More
    KreuLetërsiBibliotekë"Etyd", tregim nga Fatmir Mborja

    “Etyd”, tregim nga Fatmir Mborja

    Kishte një copë herë që rrinim në verandën e mbuluar të hotelit, e cila gjatë verës përdorej si birrari dhe gumëzhinte nga pushuesit, ndërsa tani, në ditët e fundit të marsit, kur sezoni i plazhit dukej akoma mjaft larg, ishte krejt e lënë pas dore dhe veç ne të dyve, nuk kishte njeri.

    Ishte hoteli më i vjetër i plazhit, i vogël e fare i lirë, që edhe pse pa ndonjë komoditet, na pëlqeu e na u duk i përshtatshëm, mjafton të ishim më vete, pa të huaj nëpër këmbë e të ndiheshim lirshëm, si në shtëpi. Patëm ardhur i gjithë grupi që të pardjeshmen për një ekskursion katër ditor, përpara se të shpërndaheshim për praktikën e fundit, por si të na e bënte me kast, shiu që nuk kishte ndërmend të pushonte, na mbylli brenda. Kështu, që pjesën më të madhe të kohës, e kalonim nëpër dhoma me muhabete e shaka, apo duke luajtur me letra, herë kupat, herë xhol më pesëdhjetë qindarka të djegurën, kur në lojë hynin vajzat dhe bëheshim shumë. Ndërsa mbrëmjeve vallëzonim nën tingujt e një gramafoni të stërlashtë, nga ata me të kurdisur, të cilin, nga dëshira për të na kënaqur me sa mundej, na e solli nga shtëpia e tij përgjegjësi i hotelit. Pllaka ishin pak, diçka më tepër se një duzinë, ca tango e fokstrote, po aq të vjetra sa gramafoni dhe që duheshin ndërruar orë e çast. Por asnjë nga këto nuk përbënte shqetësim, se meloditë qenë të mrekullueshme, kurse ata që i ndërronin, i jepnin jetë më tepër asaj relikeje familjare, sidomos, kur njëra nga vajzat shpiku “dënimin për shkeljen e këmbës”. Qe një propozim që u pranua  njëzëri nga të gjithë e që u kthye në një argëtim më vete, sipas të cilit dënoheshe me tri ndërrime pllakash nëse partnerja ankohej për shkeljen e këmbës gjatë vallëzimit, që për shkak të ngushtësisë së vendit, mund të ndodhte rëndom po të mos tregoheshe vazhdimisht i vëmendshëm. Kështu shpesh, pranë gramafonit bëheshin disa të dënuar njëherësh, ndërmjet të cilëve, kuptohet, një pjesë qenë viktima. 

    Kishte dhe nga ata që ngrinin zërin e protestonin, por nuk fitonin asgjë. Prandaj, që të shpëtoje vetëm me valën e parë të të qeshurave, ishte më mirë të mbyllje gojën e mos ndiheshe. Ndryshe, veç dënimit, duhej të duroje dhe romuzet e atyre që mezi prisnin rastin, duke harruar se, pas pak, mund të binin edhe vetë viktimë e po ashtu, të bëheshin objekt humori për të tjerët. Të gjitha këto e ndiznin akoma më tepër atmosferën gazmore dhe ne vallëzonim deri vonë pasmesnate, nën tingujt melodiozë të atyre tangove e fokstroteve që përsëriteshin e përsëriteshin pa pushim, sa i mësuam përmendësh, aq sa edhe sot, ndonëse që atëherë kanë kaluar shumë vite. Jo rrallë e zë veten duke i kënduar ato nën zë.

       ***

    Ishim ulur që të dy me  vështrim nga deti. Ajo kishte përpara një krikëll birre paksa të nisur, kurse unë një dopio fërnet, përzierë me aranxhatë në një gotë uji,  nga e cila, më shumë se gjysmën, e kisha pirë me një frymë që në banak. Të mbrëmshmen kishim vallëzuar shumë herë së bashku, por, deri në çastin kur m’u tek të bëja atë provën idiote duke i shkelur këmbën, s’kishim shkëmbyer veç fare pak fjalë. Ajo dukej e trishtuar dhe m’u kujtua se, po kështu, e trishtuar më ishte dukur kur po vinim, e për këtë ishim ulur pranë dritares. Ndërsa pas mbërritjes, që kur u shpërndamë nëpër dhoma, s’ma kishte zënë syri gjëkundi. Mirëpo, ja! Po e shihja përsëri. Nuk e di ç’më shtyu ta bëja atë provë, por nga që nuk e llogarita mirë, duket e shkela më shumë nga ç’desha. Ajo lëshoi një klithmë të lehtë dhe i pashë fytyrën t’i rrudhej nga dhimbja. Kjo zgjati fare pak dhe, si t’i vinte rëndë për atë çast dobësie e të donte të shfajësohej, më buzëqeshi e tha:

    -O, sa më vrave!

    -Nuk po më denoncon? – e pyeta unë atëherë duke e vështruar ngultas në sy.

    -Jo. Po qe se je i mërzitur me mua… – tha ajo dhe, ndonëse vazhdonte të buzëqeshte, kuptohej që s’e kishte me shaka. Megjithatë, unë bëra sikur nuk e kuptova dhe duke i treguar me kokë të dënuarit që rrinin grumbull pranë gramafonit, i kujtova se, sido që të qe, rregulli i vendosur duhej respektuar. Por ajo mblodhi supet dhe m’u përgjigj se rregullat sajoheshin pikërisht për t’u shkelur, ndryshe nuk do të kishte kaq shumë e për çdo gjë. Ishte një përgjigje disi e papritur, megjithatë, duke bërë një lojë fjalësh, ia ktheva se sipas saj, rregullat shkeleshin ngaqë qenë shumë e, meqë qenë shumë, mund t’i shkelje si të doje. Ajo tha se ishte tamam kështu, se kishte ca si shumë edhe rregulla, edhe norma gjithfarë, sa që qe e pamundur mos t’i shkelje. Madje, ato sikur të nxitnin vetë t’i shkelje, si puna e atyre tabelave që fillojnë me “Ndalohet” apo “Mos” vendosur vend e pa vend, enkas si për të të kujtuar se duhet bërë e kundërta. Ndaj kur i shkel ndjen vërtet kënaqësi. E tërë kjo për mua ishte tejet e re, madje befasuese, sepse qenë dashur të kalonin katër vjet që ta dëgjoja të fliste kaq shumë e të shprehej kështu, në kundërshtim të plotë me natyrën e saj aq të heshtur e të ndrojtur dhe nuk mund ta quaja ndryshe, veç një shpërthim edhe pse nuk e kuptoja ç’donte të thoshte e gjithë kjo. Njëri nga çiftet që vallëzonin ngjitur më shtyu padashur nga pas dhe unë i shkela prapë këmbën e në të njëjtën kohë u gjenda i puthitur pas trupit të saj, duke ndjerë në trupin tim tërë ngrohtësinë dhe format e tij dhe pa vetëdije e shtrëngova fort për beli. Ajo nuk kundërshtoi dhe nuk bëri asnjë lëvizje për të më shmangur. “Dy në dorë” tha pastaj me atë buzëqeshjen që ia mbushte fytyrën gjithë dritë dhe unë mendova se edhe pa atë buzëqeshje, ajo ishte mjaft simpatike, vetëm se këtë nuk e kisha vënë re më parë, mbase ngaqë nuk i kisha kushtuar asnjëherë vëmendje.

       Dhe ti prapë nuk do të më denoncosh? – e pyeta unë, ndërsa vazhdoja ta mbaja të shtrënguar pas vetes.

       Kuptohet që jo,– tha ajo dhe duke mbështetur kokën mbi supin tim shtoi: “Kur hyn në rrugën e krimit nuk ka më kthim prapa.”

       Pastaj zuri të shoqëronte nën zë melodinë e tangos që po vallëzonim. Ndjeva ngrohtësinë e frymës së saj të më prekte qafën dhe faqen. Papritur, pata ndjesinë dehëse të lumturisë që vjen e të futet deri në palcë e të ngre lart në ca qiej të panjohur dhe s’mund ta kuptoja kurrsesi si qe e mundur që, duke e pasur aq pranë, ishte dashur të kalonin gjithë ato vite gjer të vinte kjo mbrëmje ta zbuloja. Si të kisha frikë mos më ikte, e shtrëngova akoma më fort pas vetes dhe s’di si arrita të përmbahem te mos e lëshoja kokën drejt kokës së saj, drejt atyre syve të pulitur që më vështronin si nëpër ëndërr, drejt asaj goje gjysmë të hapur me buzët që regëtinin.

    ***

    Kur u zgjova në mëngjes, nuk isha fare në formë. Magjia e një mbrëmjeje më parë ishte prishur, aq sa tani më dukej e largët, e largët, si t’i takonte një kohe tjetër, një bote tjetër, dikujt tjetër. Ishte prishur një herë e mirë dhe qe e pamundur të rikrijohej. Nga tërë ajo gjendje shpirtërore s’kishte mbetur asgjë, veç ca rrënojave dhe ndjenjës brejtëse të fajit. Isha nisur pa asnjë paramendim, thjesht për të bërë një shaka, për ta sjellë pak në humor, nga që dukej e trishtuar. As që mund ta merrja me mend ç’ndiente ajo. Ndërsa, kur e kisha kuptuar, kishte qenë tepër vonë. Nuk varej më prej meje asgjë. Gjithçka ndodhte jashtë vullnetit, si një rrjedhë që s’mund të ndalej. Ç’më kishte dehur ashtu? Mirë që nuk isha shtyrë më tej pas puthjes së ndarjes.

    U vesha dhe zbrita poshtë me dëshirën për të pirë. Tavolina, të cilën ma nxori bufetieri, me njërën këmbë më të shkurtër, lëkundej bezdisshëm sa herë që rëndoja mbi të dhe fërneti zinte e kërcente faqeve të gotës, si një kafshëz e zënë në çark. Po gota qe e madhe, gotë uji dhe nuk arrinte të derdhej asnjë pikë.

    Pas një ndërprerje të shkurtër, shiu ia kishte nisur shtruar e me nge. Retë shtyheshin e ngjiteshin pas njëra tjetrës, të rënda e nursëze. Deti kishte marrë një ngjyrë të errët, gati të zezë, si asfalt, mbi sipërfaqen e të cilit, si tufa patash të trembura, vraponin varg krahët e bardhë të valëve që vinin nga thellësia e shuheshin mbi ranishte me një ofshamë të mbytur.

    Ajo kishte ardhur e më qe afruar pa e ndierë, aq sa e vura re vetëm kur më qëndroi pranë, ashtu e ndrojtur dhe e heshtur si përherë.. Ndonëse më pëlqente të rrija vetëm, i thashë të ulej e s’di përse i propozova një krikëll birrë. Vajta e mora vetë e ia vura përpara, edhe pse ajo nguli këmbë se nuk donte asgjë. Birra qe e freskët, mbuluar me një kapuç shkume të lehtë e poroze që zhuzhiste. Ajo, duke u përpjekur të më buzëqeshë, e kapi me të dy duart e, pasi i fryu për t’i larguar shkumën nga ana ku do pinte, piu fare pak, dy a tri gllënjka dhe e lëshoi prapë mbi tavolinë. Nuk piu më.

    Diçka po thoshte, po s’e kisha mendjen fare atje. I dëgjoja vetëm zërin. Edhe ai, sikur s’ishte tamam zëri i saj, sikur vinte prej së largu, përzier me shushurimën e shiut mbi mbulesën e verandës, me ofshamën e valëve që lëshoheshin e treteshin atje mbi breg e që ashtu, pleksur, më kalonin nëpër vetëdije pa lënë asnjë gjurmë. Po magjia e së mbrëmshmes ishte prishur njëherë e mirë dhe ishte e pamundur të rikrijohej. Madje qe e kotë të përpiqeshe. Tani në dritën  e ditës gjithçka kish ndërruar, kishte marrë pamje tjetër dhe ajo që kish ndodhur i ngjante një lajthitjeje a një keqkuptimi, sado që ndjeja keqardhje.

    Edhe tani më dukej po aq simpatike dhe prapë më vinte çudi se si s’e kisha vënë re që më parë. E megjithatë përsëri nuk ndjeja asgjë më tepër nga ç’kisha ndjerë dikur. Ç’do të ndjeja për një tjetër nëse do të rrinte ulur tani pranë meje?! Ndoshta do të kisha dëshirë të bëja dashuri, kurse me këtë nuk e kisha as këtë dëshirë. Jo se s’më pëlqente si femër, por ja që s’mundja…

    Piva dy-tri gllënjka fërnet dhe ndeza një cigare. Ranishta e gjerë nxinte e zymtë dhe e shkretë deri tej, si një brez i vjetër e i rreshkur lëkure, shtrirë me zor përgjatë radhës së vilave boshe me pamjen e pikëlluar e të braktisur, si dekori i çngjyrosur i një pjese gazmore të luajtur kohë më parë e të harruar. Tutje, më të djathtë, shquhej një cep i portit, veshur nga një tis i hollë mjegulle: ca krahë vinçash, ca çati, ca direkë dhe akoma më tutje, fare në skaj, fari i gurtë si hiri i pa shkundur i një cigareje, ndërsa përballë, anijet që qëndronin në radë. Të vogla e të pa lëvizura nga largësia, ngjanin si të prera në letër e sepse më sillnin ndërmend dhe atë librin e aritmetikës të klasës së parë, mbushur plot me figura lloj-lloj.

    Befas, ajo pushoi së foluri dhe u bë qetësi. Tek ktheva kokën, hasa vështrimin e saj të ndrojtur e pritës. U mata ta pyesja çfarë kishte thënë, po ato anijet qëkurse kishin dalë nga libri i aritmetikës dhe uji që tërhiqej gjatë gjithë vijës së bregut, duke e bërë ranishtën më të gjerë, më shtinë në mend diçka tjetër, diçka më të volitshme se një bisedë që do të qe krejt pa kuptim dhe në vend ta pyesja çfarë kishte thënë, e pyeta:

    – A të të them një gjë e gjëzë?

    Ajo mbeti si e ngrirë. Natyrisht që priste tjetër gjë. Diçka që kishte të bënte me ne të dy, çfarëdo që të ishte, sepse asnjëherë s’mund të jesh plotësisht i sigurtë. Aq më tepër pas asaj që kishte ndodhur natën e shkuar. Edhe në s’kishte qenë një premtim, një lloj marrëveshje  sidoqoftë kishte qenë dhe të jepje të drejtën të shpresoje. Qoftë edhe fare pak, po gjithsesi të shpresoje…

    – Hë! – këmbëngula unë – ta them apo jo?

      Sytë e saj kishin mbetur mbërthyer mbi mua pa asnjë shprehje dhe unë vura re si filluan të njomeshin e të humbitnin diku thellë, sikur po mbyteshin në një det të tërë trishtimi.

    – Si të duash. – tha ajo më në fund me një fije zëri, duke e hequr vështrimin nga unë, dhe me një lëvizje të plogët, largoi flokët që i kishin shkarë mbi faqe.

    – Po s’deshe, nuk e them.

    – Jo. Thuaje! Përse të të mbetet merak?

    – Merak? E përse të më mbetet merak?

    – Nuk e di. Megjithatë, po ke për ta thënë thuaje.

    – Mirë atëherë, dëgjo. Nga anija është lëshuar një shkallë që ka katër këmbë,.. secila 50 centimetra larg njëra tjetrës, ndërsa e fundit është rrafsh me sipërfaqen e detit. Ndërkohë fillon batica, që ngrihet me shpejtësi po 50 centimetra në orë. A e gjen dot sa kohë duhet që niveli i ujit të arrijë këmbën e sipërme të shkallës?

    – Sa këmbë ka shkalla?

    – Katër.

    – Dhe e fundit është rrafsh me sipërfaqen e detit?

    – Rrafsh me sipërfaqen e detit.        

    – Kurse batica ngrihet me shpejtësi 50 centimetra në orë?

    – Po. Dhe këmbët e shkallës janë po ashtu 50 centimetra larg njëra-tjetrës…                                                   

       Ajo filloi të mendohej. E kishte mbledhur veten disi dhe përpiqej të tregohej e interesuar, Sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Në një rast tjetër do të kisha qeshur me gjithë shpirt. Ishte fare e pazonja të shtirej. E kisha vënë re edhe herë të tjera më parë. Tamam si një fëmijë akoma e parrahur nga jeta…

    – Hë, e gjete?

    – Tri orë – tha ajo dhe më vështroi.

    – A je e sigurtë?

    – Po. – largoi prapë flokët që i kishin shkarë mbi faqe dhe u përpoq të buzëqeshte.

    – Shkalla ka katër këmbë, – ia nisi me gjallëri të shtirur, por zëri që dridhej e tradhtonte – domethënë, tri hapësira nga 50 centimetra secila që bëjnë 150 centimetra? E meqë zbatica ngrihet po 50 centimetra në orë, niveli i ujit do të arrijë këmbën e sipërme pas tri orësh.

    Heshti pak çaste dhe mori frymë e lehtësuar, sikur nga ajo përgjigje të varej gjithçka.

    – A nuk është kështu?

    – Të lumtë! – ia ktheva dhe rraha shuplakat. – Je me të vërtetë vajzë e zgjuar. Sipas kësaj mendjes tënde të ndritur të tëra anijet e botës duhet të qenë mbytur me kohë. Po, për fat të mirë, diçka e tillë as ka ndodhur ndonjëherë. Dhe e di përse? Për faktin e thjeshtë se bashkë me baticën ngrihen dhe të gjitha objektet lundruese, kështu që niveli i ujit nuk ka për të arritur kurrë asnjë prej këmbëve të shkallës, edhe sikur ti të rrish e të presësh në breg të detit gjersa të plakesh.

    Ajo kafshoi buzën. Mbi mollëza u bë e bardhë, e bardhë si letër dhe tiparet e fytyrës i mbetën si të ngrira nga ngërçi.

    Rrinte e më vështronte pa bërë asnjë lëvizje me ata sytë e mëdhenj që shkëlqenin nga lotët, sikur donte të pyeste: “Përse, përse?” Pastaj u ngrit ngadalë, duke u mbështetur pas tavolinës dhe pa kthyer kokën prapa, shkoi drejt hyrjes së hotelit.

    Papritur, diçka e brendshme më shtyu me forcë të ngrihesha dhe unë, ta arrija, t’i merrja duart në të miat, t’i kërkoja falje, të shpjegohesha. Po as u ngrita dhe as i thirra të kthehej. Nuk do të kishte kuptim. Më mirë kështu, thashë me vete. Më mirë pa iluzione…

     Pas një ore rrija ulur në vagonin e trenit, i qullur e i mardhur, ndërsa në shpirt më rëndonte ndjenja e fajit…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË