1.Koka e Ali Pashës në Stamboll
Në vitin e mbrapshtë të ’97-ës vendi mbeti pa kokë. Poeti Petrit Ruka shkruan një baladë, ku një çetë hajdutësh sjellin nëpër natë një kokë të vjedhur. Ishte koka e Ali Pashë Tepelenës, pashallëku i të cilit tek e sotmja po konvertohet në sulltanate. “O pasha!”-po i thonë politikanët njëri-tjetrit, joshur ndoshta nga thesaret e fshehura të Aliut. (Në “universin e tij” thuhet për një shkrimtar apo artist, ku domenet nuk ekzistojnë.) “Doli Hëna për kusarë…/dil, moj Hënë!”, hënë e plotë apo gjysmëturke dhe një skenë rrëmbimi, e cila merr përmasat e një balade në poezinë “Vërtitu, kokë e prerë” të poetit tepelenas, i cili përkundër shumë syresh me profil fallco, u njihet atësia e vargjeve. Një poet i rrëmbyer, pasionant, që i pëlqen ta lëshojë veten në dehjen e sirenave dhe, litarët le t`i mbeten Odisesë që ta lidhin pas direkut. Si i tillë: poeti Ruka nuk mund të mos tërhiqej nga një histori rrëmbimesh, qofshin këta dhe kusarë. E rrëmbyer është edhe Vjosa, aty ku fryn grykë e Tepelenës. I rrëmbyer ishte dhe Selam Musai, që hedh gunën mbi tela! Vetëm të rrëmbyerit vënë në lëvizje turbinat, qofshin dhe mullinjtë e erës.
Ali Pashë Tepelena kishte një mik të vjetër, i quajtur Dervish Sulejman, i cili ishte qortues ndaj bëmave të tij, sikurse Çatin Saraçi ndaj mbretit Zog, kështu që rrugët e miqve u ndanë, sikurse do ndahej trupi në Stamboll dhe koka në Janinë. Dervish Sulejman detyrohet të lërë sarajet dhe të mbyllet në një teqe, duke iu përkushtuar një Aliu tjetër, Abaz Aliut. Në fakt, ndarja e miqëve përngjante me ndarjen e shpirtit nga trupi. Kur koka e Ali Pashës u vu në sini dhe, u ekspozua në kamaren e turpit, është pikërisht miku i vjetër që i del për zot, Dervish Sulejmani, i cili do blinte kokën e Aliut nga një tregtar me një çmim të trefishuar duke e varrosur me të gjitha nderet, aty ku është dhe sot. “Këtu shtrihet koka e shumë të famshmit Ali Pashë Tepelenës, qeveritar i sanxhakut të Janinës, që gjatë 50 vjetëve, u përpoq për indipedencën e Shqipërisë.”-shkruajti babadervishi në pllakën e varrit të pashait, duke i dhënë jetës së tiranit një kuptim të madh. Nëse Dervish Sulejmani i “shpëton kokën”, një shpirtëror tjetër, poeti Ruka, ia vë atë në piedestal. Kush më shumë e kush më pak i shpëtojnë nderin e humbur në “kamaren e turpit”. (I vetmi që ka vënë lule mbi varrin e Ali Pashës, në cilësinë e kryetarit të kuvendit, është tepelenasi Gramoz Ruçi.) Poeti tepelenas nuk ia kursen vargjet Ali Pashë Tepelenës, për më tepër kur ka si rival dhe Bajronin. Por, nëse Bajroni e përshkruan pashanë në kalanë e Janinës, Ruka në atë të Tepelenës. I huaji tek “e huaja” dhe i yni tek e jona. Tjetër ndarje kjo, që trazon shpirtin e poetit baladesk, që sillet me kokën e Aliut, sikurse Hamleti me kafkën e të atit. (Pashai nuk vajtohet se humbi fronin, por se gjysmën e pashallëkut ia mori greku, i cili e pretendon detin sikur trupi i Ali Pashë Tepelenës në Janinë të jetë i Napoleon Zervës.)
Duke lexuar baladat e Petrit Rukës të titulluara: “Nëntë vjet e nëntë ditë”, pa dashur shtojmë: nëntë male kaptuar, “Vërtitu, kokë e prerë” të shket goja: se atdheun ta coptuan, “Hanko mos qajë mbi varre” vetvetiu plotëson: se Kostandinin na e ngjalle. Lexuesi shndërrohet në një zgjatim i poetit për shkak të ndikimit të poezisë popullore në krijimtarinë e autorit, sikurse e dëshmon dhe ai vetë në trajtesën “Shkolla magjike e folklorit për poezinë”. “E di Petrit, pse unë shpresoj se do bëheni poetë të mirë ju djemtë e Tepelenës,… ja të ta them unë. Se jini me fat që kini lindur në një krahinë që ka folklorin më të mirë në Shqipëri.”-i është shprehur Driteroi, thua se zbuloi thesaret e Aliut. Edhe Fishta nuk do ta shkruante Lahutën e Malcisë, nëse nuk do ishte në trevën ku u ngjiz Eposi i Kreshnikëve. Pavarësisht deklarimeve, Petrit Ruka, ma do mendja është më i tërhequr pas Kadaresë, jo në pjesën e dukshme, por tek pretendimet e fshehura. Retë i shohim, por avulli që i krijon ato, magjia e së padukshmes, ku rrezikohet të avullojnë ëndërrat apo të pushtohet qielli nga retë? Dikur njiheshin 4 treva të përmendura si “Shkolla poetike”: ajo e Lezhës, Tepelenës, Tropojës dhe e Lushnjes. Kjo e fundit: s`di pse përmendet më pak?! Në kohën që kritikoheshin “100 shkollat dhe 100 lulet” e Maos, përmendja e shkollave poetike në fjalë, çuditrisht merreshin për mirë, sikur ato t`i kishte ngritur Parashqevi Qiriazi. Tek e fundit ato s`ishin shkolla shtetrore. Shkollat në vetvete promovojnë poet, sikurse nga studjot e piktorëve të famshëm dalin piktorë. Meqë jemi tek “koka e Aliut na Stamboll” në trajtesën e tij për folklorin, P. Ruka përmend vargjet e një poezie të zonës së Tepelenës kushtuar një Aliu tjetër, Hodo Aliut nga Nivica: “Gjylja mbi kokë i ra,/Koka më dysh iu ça,/Ai bën sikur s’e pa…” Nëse momentin e vrasjes së Aliut të Nivicës e krahasojmë me fundin tragjik të Ali Pashës, e tija është më heroike, me dijitoze. Ndoshta ngaqë s`përfundoi në një “kokë turku”. Deri më sot, me protokoll qeveritar, janë sjellë në atdhe: trupi i Naimit, Pashko Vasës, Asdrenit, mbretit Zog, Mit`hat Frashërit, etj., po koka e Aliut pse vjen hajdutçe në atdhe, duke mos gjetur prehje në të?! Sepse: trupi në Evropë dhe koka në Azi, të shtrinë, Ali pashë, të shtrinë. Nga ky ngërç po vuajmë edhe sot, për shkak të pashallarëve të rinjë, që mendojnë veçse për domenet apo sulltanatet e tyre.
Nuk është e lehtë të shkruash balada në kohën e legjendave urbane. Nuk është e lehtë të risjellësh poemën e braktisur prej të gjithëve. Por, në një vend ku ka shumë dhimbje, balada është në truallin dhe kohën e saj. Ja pse poeti nuk ndruhet, nëse e quajnë anakronik, përkundër këtij modernizmi, që të kujton modën në fshat. “Ajo kokë e Burrit, ajo rè prej shqote,/Kur qe gjallë peshoi sa një gjysëm bote.”,-shkruan ai, duke mos ia kursyer lavdet pashait nga Tepelena, por edhe këtu përmendja e “gjysëm bote”, vjen si një mallkim për të mos qenë asnjëherë të plotë, sikurse gjysmëhëna turke. Ndaj, sipas poetit, korbat u bën të bardhë nga dhimbja në rrugëtimin tonë për të gjetur “shtëpinë e fatit” dhe, meqë shpresa po vonon, bëhemi të hidhur, grindavecë, ku për hir të metropolit: me gurët e kështjellave ndërtojmë rëndom hamame.
Dihet që baladat janë të populluara me figura mitike dhe poeti, në shoqërinë e heronjëve nuk stoliset me vetitë e tyre, por e ushtron veten kundrejt “nderit të panjollosur kalorsiak”, sikundër duhet të jetë një poet, që nuk bën kompromis me veten. Kur kapot e politikës mblidheshin në Vlorë për të përkujtuar luftën e 1920-ës, poeti reagon kundër gjuhës fyese ndaj Selam Musait, duke përligjur vargjet e shkruara në hotelin Lungo Mare më 27 nëntor 2012: “Po lajthit, i them vetes/Derisa kërkon të vdekurit/Të jenë në këtë ditë mallëngjimesh…/Po dhe ata janë Shqipëria ime,/I dua këtu,/Sot këtu i dua,/Jam bërë krejt fëmijë para Vlorës,/Nuk di kujt t`i marr pak burrëri hua?!” Ai nuk e tradhëton të shkuarën për çka i ka kënduar shpirti: “Ja shumëzo rruazat e gjakut tënd/Me kokrrizat e dheut,/Dhe trupi të bëhet,/Harta e Atdheut.” Edhe poetët, që urrenin regjimin komunist, nuk e prekën shenjtërimin e atdheut, sikurse është shprehur me një gjuhë flijimtari Mitrush Kuteli: “Atdheu edhe kur të vretë, është atdhe.”, pavarësisht se: “Tani ky është një atdhe i dalë në ankand,/Me burra të ndyrë tenderash./S`ka mbetur asgjë për tu shitur,/Përveç shpirtit të poetit.” Të jetosh në një kohë, kur çdo gjë shitet e blihet duke parë një atdhe që plaçkitet, hezitimi vjen si një pezullin ndjesish: “Ku do shkosh sot?-më pyesin këmbët,/E unë u këpus një të sharë të thartë shqip./I habitur që gjuha jonë e bukur/Ka më shumë sharje se çdo vend tjetër i botës!” Nervozizëm, jo se nuk ka ku shkon, por se rrugët e moralit i gjen të bllokuara. “Të gjithë nxitojmë ngaqë në modë është nxitimi.”-ironizon ai, duke e ngadalsuar hapin brenda metrikës së rregulltë të vargjeve, jo ngaqë nuk ndjek ritmin e kohës, apo i ka rënë takati, por se nuk i pëlqen të “vishet me ar”, duke u mjaftuar me shkëlqimin që buron nga vetja. Më parë se të shpiket energjia alternative, ajo ka ekzistuar së pari tek poetët. Mjafton të kujtosh poezinë e Naimit “Fjalët e qiririt”: “që t’u ndrinj mir’ e të shihni, njëri-tjatërin të njihni.” (Aty ku mëkatohet më shumë, është mungesa e dëshirës për të njohur tjetrin.) Kur politika përplaset për lumin Vjosa, kërkohet zbutja e tij përmes heceve, poeti i këndon lumit të egër, si mbrojtësi më i besueshëm i vendlindjes. “Tek brryli i Vjosës qan një dashuri pa lot.”, “Erdhe, tha Vjosa, që sapo më sheh,/kotet si gruaja pranë burrit në gjumë.”, “Do nisem një ditë t`i mbledh në vendlindje/harruar atje, pikur për mua./Do kopjoj në të bardhën e syvë bel-kthesat e Vjosës/Që meket pas zallit si grua.”, “Them t`i shkruaj qershisë në fshat një letër/”Të dashurës së parë”,/ Një letër të gjatë, të gjatë sa Vjosa.”
2.Koka e Deas së Butrintit
Koka e Deas u zbulua në vitin 1928, gjatë gërmimeve në Butrint të drejtuar nga konti Ugolini. Disa thonë se u grabit dhe u dërgua në Itali, duke mos bërë bujë, të tjerë japin versionin e dhurimit nga ana e mbreti Zog, i cili për ta kompesuar humbjen, ndoshta për të lehtësuar dhe ndërgjegjien: mori për grua hungarezen e bukur, Geraldinën. Pra, dhashë dhe mora. Dea u rikthye në atdhe në vitin 1981, ndërsa koka e Ali Pashës mbeti “përtej urës së Qabesë”, në Stamboll. Kur u njoha me poezitë lirike të Petrit Rukës mu shfaq koka e Deas, ku poeti lë kalanë e Ali Pashë Tepelenës dhe ngutet të pushtojë “kështjellën e gruas së bukur”, quajeni nëse doni: Vasiliqi, duke mbetur një ushtar përjetësisht i mundur, jo poshtë bedenave, por në mbrojtje të hyrjeve të fshehta. “As që turpërohem në këtë dorëzim”, përkundër prirjes në lojën e shahut, ku vulgu nga pozita e ushtarit rend që të bëhet mbretëreshë, edhe nga pozita e transvestit me kapërcim ylberësh e dylberësh. Në këtë përulësi shfaqet krejt naimian, ngaqë ka bindjen se, “Femra është betejë që kurrë nuk fitohet.” Si mund të tregohen gjërat e thjeshta pa i tradhëtuar?-pyet ai, duke mos na lënë pa përgjigje, larg ndërlikimeve. “Dhe hap dritaren e bindur, se “mëkati”/ Nuk futet tek gjërat që bëhen vetëm në jetë.”, ku bashkëfajësia nuk kërkohet si shfajsim, por si lojë e dy copa druri, që duke u fërkuar sollën zjarrin. “Ty të shpika unë dhjetë vjet nëpër ëndrra,/Nëpër netë pa gjumë, pas fytyrës tënde.”, një trill ky, jo për të ushqyer platonizmin, por për të mbajtur gjallë shpirtin poetik, që ndryshe nga një shpirt që shitet, animizon botën e sendeve. Vetëm në planetin e quajtur Poet, nuk vihet në dyshim ekzistenca e jetës. “Na ish pjekur Ana si një shegë a ftua/Mu në mes të lagjes bënte batërdi,/Djemtë e asaj kohe bashkë me mua/Janë me vrimë në zemër dhe tani.” Këto plagë, nëse nuk i bëjnë nder një Gjergj Elez Alia, poetët e kanë të mbushur trupin, veçse me to. “Po unë nuk fola. As ti nuk fole…/Nuk flasin, vetëm qeshin gratë e Jugut,/me pak turp në mollëza.” Një portretizim ky, si i marr hua nga De Rada i kursyer në fjalë. “Ti je kombinimi më i mundshëm i rrezikut. Unë e dua rrezikun.” Kjo është Dea e tij, që vërtitet sa në lumin Vjosa, si shtojzavalle dhe në bedenat e kalasë, si Vasiliqia.
Petrit Ruka është një poet i sinqertë, duke mos e shitur veten në tregun e manipuluar të artit komercial. Ai, jo vetëm që nuk fsheh asgjë nga vetja, por i joshur nga labirinthet e një pashai dinak si Ali Tepelena apo i një hyjneshe, si Dea e Butrintit, arrin të futet në të fshehtat e tyre, duke ia rrëmbyer misterin, sikurse heronjtë e legjendave i kthen në banorë të denjë të librave të tij. Dikur habitesha, kur estetët kritikonin “sinqeritetin në art”, si me qenë diçka e keqe, e etiketuar si “tezë revizioniste”. Si të kthesh “Syrin e kaltër” në një gropë gëlqereje?! Vargjet: “Grua ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,/Jemi sharë në dritë dhe jemi puthur në errësirë.”, e ilustrojnë më së miri konstatimin tim, që është njëherësh i dallueshëm dhe për ju. Poetët: “Grinden me veten si me një hasëm të vjetër,/Rrojnë si mos më keq, me dëshpërim dhe letër./Përbuzin qeveritë, përbuzin paratë,/Poetët si poetë…t`i kuptosh?! E kot./Po se mos vetë e dinë se ç`janë në këtë botë?” Ja pse lind nevoja e shpjegimit të tyre, si një nga gjërat më të vështira të kësaj bote. Dhe kur poeti Ruka kërkon të bëjë një bilanc brenda vetes, veçse ndihmon për ta kuptuar më mirë dhe, u mbetet të tjerëve të gjurmojnë shpirtin e tij të shpërndarë në poezi e vargje. Nuk është e lehtë të ndjekësh një poet, që gjithë jetën ka shkruar vargje dhe të jesh i drejtë me të. “Erdhi koha t`i mbledh gjërat e mija të vogla,/Siç bënte nëna me bohçen në sepete./Po nisem t`i mbledh gjërat e mia të vogla/Të vetmen pasuri që ka poeti.” Nuk mund të mos më kujtonin këto vargje historinë e ambasadorit frances, i cili u skandalizua nga varfëria në të cilët jetonte Servantesi. Por, përgjigjia e kolegut Spanjoll i mbeti historisë: “Varfëria e Servantesit është pasuria e Spanjës.” Rindërtimi i shtëpisë së Fishtës e dëshmon këtë. Duke alternuar baladën me poezinë erotike, sikurse kombinohet Koka e Ali Pashës në Stamboll me Kokën e Deas në Butrint, të krijohet bindja se “gjërat e vogla” të poetëve kanë më vlera nga shumat e mëdha të parave të bosëve, që dëfrejnë në sulltanatin e tyre. Gjithsesi poeti i gëzohet Deas së Butrintit, ndërsa Ali Babët po i tmerron DEA amerikane…