More
    KreuLetërsiBibliotekë"Faleminderit", novelë në kohë pandemie nga Carlos Decker-Molina

    “Faleminderit”, novelë në kohë pandemie nga Carlos Decker-Molina

    Pranvera nuk ka mbërri ende, është marsi. Ekziston një mosmarrëveshje mes dimrit që nuk dëshiron të heqë dorë nga preja e saj dhe pranverës që me një qëndrim të butë femëror përpiqet ta bindë atë se është koha për të ikë në jug. Ajo luftë mashtron njerëzit që shikojnë diellin por ndiejnë në fytyra se si të ftohtit ngrin gjithë trupin e tyre. Ato janë psherëtimat e fundit të dimrit që me kosë në dorë kryen detyrat e prindërve në polin verior.

    Ky vit nuk bëri përjashtim. Besiana veshi xhupin dhe vuri syzet e saj të errëta për të shmangur dhunën e diellit që ende lufton me retë që e mbulojnë atë.

    Gruaja e re jetoi për një kohë pa shoqëri dhe me kultin e vetmisë. Kur e pyesnin, ajo zakonisht shpjegonte: “Askush nuk është ashtu siç e mendoni por gjithmonë kam diçka në mendje që do të thotë se jam prapë me ju.”

    Ajo punon në morgun e Stokholmit afër Institutit Karolina. Pasi mbaroi shkollën e mesme, mori një kurs aftësimi profesional për trajtimin e kufomave. Nuk dëshironte të vdiste por bëri kështu nga dëshira për të qenë afër me vdekjen. Ndoshta pa e kuptuar edhe mund të jetë pjesë e imja, u thoshte miqve të saj, të cilët, të habitur, shpesh e pyesnin pse zgjodhi profesionin ”e paketimit të të vdekurve” kur ishte një studente aq e mirë dhe mund të ishte bërë doktoreshë.

    Besiana punon me Larsin dhe Rolfin, dy suedezë që janë gjithashtu ekspertë për “paketimin e të vdekurve”. Ata zakonisht paketojnë  kufomat e njerëzve pa familje, që janë më të paktë në numër dhe që nënkupton  një përqendrim më të vogël.

    Të tre punojnë në bazë të një protokolli shëndetësor, sigurie dhe pastrimi që përcillet në letër çdo ditë, me ose pa një pandemi. Përveç kësaj, ata duhet të lënë vendin plotësisht të pastër dhe të  dezinfektuar.

    Këtë pranverë Suedia dhe pjesa tjetër e vendeve të botës u sulmuan nga virusi kurorë. Goditja më e fortë ishte në Stokholm.

    Drejtuesit e Besianës punësuan Bengtin si asistent për shkak të rritjes së numrit të kufomave. Djali luftoi frikën dhe paragjykimet e tij duke pirë gllënjka të shkurtra me vodkë të lirë pa u vërejtur nga moshatarët e tij.

    Bengti nuk ia doli që të ndjek ndonjë kurs intensiv prandaj shefat e shërbimit i kërkuan Besianës që t’i mësonte burrit të ri disa teknika themelore. Puna me kufomat e pandemisë duhej të ishte shumë e kujdesshme.

    Besiana foli me Bengtin dhe i tha se gjëja e parë që ai duhej të bënte ishte heqja e paragjykimeve ndaj të vdekurve dhe ndaj kufomave në përgjithësi. Bengti kishte mbetur i hutuar. Po, po, kishte vazhduar Besiana. Pikërisht heqja e paragjykimeve sepse kur ato nuk njihen atëherë krijohen paragjykime edhe për vdekjet! Njëlloj si me emigrantët ose të huajt! Prandaj duhet ti afroheni, t’i shkoni më pranë, t’i njihni se duke mos i njohur krijoni edhe paragjykime!

    Besiana si një mësuese e vdekjeve i shpjegoi atij se si duhej të përdoreshin disa instrumente, cili ishte roli i temperaturave, i foli për furrat e krematorimit dhe për protokollet e sigurisë dhe të pastrimit.

    “Kadaverini psh gjendet kryesisht në lëndë organike të ngordhura dhe kundërmon erë të fortë të kalbjes. Sidoqoftë, kjo aminë nuk është e lidhur ekskluzivisht me dekompozimin; ajo gjithashtu prodhohet nga organizma të gjallë në sasi të vogla, duke qenë pjesërisht shkaku i erës së veçantë të urinës dhe spermës ” i tregonte ajo.

    Të katërtit veshën kostume speciale, doreza të dyfishta, lecka me fibra, dezinfektues të të gjitha llojeve, vizatime dhe shirita që duhej t’i digjnin pas punës.

    Çdo kufomë ka një skedar me emrin dhe mbiemrin, numrin e identifikimit personal, vendin e lindjes; shkaku, data dhe ora e vdekjes. Etiketat duhet të përputhen me listat që mbërrijnë përmes kompjuterit. Kartat e verdha shënojnë covid-19 si shkak të vdekjes.

    Në orët e vona të pasdites transporti i brendshëm mbërriti me katër kufoma të reja, të veshura me etiketa të verdha. Ata i vendosën në frigoriferë. I kishin kremuar në ndërrimin e parë pa praninë e të afërmve dhe pa ceremoni fetare ose civile.

    Besiana do të mbyllte derën e frigoriferit kur papritmas lexoi emrin e të ndjerit:

    Stefan Karlsson. Ajo lexoi edhe një herë: Stefan Karlsson.

    Një peizazh i zhveshur nga vdekja ndriçoi mendjen e Besianës dhe lulet e kujtesës u hapën me një fuqi që goditi tempujt e saj. Heshtja u rivendos në vend. Kur pa që Bengti po afrohej, ajo ngriti dotën dhe i bëri shenjën stop.

    Papritur skenat e një përditshmërie të kaluar shndërrohen në vargje të një tragjedie. Sytë e saj në formë bajame zgjerohen dhe shohin që Stefani po hynte në zyrën e administratorit, në çastet kur shoku Burim, po luftonte me zinxhirin e pantallonave ndërsa gjuri i tij shtrëngonte trupin e brishtë të vajzës.

    Besina është e frikësuar sa i dridhen duart dhe ajo ndjen se këmbët do ta tradhtojnë. Bengti pa kuptuar se çfarë po ndodhte u përpoq ta mbante për krahu, ajo refuzoi sikur të ishte duke refuzuar një tjetër njeri që ju shfaq pak më parë në mendjen e saj, dhe që ky tjetri nuk donte ta ndihmonte, ai dëshironte ta përdhunonte.

    Besiana rifreskoi kujtesën e saj dhe tundi kokën në mënyrë pozitive sikur do ti jepte një përgjigje të vonuar pyetjes së Bengitit. Në të vërtetë ajo vetëm mërmëriti: “Po, e kam takuar në vendin tim”.

    *

    Besiana dhe jetimët e tjerë të Jetimores u morën me forcë nga Tigrat e Arkanit për të varrosur shqiptarët e vrarë në Kosovë, të cilët, megjithëse kishin një emër, i varrosën në varre masive që më vonë do të mbanin një shenjë ku shkruhej serbisht NEMA IMENA ( Pa emra).

    Besiana fshiu fjalën serbe dhe shkruajti në shqip me një copë qymyri PA EMËR që do të thotë e njëjta gjë: S’ka emër.

    Kur serbët dërguan Tigrat, paramilitarët e komanduar nga krimineli Arkan, i cili kishte shpëtuar nga një burg suedez, për të provokuar popullsinë shqiptare në Kosovë, shoku Burim, administrator i jetimoreve, përfitoi nga situata për të bërë biznese të pista. Ai tregonte për serbët shtëpitë e atdhetarëve shqiptarë ose të atyre fëmijët e të cilëve ishin bashkuar me guerilen çlirimtare.

    Kur nisi eksodi i madh i kosovarëve për në Maqedoninë e Veriut, fëmijët e Jetimores dhe në mesin e tyre edhe Besiana përfituan nga rasti kur shoku Burim mungonte, për të ikur nga jetimorja; ato brodhën rrugëve, vodhën për të ngrënë, disa prej tyre e ndër to edhe Besiana u kthyen prap në Jetimore. Të paktën unë kisha një shtrat thoshte ajo.

    Stefan Karlsoni jetoi në Prishtinë në vitet tragjike që përfunduan me bombardimet e aviacionit të Aleancës Perëndimore. Karlsoni ishte një mjek i ri dhe përparimtar.

    Ai ishte mjeku vullnetar i Jetimores që ndihmonte fëmijët dy herë në javë, përveç tjerash u sillte atyre karamele, ndonjë lodër të dërguar nga nipërit e tyre dhe veçanërisht një top futbolli me të cilin luanin burra dhe gra.

    Një ditë lufta e befasoi Stefanin në afërsi të Raçakut, ku paramilitarët serbë vranë 45 shqiptarë gjë që ishte shkaktar i eskalimit të sulmeve nga ajri. Stefani bënte vizita në qytete të ndryshme duke ndihmuar me mjete sanitare qendrat shëndetësore. I shqetësuar për fëmijët, ai u përpoq të arrinte në Prishtinë. Ditën kur mbërriti në kryeqytet, gjendja ishte kaotike, të gjithë kosovarët filluan ta linin atë. Prishtina kishte mbetur pothuajse pa banorët e saj.

    Ishte një vërshimë njerëzish që përhapej me stuhi poshtë rrugëve.

    Ai shkoi për të parë fëmijët e Jetimores. Aty gjeti më të voglën, të uritur, të palarë dhe të sëmurë. Pastaj dëgjoi një zhurmë në pjesën e zyrave, sikur dikush të hidhte gjëra për tu mbrojtur; dëgjoi ulërima dhe gjëra që binin në dysheme. Kur shkoi në zyrën e administratorit, gjeti shokun Burim i cili po përpiqej të përdhunonte Besianën e cila, në atë kohë, do të ishte 14 vjeçe. Burimi mori një goditje në kokë me karrige nga suedezi i gjendur në ato çaste në Jetimore. Burimi ra në dysheme duke krijuar një pellg gjaku. Për një moment ai pa Stefanin, krijoi një buzëqeshje cinike dhe atëherë pushoi frymëmarrja e tij; koka ju var dhe ra në cepin e murit të dhomës.

    Vdekja dhe jeta janë dy fjalë që depërtojnë çdo mur. Të dyja fjalët shkaktojnë edhe festë, edhe dashuri por edhe zi dhe urrejtjeje, vetmi por edhe plotni njerëzore. Jeta i jep shkas vdekjes dhe fillon varrosja e së djeshmes.

    I vdekuri i së djeshmes u varros nga Besiana dhe suedezi vendosi të njëjtën shenjë të të gjitha luftërave: «Nema Imena», “Pa Emër”, “Namnlös”, “NN”.

    Besiana me rroba të shqyera përqafoi Stefanin dhe të dy u larguan nga ferri i Jetimores. E vetmja gjë që mbeti në jetimore ishte era e keqe e vdekjes dhe makthet që ende e ndjekin atë.

    Besiana mbërriti në Stokholm përmes Helsinkit më 24 mars, në të njëjtën ditë kur bomba e parë e NATO-s “puthi” objektivat serbe. Stefani kishte vazhduar qëndrimin për të dhënë ndihmesën e tij. Ata nuk u panë kurrë më.

    *

    Besiana tundi kokën në shenjë pohimi për t’ia bërë Bengtit të ditur se ajo ishte takuar me Stefan Karlsonin. U kthye shpejt te kutia që strehonte trupin e pajetë të mjekut suedez dhe me qetësi tha FALEMINDERIT!

    Përshtati nga spanjishtja në shqip: Shuquri Sejdijaj

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË