Kreu Letërsi Botime të reja Fatos Kongoli: Kapitulli i Amerikës

Fatos Kongoli: Kapitulli i Amerikës

fragment nga romani, Botimet Toena, 2020

Një ndër shqiptaro-amerikanët më të shquar, që Rastësia e gjithëfuqishme e solli ta takoja atje, ku ajo më gatiste kurdoherë befasitë e saj, në një aeroport, është zoti Shpëtim Telegrafi, autoritet shkencor në fushën e mjekësisë, i nderuar dhe i vlerësuar lart në SHBA dhe kudo nëpër botë.

Unë nuk e njihja zotin Telegrafi. Si doli, ai njihej me vëllanë tim Rolandin, dhe me kushëririn tim të parë, Engjëll Kongolin, në vitet kur kishte punuar në Elbasan njëkohësisht me ata të dy. Këtu po ia lejoj vetes t’i largohem pak temës, të hap një parantezë; gjej rastin, më në fund, të them dy fjalë për kushëririn tim të ndjerë, Engjëll Kongolin. Pa e ditur as ai vetë, Engjëlli ka ndikuar jo pak në formimin tim, si shembull i njeriut të aftë e të talentuar.

 Kur e kam ndeshur për herë të parë Engjëllin, nga mesi i viteve ’50 të shekullit të kaluar, ne banonim ende te shtëpia dykatëshe prej qerpiçi përballë ish-Shtëpisë së Oficerëve (më pas Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve), që e kam përshkruar te romani “Kufoma”. Engjëlli sapo ishte kthyer nga Hungaria, ku kishte qenë student për mjekësi. Më e saktë është të thuhet se sapo e kishin kthyer, për shkak të ndërprerjes së studimeve. Dëgjoja të thuhej se arsyeja që ia paskëshin ndërprerë studimet kishte qenë, ndër të tjera, një marrëdhënie dashurie e tij me vajzën e ambasadorit amerikan në Budapest! Tani mendoj se në atë kohë, ky fakt mjaftonte që ai të shihej nga të gjithë si “delja e zezë”. Por unë sapo kisha shkelur në adoleshencë, ndërsa Engjëlli i përkiste botës së të rriturve. Për më tepër, unë ende nuk e dija kuptimin e metaforës “delja e zezë”, për të përfytyruar mirëfilli ç’po i ndodhte atij. Gjatë atyre ditëve që bujti te ne, unë thjesht e shihja me një lloj kërshërie.

U miqësova me Engjëllin në një kohë tjetër, në vitet ’68-’69, në qytetin tonë të lindjes, në Elbasan. Ai punonte si mjek radiolog në ambulancën e qytetit, unë në gjimnazin “Dhaskal Todhri”. Kërshëria ime ndaj tij mbetej po ajo e dikurshmja, kur kishte bujtur në shtëpinë tonë. Nuk e teproj po të them se ai ishte për mua një personazh i jashtëzakonshëm. Jo se e shihja me syrin e shkrimtarit, si protagonist të ndonjë prej romaneve të mia të ardhshme. Në atë kohë unë vërtet kisha filluar të botoja ndonjë tregim, por isha ende një letrar i ri, as që më shkonte nëpër mend se do të shkruaja romane. Aq më pak ta shihja Engjëllin si protagonist. “Delja e zezë” e dikurshme dilte jashtë skemave të kohës. Mbi të gjitha, unë ende nuk e njihja letërsinë e vërtetë, objektin e saj. Dhe, pavarësisht disa muajve shërbimi si mësues në një fshat të thellë malor të Elbasanit, ku hasa pamje krejt të ndryshme të realitetit, nga ato që jepeshin përmes propagandës së ditës, isha i papërvojë, pra nuk njihja as jetën. E, megjithatë, këto nuk më penguan që ta shihja Engjëllin si një personazh të jashtëzakonshëm.

Takimet me të në Elbasan, më përftonin një kënaqësi të vërtetë. Përveçse mjek i shkëlqyer radiolog, siç e pohonin të gjithë, ai ishte mjaft i kulturuar, gllabërues librash, njohës i disa gjuhëve të huaja, të cilat i fliste rrjedhshëm. Një talent i vërtetë. Ai gjithmonë kishte shkëlqyer, edhe në Budapest, si student, ku ia kishin ndërprerë studimet, edhe në Tiranë, ku i kishte përfunduar. Dikush tjetër në vend të tij, me këto cilësi, do të kishte mundur të bënte një karrierë të sigurt. Në këtë pikëpamje Engjëllit nuk i kishte munguar asgjë. Djalë i një mjeku të nderuar, me emër të madh në qytetin e Elbasanit dhe Beratit, pushkatuar nga nazistët në dhjetor të vitit 1943 – rreth dy javë para se të vija unë në jetë – ai vetë kishte dalë partizan që në moshën katërmbëdhjetëvjeçare. Mirëpo Engjëlli nuk kishte asnjë prirje për karrierë, përkundrazi. Shpesh, duke e çuar subjektivizmin tim, ndoshta në pikën e skajshme, them me vete se ai njeri plot dhunti, ishte lindur në vendin e gabuar, në kohën e gabuar. Sepse, si çdo qenie njerëzore, edhe ai kishte dobësitë e veta, e këto dobësi e çuan në burg.

Unë nuk ia zura kurrë me gojë Engjëllit vitet e burgut. Më vonë, pas vdekjes së tim ati, gjeta midis materialeve të lëna prej këtij të fundit, edhe një letër, që Engjëlli ia dërgonte nga burgu. As këtë nuk ia zura kurrë me gojë Engjëllit. Është një letër prekëse, pendesa e një njeriu të zënë në faj, ku kërkon ndjesë për shqetësimet që u ka shkaktuar të gjithëve, familjes së tij, të afërmve, tim ati, të cilin e konsideronte në vend të babait.

Atë e arrestuan kur punonte si mjek në Gjirokastër, dhe e dënuan plot dymbëdhjetë vjet. Midis akuzave, me sa mbaj mend nga bisedat në familje, ishte edhe ajo për tentativë arratisjeje. Nuk më takon mua të merrem me faktin se sa qëndronin akuzat kundër tij, në çfarë rrethanash iu bënë, kush dhe pse ia bëri etj. E vërteta është se nga dymbëdhjetë vjet që e dënuan, Engjëlli kaloi në burg vetëm dy apo tre vjet. Fill pas lirimit, qe vendosur në qytetin e lindjes.

Miqësinë dhe afërsinë tonë, jo thjesht si kushërinj të parë, ne e ruajtëm edhe më vonë, kur nga Elbasani ai erdhi dhe u vendos në Tiranë. Po ashtu, vazhduam bisedat pa fund për librat, për letërsinë. Që nga viti 1996, unë banoja në një apartament, në zonën e quajtur “Pallatet 1 Maji”. Në pallatet aty rrotull banonin edhe Kongolë të tjerë, motra e Engjëllit dhe dy vëllezërit e tij, pranë njëri-tjetrit, pranë meje gjithashtu. Në atë apartament ai jetoi deri në fund, kur pas disa problemesh shëndetësore u shua.

Dua ta mbyll këtë parantezë për Engjëllin me një konstatim. S’më ka ndodhur të ndesh ndonjë mjek që të mos ketë qenë njohës i stërholluar i letërsisë. Në mos në kuptimin që i japin këtij nocioni studiuesit, së paku që të mos ketë qenë lexues i rregullt, deri në gllabërues librash. Në këtë pikëpamje mendoj se ka ngjashmëri të shumta midis shkrimtarit dhe mjekut. Nuk duhet të jetë e rastit që disa shkrimtarë të përmasave botërore, fjala vjen Anton Çehovi, kanë qenë mjekë. 

Atë ditë, kur zumë vend bashkë me Lilin në avionin e linjës Tiranë-Vjenë, unë nuk mund ta merrja me mend se personi në ndenjësen përpara nesh, ishte mjek, aq më pak një mjek mjaft i shquar urolog. Më tërhoqi vëmendjen thjesht sepse në ndenjësen pranë tij ishte ulur një e njohura ime e vjetër, të cilës tani ia mbaj mend vetëm emrin, e quanin Vera. Vera ishte një vajzë simpatike, me sy e flokë të zinj, ish-punonjëse në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”. Duke qenë se “Naim Frashëri”, ku punoja unë, për një kohë të gjatë ka ndarë të njëjtën godinë me Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”, ndodhte të shiheshim shpesh korridoreve apo nëpër shkallë etj. Vera kishte studiuar për gjuhë angleze dhe aso kohe punonte në redaksinë e përkthimeve. Nuk shiheshim dhe s’dinim asgjë për njëri-tjetrin prej një çerek shekulli.

Gjatë fluturimit për në Vjenë, mësova prej saj se ndodhej në Kanada, së bashku me një ish-kolegen time në gazetën “Drita”, drejtoresha më e fundit e Shtëpisë Botuese “8 Nëntori”, rrjedhimisht edhe shefja e saj më e fundit, Frida Idrizi. Po gjatë fluturimit krijova gjithashtu përshtypjen se burri fjalëpakë, me të cilin më prezantoi, ishte një i njohur i saj. Kjo përshtypje doli e pasaktë. Në Vjenë, për inerci, ne qëndruam bashkë për një kafé, dhe gjatë bisedës kuptova se takimi i Verës me atë person, kishte qenë po aq i rastit sa takimi me mua dhe nuk njiheshin. Tek pinim kafé, Vera e solli fjalën te romani im “Lëkura e qenit”. Ajo më tha se ky libër i kishte pëlqyer shumë dhe kishte dëshirë ta përkthente në anglisht. Ajo më pyeti nëse unë isha dakord, që ajo ta përkthente romanin tim në anglisht. Të them të drejtën unë nuk i dija aftësitë e Verës në përkthimin e letërsisë artistike, s’dija që ajo të kishte përkthyer ndonjë libër të kësaj natyre. Megjithatë, më shumë për mirësjellje, i thashë se nuk kisha ndonjë kundërshtim, përkundrazi, por nuk ngurrova t’i bëja një paralajmërim: të mos i hynte një pune të tillë pa gjetur më parë një shtëpi botuese. Me gjithë dëshirën e mirë të Verës, ky projekt nuk u realizua.

Më tej, për përkthimin dhe botimin në anglisht të romanit “Lëkura e qenit”, u interesua një shqiptaro-amerikane, zonja Eralda Lameborshi. Aktualisht, zonja Lameborshi jep leksione të “Letërsisë së krahasuar”, në “Stephen F. Austin State University”, në Teksas. Një ditë mora prej saj një e-mail, përmes të cilit shprehej me vlerësimet më të mira për romanin tim, kishte dëshirë ta përkthente në anglisht dhe kërkoi pëlqimin tim. Sigurisht, rashë dakord, madje, me kërkesën e saj, nënshkruam edhe një kontratë formale. Zonja Lameborshi, të cilën nuk pata mundësi ta takoja ndonjëherë, por komunikuam vazhdimisht përmes internetit, më vuri në dijeni se tashmë kishte përkthyer nja dy kapituj të librit, dhe ia kishte çuar një botuesi universitar. Më pas përktheu edhe sprovën time “Një ëndërr europiane mes Al Paçinos dhe Kavabatës”, të cilën e kishte gjetur po vetë. Këtë të fundit, si më shkroi, ia kishte paraqitur për botim një reviste. Mirëpo të dyja këto përpjekje të saj dolën pa sukses. Gjithsesi, përfitoj këtu edhe një herë ta falënderoj nga zemra.

Me gjithë kuptimin e fjalës, ka qenë një fat për mua që rasti e solli të njihesha atë ditë me zotin Shpëtim Telegrafi. Para se të zinim vend në avion për të vazhduar fluturimin drejt Nju-Jorkut, ai më dha kartëvizitën e tij. Kur ai më dha kartëvizitën, as që më shkoi nëpër mend se shumë shpejt do të më duhej ta përdorja atë në çastin e një krize akute, si thonë mjekët.

Nja dy-tri ditë pasi mbërritëm në Nju-Jork, tek bënim me Lilin ecjen tonë të zakonshme në mëngjes herët, te shëtitorja buzë oqeanit, urinova me gjak. Aty për aty nuk pata ndonjë dhimbje, madje fillimisht nuk desha ta besoja, mbase më kishin bërë sytë. Nuk i thashë gjë as Lilit.

Disa minuta më vonë urinova sërish dhe përsëri me gjak, pra shqisat nuk më gabonin. Meqë s’pata ndonjë dhimbje nuk u merakosa dhe aq, sërish nuk i thashë gjë as Lilit, por kur u ktheva në shtëpi s’munda të mos shqetësohesha.

Ishte ende shumë herët. Pa i bërë dot ballë tundimit, dhe gjithnjë pa i thënë Lilit asgjë, iu drejtova kompjuterit: desha të mësoja domethënien e urinimit me gjak. Hasa lloj-lloj interpretimesh, deri te kanceri i veshkave. Të them të drejtën e humba toruan dhe mendja më vajti vetvetiu te doktor Shpëtimi, me të cilin isha njohur vetëm para dy-tri ditësh. Nuk e mbaj mend mirë nëse e mora në telefon, apo i dërgova një e-mail, ku ia shpjegoja gjendjen time, që ndërkaq po përkeqësohej, kisha filluar të ndieja edhe dhimbje, që dora dorës po bëheshin të forta. Fakti është se doktor Shpëtimi m’u përgjigj menjëherë. Ai më tha të shkoja tek ai në klinikën ku punonte, rreth orës dymbëdhjetë të asaj dite.

Klinika në fjalë ndodhej në Manhatan. Rajoni i policisë ku shërbente Doriani ndodhej gjithashtu në Manhatan, kështu që ai nuk e pati të vështirë për të na çuar mua dhe Lilin drejt e te doktori. Nuk do ta harroj kurrë kujdesin që tregoi ndaj meje ai njeri fisnik. Sapo e lajmëruan, erdhi në sallën ku qëndruam fare pak, dhe më kërkoi ta ndiqja drejt mjedisit ku priste pacientët. Atje më bëri edhe një eko të veshkave. Fjala ishte për gurrëza në veshka, një thërrmijë kishte rrëshqitur në kanalin urinar, shkaku i dhimbjeve. Ai e nuhati se isha i trembur dhe për të më qetësuar më tha me shaka që të mos merakosesha, do të hiqja ca, por nuk do të vdisja! Dhe, para se të largohesha, më dha dy kutia të vogla, mbushur me hapje.

Dhimbjet më pushuan sapo u kthyem në shtëpi dhe piva hapjet, sipas udhëzimit të doktorit. Afër mbrëmjes, kur unë praktikisht nuk ndieja më as dhimbje, as nuk urinoja më me gjak, ai më mori në telefon. Më pyeti si isha, dhe unë iu përgjigja se isha fare mirë, hapjet e tij më kishin lehtësuar menjëherë, më kishin shpëtuar gjithashtu nga urinimi me gjak. Megjithatë, doktori nuk ngurroi të më jepte një porosi: nëse ndieja prapë dhimbje të mbushja vaskën e banjës me ujë të ngrohtë dhe të zhytesha në ujë. Po ta shihja keq, të nesërmen të shkoja prapë tek ai, në klinikë.

Nuk doli nevoja. Më pas unë nuk pata asnjëherë një problem shëndetësor të kësaj natyre, ndonëse hapjet që më kishin tepruar i ruajta për një kohë të gjatë. Shënoj se ky ka qenë rasti i parë që m’u desh të shkoja te klinika në Manhatan. Them kështu sepse rreth një vit më vonë unë shkova përsëri atje. Pas një kontrolli dhe analizave në Shqipëri për prostatën, lindën ca dyshime dhe me porosinë e mikut tim të vjetër doktor Nestor Thereckës, unë vajta përsëri te doktor Shpëtimi. Doktori u tregua sërish i gatshëm të më ndihmonte dhe më shoqëroi te një koleg i tij i klinikës, një mjek amerikan, specialist i prostatës. Ky më vizitoi, u hodhi një vështrim analizave që kisha bërë në Shqipëri dhe më qetësoi përfundimisht: gjendja e prostatës sime ishte normale, në përputhje me moshën. Mbaj mend se në këtë vajtje të dytë te klinika në Manhatan, më shoqëroi Elda.

Përtej problemeve shëndetësore, kujtimi më i bukur i njohjes sime me doktor Shpëtimin është një tjetër vizitë, kësaj radhe jo te klinika në Manhatan. Një vizitë në shtëpinë e tij, ku ai na ftoi mua dhe Lilin të shkonim për drekë.

Doktori banonte në një nga lagjet më shik të Nju-Jorkut, lagje njerëzish të kamur, në zonën e quajtur “Upstate”. Takimin na e la te klinika në Manhatan dhe prej andej, me makinën e tij, vajtëm në “Upstate”. Një hapësirë e qetë, plot gjelbërim, e pyllëzuar.

Makina ndaloi para një vile dykatëshe, me një garazh të madh përbri, tipike amerikane. Atje na priti bashkëshortja e doktorit, me të cilën Lili u miqësua shumë shpejt. Madje, pasi drekuam, gruaja nuk ngurroi ta ftonte Lilin për të parë të gjitha ambientet e vilës së madhe. Kuptohet, Lili mbeti e mrekulluar.

Pasdite, atje mbërritën për të na marrë ne, Dori me bashkëshorten e tij, Irinën. Të zotët e shtëpisë këmbëngulën që ata të uleshin për të ngrënë dhe, ç’është e vërteta, ata nuk i bënë fort naze tryezës që u shtruan. Para se të largoheshim, në shenjë falënderimi, Dori i dha doktorit diçka që ky e vlerësoi jashtëzakonisht. Mendoj se ia vlen të ndalem në atë “diçka”, që doktori e vlerësoi aq shumë.

Im bir, si të gjithë oficerët e policisë së Nju-Jorkut, zotëronte një numër të caktuar kartash, me përdorim vjetor, në formatin e një kartëvizite. Këto ai mund t’ua jepte pjesëtarëve të familjes, apo disa të njohurve, që të mund t’i përdornin. Si dhe pse? Për t’ia paraqitur oficerëve të tjerë të policisë, në rast se ndaloheshin prej tyre për kundërvajtje, fjala vjen në shkelje të rregullave të qarkullimit, parkime të gabuara etj., e kështu t’u shmangeshin gjobave.

Sado e çuditshme të duket, kjo është e vërtetë. Kur ia kam treguar këtë fakt një mikut tim gjerman, ai nuk deshi ta besonte. Mirëpo, jo çdo gjë e Amerikës është e kuptueshme në Europë. As kjo shenjë solidariteti në familjen e madhe të policisë së Nju-Jorkut, që më shumë tingëllon si privilegj “brenda llojit”. Ja përse doktor Shpëtimi e vlerësoi mjaft kartën që i dha Doriani.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Anna Dostojevskaja: Një bisedë me Tolstoin

Me konteshën Sofia Andrejevna Tolstaja jam njohur në vitin 1885, kur në një nga ardhjet e saja në Peterburg ajo, e panjohur...

Arb Elo: Piramidale

1. Pas njëzet e ca vjetësh prej botimit të parë, u bëra mbarë të lexoj “Piramida” e I. Kadaresë,...

Yzedin Hima: Vjeshta e përjetshme e Dhori Qiriazit

I harruar në atë fushëtirë të ngrirë në këmbë të maleve në Juglindje, Dhori Qiriazi shëtit pasditeve më tepër brenda vetes se...

Ali Aliu: Ndryshe ndihem mirë në Shkup, ndryshe në Tiranë, ndryshe në Prishtinë

Intervistoi: Bujar Hudhri I nderuar profesor, kujtimet e fëmijërisë nga Kranja, fshati juaj i lindjes buzë liqenit të...