Mësova aty rreth moshës dy ose tre vjeçe që çdo dhomë në shtëpinë tonë, në çdo kohë të ditës, ishte aty për të lexuar ose për të të lexuar. Nëna më lexonte. Më lexonte çdo mëngjes në dhomën e madhe të gjumit, pasi uleshim në karrigen lëkundëse, e cila krijonte ritëm ndërsa tundeshim, sikur të kishim një bulkth që shoqëronte historinë. Më lexonte në dhomën e ngrënies, pasditeve të dimrit, para zjarrit të qymyrit, me orën që binte me tingullin si të qyqes që i jepte fund historisë me “Qyqe”, dhe natën kur isha në shtrat. S’duhet t’a kem lënë të qetë. Ndonjëherë më lexonte në kuzhinë duke tundur dybekun, dhe zhurma dëneste bashkë me çdo histori. Ishte ambicia ime ta bëja që të më lexonte ndërsa unë tundja dybekun; një herë ma plotësoi dëshirën, por ajo e mbaroi së lexuari historinë për mua para se të bëhej gjalpi. Ishte një lexuese shprehëse. Për shembull, kur po lexonte “Macja me çizme”, ishte e pamundur të mos e dinte që ajo s’u besonte të gjitha maceve.
Kishte qenë befasuese dhe zhgënjyese për mua kur zbulova se librat me histori ishin shkruar nga njerëzit, se librat nuk ishin mrekulli natyrore, që dalin vevetiu si bari. Megjithatë, pavarësisht nga kishin ardhur, s’mund të kujtoj një kohë kur nuk isha e dashuruar me to – me vetë librat, ballinën, letrën me të cilën ishin shtypur dhe si ishin lidhur, me erën dhe peshën ndërsa e mbaja në dorë dhe e merrja me vete. Akoma e pashkollë, isha gati për to, e përkushtuar për të gjithë leximet që mund t’u bëja.
Asnjë nga prindërit e mi nuk i përkiste një shtëpie që kishte mundësi të blinte shumë libra, por megjithëse duhet të ketë qenë e vështirë me pagën që merrte si oficeri më i ri në një kompani të re sigurimesh, im at zgjidhte dhe porosiste me kujdes ato libra me të cilët ai dhe nëna mendonin se ne fëmijët duhet të rriteshim. Ata blinin libra para së gjithash për të ardhmen.
Përveç raftit të librave në dhomën e ndenjes, e cila gjithnjë quhej “biblioteka”, në dhomën e ngrënies kishte një tryezë me enciklopedi dhe një raft me fjalorë. Për të na ndihmuar të rritemi duke debatuar rreth tryezës së dhomës së ngrënies ishin fjalori Webster, Enciklopedia e Columbia-s, Enciklopedia e illustruar e Compton-it, dhe enciklopeditë Biblioteka e Informacionit e Linkolnit dhe më vonë Libri i Njohurive. Kur u zhvendosëm në shtëpinë tonë të re, kishte vend për ta përuruar me botimin e ri të eciklopedisë Britannica të vitit 1925, të cilin im at, ishte i prirur ta mendonte si një libër më të mirë se çdo botim i mëparshëm.
Në “bibliotekën”, brenda raftit të thjeshtë, me tre dyer prej xhami me rrjetëz në formë rombi, me kolltukun e gjerë të tim ati dhe abazhurin në tryezën pranë, ishin librat që mund të filloja t’i lexoja së shpejti – dhe ashtu bëra, nisa t’i lexoj duke i marrë një nga një nga rreshtat në raft duke nisur nga lart-poshtë. Ishte Ligjërat e Stoddard-it, me fjalorin tipik të shekullit të nëntëmbëdhjetë, skicat të jetës së fshatarëve plot besime dhe zakone të çuditshme, me ilustrimet vizatimore përkatëse: Vezuvi që shpërthen, Venecia në dritën e hënës, ciganët ndanë flakëve të zjarreve. Atëherë s’e dija se ato shprehnin dëshirën e zjarrtë të tim ati për të parë pjesën tjetër të botës. Kam lexuar drejtpërdrejt përmes kësaj dashurie të tij për vende të largëta: Librin Victrola të Operës, me opera, përshkrime të tyre, illustrime me portretet e sopranove Melba, Caruso, Galli-Curci dhe Geraldine Farrar, zërat e të cilëve mund t’i dëgjonim në pllaka gramafoni.
Nëna ime kishte në plan të dytë leximin për informacion, ajo u zhyt si hedoniste në leximin e romaneve. E lexoi Dickens-in sikur po arratisej me të dashurin. Romanet e vajzërisë së që mbetën në imagjinatën e saj, përveç atyre të Dickens-it, Scot-it dhe Robert Louis Stevenson-it, ishin Jane Eyre, Gruaja me të bardha, Pallate të gjelbërta, Minierat e mbretit Solomon. Do të shfaqej edhe Emri i Marie Corelli-it, por e kuptova që s’ishte e prapëlqyer nga ime më, e cila e kishte ruajtur besnikërinë si lexuese vetëm për romain Ardath. Me kalimin e kohës ajo u zhyt në leximin e Galsworthy-t, Edith Wharton-it, para së gjithash katër vëllimet e Xhozefi dhe vëllezërit të Thomas Mann-it.
Romanim Shën Elmo të Jane Evans-it s’e kishim në shtëpinë tonë por e shihja shpesh në shtëpi të tjera. Ky roman jashtëzakonisht i njohur jugor është arsyea pse filloi të ketë vajza me emrin e heroinës së romanit, duke e mbushur me Edna Earles-a popullatën tonë. Të gjitha ato morën emrin e heroinës, e cila arriti të gjunjëzonte një mashtrues femrash, mëkatar dhe ateist si si Shën Elmo. Nëna arriti ta harronte. Por iu kujtuan këshillat që zakonisht u jepeshin atyre që kujdeseshin për trëndafilave gjatë kohës së pushimit: “Merrni një karrige për t’u ulur dhe një Shën Elmo”.
U detyrohem prindërve për takimin e hershëm me Mark Twain-in, autor kaq i shtrenjtë. Kishte një komplet të plotë me librat e Mark Twain-it dhe disa libra të Ring Lardner-it në raftin tonë të librave, dhe këto ishin vëllime që na bashkuan të gjithëve, prindërve dhe fëmijëve.
Duke lexuar gjithçka që kisha para meje hasa në një libër të vjetër që i përkiste babait tim kur kishte qenë fëmijë. Titullohej Sanford dhe Merton. Pyes veten, a ka mbetur vallë dikush që e ka lexuar? Ishte përralla e famshme morale e shkruar nga Thomas Day në vitet 1780, por për të s’përmendet asgjë në faqen e parë të këtij libri; aty ishin Sanford-i dhe Merton-i tek Fjalët e Njërrokëshe të Mary Godolphin-it. Aty ishin djali i pasur dhe djali i varfër dhe Zoti Barlow, mësuesi dhe bashkëbiseduesi i tyre, në ligjërata të gjata që alternoheshin me skena dramatike – gjendeshin në rrezik por shpëtonin të pasurit edhe të varfërit. Mund të kishte vetëm fjalë me një rrokje, por njëra prej tyre ishte “thonë”. Përfundonte jo me një, por me dy mësime morale, të dyja të gdhendur në unaza: “Bëj atë që duhet, në çdo lloj rrethane” dhe “Para se të bëhemi të mëdhenj, duhet të mësojmë të bëhemi të mirë”.
Këtij libri i mungonte ballina e përparme, pjesa e pasme kishte shirita letre të ngjitura, tani me ngjyrë të verdhë, fletët me njolla dhe të grisura në cepa; ilustrimet e mrekullueshme ishin shkëputur, por ishin ruajtur në secilën fletë. Edhe në fëmijërinë time të shkujdesur kam pasur ndjesinë se ky ishte libri i vetëm që babai si djalë i vogël kishte pasur të vetin. E kishte ruajtur dhe mund të kishte fjetur duke e vënë nën krye: nëna i kishte vdekur kur ishte shtatë vjeç. Babai s’na e kishte përmendur kurrë librin e fëmijërisë së tij, por e kishte marrë me vete nga Ohajo në shtëpinë e re dhe e vendosi në raftin tonë të librave.
Nëna kishte sjellë nga Virxhinia Perëndimore kompletin e librave të Dikensit, dhe ato libra dukeshin të trishtuar – kishin kaluar nëpër zjarr dhe provën e ujit para se të lindja unë, kështu më tha ajo, dhe ishin vënë në rresht – siç e kuptova më vonë, duke më pritur.
Me sa mbaj mend, u njoha me librat e mi, për ditëlindje dhe në mëngjesin e Krishtlindjes. Në të vërtetë, prindërit s’mund të më jepnin aq libra sa duhej. Duhet të kenë sakrifikuar për të më dhënë në ditëlindjen time të gjashtë ose të shtatë – pasi u bëra lexuese – kompletin me dhjetë vëllime të enciklopedisë Bota jonë e mrekullueshme. Këto libra ishin të bukur, të rëndë, shtrihesha në dysheme përpara vatrës së dhomës së ngrënies për t’i lexuar, dhe më së shumti para syve mbaja vëllimin e pestë të Libri i historisë së çdo fëmije.
Kishte përralla – Grimm, Andersen, anglezët, francezët, “Ali Baba me dyzet hajdutë”; aty ishin edhe Ezopi, Reynard Dhelpra; kishte mite dhe legjenda, Robin Hood-i, Mbreti Arthur, Shën Gjergji dhe Dragoi, madje edhe historia e Zhan D’Ark; rravgimet e Përparimi i Pelegrinëve dhe një pjesë e gjatë e Guliverit.
Të gjithë kishin ilustrime klasike. E mësova përmendësh përmbajtjen e këtyre faqeve dhe mund t’i hapja menjëherë aty ku ishin historitë dhe fotografitë që doja; shumë shpesh përralla “Xhuxhi i verdhë” ishte zgjedhja e parë, e përshtatur nga Walter Crane me ilustrime plot ngjyra që e bënin pamjen e tij të tmerrshme në shoqërinë e gjelave të detit. Tani ai vëllim është aq i konsumuar dhe kopertinën e pasme, e kishte të katandisur si Sanfordi dhe Mertoni i stërvjetëruar i tim ati. Faqet e çmuara me poezitë humoristike të Edward Lear-it kanë qenë të rrezikuara të griseshin nga përdorimi për vite të tëra. Një tregues i dashurisë time për Bota jonë e mrekullive ishte se për një kohë të gjatë vrisja mendjen nëse mund të kaloja nëpër zjarr dhe ujë për të siç kishte bërë nëna për Charles Dickens-in, dhe ngushëllimi i vetëm ishte të mendoja se mund t’ia kërkoja nënës ta bënte për mua.
Besoj se jam fëmija i vetëm që u rrit me këtë thesar në shtëpi. I pyesja të tjerët: “A e keni Bota jonë e mrekullueshme?” dhe u thoja se Libri i Njohurive as që i afrohej atij.
Jetoj me mirënjohje ndaj prindërve që më mbështetën, sapo ua kërkova, pa më lënë të prisja, për njohjen e fjalës, leximit dhe drejtshkrimit, me anë të alfabetit. Më mësuan në shtëpi të nisja të lexoja para se të filloja shkollën. Besoj se tani alfabeti nuk shihet më si një element thelbësor i pajisjes me dije për të udhëtuar nëpër jetë. Në kohën time ishte guri themelor i dijes. Mësoje alfabetin ndërsa mësoje të numëroje deri në dhjetë, siç mësoje lutjet, emrin e babës, nënës, adresën dhe numrin e telefonit, në rast se humbje.
Dashuria ime e përhershme për alfabetin, u shtua prej recitimit të tij, por, para kësaj, prej parjes së shkronjave në faqe. Në librat e mi me hsitori, para se t’i lexoja vetë, rashë në dashuri me gërmat e ndryshme dredha-dredha, me pamje magjepsëse të vizatuara nga Walter Crane në titujt e përrallave. Në “Një herë e një kohë, një “O” kishte një lepur që vraponte si në rrotë, me këmbët mbi lule. Kur erdhi dita, vite më vonë, që të shihja Dhiatën e Re, e gjithë magjia e shkronjave dhe e fjalëve më përfshiu me mijëra herë, dhe ndriçimi i shkronjave të arta, ngjante si pjesë e bukurisë së fjalës dhe shenjtërisë që kishte qenë aty nga fillimi.
Eudora Welty (1909-2001) u lind në Jackson, Mississippi, SHBA, Ka shkruar tregime, romane, ese, recensa dhe është fituese e Çmimit Komëbtar të Librit dhe Çmimit Pulitzer. Shkrimi është shkëputur nga “Fillimet e një shkrimtari”, pjesë e leksioneve që mbajti në universitetin e Harvardit më 1983, të cilat u botuan si libër një vit më pas nga Harvard University Press.
Përktheu: Granit Zela