Bisedoi Andreas Dushi
A.D: Ermir, puna juaj disavjeçare e konkretizuar me këtë libër ngjan të ketë qenë vërte e mundimshme. Sikurse shihet në bibliografinë në fund të tekstit, janë konsultuar dhjetra materiale. Por duhet thënë se rezultati është vërtetë mbresëlënës, ndaj qysh në krye të herës dua t’ju uroj, por edhe falenderoj pasi si student i letërsisë, teksti juaj më ndihmon të përballem me një problematikë që paraqet vështirësi në lamien e studimeve letrare shqipe. A ishte pikërisht dëshira për ta dhënë këtë ndihmë ajo çka shërbeu si shtysë për ta punuar dhe realizuar studimin në fjalë?
E.N: Pyetja juaj vetvetiu me zhvendos disa vite prapa në kohë dhe teksa rend në kahun e kundërt shikon se brenda këtij harku kohor përmblidhet një dekadë e tërë. Kjo vepër së pari lindi si një ide. E mbaj mend shumë mirë. Ka qenë një pasdite fillim vere e vitit 2006, teksa po darkonim me tim atë, profesorin tim dhe studiuesin e mirënjohur të letërsisë Ali Xhikun dhe unë, në njërën nga restorantet në rrugën “Myslym Shyri”. Unë pak kohë më parë kisha botuar një studim mbi veprën letrare të Andon Zako Çajupit. Profesor Aliu më pyeti se Çfarë planesh do të kisha për vitet më tej në fushën e kërkimit dhe studimit dhe unë pasi i tregova idetë e mia për botimin e një përmbledhje me tregime dhe novela, sakaq i tregova se ndieja një kërshëri që më sundonte gjithmonë e më shumë për të hulumtuar në letërsinë shqipe dhe atë botërore, mbi ato subjekte që përbënin ato vepra romanore të shkruara e botuara ndërmjet luftës së parë dhe luftës së dytë botërore. Kur sapo e mbylla frazën time të thënë ashtu shkujdesur, vura re se profesori u mbështet në ndenjësen e karrikes dhe më tha nëse ke vendosur ta studiosh gjerësisht këtë periudhë, pikërisht ajo do të përbëjë vërtet një kontribut në hedhjen dritë të pamjeve të para të modernitetit në prozën romanore shqipe, e cila sipas tij, vetëm sa është prekur nga studiues të ndryshëm por askush nuk ishte ndalur të shpjegonte gjerësisht tiparet dhe karakteristikat e kësaj dukurie letrare. Madje, vijoi ai fjalën e tij, kjo temë kaq interesante, do të ishte një mundësi serioze për të vijuar studimet doktorale. Unë e dëgjova me vëmendje dhe për të qenë i sinqertë, ende pa qenë i vendosur, shqiptova disa fjalë të pasigurta por duke i dhënë vetës kurajo dhe duke e veshur Çdo mendim me vullnet, rashë në një mendje dhe kështu ndoqa këshillën e profesorit tim. Ja kështu kjo punë u shtri dhe u kurorëzua përgjatë një dekade.
A.D: Qysh në titull, ju e qartësoni temën e studimit: prozën romanore shqipe. Kjo ndalje vetëm në prozën e gjatë, a vjen për shkak se fillimi i modernitetit në prozën e shkurtër është një çështje tanimë e zgjidhur?
E.N: Në punimin tim unë i prek në mënyrë jo rastësore treguesit dhe tiparet e modernitetit në prozën e shkurtër, për të cilën ndaj të njëjtin mendim dhe pikëpamje me shumë studiues të tjerë, të cilët janë marrë gjatë dhe e kanë trajtuar këtë aspekt të rëndësishëm të zhvillimit dhe emancipimit të Letërsisë Shqipe.
A.D: Në vetvete, letërsia e realizmit socialist sikurse David Forgas thotë, më shumë se sa një teori letrare e mirëfilltë, ishte një lloj rregulloreje normative për atë lloj të shkruari. Sipas jush, moderniteti në prozën romanore shqipe të shkruar njëkohshëm me letërsinë e realizmit socialist, a është një kyrengirtje e vetëdijshme a e pavetëdijshme ndaj këtyre normave?
E.N: Për mendimin tim, pa as më të voglën mëdyshje po. Dalja në dritë e romaneve të Petro Markos dhe më tej, modeli dhe fryma që përcollën veprat e Kadaresë, krijuan mundësinë që Letërsia Shqipe të mund të krijonte kontaktet e humbura me letërsinë evropiane dhe atë botërore dhe lidhur me këtë tezë ka plot fakte të cilat unë i kam marrë në shqyrtim në studimin tim. Mjafton të kqyrësh vetëm treguesit biblografikë dhe situata më atë të këtij informacioni të qartësohet menjëherë. Në vetvete ky është një proces i cili është shtrirë përgjatë viteve të tëra, duke patur dhe shënuar peripeci të njëpasnjëshme dhe po kaq vite më është dashur të hulumtoj e ta studioj këtë dukuri tejet të rendësishme në letrat shqipe. Dokumentacioni në lidhje me këtë etapë për fat është tejet i pasur dhe ende jo shterrues. Pa e njohur dhe analizuar me detaje dhe vëmendje këtë arsenal që deshifron këto veÇori, të cilat karakterizojnë qartazi edhe makinërinë e Çensurës, nuk mundet të arrihet në përfundime të sakta dhe objektive. Në të kundërt, një përpjekje tjetër do të realizohej mbi bazë opinionesh, gjë e cila natyrshëm do të krijonte apo edhe ndoshta po hasim në një skemë të përforcuar tashmë në formë analitike, në disa prej studimeve të viteve të fundit, ku terreni konceptohet që në krye të herës dhe konfigurohet me dy ngjyra, bardh e zi, ashtu si në pjesën dërrmuese të veprave të realizuara në socrealizëm! Këtë përshtypje dhe pikëpamje prej vitesh e dekadash e ka hedhur poshtë mendimi kritik dhe ai shkencor ndërkombëtar, i cili që në atë kohë, përfshiu edhe zhvillimet e letërsisë shqipe në rrjedhat e letërsisë evropianë dhe atë botërore. Sjell ndër mend interesimin për romanet e Petro Markos, i cili aso kohe arrit të botohej deri në Japoni dhe gjeografinë gjithmonë në rritje që në gjysmën e dytë të shekullit të XX e deri më sot, të veprës së Ismail Kadaresë.
A.D: Një problematikë që vijon t’i ndajë studiuesit është ajo e krijimit të një historiografie të letërsisë shqipe. Në një vështrim sipërfaqësor, shpesh herë ndarjet si klasike, moderne etj., shihen thjesht si kronologjike dhe jo tipologjike. Ju si e shihni këtë problem?
E.N: Unë mendoj se në fushën e studimit, dukuritë letrare ende shpjegohen apo trajtohen me lentet e ideologjizimit dhe këtu nuk kam parasysh metodat e aplikuara para viteve ’90. Me keqardhje kam kuptuar se edhe kritikë dhe studiues të ndryshëm të një gjeneratë tjetër, rreken ta shohin letërsinë e lëvruar dhe botuar në gjysmën e dytë të shekullit XX, si një letërsi e cila kish krijuar varësi nga normat e metodës së socrealizmit, gjë e cila nuk është aspak e vërtetë. Nëse flasim për modernitet në letërsinë shqipe, ajo spikat që në gjysmën e parë të shekullit të XX e më pas, ky proces vijon e do të shohim se si të tillë e kanë vënë re dhe trajtuar edhe kritikë të ndryshëm të asaj kohe si psh. Drago Siliqi e të tjerë pas tij vendas por edhe të huaj. Nëse pohojmë se përgjatë pesëdhjetë viteve të diktaturës, janë demaskuar vepra dhe autorë të caktuar, më tej janë burgosur dhe iu është hequr për vite me radhë e drejta e botimit, madje edhe librat iu janë dërguar për t’i kthyer në karton, atëherë do të shohim qartë se kemi të bëjmë me nje realitet krejt të ndryshëm nga ai që ndërtonte propaganda e kohës. Rrjedhimisht i përmbahem mendimit se letërsinë shqipe të asaj periudhe duhet ta shohim e t’i qasemi nga këndvështrime të ndryshme, gjë e cila nuk mund të shënojë thjesht dhe vetëm një konvencion të shtrirë në një këndvështrim kronologjik por për më tepër edhe tipologjik për vet tiparet dhe treguesit që bart ky proces krijues me protagonistët më përfaqësues të tij.
A.D: Pyetjes nëse letërsia duhet lexuar thjesht për tu shijuar, apo duhet interpretuar dhe zbërthyer për të kuptuar më shumë prej saj, besoj se e di si do t’i përgjigjeni. Ndaj, po ju kërkoj një arsye, pse? Pse ka vlerë ajo çka vjen përtej leximit?
E.N: Njeriu në vetvete është një natyrë zhbiruese. E gjithë jeta e tij është një udhëtim në të cilin qenia njerëzore ka për qëllim të njohë pjesën e panjohur që i shfaqet si vijë e paprekur horizonti por në të njëjtën kohë në këtë rrugëtim do të ketë Çaste, ku i duhet të komunikojë edhe me epokat pararëndëse. Për këtë arsye leximi vjen si një mjet a mënyrë ku gjithkush kundron botën e padukshme brenda dhe përtej tij, ajo që tashmë risjell të kaluarën dhe realitetin nëpërmjet fjalës.
A.D: Sikurse ju citoni, në këndvështrimin e Koliqit romani Djella i Camajt është disi i vështirë të përcaktohet si zhanër, “Romanx apo dituer poetik”. A ishte edhe për ju një dyshim i tillë, jo pikërisht në rastin e Camajt, por në përgjithësi, gjatë punës tuaj për realizimin e këtij studimi?
E.N: Një ndër qëllimet parësore të këtij studimi ishte trajtimi si në rrafshin diakronik por edhe sinkronik të krejt zhvillimeve në Letërsinë Shqipe. Objektivi i kundrimit zmadhohej pas Çdo etape që përshkoha dhe gjithmonë e më tepër më përforcohej bindja dhe aspirate për të mos mbetur i kufizuar vetëm në botimtarinë e kësaj letërsie që zhvillohej dhe përqendrohej kryesisht brenda kufijve administrativë të Republikës Popullore e Socialiste të Shqipërisë por duke e shtyrë vrojtimin edhe më përtej, në botën letrare përtej kufijvë, në Kosovë dhe në diasporë. Padyshimi duke iu referuar pikëmamjes së Koliqit në lidhje me përcaktimin si zhanër Romanx apo dituer poetik, mbi romanin Djella të Martin Camajt kam qenë padyshim i një mendjeje me këtë përcaktim, i cili në thelb paralajmëronte lexuesin për një përmasë tjetër që po fitonte letërsia jonë, nëpërmjet veprës së Camajt.
Në kapitullin Pamjet e para të modernitetit në prozën romanore të Shqipërisë, pjesa e parë titullohet Pikëtakimet jetësore dhe letrare të Petro Markos dhe Ismail Kadaresë me letërsinë moderne. Pse keni zgjedhur pikërisht këto dy autorë? Po rezultati i qasjes komperatiste ndërmjet tyre, cili rezulton të jetë?
Përgjatë analizës që i kam bërë asaj epoke, jo vetëm nëpërmjet botimeve por edhe shkrimeve të ndryshme kritike, recensave dhe dokumentacionit i cili tashmë është zbardhur, vija re që këto dy autorë, jo vetëm tërhoqën vëmendjen e kritikës brenda Shqipërisë por edhe depërtuan në rrjedhjat e zhvillimit të letërsisë ndërkombëtare. Vepra e tyre shpërfilli në mënyrë të vetëdijshme kohën, sistemin, normat dhe kufizimet e diktuara nga strukturat që drejtonin vendin. Në formë dhe mënyrë aspak rastësore, ky model lindi për të sjellë në Shqipërinë e kohës një lëvizje të madhe në mendimin shoqëror dhe për të ndikuar drejtpërsëdrejti në ecurinë dhe drejtimin e mëpastajmë të letërsisë shqipe. Ndërkohë në anën tjetër të realitetit, pra në diasporë një numër i njohur shkrimtarësh të cilën edhe pse u spikatën për bindjen e tyre antikomuniste, fituan statusin e disidentit politik, madje drejtuan edhe katedra letërsie në universitetet më të njohura të Evropës, nuk munden kurrësesi të krijonin një audiencë tek publiku apo kritika e huaj. Në këtë aspekt nuk mund të mohohet roli dhe vendi që zënë këta autorë në sistemin e vlerave të letërsisë sonë por në përballje me mendimin e specializuar të kritikës së huaj por edhe të gjykimit të lexuesit ndërkombëtar, ata nuk krijuan dot një protagonizëm, por mbetën në suazën e vlerave origjinale të sistemit letrar shqiptar. Duke qëmtuar dhe analizuar një sërë treguesish, mund të them pa asnjë mëdyshje që beteja më e drejtpërdrejtë dhe tejet e ashpër po zhvillohej në këtë territor të kufizuar dhe të mirëkonktrolluar të shtetit shqiptar, ku të dy këta autorë Petro Marko dhe Ismail Kadare, jo vetëm nuk iu përmbajtën skemave të diktuara nga regjimi totalitar por përkundrazi, i kapërcyën barrierat dhe dhanë shenjat e para serioze të një realitet krejt të ndryshëm nga ai që mundohej të shpalosnin strukturat e sistemit komunist. Qasjet krahasuese ndërmjet këtyre dy autorëve dëshmojnë për një proces, ku Marko spikat i një përfaqësues i denjë i shkrimtarëve të brezit të humbur, një kastë kjo që krijoi një lëvizje të rëndësishme në rrjedhat e letërsisë botërore dhe këtu kam parasysh Ernest Heminguejin, Erich Maria Remark, etj., dhe ndërkohë Kadareja që u shfaq në Letërsinë Shqipe dhe atë botërore pikërisht në këtë periudhë, shënon edhe shkëputjen dhe ndërtimin e një modeli të ri novator në prozën romanore, si në nivel kombëtar por edhe në rrafshin ndërkombëtar. Këtu nuk duhet të shmangim nga vëmendja faktin që ndërsa Shqipëria po izolohej ose po vetizolohej gjithmonë e më shumë nga bota e lirë, vepra e Ismail Kadaresë por krijontë një përhapje mjaft të gjerë, komunikim dhe po përvijonte bindshëm një ardhmëri tjetër nga ai që kish projektuar regjimi totalitar, për letërsinë shqipe dhe për fatet e shoqërisë së ndrydhur shqiptare.
Jam kureshtar të di, në ç’raport jeton brenda jush edhe krijuesi, edhe studjuesi? Kur shkruani letërsi, e mendoni veprën tuaj si objekt studimi dhe a ndikon kjo gjë gjatë procesit të punës?
Mendoj se në pjesën më të madhe në laboratorin tim, tek unë ngre krye krijuesi. Kam përshtypjen se kohë pas kohe shkrimtari për të mos përsëritur veten dhe per të shmangur rutinën në krijimtari, i duhet doemos të bëjë një shkëputje të përkohëshme dhe të merret me hulumtime, kërkime intepretime të dukurive letrare dhe shoqëre, ose edhe me përkthime. Në fund mendoj se çdo autor e ka të nevojshme të bëj një analizë dhe të jetë kritiku i parë i vetvetes. Kjo vlen pikë së pari, për të dalë e për të parë përtej unit të tij. Për këtë arsye, unë mendoj se çdo autor e ka detyrim që krahas veprës së tij letrare, të sjellë për publikun e gjerë edhe marrëdhënien që ka krijuar me autorë të tjerë bashkëkohës të tij apo edhe pararendës të së njëjtës gjuhë apo kulturë, apo edhe ata me gjuhë kulturë dhe koordinata të baraslarguara. Procesi i të shkruarit, kam bindjen se e bën një vepër studimore apo edhe të përkthyer më të mirëstrukturar, me një gjuhë më të dashur dhe tërheqëse për lexuesin, pasi siç edhe mund ta keni vënë re, distancimi i lexuesit ndaj veprave studimore apo botimeve të ndryshme kritike, vjen si pasojë e një stili disi të ftohtë dhe aspak grishës për lexuesin, në veçanti për brezin e ri, i cili rreket të gjejë busullën e orientimit në shtjellën e pikëtakimit të së djeshmes me të sotmen. Pikërisht kjo gjë mendoj se përbën jo thjesht një detyrim por edhe një mision për çdo krijues apo hulumtues të fjalës që merr përsipër të ndërfutet dhe të nxjerr në dritë, etapa të caktuara dhe detaje nga e shkuara e shoqërisë njerëzore e cila mundet të vijojë ekzistencën e saj nëpërmjet nesh dhe breznive që vijnë pas.