More
    KreuOpinionFatmir Musaj: Triptik për Kadarenë

    Fatmir Musaj: Triptik për Kadarenë

    1. Një libër jastëku!

    Janë ca libra që e tejkalojnë ndjeshëm të qenit libra dhe shndrrohen në manifeste. Ndryshe, mund t’i quajmë dhe “libra jastëku”, para të cilëve shndrrohen në liliputë dhe librat pandemikë bestseller!

    Kështu ishte për ne studentët e gjuhë-letërsisë libri “Autobiografia e popullit në vargje” e Ismail Kadaresë, i botuar në vitin 1971. Libër jastëku! Lexuar e rilexuar disa herë. Dhe jo vetëm kaq: Duke qenë nën jastëk, ai ishte i skeduar dhe i gatshëm që vetëm me dy-tre lëvizje dore të shfletohej e të mund të gjeje në të atë që të duhej… aq më tepër për ne studentët që ishim projektuar për të dhënë letërsinë nëpër gjimnaze. …

    Ishte koha kur jo vetëm ndjehej në ajër, po edhe zbarkonin në tokë rrebeshe parathënëse breshëri se “Kadareja shkruan për shijet e të huajve e jo të shqiptarëve”, se “Sidomos me folklorin atë e ndan një det i tërë”!… Ndërkohë, për mendjen e formimin tim të atyre viteve, “Autobiografia…” ishte krejtësisht e kundërta: Hyjnizim i kësaj letërsie tradicionale gojore! Duke nisur që në përzgjedhjen e majasë së saj e deri në atë depërtim mjeshtëror për të zbuluar e nxjerrë në dritë të diellit arin e padukshëm të shpërndarë në tonelatat e xeherorit të artit folklorik popullor. (Vite më pas, si mësues gjimnazi, kudo do shprehesha se, “Autobiografia” duhet kthyer në një tekst-test i domosdoshëm e i detyrueshëm në programet e degës së gjuhë-letërsisë në universitetet tona të shumta… se nuk mundet një mësues letërsie të kryejë një koment, këtë pjesë krijuese vetjake të orës mësimore, pa kaluar në praktikat e shumta model të këtij libri!) …

    Besoj që ky ishte prologu pse unë, studenti i vitit të tretë të gjuhë-letërsisë në vitin e largët 1977, kërkova që si temë parapërgatitore diplomimi pas një viti, të guxoja të formuloja si kërkesë temën: “Karakteri popullor i krijimtarisë së Ismail Kadaresë”! …

    Në nënvetëdije më brente një merak: Po sikur të ma keqinterpretojnë?… (Ҫ’është ky palo student që del kundër perceptimit tërësor, veçanërisht ndaj natyrës jopopullore të Kadaresë?!… dhe, mirë që “Autobiografinë” na e klasifikoka si Dashuri ndaj popullit, po na e shtrika edhe si formim të autorit në krejt krijimtarinë e tij?!)… Po një Nënzë tjetër më përgjgjej: Fundja, ç’do më bëjnë?… një politikë penale, sepse unë hyj te ata me “biografi të mirë”! …

    Kështu u hëngra e u griva me vetveten, deri sa, pas një bisede me profesorin tonë, të mirin, Ali Xhiku, shefin e katedrës së letërsisë, i cili, pasi më dëgjoi për linjat e perceptuara shtjelluese të temës, pas një hezitimi normal, më tha: Po mirë, provo e hidh në letër kuintesencën e asaj që mot do jetë diploma jote! …

        “U tha, u bâ!”, thonë në Elbasan!… Dhe unë, 23-vjeçari, krejt qejf e impenjim gdhiva ditë të tëra të nxija me shkrim dore, me stilograf, (ku ta gjenim një makinë shkrimi?!) në 10 letra të bardha format, temën e ëndërruar: “Karakteri popullor i krijimtarisë së Ismail Kadaresë”!…

    … U mbush muaji, rrodhën stinët, sosi viti dhe vjen haberi nga dikasteri: Ti, Fatmir, diplomën do ta mbrosh me temë e jo me provime, po jo me atë që ke zgjedhur… zgjidh një tjetër!…

    – S’e paskam bërë mirë atë kuintesencën, profesor?!- e pyeta i ndrojtur e i pezmatuar, të mirin Xhiku!

    – Lëre tani!- më tha shkurt profesori, shoqëruar me një lëvizje dore, si të më thoshte se më hape dhe mua telashe!

    M’u kujtuan nja dy vargje të Nolit:

    Aty nisi, aty pushoi, Aty krisi, aty mbaroi…

    … dhe shtova:

    Bir, Fatmir, i letërsisë,

    Në një shkëmb të Marrëzisë!

    … Ç’të bëja?! … M’u kujtua një libër që e kisha: “Partishmëria proletare në letërsi” e Adriatik Kallullit… E gjeta, thashë me vete! Do sajoj ca gjëra si të miat nga gjithë ai libër! Dhe, pa një e pa dy, direkt kërkesën në katedër, mo ta mo si titulli i librit. Tashmë i sigurtë për rrufeshmërinë e aprovimit!…dhe ashtu ndodhi!…

    Po a më bënin duart t’i hyja një angarie të tillë?! Po sërish isha me fat!… Një miku im i gjimnazit, student në gazetari, më rekomandoi një temë diplome, tëpkë si e imja, që e kish mbrojtur dikush para nja dy vitesh!… Kontaktuam me të dhe ai, shpirtmadhi, pa e ditur plagjiaturën që do ndodhte, na e dha një kopje të temës së tij të diplomës!

    Epilog: … Na dolën dhe emërimet dhe përfundova si mësues letërsie për “stazhin pasuniversitar” në Dardhë të Librazhdit. Duhej bërë diploma! Edhe një javë kishte mbetur!… Po ku më bindeshin duart të shtypja mbi ato tastiera të dala boje mbi makinën e shkrimit (se mos kishte copy pas) të përgjegjësit të sektorit të kooperativës, Hakiut?

    Sigurisht që do të ishte superplagjiaturë! Vetëm faqja e parë prezantuese, ku ndryshova gjeneralitet e Temës në identitet e kohë, ishte origjinale! Gjithçka tjetër ishte identike, përpos gabimeve të shtuara drejtshkrimore! Përpos veshjes me një kopertinë të bukur me ngjyrë të kuqe të Diplomës rreth 50 faqe! …

    E dorëzova në ditën e fundit të skadimit të afatit! E dorëzova e mora frymë mbijetese, si një pragmatist i devotshëm! Pa më vrarë fare ndërgjegjja! Madje, i vetëkënaqur për ndjenjën hakmarrëse njëvjeçare që më kish ndjekur!

    … Çudia ndodhi… Isha vlerësuar me “Shumë mirë!”… Medemek 9!… E kisha hedhur bukur mirë lumin, po thjesht pa u mbytur!… se, për t’u lagur, isha qullur deri në palcë: S’m’u dha mundësia të shprehja atë që Ndjeja deri në koskë për një Idhull!!!… Kaq e vetëm Kaq!… Ma bënë e ua bëra paq!

    P.S.= Tani kam dalë në pension e s’besoj se për plagjiaturën e detyruar të para 44 vjetëve do më penalizojnë!

    2. Një mitik i pandreqshëm…!

    Do kemi qenë në vit të tretë kur morëm vesh se kapitullin e “Letërsisë dekadente”, brenda “Letërsisë së huaj”, do na e jepte pedagogu i jashtëm, Ismail Kadareja!

    … Të natyrshme një sërë pyetjesh e meditimesh: Vërtetë!?… Vetë Ai do ulet aty në atë katedër, përballë nesh dhe do kemi boll kohë ta ç’mitizojmë!?… Po ç’ne, pikërisht letërsinë dekadente?… Mos ia kanë me kunj që i kanë dhënë pikërisht këtë kapitull të anatemuar, medemek se ai qenkësh më afër dekadentëve?…

    Ç’bëhet kështu? Ai është klasik e modern njëkohësisht!…

    Po Ai, a e ndjen këtë mëdyshje që po e mban si Gur Sizifi mbi shpinë, lëshuar nga Zeusi dhe perënditë e Olimpit e aq më keq nga hosanarat e gjindjes ndaj Barabbait?!…

    Si do dalë nga ky qerthull kur ta kemi përkarshi?! …

    Dhe Ai erdhi… I vetëm, i qetë deri në indiferentizëm, gjithnjë me disa minuta vonesë, i rrethuar me aureolën e heshtjes që impononte edhe mizën të mos fluturonte…

    Dhe asnjë mungesë në auditor, në asnjërën nga ardhjet e tij! …

    Ora e parë… Fjalia e parë… Mbetet e pashlyer, jo për privilegjin e të qenit e para, po për kumtin plot nëntekst, sikur po na kërkonte të lidhnim një pakt:

    – Do flasim këtu dhe për letërsinë erotike, po unë do shprehem gjithnjë “Letërsia e dashurisë”!… Ju mos harroni e nënkuptoni gjithnjë “Letërsia erotike”! …

    Heshtja u trazua nga mendimet që zhurmonin po në heshtjen më të thellë: Pse e tha?… Ç’donte të thoshte?… Ç’është ky kod që na kërkon?… Gjithësesi, ai ka besim te ne, ndaj na e tha e ndaj na e kërkoi këtë pakt!…

    Dhe ne do të dimë ta mbajmë paktin!… Se ai do të na përhumbë në të fshehtat e Dashurisë, në nënshtresat e asaj që s’duket, duke e zhveshur Dashurinë e paskajshme, si një Frojd, deri te thelbi i saj, arti Erotik! …

    Një ditë, nuk e di se si e qysh e pse, mora vesh një të vërtetë a thashethem, (e ç’rëndësi kanë për mitet të tilla detaje!) se vetë dekania, gruaja Ballvora, me kast kishte kaluar nga korridori i përhershëm ku kalonte Ai dhe i kish thënë butësisht:

    – Shoku Ismail!… Mundohu të vish në kohë në leksion…!

    Thonë se Ai kishte tundur kokën vertikalisht me një Po të nëpërdhëmbur! …

    Perënditë kishin tështitur! …

    Ai u largua pas tre muajsh dhe s’e pamë më! …

    … Më mitik se sa kur na kërkoi një mirëkuptim për kodin e Dashurisë!

    3. Një shans i humbur!

    Ka qenë viti 1977 kur m’u botua libri i parë, “Thirrja e jetës”!

    … Ndjesi të papërjetuara për një student!… “U bëra poet, shkrimtar!” (Ndonëse më pas, pas 41 vjetësh, vetëm katër poezi nga “poeti i dikurshëm”, “e merituan” të kishin një copëz vend në librin “e trashë” me poezi të përzgjedhura! Bashkë me titullin e pazhbëshëm, alla realizëm socialist, “Thirrja e jetës”!

    (Duhet optimizëm që në krye të librit, më thoshte Fullani i të vetmes Shtëpi botuese të asajkohe!… Ja, në Elbasanin tënd ti ke Metalurgjikun! Atje është jeta që të thërret!…) Dhe, për një çast, unë dyshova se mos do jepja letërsi për metalurgët që do ndiqnin gjimnazin natën apo me korrespodencë! …

    Po befasia më e madhe, në përmasat e lumturisë, ishte ajo çka më tha shkrimtari i shquar, në atë kohë redaktor në gazetën “Drita”, Vath Koreshi… Ja, e perifrazuar, ç’kishte ndodhur:

    S’dihet se pse kishte kaluar Ismail Kadareja nga zyra e madhe e redaktorëve dhe mbi tavolinën e Vathit kishte parë disa libra të poetëve të rinj. Pas një shfletimi të shpejtë, tërthorazi e në këmbë, kishte përzgjedhur dy libra, “Thirrjen” time (Thua, vallë, ta thërrisja?!) dhe librin e dikujt tjetër… Do të shkruaj për këta, i kishte thënë Vathit dhe i kish marrë me vete të dy librat.

    Kaq më tha Vath Koreshi, po te unë kalli një drithërimë!… Të shkruante vetë Ai për librin tim, aq më tepër që ishte dhe i pari?!… S’kishte rëndësi sa do të të inkurajonte a lavdëronte apo dhe të të masakronte! (Mjafton që rrufenë e hedh Zeusi i letërsisë, edhe pse rrufe…!)

    Ndjeje një si vetëpërkëdhelje, një si vetërëndesë brenda qenies tënde që të jepte më tepër siguri edhe kur hidhje hapat në rrugë. Dhe, nëse për poezinë deri më tani kishe harxhuar X kohë, tashmë ajo padyshim që do dyfishohej, do bëhej më pretenduese e sqimatare, do ishe Dikushi mes emrave të njohur të rretheve e qarqeve letrare! Ishte një start i privilegjuar për më tej, nëse do të kishe këllqe! Se libra botoheshin jo pak dhe atëherë, po me pikatore gjeje ndonjë prononcim nga Ai! …

    S’ishte asgjë botimi i një libri, qoftë ky dhe i pari, para një shkrimi që Ai do të bënte për të! Do të ishte si një pagëzim… do të kishe kumbar vetë Atë!… Dhe horizonti më dukej më i madh atje tej, dhe veten e shihja në një kladeoskop ngjyrash! …

    …- Ah, mor qyq! Të rroftë emri kompozitë, Fat-mir, që ke!- i thoja vetes më pas, kur kaluan ditë e javë e kaloi dhe muaji e Vath Koreshi vetëm ngrinte supet, sikur të thoshte: “S’ka sjellë gjë! Kushedi ç’i ka dalë!”… Dhe as unë s’i thashë t’ia kujtonte, dhe as ai s’e mori një zotim të tillë!… edhe Vath Koreshi s’duhet të ketë qenë i shpenguar para Atij që “kthjell e vran” e që i din vetë punët e veta!

     … Vitet u bënë dekada e dekadat po kapin gjysmëshekullin, po te unë ende ka mbetur pengu i hershëm e i them vetes: – S’ke shans, or qyq! Edhe një herë që qëllove në vendin e në kohën e duar, fati s’ishte me ty! … Të të rrojë ai emër grotesk që të kanë vënë!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË