Në këtë përvjetor të 25-të të ndarjes nga jeta të Timzot Simon Filipajt (1925-1999) mbeten plot argumente për t’u shtjelluar, e ndërkohë vetë madhështia e punës së tij shumëvjeçare meriton një homazh me punime të posaçme, që dëshmojnë mbi të gjitha dhe reflektimin e një ndërmarrjeje që duke u shfaqur e realizuar dhe e botuar, njëherësh evokon dhe një rrugëtim të gjatë që mori inicim shekuj më parë, duke u bërë konkret dhe me libra të shtypur e të rimarrë në gjenerata.
Një historik kompleks i ardhjes së Shkrimit të Shenjtë në qasje ndaj receptimit në kulturën e të dëgjuarit dhe të të lexuarit është marrë në analizë dhe në parathëniet më të rëndësishme të botimeve integrale të Biblës, plotësi kjo që përmbushet me praninë e Besëlidhjes së Re dhe të akteve që e pasojnë atë prej kohësh. Ekzemplari i vetëm (Meshari, 1555) që vijojmë të disponojmë si model i lëvrimit të një kulture genuine të besimit me anë tekstesh himnodike, liturgjike dhe biblike mbetet dhe dëshmi e preekzistencës së tyre, madje në disa raste e një hershmërie të rrallë që pasqyrohet në këngët mariane me të cilat Oficja përfaqësohet si pjesë e rëndësishme e tij.
Disponimi i këtij modeli kompleks libror që mbetet referencial si për këngët e frymëzuara që dëshmojnë një traditë të mëparshme të kultivimit e të njohjes së tyre ndër besimtarë, ashtu dhe për të tjera tekste që në shekujt e mëhershëm ishin objekt diskutimi dhe në proces të Reformës e të Kundërreformës, na bën të vlerësojmë së tepërmi edhe kontributin e Simon Filipajt me një korpus të plotë tekstor, siç mund të jetë libri i librave, Bibla.
Një ndër ndërmarrjet dhe sprovat më të vështira për një studiues të Shkrimit të Shenjtë mbetet vetë brendësimi tekstor i korpuseve në të cilat teksti është i përfshirë, duke pasur më së pari parasysh pjesët nga Besëlidhja e Vjetër dhe ajo e Re.
Një pune të tillë që i ngjet një sipërmarrjeje madhore në pikëpamje të ngërthimit të një pasurie të pamatë variantesh e mundësish për të përftuar e qëlluar me fjalën, emërtesën, përveçimin, sintagmën e tekstin Filipaj nuk iu qas pa ndroje e pa i shtruar vetes pyetje të ligjshme e të motivuara nga formimi i përmbushur në disa kompetenca.
Simon Filipaj i qaset një sprove të tillë me skrupulozitetin e besimtarit e të lexuesit, të njohësit të thelluar të këtij historiku, bashkë me maturinë e natyrshme që një ndërmarrje e tillë i rezervon dhe atij, si një dishepull që në çdo hap të punës përballet me performim në kompetencë gjuhësore, tekstore, teologjike e letrare.
Siç do ta gjurmojmë në vetë shënimet e tij introduktive:
“Një vepër si Shkrimi Shenjt që po e morëm parasysh traditën gojore të shkruar më vonë, u krijua brenda hapësirës kohore nga 1300 vjet para e deri 100 pas Krishtit, mandej shumë libra të saj të shkruar jo në gjuhën amtare, por greqisht- përkthehen në gjuhën e sotme shqipe, edhe guximtarit më të madh, sa më thellë t’ia hyjë punës, aq më fort ia bren guximin.”[1]
Ardhja e variantit të plotë të Biblës në gjuhën tonë prej duarve të Filipajt pasuron së tepërmi dhe panoramën njohëse të shqipes si një medium që reflekton në çdo nënsistem mjete e tipare që dëshmojnë një përkatësi të qartë të saj ndaj një familjeje gjuhësore të konfirmuar, ashtu si dhe vetë veçanësinë e saj që qysh me sprovat e para për ta sjellë në këtë të fundit tekstin biblik, lutjet themelore të besimit të krishterë, terminologjinë që e karakterizon këtë të fundit në çështje të dogmës e të kanonit, shfaqet me një tërësi ndërtimesh e përdorimesh.
Disponimi i teksteve të Besëlidhjes së Vjetër dhe asaj të Re në shqipe dëshmohet prej shekujsh, por çështja e plotësisë së ardhjes së tyre dhe e gjurmimit të teksteve që janë pjesë e tyre përbën një tjetër linjë gjurmimi për studiuesit e kësaj materieje. Hyjnë në kauzë dialektet e shqipes dhe mjetet e pashtershme që burojnë prej njohjes e lëvrimit të tyre, inspirimi i prelatëve që iu kushtuan një çështjeje të rëndësishme duke u sprovuar në përpilime të sakramentarëve, breviarëve, librave të katekezës, doracakëve doktrinarë, përmbledhjeve sintetike që shënojnë me modestinë e tyre në vëllim hapa të rinj në lëvrimin e shkrimit shqip e të kulturës përkatëse. Evokimin e kësaj kulture paraprijëse e gjejmë të shprehur në mënyrë lapidare në dedikimin me të cilin Simon Filipaj e introdukton botimin e Biblës së tij, duke përmendur me nderim të thellë pararendësit e një pune të mundimshme, në të cilën secili vendos gurin miliar gjegjës, për ta lënë të vijueshme me fryte të reja të njëjtën iniciativë.
Në këtë kushtim prekës të bën përshtypje dhe vetë përndarja gjeokulturore e kontribuesve që përtej shekujve e përkatësisë në rite të celebrimit të besimit të krishterë janë dëshmi e shtrirjes së pasurisë së gjuhës sonë e të dialekteve të saj, reflektuar dhe në sprovat e Matrangës (1592) e të heronjve të heshtur të sjelljes në këtë të fundit të Shkrimit të Shenjtë e të krejt veçanësisë së tij, të cilët dhe nuk u bekuan detyrimisht me fatin e vjeljes së frytit të punës së tyre.[2]
Mirënjohjen ndaj punës së tyre që nuk duhet ta mbulojë harresa sërish e gjejmë në ato shënime të vyera me të cilat ndërtohet dhe parathënia e vetë përpiluesit që mban datën 20 prill 1993. Pikërisht, në këto vite, pothuaj dy dekada mbas ndryshimeve që shënuan normëzimin kryesisht drejtshkrimor të shqipes së shkruar, diskutime të nevojshme do të duhej të lidheshin dhe me tekstin biblik e receptimin e tij në një kontekst që po përballej mbas disa vitesh me praktikën e liturgjisë së përditshme e me gjithë regjistrat përkatës që lidhet me të. Rikthimi në ushtrimin e besimit në vendin tonë (1991) e në lirshmërinë e celebrimit të riteve përkatëse natyrisht risolli në vëmendje dhe çështjen e tekstit kanonik dhe vetë rimarrjen e një trashëgimie të çmuar në këngë, krijime e himne fetare që falë një gjenerate të çmuar të popullsisë sonë erdhën të pacenuara e madje si një ogur i mirë në krejt momentin historik që përkon me një ngjarje të tillë.
Çdo variant tekstor që ka të bëjë me Biblën dhe ardhjen e saj në një gjuhë të caktuar ka në vetvete kompetencën dhe zgjedhjet e përpiluesit, aq më tepër të një kleriku që dhe në sprovën e vet ka barrën e vetëdijes së një ecurie të gjatë sa shekujt, të mundimshme sa vetë njohja e arsenalit kompleks që çdo idiomë mbart, aq më tepër shqipja që ka një historik të ngërthyer nga zhvillime e ndryshime të lidhura me faktorë më së pari të natyrës historike.
Përulësia e përpiluesit dhe e përkthyesit do të mund të gjurmohet në mjaft pasazhe të botimit të Biblës integrale e të përgatitjes së saj për botim nga Simon Filipaj. Këtë përulësi e gjurmojmë në një shkallë të lartë ndjeshmërie në kolofonin e Mesharit (1555) të Gjon Buzukut, në tekstet e Doktrinës së krishterë (1618) të Pjetër Budit, në të quajturën “Admonitio de erroribus” të Dicionarit (1635) të Frang Bardhit, në “Të primitë përpara letërarit” të veprës “Cuneus prophetarum” (1685) të Pjetër Bogdanit, në mjaft tekste të tjera herë introduktive e herë përmbyllëse që në përshtatshmëri me normat e kohës, qofshin ato editoriale dhe qofshin ato të respektimit të hierarkisë përkatëse, janë njëherësh shprehje e konfirmim i vetë autorësisë së tyre.
Kjo parathënie e Simon Filipajt në të vërtetë është ftesa më e mirë për ta lexuar e brendësuar punën madhore që reflektohet në një variant të plotë biblik, me një pasuri të çmuar mjetesh e shprehjesh, ndër të cilat çdo disiplinë studimore që ka të bëjë me studimin e tekstit, me letrarësinë, me vështrimet krahasuese e filologjike gjen natyrshëm artificet dhe tiparet e veta qenësore.
Si nxitje e shtysë për të ndërmarrë iniciativa studimore mbi një punë të tillë që do t’i rezistojë kohës janë librat e Besëlidhjes së Vjetër, të shtrirë në një ecuri të qartë e tradicionale, por dhe me ungjijtë e pjesët përkatëse, që në veçanti me shembëlltyrat e domethënien përkatëse mbeten tekste referenciale për krahasime e reflektime duke filluar nga tekstet më të vjetra shqipe. Evokimi me shprehje të veçanta, me ndërtime dhe tituj pjesësh i kulturës sonë të lashtë do të mund të gjurmohet natyrshëm, bashkë me një frazeologji të larmishme që ripohon domosdoshmërinë që tekstin biblik ashtu si dhe këngët më të moçme fetare çdo popull duhet ta ketë të dëshmuar dhe të lëvruar dhe në gjuhën e vet, për të arritur më drejtpërdrejt në zemrën e mendjen e besimtarit.
Vitin e ardhshëm do të shënohet një përvjetor mirëfilli jubilar i lindjes së Dom Simon Filipajt, fakt që na nxit gjallërisht të jemi pjesë e një kalendari të paracaktuar dhe në rang institucional që mund të bëjë të mundur celebrimin e veprës së një personaliteti që jetën e vet ia kushtoi baritores, shkrimtarisë, përkthimtarisë dhe shtjellimit të shkrimit të shenjtë. Tashmë janë në një shkallë të qartë konfirmimi qendra të studimeve albanologjike në vendin tonë, njësi e institute kërkimore që në mëtimin për të ndërthurur interesat studimore e të hulumtimit, pikërisht në Biblën shohin të reflektuar një arsenal të tërë pasurie që pret të shtjellohet nga antropologë të kulturës biblike e studiues të historisë së shkrimit.
Le të jetë dhe kjo veprimtari celebrative, e nxitur nga përvjetori i 25-të i largimit të tij nga jeta një paranjoftim për të tjera tubime shkencore që do të mund t’i kushtohen prelatit tonë, misionarit fisnik të ruajtjes së fjalës shqipe e të mesazhit të Shkrimit të Shenjtë në gjuhën tonë.
[1] Paraqitja, në Shkrimi Shenjt: Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re, Përktheu dhe shtjelloi Dom Simon Filipaj, Tiranë, 2005, f.VII.
[2] Paraqitja, në Shkrimi Shenjt: Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re, Përktheu dhe shtjelloi Dom Simon Filipaj, Tiranë, 2005, f.VIII: Në fund dëshiroj të vë në dukje në shenjë nderimi të punës në të mirën e kulturës sonë se, nëse ky është botimi i parë i Biblës në gjuhën shqipe, nuk është përkthimi i parë. Këtë nder e patën para meje së paku edhe dy vetë; Gregori nga Durrësi (+1772), dhe Theodhor Haxhifilipi (1730-1806). Ata s’arritën t’i botonin dhe dorëshkrimet fatkeqësisht humbën. I kujtoj me nderim e me mall në shpirt që puna e tyre s’e pati fatin të shihte dritën e diellit.