More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEzra Paund, "Një vajzë" - Analizë nga Emine Boriçi

    Ezra Paund, “Një vajzë” – Analizë nga Emine Boriçi

    Ezra Paund Një vajzë

    “Pema më ka përshkuar duart,

    Lëngthi më është ngjitur krahëve,

    Pema ka hedhur shtat në gjoksin tim

    Teposhtë,

    Degët rriten prej meje, si krahë.

    Pemë je,

    Myshk je,

    Viollcë je me erën përmbi.

    Fëmijë- kaq i lartë- je. 

    Dhe e gjitha kjo për botën është çmenduri.”

    “A girl” – a poem by Ezra Pound Jun

    The tree has entered my hands,

    The sap has ascended my arms,

    The tree has grown in my breast –

    Downward,

    The branches grow out of me, like arms.

    Tree you are,

    Moss you are,

    You are violets with wind above them.

    A child – so high – you are,

    All this is folly to the world.

    E

    zra Paundi është një autor e kritik amerikan i cili u mbështet në traditën e poezisë tradicionale duke u nisur fillimisht nga lirika e antikitetit greko-romak. Poezisë së tij i dha një formë dhe një përmbajtje të re duke u dalluar si një nga poetët më të njohur të letërsisë moderne. Ai është autor dhe do të thoshim mjeshtër i metaforës dhe i efekteve vizive dhe disa herë edhe akustike. Ai na krijon panoramë me shkallë metonimie e thellime palimsesike.  Poezia “ Një vajzë” është titulli i poezisë, një  emër i përgjithshëm ku  lexuesit i krijon idenë që kemi të bëjmë me një person ose me një fenomen të pashquar (meqë jemi në botën artistike vajza mishëron virtyt apo parim) si emri “një vajzë“ madje të jep idenë se vargjet do jenë përshkrim i një vajze.

    Kur hyjmë në poezi ndeshemi me një shkrirje të poetit me natyrën, konkretisht me pemën, do të guxoja ta quaja një metonimi vizuale. Pema është fjala kyçe, është ajo shënjuese-kodifikuese që e mbërthen poezinë në dryna të shumtë kuptimor. Nëse do e shihnim veç me një pamje poezinë, ajo ka formën e një peme. Poeti pikturon përmes vargjeve të cilat  janë të tilla që formojnë nga poshtë-lart rrënjën e pemës që është relativisht e gjerë, më pas vijnë një sasi vargjesh të ngushta që formojnë “trungun e pemës” dhe simbolikisht fillimi i poezisë pikturojnë degët dhe gjethet e pemës, të gjera që shtrihen në vargje të plota fjalish.

    Në strofën e parë poeti flet sesi ai është shkrirë me pemën , sesi është bërë një me të. Këtë e identifikojnë foljet që njëkohësisht është edhe shkallëzim ngjitës si: ka depërtuar, është ngjitur, ka hedhur, shpërthyen. Këto folje vijnë qetë në vargun e parë e të dytë, në vargun e tretë atmosfera fillon dhe bëhet më e vrullshme, kurse në vargun e katërt shohim një atmosferë okluzive. Në se ndalemi në vargun e dytë të strofës së parë poeti thotë:

    “Lëngthi më është ngjitur krahëve”

    Nëse e zbërthejmë fjalën limfë ajo është një sistem drenazh brenda organizmit të njeriut. Përfitohet nga filtrimi i gjakut nëpër paretet e kapilarëve të gjakut. Ky lëng ndodhet në hapësirat ndërqelizore e pas disa proceseve ajo kthehet në gjak. Me këtë shpjegim biologjik aludojmë  se poeti është shkrirë në trupin e vajzës, rrjedh në dejet e saj, ka ngjyrën e gjakut të saj, pra ushqehet me të. Poeti nuk ndalet me kaq duke na treguar që ai është brenda vajzës, merr frymë me të, është një me të, por përdor edhe një varg të fundit që përcjell ngrohtësi dhe këtë e shpreh me figurën e krahasimit:

    “Degët rriten prej meje, si krahë”

    Lidhëza si nuk të jep idenë e një krahasimi të thjeshtë, por është tregues i dashurisë, ndjenjës së lartë dhe pasionit, dikë që do përqafon, ashtu si vajza që përqafon poetin.

    Në strofën e dytë autori flet për vajzën. Detaje si pema, myshku dhe violeta janë simbole kuptimplotë dhe të thella në esencë, ai e përthyen figurën e vajzës në disa elemente të kategorisë së botanikës ,e quan pemë dhe myshk që në pamje të parë duken si shkallëzim në zbritje nga pema lart në myshkun që krijohet poshtë në rrënjë. Një tjetër karakteristikë që Paundi i vesh vajzës është figura e fëmijës.  Leximi i poezisë është i thjeshtë në dukje, por i komplikuar dhe i koklavitur në mesazhin që do të përcjellë. Një fjalë, një varg, një shenjë pikësimi jep një domethënie tjetër nga kuptimi i parë, fjalët në poezi krijojnë  gradaçelë kuptimesh që nuk gjenden as në romane, as në proza  e as në tregime. Ajo(poezia) ngelet unike me regjistrin e lartë që përdor, ashtu siç Paundi mjeshtërisht ndërton figurën e femrës që do, duke e quajtur atë edhe fëmijë.

    Poeti te strofa e dytë vargu i katërt e krahason vajzën me natyrën e pastër, të virgjër e të pafajshme si fëmija dhe jo si bota gënjeshtare e antonimikja e natyrës, pastërtisë, padjallëzisë apo fëmijërisë. Në këtë varg poeti përdor viza në midis fjalëve që të krijon idenë e ngadalësimit të ritmit duke fokusuar e duke theksuar fjalën fëmijë. Nëse mundohemi të futemi në psikologjinë e një të rrituri është pothuajse e “pamundur”, sepse ai ngre mure të cilat nuk mund t’i kapërcesh dhe të depërtosh në mendime, kurse tek fëmija zbulon deri në detaje si dëshira, mirësi, dashuri, sepse ka natyrë të çiltër dhe të dëlirë e nuk druhet nga njerëzit. Kështu është edhe vajza e poetit një e rritur-fëmijë ku kjo për botën, për shoqërinë, për njerëzit është çmenduri, sepse prirja jonë është e tillë, jemi të rritur e të sillemi si të rritur sipas moshës që kemi, kurse kjo vajzë është mishërimi i ndjenjave të pastra dhe të çiltra së cilës poeti e himnizon bukurinë përmes vargjeve të cilat krijohen përmes metrikës së pasur.  Poezia “Një vajzë” ka një strukturë prej dy strofash. Paundi e ndërton poezinë pa një metër të caktuar ku vargu nga vargu varion nga 9, 10, 11 rrokësh në strofën e parë. Në strofën e dytë gjejmë vargje me 2, 3 , 10 rrokësh. Siç e shohim poezia është e çlirët dhe elastike nga numri i rrokjeve. Rimë kjo poezi nuk ka përveç dy vargjeve të fundit të strofës së dytë.

    “ Fëmijë,- kaq i lartë -je,

    E gjitha kjo për botën është çmenduri”

    Ritmi është një nga elementët e metrikës dhe te poezia jonë është e ndjeshme, e kapshme nga ana akustike. Vargjet ndjekin njëra-tjetrën duke krijuar muzikalitet, në strofën e dytë në tre vargjet e para është rrokja e ajo që theksohet dhe krijon këtë atmosferë citoj;

    “Pemë je,

    Myshk je,

     Viollcë je me erën përmbi.”

    edhe këtu ashtu sikurse në të gjithë poezinë theksi bije te fjala pemë.

    Ezra Paund na paraqet vetë dy strofa dhe e gjithë koshienca jonë vërtitet jo te vajza si person fizik për të parë tiparet  apo të përshkruhet bukuria  e saj, por autori pikturon me fjalë dashurinë e madhe dhe sublime që ka për vajzën.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË