More
    KreuArte pamoreFerid Hudhri: Arti në vitet e mbretërisë

    Ferid Hudhri: Arti në vitet e mbretërisë

    Gjatë viteve ’20-’30 të shekullit të kaluar shënohen disa nga ngjarjet dhe veprimtaritë më të rëndësishme të historisë së artit shqiptar. Në nëntor të vitit 1920 u hap në Korçë ekspozita vetjake e piktorit Vangjush Mio, e para e këtij lloji në  Shqipëri. Tre vjet më pas, më 1923, shoqëria “Rozafa” në Shkodër organizoi veprimtarinë më të madhe të asaj kohe – ekspozoi për herë të parë midis vizitorëve shkodranë tablotë e piktorëve Kol Idromeno, Ndoc Martini, Simon Rrota, Andrea Kushi, Zef Kolombi dhe autorëve të tjerë. Në një sallon të përbashkët u paraqitën veprat më të bukura të krijuara prej shumë vitesh. Siç do të shkruhej në shtypin e kohës, “i dhanë mundësi shqiptarëve me njohë visaret artistike që ishin ndrydh në gji të vet, tue nxitë kështu me krye vepra për herë e ma të larta”1. Në ekspozitën e Shkodrës ishte rasti i parë kur u shpallën çmime për autorët e pikturave. Vlerësimi më i lartë u nda midis artistëve Simon Rrota dhe Andrea Kushi. Në atë veprimtari u ekspozuan edhe 24 vizatime e tablo të atë Gjergj Fishtës, të cilin e caktuan më pas në jurinë e vlerësimit të veprave të artit, bashkë me Idromenon dhe artistin austriak Edwin Vorlicek.

    Katalogu i Ekspozitës së Parë Kombëtare, Tiranë, 1931

    Ekspozita e parë në qytetin e Tiranës u hap nga Vangjush Mio më 1928, disa vjet pas veprimtarive në Korçë dhe në Shkodër, por me fillimin e viteve ’30 Tirana kryeqytet u bë qendra e veprimtarive kombëtare të artit. Më 10 maj të vitit 1931 dy prej artistëve të rinj të asaj kohe, Odhise Paskali dhe Qenan Mesarea, themeluan shoqërinë “Miqtë e Artit” me synimin për “zhvillimin e Artit në çdo manifestim të tij”2. Veprimtaria kryesore nga kjo shoqëri do të ishte Ekspozita e Parë Kombëtare e Artit Shqiptar! Brenda dy javësh në sallat e lokalit më të parapëlqyer të asaj kohe, ish-kafe “Kursal”, në qendër të kryeqytetit u grumbulluan 158 tablo, portrete, peizazhe, skulptura dhe akuarele prej artistëve nga e gjithë Shqipëria. Të dielën e 24 majit 1931 në lulishten rreth “Kursalit” u mblodhën qindra banorë të kryeqytetit për ceremoninë e hapjes. Mirëpritja e vizitorëve ishte e jashtëzakonshme. “Ekspozita e Artit e mrekulloi publikun e Tiranës me kuptimin e lartë që mshihej nën bukurinë e shkëlqimit të saj”,2 – u shkrua në shtypin e kohës, ndërsa vizitorët e shumtë shpreheshin “paskemi thesare dhe nuk i ditkemi, turp që nuk i kemi ditur e s’i kemi çmuar këto talente”3. Në krye të ekspozitës ishin vendosur veprat e dy artistëve që nuk jetonin më: portreti “Doktor Prela” i vitit 1914 nga Ndoc Martini dhe busti “Skënderbeu” i vitit 1917 nga Murad Toptani. Artistët që u evidentuan midis 15 autorëve të kësaj veprimtarie ishin Idromeno, Paskali dhe Mio. Piktori Qenan Mesarea ekspozoi numrin më të madh të punimeve, 34 akuarele!

    Giuseppe Romagnioli, Mbreti Zog, medaljon i vitit 1938

    Nga shoqata “Miqtë e Artit” dhe Ekspozita Kombëtare mori shtysën e madhe ideja e hershme për krijimin e Shkollës së Artit. Dhe dita e themelimit nuk vonoi shumë. Mbi bazën e Kursit të Vizatimit që drejtohej prej Andrea Kushit që prej majit të vitit 1931, në Tiranë u ngrit e para Shkollë Arti në Shqipëri. Sipas shkresës së Ministrisë së Arsimit, me datë 29 janar 1932, “Komiteti Artistik ka themelue Shkollën e Vizatimit për me stërvitë në arte të bukura gjithë djemtë që tregojnë aftësi të veçantë. Shkolla është e drejtueme prej z. Prof. Mario Ridola i ndihmuar nga Andrea Thanasi, profesor i gjimnazit”4. Interesimi midis të rinjve ishte shumë më i madh nga sa mund të mendohej në atë kohë. Në ditën e konkurrimit për kursin e vizatimit u paraqitën 150 kandidatë, djem e vajza. Aty hodhën hapat e parë piktorët dhe skulptorët e ardhshëm që sot përbëjnë brezin e traditës shqiptare, si S. Kaceli, F. Stamo, N. Zajmi, K. Kodheli, Ll. Nikolla, B. Sejdini, Q. Grezda, A. Cangonji, S. Tuçi etj.

    Gjatë viteve ’30 u ngritën për herë të parë shtatoret prej bronzi në sheshet e qyteteve shqiptare. Me statujat “Luftëtari Kombëtar”, “Themistokli Gërmenji”, “Flamurtari” dhe “Çerçiz Topulli” të Odhise Paskalit, qytetet e Korçës, Vlorës dhe Gjirokastrës morën pamjen më të bukur të asaj kohe. Në kryeqytet dhe qytetet e tjera të vendit u vendosën gjithashtu buste të Skënderbeut, Kristoforidhit, Babë Dudë Karbunarës dhe Mbretit Zog, realizuar nga skulptorët Dhimitër Çani, Kol Shala, Llazar Nikolla dhe Odhise Paskali.

    Odhise Paskali, Statujë gruaje, ekspozuar më 1931 /Luftëtari Kombëtar, bronz, Korçë, foto e vitit 1932 / Flamurtari, bronz, Vlorë, foto e vitit 1932

    Ndër ngjarjet më të rëndësishme në vitet e mbretërisë do të mbetet Konkursi Ndërkombëtar për Monumentin e Skënderbeut. Nga qershori deri në nëntor të vitit 1937 u angazhuan për krijimin e figurës së heroit kombëtar të shqiptarëve artistë nga vende të ndryshme të Europës. Dy nga më të njohurit ishin kroati Antun Augustinčić (1900-1979) që fitoi çmimin e parë dhe bullgari Assen Peikoff (1908-1973) i cili, pas konkurrimit në Tiranë, shkoi në Itali ku skaliti statujën e Leonardo da Vinci-t për në aeroportin e Romës. Skulptori akademik i Italisë, Romano Romanelli (1882-1968), u caktua për realizimin e monumentit të Skënderbeut në bronz. Kështu në tetor të vitit 1940, në qendër të Romës, pranë Koloseumit u ngrit i pari dhe i vetmi monument ekuestër i krijuar deri tani për Gjergj Kastrioti Skënderbeun nga një artist i huaj. Prej skulptorëve shqiptarë në konkurs morën pjesë Odhise Paskali dhe Kol Shala.

    Mbretëresha Geraldinë, pikturë italiane e vitit 1939

    Përgjatë viteve ’20-’30, krahas autorëve të njohur italianë A. Biagini, G. Rosso, G. Gronchi dhe A. Maraini që realizuan skulptura, mozaikë, relieve dhe statuja për institucione qendrore në Tiranë dhe në Durrës, erdhën piktorë e skulptorë të tjerë nga Italia, Franca, Austria, Çekia, Gjermania, Serbia dhe Hungaria për të krijuar dhe për të ekspozuar veprat e tyre në kryeqytetin shqiptar. Në të njëjtën periudhë një grup të rinjsh shqiptarë, pasi kryen shkollat e artit nëpër Europë, u rikthyen në atdhe për t’i dhënë zhvillim të ri artit kombëtar. Ishte koha kur artistë vendas dhe të huaj pikturonin në të njëjtat mjedise dhe ekspozonin pranë njëri-tjetrit në sallonet e kryeqytetit. Aty ku i hapën ekspozitat V. Mio, Q. Mesarea, A. Zengo, po aty i paraqitën veprat e tyre edhe V. Ciardo, J. Bigou, C. Blohm, J. B. Bernolles, M. P. Barilli, A. Szuradorski, G. Popov, C. Musacchio si dhe artistët të tjerë nga vende të ndryshme të Europës.

    Otakar Čila, Mbreti Zog, tablo e vitit 1926

    MBRETËRIA SHQIPTARE NË ART

    Krahas subjekteve të ndryshme nga jeta shqiptare, autorët e huaj e kanë pikturuar në tablo apo e kanë gdhendur në skulptura figurën e mbretit, mbretëreshës dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes. Portreti i Ahmet Zogut u paraqit edhe nga artistët e vendit të tij, madje nga disa prej piktorëve e skulptorëve më të njohur të asaj kohe, si Spiro Xega, Odhise Paskali, Andrea Kushi, Zef Kolombi, Dhimitër Çani, Kol Shala dhe Llazar Nikolla. Pas vitit 1939, kur familja mbretërore u largua nga vendi, humbi pjesa më e madhe e krijimeve të ndryshme të artistëve të huaj që u realizuan gjatë viteve ’20-’30. Sot nuk po gjenden as punimet e autorëve shqiptarë, të cilat mund të jenë dëmtuar kur u hoqën nga ekspozimet pas vitit 1945. Gjatë kërkimeve dhe studimeve për krijimtarinë me temë shqiptare të artistëve të huaj kanë dalë në dritë edhe shumë vepra të tjera kushtuar mbretërisë shqiptare.

    Lusien Ainger, Gra të veshura me xhubleta dhe Pastrimi i rrugëve në Tiranë, foto të vitit 1938

    Ndër më të njohurit midis autorëve të huaj, Otakar Čila, kur erdhi në vitin 1926 për të dekoruar sallën e parlamentit, realizoi portretin e parë që njihet deri tani kushtuar Ahmet Zogut. Po atë vit edhe skulptori italian Giuseppe Romagnoli e gdhendi portretin në medaljon. Krahas fotove nga Kel Marubi dhe një fotografie të realizuar në Vjenë, riprodhimet e tablosë së piktorit Čila u përdorën si portrete zyrtare nga administrata shtetërore, po ashtu edhe nëpër zyrat dhe mjediset e tjera të asaj kohe. Mbi bazën e kësaj pikture e rikrijoi portretin e Zogut edhe artisti amerikan Frank Davidson, i njohur gjatë viteve ’20-’30 të shekullit të kaluar për shumë vizatime dhe karikatura me temë nga jeta shqiptare.

    Pas vitit 1928, kur Zogu u shpall Mbret, u realizuan disa portrete, buste, tablo e vizatime të tjera nga një grup autorësh të huaj, si Aldo Carpi, Arturo Sala dhe Mario Prayer më 1928, Mihaly Meszaros më 1930, Cesare Musacchio më 1937, Francesco Vacca më 1939 etj.

    Tirana e fundviteve ‘30, peizazh nga Vangjush Mio

    Portreti në gravurë i artistit italian Adelmo Manna u pëlqye më shumë nga gjithë punimet e mëparshme. U cilësua si vepra më e arrirë kushtuar figurës së Ahmet Zogut. Sipas njoftimeve të shtypit, në korrik të vitit 1931 Këshilli i Ministrave vendosi “të zëvendësohen fotot e Mbretit si të papërshtatshme dhe si model për fotografitë e reja u zgjodh ritrati i punuar nga z. Adelmo Manna”5. Në dispozicion të entit kombëtar “Djelmnia Shqiptare” u caktua fondi 10000 franga ari për të printuar qindra gravura me titullin “Zog I, Mbret i shqiptarëve”, sipas vizatimit të piktorit Manna.

    Piktori Martin de Hosszu, kur erdhi nga Budapesti për Ekspozitën e Artistëve Shqiptarë, qëndroi gjashtë javë i ftuar pranë Oborrit Mbretëror. Aty u krijua edhe “studioja” e tij e përkohshme. Gjatë atyre ditëve pikturoi portretin e Zogut. Ende nuk e kemi imazhin e asaj tabloje, ndërkohë vetë autori në intervistën që dha në një gazetë vjeneze (Neues Winer Journal, Wiene, 15.7.1931), krahas përshtypjeve nga Shqipëria, tregon se portreti është pëlqyer nga vetë Mbreti.

    Mario Maraini, Statujë gruaje, mermer, ish vila mbretërore, Tiranë

    Për të pikturuar Mbretin Zog zbriti nga Graci i Austrisë edhe piktori Oskar Stössel (1879-1964), i mirënjohur për realizimin e portreteve të shoqërisë së lartë vjeneze. Në Tiranë ende nuk jemi ndeshur me të dhëna të sakta rreth qëndrimit dhe pikturimeve të Stössel-it. Sipas shënimeve në departamentin e printimeve dhe vizatimeve të Muzeut Britanik, del se pikturimi është bërë në vitin 1934 dhe po atë vit i është dhuruar këtij muzeu nga Shoqata e Artistëve Bashkëkohorë në Londër (Conteporary Art Society, London). Zakonisht, portretet e porositura mbeten pronë e të portretuarit. Ndoshta punimi në pastel që ruhet në institucionin britanik do të jetë varianti i parë i tablosë me ngjyra vaji që është realizuar më pas për mbretin e shqiptarëve.  

    Tabloja më e bukur dhe më e rëndësishme kushtuar familjes mbretërore shqiptare u krijua nga piktori italian Mario Cavalin. Aty paraqitet çasti ceremonial i dasmës kur çifti mbretëror, i shoqëruar nga familjarët, nga personalitetet më të larta të vendit, nga përfaqësues të shteteve të huaja, të rrethuar gjithashtu nga të afërm e të ftuar të tjerë, qëndrojnë përpara dy zyrtarëve vendorë për të nënshkruar celebrimin e Mbretit Zog me konteshën Geraldina Appony. Në plan të parë janë pikturuar edhe dëshmitarët e çiftit, ministri Ciano dhe konti Appony, ish-delegat i Hungarisë në Ligën e Kombeve. Tabloja është në përmasa të mëdha, me shumë  personazhe të njohura të kohës, të pikturuara deri në detaje. Është ilustrimi më real dhe më i bukur i atij çasti historik.

    Otacar Čila, Djaloshi nga Kërraba, pikturë e vitit 1926

    Kjo pikturë na dëshmon botën shqiptare gjatë viteve ’30. Duke e krahasuar me tablonë “Pazari i Tiranës” të Mario Ridola-s, pikturuar në të njëjtën periudhë, shohim qartë edhe kontrastin e atyre viteve midis trashëgimisë lindore dhe prirjeve të reja drejt perëndimit. Edhe përmes veprave të artit duket se jeta shqiptare po ecte më shpejt drejt qytetërimit europian. Statujat e Paskalit dhe peizazhet e Mios, të krijuara në Tiranë dhe në Korçë, vendoseshin edhe në sallonet e Torinos, Romës, Venecias apo të Bukureshtit. Vajzat dhe gratë e Tiranës, siç shihet edhe te piktura Mario Cavalin-it, filluan të vishen si bashkëmoshataret e tyre në Paris, Romë dhe në Vjenë. Dy artistet e reja shqiptare, Androniqi Zengo dhe Pina Mosku, çelën ekspozitat e para në Tiranë, në të njëjtën ditë, më 4 dhjetor të vitit 1937. Motra tjetër Zengo, Sofika, vazhdonte të pikturonte në Korçë, ndërsa skulptorja e parë shqiptare Kristina Koljaka studionte në Akademinë e Arteve të Romës. Tri artistet e para ishin të diplomuara në Athinë, Bukuresht dhe Paris.

    Mbretëresha Geraldinë, e vlerësuar për bukurinë dhe elegancën, do të ishte bërë objekt i një numri më të madh veprash arti, por koha e mbretërimit të saj në Shqipëri nuk zgjati më shumë se një vit. Gjithsesi, tri grafikat me ngjyra nga Margaret Hagan dhe portreti i realizuar nga një piktor italian për revistën Domenica del Corriere të vitit 1938 dëshmojnë se mund të jenë krijuar edhe punime të tjera artistike. Ndërkohë Geraldina është figura kryesore që rrezaton dritë midis gjithë personazheve të tablosë “Dasma mbretërore në Tiranë”.

    Mario Ridola, Pazari i Tiranës, tablo e vitit 1931, GKA, Tiranë

    Një bust i Mbretit Zog i gdhendur nga skulptori spanjoll José Torres Guardia (1932-2017) doli në dritë në vitin 2009 nga shtëpia e ankandeve të veprave të artit Christie’s në Londër. Portreti është i derdhur në bronz, i vendosur mbi bazament mermeri. Nuk ka të dhëna të sakta për kohën dhe vendin e realizimit. Në kartelën e veprës shkruhet se mund të jetë realizuar rreth vitit 1935, por ajo datë është e pamundur, vetë skulptori ka lindur në vitin 1932. Ka më shumë mundësi të jetë krijuar në vitet ’50-’60 të shekullit të kaluar, në atë periudhë kur Torres u bë i njohur me bustet e tij në bronz mbi bazamente mermeri apo prej guri.

    José Torres, Ahmet Zogu, bronz,
    koleksion privat, Londër

     Skulptura e Torres-it dëshmon se për Ahmet Zogun janë realizuar vepra arti edhe gjatë kohës që ndodhej në azil. Kur qëndroi në Londër, një portret i tij, i printuar në studion Bassano, ku janë fotografuar pjesëtarë të shoqërisë së lartë londineze, u vendos në fondin e Galerisë Kombëtare të Portreteve në Angli. Në koleksionin e veprave me figurën e Mbretit Zog regjistrohen edhe punime të tjera, si tabloja e pikturuar në Paris nga artistja e njohur turke Hale Asaf dhe disa ilustrime, vizatime e karikatura që u botuan në gazetat e revistat e kohës.

    Prej artistëve që erdhën gjatë viteve ’20-’30 për të pikturuar portretin e Mbretit, u pasurua më shumë edhe koleksioni i veprave të tjera me motive shqiptare. Gjatë kohës që pikturonin në familjen mbretërore, autorët e huaj krijuan edhe peizazhe, portrete e tablo me temë nga jeta e përditshme në kryeqytet dhe krahina të tjera të vendit. Edhe fotografi i njohur Lucien Aigner (1901-1999), që erdhi posaçërisht për ceremoninë e dasmës në prill të vitit 1938, na ka lënë disa imazhe të rralla, të cilat i fiksoi po ato ditë nëpër rrugët dhe mjediset e tjera të Tiranës. “Gra me xhubleta” dhe “Pastrimi i rrugëve në kryeqytet” janë dy nga krijimet më tipike të asaj kohe.

    Mario Cavalin, Portret gruaje, pikturë e vitit 1938, GKA, Tiranë

    Pas rikthimit të familjes mbretërore në atdhe u krijuan më shumë mundësi për gjetjen dhe grumbullimin e veprave të artit që mungojnë, për pasurimin e mëtejshëm të pinakotekës me tablo e skulptura kushtuar botës shqiptare. Në koleksionin mbretëror bëjnë pjesë edhe disa piktura dhe objekte të tjera artistike të grumbulluara dhe të ruajtura prej shumë vitesh nga Paul Adamid bej Frashëri (1904-1907). Para se të vendoseshin në Tiranë ato ruheshin te Fondacioni Mbretëror Shqiptar i themeluar me ndërmjetësinë dhe nën patronazhin e mbretëreshës Geraldinë në vitin 1984. Ditën e përurimit koleksioni u quajt “Muze Shqiptar në vend të huaj”. Muzeu u hap në Kështjellën e Kapelës së Anzhijonit (Château de la Chapelle d’Angillon) në Francë, të cilin e administroi konti Jean d’Ogny, pronar i kështjellës6. Pasi e mbajti të hapur për publikun për më shumë se 25 vjet, konti francez, koleksionin e Fondacionit Shqiptar ia dorëzoi familjes mbretërore në Tiranë në vitin 2011.

     _____________________________

    1. Ekspozitë pikturash kombëtare, revista Hylli i dritës, nr. 2, f. 12, Shkodër, 1923.

    2. Një shoqni për zhvillimin e Artit në kryeqytet, gazeta Vullneti i popullit, nr. 320, Tiranë, 10 maj 1931.

    3. Gurra, M. S.: Mbyllja e ekspozitës së atit, gazeta Ora, nr. 388, f. 2-3, Tiranë, 3 qershor 1931.

    4. Arkivi i Shtetit Tiranë, Fondi i Ministrisë së Arsimit, dosja 16.

    5. Fotografia e N. M. Tij Mbretit, Gazeta Shqiptare, n. 168, f. 4, 17 korrik 1931.

    6. Një muze shqiptar në vend të huaj, gazeta Dielli, vol. 78, n. 15, f. 2, Boston, 16 tetor 1984; Frashëri, T.: Paul Adamidi bej Frashëri dhe “Koleksioni mbretëror”, gazeta Shqiptarja.com, f. 16, Tiranë, 5 shkurt 2012.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË