(Një shikim mbi librin “Fëmija i dritës- Edhe një herë për lumin” të Enton Bidos, botime Jozef, 2020)
Mes dhjetë librave me poezi e prozë dhe katër librave të përkthyer, Enton Bido ka ndërtuar tashmë portetin e shkrimtarit që ka bërë emër me artin e tij.
Ky portret i ngjan një pirmaideje ku bazamenti i saj është poezia dhe mbi të ngrihen tregimet e novelat, studimet kritike, drama e romani dhe paralele me to janë përkthimet e librave të ndryshëm.
Libri i ri që doli këto ditë nga shtypi është një paralele mes poezive të Entonit dhe poezisë së përkthyer nga poeti modern francez Zhak Prever. Edhe në një libër tjetër, te “Botë të reja” ky autor boton me paralelen poezi dhe përkthime nga autorë të tjerë.
Duke lexuar poezitë e “Fëmijës së dritës” kupton se nuk është vetëm proza poetike me të njejtin titull që e hap siparin e skenave poetike të këtij libri, si proza më e bukur, por janë të gjitha poezitë e tjera. Drita, ky fenomen i natyrës në poezinë e Entonit merr kuptime filozofike duke u veshur me petkun e surealizmit. Drita pëson skanime realizuar në drejtime të ndryshme dhe shfaqet herë si zë, herë si krismë mes territ, herë si far i largët, si dritare qyteti e të tjera vegime.
Vargu i bardhë në shumicën e poezive duket sikur e mund vargun me rimë që ky poet përdor edhe këtë me shumë hijeshi. Në poezitë e ndryshme ndjehet një luftë mes dritës dhe territ, mes optimizmit dhe pezimizmit dhe ai, poeti kap çastin e kuptimit të të jetuarit. Ky konstatim vrehet gjerësisht dhe thellësisht te prozat poetike, që për mendimin tim janë më të bukurat e këtij libri.
Jo më kot në prozën poetike “Loti i motrës dhe varka” ndjehet ringjallja e Arkës së Noes, në “Pushtimi nga retë”, Apoklipsi, në “Dora shpëtimtare”, Mesia, në “Dora ajrore”, zbulesa e në poezinë “Si në ditën e parë të krijimit” nënkuptohen librat e shenjtë. Këtë përsiatje gati të padukëshme bëjnë që libri të marrë hapësira jo të njohura. Atë fjalin për një nivel të lartë mendimi që poeti Enton Bido e ka tashmë të shfaqur në të gjitha krijimet e tij të fundit.
Kjo është e veçanta e parë.
Në poemthin me katër kohë “Netë lakuriqe” shfaqet dhe veçantia e dytë e poezisë së Entonit, ajo e një surealizmi me ngjyra të kozmosit, intersektuar bindshëm me jetën e sotme të rrejtshme ( e kush e rruan për libra/ or qorr i ditun?!) ku nuk mungojnë tekstet e këngëve të Aeorsmith apo Megaherc, ku dialekti verior i shqipes ndërhyn me butësi mes reshtave poetikë, etj, etj.
Kur mbaron së lexuari librin “Fëmijtë e dritës- Edhe një herë për lumin”, kupton se vetë poezitë e Entonit jetojnë brenda një uniteti, veshur me vargje surrealë duke e kthyer absurdin artistik në dhimbjen njerëzore të kohëve që jetojmë.
Botimi i përkthimit të poezisë së Zhak Preverit “Edhe një herë për lumin”, dhe futja si pjesë e dytë e këtij libri është një risi e Enton Bidos, por që hap diskutime të cilat deri tani ndahen në dy interpretime.
I pari, sipas specialistes së letërsisë Teuta Dhima bazohet në faktin e përkthimit tejet origjinal të kësaj vepre me vlera botërore, ku përkthyesi është pothuaj autor e mbi këtë ide ajo e gjen ngjashmërinë mes pjesës së parë të librit me pjesën e dytë.
Interpretimi i dytë bazohet në disa nuaca të stilit poetik që Enton Bido ka në poezitë e tij, ku tendenca surealiste vjen e forcohet nga poezia në poezi e që vetë Zhak Prever cilësohet si poet surealist. Poezia “Edhe një herë për lumin” është zgjedhur nga Enton Bido jo më kot. Dihet se Zhak Prever njihet kryesisht si poet i dashurisë, ndërsa në këtë poezi ai njihet si poet që skanon skenat e njerëzve të thjeshtë, ata që jetojnë buzë Senës, në kuartieret periferik të Parisit.
Enton Bido ka përpara syve dhe mendjes së tij njerëzit e thjeshtë të Durrësit, dhe jo vetëm ata. Duke i ndërthurur këtë dy të ngjashme unë do bëja dhe paragonizmin mes “ Realizmit poetik” të Zhak Prever- it dhe “ Surealizmit qytetar” të Enton Bidos.
Ndoshta në këtë ngjashmëri duhen shtuar dhe loja me enumercionet që Zhak preveri i përdor me as mjeshtëri dhe që Enton Bido di t’i sjellë ndryshe në poezitë e tij. Por duhet shtuar dhe ajo ngashmëri e lakonizmit në vargje, një racionalizëm perfekt në shprehjen e mendimit teorik mbi ekzistencën ton.
Sidoqoftë të dy interpretimet janë të bazuara dhe që i rrisin vlerat librit, prandaj në këtë llogjikë anashakalohen dhe mendimet e shpejta “Pse i ka bashkuar këtë dy pjesë..?”
Ja pjesa e katërt nga poezia brilante “Netë lakuriqe”:
Po robt, kujt i përkasin?
Territ, dritës,
vedit a tjetrit,
dreqit t’mallkum a Zotit?
………………………………..
…………………………………
“ s’i kuptova gja jetës- tha vdektari.
Druj se koritem.
Nëse cofi, varromni thellë!
Kush po e din..!
Ma qesin jasht cofinat trupin,
nëse vdes para se me u zgju,
lus Zotin shpirtin me ma rujtë
e mshirë e ndjesë me pas për mu!”
Amen! Amin!
Pastë dritë gjithherë n’amshim!
I lehtë më qoftë dheu im!
Poezitë e Enton Bidos të shpalosura në librin e tij të ri “Fëmijë të dritës” janë tingëllimë e ardhje së poezisë së re qytetare, poezisë që me figura të surealizmit kritikon situatat sociale, pangjyrësinë e tyre e figurat letrare qiellore surealiste kanë zbritur në tokë e i japin shpresë njerëzve në betejat mes pezimizmit dhe optimizmit.
Ja një paralele e bukur për optimizmin që shkruhet në poezinë “Zëri i dritës”:
Ai, dheu i butë ku mbillemi,
prap na selit, përtërin, ringjall;
bëhemi gjemba, gardenia, apo lisa
të këndëllur nga zëri i parë.
Është koha që poezia të ringjallë shpresat e njerëzve, klubet e poezive duhet të japin pak shpirt tek njerëzit, poetët e vëretë s’kanë parti. Eshtë koha që grupet e poetëve të thërrasin me qëllimin e sqarimit të së bukurës së vëretë.
Ashtu si poema “Edhe një herë për lumin” e Prever-it edhe poezitë e “ Fëmijve të erës” do hedhin prozhektorët jo mbi brigjet e lumit te senës, sa që e bëri Preveri, por të ndricohen qoftë dhe qirinj sado të vegjël njerëzit e Shqipësisë ku e kaluara e tyre e hershme vinte nga baladat, epet dhe legjendat e mrekullueshme.
Poeti Enton Bido jeton dhe punon në Durrës, por kjo nuk e përjashton atë nga jeta e monopolit dhe mediat monopoliste. Ai është një trashëgimtar i denjë i një fisi dhe si i tillë nga fisi ai merr energji e shpërthen.
Libri “ Fëmijë të dritës- edhe një herë për lumin” është një shpërthim i kësaj trashëgimie.
Rrugë të mbarë librit dhe suksese autorit!
Durrës
19 nëntor 2020