More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFatlum Meholli: Shpërfillja ndaj bashkëshortes (Tregimi “Macja në shi” i Ernest Heminguejt)

    Fatlum Meholli: Shpërfillja ndaj bashkëshortes (Tregimi “Macja në shi” i Ernest Heminguejt)

    Shkrimtari amerikan Ernest Heminguej përveç romaneve me të cilat njihet gjerësisht, siç janë Lamtumirë armë (1929), Për kë bie këmbana (1940), Plaku dhe deti (1952), etj., krijimtaria e tij letrare fillon prej tregimesh e novelash të shumta që karakterizohen për ndërtimin e personazheve, modelimin narrativ, ndërlidhjen e historisë me letërsinë (fakti dhe fiksioni), stilistikën e kështu me radhë.

    Këto krijime letrare të shkurtra, sikur skicat e një artisti pamor, shërbejnë që vite më vonë të materializohen tablotë artistike (narrative) dhe kësisoj emri i Ernest Heminguejt të vendoset në piedestalin e letërsisë botërore të shek. XX.

    Në këtë shkrim do të fokusohemi në tregimin “Macja në shi”, që bën pjesë në mesin e 15 tregimeve të librit Në kohën tonë i cili për herë të parë u publikua më 1925, përkatësisht në kohën kur u shfaqën shkëndijat e parë të këtij shkrimtari modern.

    Proza rrëfimtare e Heminguej veçohet nga ajo që njihet si Teoria e Ajsbergut, përmes së cilës jepet ngjarja në mënyrë sipërfaqësore, ndërkaq thellësia tematike i mbetet lexuesit për t’u gjurmuar. Natyrisht që për ta arritur një shkallë të tillë duhet mjeshtëri e madhe stilistike e narrative, me qëllim që të zgjerohet horizonti i receptivitetit duke përfshirë edhe lexuesit semantikë edhe lexuesit semiotikë. Kjo mënyrë shkrimi përshkon gjithë krijimtarinë letrare të Ernest Heminguejt, veçanërisht tregimet e para.

    Në përpjekje për ta botuar përmbledhjen Në kohën tonë, ai shton përparësitë e librit, me ç›rast thekson se “ai (libri) do të lavdërohej nga dijetarët/shkollarët dhe do të mund të lexohej nga jo-shkollarët. Askush, me një edukim të mesëm, nuk do të kishte vështirësinë më të vogël me prozën.”[1]

    Tregimi “Macja në shi”, ndonëse shumë i shkurtër për nga kuantiteti tekstor, arrin që përmes një numri të kufizuar personazhesh, situatash e ngjarjesh, të reflektojë para lexuesit një panoramë të qartë të jetës pas Luftës së Parë Botërore. Tregimi rrëfen për një moment interesant të jetës së një çifti amerikan dhe përmes detajit të maces në shi, shtrohet gjendja e rëndë psikike e gruas amerikane dhe rrjedhimisht pakënaqësitë brenda çiftit.

    Dy amerikanët e vendosur në katin e dytë të një hoteli në Itali përballë kishin pamjen e detit, po ashtu kopshtin e gjelbëruar dhe monumentin e luftës. Aty amerikanët gjithnjë shihnin edhe një piktor me kavalet. Përmes këtyre përshkrimesh, lexuesit sikur i shfaqet një tablo impresioniste e atij vendi italian.

    Megjithë këto bukuri natyrore, skena joshëse, tregimi ka të bëjë me pasojat që ka lënë lufta,  përveç materialisht, edhe te njerëzit, duke ua dobësuar sensin për jetesë. Kjo manifestohet përmes çiftit amarikan. Kur gruaja nga dritarja e hotelit vështron jashtë se një kotele po lagej në shi, menjëherë shpreh dëshirën për ta marrë brenda. Burri i thotë “Unë do ta bëj”, por pa marrë  iniciativë, vetëm sa për ta thënë. Kështu që ajo del vet për ta bërë një gjë të tillë.

    Sipas kësaj deri tash, dhe pjesës tjetër në vazhdim, tregimi ka të bëjë me shpërfaqjen e një lidhjeje ose marrëdhieje të ftohtë mes këtij çifti, sidomos nga ana e burrit i cili sikur e injoron  pavetëdijshëm apo vetëdijshëm të dashurën e tij, gjë që ngjall pakënaqësi të brendshme te kjo e fundit. Gjatë rrugës për te macja, ajo takohet me kujdestarin e hotelit, i cili i lë përshtypje shumë të mira – i pëlqen shërbimi, dinjiteti i tij, duart e mëdha dhe fytyra, gjithashtu edhe mënyra se si ai kënaqej që ishte kujdestar i hotelit.

    Meqë modeli i rrëfimit të Hemniguej, siç kemi thënë më sipër, sugjeron për gjurmime kuptimesh, atëherë te pjesa kur Zonja amarikane çuditej me mënyrën se si ndihej kujdestari i hotelit për punën e vet, na lë të kuptojmë se problemi kyç i gruas ishte mendësia që i dashuri i saj të kënaqej më gjëra të vogla dhe t’ua dinte vlerën, e jo të ishte aq i ftohtë dhe pesimist.

     Amerikanja së bashku me kujdestarin italian, që ia mbante çadrën, shkojnë për ta marrë  macen, e cila kishte ikur nga aty. Gruaja kthehet në dhomë krejt e dëshpëruar, ndërsa Xhorxhi (bashkëshorti) e pyet për macen fohtësisht teksa ndalë leximin për pak, dhe i kthehet prapë.

    Pas kësaj kemi të bëjmë me bisedën mes çiftit, ku gruaja kërkon një jetë më të dinjitetshme, dëshiron qetësi, vëmendje, pushime, tryezë me ushqime e qirinj, po ashtu dëshiron që të lëshojë flokët e të mos duket si mashkull. Në anën tjetër, Xhorxhi i thotë asaj “Mbylle!” dhe merr diçka për të lexuar.

    Tregimi mbyllet kur, në ato momente, te dera paraqitet shërbëtorja e hotelit  me një mace të madhe duke e mbajtur në kraharor e duke i thënë gruas se këtë e keni nga kujdestari  i hotelit.

    Sipas kësaj, mund të themi se tregimi trajton shpërfilljen e vazhdueshme të burrit ndaj  gruas së tij, dominimi i së cilit brenda familjes ndërlidhet edhe me emërtimin e të dyve.  Xhorxhi është personazh me emër, ndërkaq gruaja mbetet e paidentifikuar duke shpërfaqur kështu parëndësinë e saj. Të gjitha kërkesat e gruas janë jorelevante, gjithnjë hasin në vesh të shurdhër.  Xhorxhit s’i lë përshtypje asgjë, përveç leximit. Kjo ftohtësi dhe distancim i madh mes çiftit e lëndon tejshisht brendësinë e gruas amerikane. 

    Heminguej përmes këtij tregimi të shkurtër arrin që para lexuesit të shtrojë, qoftë edhe  përmes një personazhi krejt pasiv siç është Xhorxhi, pakuptimësinë e jetës, vetminë, pasojat e luftës në psikiken e individit e kështu me radhë.

    Tregimi manifestohet nëpërmjet një rrëfimi të gërshetuar me përshkrime të shkurtra, që  kryesisht kanë një funksion të caktuar. Shembull, përshkrimi i monumentit të luftës ndër tjerash paraqet edhe një indikacion kohor e hapësinor. Tregimi nuk thekson vit ose kohë të caktuar, mirëpo meqë bën pjesë në përmbledhjen Në kohën tonë botuar më 1925, supozojmë se vendosja e kohës ndërlidhet me periudhën pas Luftës së Parë Botërore.

    Gjithashtu përshkrimi i maces në shi mund të merr konotime  të shumta – një mace që urren ujin qëndron në shi vetëm deri sa e sheh gruaja amerikane, por ikë kur ajo dëshiron t’i afrohet. Kjo mund të shihet si metaforë, e cila nënkupton pamundësinë e gruas që e vetme t’i arrijë qëllimet edhe kërkesat e veta.

    Bibliografia

    Baker, Carlos. Ernest Hemingway: a life story, Collier Books, New York, 1988.

    Hemingway, Ernest. The Complete Short Stories. The Finca Vigía ed. Charles Scribner’s Sons: New York, 1998.


    [1]  Carlos Baker: Ernest Hemingway: a life story, Collier Books, New York, 1988, p. 143.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË