanë nga më favorizueset që dëgjoja nga goja e tij jetën e vet. Si një rrëfimtar i kohëve të moçme, i mbështjellë përherë me një kurorë drite që rrethon njerëzit e mëdhenj, ai nuk thoshte kurrë gjëra gjysmake. Ato që tregonte kishin një substancë letrare, të patjetërsueshme. Magjepsja e tij kishte vërtet diçka fëmijërore. Te shkrimtari i madh fëmijëria është përherë e gjallë, por ajo magjepsje te ai ishte një prani materiale e fuqishme.
Biseda jonë përtërihej, sidomos, kur ai e çonte fjalën te poezia. Poezia ishte si të thuash një dashuri e ndërprerë, një refren i shkëputur. Ai do të kishte dashur të thirrej poet. Por Shqipëria, ky vend i prapambetur, me frymë të përgjithshme orientale, megjithëse i përkiste Europës, thuajse analfabet, me 90 përqind të popullsisë që nuk dinte shkrim dhe këndim, me fshatra ku drita e vetme për ndriçim ishte kandili dhe pisha, ku vdekjet në moshë të re nga malarja dhe tuberkulozi përbënin një numër të madh, kërkoi shumë prej tij, i kërkoi sakrificën që ta harronte përkohësisht poezinë. Poezia do të ishte luks në këtë vend të varfër e të braktisur nga bota e qytetëruar. Dhe ai nuk ngurroi ta bënte këtë fli, për hir të një dashurie më të madhe, Shqipërisë. Këtë e dëshmojnë planet, programet dhe tekstet e para të letërsisë shqipe për shkollat e mesme e të larta pas Çlirimit, orët e mësimit[7] plot pasion për letërsinë dhe folklorin në Institutin e parë Pedagogjik shqiptar, si dhe kërkimet e palodhura të shkrimeve zanafillore për shqipen, zbulimi i mistereve të shkrimit shqip. Më vonë, historia e letrave shqipe si dhe studimet letrare për shkrimtarët e letërsisë shqipe, Barleti, Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani, Kristoforidhi, De Rada, Naimi, Çajupi, Mjeda, Migjeni… me sinteza origjinale, krijuan një unitet organik me të gjithë veprën e tij. Vërtet, kur flisje me të, besoje se shpirti i tij ishte gatuar me njëlloj atdhetarie që ta fal vetëm puna përkushtuese.
Përveç fëmijërisë dhe rinisë që ai i kujtonte me mall ishin edhe mosha e pjekurisë intelektuale me kantiere të shumta pune studimore e krijuese, që u mishëruan në vepra të panumërta, si dhe episodet e errëta pas pleniumit IV dhe ajo e dimrit të bardhë të jetës, me plagë të shumta në vitet ’90. Kështu, duke ndërthurur kohërat mes tyre, u plotësua pak nga pak itinerari i jetës dhe veprës së tij.
*
Jeta e tij, duke filluar që në moshën e ndërgjegjshme, është e mbushur me punë, me dashuri e lumturi dhe doemos me trishtime e dhimbje, që shkonin hera-herës gjer në dëshpërim. Por mbi të gjitha këto ngrihej një optimizëm i çuditshëm. Ai fliste për një dritëz që e trazonte shpirtin e vuajtur shqiptar. Duke u ndriçuar gjithë jetën nga kjo dritë, Shuteriqi e shndërroi atë, si të thuash, në një objekt pasioni. Ekzistenca dhe mbijetesa shqiptare në histori e patën çuar në përfundime të atilla, të cilat përmblidhen në një besim rilindës për të ardhmen. Kur ndalej nëpër kujtime të hershme, domethënë kur shpaloste një ligjëratë të kulluar nga teprimet e kohës së tejpolitizuar, atëherë e kuptoje atë cilësi të qenësishme pozitive që karakterizon si frymë edhe personazhet e prozës së tij. Në të vërtetë ai ishte një optimist « i pandreqshëm ». Ja si shkruante, ndër të tjera, në prill të vitit 1940, në një letër që i dërgonte të atit nga Franca :
« (…) S’e di a e keni gjetë të mirë përgjigjen që u bana ideve tueja fillosofike…Sigurisht pesimizmi i em asht i madh e mund të ju duket i çqetësueshëm. Vetëm due të mos e besoni sistematik. Unë nuk kam besuem e nuk besoj kurrë se çdo gjë spiegohet pesimisht, se çdo gja âsht e kalbun… Përkundrazi, siç e dini, jam shumë optimist për të ardhshmen e të çdo gjâje e ndofta kjo do të mjaftonte për me më cilësue si optimist mâ fort se të kundërtin. Se njeriun duhet ta gjykojmë simbas qëllimevet, idealevet që ka e në të cilat ka besim. Mjetet janë të përkohshme… Pesimizmi i em s’âsht nji fenomen për t’u çuditun. Rinija e soçme âsht pesimiste prej lindje. Të lesh më 1915, në luftë e sipër, të dëgjosh gjithë jetën vetëm të qame, të shohësh gjithë jetën vetëm gjaqe e vrasje, të rrosh gjithë rininë tande e fëmini vetëm, si ç’kam bâ unë, duhet të jesh me të vërtetë shumë i fortë që të kesh dhe aq optimizëm sa ç’kam vetë, apo jo ?(…) »[8]
Ai fliste dhe unë shkruaja. Shkruaja copëza jete që peshonin rëndë. Erudicioni i tij ishte i llahtarshëm. Ajo stuhi punësh e dijesh vërtet më stepte. Kjo gjë ma shtonte nderimin, por edhe sëkëlldinë. Në mes të këtij ligështimi më jepte zemër fjala e tij e urtë, që jetëshkrimi, nëse do të përfundonte, duhet të botohej “më vonë”, që doemos kishte kuptimin postume, domethënë pas vdekjes. Fjala vdekje nuk ishte në stilin e tij të bisedave. Ai e donte jetën. Shihte te ajo shpirtin e gjallë të botës.Nuk vuante fare nga paramendimi se çfarë do të thuhej për të. Ishte i ndërgjegjshëm për çka kishte krijuar. Por ky ndërgjegjësim kishte një kuptim fisnik. Ai mendonte se kishte kryer thjesht një detyrë. Nuk vëreje në ato që thoshte as përpjekjen më të vogël për të treguar ndonjë epërsi që nuk e kishin të tjerë. Nuk më udhëzoi asfare sesi mund t’i trajtoja disa çështje delikate. Nuk rithá me ndryshime asgjë që i përkiste jetës së tij intime, e cila është e mbushur me të fshehta e ngjarje të shenjta e të ëmbla dhe ndonjëherë të rëndae të hidhura. Kjo ishte si leje kalimi për t’iu përmbajtur rrëfimit të tij, por ishte edhe koncepti që kishte ai për jetëshkrimet. Nuk i pëlqente që jeta të ndryshohet e të sajohet për t’iu larguar së vërtetës.
Në çdo takim Shuteriqi ishte i vëmendshëm, sidomos ndaj ndërhyrjeve për të qartësuar ndonjë çështje. Kishte raste që biseda nuk i përmbahej pyetjes, por zgjatej në rrethanat e reja politike e shoqërore, që u krijuan në Shqipëri pas vitit ’90. Me gjithë hapësirën e hijezuar shqiptare të atyre kohëve dhe gjendjen depresive kolektive, ai kishte një besim të patundur tek e nesërmja:
« Të gjithë e kuptojnë se e ardhmja e atdheut dhe e kombit është demokracia dhe procesi i demokratizimit në Shqipëri, tanimë është i pakthim ».[9]
*
Një mbrëmje tetori të vitit ’95, para se të niste një veprimtari, megjithëse rrethohej shpesh nga njerëz që dëshironin ta takonin e të shkëmbenin dy fjalë me të, unë gjeta rastin e iu afrova Shuteriqit. Shfrytëzoja çdo mundësi për të përfituar nga ato që mund të thoshte. I dhashë dorën disi e druajtur, sepse në ato çaste e përfytyrova veten si notariusi që shkruante çfarë i diktonte Montagne-i. Pas një pushimi të shkurtër gjatë gushtit, ne kishim filluar sërish bashkëbisedimin, por me takime më të rralla. Tani, pas një viti, unë u kisha dhënë fund disa pyetjeve që do të përbënin lëndën bazë, me kujtime që janë kulluar në atë moshë. Më kishte treguar thuajse gjithë jetën e tij të dukshme dhe të padukshme. Mbeteshin çështje të tjera, që megjithëse ishin cekur, duhej të ritrajtoheshin më gjerë dhe ato ishin përsëri shumë, si : pleniumi IV; kompromisi i heshtur dhe publik i tij, sepse iu ”dhimbs vepra, ajo që i kushtohet kulturës, rrënjëve të qytetërimit shqiptar” e që përbën sekretin, por edhe madhështinë e tij; vdekja klinike etj. Duke e përshëndetur, u përpoqa të gjeja fjalët e duhura për idetë dhe atmosferën e re që kishin sjellë kujtimet e tij në projektin tim, por nuk më erdhi në mendje asgjë e veçantë. Në raste të tilla, sidomos pranë një njeriu të shquar si Shuteriqi, fjalët e bjerrin vlerën. I thashë varfërisht se isha mahnitur nga jeta e tij e pasur dhe nga vullneti që ia kishte zbukuruar ditët. Unë, në të vërtetë, isha njeriu që mbase dija më shumë se gjithë të tjerët për jetën e tij. Një çast pasoi një heshtje e plotë. Ai ishte i mbështetur mbi bastun, i kërrusur, i mpakur, i përhumbur. Ndoshta edhe m’u duk ashtu nga ideja fatale që të shoqëron kur je pranë njerëzve, mosha e të cilëve të dikton se edhe mund të mos i shohësh më kurrë. Duke vështruar muzgun që binte i dendur, ai me një zë që ishte i ndryshëm nga herët e tjera, tha : « Të kam falur zemrën time ! ». Unë u përpoqa të flisja, por nuk formulova dot as edhe një mendim. M’u mbushën sytë me lot. E emocionuar ia drejtova vështrimin me mirënjohje të thellë. Ajo që kishte ndodhur, ishte aq e mrekullishme, sa nuk shprehej dot me fjalë. Një fat që nuk i takon gjithkujt. E pabesueshme, por e vërtetë! Kisha në duar një thesar! Dhe si mund të flisja?! Atë çast nuk kam për ta harruar kurrë. Zëri i tij kishte nostalgji dhe brengë për diçka të shenjtë që nuk e ke më vetëm për vete.
*
Shuteriqi ishte një punëtor i madh i shkrimtarisë. Të futesh në universin e punës së tij, e kupton se ai nuk është marrë thjesht me një letërsi modeste: pak faqe, pak rreshta, pak lexues, pak jehonë kritike, por i është futur me themel punës intelektuale, duke e ndier mungesën e dritës së dijes si plagë shekullore. Ajo që ka shkruar, dallohet nga fryma e zjarrtë, nga urgjenca historike dhe kuptimësia kohore.Vepra e tij të fton të shembësh një sërë kufijsh të pandarë jetë-vepër duke shqyrtuar me çudi sesi ngrihej ajo, ndërsa ulej horizonti jetësor i shoqërisë që i përkiste. Ai ishte njeri i vërtetë i kësaj toke. Ndaj sa më shumë që shkruaja, aq më tepër më mundonte pyetja : A do arrija t’i afrohesha sadopak jetës së tij?
Pyetjet e mia gjithmonë tejkaloheshin nga përgjigjet e tij. Erdhi një moment kur dialogu ynë filloi t’i përngjasonte një bashkëbisedimi: « Njëditëzaj në rrugë takova një shok fëmijërie. Kënduam së bashku një këngë kishëtare », – dhe ai këngëzoi një refren të panjohur për mua, por tepër melodioz. Megjithëse i ndarë gati një jetë të tërë prej këtyre këngëve, ai i kishte të shkruara në mendje fjalët dhe ritmin. Ky ishte rasti më i mirë për të kërkuar sërish e sërish në jetën e tij. Pas lutjes për ta kënduar të plotë atë litani të dikurshme, Shuteriqi nuk priti që t’i bëhej një kërkesë e dytë. I zhytur në një të kaluar që kishte lënë gjurmë të forta në shpirtin e tij, ai e këndoi këngën deri në fund si një bariton i vërtetë. Po e thurte legjendën para syve të mi dhe po shndërrohej dalëngadalë në një personazh të vetes. Me një aparat regjistrues, do ta kishim edhe atë zë të paharrueshëm dhe do të hidhnim pak dritë edhe në një faqe tjetër pak të njohur, në një pasion tjetër të madh tij, që ishte muzika. Por varfëria jonë ka qenë proverbiale.
Vend të rëndësishëm zinte në rrëfimet e tij edhe gjetja e objekteve shkrimore të shtetit të parë të Arbrit në shekullin XI dhe XII, zbulimi, sistemimi dhe interpretimi i dokumenteve të shkruara të kohës së Skënderbeut për shekullin XV si dhe të Aranitëve në kohët më të hershme që nisin me ekzistencën e një David Arianiti në vitin 1001; letërsia shqipe në shekullin XVI; fryma e humanizmit letrar që u zhvillua jashtë brigjeve shqiptare në shekullin XVII; lëvizja e madhe për alfabetin shqip në shekullin XVIII, studimet e thelluara për revolucionin e madh letrar, atdhetar, të quajtur Rilindja Kombëtare në shekullin XIX etj. Përpjekjet e tij studimore vazhdojnë me idenë e fuqishme për të krijuar një perceptim të qartë për Arbëreshët e Italisë; për folklorin origjinal në ngulimet shqiptare jashtë atdheut e që ia shtojnë frymën identitare veprës së tij. Janë studime të hollësishme që argumentohen me dokumente të rralla që ai i ka qëmtuar me durim dhe pasion nëpër arkiva e biblioteka që nga Venecia, Parisi e Barcelona, me korrespondencë të rregullt si një lexues i përkushtuar ose edhe vetë, kur i binte rasti të udhëtonte me ndonjë delegacion, i ngarkuar për punë të tjera.
Gjatë bisedave, pranë nesh vinte herë pas here zonja Shuteriqi, që unë e njoha ato kohë. E ëmbël në komunikim dhe tepër e zgjuar, e mirinformuar pothuaj për të gjitha problemet që ishin pjesë e jetës së Shuteriqit, ajo ndërhynte herë pas here, për ndonjë datë, emër apo ngjarje, që e kishin jetuar së bashku. U mrekullova nga shpirti i tyre i hapur e i sinqertë, nga komunikimi i tyre plot dhembshuri. Ajo i përgjigjej çdo kërkese tëtij duke e parë në sy me përgjërim. ZonjaShuteriqi ishte tamam një ëngjëll mbrojtës i tij. Ishte mësuar të kujdesej për të që herët, që në çastin kur ai i dashuruar marrëzisht pas saj, në një nga takimet e para kur zbritën nga mali në Elbasanin e lirë, i pati thënë se ndoshta dashuria e tyre do të ishte e pafat: mjekët në Francë gjatë kontrollit studentor, e kishin sinjalizuar për një problem në zemër që do të ishte me pasoja. Megjithëse paksa mosbesuese atëherë, sepse kishte përpara syve një djalosh të shëndetshëm e të hijshëm, ”princin e ëndrrave”, pas këtyre fjalëve ai iu duk i brishtë. Mos e ngarkoi fati me një mision? Vajza e dikurshme, e shkolluar në Institutin e vajzave në Tiranë që e mori maturën në Normale, e cila një natë gushti të vitit ’44, u ngjit në mal partizane me shumë të rinj e të reja elbasanase për ta vënë jetën e saj të re në altarin e lirisë, u bë jo vetëm gruaja e tij e jetës, nënë e tre fëmijëve: Mira, Piro, Zana, bashkëudhëtare besnike, duke mbetur njëkohësisht mikja dhe shoqja e tij më e dashur, por edhe një bashkëpunëtore e palodhur. E si do të kishte lulëzuar personaliteti i Shuteriqit, po të kishte qenë ndryshe ? Ky është një rast i rrallë. Dashuria nuk i kishte shuar ende flakët e pasionit në shpirtrat e tyre as në atë moshë kur vitet dhe muajt janë të numëruar. Dhe më e rëndësishmja është që ata jetonin me dashuri në kohën kur mungesa e dashurisë është një realitet tragjik i ditëve tona. Kjo ishte gjëja më sublime në marrëdhëniet e tyre.
*
Si kulturolog i madh, vazhdimësia iliro-arbërore-shqiptare ishte për të një e vërtetë gati e patjetërsueshmeën. Shuteriqi përjetonte heshtjen domethënëse të atij që ka në duar çelësin e enigmës. Fjala e tij karakterizohej nga sinqeriteti, vërtetësia dhe nga qëndrimi kritik ndaj së kaluarës komuniste, të cilës iu dha me besim të madh dhe e zhgënjeu, por edhe ndaj realitetit të ri të demokracisë, që e entuziazmoi, por që nuk mënoi të shfaqej i armatosur me politikën e vjetër të hakmarrjes. Në ato situata të zymta kur në shtypin e djathtë hidhej baltë mbi shumë figura që jetuan dhe punuan në monizëm, ai i priti me një qëndresë të pashembullt gurët e mëdhenj që ranë aq shumë mbi të për ta rrëzuar. Por nuk mundën. Dhe vazhdoi i paepur udhëtimin si patriark i kulturës shqipe, për të realizuar gjer në fund vetveten.
E plotë, harmonike dhe shumëplanëshe, vepra e tij është një organizëm i gjallë. Shumësia e formave të ligjërimit shkrimor: Kritikë letrare, ese kulturore, studime shkencore krahasuese, letërsi, histori, përmbledhje dokumentesh burimore, publicistikë, sjell para lexuesit tonin e veprës, stilin e Shuteriqit, por krijon edhe një dendësi të ndritshme, një ndërthurje që e lidh atë fort me epokën kur punoi. Trajektorja e tij krijuese vjen me vepra të panumërta, të realizuara pjesë-pjesë dhe njëherësh, me një punë të vazhdueshme e të frymëzuar shkencore, historike e letrare.
“Gjithë jetën kam shkruar duke kërkuar diçka. Idetë më vinin me shumicë. Kështu dita-ditës u formësuan veprat e mia, sidomos ato studimore, që mbase ndonjë prej tyre do t’u vlente studiuesve të rinj. Kam jetuar gjithnjë me shqetësimin për të punuar. Proza ka qenë si një moment çlodhjeje. Merrja frymë kur më mbyste shkenca.”[10].
*
Jeta dhe puna e Shuteriqit janë të pakufishme. Ai rrëfente nga një lartësi kohe romanin e jetës së vet. Dhe ishte një protagonist i pazëvendësueshëm. Kjo më ndihmoi të ndërtoja shpejt njëlloj maketi e ta hidhja në letër. Në shënimet që kisha marrë, disa pika ndriçuese më prinin të ecja disi e sigurt në një labirint të hapur jetësor si: Fëmijëria me atmosferën dhe kujtimet e gjalla që ushqyen imagjinatën e tij; liceu, mospajtimi me varfërinë dhe prapambetjen në regjimin e mbretit dhe përfshirja në lëvizjen komuniste; Franca universitare, lidhja e tij me lëvizjen studentore antifashiste dhe me emigracionin politik përparimtar, vendimi për të shkuar në Spanjë në mbrojtjen e republikës me një shqiptar tjetër, mik të tij, por që autoritet franceze i penguan me ligjin për të huajtë ; kthimi në Shqipëri dhe përfshirja e menjëhershme në luftën partizane për çlirim; zbritja nga mali si fitimtar dhe përkushtimi ndaj arsimit dhe kulturës e që krijojnë një vijimësi në rrugën e tij prej intelektuali atdhetar. Përballimi i frontit të vështirë si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve në epokën e një shoqërie klasore; shkarkimi dhe vazhdimi i punës krijuese e studimore me betejat e gjata në tryezën e punës, janë një pamje tjetër e personalitetit të tij. Edhe pse do ta paguante shtrenjtë me infarkt dhe vdekje klinike më 1982 e me pasoja për shëndetin, ai nuk e ndali punën e nisur.
Bisedat tona qenë fare të rralla në vitet ’97 dhe ’98, por qenë vite me një peizazh historik të aksidentuar keqazi, sidomos pas rënies spektakolare të ”piramidave” më 1997, kur shoqëria shqiptare u fundos edhe njëherë në marrëzi me konfliktin e një lufte të turpshme veri-jug që u ndal kryesisht nga forcat ndërkombëtare. Në vjeshtë të vitit 1998 dhe në pranverë të vitit 1999 erdhën muajt tragjikë të vuajtjes së shqiptarëve të Kosovës që pësuan plaçkitje, vrasje e djegie që arritën kulmin me martirizimin e heroit Adem Jashari dhe të familjes së tij, me prerjen e kokës së një shqiptari në Reçak, me të vrarë të hedhur në gropa të përbashkëta… Pastaj episodet me përmasa biblike të përndjekjes me dhunë të një populli të tërë nga trojet e tyre. Momente të tilla Shuteriqi i përjetonte rëndë.
Në vjeshtë të vitit ’99 unë shkova në Paris për të dhënë disa provime paradoktorate për letërsi[11], dhe i nisa që andej një letër. Shuteriqi më dërgoi një përgjigje të gjatë, të daktilografuar në makinë. Ishte një letër, në të cilën nuk mungonte nostalgjia e tij për vitet e rinisë në Francë:” […] 60 e kusur vjet të shkuara, nga një papafingo e katit të pestë, – unë student i ri […] dilja për herë të parë në Evropën e madhe […] Grenoble-i vinte që nga largësitë romake. Dhe universiteti i tij, më 1936, kur unë vajta atje, festoi 600-vjetorin, duke mbajtur erën e dijeve të rrasallitura për 200 mijë ditë e më shumë. […] Tramvajet që përshkonin Sheshin e Universitetit, ishin bërë për mua jo shqetësuese të studimit, po gati nanuritëse, – nanuritëse hekurore! […]” Në fjalët e letrës nuk mungonte as brenga që në Shqipëri po kalonin ditë shumë të vështira: ”[…] Mos na pyete si po e çojmë? Si gjarpri i vrarë nëpër plisa, thotë Elbasani, – keq e mos më keq. Jetojmë këtë pjesë të historisë së Shqipërisë së sfilitur në shekujt e gjatë. Nuk mësohemi dot me të. Nuk ish i nevojshëm shkatërrimi barbar, gjer të digjen edhe shkollat e një populli të përvëluar për kulturë![12]”
I shkrova përsëri një letër. Por përgjigjja e tij nuk ishte më e daktilografuar. Ishte një shkrim dore i imët, miniaturë e pazbërthyeshme, që tregonte se me shëndetin e tij diçka e rëndë kishte ndodhur. Kur u ktheva e mora vesh se kishte pësuar një aksident të ri, të heshtur kardiovaskular. Shenjat e vuajtjes, sidoqoftë i kishin kaluar dhe gjallërinë ia shtonte sidomos ngjyra e shëndetshme e fytyrës. ”E kam trashëgim nga moma” , thoshte përherë.
Me rastin e 86-vjetorit të lindjes, në korrik të vitit 2001, botova në gazetën Shekulli shkrimin Shuteriqi, dimri i qetë i patriarkut, i cili i hidhte një vështrim pak a shumë më të gjerë veprës së tij. Tashmë unë e kisha skicuar tekstin në dorë të parë. Sigurisht, as i thashë e as më pyeti. Dhe nuk më pyeti ndonjëherë. Shkova e ia dhashë gazetën me shkrimin duke e uruar për ditëlindjen, por gjithsesi te Shuteriqët ishte një atmosferë e zymtë. Në shtëpi mbretëronte një heshtje trishtuese. Herë të tjera e mbushnin me zërat e tyre Livia dhe Juni, fëmijët e të birit që ka emigruar në Kanada, i detyruar ta braktiste këtë vend si shumë shqiptarë të tjerë, në kushtet e një jete pa ujë, pa drita dhe me mungesa të shumta. Në ditar ai kishte shkruar: « Sot në aerodrom përcollëm Piron e Mirën me dy fëmijët e tyre, Livian e Junin për në Kanada, ku venë të vendosen. Ishte dita më e zezë e jetës sime. A do t’i shoh unë më fëmijët e mi që ikën ? […] Paçin jetë të gjatë, qofshin të lumtur. Shqipërinë mos e harrofshin »[13].
Në korridor, në palltombajtëse rrinte varur një top i vogël futbolli, futur në një rrjetë. « Aty do ta lëmë që kur të vijë ta gjejë », – tha ndër të tjera Shuteriqi duke pasur parasysh nipin dhe një psherëtimë e gjatë i doli nga kraharori.
Pas kësaj ne nuk u takuam si më parë edhe për arsyet e mia shëndetësore. Një ditë shtatori të vitit 2002, Shuteriqi me të shoqen erdhën për vizitë në shtëpinë time, sepse unë në atë kohë vazhdoja riaftësimin, pas një operacioni në kokë. Të vinte mysafir Shuteriqi, ishte ngjarje. Si përherë ai e mbushi kohën me rrëfime, një përzierje midis filozofisë dhe praktikës jetësore që duke e dëgjuar, harroje vuajtjet dhe pezmatimet. Ai është rrëfimtari më i mahnitshëm që kam takuar gjer më tani. Në një moment ai filloi të fliste frëngjisht dhe dukej sikur këndonte. E fliste aq bukur e aq rrjedhshëm, sa kishe dëshirë që ajo bisedë të ishte pa kufi.
*
Mbase ishte fundi i majit 2003 kur Shuteriqët më ftuan të pinim kafe në një lokal afër shtëpisë së tyre. Në atë kohë unë kisha filluar të dilja. Isha mjaft e interesuar për ndonjë fakt të ri, ngaqë i isha kthyer sërish tekstit dhe mendoja se ai po merrte formë, ndaj brenda meje vlonte dëshira për ta pyetur dhe mbajtur shënime.
Ishte mëngjes i ngrohtë, ditë me diell, qiell i kaltër, qetësi. U ulëm në një tryezë jashtë. Profesori, – edhe unë i drejtohesha si shumë të tjerë, – i dha frymë jetësore bisedës. Rrëfeu disa gjëra për Francën. Mes të tjerash tregoi se Avni Rustemi e qëlloi Esat pashë Toptanin duke dalë nga hoteli Kontinental, një nga hotelet më luksoze dhe më të shtrenjta të Parisit të asaj kohe, në të djathtë, para hyrjes kryesore (por që unë në libër përmend emrin e një hoteli tjetër, dhe nuk e kuptoj si ka ndodhur ai lapsus); tregoi për Dy Beley-n, një poet i Plejadës që e ndieu shumë mallin për Francën kur shkoi në Itali, madje përmendi edhe emrin e fshatit të tij, Liret; tregoi për djalim e Kostandin Kristoforidhit që kishte mbetur në Orlean qysh prej Luftës së Parë botërore… Kur takoheshe me Shuteriqin duhej të mbaje me vete patjetër diçka për të shkruar. Çdokush përfitonte kur fliste ai. Thuajse për çdo emër të përveçëm ose ndodhi, ai kishte pika referimi që e pasuronin bisedën si në një enciklopedi të vërtetë.
Pastaj unë nuk e takova më. Në korrik ai luftoi tri ose katër javë për mbijetesë, por më në fund iu dorëzua vdekjes më 21 të atij muaji, kur kishte fare afër festën e emrit më 26 korrik. Lajmin për vdekjen e tij unë e mora vesh në Mallakastër ku kisha vajtur të kaloja të nxehtët e padurueshëm të asaj vere. Ishte një lajm që përmbante një kumt shumë të hidhur. Protagonisti i librit tim nuk rronte më. E kam vështirë t’i përshkruaj ato çaste. Ky akt i largimit absolut të Dhimitër S. Shuteriqit nga jeta, i dha tekstit tjetër arkitekturë. Befas figura e tij përftoi njëlloj përmase legjendare me formën ishte, që e sublimon udhëtimi drejt përjetësisë. Dhe tërë materiali iu nënshtrua një gjykimi të ri. Të flasësh për vështirësitë e një pune të tillë, është e pavlefshme, sepse kjo gjë kuptohet vetë. Libri me titull Dhimitër S. Shuteriqi u botua më 2010 nga Akademia e Shkencave. Ai ishte anëtar i Akademisë që me hapjen e saj.
*
Emri i Shuteriqit i nderon letrat shqipe. Janë afro gjashtëdhjetë vjet veprimtari me interesa të shumanshme. Në jetën e tij mpleksen, përpjekje, kontradikta absurde, kënaqësi të punës krijuese, qëndrime që ishin edhe në kundërshtim me bindjet e veta intelektuale, por ai shihte përtej kohëve, në të ardhmen, me një shpirt të jashtëzakoshëm pune, që e bëri të realizonte një opus operandi të plotë në kohën e mungesës së plotërisë. Sigurisht që lexuesi nuk e njeh tërë veprën letrare dhe shkencore të tij, sepse ajo ka një shtrirje të gjerë e të thellë, por ai e dallon pasurinë stilistike të saj, duke lexuar vetëm pak faqe nga dy apo tre libra letrarë, si bie fjala Kangët e rinis së parë, 1935; Gurnecka,1957; Një mal me këngë, 1975; Kroje kam et, 1997; Sytë e Simonidës, 1998 dhe 2009 (postume), apo e kupton vlerën e kërkimeve identitare kulturore e historike, duke shfletuar librat Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 1879-1800; Nëpër shekujt letrarë; Moti i Madh, të cilët duhet të jenë si një triologji e pandashme për çdo bibliotekë të vogël shtëpiake, pa përmendur pastaj libra të tjerë që formojnë pak a shumë një katedrale balzakiane si Metrika shqipe , 1947; Folklora shqipe , 1947, 1949; Letërsi e re shqipe, antologji e komentuar, 1950; Çlirimtarët, 1952, 1954; Histori e Letërsisë Shqipe, 1955, 1959, 1983, Kënga dhe pushka, 1963; Maratonomaku ynë, 1977; Autorë dhe tekste, 1977; Te Qafa e Botës, 1986, kthimi në shqipen e sotme i poemave Këngët e Milosaos, 1976, i De Radës, dhe Mili e Hajdhia, i Zef Skiroit, 1992; Nga kënga e popullit, Mbledhës të folklorit, 1991; etj. Dhe në qoftë se lexuesi është shumë i kursyer në kohë, mund t’i kushtohet fillimisht tregimeve madhështore Ditët e sprasme të Gjorg Golemit, 1957, dhe Zot e rob, 1961.
Vepra e tij letrare e pasur me atmosferën, peizazhin dhe karakteret shqiptare, është në vetvete një punë sublimuese me fjalën shqipe, në të cilën shpaloset hijeshia e saj zanafillore. Aty ndiejmë lëvizjet e brendshme të gjuhës, njihemi me hollësi domethënëse situatash dhe me trajta të ndryshme psikologjike të personazheve. Dhuntia e tij krijuese, do të thoshim, shkëlqeu sidomos në prozën e shkurtër, e cila e bëri atë një ndër individualitetet dhe stilistët e papërsëritshëm të letërsisë shqipe. Ai sjell në letërsi një mënyrë të shkruari me njëlloj ndjesie estetike që u rri larg shqetësimeve të kota retorike. Frymëzimi i tij është jetësor, me një univers krijues që i përket realizmit. Të ndalesh në disa tregime të Shuteriqit, do të thotë të humbesh në lumturi dhe trishtim, sepse ato me vlerat humane që bartin, shndërrohen shpesh në teatër të mbarë shoqërisë shqiptare.
Në prozën e shkurtër, përveç tematikës shoqërore mund të veçohet tematika historike, ku lartësohen karaktere të paharrueshme, që herë-herë shkojnë deri në realizime figurash monumentale si Gjergj Arianiti, Marin Barleti, Martin Segoni, Dhimitër Kamarda, Helena Gjika, Dhaskal Todri, Ismail Qemali, Isa Boletini, Tefta Tashko e të tjerë, e cila përbën një anë tjetër të ndritshme të Shuteriqit prozator. Ai nxjerr përpara lexuesit emra që mund t’i mbulonte edhe harresa duke krijuar një traditë letrare të re. Ai i dha kësaj tradite shkëlqimin e merituar duke krijuar tipa dhe arketipa të pavdekshëm. Ecuria e tij shkrimore në tregimet historike nuk bie asnjëherë në melodramë, por krijon skena epiko-dramatike që kanë hyrë në kujtesën kolektive kombëtare.
Janë pastaj edhe vizatimet, njëqint e ca portrete si mjet tjetër i shprehjes artistike, që përbëjnë një nga pasionet e tij dhe që e zgjerojnë së tepërmi hapësirën e tij imagjinare duke ia theksuar përherë e më shumë individualitetin krijues. Kështu, ai nuk mbeti një bodlerian i vetmuar i poezisë, por u bë prote i kulturës shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX.
*
I pajisur me dije dhe kulturë klasike materialiste në një nga universitetet më të njohura të Francës dhe Europës, i udhëhequr nga pasioni i studiuesit dhe shkrimtarit, njohës i procesit dialektik të zhvillimit kulturor, ai është fat për kulturën e një kombi. Në vetëdijen e Shuteriqit gjuha dhe letërsia shqipe, janë vështruar si një tërësi historike e shoqërore në vazhdim, prandaj plotësimi i ndërtesës që ka ngritur ai, duhet të quhet një veprim i natyrshëm. Sepse kolonat e mëdha të kësaj letërsie me emrat Naim Frashëri, De Rada, Kristoforidhi, Çajupi, Noli, Mjeda e Migjeni, janë gdhendur deri në lartësi të ndritura nga puna e tij e palodhur. Futja në sistemin e sotëm letrar e disa emrave të shquar si Fishta, Kuteli, Konica dhe e ndonjë tjetri që nuk i pranoi koha e politizuar, e ka pasuruar përfytyrimin tonë për procesin letrar.
Njohës i qytetërimeve dhe kulturave të njerëzimit, duke e vështruar kulturën shqipe në marrëdhënie me kulturat e tjera në hapësirën ballkanike, europiane e më gjerë, duke e ushqyer kujtesën tonë intelektuale për periudhën letrare e paraletrare të gjuhës sonë, ai mund të quhet me të drejtë jo vetëm kërkues i burimeve kulturore, por sjellës i burimeve kulturore. Do të mjaftonte vetëm libri Tekstet Shqipe dhe shkrimi i shqipes në Vitet 879-1800, një rrugëtim i vetmuar dhe i heshtur në botën e dëshmive për formimin e etnokulturës shqipe, një fond i qëndrueshëm albanologjik për t’i dhënë kurorën e mirënjohjes së kombit. Por vepra e Shuteriqit është e madhe.
*
Puna me librin dhe dokumentin është pjesa më e rëndësishme e veprimtarisë së Shuteriqit. Kur njihesh me fondin e librave të bibliotekës së tij, kur shfleton ato me shënime pune apo me kushtime, kur sheh nëpër rafte libra që ishin të “ndaluar” për kohën, autorë të huaj apo shqiptarë që nuk i donte regjimi, kur lexon korrespondencën që flet kryesisht për libra dhe dokumente të zbuluara, kur njihesh me punën e tij nëpër biblioteka dhe arkiva, kur lexon shkresa që vërtetojnë se i ka dhuruar disa herë libra Bibliotekës Kombëtare, Shuteriqi merr një shugurim tjetër postume, atë të njeriut të lidhur ngushtë me librin. Sami Frashëri në veprën monumentale Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë? e që duhet të jetë libri numër Një i çdo biblioteke të shqiptarëve, shkruan: “Në ka një gjë, për të cilënë Shqipëtarëtë duhet të kujdesenë më të teprë, ajo pa ndryshim është Diturija”[14].
[1] GIONO Jean, L’Homme qui plantait des arbres, Paris, Gallimard Jeunesse, 1983, f.7.
[2] Franz BABINGER (1891-1967), historian, specialist gjerman i studimeve për perandorinë osmane në Mesjetë. Pas doktoratës filloi punë si profesor në universitetin e Mynihut. Me ardhjen e nazizmit në pushtet, ai u detyrua të largohej nga atdheu. Akademiku rumun Nikolae Jorga e ftoi në Bukuresht. Më 1948 rifilloi mësimdhënien në universitetin e Mynihut dhe e vazhdoi veprimtarinë studimore gjersa vdiq aksidentalisht në Shqipëri më 23 qershor 1967. Ai pati filluar kërkime edhe për fisin e Aranitëve.
[3] Gurin e plotë atëherë Shuteriqi e pati çuar në muzeun e Rrëshenit. Nuk e di nëse edhe ai muze ka pësuar fatin e zi që të jetë shkatërruar si shumë muze e objekte të tjera të së kaluarës, të cilat u ndërtuan me shumë mund e sakrifica.
[4] Mbi tryezën e tij të punës sot janë vendosur edhe “trofetë” që ka marrë: urdhri “Légion d’honneur”, dhënë nga ambasada Franceze, si dhe çmimi i karrierës “Penda e artë” dhënë nga ministria e Kulturës, të dyja më 2003, postume.
[5] Ai e lexonte shpesh Platonin. Në disa letra të kohës studentore do të gjesh mes tyre një të tillë, ku ai polemizon me të atin për këtë filozof. Librin e tij Apologjia e Sokratit, ai e kishte lexuar që në vitet ’30, kur e përktheu në shqip Spiro Konda dhe e botoi Hylli i Dritës.
[6] MIGJENI Vepra 1, Rilindja, Prishtinë, 1980, f. 120.
[7] Nuk e dimë nëse në Elbasan, në vendlindjen e tij, apo edhe në Tiranë ku punoi një jetë të tërë, bashkitë e këtyre dy qyteteve e kanë shtruar ndonjëherë për diskutim, por asnjë shkolle nuk i është dhënë emri i atij që i ka dhuruar aq shumë arsimit kombëtar.
[8] Fragment nga letra. Arkivi familjar.
[9] Fragment nga një letër dërguar Prof. Françesko Altimarit, Kozencë, Itali, 12 shkurt 1991. Arkivi familjar.
[10] Bisedë, shtator 1999.
[11] Është një histori disi paradoksale kur e tregon, por unë nuk u regjistrova dot më 1995 dhe 1996 për një doktoratë në Shqipëri, sepse pushteti në fuqi i ndalonte ata që ishin mbi 35 vjeç.
[12] Fragment nga letra e Shuteriqit, Tiranë, 20 janar 2000.
[13] Shuteriqi, Ditar, 26.05.2000. Arkivi familjar.
[14] Frashëri Sami, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhetë ? Krye e tretë, XIII. Diturija., N.Sh. Botimeve “Naim Frashëri”, f.79; (theksimi i fjalës Diturija, është i librit të Samiut).